Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Nderim dhe reflektim në 105-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës

| E hene, 29.09.2025, 06:54 PM |


Albert Habazaj gjatë kumtesës në Akademinë historike në nderim të 105-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920, Kotë, 03.09.2025

NDERIM DHE REFLEKTIM NË 105 - VJETORIN E LUFTËS KOMBËTARE TË VLORËS

Nga MSc. Albert HABAZAJ, autor i monografisë “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”

Përnjohje

Më 3 shtator 2025, në Kotë u zhvillua Akademia historike në nderim të 105 - vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920, organizuar nga bashkia Selenicë dhe stafi i saj i fushës. Pasi falënderova organizatorët për ftesën, edhe si filiz i të parëve të mi, si pasardhësi i Murat Myftar Tërbaçi (Habazaj) njërit nga 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, si pasardhësi i Gani Iljas Habazaj, luftëtar dhe kronikan i Epopesë së Njëzetës, si pasardhësi i Selam Habazaj, zv/ komandant i çetës së Tërbaçit në Luftën e Vlorës, shok armësh, mik e zëvendës i Sali Vranishtit e Azem Sulos dhe në luftimet e mëparshme, mbajta kumtesën: "Lufta Kombëtare e Vlorës, 1920 në këngët e popullit të Labërisë".

Lavdi Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Osmën Haxhiut e udhëheqësve të kësaj epopeje epokale, luftëtarëve popullorë, heronjve dhe dëshmorëve të ndritshëm të kësaj lufte çlirimtare. Fitorja e Luftës së Vlorës është Pavarësia konkrete e Shqipërisë, se flamuri i Skënderbeut që ngriti me trimat Ismail Qemali më 28 nëntor 1920 në Vlorë, u mbrojt me dinjitet e u la me gjakun e Zigur Lelos, Kanan Mazes, Selam Musait, Toto Hosit, Hodo Zeqirit, Dule Dalanit, gjithë dëshmorëve të paharruar të Njëzetës.

Këngën për këtë epope epokale e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë.

Akademia historike në Kotë

…Sot është 3 shtatori, 2025. Në Selenicë, në Kotë në Emblemën gjeografike të Luftës së Njëzetës kremtohet, nëpërmjet kësaj Akademie historike, 105 vjetori. Shumë bukur. Iu lumtë! Këtë gjë duhet ta bëjë Vlora, bashkia Vlorë, Prefektura e Qarku Vlorë. Atë që s’e bën Vlora, e bën nderi e dinjiteti i Labërisë, i Lumit të Vlorës.

Unë kam bërë këtë librin: “Lufta Kombëtare e Vlorës, historia në epikën historike”, një vështrim krahasimtar i raportit histori-epikë historike për luftën e Njëzetës.

E meriton Lufta Kombëtare e Vlorës librin që ka bërë Aleks Buda, që ka bërë Muin Çami në rrafshin e historisë. I meriton Lufta Kombëtare e Vlorës librat që kanë bërë Zihni Sako, Qemal Haxhihasani e gjithë ata korifej të fushës së Folkloristikës. Unë këtu nuk kam trajtuar historinë, sepse e kanë shkruar baballarët e historisë, sidomos të kësaj periudhe, sepse e folën shumë bukur historianët e fushës, emblemat e diturisë sonë, po ashtu denjësisht e kanë përjetësuar dhe folkloristët. Unë shikoj rrafshin si përjetëson folklori dhe si e shkruan historia dhe bëj, në këtë kandarin tim, një krahasim të tillë (një punim i tillë krahasimtar me këtë objekt studimor është i pari i këtij lloji deri më sot).

E meriton Lufta Kombëtare e Vlorës dhe trimat e saj romanin etnologjik “Ultimatumi’ të shkrimtarit të lirisë Petro Marko “Nderi i Kombit”.

Gjithashtu, ndjej detyrim si shkrues i vëmendshëm të përmend Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, 1920, ose Komisioni, siç quhet nga populli (se bëhet dasëm e nuk thuhet kush janë të zotët e shtëpisë. Vërtet qenë luftëtarët e Labërisë dhe të gjithë Shqiërisë, por pati një udhëheqje nga burra të ditur, bujarë e atdhetarë, pati një drejtim ushtarak, që planëzoi dhe zhvilloi këtë luftë të organizuar dhe fitimtare).

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Barçalla, 29 Maj 1920:

1.     Osman Haxhiu - Armen, kryetar

2.    Sali Bedini - Armen, anëtar

3.    Hamit Selmani - Dukat, anëtar

4.    Duro Shaska - Kocul, anëtar

5.    Hazbi Cano - Mavrovë, anëtar

6.    Beqir Sulo Agalliu - Vlorë, anëtar

7.    Ali Beqiri - Velçë, anëtar

8.    Alem Mehmet Agai - Tragjas, anëtar

9.    Hysni Shehu - Sevaster, anëtar

10.Qazim Kokoshi - Vlorë, anëtar

11.  Murat Miftari Habazaj - Tërbaç, anëtar

12. Myqerem Hamzaraj - Kaninë, anëtar

Sekretarë:

1.     Halim Xhelo Tërbaçi, i cilësuar si Abdyl Frashëri i epopesë së Njëzetës

2.    Meçan Selami - Kallarat

Pranë Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare (Këshillit të Luftës me 12 anëtarë) u krijua një organizëm tjetër, Komisioni Ushtarak apo Shtabi Ushtarak:

1.     Major Ahmet Cani - Lepenicë, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (deri në Kotë, 05.06.1920)

2.    Kapiten Qazim Koculi - Kocul, komandant i Përgjithshëm i Forcave Luftarake (nga Kota deri në përfundimin e luftës). Anëtarët e shtabit ishin të gjithë me shkolla dhe akademi ushtarake, të mos i përmendim ato që i kemi shprehur më parë.

Kujtesë kombëtare dhe e lirisë universale

Lufta Kombëtare e Vlorës, në Epikën Historike dhe në të folurën popullore quhet Epopeja e Njëzetës. Ngjarjet e mëdha shkruhen në histori e përjetësohen në këngë. Këngën për këtë epope epokale i kanë kënduar, së pari, ata që e kanë bërë dhe kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë, si: Xhebro Gjika, Mato Hasani, Nase Beni, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj. Mund të pohojmë se, shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje.

Në këtë luftë vërejmë, se është zbatuar parimi mbarëshqiptar e hyjnor i Pashko Vasës: “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA”. Pse e them këtë? Sepse këtu, në krahë të banorëve - luftëtarë të Labërisë së Vlorës, Kurveleshit, Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Sarandës, Skraparit, Devollit, Kolonjës, Krujës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit, Gjirokastrës, Tiranës, Beratit, Myzeqesë, Korçës, Çamërisë, shqiptarëve të Amerikës, pati përfaqësues të feve, që nga Dom Mark Vasa, At Shtjefën Gjeçovi, Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit, myftiu i Vlorës Osman Muka etj. Pra, pa dallim feje, krahine dhe ideje, u bënë një trupë çlirimtare kombëtare katolikë, ortodoksë, bektashinj, myslimanë, po ashtu morën pjesë në luftë dhe dhanë ndihmë të çmuar edhe pjesëtarë të etnive të tjera, që ishin këtu dhe u shqiptarizuan, si Josef Kantozi e hebrenj të tjerë.

Po ashtu mund të përmend Xhovani Valencia, që erdhi si pushtues, por duke vlerësuar të drejtat e lirisë universale, ai ndihmoi çlirimtarët me armë e municion nga Panajaja.

Po mbështetja e qeverisë së Sulejman Delvinës mund të harrohet?! Po Ministri pa portofol Spiro J. Koleka, njëri nga nismëtarët e Njëzetës, që ishte ndërmjetës të qeverisë së Tiranës me Komisionin, apo Hamza Isai me aleatët (Korfuzin) a mund të harrohen?!

Ndërkohë, nuk mund të mohojmë faktin që Qeveria e Tiranës e mbështeti Luftëne Vlorës dhe mbështetësit kryesorë ishin vetë kryeministri Sulejman Delvina dhe dhe ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Po prefekti i Beratit Xhafer Ypi që e kreu në mënyrë shembullore detyrën e Qeverisë së Tiranës për logjistikën e kësaj lufte çlirimtare, a mund të harrohet?!

Po karvanet e kuajve të vllahëve të Selenicës me Kol Kitën në krye a mund të harrohen për furnizimin me ushqim e municion të formacioneve luftarake në front apo me pjesëmarrje drejtpërdrejtë në luftime?!

Po Sado Koshena kapedane, si shqiponjë në tufane, proverbiale me thënien e saj trimërore dhe frymëzimtare për vëllëzërit e saj dukatas kur dha kushtrimin për t’u ngritur e organizuar në luftë?! Dhe Dukati u ngrit në luftë me 3 çeta... Po Njëzeta nuk ka vetëm një Sado, ka edhe një Rubi Hosi, ka dhe një Hanko Mete, ka edhe Safe Musain e sa e sa trimëresha të tjera në ballë të luftës dhe në prapavijë, tek shëronin plagët, si vulë trimërie e luftëtarëve të lirisë, si Zakine Krasta me shoqe që erdhi nga trevat e Elbasanit ?!

Po Mehmet Selimi, që në kujtesën popullore njihet si kalorësi i Ultimatumit mund të harrohet. Ai ishte trim i sprovuar dhe më parë, njohës i 6 gjuhëve të huaja. Nuk ishte thjesht një çoban, bari nga fshati Mallkeq, por një guximtar legjendar që tronditi gjeneral Piaçentinin dhe Perandorinë e re Apenine?! Nuk mund të harrohet Shqiponja e Njëzetës, jo!

Mund të harrohet Thoma Vasi që erdhi me bandën “Vatra” nga Amerika e largët, me këngë dhe me armë në dorë, me tekstin “Vlora -Vlora” të Ali Asllanit të madh, Nderi i Labërisë dhe gjithë Shqipërisë?! Nga Amerika erdhi edhe një çetë luftëtarësh me në krye gjeneral Aqif Përmetin dhe kapiten  Kareman Tatzatin, po kishte edhe një grup artilierësh me komandant Azis Çamin, zëvendës Elmas Ademi, oficërë artilierie Xhafer Xhuveli (sekretari i Ismail Qemalit) dhe Avduraman Çiraku me histori dhe këngë. Akti i Avdurrahman Aliut (Çiraku) është legjendar dhe i përjetësuar meritueshëm në këngë. Kënga është kronika e ngjarjes në vargje të kënduara, ku jepen saktësisht të dhënat e nevojshme, kohën, hapësirën, personazhet, ndodhinë për të ndërtuar historinë e vërtetë, të jetëuarën, të fituarën apo të pësuarën.  Të xhumanë në saba/ Një mjegull e zezë ra,/ Binin topat nga Shashica/ Binin si pikat e shiut./ Në fushë të Peshkëpisë/ Ra ballon i Italisë./ Këta djemtë e Shqipërisë/ Me manxerrët e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë./ “Aropllanin kush e shtiu?”/ “Trim Abdurrahman Aliu[1]. Ç’ këngë e lartë e groteske!

Vëmendje kur flasim a shkruajmë

Duhet të jemi të vëmendshëm kur flasim a shkruajmë me nënçmim për luftëtarët e thjeshtë, fshatarët apo qytetarët vullnetarë që mbushën çetat e çlirimit. Pikërisht këtyre luftëtarëve të thjeshtë po aq trima, poeti i shquar popullor, i ndjeri Nertesi Asllani, u ka thurur një këngë që këndohet gjithandej në Labëri, ku ai i cilëson me krenari “Çobanët mbi gjeneralë”. “Çobanët mbi gjeneralë” janë populli. U këndohet kënga. Dhe këta ne nuk mund t’i fyejmë kurrë. Populli e bën luftën. Karakteri masiv, karakteri popullor i luftës është vendimtar dhe i besueshëm për fitoren. Por çobanët mbi gjeneralë i kanë komanduar, i kanë udhëhequr mendja, ata elita e drejtimit ushtarak. Ishin 5 çeta të mëdha, të cilat u organizuan forcat e luftëtarëve vullnetarë kombëtarë te Rrapi i Gurrave (Halim Xhelo e quajti Rrapi i Burrave). Këto 5 çeta të mëdha kishin në organikën e tyre çetat e vogla, të fshatrave. Sipas organigramës luftarake ishin: çeta e Shullërit (me 3 fshatarat e Smokthinës: Ramicë, Matogjin, Bashaj) si dhe Vajza e Velça me komandant Kalo Telhai; çeta e Kudhësit (Sevaster, Golimbas, Shkozë, Ploçë e gjithë fshatrat e Gorishtit (Hadëraj, Rexhepaj, Mërtiraj) me komandant Rrapo Çelon; çeta e Dukatit (me Dukat, Tragjas, Radhimë) me komandant Sheme Sadikun; çeta e Rrëzës (Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm) me komandant Sali Muratin; çeta e Treblovës, që quhej dhe çeta e Fëngut (Treblovë, Kocul, Mavrovë, Rromës, Kropisht, Mallkeq, Armen) me komandant Muço Aliun. Po ashtu morën pjesë luftëtarë vullnetarë nga Kanina, Topalltia, Salaria, Fterra, Trevllazri, Çeprati, Narta, Mallakastra, Mallakstra e Egër, Skrapari, Berati, Peqini, Korça, Çamëria, Gjirokastra, Tirana etj., që nuk u përfshinë në formacionet më të vogla të këtyre 5 çetave zonale.

Kronika e veprimeve luftarake dhe ngjarjet e Vlorës u pasqyruan në gazetën Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj.

Kush ka këngë, ka histori

Si sot, para 105 vjetësh, para një shekulli e kusur, më 3 shtator 1920, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi i shquar popullor nga Brati Mato Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen në Vlorë “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”! Ky është mesazh i madh dhe ne duhet ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë, që 3 shtatori të shpallet festë kombëtare. Pse? Siç është 28 Nëntori festë kombëtare, sepse Plaku i Bardhë Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 ngriti në Vlorë, pas 5 shekujsh robërie, flamurin krenar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe shpalli Pavarësinë diplomatike të Shqipërisë, siç është po aq i rëndësishëm Kongresi i Lushnjës, (21, 28-31.01.1920) për vendimet që mori për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij, është dhe Lufta e Vlorës (29.05-03.09.1920), që u bë, u fitua nga çlirimtarët vendas dhe pati rëndësi kombëtare, sepse i dha pavarësinë konkrete Shqipërisë, pavarësinë e vërtetë dhe ndihmoi, frymëzoi e rriti besimin e luftëtarëve shqiptarë në Koplik dhe në Dibër.

Lavdi e nder atyre që bënë luftën e dhanë jetën për lirinë e kombit në 1920-ën dhe në Altarin e lavdisë mbetën!



[1] ) KËNGË popullore historike; Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë, 1956, f. 312, mblodhi Qemal Haxhihasani, Ramicë, 1953.