| E hene, 22.09.2025, 06:57 PM |
Andrea Grill, një përkthyese që e do Shqipërinë
Vjenë, 19 shtator 2025: Lidhja e Shkrimtarëve
dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ nisi një seri të
bashkëbisedimeve me krijues letrarë. Mysafire e parë në kuadër të këtij koncept
të ri ishte përkthyesja dhe shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila rrëfeu
për përvojat e saja të para me Shqipërinë dhe shqiptarët, se si arriti të mësoj
rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe se cilat fjalët do t’i shpëtonte në rast të një
përmbysjeje. Vjena prapë bëri bashkë adhuruesit e artit të shkruar në një takim
letrar në të cilën lindën miqësi të reja duke bërë që të avancohet edhe më tej
bashkëpunimi ndërkulturor.
Nga
Anton Marku
Një
sallë e bukur koncertale në qendër të Vjenës mblodhi entuziastët e fjalës së
shkruar në një bashkëbisedim me njërën ndër përkthyeset më të njohura të
letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Andrea Grill. Të pranishmit fillimisht i
përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve
Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili edhe udhëhoqi këtë ngjarje
artistike. Duke folur për mysafiren e ftuar ai theksoi se ajo ka studiuar
biologji, italisht, spanjisht dhe gjuhësi në Salzburg, Selanik dhe Tiranë. Më
2003 Grill përfundoi doktoratën e saj për biologji evolutive në Universitetin e
Amsterdamit. Ka botuar ese, poezi e tregime, si dhe disa romane dhe është
vlerësuar me disa çmime. Më pas u bisedua me fillet e kontakteve me Shqipërinë,
të cilat datojnë që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Po
ashtu u elaborua edhe procesi i përkthimit të teksteve letrare i cili është
mjaft kompleks, kërkon njohje të thellë të të dy gjuhëve por edhe lejon
përdorimin e nuancave dhe varieteteve gjuhësore të cilat nuk e humbin kuptimin
e shkrimit në origjinal, përkundrazi e pasurojnë atë. Romani i Andrea Grill
‘‘Qaj dhe qesh’’, sjellë në shqip në mënyrë të përsosur nga Majlinda Cullhaj
mori vëmendjen e veçantë të audiencës, fragmente të së cilit u lexuan nga
poetja Gabriela Mujaj.
Në
pjesën e dytë të mbrëmjes u diskutua për definicionin e letërsisë, rolin e saj
në shoqëri, për elementet biografike në tekstet letrare, për jetën mes shumë
gjuhëve, etj. Andrea Grill potencoi se në poezi ndjehet më mirë se sa në
zhanret tjera. Atë e shkruan me ëndje dhe e përkthen me pasion. Duke ditur se
ajo ka përkthyer poezitë e disa autoreve shqiptare, ajo, së bashku me Gabriela
Mujaj lexuan, secila në gjuhën amtare, disa poezi të përzgjedhura shkruar nga
Luljeta Leshanaku.
Në
pjesën e tretë të këtij aktiviteti publiku pati rastin që të parashtrojë pyetje
që kryesisht kishin të bënin me kualitetin e përkthimit të letërsisë shqipe në
gjuhët tjera dhe nevojën e përhershme për të bërë të njohur letërsinë shqipe
jashtë kufijve të Ballkanit.
Në
fund Lidhja ‘‘Aleksandër Moisiu’’ njoftoi të pranishmit se aktivitet i saj i
radhës do të mbahet me 21 nëntor 2025, në të cilin si mysafirë janë të ftuar
shkrimtari nga Shkodra, Primo Shllaku dhe poetja nga Prishtina, Vlora Ademi. Po
ashtu të pranishmit u ftuan që të vizitojnë edhe edicioni e sivjetshëm të
‘‘Panairit të Librit - Vjena 2025’’ (13.-16.11.2025), në të cilin, me
mbështetjen e organizatës me renome
ndërkombëtare Traduki do të marrin pjesë edhe dy autore shqiptare: shkrimtarja
dhe përkthyesja nga Shqipëria, Ana Kove, dhe shkrimtarja dhe gazetarja me banim
në Gjermani, Lindita Arapi. Panelin me Ana Kove do ta udhëheqë Andrea Grill.
Për
anën konceptuale të kësaj mbrëmje të bukur artistike përgjegjës ishte kryetari
i nderit i Lidhjes, Besim Xhelili, ndërsa për pjesët muzikore u përkujdes
pianistja Vlora Melchard.
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është
themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në
Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u
imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin rreth 80 orëve
letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të
frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të
Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me
shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume
domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe
Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.