Kulturë
Albert Habazaj: Lufta Kombëtare e Vlorës në këngët e popullit të Labërisë
E hene, 08.09.2025, 06:56 PM
LUFTA KOMBËTARE E VLORËS -1920 NË KËNGËT E POPULLIT TË LABËRISË
Nga
MSc. Albert HABAZAJ, autor i
monografisë “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”
Këngën për këtë epope epokale e kanë kënduar, së pari,
ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë.
Shkurtore
Lufta Kombëtare e Vlorës në Epikën Historike dhe në të folurën popullore
quhet Epopeja e Njëzetës. Ngjarjet e mëdha shkruhen në histori e përjetësohen
në këngë. Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë
pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë, si: Xhebro Gjika, Mato
Hasani, Nase Beni, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka,
Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini, Selam
Abazi etj[1]. Vërejmë se, shumica e krijuesve
kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na vijnë si
rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet
të kënduarit shprehin mendim poetik historik për figura të gjalla, reale,
konkrete. Natyrshëm mund të shtrohet pyetja: Po sot, kush e
këndon këngën e Luftës së Vlorës, ku, ç’ mosha, ç’gjini, kur, sepse vërejmë që
grafiku i aplikimit të Epikës popullore labe për Luftën e Vlorës shënon rënie,
dhe ndoshta s’do të bjerë dhe ca kohë, sepse të paktën në Vlorë ka tre bastione
folklorike të forta në Dukat, në Armen e në Tërbaç. Qysh kur mbushi një shekull
nderim e sidomos në këtë 105 - vjetor të nderimit të saj ajo u rizgjua e
fluturoi hapësirave labërore edhe në Drashovicë e Kotë, në Mesaplik e në
Treblovë, në Progonat e Ramicë, në Kaninë e Velçë, në Sevaster e në Brataj, në
Vranisht e në Bolenë, në Dhëmblan e në Bënçë, në Fushëbardhë e në Kalivaç, në
Nivicë e Gjorm, në Zhulat e Selenicë, në Gusmar e në Lepenicë, në Vajzë e në
Pilur, në Fterrë e në Trevllazër, në çdo fshat të Labërisë...
1. Në terren dhe në
“laboratorin” e Epikës Historike të Luftës së Vlorës
Kriterin kronologjik e kemi si bazë të
trajtimit të studimit “Lufta Kombëtare e
Vlorës - historia në epikën historike”. Objekti i punimit fokuson analizën
e tipologjisë së Luftës së Vlorës, mbështetjen dhe jehonën që pati kjo luftë
çlirimtare me karakter popullor këtej dhe matanë Adriatikut, këtë ngjarje
historike me rëndësi kombëtare parë në raportin histori- folklor, që është dhe
qëllimi i këtij punimi; e historisë si shkencë, që studion tërësinë e fakteve,
ngjarjeve dhe dukurive, që karakterizuan jetën dhe zhvillimin e popullit të
Vlorës dhe krahinave shqiptare që e mbështetën atë me forca, mjete, armatim,
ushqime dhe ndihma të tjera për të çliruar territoret e pushtuara nga të huajt.
Ky raport qëndron me këngët historike të Njëzetës, si rrëfim popullor në
vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit
shpreh mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete.
Folklori i Luftës së Vlorës mendojmë se
bëhet kështu hipotekë e fitores së merituar, kur siç dimë dhe nga historia, “hasmin deti e përpiu”... Në shikimin
tonë kemi nxitjet folklorike dhe pasqyrimin e epikës historike, me krijimet e
mirëfillta folklorike, që jetojnë nëpërmjet varianteve dhe improvizimit, atje
në Vreshtat e Mëdha, në Qafë të Koçiut, në Kotë, në Drashovicë, në Kaninë, në
Bestrovë, në Tepelenë, në Llogora, në Gjormë, në Skelë. Epika historike e
Njëzetës rrëfen ngjarje të vërteta, personazhe realë, kemi të bëjmë me elementë
realë, konkretë, historikë, që marrin
sfond edhe nga këngët më të vjetra
historike. Kënga e Luftës së Vlorës nuk distancohet në vite. Ky cikël nuk vë në
dyshim integritetin e Epikës historike të Njëzetës, paraqet dhe të mirën dhe të
keqen; edhe lëkundjet e parisë i vë në dukje.
Ky cikël është shumë i pasur, nga më të
pasurit që ka epika historike e popullit shqiptar në tërësi dhe mjaft interesant;
nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamanit,/ Dil steresë, jo
limanit!”.
Lufta e Vlorës u zhvillua në Vlorë,
Tepelenë, në ato garnizone, pika e lartësi ku ishin dislokuar forcat italiane të
pushtimit. Pjesëmarrësit në luftë ishin pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare,
të cilët erdhën jo thjesht në shenjë solidariteti, por e ndjenin që po u cënoheshin trojet e tyre,
vatra amtare, shtëpia e madhe. Pra ndërgjegjësimi atdhetar - kombëtar, ardhur
si stafetë e njohjes së kombit, që nga Rilindasit, sidomos nga periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur fillon
ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare, mori përmasa më të gjëra: njohjen e
Kombit.
Vullnetarët e ardhur nga krahinat e
tjera në Vlorë, siç na tregon dhe historia apo dhe variantet e këngëve të
rregjistruara, spikasin me një dukuri të
re, që u bë traditë ndër hapësirat ku banojnë shqiptarë: që trojet shqiptare
s’mund t’u falen më të tjerëve, që nisur nga shtëpia e vogël e familjes të
ruajmë e të luftojmë për shtëpinë e
madhe kombëtare, se hasmi s’ka turp e vjen te dera...
Në parantezë shprehem se ndjej detyrim si shkrues i vëmendshëm të
përmend Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Luftës
së Vlorës, 1920, ose Komisioni, siç quhet nga populli (se bëhet dasëm e
nuk thuhet kush janë të zotët e shtëpisë)... Vërtet qenë luftëtarët e Labërisë
dhe të gjithë Shqipërisë, por pati një udhëheqje nga burra të ditur, bujarë e
atdhetarë, pati një drejtim ushtarak, që planëzoi dhe zhvilloi këtë luftë të
organizuar dhe fitimtare).
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare,
Barçalla, 29 Maj 1920:
Osman Haxhiu - Armen,
kryetar
Sali Bedini - Armen,
anëtar
Hamit Selmani - Dukat,
anëtar
Duro Shaska - Kocul,
anëtar
Hazbi Cano - Mavrovë,
anëtar
Beqir Sulo Agalliu -
Vlorë, anëtar
Ali Beqiri - Velçë,
anëtar
Alem Mehmet Agai -
Tragjas, anëtar
Hysni Shehu -
Sevaster, anëtar
Qazim Kokoshi - Vlorë,
anëtar
Murat Miftari Habazaj
- Tërbaç, anëtar
Myqerem Hamzaraj -
Kaninë, anëtar
Sekretarë:
Halim Xhelo Tërbaçi, i
cilësuar si Abdyl Frashëri i epopesë së Njëzetës
Meçan Selami -
Kallarat
Pranë Komisionit të
Mbrojtjes Kombëtare (Këshillit të Luftës me 12 anëtarë) u krijua një organizëm tjetër,
Komisioni Ushtarak apo Shtabi Ushtarak:
Major Ahmet Cani -
Lepenicë, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (deri në Kotë,
05.06.1920)
Kapiten Qazim Koculi -
Kocul, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (nga Kota deri në
përfundimin e luftës). Anëtarët e shtabit ishin të gjithë me shkolla dhe
akademi ushtarake, të mos i përmendim ato që i kemi shprehur më parë.
Fitorja e Luftës së Vlorës është Pavarësia konkrete e
Shqipërisë, se flamuri i Skënderbeut që ngriti me trimat Ismail Qemali më 28
nëntor 1920 në Vlorë, u mbrojt me dinjitet e u la me gjakun e Zigur Lelos,
Kanan Mazes, Selam Musait, Toto Hosit, Hodo Zeqirit, Dule Dalanit, gjithë
dëshmorëve të paharruar të Njëzetës.
Cikli i Epikës historike të Luftës Kombëtare
të Vlorës nuk mund të operojë ndryshe nga ç’ka ndodhur në të vërtetë, duke u
bërë kështu kronikë e ngjarjeve të verës së
vitit 1920 në Vlorë e rrethina. Këtë e marrim vesh nga toponomastika e
pasur e këtij folklori, nga emrat që thotë kënga. Mbi këtë plan është realizuar
rilevimi i njësive folklorike në terren, krahasuar me të dhënat nëpërmjet
dokumentacionit përkatës, përzgjedhur përmes ballafaqimeve të shumta tekstore.
Dhe gjatë udhëtimit nëpër lëndina e
bjeshkët folklorike sodisim natyrën epike dhe pimë ujë në gurrën përtej
shekullore prej nga buron epika historike e Luftës së Vlorës).
Duke punuar me vëllimin “Këngë
popullore historike”: Tiranë; Instituti i Shkencave, 1956, kemi shënuar 43
njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës, i cili vjen nga Dhëmblani,
Turani e Levan Cirua - Tepelenë, Qeparo - Himarë, Tërbaç, Vranisht, Shkozë,
Ramicë, Dukat, Velçë, Vajzë, Brataj, Shalës - Mesaplik, Bolenë, Nivicë e
Progonat - Kurvelesh, Çorrush e Aranitas-Mallakastër, si dhe nga vetë qyteti i
Vlorës. Pra është e kufizuar hapësira e përhapjes së këngës pothuaj në ato
hapësira që prodhuan historinë e Luftës së 1920 - s: Vlorë - Tepelenë - Himarë.
(Në këtë rast diskutojmë vetëm për shembujt që na vijnë nëpërmjet këtij botimi
të realizuar relativisht herët, pra 69 vjet më parë). Botime të tjera sjellin
njësi të tjera, variante të tjera, që e pasurojnë dhe e zgjerojnë hartën
folklorike të këngës.
2. Historia e Luftës së Vlorës
Mendje të ditura, klasifikuar dhe me
kodin kombëtar, si ato të: Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Zihni Sakos, Qemal
Haxhihasanit, Petro Markos, Muin Çamit, Arben Putos, Shahin Lekës, Ali
Asllanit, Lasgushit, Kudret Kokoshit, etj., kanë ravijëzuar konturet që Shqipërisë i nevojiten të jenë më të dukshmet për
faqet që i mbush Historisë së Shqipërisë Lufta e Vlorës. Janë nga ata njerëz që
mbi çdo gjë duan Atdheun siç është, jo bardhë e zi, por me të
gjitha ngjyrat, edhe para heshtjes apo indiferencës së shtetit nëpër rrjedhat e
kohës. Shkruajnë për ata burra që patën vullnet, qëndresë dhe dëshirë për t’i
shërbyer popullit e ca më tepër patën shpresën kombëtare e u bënë ballë
rreziqeve me çfarëdo mënyre.
Pena e tyre, si daltë skulptori, skalit
mjeshtërisht portretet e Ismail Qemalit, Osman Haxhiut, Qazim Kokoshit, Ahmet
Lepenicës, Duro Shaskës, Murat Miftar Tërbaçit, Abaz Mezinit, Azis Çamit, Alem Mehmetit, Hamit Selmanit,
Qazim Koculit, Azbi Canos, Ymer Radhimës, Hamza Isait, Sali Vranishtit, Sado
Koshenës, Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Thanas Benit, Mehmet Selimit,
Toto Hosit, Jani Mingës, At Shtjefën Gjeçovit, Dom Mark Vasës, Tol Arapit, Tod
Filipit, Beqir Velos, Dule Dalanit, Abdurrahman Çirakut, Selman Hysenit, At
Vasil Markos, Hodo Zeqirit, Sulejman Delvinës, Halim Xhelos, Rrapo Çelo
Sevasterit, Azem Sulos, Mehmet Selimit, Muhamet Mazes e gjithë atyre drerëve që
luftuan për Flamur. Këtyre burrave të nderuar kombi ua ka borxh bujarinë dhe
fisnikërinë që ata treguan. Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit
ishte simboli më i shenjtë dhe më
i ndjeshëm i shqiptarëve.
Është vërtet një ngjarje e dhembshme, e
prekshme, përlotuese, rrëqethëse ajo që ngjau atë ditë të shënuar të vjeshtës së tretë 1919 për shqiptarët. Italianët synonin
flamurin. Filloi përleshja. Urtësia e trimit të ditur Duro Shaska shpëtoi
djalërinë dhe parinë e Vlorës nga gjëma, kur gjëmoi: “Me duar o djem, me duar, sakën se përdorni armët!”. Akt simbolik i
vërtetë ishte gjesti i lavdëruar i Jonuz Kumanovës, Tahir Ismail Qemalit dhe
fytyrëgjakosurit për
flamur, Rexhep Arapi. Jonuzi e futi në gji flamurin e i dëshpëruar, përmbys mbi
të ra përdhe. Bishat e egërsuara u vërsulën, ua rrëmbyen flamurin, e copëtuan
dhe e shqyen barbarisht. Njerëzit i pllakosi gjëma, flamuri humbi. Kuja mori
dhenë dhe nga burrat, si rrallë
ndonjëherë, qanin si për një të vdekur të shtrenjtë. Ndërsa maskarallëku
pushtues arriti kulmin: një lakè i tyre i vogël me uniformë, ia lidhi një copë
flamuri te bishti një qeni, tek ecte në qytet. Ç’poshtërsi! Vandalizëm vërtet!
Edhe sot e kësaj dite dridhen nga dhembja e dëshpërimi gurët e mureve të
shtëpive vlonjate të kohës. E ndjeni? Dridhet dhe kjo ndërtesë! Ai veprim i
turpshëm, që oficeri i ri italian e quajti trofe e fitores, ndezi gjakun e
vegjëlisë.
28 Nëntori 1919 qe shkëndia që i vuri
zjarrin e mori flakë dynjaja me Epopenë e madhe të Njëzetës. Sa kuptimplote
janë vargjet: “Vrite, prite për flamur,/ Ata hiq e tinë vur”! Vargje që, për nga forca e shprehjes dhe densiteti i mendimit, të
kujtojnë tragjeditë shekspirjane. Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që
tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det
perandorinë, “një ushtri 40 miljonë”,
siç thotë kënga. Pa guxim s’ka
lavdi.
Për këtë realitet të madhërishëm, Abdyl
Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës, me
një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një
Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut”[2]. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të
shqiptarëve dhe Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë. Osmën Haxhiu, Qazim
Kokoshi, Qazim Koculi, Duro Shaska, Hamza Isai, Kol Karbunara, Tod Filipi, Ymer
Radhima, Ahmet e Hysni Lepenica, Hamit Selmani, Ali Beqiri, Josef Kantozi, Kol
Kita, gjithë ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me
ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale,
kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën
jetën a kapitalin dhe bënë histori.
Kur historia thotë se lufta e armatosur
kundër pushtuesve imperialistë, si hapësirë, u shtri në trekëndëshin Vlorë -
Tepelenë - Himarë, sepse këtë krahinë qeveria e Romës kërkonte ta aneksonte dhe
aty ishin përqëndruar forcat kryesore ushtarake të pushtuesve italianë, na
kujtohet trekëndëshi mitik. Kur këndohen vargjet e këngës: “Kota, Gjormi, Llogoraja/ Tre beteja të
mëdhaja...”, vetvetiu trinia e
shenjtë mikike na vjen ndër mend. Mitologu Mark Tirta, duke trajtuar kultin e
numrave, në interpretimet e parakëve të njerëzimit, e quan treshin numër të
shenjtë, numër fati, që në rit magjik, ka natyrë kultike. “Treshi në popujt primitivë është përdorur përveçse si sasi dhe “shumë”,
“pasuri”, “lumturi”, “fat”, pra si numër fatndjellës, magjik, i
mbinatyrshëm...Treshi thuajse në tërë popujt është numër magjik e lidhet me
dukuri shenjtërie...Tripjesëshi ishte ndarja e universit në shumësinë
kozmologjike të shenjtë: qielli - toka - ujët”. [3]
Në këtë luftë vërejmë, se është zbatuar parimi mbarëshqiptar e hyjnor i
Pashko Vasës: “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA”. Pse e them këtë? Sepse
këtu, në krahë të banorëve - luftëtarë të Labërisë së Vlorës, Kurveleshit,
Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Sarandës, Skraparit, Devollit, Kolonjës,
Krujës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit, Gjirokastrës,
Tiranës, Beratit, Myzeqesë, Korçës, Çamërisë, shqiptarëve të Amerikës, pati
përfaqësues të feve, që nga Dom Mark Vasa, At Shtjefën Gjeçovi, Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet
Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit, myftiu i Vlorës Osman Muka etj. Pra, pa
dallim feje, krahine dhe ideje, u bënë një trupë çlirimtare kombëtare katolikë, ortodoksë, bektashinj,
myslimanë, po ashtu morën pjesë në luftë dhe dhanë ndihmë të çmuar edhe
pjesëtarë të etnive të tjera, që ishin këtu dhe u shqiptarizuan, si Josef
Kantozi e hebrenj të tjerë.
Po ashtu mund të përmend Xhovani Valencia, që erdhi si pushtues, por
duke vlerësuar të drejtat e lirisë universale, ai ndihmoi çlirimtarët me armë e
municion nga Panajaja.
Po mbështetja e qeverisë së Sulejman Delvinës mund të harrohet?! Po
Ministri pa portofol Spiro J. Koleka, njëri nga nismëtarët e Njëzetës, që ishte
ndërmjetës të qeverisë së Tiranës me Komisionin, apo Hamza Isai me aleatët
(Korfuzin) a mund të harrohen?!
Ndërkohë, nuk mund të mohojmë faktin që Qeveria e Tiranës e mbështeti
Luftëne Vlorës dhe mbështetësit kryesorë ishin vetë kryeministri Sulejman
Delvina dhe dhe ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Po prefekti i Beratit Xhafer
Ypi që e kreu në mënyrë shembullore detyrën e Qeverisë së Tiranës për
logjistikën e kësaj lufte çlirimtare, a mund të harrohet?!
Po karvanet e kuajve të vllahëve të Selenicës me Kol Kitën në krye a
mund të harrohen për furnizimin me ushqim e municion të formacioneve luftarake
në front apo me pjesëmarrje drejtpërdrejtë në luftime?!
Po Sado Koshena kapedane, si shqiponjë në tufane, proverbiale me thënien
e saj trimërore dhe frymëzimtare për vëllëzërit e saj dukatas kur dha kushtrimin
për t’u ngritur e organizuar në luftë?! Dhe Dukati u ngrit në luftë me 3
çeta... Po Njëzeta nuk ka vetëm një Sado, ka edhe një Rubi Hosi, ka dhe një
Hanko Mete, ka edhe Safe Musain e sa e sa trimëresha të tjera në ballë të luftës
dhe në prapavijë, tek shëronin plagët, si vulë trimërie e luftëtarëve të lirisë,
si Zakine Krasta me shoqe që erdhi nga trevat e Elbasanit ?!
Po Mehmet Selimi, që në kujtesën popullore njihet si kalorësi i
Ultimatumit mund të harrohet. Ai ishte trim i sprovuar dhe më parë, njohës i 6
gjuhëve të huaja. Nuk ishte thjesht një çoban, bari nga fshati Mallkeq, por një
guximtar legjendar që tronditi gjeneral Piaçentinin dhe Perandorinë e re
Apenine?! Nuk mund të harrohet Shqiponja e Njëzetës, jo!
Mund të harrohet Thoma
Vasi që erdhi me bandën “Vatra” nga Amerika e largët, me këngë dhe me armë në
dorë, me tekstin “Vlora -Vlora” të Ali Asllanit të madh, Nderi i Labërisë dhe
gjithë Shqipërisë?! Nga Amerika erdhi edhe një çetë luftëtarësh me në krye gjeneral
Aqif Përmetin dhe kapiten Kareman Tatzatin, po kishte edhe një grup artilierësh me komandant Azis Çamin, zëvendës Elmas Ademi, oficërë artilierie
Xhafer Xhuveli (sekretari i Ismail Qemalit) dhe Avduraman Çiraku me histori dhe
këngë. Akti i Avdurrahman Aliut (Çiraku) është legjendar dhe i përjetësuar
meritueshëm në këngë. Kënga është kronika e ngjarjes në vargje të kënduara, ku
jepen saktësisht të dhënat e nevojshme, kohën, hapësirën, personazhet, ndodhinë
për të ndërtuar historinë e vërtetë, të jetëuarën, të fituarën apo të pësuarën.
“Të
xhumanë në saba/ Një mjegull e zezë ra,/ Binin topat nga Shashica/ Binin si
pikat e shiut./ Në fushë të Peshkëpisë/ Ra ballon i Italisë./ Këta djemtë e
Shqipërisë/ Me manxerrët e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë./ “Aropllanin kush
e shtiu?”/ “Trim Abdurrahman Aliu”[4].
Ç’ këngë e lartë e groteske!
3. Epika historike - hipotekë e kësaj ngjarjeje kombëtare
“Maji, më njëzet e nëntë,
N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,
Ngrenë plan populli vetë:
“Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!
Të desëm për Barçallanë!”
Fshat më fshat kartat u ndanë,
Vunë çet’ e kumandarë”…
Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na
jep një tablo informative të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar,
bëhet hipotekë e ngjarjes historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar
parimin fonetik dhe bartësit, komunitetit ç’i pëlqen.
Gjurmimet nga vrojtimet dhe ekspeditat në terren na kanë krijuar mundësi
të vjelim bartës, të tillë, që me prurjet e tyre na kanë falur urtësi e visare
folklorike, se vetëm trimit i këndohet kënga. Dhe kënga na duket sikur është
ditar në vargje i luftës për Kotën: “Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora
tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/
“Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta
marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan,
more Zigur!”. Një këngë tjetër për Kotën dhe Zigurin: “Ranë komitat në
Kotë,/ Komita në Kotë ra./ U vra Ziguri në portë,/ Zigur Lelua ç’u vra,/ Rrufe
djemt’ e cmokthinjotë/ Se ç’u bëtë lakëra”. Dhe një tjetër për Selam
Musain, i cili zuri një top nga gryka: “Nuk harrohet Kota kurrë,/ Kur mbi
tela shkonim ne,/ Edhe kur Selam Musai/ Shkrepte natën si rrufe,/ O Selam,
zemër me çika,/ E zure topin nga gryka”. Është edhe një këngë e përvajshme,
regjistruar ndër plakat e Bolenës: “Qaj Bolen’ e vure vajnë,/ Për ca trima
që t’u vranë…”.
4. Këngët më të hershme për Luftën Kombëtare
të Vlorës, 1920
Krijimi folklorik e ka një fillesë
krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në
qarkullimin folklorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike[5].
Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të
popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e
parë.
4.1. Krijuesit e parë të folklorit
të EHLV gjenden në burimin e këngës
Një nga poetët popullorë më të njohur
jo vetëm në Labëri, por në mbarë vendin, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin,
duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i
Vlorës (1900-1978). Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo
Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj.,
patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë
popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon
nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty,
ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia.
Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe
këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte
se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e
trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të
tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi
këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, - thoshnin banorët e Lumit të
Vlorës - e ka zënë buba atë punë!... Kjo është shkalla sipërore e
vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të
guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e
luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të
manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm
popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim[6].
Këtu e ka zanafillën rrëfimi i
këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që
bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit
këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet
e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë
botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e
Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy - tre strofa dyshe, shtruar, vënçe,
pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy - tre strofa
dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz
që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e
mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e
pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të
regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre
të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na
mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe
vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne,
si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të
dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim,
ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha
Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka
qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me
zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta
që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/
Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/
Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi,
burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me
bri!/ E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali
Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në
kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u
skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e
dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e
agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për
Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/
Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata
mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë,
kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u
grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për
bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për
thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.
Janë 54 vargje monokolonë, në
interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të
cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të
fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria
dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë
bazike, që i ngjiz krijuesit - luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe
frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e
shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore
dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë
trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë
heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por
atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për
ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër,
për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon
kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës,
kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i
këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së
Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së
Dukatit, se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga
Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me
fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje - ardhje, si i thonë banorët. Është rasti
të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë
plumbi” apo “i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i
drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët
që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta
këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i
përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe
marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është
kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është
vlerësuar edhe nga komuniteti.
Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi
i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit,
që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet e të tjerët
do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek
kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës,
kur këndon: “m’u si sorkadhi me bri”, duke dhënë figurativisht
cilësinë e trimit, si një djalë me trup të hajthëm, të hollë, të
zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë,
dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron
emrin heroik.
Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe
shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës së Tërbaçit Selman Hysen
Gjondeda e shumë trima të tjerë. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa
pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të
dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është
kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një
mbret dyzet milionë”[7]
Këngë për Luftën e Vlorës në
vëllimin “Këngë popullore historike”
Epika Historike e Luftës së Vlorës
lindi si frymëzim për ata që deshën e kërkuan lirinë; ajo lindi si “gurrë jete”
në psikën e banorëve të këtyre trevave, të komunitetit, në psikën e shpirtin e
këngëtorit, banor e luftëtar për jetë të lirë, siç ai e mendonte,
përgjithësisht në hapësirat ku u zhvillua ngjarja. Fjala e humbet vlerën kur
shpalosen visare folklorike si: “- Kanan,
t’u prish bukuria/ - Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy
miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo
thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të
shenjtë, siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje
brilante e flijimit për Atdhe, nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë
nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të
bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi
personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa
urdhëra e dekrete) - njëri misionar i lirisë, me gjakun që fali dheut mëmë dhe
tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e
cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht
si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës
sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon
periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i
realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi na
mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet
me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe
kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në
këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për
shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “Obobo,
ç’na qënkej Kota!/ Më e bukur se Evropa!” Përsëri këngëtori e përdor si
metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan
Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe
ashtu?!” dhe të ulërijë e të
çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit, i drejtohet burrërisht,
me fisnikëri: “Kanan, t’u prish
bukuria!...” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të
tilla kënga i bën nur një njeriu.
Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “- Kanan,
t’u prish bukuria/ - Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy
miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo
thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të
shenjtë, siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje
brilante e flijimit për Atdhe, nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë
nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të
bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi
personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa
urdhëra e dekrete) - njëri misionar i lirisë, me gjakun që fali dheut mëmë dhe
tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e
cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht
si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës
sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon
periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i
realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi na
mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet
me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe
kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në
këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për
shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “Obobo, ç’na qënkej Kota!/ Më e
bukur se Evropa!” Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine
të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan,
po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi,
por, siç i ka hije trimit, i drejtohet burrërisht, me fisnikëri: “Kanan, t’u
prish bukuria!…” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në
raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Duke punuar me vëllimin “Këngë
popullore historike”: Tiranë; Instituti i Shkencave, 1956, kemi shënuar 43
njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës. Ky cikël është shumë i
pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër
Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamanit,/ Dil steresë, jo limanit!”.
Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na jep një tablo informative
të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar, bëhet hipotekë e ngjarjes
historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar parimin fonetik dhe
bartësit, komunitetit ç’i pëlqen: “Maji, më njëzet e nëntë,/ N’ Barçalla, në
Mal të Shënjtë,/Ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të
desëm për Barçallanë!”/Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’ e kumandarë”…
4.2. Këngë për Luftën e Vlorës në
vëllimin “Këngë popullore të Labërisë”
Nga studimi i teksteve poetike të epikës popullore labe në këtë vëllim,
vërehet që janë tekste burimore, thurur e kënduar nga bartës që e kanë njohur
luftën e Vlorës në transhetë e saj, në zjarrin e betejave me pushtuesin, me
vargje lakonike, ku me pak fjalë jepet imazhi i gjallë i tymit e zjarrit të
asaj lufte çlirimtare: “Kam tre vjet, po gjë vesh s’mora/në ç’mendim
gjëndetë Vlora,/ bejlerë, a u thaftë goja,/ mos na shisni për të holla!/
Agallarë e efendi,/ mos na shisni n’Itali!/ Rrofsh, more Osmën Haxhi,/ të
qenë dy-tre si ti,/ nuk na grisej flamuri,/ nga një palo mbretëri/ që ka
breshkatë zadi! [Vlorë, 1944][8].
Kënga e mbarënjohur “Evropa shkruajnë e thonë” na vjen në disa
motërzime. Në vitin 1954, Fatos Mero Rrapaj ka regjistruar në Vuno të Himarës
një varaint pak të njohur, por besueshmërisht i thurur në transhetë e luftës
nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni po nga Vunoi: “Evropa shkruajnë e
thonë:/ “Ç’është kështu si dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë
lëftojnë/ me një mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë
italjanë”/ “Po me se lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e
aropllanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në
xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top
vapor e aropllanë,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë
mungesë nuk kanë,/ marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër
depotë ku janë,/ me to rrëzojnë aropllanë! [9] Vetëm me 7 vargje na vjen një këngë
nga Qeparoi, të cilin po e paraqesim, sikurse të gjitha këngët e tjera, duke
respektuar parimin fonetik, ashtu siç e mbledhur folkloristi në vitin 1955: “O
flamur, shqipe me derte,/ të kërkuam e na erdhe,/ na erdhe i kuq me shqipe,/
erdhe dhe vëndin e ndrite./ Na erdhe si ill karvani:/ në Vlorë ballë Sazani,/ u
mbit në det italiani…”. Kjo këngë është ngritur në verën e vitit 1921, ku
ushtria kombëtare, me kërkesën e patriotëve bregdetas, hyri në Qeparo bashkë me
Anest Qesarin po nga Qeparoi, oficer dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës.
5. Këngët labe për kontributin gruas në Luftën Kombëtare të
Vlorës
Edhe historia, por sidomos folklori
shpalos krenarisht pjesëmarrjen aktive dhe ndihmën e madhe të grave, pa të
cilën fitorja e Luftës Kombëtare të Vlorës mund të vihej në diskutim. Këngët
vënë në dukje kontributin e grave, të “gjalmëzezave”,
që “kishin pjellë e bërë drëra”. Ato
ishin krah luftëtarëve, gjithashtu me “dyfek
e sëpatë në dorë” a pranë tyre duke hapur llogore, duke u shpurë “bukë, ujë e fishekë”, a duke u lidhur
plagët të plagosurve. Më Njëzetën, gruaja u bë shoqe e pandarë lufte e burrit.
Nuk morën pjesë vetëm gratë labe në këtë luftë. “Në Vlonë shkuen nga shumë vise edhe zonja për të bamë shërbime
infermierie. Zonja e doktor Krastës nga Elbasani asht njena nga të parat që me
vullnet të vet shkoi në Vlonë për me ua kushtue shërbimin e vet luftëtarëve të
plagosun…Gratë e Elbasanit i hoqën vathët nga veshët dhe unazat e gishtave dhe
i dhanë për atë qëllim”.[10]
Këngët sjellin edhe jehonën e
ndërmarrjeve luftarake të grave heroina si Sado Koshena, Rubie Hosi, Safe
Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja, Hamide Mançaj etj., “Trimëreshat që bë’ nëna/ Luftuan e s’iu tund
këmba”. Jo vetëm përkushtimit të infermieres Rukie Krasta, që erdhi
vullnetare nga Elbasani dhe vraponte nga një llogore në tjetrën për mjekimin e
të plagosurve, në ndihmë operative të mjekut Shezai Çomo, nga Libohova, i cili
mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, siç e këndon dhe kënga, por gjithë
vullnetarëve të ardhur nga Skrapari, Devolli, Korça, Kavaja, Çamëria, gjithë
shqiptarëve, që dhanë një kontyribut të vyer me luftën që bënë, me ndihmat
materiale që prunë, me gjakun që derdhën për çlirimin e zonave të pushtuara të
qytetit dhe trevave të tjera shqiptare, populli i Vlorës dhe i krahinave
përreth, për hir të së vërtetës, përjetë duhet t’iu shprehë mirënjohje, nderim
e respekt.
Edhe Hysni Berdo na ka dhënë një
informacion të pabotuar më parë, të cilin patëm mundësinë, në cilësinë e
drejtuesit të gazetës “Çika e Tërbaçit”,
t’ia publikonim në këtë gazetë lokale para 13 vjetësh. Po paraqesim një
paragraf: “Në ndihmë të luftëtarëve qe edhe ulërima e Xhiko Alies në Buzujk, që
grumbulloi menjëherë bashkëfshatarët, të cilët i kthyen forcat armike nga
rrethues të një pjese të çetës patriotike të Sali Vranishtit, ku bënin pjesë
edhe shumë tërbaçiotë, në të rrethuar e të asgjësuar. Gratë stanore të Tërbaçit
në Shashicë, gjatë Luftës së Vlorës më 1920, nëpër plumba e gjyle, furnizonin
çetën e fshatit me ushqime, municione, ngrinin në krahë të plagosurit dhe i
mjekonin në stanet e tyre siç na e pasqyron kënga: “Eni shoqe t’i ndihmojmë,/ Vëllezërve që lëftojnë,/ Të dalim breg më
breg,/ T’u shpiem buk’e fishekë,/ Të hapim ndonjë hendek…”[11]
Duam të përmendim fjalët dhe veprat e
Sado Koshenës nga Dukati, një grua stoike, prototip i malësores shqiptare të
Labërisë. Më 20 mars 2010, Emaz Prënjo Rodaku, 84 vjeç [sot vd.], me arsim të
lartë, na tregon në shtëpinë e tij në Dukat - Fshat këtë episod interesant: “Kur u nis çeta jonë (e Dukatit, shën. im
- AH) për të luftuar kundër italianëve në
Qafën e Llogorait, Sadua i priti trimat mbudhë e u tha: “Shkoni dhe u priftë e
mbara! Mo kthehi me turp, se do ua bëj si ja bëra Alem Agait me çetë, në luftën
me grekun”. Ikën, fluturuan djemt’ e dukat. Ku mbaheshin ata gjërpënjë?! Po, që
ta dish ti, nipçe, më ‘12 - ën çeta shqiptare e krahinës së Dukatit, e
komanduar nga Alem Mehmeti, i tragjas, kishte luftuar me andartët grekë në
Llogora dhe u kthye. Në rrugën e
kthimit, ballas me Sadon, hazërxhevape, që i mbërtheu me llaf: “Alem Aga, ku vete me këta njërëz, apo do
fshihi në çitjane të grave?! Eni me mua!”. Burrat e çetës u turpëruan nga këto
fjalë, u kthyen për vëndi, se i mbathi mirë kapetania dhe, luftuan trimërisht,
si u kishte hije, deri sa e ndaluan përparimin e grekëve. Me ta e në ballë të
luftimeve ishte Sado Nurja.”
Për këtë grua, pleqtë e moçëm Musa
Koshena, Ahmet Mëhilli e Dervish Mëhilli (sot nuk jetojnë, por ne ruajmë
shënimet e tyre dhe nderim për ta), qysh në takimin e parë me ta në Dukat, më
18 qershor 1998, na kanë folur shumë dhe e çmojnë Sadon si luftëtare të zonjën,
që e ka mbajtur pushkën në krah qysh më 1912-1914, kur shqiptarët luftonin
kundër shovinistëve grekë. Ka qenë me të vërtetë nga ato labet që të marrin
gjak në vetull. Gra të tilla, jo vetëm që e çuditën armikun, por e tmerruan me
vetitë e tyre burrërore. Thonë se, ku i paska parë gratë maleve me pushkë,
Ulise Bozua, i cili kishte vajtur në Drashovicë, si i deleguar për të bërë
marrëveshje me krerët e KMK, ka ikur prej andej i lemerisur dhe, kur është
kthyer në Romë, sikur u paska thënë padronëve: “O mbret, qysh do bëjmë na?/ Albania ësht’ e fortë./ Lëftojnë burra e
gra/ Atje hauri ka zotë!”[12]
Karabinieria italiane, e revoltuar nga
disfatat e para, filloi të arrestojë, të djegë e të plaçkitë. Shumë gra u
torturuan dhe u çnderuan barbarisht. Po gratë shqiptare nuk e duruan dot
turpin, nuk u dorëzuan, nuk u përulën. I lanë shtëpitë e tyre dhe, ato që patën
mundësi të siguronin armë, shkuan në ballë të luftës, të tjerat qëndruan në
prapavija, se dhe aty, (megjithëse i padukshëm), kontributi i tyre ishte i
nevojshëm dhe i duhur, gjithnjë të gatshme për të ndihmuar luftëtarët e çlirimit.
Emri i atyre grave, sikurse i burrave
shqiptarë që bënë LV, do të ngelet përmendore në historinë e Shqipërisë dhe do
të zbukurojë si margaritar këngët epike të folklorit shqiptar: “Në luftën me Italinë,/ Luftën e Njëzetës -
ë,/ U bashkuan - ë në çetë/ Gjashtëdhjet’
bolenas - ë,/ Trimëresha Rubi Hosi/ Shkoi bashk’ me çetën - ë,/ Kra’ me burr’ e
me kunanë,/ Toton e Kafazin - ë,/ Bënë trimëri të rrallë/ Në qaf’ të Kaninës -
ë…”[13] Rubie Hosi ishte
e shoqja e trimit Toto Hosi, komandant i çetës së Bolenës, i cili ra heroikisht
gjatë LV, dhe, Rubia, që iu ndodh pranë nuk e qau me ligështime, po nisi një
këngë vaji me ligjërime. Këtë sythëz tematik do ta trajtojmë më gjerë në vijim.
Ja një tjetër këngë; “Sado moj, Sado
Koshena,/ Jeshe rritur në Ravena,/ Keshje pirë ujë bore/ N’ato kullotat
verore./ Mbi polkë veshe gjerdanë,/ More përpjet’ Llogoranë,/ Me një maliher të
gjatë,/ Luftove me ditë e natë./ Ti
vëlla keshje dyfekun,/ Me plumba e prite grekun,/ Hape zjarr mbi italianë,/ Se
të zaptuan vatanë.”[14] Kënga, në vetëm
12 vargje, na jep informacion të hollësishëm për veshjen e saj, për armatimin
që përdorte; marrim vesh se ajo është rritur në Ravenën e bukur me kullota
verore në malet e Karaburunit të Dukatit; njoftohemi për luftën që ajo ka bërë
kundër shovenëve grekë më Katërmbëdhjetën dhe kundër pushtuesve italianë më
Njëzetën. “Atje përposh, n’ato ura,/ Po
lëftojn’ burrat mi burra,/ Gjorm e Kot’ e Drashovicë,/ Plot’ me gjak lumi
Shushicë./ Po lëftojnë edhe gra,/ Lumthi vëndi që i ka,/ Nga Dukati Sadoja,/
Sadoja Kosheneja,/ Që ish’ grua përmi gra”, na informon një tjetër këngë.[15]
“Sado Koshena nderoi jo vetëm Hamzajt nga
qe bijë, por edhe Koshenajt ku shkoi nuse, gjithë Dukatin e Labërinë, duke u
bërë simbol kombëtar i atdhedashurisë të gruas shqiptare, sepse “në malet me
trëndelinë, kishte thithur trimërinë” dhe shpallet “Heroinë e Popullit” për
merita të shquara kombëtare. Busti i saj në qendër të fshatit lart krenaron
historinë për brezat.”[16]
Një botim më i vjetër, kontributin e
grave në LV, që dhanë një ndihmë të madhe me dërgimin e municioneve,
përgatitjen e shpërndarjen e bukës dhe veshjes, herë - herë edhe duke marrë
pjesë drejtpërdrejt në luftime, na e jep me këtë tablo folklorike: “Ç’kanë malet që rënkojnë?/ Moj nëno, nëne!
[refreni]/ Nga tromopilat që shkojnë,/
Nga topat që na qëllojnë,/ Ballonat që fluturojnë,/ Nga bumjet që na lëshojnë,/
Trimat tanë po lëftojnë!/ Le të dalim dhe ne gratë,/ Të marrim peshqir e napë,/
T’u njëmëm buzën e thatë,/ T’u shpijem buk’ e fishekë,/ T’u hapim ndonjë
hendek!/ Kush ësht’ burrë - shesh për shesh,/ Kush të vritet, le të vdesë,/
Kush të rroj’ me nder të jesë,/ Vatanin do ta qerdhesë.”[17]
Ndër botimet më të reja mund të përmendim monografinë “Miserdhe Rexhepi, rapsode e shquar e
Labërisë” e prof. Bardhosh Gaçe, ku thekson edhe kontributin e grave të
Velçës në Luftën Kombëtare të Vlorës. Ato ndihmuan burrat e vëllezërit e tyre
në front, duke i furnizuar me municion, ushqime e veshmbathje, ku
përmenden gratë e shquara të fshatit
Velçë si: Metullahe Zhabaj, Taibe Begaj, Xhurxhi Shollaj, Labikë Demaj, Sadike
Hoxhaj etj. Studiuesi vë në dukje sidomos ndihmesën e Hamide Mançaj, që krahas
simotrave të saj, kishte edhe frymëzimin poetik dhe nderohet ndër vajtojcat e
njohura të traditës labe, që thurte vargje për bëmat e të afërmve dhe të
luftëtarëve velçiotë, ajo qe nikoqire e rrallë, punëtore dhe endëse e talentuar
e tezgjahut. Hamideja mbahet mend në ballë të grave luftëtare të Velçës, “duke
patur pranë vetes edhe vajzën e saj, Miserdhe, disa herë shkoi në frontin e
luftimeve në Kotë, Drashovicë e Vreshtat e Mëdha, duke transportuar armë e
ushqime për luftëtarët”[18]
Ka edhe materiale arkivore që flasin
për rolin aktiv të gruas labe dhe në përgjithësi të gruas shqiptare në LV. “Kur u përhap lajmi në gjithë Shqipërinë, se
do të fillonte kryengritja e përgjithshme,- shkruhet në një artikull,
botuar në rev. “Nëndori”, nr. 8, 1960, - për
të luftuar imperialistët italianë, në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera u
formuan komisione për të mbledhur ndihma në favor të luftëtarëve. Në këto komisione
shumica ishin gra, të cilat dhanë florinjtë e gushës, byzylykët, vathët dhe
unazat për të ndihmuar vëllezërit e tyre që luftonin”. Po gratë nuk e
ndihmuan luftën vetëm materialisht. Ato muarrën edhe vetë pjesë në luftë me
pushkë në krahë. Zekine Krasta, kur pa se i biri i saj u nis për t’u bashkuar
me shokët maleve, rrëmbeu pushkën dhe e ndoqi nga pas. Kurse Safe Musai, si
përcolli për në Beun të kunatin, Selam Musanë, i tha se do të nisej edhe ajo,
me shoqet e saj, sapo të siguronin armë. Dhe ashtu bëri. Ajo nuk qau, por diti
të ligjërojë me këngë vaji si burrneshë, kur i kunati ra si i kishte hije
trimit, në ballë të luftës. Edhe pse s’la fëmijë pas, Selam Musai la emër,
lavdi e shembull për të tjerët. Iu kënduan këngë më shumë se çdokujt tjetër, sepse,
si duket, ai i kishte buzët te kënga, ballin te lavdia, ndaj fluturon në
vargjet e këngës, si në krahë të legjendës: “Lule, Selam Labi, Selam Salaria!”
6. Shenja europianizimi dhe Epika
Historike e Luftës Kombëtare të Vlorës për Europën
Nga cikli i EHLV, vërejmë se, në tetë njësi folklorike, këngëtari dhe
luftëtari popullor i drejtohet Europës apo e përmend atë. Si i drejtohet
Europës? Përse e përmend kontinentin e vjetër? Po ndalojmë pak tek varianti i
botuar në “Epika Historike, 3”: “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj
Vlor - o!/ Skel’ e parë në Evropë/ Moj Vlor - o” etj. Nuk ka dyshim që
Vlora as ka qenë dhe as mund të jetë skela e parë e kontinentit europian, por
është e drejta e folklorit të çelë shtigje që të vërshojë në këngë “parimi i
zbukurimit, simbolizimi nga pozitat e bashkësisë”. Gjithashtu, është mision i
folklorit të frymëzojë njerëzit, në rastin konkret, trupat kombëtare vullnetare
të Njëzetës, sepse kënga epike ka karakter mobilizues, për të ngritur moralin e
luftëtarëve në luftë. Po e konkretizojmë me një variant me pesë vargje, me
tetërrokshin tradicional, me rimë të përputhur AA…, të regjistruar në Nivicë të
Kurveleshit, 1952 nga folkloristi i njohur Qemal Haxhihasani: “Sa e bukur
qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!/ Bytym mitrolos e topa! - Kush u hoth në
Kot’ i pari?/ - Shaban Dorac kapetani,/ seç vate te xhenerali”. Një
motërzim tjetër na vjen: “Obobo, se ç’qënkej Kota/ Më e bukur se Evropa!”…
Në fakt, Kota ka qenë një qendër
komune (sot njësi administrative), që, maksimumi, mund të quhet qytezë rurale,
pa ndonjë gjë të re, të veçantë. Në tekstin poetik shquan prirja ndaj të
bukurës, sublimes, lidhja e të bukurës me të dobishmen, dinamizmi estetik dhe
parimi i zbukurimit por në këtë rast, hiberbolizimi rrok përmasa pacak; s’qenka
gjë Europa përpara Kotës! Vërtet, që kënga labe, në rastin konkret, epika
popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën pati peshë specifike
frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm në moralin e
forcave vullnetare të Çlirimit. Si sot, para 105 vjetësh, para një shekulli e
kusur, më 3 shtator 1920, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e
Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi i shquar popullor Mato Hasani, me trimat e
pushkës e këngës, hoqi vallen “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë
botë”!
Ky është mesazh i madh dhe ne duhet ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë, që 3
shtatori të shpallet festë kombëtare. Pse? Siç është 28 Nëntori festë
kombëtare, sepse Plaku i Bardhë Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 ngriti në
Vlorë, pas 5 shekujsh robërie, flamurin krenar të Gjergj Kastriot Skënderbeut
dhe shpalli Pavarësinë diplomatike të Shqipërisë, siç është po aq i rëndësishëm
Kongresi i Lushnjës, (21, 28-31.01.1920) për vendimet që mori për mbrojtjen e tërësisë territoriale të
Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe sigurimin e pavarësisë së plotë
të tij, është dhe
Lufta Kombëtare e Vlorës (29.05.-03.09.1920), që u bë, u fitua nga çlirimtarët
vendas dhe pati rëndësi kombëtare, sepse i dha pavarësinë konkrete Shqipërisë,
pavarësinë e vërtetë dhe ndihmoi, frymëzoi e rriti besimin e luftëtarëve
shqiptarë në Koplik dhe në Dibër, sikurse u zbuan pushtuesit italianë nga Saranda,
Durrësi dhe Ulqini.
Lavdi e nder atyre që bënë luftën e dhanë jetën për lirinë e kombit në
1920-ën! E kështu, liria nga brezi
në brez përcjell mesazhin: Nderim për dëshmorët është një detyrim me përmasa
shenjtërimi
Kumtesa e mbajtur në Akademinë
historike në nderim të 105 - vjetorit të Luftës së Vlorës, organizuar në Kotë,
3 shtator 2025 nga bashkia Selenicë
[1] HABAZAJ,
Albert; “Lufta Kombëtare e Vlorës:
Historia në Epikën historike”, Tiranë, Maluka, 2020, f.13.
[2] XHELO, Halim; “Vlora më 1920 [Përgatitjet e Luftës së
Vlorës dhe goditjet kundër pushtuesve italianë.]”: gaz. “Politika”, Vlorë, 3 shtator 1924, nr. 25, f. 1, 3.
[3] TIRTA, Mark; “Mitologjia ndër
shqiptarë”: bot. i ASHSH, IKP, Dega e Etnologjisë, Shkenca, Tiranë, 2004,
f. 358, 359, 360, 363.
[4] ) KËNGË
popullore historike; Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë,
Tiranë, 1956, f. 312, mblodhi Qemal Haxhihasani, Ramicë, 1953.
[5] XHAGOLLI,
Agron; “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Vlorë, Triptik,
2007, f. 16.
[6] ) HABAZAJ,
Albert; “Lufta Kombëtare e Vlorës:
Historia në Epikën historike”, vep. e cit., f. 117-118.
[7] GJONDEDA, Mujo H.; “Të njohësh gjakun
tënd”: Toena, Tiranë, 2010, f. 20.
[8] )
KËNGË
popullore të Labërisë, Mbledhës të folklorit, v. 8, IKP të ASH të RSH, mbledhur,
përgat. dhe pajisur me shënime nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë, 1991, nr. 996, f.
1147.
[9] ) KËNGË popullore të
Labërisë…Vep.
e cit., nr. 1006, f. 1159.
[10] STRAZIMIRI, Ismail, po
aty, f. 212.
[11] INFORMATOR Hysni Berdaj, 84
vjeç, me arsim të lartë, veteran lufte,
Tërbaç, Vlorë, gusht 2012 (sot. vd.)
[12] “KUJTIME dhe këngë popullore 1918 - 1920”, vep. e cit., f.144.
[13] EH, 3, vep. e cit., nr. 232, f. 342.
[14] PO aty, nr. 252, f. 363.
[15] PO aty, nr. 253, f. 364.
[16] HABAZAJ, Albert, “Shkëlqim i trishtuar, monografi”,
Europrint, Vlorë, 2005, f. 6.
[17] “KËNGË popullore historike”, bot. i ISH, IHSH, Mihal Duri, Tiranë,
1956, nr. 299, f. 307.
[18] ) GAÇE, Bardhosh: “Miserdhe
Rexhepi, rapsode e shquar e Labërisë”, Tiranë, Maluka, 2018, f. 23.