E hene, 22.09.2025, 09:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Marku: Andrea Grill, një përkthyese që e do Shqipërinë

E hene, 22.09.2025, 06:57 PM


Andrea Grill, një përkthyese që e do Shqipërinë

Vjenë, 19 shtator 2025: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ nisi një seri të bashkëbisedimeve me krijues letrarë. Mysafire e parë në kuadër të këtij koncept të ri ishte përkthyesja dhe shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila rrëfeu për përvojat e saja të para me Shqipërinë dhe shqiptarët, se si arriti të mësoj rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe se cilat fjalët do t’i shpëtonte në rast të një përmbysjeje. Vjena prapë bëri bashkë adhuruesit e artit të shkruar në një takim letrar në të cilën lindën miqësi të reja duke bërë që të avancohet edhe më tej bashkëpunimi ndërkulturor.

Nga Anton Marku

Një sallë e bukur koncertale në qendër të Vjenës mblodhi entuziastët e fjalës së shkruar në një bashkëbisedim me njërën ndër përkthyeset më të njohura të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Andrea Grill. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili edhe udhëhoqi këtë ngjarje artistike. Duke folur për mysafiren e ftuar ai theksoi se ajo ka studiuar biologji, italisht, spanjisht dhe gjuhësi në Salzburg, Selanik dhe Tiranë. Më 2003 Grill përfundoi doktoratën e saj për biologji evolutive në Universitetin e Amsterdamit. Ka botuar ese, poezi e tregime, si dhe disa romane dhe është vlerësuar me disa çmime. Më pas u bisedua me fillet e kontakteve me Shqipërinë, të cilat datojnë që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Po ashtu u elaborua edhe procesi i përkthimit të teksteve letrare i cili është mjaft kompleks, kërkon njohje të thellë të të dy gjuhëve por edhe lejon përdorimin e nuancave dhe varieteteve gjuhësore të cilat nuk e humbin kuptimin e shkrimit në origjinal, përkundrazi e pasurojnë atë. Romani i Andrea Grill ‘‘Qaj dhe qesh’’, sjellë në shqip në mënyrë të përsosur nga Majlinda Cullhaj mori vëmendjen e veçantë të audiencës, fragmente të së cilit u lexuan nga poetja Gabriela Mujaj.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes u diskutua për definicionin e letërsisë, rolin e saj në shoqëri, për elementet biografike në tekstet letrare, për jetën mes shumë gjuhëve, etj. Andrea Grill potencoi se në poezi ndjehet më mirë se sa në zhanret tjera. Atë e shkruan me ëndje dhe e përkthen me pasion. Duke ditur se ajo ka përkthyer poezitë e disa autoreve shqiptare, ajo, së bashku me Gabriela Mujaj lexuan, secila në gjuhën amtare, disa poezi të përzgjedhura shkruar nga Luljeta Leshanaku.

Në pjesën e tretë të këtij aktiviteti publiku pati rastin që të parashtrojë pyetje që kryesisht kishin të bënin me kualitetin e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhët tjera dhe nevojën e përhershme për të bërë të njohur letërsinë shqipe jashtë kufijve të Ballkanit.

Në fund Lidhja ‘‘Aleksandër Moisiu’’ njoftoi të pranishmit se aktivitet i saj i radhës do të mbahet me 21 nëntor 2025, në të cilin si mysafirë janë të ftuar shkrimtari nga Shkodra, Primo Shllaku dhe poetja nga Prishtina, Vlora Ademi. Po ashtu të pranishmit u ftuan që të vizitojnë edhe edicioni e sivjetshëm të ‘‘Panairit të Librit - Vjena 2025’’ (13.-16.11.2025), në të cilin, me mbështetjen  e organizatës me renome ndërkombëtare Traduki do të marrin pjesë edhe dy autore shqiptare: shkrimtarja dhe përkthyesja nga Shqipëria, Ana Kove, dhe shkrimtarja dhe gazetarja me banim në Gjermani, Lindita Arapi. Panelin me Ana Kove do ta udhëheqë Andrea Grill.

Për anën konceptuale të kësaj mbrëmje të bukur artistike përgjegjës ishte kryetari i nderit i Lidhjes, Besim Xhelili, ndërsa për pjesët muzikore u përkujdes pianistja Vlora Melchard.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin rreth 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx