E diele, 21.09.2025, 04:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Llesh Ndoj: Rreth veprës studimore dhe krijuese të Prof. Dr. Anton Nikë Berishës

E shtune, 20.09.2025, 06:52 PM


… PAR Ë NGA NJ Ë TJET ËR KENDV ËSHTRIM

- Rreth veprës studimore dhe krijuese të Prof. Dr. Anton Nikë Berishës -

Nga Llesh NDOJ

Besoj biem dakort me shumë prej jush se kjo bota jonë është unike, është universale, se ajo lëviz sipas ligjësive të saj të natyrës, të njohura dhe të panjohura dhe se ajo çfarë secili prej nesh paraqesim, është vetëm një vështrim i mundshëm rreth saj, apo edhe një analizë ose studim pjesor, parë nga pozicioni apo këndi ynë i zgjedhjes. Kjo paraqitje është gjithnjë e kufizuar, sepse kendi ynë i të parit mbetet gjithnjë i tillë, ardhur kjo jo vetëm nga fakti që ajo që ne shohim me sy të lirë, apo me mjetet që kemi në dispozicion është kurdoherë e kudo pjesore, por edhe sepse nga përfytyrimet tona, analiza e sinteza e njohurive që kemi grumbulluar rreth saj, sado të thelluara e të plota të na duken, paraqitja e tyre s’mund të jetë gjë tjetër përveçse një grimcë në oqeanin e pafundë të njohurive, studimeve e parafytyrimeve që ekzistojnë rreth saj. Vetëm Krijuesi thuhet se e ka pamjen e përgjithshme të forcave, që e venë atë në lëvizje.

Ndërsa me sy ne kemi mundësi të shohim pjesërisht atë që na paraqitet mbi sipërfaqe dhe vetëm në atë pjesë ku ndodhemi, me mend mundet të depërtojmë edhe lartësive, tej horizontit edhe thellësive, atje ku asnjë mjet s’ka arritur të depërtoje, veç arësyetimit racional njerëzor. Për t’u kthyer tek fokusi i analizës time të sotme, Prof. dr. Anton Nikë Berisha është njëra ndër mendjet krijuese më produktive bashkëkohore shqipfolëse në fushën e artit të fjalës. Ai është kritik i njohur i letërsisë shqipe e asaj botërore, studiues i thellë i tendencave zhvillimore në këtë fushë, njohës i thellë i letërsisë arbëreshe, përkthyes i shumë veprave e kryeveprave të letërsisë botërore, poet, romancier, njohës i folklorit e trashëgimisë, fabulist e gjithshka ta duash në fushën e artit të fjalës. Ai ka shkruar e botuar deri më sot (shpresoj e uroj që kjo të mbetet thjesht një pikëarritje, jo destinacion!) më shumë se 100 tituj librash, por do të veçoja nga fusha e kritikës e studimeve letrare botimet e tij “Mbi disa kryeveprave të letërsisë botërore” (2022) dhe “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë” (2023) dhe së fundmi botimin në dhjetë volume të veprës së tij “Studime letrare”(2025), krahas dhjetëra monografive, poezive, studimeve e romaneve të tjera, si prurjet e kontributet më qënësore në letërsinë shqipe. Kjo është lartësia ku ai e ka vendosur veten e tij me shumë punë, mund e djersë dhe kjo lartësi mund të shihet me “sy të lirë” nga kushdo. Mjafton të hysh në internet me emrin e tij dhe në ekranin e xhamtë të paisjes do të shfaqet mali i punës së tij studimore e krijuese. Kjo është vetëm njëra nga përmasat e tij, lartësia ku e ka ngritur ai veten me punën më shumë se 55 vjeçare në këtë fushë, por ata që depërtojnë në përmasën tjetër të veprës, përmes studimit, mendimit dhe analizës, nuk janë shumë, ndonëse janë shkruar jo pak rreth saj, si brenda trojeve shqipfolëse, ashtu edhe jashtë tyre.

Ngjet kjo njohje e veprës dhe personalitetit të tij njerëzor e krijues, si me një lis gjigand të cilit të gjithë ia shohim e shijojmë lartësinë, bukurinë e trungut e të degëve, por vetëm pak kush e mendon se ai “trung” gjigand dhe i begatë, ushqehet nga rrënjët dhe mbahet në këmbë nga ato. Nëse ato dobësohen dhe kalben, ngrehina që ne shohim shembet përdhe sa hap e mbyllë sytë, e ne pastaj vrasim mendjen pse? Për veprën madhore të këtij personaliteti krijues e studjues të letërsisë dhe fjalës e gjuhës së bukur shqipe, natyrisht që është folur e shkruar edhe nga shumë personalitete të fushës, ashtu si edhe do të shkruhet edhe në të ardhmen, por unë ndaj bindjen se sado të thuhen rreth personalitetit dhe veprës së tij, asnjëherë s’mund të thuash se janë thënë të gjitha, aq të gjera dhe të thella sa paraqiten ato. Këndi im i vështrimit të sotëm ndaj veprës madhore të Prof. dr. Anton Nikë Berishës, synon modestisht të shpalosë diçka nga bota e tij e brendshme, nga përmasat e tij njerëzore e shpirtërore të padukshme me sy të lirë, përmasa që jam i bindur e kanë ushqyer e rritur, por edhe e mbajnë lart të pakërcënuar nga erërat e kohës, veprën e tij shumëdimensionale.

Anton Nikë Berisha, mishëron në shpirtin e tij përmasa hyjnore. E them këtë nisur nga produkti që e shohin të gjithë, por edhe nga njohja ime personale me të, njohje nga e cila konkluzioni i sipërshënuar më është kthyer në një bindje të brendshme. Ai kur e merr penën të shkruaj, kur lexon apo zhvillon një mendim kritik rreth një vepre letrare, apo në fushën e teorisë së letërsisë, gjithnjë niset nga të shikuarit e çështjes nga përmasa e dashurisë për të, i vendos vetes qëllim që të evidentoje tek ajo qoftë edhe vetëm një filiz të shëndoshë dhe kujdeset që ky filiz të rritet, duke krijuar rreth tij një mjedis sa më të ngrohtë e të përshtatshëm. Ky shpirt i pasur i tij është baza, themeli, apo rrënjët ku nisin ngjizjen e ngjitjen të gjitha veprat e tij madhore, por edhe garancia e qëndrueshmërisë së tyre. Në gjithë analizën e bërë prej tij, kjo përmasë e brendshme evidentohet si parësore, por unë e quaj veten me fat t’a kem konstatuar atë edhe nga takimet që kemi patur në këto 4 - 5 vitet e fundit. Nuk e pata aspak të lehtë kur i kërkova profesorit të merrte nëpër duar si redaktor, librin tim me poezi “N’udhëkryqe koha plaket”, (Emal – Tiranë, 2024), duke menduar se ajo çfarë do të merrja prej tij si përgjigje mbi letrat e mija, do të ishin disa kryqe të mëdhenj, e mbi to shënimi “Kjo s’bën”! Por ç’ndodhi? Mora një vlerësim shpirti për shumë prej tyre, mendime se si mund t’i përmirësonim disa fjalë e shprehje në pjesën tjetër të poezive dhe vetëm pak kryqe. Natyrisht që edhe kryqet më gëzuan, sepse edhe aty pash përmasën e tij dashurore, që në këtë rast synonte si t’më mbronte mua nga rrëshqitje pa ndonjë vlerë. Njejtë edhe në fjalën e tij në takimin letrar të 17 Majit 2025, në Klinë. Në referatin e tij ai kishte veçuar dhe analizuar për t’a tipizuar veprën time shprehjen “Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm”, që për mua vinte si gjëja më me vlerë e çdo fjale tjetër të thënë e të shkruar deri më sot rreth saj. Ishte kjo arësyeja që këtë shprehje e zgjodha edhe si titullin e një libri simpatik, botuar me materialet e atij takimi. Këtu, tek ajo shprehje, qëndronte përmasa dashurore e shpirtërore e prof. Antonit, si gjetje për t’a përcjellë krijimtarinë time tek auditori. Këtë përmasë të tij e hasim fuqishëm edhe tek trajtimi i plotë dhe i jashtëzakonshëm i figurës së Shën Terezes. Vetëm një njeri që reflekton dashuri shpirtërore dhe njerzore si Ai, mund të depërtoje aq bukur në dashurinë hyjnore, që reflektonte në qënien e veprën e saj Nëna Tereze, dhe t’a sjellë atë aq bukur tek lexuesi, duke bërë që edhe më skeptikët (përjashtuar komunistët e pareformuar nga e shkuara enveriane!), jo vetëm t’a njohin por edhe t’a duan dhe dashurojnë figurën e saj hyjnore. Këtë përmasë të profesorit e takojmë në të gjitha veprat e mëdha letrare të analizuara prej tij, apo përzgjedhjet e shumë prej përmbledhjeve me vepra të shkrimtarëve tanë, sepse është ajo që i paraprinë dhe i mundëson atij të depërtoje në thelbin e gjësë, duke ua lehtësuar dukshëm edhe lexuesve, dashamirëve e studjuesve të tjerë, apo studentëve të fushës, të kuptuarit e mesazheve dhe analizën letrare ndaj atyre veprave. Dashuria me të cilën ai e merr në dorë çdo punë të veten qëndron edhe në themel të studimeve të shumta monografike që ka bërë ndaj figurave dhe personaliteteve të letërsise shqipe në tërësi. Janë këto konstatime që më bëjnë të krijoj bindjen e thellë se dashuria është tipari më i qënësishëm i personalitetit e gurthemeli në punën e veprën e tij shumëplanëshe.

Prof. dr. Anton Nikë Berisha e reflekton thellësinë e mendimit të tij përmes thjeshtësisë. Është njëri ndër rastet e bukura ku njeriu ka mundësinë reale të kuptojë filozofinë e thellë të shprehjes së urtë popullore “Kalliri që është plot e mban kokën ulur!” Edhe fjala e shkruar, krijimtaria e tij, edhe referatet që ai mban, vijnë tek lexuesit apo dëgjuesit e shumtë, të thjeshta e të kuptueshme, aq sa shpesh them me vete se sa me fat kanë qenë ata studentët e shumtë, që i kanë ndjekur leksionet e tij. Kur them e ve në dukje thjeshtësinë e fjalës, gjithnjë mbaj parasyshë edhe thellësinë e saj, rigorozitetin shkencor që mbart, dhe e shoh atë si një përmasë të zgjedhur prej tij me vullnet, për të transmetuar tek të tjerët dijenitë e tij të thella pasi, në fillim të fillimit, (nuk më pëlqen të them kurrë në fund të fundit) ky duhet të jetë edhe qëllimi i krijuesit, studjuesit, kritikut, pedagogut, por edhe i drejtuesit të çdo rendi qoftë, dhe pse jo, edhe i prindit ndaj fëmijëve, i më të rriturve ndaj më të rinjve, i atyre me më shumë përvojë ndaj atyre me më pak përvojë. Kam shkruar për ndonjë nga veprat e tij, si romani “Frymëmarrje nate”, “Gjin Bardhela i arbëresh - Etja e gurëzuar”, apo poezitë e tij të bukura e thellësisht të pasuruara me filizofi jete, si “Prushi i dashurisë”, gjithnjë nën trysninë e mendimit në se ajo që do të them rreth tyre do të zinte vend tek ai si një këndvështrim sadopak i veçantë, dhe me njëfarë ndrojtje të natyrshme që të jep përmasa e lartësisë së personalitetit dhe veprës së tij, por jam zhgënjyer ëmbëlsisht. Ai më ka çmuar, vlerësuar e falenderuar për çdo fjalë, duke më bërë të skuqem para tij. Kjo sepse atë e lartëson ajo përmasa e padukshme, thjeshtësia që i buron nga shpirti e dashuria me të cilën e përcjell fjalën e aktivitetin, jo pompoziteti, mendjemadhësia, prepotenca e arritjeve e gradat memece. Edhe pse është kaq i thellë e ka zënë vend nderi në hierarkinë e vlerave të kritikës letrare shqiptare, ai gjithnjë e thotë se ajo çfarë shpreh është vetëm një këndvështrim i mundshëm, se një vepër letrare qëndron në këmbë sepse ngjallë më shumë se një kënd vështrimi, pasi ajo depërton tek lexuesi e studjuesi si diçka e huaj, por synon të bëhet pjesë e secilit prej tyre, duke e nxitur atë të mendojë ndryshe e të zgjojë tek ai ndoshta ato gjëra që i ka patur të fjetura, se ajo (letërsia) nuk është matematikë e thjeshtë, por algjebër, apo matematikë e thelluar, analizë, ku nuk vlen “një plus një bëjnë dy”, por abstragimi përtej kësaj drejt diçkaje tejet përmasore. Ja si e shpreh ai thjesht e bukur këtë: “Kushdo që në punën e vet në fushën e letërsisë dhe për letërsinë gjakon të japë gjykime të prera, mendime që nuk lejojnë mundësinë të thuhet edhe ndryshe, ai ose nuk e njeh mirëfilli natyrën e artit të fjalës, të letërsisë, ose mbështetet në krenarinë e tij në qenësi vetë rrënuese.”

Prof. dr. Anton Nikë Berisha është njëri ndër të rrallët që meriton të quhet hierark i gjuhës e fjalës së bukur shqipe. Vepra e tij krijuese dhe studimore shquhet për pastërtinë e gjuhës, për gjetjen e përdorimin e fjalëve burimore shqipe, për anashkalimin në maksimumin e mundshëm të huazimeve të panevojshme e të barbarizmave ndaj saj, të cilat ndodh që të përdoren rëndom prej shumë të tjerëve, si shprehje e modernizmit, apo thjesht si lehtësi e servirur nga koha e globalizmave shumëplanëshe. Në se ka një kategori të gjërave për të cilat zor se gjenë dakortësi ndryshe me profesor Antonin, është përdorimi korrekt i fjalëve e shprehjeve të gjuhës tonë të bukur edhe sepse ajo është identiteti ynë, por edhe sepse fuqia e saj shprehëse e bën atë më të përshtatshme për një letërsi cilësore. Jo vetëm fjala e pastër shqipe, por edhe thellësia e qartësia e shprehjes, pasqyrim ky i thellësisë dhe i qartësisë së mendimit, janë tipare saktësisht të dallueshme në të gjithë veprën studimore e krijuese të Prof. dr. Anton Nikë Berishës, madje, për aq sa është e mundur edhe përkthimet e tij e reflektojnë thellësisht këtë. Ai, kur shkruan një studim, krijon apo përkthen nga gjuhët e tjera, mediton thellë mbi fjalën duke përzgjedhë mes një shumësi mundësishë atë më shprehësen, e që i jep vlera arti fjalës së tij. Edhe në bisedat me të, ato joformale, ai ka të njëjtën përkujdesje, ndërsa në referatet e shkruara, leksionet e bisedat formale, kjo përmasë merr gjithë thellësinë e gjerësinë e kuptimit të saj. Anton Nikë Berisha nuk mund të shkruaj e të flasë sa për të kaluar radhën. Ai edhe në një shkrim të shkurtër e të thjeshtë, apo qoftë edhe në një bisedë joformale, gjithnjë përdor referenca, duke dëshmuar njohuritë e tij të thella e punën e tij të palodhur, por edhe respektin ndaj punës e të arritura të të tjerëve në çdo fushë.

Ndoshta pasioni e njohja e thellë që ka ndaj folklorit dhe gjuhës shqipe si gjuhë themeli, ndoshta respekti, krenaria e përgjegjshmëria e tij intelektuale ndaj atyre që përbëjnë patentë identitare kombëtare shqiptare, ndoshta të gjitha këto bashkë e të tjera tipare që ai i zotëron si pakkush tjetër, e bëjnë profesor Antonin një rrëfimtar të rrallë dhe rrëfimet e tij shumë të kendëshme. Për gjithshka, ai do të gjejë një anektodë burimore shqiptare, një urti popullore a një shembull jete, për t’a ilustruar e ngulitur thellë rrëfimin e tij tek bashkëbiseduesi. Ai, veç të tjerave, ka edhe një humor të hollë e të kendshëm, por edhe me plot vlera edukative, gjë që e bën kohën me të, të rrjedhë si pa e kuptuar dhe fundin e një bisede si një dëshirë për të qenë ai një fillim i ri.

Është fat e privilegj për një popull relativisht të vogël, siç është populli shqiptarë, që të ketë nxjerrë nga gjiri i tij figura të dimensioneve përtej kombëtare edhe në letërsi, krahas atyre të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut e Shën Terezës, të tilla si Frashëri, Noli, Konica, Fishta i madh, Kadareja, Hasan Hasani, Agolli, Rugova, Shkreli, Podrimja, Musliu, Camaj, Mekuli e të tjerë, por është akoma më shumë fat e privilegj, që të ketë në gjirin e tij, të gjallë e akoma me aktivitet të larmishëm, studiues e krijues si Anton Nikë Berisha, Rexhep Qosja, Spahiu, Zhiti, Zogaj, Mustafaj e shumë të tjerë, të cilët duhen studiuar, nderuar e respektuar nga shteti e shoqëria për kontributin e tyre madhor, sa të jenë mes nesh, sepse atë që ndoshta politika nuk e bën dot, apo e realizon në dekada kohëzgjatje, një shkrimtar, studjues e artist i madh e bën me një vepër të tijën, prandaj ata duhen konsideruar pararoja dhe memoria e kombit. Përmes tyre edhe integrimi ynë si shtete e si shoqëri në Evropën e kulturuar, vjen më i shpejtë e më i natyrshëm.

Lezhë, më 19 shtator 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Përparim Hysi: Lulet në oborrin poetik të Luan Xhulit Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Milazim Zeqiraj: Urime për ditën e parë të shkollës Sevdail Hyseni: Buka Armela Hysi: Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën Jahja Drançolli: Durrësakët, në krye të universiteteve prestigjioze europiane (1396, 1497)! Lekë Mrijaj: Këngëtari Neki Emra, bilbil i deshmuar i muzikës së mirëfilltë popullore shqiptare Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Zholi: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji Shyqyri Fejzo: Vetmia Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Jahja Drançolli: Rruga e famshme Egnatia, me dy pikat e saj të fillimit në Durrës dhe Vlorë, dhe rëndësia e saj historike! Visar Zhiti: Mitrush Kuteli, Shqipëria si s'ka fuqi ta kujtojë sot? Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Milazim Zeqiraj: Hyjnorja Nënë Tereza, shkëlqimi që bekon Sevdail Hyseni: Qeveria në pritje Flutura Maçi: Më shihje si diell Prend Buzhala: Fatmir Halimi - Shkrimtari që bashkon fjalën, artin dhe virtytet

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx