Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Don Fran Sopi: Ngjarja e rrënimit të Kishës së Klinës nga komunistët dhe ringjallja në kapelën e “Shën Mëhillit” në Deiq të Klinës

| E hene, 29.09.2025, 06:57 PM |


Ngjarja e rrënimit të Kishës së Klinës nga komunistët dhe ringjallja në kapelën e “Shën Mëhillit” në Deiq të Klinës

(Rrëfim esesistik e shpirtëror në kuadër të ditës së Shën Mëhillit, Pajtorit të Kishës së Deiqit, e cila i parapriu themelimit, ndertimit të Famullisë dhe Pajtores së Famullisë-Kishës "Zoja e Këshillit të Mirë" në Klinë)

Shkruan: Don Fran Sopi

“Do ta godasin bariun dhe delet e grigjës do të shpërndahen. Por Unë do të jem me ju deri në të sosur të botës.” (krh. Mt 26,31; 28,20). I kujtoj si sot vitet e rënda të komunizmit, kur çdo shenjë e Zotit shihej si kërcënim për regjimin dhe çdo shfaqje e fesë së Krishtit konsiderohej armike e pushtetit. Ishte një kohë kur fjalët “fe katolike” dhe “besim katolik” përktheheshin si “armiqësi” dhe “reaksion”. Ishte një epokë kur shtëpitë e Zotit rrënoheshin me buldozerë, ndërsa zemrat e njerëzve të bashkuar përpiqeshin të mos shembeshin.

Në këtë klimë frike e represioni, në vitin 1974, në Klinën time të dashur, me shumë mund, dashuri dhe entuziazëm, filloi ndërtimi i Kishës Katolike, që do të ishte filial i Kishës së Zllakuqanit. Famullitari i atëhershëm, don Tunë Gllasoviqi, me guxim e vizion mbolli farën e parë të shpresës në këtë tokë të përvuajtur, duke besuar se drita e fesë do të mund të ndriçonte edhe errësirën më të thellë.

Populli ynë, i lidhur fort me fenë, traditën, kulturën dhe identitetin e vet shpirtëror, atëherë u bashkua si një trup i vetëm: dikush dha djersën, dikush ofroi ndihmë materiale, e dikush u lut me gjithë zemër. Dhe kështu, mbi themelet e besimit dhe dashurisë ndaj Zotit, filloi të ngrihej një shtëpi e re për Hyjin dhe për grigjën e Tij – një vend ku shpirtrat e lodhur do të gjenin prehje, ku fëmijët do të rriteshin me Ungjillin dhe ku populli ynë do të mund të gjunjëzohej para altarit të shpresës. Por gëzimi i Lugdrinasve u shndërrua shpejt në dhimbje dhe zhgënjim. Organet komuniste të Klinës, të përbëra nga serbo-malazezë dhe shqipfolës të shitur e të nënshtruar ndaj ideologjisë komuniste dhe ateiste, urdhëruan rrënimin e Kishës së Klinës. Në një mëngjes të zymtë, buldozerët e ndërmarrjeve “Mirusha” dhe “Miniera e Boksitit” në Volljak u drejtuan drejt tempullit që sapo kishte nisur të merrte frymë, duke përmbysur muret e sapongritura me një brutalitet të pashembullt. Justifikimi i tyre ishte absurd dhe qesharak: një kishë e vogël, sipas tyre, rrezikonte një shtet të madh.

Në të vërtetë, ata kishin frikë nga Kryqi – sepse Kryqi është shenjë shëlbimi dhe triumfi mbi vdekjen; kishin frikë nga kumbimi i këmbanës – sepse ajo zgjon ndërgjegjen e popullit; kishin frikë nga Ungjilli që fliste shqip – sepse ai mbante brenda fjalën e lirisë dhe të identitetit kombëtar. “Qielli e toka do të zhduken, por fjalët e mia nuk do të bien poshtë.” (Mt 24,35). Por Hyji, që është gjithmonë me popullin e vet, nuk e la grigjën e Tij në vetmi. Në mes të asaj errësire shpirtërore dhe politike, Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të ndriçuar shpresën. Don Mark Sopi – atëherë famullitar i Zllakuqanit (më vonë ipeshkëv i Kosovës) – dhe më vonë unë, pra në vitin 1978, si kapelan dhe dorë e djathtë e tij, na lindi ideja e shenjtë për të mos lejuar që flaka e besimit të shuhej. Vendosëm të ndërtonim një kapelë të vogël në varrezat e Deiqit të Klinës, një vend që ishte nën ombrellën e famullisë së Zllakuqanit dhe që pushteti nuk guxonte ta prekte nga frika se mos trazonte eshtrat e të ndjerëve. Dhe kështu, në heshtje e përkushtim, u ngrit Kapela e “Shën Mëhillit Kryeengjëll” – një dritë e re në errësirë dhe një shenjë e gjallë se Zoti nuk e braktis popullin e vet. Ishte një shenjë rezistence pa fjalë, një akt i guximshëm kundër tiranisë së shpirtit. Në atë kapelë të vogël, Hyji bëri mrekulli të mëdha. Aty, mes dhimbjeve të heshtura, u kremtuan meshët e para. Aty, foshnjat e porsalindura morën pagëzimin dhe emrin e tyre të parë hyjnor; të rinjtë morën Krezmimin dhe lidhnin martesat me bekimin e Zotit; ndërsa të moshuarit, që kishin parë shumë stuhi në jetë, gjenin ngushëllim dhe forcë. Ajo u bë strehë shpirtërore dhe shtëpi e ngrohtë për një popull që jashtë përjetonte shtypjen, por brenda gjente paqe, dashuri dhe siguri.

Kapela e Deiqit ishte më shumë se një vend lutjeje – ajo ishte një simbol i pavdekshëm i qëndresës, një “arkë e besimit” që lundronte mbi dallgët e represionit. Më kujtohet ajo natë e vonshme e vitit 1978, kur bashkë me të amshuarin Dedë Zeqirin nga Deiqi shkova për të bekuar kapelën e sapo përfunduar. Heshtja e varrezave atë natë ishte e thellë dhe prekëse, por ajo heshtje u mbush me një dritë të padukshme, me një prani të shenjtë që vetëm shpirti mund ta ndjejë. Aty ndjeva sikur qielli dhe toka u përqafuan dhe Zoti vetë zbriti për të bekuar atë vend të vogël, por të madh në kuptim. Fjala e Psalmistit më kumbon ende në zemër: “Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë; i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.” (Ps 112,4). Pra, e them me plot përgjegjësi se çdo gur i asaj kapeleje ishte më shumë se gur ndërtese: ishte lutje, djersë, dashuri dhe rezistencë e kthyer në altar. Ishte një qëndresë e heshtur ndaj pushtetit që dëshironte të shlyente Zotin nga jeta jonë. Por Zoti ishte aty. Dhe aty ku është Zoti, asnjë forcë njerëzore nuk mund të fitojë. “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë. Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, kot rri zgjuar ai që e ruan.” (Ps 127,1). Rruga e shërbesës sime në Klinë nisi me këtë hap të vogël, por të bekuar. Kapela e përulur në varrezat e Deiqit ishte shenja e parë e shpresës, vendi ku besimtarët mblidheshin fshehurazi për lutje, meshë e sakramente, shpeshherë duke rrezikuar edhe vetë lirinë e tyre. E dija se ajo nuk ishte fundi, por fillimi – fara e vogël që një ditë do të rritej në një pemë të madhe: Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Më 1 janar 1983 u themelua famullia e Klinës dhe unë u emërova famullitari i saj i parë. Nevojat ishin të shumta: për sakramente, për mësim të fesë, për liturgji – por mbi të gjitha për një shtëpi të Zotit ku komuniteti të mblidhej i bashkuar. Lutjet e popullit më jehonin në zemër: “Zot, na jep një vend ku mund të përulemi përpara Teje.” Por rruga drejt ndërtimit të Kishës ishte e mbushur me kryqe, pengesa dhe përndjekje. Regjimi komunist dhe më vonë pushteti okupues serb e konsideronte fenë armik dhe Kishën kërcënim apo bastion të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar. Kërkesat tona për leje ndërtimi zvarriteshin me vite në gjykatat e Prishtinës e Beogradit, ndërsa besimtarët ndiqeshin, përndiqeshin dhe kërcënoheshin. Në shumë raste jam thirur në polici e gjuqe të ndryshme ku morëm në pyetje rreth ndertimit të Kishës. Megjithatë, nuk u ndala sepse e Zotin dhe Zojën e Këshillit të mir?, pikërisht i kisha besimtarët e mi në mbeshtetje. Me këmbëngulje iu drejtova ambasadorëve, diplomatëve dhe strukturave ndërkombëtare, duke dëshmuar padrejtësinë që na bëhej dhe duke kërkuar të drejtën tonë themelore për të ndërtuar një shtëpi për Zotin.

Më 6 qershor 1996, me zemër që më rrihte fort, së bashku me pjestarët e famullisë filluam hapjen e themeleve të Kishës. Ishte një ditë e mbushur me shpresë dhe gëzim. Por ky gëzim nuk zgjati shumë. Pushteti serb ndërhyri me dhunë brutale: themelet u rrënuan, punëtorët u kërcënuan me burg, ndërsa paramilitarët e armatosur rrethuan oborrin tonë për të na trembur. Në atë çast dëgjova në shpirt fjalët e Krishtit: “Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.” (Mt 5,10). Me dhimbje urdhërova që të ndalonin punimet, por jo shpresën. Në heshtjen e lutjes i thashë Zotit: “Nëse kjo është vullneti Yt, mos e lejo popullin të humbasë shpresën.” Dhe Zoti dëgjoi. Pas luftës së Kosovës, më 30 gusht 1999, kërkesa jonë më në fund u miratua. Ky ishte një çast i shenjtë, një përmbushje e një lutjeje të pritur për më shumë se dy dekada. Projekti u përgatit në Osijek, KFOR-i italian na ndihmoi me siguri dhe logjistikë, ndërsa besimtarët – ata brenda vendit dhe ata të mërgatës – dhanë gjithçka kishin: para, materiale, djersë dhe dashuri. Kur bekova gurthemelin e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, lotët më mbuluan fytyrën. Nuk ishin lot trishtimi, por të një gëzimi të thellë shpirtëror, të një fitoreje morale dhe hyjnore. Çdo gur i saj ishte dëshmi e përndjekjes, e qëndresës dhe e dashurisë sonë ndaj Zotit dhe Kishës. Sot, kur hyj në Kishën e grigjës sime ku kam sherbyer për afro 24 vite dhe shoh dritën që bie përmes dritareve të saj, ndjej thellësisht të vërtetën e fjalëve të Krishtit: “Kush ndërton shtëpinë mbi shkëmb, ajo nuk rrëzohet, sepse ka themel të fortë.” (krh. Mt 7,24-25).

Në përfundim, e them me përulësi se qëllimi i meshtarisë sime ka qenë gjithmonë shërbimi me dashuri ndaj Zotit, përkushtimi ndaj Kishës së Krishtit dhe kujdesi për grigjën që më është besuar. Jam përpjekur dhe përjetësisht do të jem udhërrëfyes shpirtëror, ngushëllim në dhimbje dhe shpresë në çdo rrethanë. Nga kapela e vogël në varrezat e Deiqit (tashmë e ndertuar edhe Kisha e re në Deiq nën famullinë e Klinës...) deri Kisha e madhe "Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, e cila Kishë sot bashkon qindra familje, rruga ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por ajo na mësoi një të vërtetë: kur Zoti është në qendër, vepra nuk dështon kurrë. Pra, Kisha jonë është kujtesë e sakrificës, dëshmi e besimit dhe shenjë e dritës hyjnore që nuk shuhet kurrë.

Zoti e bekoftë Kishën ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në Klinë dhe gjithë grigjën e saj, të cilën e kam dhe e mbaj përjetësisht në zemër. Kujtimet për këtë kishë të dashur dhe për grigjën time lugdrinase të bekuar do t’i ruaj me dashuri e mirënjohje përgjithmonë. Gëzuar festën e Shën Mëhillit!