E diele, 28.09.2025, 10:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Tahsin Demiraj, mes miqve në Lushnjë

E premte, 26.09.2025, 06:57 PM


Kadri Tarelli shkruan:

Shkrimtari i madh është ai që shkruan kohën që jeton dhe që me idetë e tij troket në botën e së ardhmes.

Tomas Stearns Eliot, pionier i parë i poezisë moderne.

TAHSIN DEMIRAJ, MES MIQVE NË LUSHNJË

Veprimtari letrare, në 86-vjetorin e tij

Që në fillim të shkrimit, po vendos pak fjalë para diskutimit tim: - Admirim për organizatorët e këtij kuvendi mbi krijimtarinë e z. Tahsin Demiraj, artist, regjisor, libretist, piktor, në qytetin e Lushnjës. Njëkohësisht shkrimtar dhe shqipërues i disa librave nga gjuha frënge, si: “Këtu bie erë”, “Në syrin e Ciklonit”, “Historia e lëvizjes teatrore në Myzeqenë e Lushnjës”, “Prova e të vërtetës” - (Paul Auster), “Memorialet e Shën Elenës” - (Konti Las Cases), etj.

E përdor fjalën admirim, pasi është rast i rrallë që ndodh në botën e krijuesve shqiptar, (mbase i vetmi), që miqtë dhe shokët e hershëm, kujtohen pas pesëdhjetë vjetësh të organizojnë një “festë” për mikun e tyre Tahsinin, (sot 86-vjeçar), i cili, prej kohësh po jeton në Durrës, pjesërisht edhe në Itali.

Nuk e di si tingëllojnë këto pak fjalë, për dëgjuesit në sallë dhe lexuesit e shumtë: “Tahsini është me fat të madh. Ndaj do ta quaj me fat të madh cilido nga ne krijuesit, që miqtë, shokët, bashkëpunëtorë të hershëm, pse jo edhe bashkëvuajtës, të kujtohen, të mblidhen së bashku dhe të festojnë për mikun  e tyre, duke përmendur vështirësitë e kohës, sukseset, meritat dhe veprat e shkruara, si testament i një kohe të jetuar, në kohë të trazuar.

Veprimtaria u organizua në hollin e Bibliotekës Publike të qytetit të Lushnjës, ditë të shtune, më: 20, të vjeshtës së parë, 2025. Po përmend emrat e personave që folën për veprimtarinë artistike dhe letrare të heroit të këtij takimi, sa interesant aq edhe i veçantë, në formë e përmbajtje.

Drejtuese e veprimtarisë Elona Tabaku, sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Lushnjës.

Gëzim Baruti, shqipërues i veprës së filozofit francez Mishel dë Montenj, i cili foli gjerësisht për jetën dhe veprën e mikut të hershëm z. Tahsin Demiraj.

Kozma Gjini, shkrimtar e poet, ish kryetari Lidhje së shkrimtarëve dhe artistëve të Lushnjës, sot në rolin e gazetarit dhe fotografit. Më tej, Musa Dervishi, poet, gjimnazist (maturant). Xhovan Gallani. Shkrimtar, poet. Zenel Qeveri, mësues dhe drejtues shkollash. Shpëtim Bërhamaj, mësues i gjuhës frënge. Dine Dine, shkrimtar, eseist. Sajmir Lulja, poet. Sokol Otobashi, poet. Tefta Çapaj Mersini, ardhur kastile nga Vlora, Poete. Fiorentina Qose, poete. Franc Nushi, regjisor i teatrit të kukllave në qytetin e Lushnjës. Vangjel Xhafa, poet, shkrimtar, kronikan. LLambrini Nano, poete. Sofokli Kuqeshi. Skënder Gega, etj.

Unë Kadri Tarelli, ardhur nga Durrësi, falënderoj autorin dhe organizatorët, që më bënë të jem pjesë e kësaj feste të veçantë, këtij kuvendi letrar, kushtuar mikut tonë Tahsin Demiraj. Nuk po shtoj asnjë fjalë, sepse ju i thatë të gjitha dhe sado të përpiqem nuk do t’i them më bukur se ju. Ndaj po e shoh portretin e tij në një pamje tjetër: - Ç’ vend ka zënë emri i heroit tonë Tahsin Demiraj, në faqet e librave të shkrimtarëve të tjerë...?? Kështu shkrimin po e titulloj:

TAHSIN DEMIRAJ NË PENËN E SHKRIMTARËVE

Ju e dini po kaq mirë sa unë se nuk është e lehtë të futesh në penën, shkrimet dhe librat e shkrimtarëve, sepse duhet të kesh vlera. Ndryshe nuk ta vërshëllen kush.

Unë si hartues dhe botues i disa librave e përmend heroin e ditës Tahsinin, në dy libra të mi:

Së pari: Në librin “Filxhani me buzë të kafshuar”, në tregimin: “Sa shumë miq ke o Shpendi”. Po citoj pak fjalë: - Ç`të vij kot! Asnjëherë s`të gjej të qetë. Le që s`bën dot muhabet me ty, se zyra është kurdoherë plot. Një herë ndodhi që të takoj Tahsin Demirin, ish regjisorin e shtëpisë së kulturës së Lushnjës, sot hartues e botues i disa librave, tregime dhe përkthime. Faqe. 81

Së dyti. Në librin “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”. “Monografi”. Shkrimi: Një dokumenti rrallë. “Humanizmi në shpirtin e artistit”. Ky shkrim i vendosur në mbyllje të librit, ku jo rastësisht, gjendet një poezi e përkthyer nga Hytbiu, mik i vjetër i Tahsinit, por që jetonte si mërgimtar në Toronto, Kanada. Kjo e ndodhur në një letërkëmbim mes të dy miqve. Poezia është në dy gjuhë: anglisht dhe shqip. Ajo ka shumë ndjenjë dhe protestë ndaj dallimit dhe diskriminimit racial. Artistët, janë me shpirt të ndjeshëm, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësi shoqërore. Kjo është dhe arsyeja, që i ka pëlqyer dhe ka dashur ta ndajë mendimin e tij me miqtë dhe dashamirët dhe më konkretisht me mikun e tij të hershëm Tahsinin.

Kur u linda unë isha i zi.

Kur u rrita isha prapë i zi.

Kur vdes jam i zi

..................................

Kurse ti shoku im i bardhë,

Kur u linde ishe ngjyrë rozë.

Kur u rritë je i bardhë.

Kur vdes merr ngjyrë gri.............etj, etj.

Poezi e shkruar nga një fëmijë afrikan, fituese e çmimit si poema më e mirë e vitit 2008. Faqe 168.

Ndërsa shkrimtari durrsak Shpendi Topollaj, i cili më porositi t’ju përshëndes, duke kërkuar ndjesë për mospjesëmarrjen e tij, sepse pikërisht sot në Durrës, një miku ynë nga Struga përuron studimin  e tij. Dhe Shpendi ka fjalën kryesore. Kështu i ndamë detyrat. Ai atje dhe unë këtu.

Shpendi ka shkruar pak më gjatë, te libri me kritika letrare "Armiq pa dashje", shkrimi titulluar: "Tahsin, të doli fjala", kushtuar libri të tij, "Në syrin e ciklonit", ku flitet ndër të tjera, për ikjen e shqiptarëve gjatë eksodit biblik në vitet 1990-1991. E gjitha mbështetur në kujtimet e mikut të tij, Tahsinit.

Duke folur për Tahsinin, Shpendi ndër të tjera citon një thënie të poetit lushnjar Faslli Haliti, drejtuar mikut tonë të përbashkët: "Tahsin Demiraj, të cilin e quan “I përvuajturi i madh i regjimit”. Ai e shkroi këtë libër që s`do të mund të anashkalohet lehtë, sepse tregimet, esetë, dhe veçanërisht kujtesa e tij, sundohen nga jeta, popullohen me njerëz të mirë e të liq........”, etj, etj.

Po ashtu te libri me kritika letrare, "Stile dhe lapsa", Shpendi ka shkruar për librin me tregime të Tahsinit, "Këtu bie erë", ku është shprehur: "Duke i qëndruar besnik deri në fund të vërtetave të përjetuara, Tahsini, në përjetimin e tij nuk e kursen aspak neverinë për sa ngjau te ne, pas fitores së komunizmit në përfundim të luftës së II-të botërore, i cili synonte dhelpërisht e paturpësisht të shkatërronte deri moralisht njeriun..."

Në fund urimi i shkon mikut tonë Tahsinit: - Besoj se ndjehesh mirë mes miqve dhe shokëve të hershëm.

Uroj të kesh jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, për të qenë i pranishëm edhe të tubime të tjera, ku përcillet krijimtaria juaj.

Kadri Tarelli

Lushnjë, më, 20, të vjeshtës së parë, 2025.

Shënim:

1.    Unë dhurova disa kopje të librit tim “Filxhani me buzë të kafshuar” dhe disa kopje të librit “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, me autore znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj.

2.   Libra dhuroi edhe Tahsini



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx