| E diele, 28.09.2025, 06:50 PM |
Debat me Hasan Zyko Kamberin për paranë
Tregim humoristik
Nga
Shyqyri Fejzo
Të
them të vërtetën, kot na si koti mu shkrep t'ja tëheqim një debat me bejtexhiun
me nam, Hasan Zyko Kamberin. E mora vesh se kishte ikur në Liqenin e Zi në
Lenie, se do të bënte banja me ujin e ftohtë, në atë liqen me nam që shëronte
reomatizmën, artritin e dhimbjen e kyçeve. Menjëherë për ta takuar dhe
intervistuar bejtexhiun u nisa edhe unë. E
gjeta ulur rrëzë një rrobulli aty afër, ulur mbi kërcunj të prerë me
sharrë dhe njërin ma ofroi mua të ulesha. Më priti mirë dhe e bëmë ndonjë orë
muhabet, hidh e prit, duke thithur ozonin e rrobullit të kuq. Tani që na ra tallazi dhe i vumë të tëra pikat mbi i, them që isha
lodhur kot, si ai që prishi murin për të hapur derën dhe derën e gjeti të
hapur. Debati me të dhe problemi që rrahëm na doli një bylmet hudhrash,
mbasi bëhej për paratë. E nisëm
intervistën drejt në temë.
-I
dashur Hasan. Përpara shumë vitesh në njerëzi kishte mendime se "të varfër
jemi, po nuk kemi as para, djalli e mori." Ky mendim nuk ka qënë në kohën
tënde, Hasan efendi.
-
"Hë!" Tundi kokën qerratai. "Në kohën time ka qënë mendimi se
burrit po i hoqe paranë bëhet mut- Aty për aty, mendova ti turrem tamam sikur
ti shtinja me të dyja tytat.
-Po
këtë mendim e kishte paria apo gratë e tyre?"
-
Të dy palët e kishin.- Ndejta të marr pak firomë dhe vazhdova.
-"Po
zotrote pse e ke quajtur paranë "murdare... që bredh porsi zagare.? -
-Ah!
I ziu unë me cilin po bëj debat?...-ma ktheu qerratai. –Po ka më të pabesë se
paraja more lako?
-Që kur dolën në shesh të mejdanit bankat, sikur
e ule tallazin. Apo jo?-desha ti gudulis
pak mëlçinë.
-Që kur dualën deri sot ato more lako, njëlloj
kanë punuar dhe punojnë. Bankat janë shatë dhe aspak lopatë. A ke prashitur
ndonjëherë, zotrote? Ato i ngjajnë shatës.-Turfullonte Hasan Zykoja. U çudita
me atë që ky bejtexhi që "nuk i la baltë në thua" parasë, tani shante
bankat, shtëpinë e tyre. Kur e pikasi që unë nuk isha shumë dakord me mendimin
e tij, vazhdoi:
-Banka
ore mik, të jep çadrën kur është diell dhe ta merr sapo të fillojë
shiu..."
-Po
në kohën tuaj, kur nuk kishte banka, si bënit për të ruajtur paranë.? Po
kruante kokën e më pas gishtin tregues të së djathtës e mbështeti në
tamth."E bukosa, më shkoi një mendje." Por nuk kishte qënë si mendova
unë. Puliti sytë dhe mi nguli me një vështrim tryelë.
-Atëhere
shumica e parave ishte flori, sërm. Ato ruheshin në enë balte. Aty kishin
gjetur rehatinë. Se jashtë poçeve, qypave ato gjenin belanë. Këto enë, poçe,
qypa etj. njerzit i fshihnin në vende të quajtura "të sigurta." Ku
nuk i fshihnin. Në tokë, nën gurë, në mure nën rrënjët e pemëve të mëdha, por
edhe në ujë...
-Oho!
Ndaj sot ata më "trimat e floririt" me disa aparate në duar nuk po
lenë vend pa kërkuar.
-Hë!
Tani e gjete gjuhën. Vendet ku i fshehën florinjtë disa prej tyre, i harruan
dhe vetë sa ishin gjallë. Njeriu nuk rron sa paratë.... Ksi soj, disa prej tyre
flenë atje ku i zoti i vuri në gjumë. Ato para kërkojnë sot duke grisur dhjetra
palë këpucë edhe "trimat e floririt."Thashethemet dhe legjendat e
gjysëmlegjendat, turbullojnë mendjet e tyre për thesaret e fshehura të mbretit
Gent, të Skënderbeut apo të Ali Pashë Tepelenës.
-Po
si mendon zotrote, a do i gjejnë?-sulmova me një pyetje.
-Kanë
gjetur, mund të gjejnë dhe të tjera. Një pjesë e tyre nuk dinë atë që thotë
inglizi."Një send që ta fshehësh sa
më mirë, vendose në vendin më të dukshëm."
-Në
kohën tuaj Hasan efendi, a kishte kambizëm?- u hodha në anë tjetër të lëmshit
me këtë pyetje. Më shikoi nga maja e këmbës tek fijet e flokut, me dinakëri,
ashtu si di të shikojë bejtexhiu.
-Po
thuaja emrin shqip more lako. "Tramba" i thoshim ne këmbimit. Ama
këmbimit të mallrave, mall me mall. "Më jep mana; të jap thana" nuk këmbeheshin paratë. Me çfarë ti këmbeje?
-Sot,
tek ne kambizmi, apo ajo "tramba"që the zotrote, është një aktivitet
i madh...
-E
kam parë, kam dëgjuar dhe e kam provuar.-tha duke lëvizur shpejt gishtin
tregues me gishtin e madh të së djathtës , sikur numuron paratë.
-Që
e ke parë dhe dëgjuar, bindem, por më çudit kur thoni se " e kam
provuar." Çfarë ke provuar?- desha të dija më shumë nga "profeti i parave".
-Gërmo,
o Tare, gërmo.- I thotë një artist i mirë në një film që kam parë tek ju dikur. Do ta tregoj çfarë kam provuar...
-Kur
kam ardhur herën e parë këtu, më duheshin ca para shqiptare. Më çoi një mik që
më shoqëronte në një si dyqan i vogël ku bënin trëmba para. Më dhanë plot 130
mije lekë, për ato 100 euro që dorëzova në sportel. Më dhanë dhe faturë. Ishin
dy copë me Skënderbej, tri copë ishin me priftin Pjetër Bogdani. Tani, në
ardhjen e fundit, çova përsëri të bëj trëmba 100 euro. Kur më dha paratë ishin
një Skëndëerbe, tre Pjetra dhe nja 4 Naim Frashër. E kuptoi që nuk po luaja nga
sporteli dhe pyeti."Ka ndonjë problem.? Unë ta dorëzova dhe faturën...
-Mos
më ke dhënë një Skënderbe më pak? Me 100 euro në këtë sportel kam marrë dy
Skënderbe dhe tre Pjetra.- I them duke tundur paratë. Çoi buzën në gas dhe më
tha:
-Qënke
shumë mbrapa ore mik. Se ke marrë vesh ti se iku ajo pulë që bëntë atë vezë?
Është forcuar leku dhe është bërë dërdëng. Një lek tani njerëzve u duket gur
mulliri...vazhdonte me grushtat mbyllur e krahët në lartësinë e trupit
punonjësja. Ishte e kotë të qëndronim
akoma. U nisëm në këmbë për tek hoteli. Makinën miku im e kishte parkuar
në një parkim që ndodhej poshtë atij bulevardit që i thoni ju "tek
treni." Tren aty asnjëherë nuk kam parë. Shoqëruesi më tha se
"makinën do e le në parkim se këtu
unë nuk e vozit dot. Do lëvizim në këmbë dhe me taksi.Ti tani u pasurove
edhe me lekë shqiptare dhe nuk kam merak për ty."
-Pas
pak minutash ishim para sportelit të hotelit. Shoqëruesi im, të kryente sa më
mirë rolin që i ishte dhënë, i drejtohet sportelistit.
-Ky
miku im është bejtexhiu i madh Hasan Zyko Kamberi. Ai ka nevojë për një dhomë
se mund të qëndrojë gjatë..
-Emrin
ju lutem. Këta që mbarojnë me "xhiu" unë i kam kujdes vetë. A kini
ndonjë dokument identifikimi?
-Po.Urdhëro
të lutem.
-Shumë
mirë. Sa netë do qëndroni?
-Të
paguaj për sonte dhe nesër ju them se sa do qëndroj dhe të paguaj. Për sonte sa
detyrohem?
-Pesë
mijë lekë-
-Lekë
të vjetra apo të reja?
-Lekë
të reja more mik. Ti po pate të vjetra, po e bëj një përjashtim për ty, se unë
imbledh ato të vjetrat që kanë vlera nuzmatike...
-Si moj zonjë, një Skënderbe në natë? Po unë këtu
me një Skënderbe kam fjetur tri netë dhe me kusurin kam pirë birrë..
-Birrë
mund të pish prap. Kemi disa lloj birrash, por unë do ju rekomandoja Birra Korça e vogël...Kurse për çmimin tek ne është
rritur fuqia e lekut ore mik.
Obobo!
Sa i paditur po dal! Kështu më thanë dhe ata të trëmbës. Çuditem se atje më
dhanë më pak lekë se herët e tjera dhe këtu më kërkoni më shumë lekë. Ketë
matematikë unë nuk e kuptoj. -ngrita zërin e po shtërngoja këmbën e djathtë.
-Hajde
zoti Hasan, hajde. Do ta rrëfej unë këtë lloj matematike.- Më thotë me bindje shoqëruesi. U ngjitën lart,
në dhomë. U shkarkova nga valixha e
vogël e çanta dhe po shikonja për rreth. Provoj telekomandën e televizorit, hap
e mbylli njërin kanat të dritares, provoj në se punonte çezma dhe tualeti. Gjithëçka mu duk e
rregulltë.
-Tani, i dashur mik më duket se i erdhi rradha asaj
birra Korça- them shoqëruesit duke fërkuar duart. U ulëm poshtë me ashensor dhe
për pesë minuta kishim zënë vend në një tavolinë tek këndi i lokalit. Akoma nuk
na kishin ardhur birrat e porositura, kur unë
e zbraza koburen time.
-A
më tregon i dashur mik se ç'është ajo Diella, ministre pa shpirt që u zgjodh
antare qeverisë kohët e fundit dhe për këtë nami ka marrë dhenë.-
-Unë
nuk e njoh akoma. Sa ke dëgjuar ti, aq kam dëgjuar dhe unë për të. Po ta dish
që arritje është...- i them qerratait pas një ohohoje të zgjatur pasi kisha
provuar birrën e vogël të Korçës.
-
Gjëra të çuditëshme po ndodhin me këtë shejtanin e intelegjencës artificiale
ore mik- I them pasi u mendova pak.
-Kjo
është shumë e vërtetë. Ja. Ka mendime se jo shumë larg intelegjenca artificiale
do hyjë në Bankat. Do të hiqen kartëmonedhat nga qarkullimi dhe do veprohet
vetëm me karta të bankës....
-Këtë
ore mik unë nuk e besoj.- kërceva përpjetë sikur të më kishte pickuar një
grenxë.- Nuk e besoj se sot vetëm 40 përqind e qarkullimit të parasë bëhet me
karta bankare, të cilat del se janë të fukarenjve pjesa tjetër mbi 60% bëhet me
para dore. Pastaj ata sarrafët tanë nuk do jenë kurrë dakord të mos i shikojnë paratë me sy. Ore, ka shkruar ai
Shekspiri në Ingliterë dhe Balzaku në Francë për merakun e të zotërve për
paranë. Këta tanët po nuk i fërkuan cdo ditë, po nuk i numuruan dhe rinumuruan paratë, nuk i ze gjumi. E,e e e!
Nuk lihet pa gjumë paria se nuk mund të numurojnë paratë. E di këtë ti zotri?-
po i turfulloja shoqëruesit.
-Po
ajo mund të vendoset me ligj more i dashuri bejtexhi.-e pashë të nevojshme unë
dhe hyra si ajo daullja në mes të sazeve që kishte ngritur Hasan Zykoja.
-A
të ngrëntë trutë maçoku i Sefidesë more mik. Po ligjet kush i bën? Ke dëgjuar ti ndonjëherë që njeriu të presë
degën ku ka hipur vetë?!-mu drejtua egër mua.
Intervistës
po i vinte fundi. E kuptova se Hasani bënte ca lëvizje nervoze të këmbëve e
duarve. Mendova se disa të dhëna nga këto, mbase i duhen bejtexhiut, se ku
dihet, fati dhe nevoja mbase e sjell të bëhet guvernator i Bankës.
Shyqyri Fejzo.Hamburg-Gjermani.
Shtator 2025