| E diele, 21.09.2025, 06:59 PM |
"Po" dhe "Jo" lozonjaret e jetës
Nga
Shyqyri Fejzo
Eh! Me këto "po-të dhe jo-
të" sidomos ato që dalin nga goja e njerëzve menjëherë dhe të dyja,
çak-bam, ka ngjarje dhe histori që nga e vogla tek e madhja. Dy fjalët
vogëlushe "po" dhe"jo" që i lidh zanorja "o" e
përbashkët dhe i ndan "p"e "j" të cilat rrinë kurriz më
kurriz, mendimet lakohen si të vinë, dhe hapin biseda e orekse të pa
imagjinueshme. Kur ka ngjarje me grumbullime të mëdha njerzish, "edhe po
edhe jo" ka shërbyer si shkrepse, çakmak apo eshkë e masat për të ndezur
zjarre të qeshurash, apo zënka e mëri.
Rrëfejnë se dikur në fshatin tonë një
i ri u sevdallis me çupën më të mirë të lagjes tjetër. Me mendjen tufan ai po
mendohej dita-ditës si ta shtinte "në çarg" bijën e botës e ta
kandiste të bëhej nusja e tij. Ajo e kishte vënë re interesimin e tij po kurrë
nuk i shkonte ndër mend të bëhej nusja e tij. "Jo" e kishte në zemër.
Një ditë, djali ynë guximtar, e ndali një buzë mbrëmje, kur ajo kishte mbushur
bucelat me ujë dhe po drejtohej për në shtëpi. Si e dëgjoi mirë e mirë atë
djalë, ajo tha:
-Të mendohem dhe unë aq sa je menduar
ti, more kapedan". Foli vajza e skuqur në fytyrë dhe gati të shpërthente
të qeshurën.
-Unë e dua një "po"nga
ti-këmbënguli djali.
-Një "po" do ta jap kur të
shijë Hajdini urovin.- foli ajo dhe me hapin sorkadhe u nis drejt shtëpisë. Më
vonë, kur djali pyeti për Hajdinin dhe urovin e tij, mori vesh se prodhimi
ishte shirë që në arë nga bagëtitë e fshatit dhe kokrrat e fundit i kishin
ngrënë shpendët. Kjo ishte dhe përgjigja e vajzës që prishi mendjen e
djaloshit.
Kur u ngritën kooperativat bujqësore
nga vitet 50-60, fshatarët nuk ishin entuziastë për këtë.Të deleguarit tre
iknin nga fshati e katër vinin. Nuk kishin besim se e njihnin njëri-tjetrin dhe
e dinin sa punonin një pjesë. Më në fund u vendos që do "të themi
po"thanë fshatarët po të bëhet një mundje në mes të fshatit midis
përfaqësuesit të fshatit dhe të deleguarit. Fshatarët e dinin se kishin një
mundës me emër që nuk kishte lënë njeri pa palosur në mundje. Po u mund përfaqësuesi
ynë nga ideleguari, ne do të themi "po".Ama po u mund i deleguari, ne
do ju themi "Jo" dhe mos na shqetësoni më.
Në ndeshjen që u bë në sheshin e
fshatit i deleguari e mundi dy herë rradhazi përfaqësuesin e tyre. U mbajt
fjala dhe fshatarët thanë "po". Por kjo ishte, me sa duket një
"po" eimponuar dhe e mbuluar, pa zemer. Vonë, shumë vonë ata e mësuan
se i deleguari i vjetër ishte ndërruar me trainierin e mundjes të qarkut. Ai e
mburri mundësin e fshatit, po nuk ja fali. E vuri me shpatulla në barin e
sheshit dy herë. Tani ishte shumë vonë për të thënë nga fshati "Jo".
Një fshatar, i mërzitur me mushkën se
ajo kishte filluar të shtinte me shkelma, e çoi në pazarin e Korçës. Rrugës
mendonte sa mund ta shiste. "Po 40 mijë do ja kërkoj" mendonte.
"Dyzet mijë duhen dy herë nga 20 mijë"përsëriste me vete. Në pazar
një xhambaz i bëshëm, me mustaqe gjer tek veshi i u qep mushkës tij.
-Çfarë i thua mushkës?-pyeti. I zoti
shqipëroi 20 mijë leke dhe më prapa pati në mendje të thoshte 2 herë 20 mijë,
po tani ishte vonë për këtë lloj matematike. Xhambazi i numuroi paratë tek dora
dhe tani po i vinte mushkës kapistallin e ri.
–Desha të them 2 herë nga 20
mijë.-foli i zoti i mushkës.
-Dëgjo ore zotni. Njëherë flet burri.
Më the 20 mijë dhe unë nuk e bëra dy. Të numurova 20 mijë. Ju qënkeni dhe nga
fshat i njohur dhe indjerë.Kjo nuk është e mirë dhe do hapij naming e keq,për
fshatin dhe për ty.-
-Mirë, mirë se ne andej nuk e bëjmë
oxhakun buxhak.Ta gëzosh mushkën. –tha i zoti i kafshës.
-Bravo.Qënke burrë i vërtetë...
Kur e pyetën në fshat, "sa e
shite mushkën?"
-E shita lir po fitova një bravo,
ama. Bravo pazari. E mori vesh tërë pazari i Korçës, kur i thashë
"po" dhe ja urova mushkën."
Për "xhinden e fshatit".
Këtë emër i ngjitën një vajze që erdhi nuse në fshatin tonë. Bëmat e saj nuk
kishin të mbaruar për së mbari në shtëpinë e dhëndrit. Puntore, e zgjuar, e
respektuar, e dhimsur e fjalë ëmbël. Por,"qetësinë" edhe të kësaj
familje e prishi emigracioni. Burri i saj i dashur, si të tjerët, la familjen
në hallet e saj dhe shkoi në Greqi. Kur qëndrimi i tij u zgjat shumë, me muaj e
vite, atëhere, Xhindja" e mërzitur shumë , i shkroi:
Tek ara në mal, te lisi çatall,
Ara e papunuar mbeti batall.
Po nuk erdhe këto ditë vetë,
Arën do e lë në të tretë.
Kuptohet, burri në këtë situatë i tha
"po" porosisë së "xhindes" dhe erdhi urgjent të gëzojë
krejt shtëpinë. Por:"
Ca meshkuj nepsli u turbulluan
"Donin të ndryshojnë gjellë"
Dahurinë te ajo kërkuan
Të korrnin ku nuk kanë mbjellë.
Dhe "xhindja" ju përgjigjet
"po" si dinte ajo:
"Po"Thellë e mendova këtë
punë
Nuk ju prish ju xhindja dëshirat
I marr leje burrit sonte unë
Me "Po" do të kini gjith të
mirat.
Të nesërmen plaka Nurihan këshillonte
"xhinden"- -Moj korba, moj sterra. Kujdes me atë gojën me jo dhe po,
se a e dëgjove çfarë ndodhi në fshatin fqinjë? Për një "jo." Desh u
bënë gjithë ato. Ndaj çdo herë thuaj "po",por jo si ajo
"po"- ja që u kishe thënë atyre sevdallinjve dje, se na vure
zjarrë."
Nuk do guxonim të radhitnim ç'na kanë
parë loçkat e syve, e ç'na kanë dëgjuar llapat e veshëve, se nuk do të kishte
fletore apo libër t'i nxinte brenda ato. Në çdo kanal televiziv del i quajturi
"politikan" apo "opinionist" dhe shkumëzon me
"po" dhe "jo", dy orë rresht për t'u mbushur mendjen
shikuesve se ato që thotë, "po", janë të vërteta. Pastaj i pyet:
"A më kuptuat?" – dhe njerëzia nga ekrani vetëm psherëtin:
"Jo,o,o,o! të zgjatur e të zgjuar" Pastaj ka thënë dhe ai i lashti:
"ku të lënë daullet të dëgjohen sazet!" Njerëzia, i madh e i vogël,
me nga një celular në dorë, nuk pyesin më për kohën si po rrjedh, po vetëm në
ekranin e vogël i mbajnë sytë. Aty gjen sa të duash "po" edhe
"jo": "Po e pëlqej", "Jo nuk më pëlqen", "Po
shpërndaje", "Jo bllokoje". Thua sikur jeta është bërë një
ankand me dy tabela, ku kush i tund më shpejt "po"-në a
"jo"-në, fiton! Jo rrallë nga shikuesit, sidomos ata të moshës së
tretë, bëhet pyetja: "A e njeh këtë? Kush është? Kush e ka caktuar që nuk
ikën nga ekrani prej 30 vitesh?" Vjen përgjigja: "Po, e njoh. Atë e
njeh i tërë populli. Ka premtuar çdo herë një varg me 'po'. Me 'po' shkatërroi
vendin, me 'jo' shurdhoi ata që e kundërshtonin."Dëgjoje të lutem çfarë
thotë: "Po!" Hajdutët e shtetit tonë kanë qënë më të mirë se hajdutët
e shtetit tuaj, se ata shkatërruan e shitën dhe u bënë bosa me pasuritë që la
sistemi që rrëzuam. (ose më mirë që u rrëzua.)"Jo!"Nuk janë të mirë
hajdutët e shtetit tuaj se ata vjedhin pronën e krijuar rishtaz, dhe si
skifterët, nuk ndajnë asgjë me ne." E kështu, u bë "po" e
"jo" si dy kumbara që rrinë përherë mbi kokën tonë: njëri të jep
shpresë me buzëqeshje, tjetri të vë gjunjëz me mërzi. Po siç thoshte Xha
Braushi te mulliri: "More bir, më mirë një 'po' që bëhet, se njëqind
"po"-ra që tretën si avull; më mirë një "jo" burrërore, se
njëqind "jo"-ra që s'mbajnë as qenin larg kopshtit!"
Në fund të fundit,
jeta jonë u bë një lojë me "po" dhe "jo": të dyja të
nevojshme, por asnjëra e besueshme pa tjetrën. Dhe siç thotë fjala e urtë e
fshatit: "Po-ja pa punë është gënjeshtër, jo-ja pa mend është
marrëzi."