Kulturë
Llesh Ndoj: Të udhëtosh në udhën e mendimit të tjetrit, e të mos ndjesh lodhje
E merkure, 01.10.2025, 06:54 PM
TË UDHËTOSH NË UDHËN E MENDIMIT TË TJETRIT, E TË MOS NDJESH LODHJE
-
Mbresa leximi e reflektime rreth librit të autorit mirditorë Mark Rica, “Udha e
mendimit Shqipëri - Itali” (Publicistikë, histori, refleksione, personazhe) -
Nga
Llesh NDOJ
Në
Mirditë njihet shprehja popullore sipas së cilës çdo gjë mund t’ia kesh lakmi
tjetrit, veç mendjen jo, shprehje e cila reflekton disi edhe krenarinë tipike
mirditore, pse jo edhe kryenaltësinë e njëfarë bajraktarizmi që manifestohet
herë hapur, e herë fshehur ndër ne. Por ky s’mund të jetë rasti e qëndrimi ndaj
mendimit të urtë dhe njohurive të thella të Mark Ricës, intelektual i njohur e
drejtues i spikatur në Mirditën e periudhës së socializmit, studjues ekselent i
të sotmes e parashikues objektiv i ardhmërisë sonë me shpirtin e atdhetarit
konsekuent. Ne bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e tij e kemi njohur Markun që
atëherë, jo vetëm si drejtues i suksesshëm në koperativa e në ndërmarrjet
ekonomike të kohës, por edhe për njohuritë e thella shkencore si ekonomist dhe
për elokuencën filozofike dhe mëvetësinë e mendimit të tij, që gjithnjë e
shpaloste me guxim e ndonjëherë edhe jo në sensin e rrymës së mendimit të
drejtuesve e organeve partiake të kohës. Edhe unë e kam patur këtë fat, e duke
qenë drejtues i njëkohësishëm për një periudhë të shkurtër dhe kam patur
mundësi ta ndjek mendimin e tij në mbledhje e seminare të kohës, por leximi i
librit të tij më të ri “Udha e mendimit Shqipëri - Itali”, të bën të mendosh se
sa pak e paskam njohur atë, pasi ai shpalos në vetvete përveç njohurive të
thelluara të ekonomistit edhe ato të historianit, të gazetarit, të studjuesit
të thellë e mbi të gjitha njeriun atdhetarë e intelektualin e përgjegjshëm që
njohuritë e përvojën e fituar, kërkon t’i vejë në funksion të shoqërisë dhe
vendit të vet, pa pyetur aspak moshën që ka përparuar, ndonëse pa lënë “gjurmë
të dukshme” për syun që e vrojton nga jashtë.
Udha
e mendimit e Mark Ricës, ngjet me një udhë relativisht të gjatë, pasi ajo na
shpaloset përmes disa botimeve shumë cilësore prej tij, si “Prona dhe Biznesi”
(2000), “Gjergj Uci, Artist i shquar i krahinës së Kurbinit” (2014), “Rrëfime
për Sheben dhe shebasit” (2018, ribotim 2019), “Ndue Tusha - një jetë në
shërbim të kulturës” (2020), “Kthella, histori, etnokulturë, ngjarje dhe
personazhe. Vol. I - rë. (2021), “Mark P. Doçi, Akademisti qëndrestar që kurrë
nuk u gjunjëzua” (2023, Ribotim Tetor 2023). Ka në dorëshkrim “Kthella,
histori, etnokulturë, ngjarje dhe personazhe. Vol. II - të”. Marku është
gjithashtu edhe hartues i 74 zërave në librin “Fjalori Enciklopedik i Mirditës”
(2021) dhe ka botuar rregullisht disa artikuj në shumë organe të shtypit,
gazeta e revista të ndryshme qëkur ishte student e deri në ditët e sotme, por
botimi i tij i ri “Udha e mendimit Shqipëri – Itali” (Publicistikë, histori,
refleksione, personazhe - Tiranë 2025), shpalos para lexuesit një udhë
panoramike, në të cilën kalimi nga njëra faqe në tjetrën të befason gjithnjë me
një pamje të re, kurdoherë edhe më të bukur se ajo pararendëse. Kjo mënyrë e të
organizuarit të këtij libri, e bën atë fort të kandshëm në lexim, aq sa kur ke
mbërritur në fund, ndjen dëshirë t’i rikthehesh atij, qoftë edhe në disa pjesë
të veçanta, që përbëjnë risi autoriale, duke i dhënë librit shumë veçanti.
Libri është i organizuar në katër pjesë. Pjesa e parë: Shqiptarët dhe Italia
(Histori, kulturë dhe kontribute), është e krahasueshme me një minienciklopedi
të vërtetë, sa i takon të dhënave historike, atyre statistikore e prurjeve
origjinale të autorit. Pjesa e dytë: Kujtesë historike dhe etnokulturore, vjen
po ashtu me disa prurje origjinale si ato për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, të
dhëna interesante për Elez Farkën, për vendin ku vdiq Ismail Qemali, Hotel
“Brufani” në Perugia të Italisë, dhe pengun e pronarit të tij, njëkohësisht
autori sjell mendime me vlera të padiskutueshme, si ato për promovimin e
turizmit, diktaturat dhe diktatorët, maketin e një obelisku për Mirditën etj.
Në pjesën e tretë zënë vend tematikat ekonomike e sociale, fushë ku autori për
shkak të formimit profesional dhe përvojës së gjatë si specialist e drejtues,
ndjehet si “në shtëpinë e tij”. Vlejnë të veçohen këtu tematika për minimumin
jetik, një trajtim ky shumë profesional dhe me të dhëna krahasuese, tematika
mbi diskriminimin gjinor të gruas, një këndvështrim i veçantë i autorit,
shkrimi mbi gjuhën e urrejtjes, burimi dhe rrezikshmëria që vjen prej saj, apo
punimi mbi disa “tregues financiarë të frikshëm që duhet t’i dinë shqiptarët”,
një analizë profesionale mbi paranë, bursën, burokracinë etj. Vlerë të posaçme
në këtë kapitull marrin punimet mbi treguesit statistikorë, rëndësinë e
kuptimin e disa të dhenave të tilla dhe prognozën që bazohet mbi to, apo
analiza mbi rrezikun e krizës së bukës etj. Veç tematikave ekonomike në këtë
pjesë tërheqin vemendje trajtimet sociale të autorit Mark Rica, fushë ku ai
shfaqet me të njejtën kompetencë dhe elokuencë si në trajtesat e tij në fushat
e tjera. Kjo sepse Mark Rica dëshmon edhe përmes këtij botimi se është lexues i
rregullt e ndjekës i zhvillimeve globale, përveç atyre lokale e kombëtare, që i
ka parësore. Interesante e bindëse bëhen analizat e shifrat e paraqitura nga
autori, pasi ai i vendos ato gjithnjë në raport me të njejtit tregues e
fenomene më shtetet e tjera fqinje ose jo. Më tërhoqi vemendjen në leximin e
kësaj pjese një temë e autorit, titulluar “Është koha për t’a vrarë frikën”, ku
përmes përshkrimit të një ngjarje reale, asaj të arrestimit e burgosjes së
agronomit emigrant kosovar Kol Nikçi, figurës e fatit të tij tragjik, autori
hedh dritë mbi nevojën e “vrasjes së frikës” si një fenomen shoqëror shqiptar,
historik dhe aktual, e rolin që duhet të luajnë intelektualët e çdo kohe. Në këtë
trajtesë, siç bën edhe në shumë të tjera, autori jep edhe rekomandime
interesante, siç është shënimi i tij se “Për t’a vrarë frikën, duhet të dimë më
shumë për të.” E ku ai rrjeshton si një psikolog i vërtetë shfaqjet e frikës si pararendje drejt diktaturave. Edhe në kontekstin aktual, jo vetëm atë historik,
autori paralajmëron ekzistencën e frikës e pasojat e saj duke shtruar pyetjen:
- A do të vritet ndonjëherë frika te shqiptarët, që u është futur deri në
palcë…”. Në pjesën e fundit autori ka vënë në fokus të vëmendjes e penës së tij
kryesisht disa figura të njohura lokale, si: Prend Picakun - ish shef arsimi e
themelues i Gjimnazit të Rrëshenit, Marie Brozin - mësuesen ekselente e
drejtuese në arsimin e Mirditës për disa dekada, Preng Cub Lleshin - mësuesin,
poetin, gjuhëtarin, studiuesin e filozofin e shquar mirditorë, Mark Dushin -
drejtues i suksesshëm i disa ekonomive bujqësore në Mirditë, njohësin e mirë të
traditave e zakoneve mirditore e njeriun e pamposhtur nga vështirësitë e
kohërave, Preng Llesh Melyshin e sagën e kësaj dere të njohur dhe me za në
Mirditë e Shqipëri, e shumë të tjerë, ku spikat trajtesa me një mënyrë
origjinale e secilës prej tyre, bazuar në të dhëna e njohje personale, jo
thjesht me të dhëna të ftohta biografike. Po këtu zënë vend edhe figura me
rrezatim kombëtar, si ajo e kosovarit Martin Çuni, këtij personazhi emblematik
e kontributor në historinë e re e të vjetër të Kosovës, Prof. Dr. Thanas Piu,
themelues e shkencëtar i shquar i shkencës zooteknike në Shqipëri, Ing. Mark Pepkolaj,
si njeri i shquar i punës, shkencës e letrave, për poetin e madh mirditorë Agim
Doçi dhe tekset e pavdekshme të këngëve të shkruara prej tij, e të tjera
përshkrime të bukura si ai për Uzinën e Bakrit në Rubik e kontributin e
industrisë nxjerrëse e pëpunuese të Mirditës në ekonominë kombëtare, apo të
tjera personazhe të njohura e të panjohura.
Duke
mos qenë një libër monotemë, libri i autorit Mark Rica ka veçantinë e të qënit
një libër shlodhës. Udhëton në udhën e shtruar të mendimit të tij në mbi 400
faqe dhe nuk ndjen asnjë lodhje, sepse shumësia e temave është e tillë, që nuk
t’a lejon mërzitjen, por edhe kurioziteti të shtyn të shpalosësh me kënaqësi
“kthesat e leqet” e shumta që paraqet kjo udhë. Autori dëshmon kështu se ka
njohuri të thella e shumëplanëshe, të cilat i vlejnë kujtdo. Ai jo vetëm i ka
këto njohuri, por zotëron edhe një stil mjeshtëror e fort të kandshëm të të
shkruarit. Veç sa më sipër, njohuritë e tij të paraqitura në librin “Udha e
mendimit Shqipëri - Itali”, vijnë me përgjegjshmërinë e lartë intelektuale e
atdhetare që e karakterizon autorin dhe me dëshirën bujare që t’i verë ato në
dispozicion të kujtdo që është i interesuar të njohë disa të vërteta pa patur
nevojën “të ecë në udhë të pashkelura”. Ky libër dallohet veç të tjerave edhe
nga stili i të shkruarit ku shpaloset një gjuhë e thjeshtë, e pastër dhe e
pasur, larg akademizmave boshe, që s’mund të përvetësohen nga kushdo, por edhe
larg vulgarizmave që s’i hyjnë në punë askujt. Karakteristikë tjetër e këtij
botimi është se autori, pasi shfaq një sërë të dhënash dhe bën analizën e
ftohtë të shifrave e problemeve të fushës që ka vënë në fokusin e penës dhe të
mendimit të tij, nuk qëndron “duarjashtë” e indiferent, por gjithnjë me kurajo
dhe modesti jep edhe mendimet e propozimet e veta për zgjidhje e ndryshim të
gjendjes, lidhur me çështje konkrete, të cilat i rrjeshton gjithnjë në fund të
çdo shkrimi apo analize. Ato janë mendime e rekomandime me vlerë edhe për
organet lokale e qendrore të pushtetit, por edhe për njerëz të veçantë,
biznesmenë ose jo, pasi siç e shpreh bukur autori edhe me veprime të vogla, si
fjala vjen vendosja e një pllakate për vendngjarje të caktuara, apo mirëmbajtja
e atyre ekzistuese, ruajtja e ekspozimi i materialeve të vjetra të etnokulturës
popullore etj, të cilat nuk kërkojnë investime të mëdha, por flasin më shumë se
do të fliste e shpjegonte një ciceron i zoti, secili mund të jap kontributin e
tij të vlefshëm.
Marku
në librin e tij reflekton seriozitetin e një studiuesi e punonjësi shkencorë,
që vjen tek ne përmes shprehjes elokuente të një gazetari e publicisti të
rrallë, një vlerë kjo e jashtëzakonshme e librit të tij “Udha e mendimit
Shqipëri - Itali” (Tiranë, 2025). Libri ka të dhëna ekonomike, historike e
kulturore që s’u humb kurrë aktualiteti, por edhe referenca të shumta burimore,
gjë që e bën atë vlerë të shtuar për bibliotekat e atyre që shtyhen drejt
njohjes e studimeve, apo edhe thjesht nga kurioziteti njerëzor për të ditur nga
vijmë e ku shkojmë.
Libri
paraprihet nga një parathënie e gazetarit e publicistit të mirënjohur Mëhill
Tanushi, shënimet e të cilit vijnë si ato sinjalet e mirëstrukturuara
paralajmëruese, që vendosen në formën e një tabele në hyrje të rrugëve më
kryesore, apo autostradave dhe që përpiqen të të orientojnë udhëtarin se si
duhet “të qarkullosh” në to. Njejtë edhe Mëhilli të jep në parathënien e tij
korsitë që përbëjnë udhën - autostradë të mendimit të struktuar e shumë
dimensional të autorit Mark Rica, pasqyruar në librin e tij “Udha e mendimit
Shqipëri - Itali” (2025).
Natyrisht
që universi i udhës së mendimit të Mark Ricës dhe librit të tij është i gjerë,
i thellë e shumë dimensional, por unë kaq përzgjodha për të sjell në vemendje
të publikut vlerat e një libri si ky e pse jo, edhe për t’i ftuar e nxitur ata
t’a bëjnë librin pjesë të bibliotekave të tyre si një vlerë e shtuar dhe
natyrisht për t’a uruar publikisht autorin për këtë botim me kaq shumë vlera
historike dhe njohëse.
Lezhë, më 29 shtator
2025