Kulturë
Don Fran Sopi: Ngjarja e rrënimit të Kishës së Klinës nga komunistët dhe ringjallja në kapelën e “Shën Mëhillit” në Deiq të Klinës
E hene, 29.09.2025, 06:57 PM
Ngjarja e rrënimit të Kishës së Klinës nga komunistët dhe ringjallja në kapelën e “Shën Mëhillit” në Deiq të Klinës
(Rrëfim
esesistik e shpirtëror në kuadër të ditës së Shën Mëhillit, Pajtorit të Kishës
së Deiqit, e cila i parapriu themelimit, ndertimit të Famullisë dhe Pajtores së
Famullisë-Kishës "Zoja e Këshillit të Mirë" në Klinë)
Shkruan:
Don Fran Sopi
“Do ta godasin bariun dhe delet e
grigjës do të shpërndahen. Por Unë do të jem me ju deri në të sosur të botës.”
(krh. Mt 26,31; 28,20). I kujtoj si sot
vitet e rënda të komunizmit, kur çdo shenjë e Zotit shihej si kërcënim për
regjimin dhe çdo shfaqje e fesë së Krishtit konsiderohej armike e pushtetit.
Ishte një kohë kur fjalët “fe katolike” dhe “besim katolik” përktheheshin si
“armiqësi” dhe “reaksion”. Ishte një epokë kur shtëpitë e Zotit rrënoheshin me
buldozerë, ndërsa zemrat e njerëzve të bashkuar përpiqeshin të mos shembeshin.
Në këtë klimë frike e represioni, në
vitin 1974, në Klinën time të dashur, me shumë mund, dashuri dhe entuziazëm,
filloi ndërtimi i Kishës Katolike, që do të ishte filial i Kishës së
Zllakuqanit. Famullitari i atëhershëm, don Tunë Gllasoviqi, me guxim e vizion
mbolli farën e parë të shpresës në këtë tokë të përvuajtur, duke besuar se
drita e fesë do të mund të ndriçonte edhe errësirën më të thellë.
Populli ynë, i lidhur fort me fenë,
traditën, kulturën dhe identitetin e vet shpirtëror, atëherë u bashkua si një
trup i vetëm: dikush dha djersën, dikush ofroi ndihmë materiale, e dikush u lut
me gjithë zemër. Dhe kështu, mbi themelet e besimit dhe dashurisë ndaj Zotit,
filloi të ngrihej një shtëpi e re për Hyjin dhe për grigjën e Tij – një vend ku
shpirtrat e lodhur do të gjenin prehje, ku fëmijët do të rriteshin me Ungjillin
dhe ku populli ynë do të mund të gjunjëzohej para altarit të shpresës. Por
gëzimi i Lugdrinasve u shndërrua shpejt në dhimbje dhe zhgënjim. Organet
komuniste të Klinës, të përbëra nga serbo-malazezë dhe shqipfolës të shitur e
të nënshtruar ndaj ideologjisë komuniste dhe ateiste, urdhëruan rrënimin e
Kishës së Klinës. Në një mëngjes të zymtë, buldozerët e ndërmarrjeve “Mirusha”
dhe “Miniera e Boksitit” në Volljak u drejtuan drejt tempullit që sapo kishte
nisur të merrte frymë, duke përmbysur muret e sapongritura me një brutalitet të
pashembullt. Justifikimi i tyre ishte absurd dhe qesharak: një kishë e vogël,
sipas tyre, rrezikonte një shtet të madh.
Në të vërtetë, ata kishin frikë nga
Kryqi – sepse Kryqi është shenjë shëlbimi dhe triumfi mbi vdekjen; kishin frikë
nga kumbimi i këmbanës – sepse ajo zgjon ndërgjegjen e popullit; kishin frikë
nga Ungjilli që fliste shqip – sepse ai mbante brenda fjalën e lirisë dhe të
identitetit kombëtar. “Qielli e toka do të zhduken, por fjalët e mia nuk do
të bien poshtë.” (Mt 24,35). Por Hyji, që është gjithmonë me popullin e
vet, nuk e la grigjën e Tij në vetmi. Në mes të asaj errësire shpirtërore dhe
politike, Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të ndriçuar shpresën. Don Mark Sopi –
atëherë famullitar i Zllakuqanit (më vonë ipeshkëv i Kosovës) – dhe më vonë
unë, pra në vitin 1978, si kapelan dhe dorë e djathtë e tij, na lindi ideja e
shenjtë për të mos lejuar që flaka e besimit të shuhej. Vendosëm të ndërtonim
një kapelë të vogël në varrezat e Deiqit të Klinës, një vend që ishte nën ombrellën
e famullisë së Zllakuqanit dhe që pushteti nuk guxonte ta prekte nga frika se
mos trazonte eshtrat e të ndjerëve. Dhe kështu, në heshtje e përkushtim, u
ngrit Kapela e “Shën Mëhillit Kryeengjëll” – një dritë e re në errësirë dhe një
shenjë e gjallë se Zoti nuk e braktis popullin e vet. Ishte një shenjë
rezistence pa fjalë, një akt i guximshëm kundër tiranisë së shpirtit. Në atë
kapelë të vogël, Hyji bëri mrekulli të mëdha. Aty, mes dhimbjeve të heshtura, u
kremtuan meshët e para. Aty, foshnjat e porsalindura morën pagëzimin dhe emrin
e tyre të parë hyjnor; të rinjtë morën Krezmimin dhe lidhnin martesat me
bekimin e Zotit; ndërsa të moshuarit, që kishin parë shumë stuhi në jetë,
gjenin ngushëllim dhe forcë. Ajo u bë strehë shpirtërore dhe shtëpi e ngrohtë
për një popull që jashtë përjetonte shtypjen, por brenda gjente paqe, dashuri
dhe siguri.
Kapela e Deiqit ishte më shumë se
një vend lutjeje – ajo ishte një simbol i pavdekshëm i qëndresës, një “arkë e
besimit” që lundronte mbi dallgët e represionit. Më kujtohet ajo natë e vonshme
e vitit 1978, kur bashkë me të amshuarin Dedë Zeqirin nga Deiqi shkova për të
bekuar kapelën e sapo përfunduar. Heshtja e varrezave atë natë ishte e thellë
dhe prekëse, por ajo heshtje u mbush me një dritë të padukshme, me një prani të
shenjtë që vetëm shpirti mund ta ndjejë. Aty ndjeva sikur qielli dhe toka u
përqafuan dhe Zoti vetë zbriti për të bekuar atë vend të vogël, por të madh në
kuptim. Fjala e Psalmistit më kumbon ende në zemër: “Ka lindur për të
drejtët një dritë në errësirë; i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.”
(Ps 112,4). Pra, e them me plot përgjegjësi se çdo gur i asaj kapeleje
ishte më shumë se gur ndërtese: ishte lutje, djersë, dashuri dhe rezistencë e
kthyer në altar. Ishte një qëndresë e heshtur ndaj pushtetit që dëshironte të
shlyente Zotin nga jeta jonë. Por Zoti ishte aty. Dhe aty ku është Zoti, asnjë
forcë njerëzore nuk mund të fitojë. “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot
mundohen ata që e ndërtojnë. Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, kot rri zgjuar ai që
e ruan.” (Ps 127,1). Rruga e shërbesës sime në Klinë nisi me këtë hap të
vogël, por të bekuar. Kapela e përulur në varrezat e Deiqit ishte shenja e parë
e shpresës, vendi ku besimtarët mblidheshin fshehurazi për lutje, meshë e
sakramente, shpeshherë duke rrezikuar edhe vetë lirinë e tyre. E dija se ajo
nuk ishte fundi, por fillimi – fara e vogël që një ditë do të rritej në një
pemë të madhe: Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Më 1 janar 1983 u themelua famullia e Klinës dhe unë u emërova famullitari i
saj i parë. Nevojat ishin të shumta: për sakramente, për mësim të fesë, për
liturgji – por mbi të gjitha për një shtëpi të Zotit ku komuniteti të mblidhej
i bashkuar. Lutjet e popullit më jehonin në zemër: “Zot, na jep një vend ku
mund të përulemi përpara Teje.” Por rruga drejt ndërtimit të Kishës ishte e
mbushur me kryqe, pengesa dhe përndjekje. Regjimi komunist dhe më vonë pushteti
okupues serb e konsideronte fenë armik dhe Kishën kërcënim apo bastion të
nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar. Kërkesat tona për leje ndërtimi
zvarriteshin me vite në gjykatat e Prishtinës e Beogradit, ndërsa besimtarët
ndiqeshin, përndiqeshin dhe kërcënoheshin. Në shumë raste jam thirur në polici
e gjuqe të ndryshme ku morëm në pyetje rreth ndertimit të Kishës. Megjithatë,
nuk u ndala sepse e Zotin dhe Zojën e Këshillit të mir?, pikërisht i kisha
besimtarët e mi në mbeshtetje. Me këmbëngulje iu drejtova ambasadorëve,
diplomatëve dhe strukturave ndërkombëtare, duke dëshmuar padrejtësinë që na
bëhej dhe duke kërkuar të drejtën tonë themelore për të ndërtuar një shtëpi për
Zotin.
Më 6 qershor 1996, me zemër që më
rrihte fort, së bashku me pjestarët e famullisë filluam hapjen e themeleve të
Kishës. Ishte një ditë e mbushur me shpresë dhe gëzim. Por ky gëzim nuk zgjati
shumë. Pushteti serb ndërhyri me dhunë brutale: themelet u rrënuan, punëtorët u
kërcënuan me burg, ndërsa paramilitarët e armatosur rrethuan oborrin tonë për
të na trembur. Në atë çast dëgjova në shpirt fjalët e Krishtit: “Lum ata që
salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.”
(Mt 5,10). Me dhimbje urdhërova që të ndalonin punimet, por jo shpresën. Në
heshtjen e lutjes i thashë Zotit: “Nëse kjo është vullneti Yt, mos e lejo
popullin të humbasë shpresën.” Dhe Zoti dëgjoi. Pas luftës së Kosovës, më 30
gusht 1999, kërkesa jonë më në fund u miratua. Ky ishte një çast i shenjtë, një
përmbushje e një lutjeje të pritur për më shumë se dy dekada. Projekti u
përgatit në Osijek, KFOR-i italian na ndihmoi me siguri dhe logjistikë, ndërsa
besimtarët – ata brenda vendit dhe ata të mërgatës – dhanë gjithçka kishin:
para, materiale, djersë dhe dashuri. Kur bekova gurthemelin e Kishës “Zoja e
Këshillit të Mirë”, lotët më mbuluan fytyrën. Nuk ishin lot trishtimi, por të
një gëzimi të thellë shpirtëror, të një fitoreje morale dhe hyjnore. Çdo gur i
saj ishte dëshmi e përndjekjes, e qëndresës dhe e dashurisë sonë ndaj Zotit dhe
Kishës. Sot, kur hyj në Kishën e grigjës sime ku kam sherbyer për afro 24 vite
dhe shoh dritën që bie përmes dritareve të saj, ndjej thellësisht të vërtetën e
fjalëve të Krishtit: “Kush ndërton shtëpinë mbi shkëmb, ajo nuk rrëzohet,
sepse ka themel të fortë.” (krh. Mt 7,24-25).
Në
përfundim, e them me përulësi se qëllimi i meshtarisë sime ka qenë gjithmonë
shërbimi me dashuri ndaj Zotit, përkushtimi ndaj Kishës së Krishtit dhe kujdesi
për grigjën që më është besuar. Jam përpjekur dhe përjetësisht do të jem
udhërrëfyes shpirtëror, ngushëllim në dhimbje dhe shpresë në çdo rrethanë. Nga
kapela e vogël në varrezat e Deiqit (tashmë e ndertuar edhe Kisha e re në Deiq
nën famullinë e Klinës...) deri Kisha e madhe "Zoja e Këshillit të Mirë”
në Klinë, e cila Kishë sot bashkon qindra familje, rruga ka qenë e gjatë dhe e
vështirë, por ajo na mësoi një të vërtetë: kur Zoti është në qendër, vepra nuk
dështon kurrë. Pra, Kisha jonë është kujtesë e sakrificës, dëshmi e besimit dhe
shenjë e dritës hyjnore që nuk shuhet kurrë.
Zoti
e bekoftë Kishën ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në
Klinë dhe gjithë grigjën e saj, të cilën e kam dhe e mbaj përjetësisht në
zemër. Kujtimet për këtë kishë të dashur dhe për grigjën time lugdrinase të
bekuar do t’i ruaj me dashuri e mirënjohje përgjithmonë. Gëzuar festën e Shën
Mëhillit!