| E enjte, 25.09.2025, 06:55 PM |
TAKIM MBRESLËNËS ME DY ISH NXËNËS
Nga
Hamza Halabaku
Ishte
e hëna e tretë e këtij shtatori kur mu kujtua një tregim i shkurtër i bijave të
mia.
Babi,
më patën thanë ato, kur ti ishe në Kosovë, pak ditë para se të kthehesh, i kemi
takuar dy nxënës që e kishin ndjekur mësimin plotësues të gjuhës shqipe në
Bayreuth (Bajrojt), gjatë kohës kur ti atje ke qenë mësues.
Si,
i pyeta i habitur?!
-
Babi, si është ajo thënia “Rasti është mbret i botës”, tha Albana që ishte për
vizitë te motrat e saja binjake!
-
Kërkonim një restorant, vazhdoj Albana, që të pushonim me që ishim lodhur gjatë
shëtitjes nëpër qytet. E gjetëm restorantin. Ishe një restorant i
mrekullueshëm. Edhe shërbimi ishte në nivelin e duhur. Aty na pritën shumë
mirë. Derisa konsultoheshim se çka do të merrnim për të pirë, kamerieri na u
ofrua dhe pasi na përshëndeti me një mirë se erdhët, u duk si i habitur, po
edhe i gëzuar kur na dëgjoi se flisnim në gjuhën shqipe!
-
Shqiptarë jeni? - na pyeti kamerieri.
-
Po, shqiptarë jemi, - ia kthyem edhe ne njëzëri!
-
Ju pyeta, se rrallë na vizitojnë bashkëkombësit tanë, ose më mirë me thënë,
rrallë e dëgjojmë gjuhën shqipe këtu brenda lokalit tonë. Mbase mund të ketë
pak shqiptarë në këtë qytet e ende nuk janë informuar për restorantin tonë! Dhe
tani ishte pyetja e radhës.
-
Urdhëroni, me çka mund të ju shërbej, na pyeti me një mirësjellje të veçantë,
kamerieri.
Pastaj,
erdhi pyetje e radhës, po nga jeni ju – e pyetëm ne gati njëzëri, kamerierin.
-
Jemi nga Kramoviku, komuna e Rahovecit. Një herë jemi shpërngulur nga fshati
ynë e jemi vendosur në Klinë, kurse këtu, e tërë familja, e jemi një familje jo
edhe e vogël, së pari është vendosur në
Bayreuth, afër njëqind kilometra larg nga këtu.
-
Eh sa mirë, kishte folur Vatra. Po në Bayreuth a e keni ndjekur mësimin
plotësues të gjuhës shqipe?
-
Po, vazhdimisht kemi qenë në orët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Asnjëherë nuk kemi munguar!
-
E po mësuesi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në tërë Bavarinë Veriore, pra
edhe në Bayreuth, ka qenë babai ynë, kishte vazhduar Albana.
-
Të ju tregoj drejtë, ne si fëmijë që ishim, unë kam qenë në klasën e parë, po
edhe vëllezërit e mi, kishte folur Durimi, shkonim në orët e mësimit plotësues
të gjuhës shqipe jo edhe me shumë dëshirë. Megjithatë, edhe përkundër reagimeve
tona, prindërit na detyronin. Mësuesin e kemi pasur shumë të mirë. Ishte i
afërt me neve. Mirëpo, tani po e vërejmë se ia ka vlejtur që e kemi ndjekur atë
mësim. Po e vërejmë se kemi mësuar shumë në atë shkollë dhe komunikojmë e
shkruajmë mirë gjuhën tonë të ëmbël, siç i ka thënë poeti ynë i madh, Naim
Frashëri. E shihni, ende nuk i kemi harruar vargjet që na i mësonte mësuesi i
ynë.
*
Bijat
më njoftuan për këtë ngjarje dhe pas disa ditësh kur kisha ca punë në qytet, e
kërkova restorantin ku pronar ishin ish-nxënësit e mi.
Lokali
ishte në qendër të qytetit të Nurembergut, në anën e djathtë të Kishës së
quajtur Lorenzkirche.
Para
hyrjes së lokalit qëndronte Durimi. Në të parë e dija se ai kishte qenë nxënës
imi, mirëpo, që është e vërteta nuk e dija cili ishte me emër! Kishin kaluar
shumë vite që nuk e kisha parë, por megjithatë e njoha, që kishte qenë nxënës
imi. Ai nuk më njohu! Së pari i fola në gjuhën gjermane dhe i bëra pyetjen a
bëjnë kafe turke në lokalin e tyre. Me një butësi e sjellje elegante mu
përgjigj se kanë disa lloje kafeje, por kafe turke nuk bëjnë. Po si është e
mundur që gjithë ky lokal mos të bëjë kafe turke? - e pyeta unë?
-
Na vjen keq po nuk kemi, vazhdoj Durimi. Unë u përpoqa që të vazhdoj me pyetjet
tjera provokuese deri sa Durimi të më njihte, por e kishte vështirë, se mësuesi
kishte ndryshuar shumë. Kishte kaluar një kohë e gjatë nga koha kur ishim
takuar së fundmi, para pesëmbëdhjetë vitesh, në Graserschule në Bayreuth.
Durimi
atëherë ishte i vogël. Edhe unë, tani, e kam bërë një moshë.
Nga
një tavolinë e veçuar, një djalosh tjetër na shikonte dhe e përcillte bisedën
tonë pa ndërprerë.
E
dëgjova kur i tha Durimit; hej, vëllaçko, është mësuesi ynë, është mësuesi Hamza.
Durimit
iu kujtua dhe pa një e pa dy mu hidh në përqafim, duke lëshuar zë: Mësuesi
Hamza!
-
Po mirë se na erdhe i dashuri mësues. U befasova këndshëm që po ju shoh! Para
pak ditësh dy bijat tuaja, me familje, kanë qenë mysafire në lokalit tonë. Kur i
dëgjova se po flisnin shqip, u befasova këndshëm. Rrallë herë kemi mysafirë nga
njerëzit tanë. Ato na njoftuan se ju banoni në këtë qytet. Derisa me Durimin i
ndërruam pak fjali, djaloshi që më njohu, erdhi te ne. E la bashkëshorten dhe
dy djemtë e tij të vegjël, si drita, dhe erdhi në drejtim tonin për të më
përshëndetur. Edhe ai mu hodh në përqafim, i gëzuar që po më takonte!
-
Po si nuk e njohe mësuesin Hamza,
vëllaçko, i tha Durimit?
-
Po tani ka kaluar një kohë e gjatë që nuk e kemi parë mësuesin tonë të dashur,
tha Durimi. Si do që të jetë, mësuesi ynë i dashur, na gëzove që ke ardhur për
të na vizituar. Tani do të ulemi pranë një tavoline dhe do të bisedojmë.
-
Ju lutem, ju shikoni punët tuaja, e kur të bëni një pushim, do të bisedojmë. Se
unë jam pensionist, kam kohë sa të doni, e nuk dua që juve tu marrë kohën!
U
ulëm pranë një tavoline dhe filluam muhabetin duke i bërë pyetje të rëndomta
njëri-tjetrit. Durimi filloj të tregonte për kohën kur ai ishte nxënës e unë
mësues. Ai fliste e i vëllai Muhameti pohonte me lëvizje koke fjalët e Durimit.
-
Mësues i dashur, më besoni që tani po e shohim sa e nevojshme paska qenë
ndjekja e mësimit plotësues të gjuhës tonë të bukur shqipe. Atëherë, me ju
thënë të vërtetën, na detyronin prindërit. Nuk e kemi pasur të lehtë. Ishte
pasdita e së premtes, kur fillonte fundjava e ne duhej të vinim të ndiqnim
mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Edhe pse ishte kënaqësi të ju dëgjonim për
ato që na mësonit për gjeografinë e Kosovës, historinë e saj, për kulturën dhe
për fjalët e reja të gjuhës tonë e shumë gjëra të tjera të nevojshme e shumë të
vlefshme. Tani po e shohim sa të nevojshme dhe të dobishme kanë qenë ato orë
mësimi. Tani mburremi me atë kohë dhe kur takohemi me shqiptarët tanë nga
Kosova, po edhe nga të gjitha trojet tona etnike ne pa asnjë pengesë
komunikojmë me ta në gjuhen shqipe. Bile bashkëbiseduesit tanë habitem se si
nuk e kemi harruar gjuhën tonë të bukur! Përherë u themi se edhe në Gjermani
kemi mësuar gjuhën shqipe!
Të
jemi përherë mirënjohës edhe për librat që na i dhuroje si dhe për ato që na
sugjeroje ti lexojmë. Edhe me revistën “Doruntina” kënaqeshim, sepse shpeshherë
dikush nga grupi ynë ishte personazh në faqet e revistës “Doruntina”.
Ju
jemi shumë falënderues i dashuri mësues! Më thanë Durimi dhe Muhameti, dy
vëllezër, ish nxënësit e mi që tani ishin bërë afaristë të suksesshëm në qendër
të qytetit të Nurembergut!
Ishte
kënaqësi dhe emocion i veçantë të takoja dy ish-nxënës të mi të para më shumë
se dy dekadash, tani afaristë të mirë në Gjermani. Duhet të pranoj se ky takim
shumë mbresëlënës pas kaq shumë vitesh me dy ish nxënës të mi, mi trazoi shumë
kujtime të asaj kohe kur kreva detyrën e mësuesit të mësimit plotësues në
Gjermani, konkretisht në disa qytete të Bavarisë Veriore.