Kulturë
Albert Habazaj: Nderim dhe reflektim në 105-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës
E hene, 29.09.2025, 06:54 PM
Albert Habazaj gjatë kumtesës në Akademinë historike në nderim të 105-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920, Kotë, 03.09.2025
NDERIM DHE REFLEKTIM NË 105 - VJETORIN E LUFTËS KOMBËTARE TË VLORËS
Nga MSc. Albert HABAZAJ, autor i monografisë “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”
Përnjohje
Më 3 shtator 2025, në
Kotë u zhvillua Akademia historike në nderim të 105 - vjetorit të Luftës
Kombëtare të Vlorës, 1920, organizuar nga bashkia Selenicë dhe stafi i saj i
fushës. Pasi falënderova organizatorët për ftesën, edhe si filiz i të parëve të
mi, si pasardhësi i Murat Myftar Tërbaçi (Habazaj) njërit nga 12 anëtarët e
Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, si pasardhësi i Gani
Iljas Habazaj, luftëtar dhe kronikan i Epopesë së Njëzetës, si pasardhësi i Selam
Habazaj, zv/ komandant i çetës së Tërbaçit në Luftën e Vlorës, shok armësh, mik
e zëvendës i Sali Vranishtit e Azem Sulos dhe në luftimet e mëparshme, mbajta
kumtesën: "Lufta Kombëtare e Vlorës, 1920 në këngët e popullit të
Labërisë".
Lavdi Komitetit të
Mbrojtjes Kombëtare, Osmën Haxhiut e udhëheqësve të kësaj epopeje epokale,
luftëtarëve popullorë, heronjve dhe dëshmorëve të ndritshëm të kësaj lufte
çlirimtare. Fitorja e Luftës së Vlorës është Pavarësia konkrete e Shqipërisë,
se flamuri i Skënderbeut që ngriti me trimat Ismail Qemali më 28 nëntor 1920 në
Vlorë, u mbrojt me dinjitet e u la me gjakun e Zigur Lelos, Kanan Mazes, Selam
Musait, Toto Hosit, Hodo Zeqirit, Dule Dalanit, gjithë dëshmorëve të paharruar
të Njëzetës.
Këngën për këtë epope epokale e kanë
kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me
këngë në gojë.
Akademia
historike në Kotë
…Sot është 3 shtatori, 2025. Në
Selenicë, në Kotë në Emblemën gjeografike të Luftës së Njëzetës kremtohet, nëpërmjet
kësaj Akademie historike, 105 vjetori. Shumë bukur. Iu lumtë! Këtë gjë duhet ta
bëjë Vlora, bashkia Vlorë, Prefektura e Qarku Vlorë. Atë që s’e bën Vlora, e bën
nderi e dinjiteti i Labërisë, i Lumit të Vlorës.
Unë kam bërë këtë librin: “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”,
një vështrim krahasimtar i raportit histori-epikë historike për luftën e Njëzetës.
E meriton Lufta Kombëtare
e Vlorës librin që ka bërë Aleks Buda, që ka bërë Muin Çami në rrafshin e
historisë. I meriton Lufta Kombëtare e Vlorës librat që kanë bërë Zihni Sako,
Qemal Haxhihasani e gjithë ata korifej të fushës së Folkloristikës. Unë këtu
nuk kam trajtuar historinë, sepse e kanë shkruar baballarët e historisë,
sidomos të kësaj periudhe, sepse e folën shumë bukur historianët e fushës,
emblemat e diturisë sonë, po ashtu denjësisht e kanë përjetësuar dhe folkloristët.
Unë shikoj
rrafshin si përjetëson folklori dhe si e shkruan historia dhe bëj, në këtë
kandarin tim, një krahasim të tillë (një punim i tillë krahasimtar me këtë
objekt studimor është i pari i këtij lloji deri më sot).
E meriton Lufta Kombëtare e Vlorës dhe
trimat e saj romanin etnologjik “Ultimatumi’ të shkrimtarit të lirisë Petro
Marko “Nderi i Kombit”.
Gjithashtu, ndjej detyrim si shkrues
i vëmendshëm të përmend Komitetin e Mbrojtjes
Kombëtare të Luftës së Vlorës, 1920, ose Komisioni, siç quhet nga populli (se
bëhet dasëm e nuk thuhet kush janë të zotët e shtëpisë. Vërtet qenë luftëtarët
e Labërisë dhe të gjithë Shqiërisë, por pati një udhëheqje nga burra të ditur,
bujarë e atdhetarë, pati një drejtim ushtarak, që planëzoi dhe zhvilloi këtë
luftë të organizuar dhe fitimtare).
Komiteti
i Mbrojtjes Kombëtare, Barçalla, 29 Maj 1920:
1.
Osman Haxhiu - Armen, kryetar
2.
Sali Bedini - Armen, anëtar
3.
Hamit Selmani - Dukat, anëtar
4.
Duro Shaska - Kocul, anëtar
5.
Hazbi Cano - Mavrovë, anëtar
6.
Beqir Sulo Agalliu - Vlorë, anëtar
7.
Ali Beqiri - Velçë, anëtar
8.
Alem Mehmet Agai - Tragjas, anëtar
9.
Hysni Shehu - Sevaster, anëtar
10.Qazim Kokoshi - Vlorë,
anëtar
11. Murat Miftari Habazaj
- Tërbaç, anëtar
12. Myqerem Hamzaraj -
Kaninë, anëtar
Sekretarë:
1.
Halim Xhelo Tërbaçi, i cilësuar si Abdyl
Frashëri i epopesë së Njëzetës
2.
Meçan Selami - Kallarat
Pranë Komisionit të
Mbrojtjes Kombëtare (Këshillit të Luftës me 12 anëtarë) u krijua një organizëm
tjetër, Komisioni Ushtarak apo Shtabi
Ushtarak:
1.
Major Ahmet Cani - Lepenicë, komandant i
Përgjithshëm i Forcave Luftarake (deri në Kotë, 05.06.1920)
2.
Kapiten Qazim Koculi - Kocul, komandant
i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (nga Kota deri në përfundimin e luftës). Anëtarët
e shtabit ishin të gjithë me shkolla dhe akademi ushtarake, të mos i përmendim
ato që i kemi shprehur më parë.
Kujtesë kombëtare
dhe e lirisë universale
Lufta Kombëtare e Vlorës, në Epikën
Historike dhe në të folurën popullore quhet Epopeja e Njëzetës. Ngjarjet e
mëdha shkruhen në histori e përjetësohen në këngë. Këngën për këtë epope epokale
i kanë kënduar, së pari, ata që e kanë bërë dhe kanë marrë pjesë në atë luftë
me armë në dorë e me këngë në gojë, si: Xhebro Gjika, Mato Hasani, Nase Beni,
Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim
Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj. Mund të pohojmë se, shumica
e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje.
Në këtë luftë vërejmë, se është
zbatuar parimi mbarëshqiptar e hyjnor i Pashko Vasës: “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA”. Pse e them këtë? Sepse këtu,
në krahë të banorëve - luftëtarë të Labërisë së Vlorës, Kurveleshit,
Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Sarandës, Skraparit, Devollit, Kolonjës,
Krujës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit, Gjirokastrës,
Tiranës, Beratit, Myzeqesë, Korçës, Çamërisë, shqiptarëve të Amerikës, pati
përfaqësues të feve, që nga Dom Mark Vasa, At Shtjefën Gjeçovi, Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet
Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit, myftiu i Vlorës Osman Muka etj. Pra, pa
dallim feje, krahine dhe ideje, u bënë një trupë çlirimtare kombëtare katolikë, ortodoksë, bektashinj,
myslimanë, po ashtu morën pjesë në luftë dhe dhanë ndihmë të çmuar edhe
pjesëtarë të etnive të tjera, që ishin këtu dhe u shqiptarizuan, si Josef
Kantozi e hebrenj të tjerë.
Po ashtu mund të përmend Xhovani
Valencia, që erdhi si pushtues, por duke vlerësuar të drejtat e lirisë
universale, ai ndihmoi çlirimtarët me armë e municion nga Panajaja.
Po mbështetja e qeverisë së Sulejman
Delvinës mund të harrohet?! Po Ministri pa portofol Spiro J. Koleka, njëri nga
nismëtarët e Njëzetës, që ishte ndërmjetës të qeverisë së Tiranës me
Komisionin, apo Hamza Isai me aleatët (Korfuzin) a mund të harrohen?!
Ndërkohë, nuk mund të mohojmë faktin
që Qeveria e Tiranës e mbështeti Luftëne Vlorës dhe mbështetësit kryesorë ishin
vetë kryeministri Sulejman Delvina dhe dhe ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Po
prefekti i Beratit Xhafer Ypi që e kreu në mënyrë shembullore detyrën e
Qeverisë së Tiranës për logjistikën e kësaj lufte çlirimtare, a mund të
harrohet?!
Po karvanet e kuajve të vllahëve të
Selenicës me Kol Kitën në krye a mund të harrohen për furnizimin me ushqim e
municion të formacioneve luftarake në front apo me pjesëmarrje drejtpërdrejtë
në luftime?!
Po Sado Koshena kapedane, si
shqiponjë në tufane, proverbiale me thënien e saj trimërore dhe frymëzimtare
për vëllëzërit e saj dukatas kur dha kushtrimin për t’u ngritur e organizuar në
luftë?! Dhe Dukati u ngrit në luftë me 3 çeta... Po Njëzeta nuk ka vetëm një
Sado, ka edhe një Rubi Hosi, ka dhe një Hanko Mete, ka edhe Safe Musain e sa e
sa trimëresha të tjera në ballë të luftës dhe në prapavijë, tek shëronin
plagët, si vulë trimërie e luftëtarëve të lirisë, si Zakine Krasta me shoqe që
erdhi nga trevat e Elbasanit ?!
Po Mehmet Selimi, që në kujtesën
popullore njihet si kalorësi i Ultimatumit mund të harrohet. Ai ishte trim i
sprovuar dhe më parë, njohës i 6 gjuhëve të huaja. Nuk ishte thjesht një çoban,
bari nga fshati Mallkeq, por një guximtar legjendar që tronditi gjeneral
Piaçentinin dhe Perandorinë e re Apenine?! Nuk mund të harrohet Shqiponja e
Njëzetës, jo!
Mund të harrohet Thoma Vasi që erdhi
me bandën “Vatra” nga Amerika e largët, me këngë dhe me armë në dorë, me
tekstin “Vlora -Vlora” të Ali Asllanit të madh, Nderi i Labërisë dhe gjithë
Shqipërisë?! Nga Amerika erdhi edhe një çetë luftëtarësh me në
krye gjeneral Aqif
Përmetin dhe kapiten
Kareman Tatzatin, po kishte edhe një grup artilierësh me komandant Azis Çamin, zëvendës Elmas Ademi, oficërë artilierie
Xhafer Xhuveli (sekretari i Ismail Qemalit) dhe Avduraman Çiraku me histori dhe
këngë. Akti i Avdurrahman Aliut (Çiraku) është legjendar dhe i përjetësuar
meritueshëm në këngë. Kënga është kronika e ngjarjes në vargje të kënduara, ku
jepen saktësisht të dhënat e nevojshme, kohën, hapësirën, personazhet, ndodhinë
për të ndërtuar historinë e vërtetë, të jetëuarën, të fituarën apo të
pësuarën. “Të xhumanë në saba/ Një mjegull e zezë ra,/ Binin topat nga Shashica/
Binin si pikat e shiut./ Në fushë të Peshkëpisë/ Ra ballon i Italisë./ Këta
djemtë e Shqipërisë/ Me manxerrët e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë./
“Aropllanin kush e shtiu?”/ “Trim Abdurrahman Aliu”[1].
Ç’ këngë e lartë e groteske!
Vëmendje kur flasim a
shkruajmë
Duhet të jemi të vëmendshëm kur
flasim a shkruajmë me nënçmim për luftëtarët e thjeshtë, fshatarët apo
qytetarët vullnetarë që mbushën çetat e çlirimit. Pikërisht këtyre luftëtarëve
të thjeshtë po aq trima, poeti i shquar popullor, i ndjeri Nertesi Asllani, u
ka thurur një këngë që këndohet gjithandej në Labëri, ku ai i cilëson me
krenari “Çobanët mbi gjeneralë”. “Çobanët mbi gjeneralë” janë populli. U këndohet
kënga. Dhe këta ne nuk mund t’i fyejmë kurrë. Populli e bën luftën. Karakteri
masiv, karakteri popullor i luftës është vendimtar dhe i besueshëm për fitoren.
Por çobanët mbi gjeneralë i kanë komanduar, i kanë udhëhequr mendja, ata elita
e drejtimit ushtarak. Ishin 5 çeta të mëdha, të cilat u organizuan forcat e
luftëtarëve vullnetarë kombëtarë te Rrapi i Gurrave (Halim Xhelo e quajti Rrapi
i Burrave). Këto 5 çeta të mëdha kishin në organikën e tyre çetat e vogla, të fshatrave.
Sipas organigramës luftarake ishin: çeta e Shullërit (me 3 fshatarat e Smokthinës:
Ramicë, Matogjin, Bashaj) si dhe Vajza e Velça me komandant Kalo Telhai; çeta e
Kudhësit (Sevaster, Golimbas, Shkozë, Ploçë e gjithë fshatrat e Gorishtit (Hadëraj,
Rexhepaj, Mërtiraj) me komandant Rrapo Çelon; çeta e Dukatit (me Dukat,
Tragjas, Radhimë) me komandant Sheme Sadikun; çeta e Rrëzës (Vranisht, Tërbaç,
Brataj, Lepenicë, Gjorm) me komandant Sali Muratin; çeta e Treblovës, që quhej
dhe çeta e Fëngut (Treblovë, Kocul, Mavrovë, Rromës, Kropisht, Mallkeq, Armen)
me komandant Muço Aliun. Po ashtu morën pjesë luftëtarë vullnetarë nga Kanina,
Topalltia, Salaria, Fterra, Trevllazri, Çeprati, Narta, Mallakastra, Mallakstra
e Egër, Skrapari, Berati, Peqini, Korça, Çamëria, Gjirokastra, Tirana etj., që
nuk u përfshinë në formacionet më të vogla të këtyre 5 çetave zonale.
Kronika e veprimeve luftarake
dhe ngjarjet e Vlorës u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj.
Kush ka këngë,
ka histori
Si sot, para 105 vjetësh, para një
shekulli e kusur, më 3 shtator 1920, me krenarinë e motivuar të labit dhe me
nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi i shquar popullor nga Brati Mato
Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen në Vlorë “Nuk e bëjmë
kabull na/ të jemi për nën-ë botë”! Ky është mesazh i madh dhe ne duhet ta
kuptojmë dhe ta vlerësojmë, që 3 shtatori të shpallet festë kombëtare. Pse? Siç
është 28 Nëntori festë kombëtare, sepse Plaku i Bardhë Ismail Qemali më 28
nëntor 1912 ngriti në Vlorë, pas 5 shekujsh robërie, flamurin krenar të Gjergj
Kastriot Skënderbeut dhe shpalli Pavarësinë diplomatike të Shqipërisë, siç është
po aq i rëndësishëm Kongresi i Lushnjës, (21, 28-31.01.1920) për vendimet që
mori për
mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar
dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij, është dhe Lufta e Vlorës (29.05-03.09.1920),
që u bë, u fitua nga çlirimtarët vendas dhe pati rëndësi kombëtare, sepse i dha
pavarësinë konkrete Shqipërisë, pavarësinë e vërtetë dhe ndihmoi, frymëzoi e
rriti besimin e luftëtarëve shqiptarë në Koplik dhe në Dibër.
Lavdi e nder atyre që bënë luftën e
dhanë jetën për lirinë e kombit në 1920-ën dhe në Altarin e lavdisë mbetën!
[1] ) KËNGË
popullore historike; Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe
Gjuhësisë, Tiranë, 1956, f. 312, mblodhi Qemal Haxhihasani, Ramicë, 1953.