E diele, 28.09.2025, 10:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Debat me Hasan Zyko Kamberin për paranë

E diele, 28.09.2025, 06:50 PM


Debat me Hasan Zyko Kamberin për paranë

Tregim humoristik

Nga Shyqyri Fejzo

Të them të vërtetën, kot na si koti mu shkrep t'ja tëheqim një debat me bejtexhiun me nam, Hasan Zyko Kamberin. E mora vesh se kishte ikur në Liqenin e Zi në Lenie, se do të bënte banja me ujin e ftohtë, në atë liqen me nam që shëronte reomatizmën, artritin e dhimbjen e kyçeve. Menjëherë për ta takuar dhe intervistuar bejtexhiun u nisa edhe unë. E  gjeta ulur rrëzë një rrobulli aty afër, ulur mbi kërcunj të prerë me sharrë dhe njërin ma ofroi mua të ulesha. Më priti mirë dhe e bëmë ndonjë orë muhabet, hidh e prit, duke thithur ozonin e rrobullit të kuq.  Tani që na ra tallazi dhe i   vumë të tëra pikat mbi i, them që isha lodhur kot, si ai që prishi murin për të hapur derën dhe derën e gjeti të hapur. Debati me të dhe problemi që rrahëm na doli një bylmet hudhrash, mbasi  bëhej për paratë. E nisëm intervistën drejt në temë.

-I dashur Hasan. Përpara shumë vitesh në njerëzi kishte mendime se "të varfër jemi, po nuk kemi as para, djalli e mori." Ky mendim nuk ka qënë në kohën tënde, Hasan efendi.

- "Hë!" Tundi kokën qerratai. "Në kohën time ka qënë mendimi se burrit po i hoqe paranë bëhet mut- Aty për aty, mendova ti turrem tamam sikur ti shtinja me të dyja tytat.

-Po këtë mendim e kishte paria apo gratë e tyre?"

- Të dy palët e kishin.- Ndejta të marr pak firomë dhe vazhdova.

-"Po zotrote pse e ke quajtur paranë "murdare... që bredh porsi zagare.?  -

-Ah! I ziu unë me cilin po bëj debat?...-ma ktheu qerratai. –Po ka më të pabesë se paraja more lako?

-Që  kur dolën në shesh të mejdanit bankat, sikur e ule tallazin.  Apo jo?-desha ti gudulis pak mëlçinë.

-Që  kur dualën deri sot ato more lako, njëlloj kanë punuar dhe punojnë. Bankat janë shatë dhe aspak lopatë. A ke prashitur ndonjëherë, zotrote? Ato i ngjajnë shatës.-Turfullonte Hasan Zykoja. U çudita me atë që ky bejtexhi që "nuk i la baltë në thua" parasë, tani shante bankat, shtëpinë e tyre. Kur e pikasi që unë nuk isha shumë dakord me mendimin e tij, vazhdoi:

-Banka ore mik, të jep çadrën kur është diell dhe ta merr sapo të fillojë shiu..."

-Po në kohën tuaj, kur nuk kishte banka, si bënit për të ruajtur paranë.? Po kruante kokën e më pas gishtin tregues të së djathtës e mbështeti në tamth."E bukosa, më shkoi një mendje." Por nuk kishte qënë si mendova unë. Puliti sytë dhe mi nguli me një vështrim tryelë.

-Atëhere shumica e parave ishte flori, sërm. Ato ruheshin në enë balte. Aty kishin gjetur rehatinë. Se jashtë poçeve, qypave ato gjenin belanë. Këto enë, poçe, qypa etj. njerzit i fshihnin në vende të quajtura "të sigurta." Ku nuk i fshihnin. Në tokë, nën gurë, në mure nën rrënjët e pemëve të mëdha, por edhe në ujë...

-Oho! Ndaj sot ata më "trimat e floririt" me disa aparate në duar nuk po lenë vend pa kërkuar.

-Hë! Tani e gjete gjuhën. Vendet ku i fshehën florinjtë disa prej tyre, i harruan dhe vetë sa ishin gjallë. Njeriu nuk rron sa paratë.... Ksi soj, disa prej tyre flenë atje ku i zoti i vuri në gjumë. Ato para kërkojnë sot duke grisur dhjetra palë këpucë edhe "trimat e floririt."Thashethemet dhe legjendat e gjysëmlegjendat, turbullojnë mendjet e tyre për thesaret e fshehura të mbretit Gent, të Skënderbeut apo të Ali Pashë Tepelenës.

-Po si mendon zotrote, a do i gjejnë?-sulmova me një pyetje.

-Kanë gjetur, mund të gjejnë dhe të tjera. Një pjesë e tyre nuk dinë atë që thotë inglizi."Një send që ta  fshehësh sa më mirë, vendose në vendin më të dukshëm."

-Në kohën tuaj Hasan efendi, a kishte kambizëm?- u hodha në anë tjetër të lëmshit me këtë pyetje. Më shikoi nga maja e këmbës tek fijet e flokut, me dinakëri, ashtu si di të shikojë bejtexhiu.

-Po thuaja emrin shqip more lako. "Tramba" i thoshim ne këmbimit. Ama këmbimit të mallrave, mall me mall. "Më jep mana; të jap thana"  nuk këmbeheshin paratë. Me çfarë ti këmbeje?

-Sot, tek ne kambizmi, apo ajo "tramba"që the zotrote, është një aktivitet i madh...

-E kam parë, kam dëgjuar dhe e kam provuar.-tha duke lëvizur shpejt gishtin tregues me gishtin e madh të së djathtës , sikur numuron paratë.

-Që e ke parë dhe dëgjuar, bindem, por më çudit kur thoni se " e kam provuar." Çfarë ke provuar?- desha të dija më shumë  nga "profeti i parave".

-Gërmo, o Tare, gërmo.- I thotë një artist i mirë në një film që kam parë tek  ju dikur. Do ta tregoj çfarë kam provuar...

-Kur kam ardhur herën e parë këtu, më duheshin ca para shqiptare. Më çoi një mik që më shoqëronte në një si dyqan i vogël ku bënin trëmba para. Më dhanë plot 130 mije lekë, për ato 100 euro që dorëzova në sportel. Më dhanë dhe faturë. Ishin dy copë me Skënderbej, tri copë ishin me priftin Pjetër Bogdani. Tani, në ardhjen e fundit, çova përsëri të bëj trëmba 100 euro. Kur më dha paratë ishin një Skëndëerbe, tre Pjetra dhe nja 4 Naim Frashër. E kuptoi që nuk po luaja nga sporteli dhe pyeti."Ka ndonjë problem.? Unë ta dorëzova dhe faturën...

-Mos më ke dhënë një Skënderbe më pak? Me 100 euro në këtë sportel kam marrë dy Skënderbe dhe tre Pjetra.- I them duke tundur paratë. Çoi buzën në gas dhe më tha:

-Qënke shumë mbrapa ore mik. Se ke marrë vesh ti se iku ajo pulë që bëntë atë vezë? Është forcuar leku dhe është bërë dërdëng. Një lek tani njerëzve u duket gur mulliri...vazhdonte me grushtat mbyllur e krahët në lartësinë e trupit punonjësja. Ishte e kotë të qëndronim  akoma. U nisëm në këmbë për tek hoteli. Makinën miku im e kishte parkuar në një parkim që ndodhej poshtë atij bulevardit që i thoni ju "tek treni." Tren aty asnjëherë nuk kam parë. Shoqëruesi më tha se "makinën do e le në parkim se këtu  unë nuk e vozit dot. Do lëvizim në këmbë dhe me taksi.Ti tani u pasurove edhe me lekë shqiptare dhe nuk kam merak për ty."

-Pas pak minutash ishim para sportelit të hotelit. Shoqëruesi im, të kryente sa më mirë rolin që i ishte dhënë, i drejtohet sportelistit.

-Ky miku im është bejtexhiu i madh Hasan Zyko Kamberi. Ai ka nevojë për një dhomë se mund të qëndrojë gjatë..

-Emrin ju lutem. Këta që mbarojnë me "xhiu" unë i kam kujdes vetë. A kini ndonjë dokument identifikimi?

-Po.Urdhëro të lutem.

-Shumë mirë. Sa netë do qëndroni?

-Të paguaj për sonte dhe nesër ju them se sa do qëndroj dhe të paguaj. Për sonte sa detyrohem?

-Pesë mijë lekë-

-Lekë të vjetra apo të reja?

-Lekë të reja more mik. Ti po pate të vjetra, po e bëj një përjashtim për ty, se unë imbledh ato të vjetrat që kanë vlera nuzmatike...

-Si  moj zonjë, një Skënderbe në natë? Po unë këtu me një Skënderbe kam fjetur tri netë dhe me kusurin kam pirë birrë..

-Birrë mund të pish prap. Kemi disa lloj birrash, por unë do ju rekomandoja Birra  Korça e vogël...Kurse për çmimin tek ne është rritur fuqia e lekut ore mik.

Obobo! Sa i paditur po dal! Kështu më thanë dhe ata të trëmbës. Çuditem se atje më dhanë më pak lekë se herët e tjera dhe këtu më kërkoni më shumë lekë. Ketë matematikë unë nuk e kuptoj. -ngrita zërin e po shtërngoja  këmbën e djathtë.

-Hajde zoti Hasan, hajde. Do ta rrëfej unë këtë lloj matematike.- Më  thotë me bindje shoqëruesi. U ngjitën lart, në dhomë.  U shkarkova nga valixha e vogël e çanta dhe po shikonja për rreth. Provoj telekomandën e televizorit, hap e mbylli njërin kanat të dritares, provoj në se punonte  çezma dhe tualeti. Gjithëçka mu duk e rregulltë.

-Tani,  i dashur mik më duket se i erdhi rradha asaj birra Korça- them shoqëruesit duke fërkuar duart. U ulëm poshtë me ashensor dhe për pesë minuta kishim zënë vend në një tavolinë tek këndi i lokalit. Akoma nuk na kishin ardhur birrat e porositura, kur unë  e zbraza koburen time.

-A më tregon i dashur mik se ç'është ajo Diella, ministre pa shpirt që u zgjodh antare qeverisë kohët e fundit dhe për këtë nami ka marrë dhenë.-

-Unë nuk e njoh akoma. Sa ke dëgjuar ti, aq kam dëgjuar dhe unë për të. Po ta dish që arritje është...- i them qerratait pas një ohohoje të zgjatur pasi kisha provuar birrën e vogël të Korçës.

- Gjëra të çuditëshme po ndodhin me këtë shejtanin e intelegjencës artificiale ore mik- I them pasi u mendova pak.

-Kjo është shumë e vërtetë. Ja. Ka mendime se jo shumë larg intelegjenca artificiale do hyjë në Bankat. Do të hiqen kartëmonedhat nga qarkullimi dhe do veprohet vetëm me karta të bankës....

-Këtë ore mik unë nuk e besoj.- kërceva përpjetë sikur të më kishte pickuar një grenxë.- Nuk e besoj se sot vetëm 40 përqind e qarkullimit të parasë bëhet me karta bankare, të cilat del se janë të fukarenjve pjesa tjetër mbi 60% bëhet me para dore. Pastaj ata sarrafët tanë nuk do jenë kurrë dakord të mos  i shikojnë paratë me sy. Ore, ka shkruar ai Shekspiri në Ingliterë dhe Balzaku në Francë për merakun e të zotërve për paranë. Këta tanët po nuk i fërkuan cdo ditë, po nuk i numuruan dhe  rinumuruan paratë, nuk i ze gjumi. E,e e e! Nuk lihet pa gjumë paria se nuk mund të numurojnë paratë. E di këtë ti zotri?- po i turfulloja shoqëruesit.

-Po ajo mund të vendoset me ligj more i dashuri bejtexhi.-e pashë të nevojshme unë dhe hyra si ajo daullja në mes të sazeve që kishte ngritur Hasan Zykoja.

-A të ngrëntë trutë maçoku i Sefidesë more mik. Po ligjet kush i bën? Ke  dëgjuar ti ndonjëherë që njeriu të presë degën ku ka hipur vetë?!-mu drejtua egër mua.

Intervistës po i vinte fundi. E kuptova se Hasani bënte ca lëvizje nervoze të këmbëve e duarve. Mendova se disa të dhëna nga këto, mbase i duhen bejtexhiut, se ku dihet, fati dhe nevoja mbase e sjell të bëhet guvernator i Bankës.

Shyqyri Fejzo.Hamburg-Gjermani.

Shtator 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx