Kulturë
Hamdi Hysuka: Poezia foli, zemrat u bashkuan, muza ndriçoi!
E marte, 30.09.2025, 06:56 PM
Poezia foli, zemrat u bashkuan, muza ndriçoi!
Festivali i 9-të Kombëtar i Poezisë "Muza
poetike budiane" bashkoi krijues nga mbarë trojet shqiptare dhe Italia në
një festë të fjalës e shpirtit.
Nga
Hamdi Hysuka*
Më 27 shtator 2025 Burreli ishte mikpritës i poetëve nga trojet
shqiptare dhe Italia në edicionin e 9-të të Festivalit Kombëtar të Poezisë
"Muza poetike budiane". Qendra e qytetit u mbush me art, poezi dhe
dashuri për fjalën e bukur. Në lokalin "Il Gusto", poetë nga
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, madje dhe nga Rimini i Italisë, u
bashkuan për të marrë pjesë në edicionin e 9-të të Festivalit Kombëtar të
Poezisë 'Muza poetike budiane', duke mbajtur në duar librat e tyre dhe në zemër
dritën e krijimit.
Organizatorët Hamdi Hysuka,
Fatmir Neli, Lindita Doda, Bajram Canameti etj, pritën me përzemërsi poetët e
ardhur, duke u uruar: "Mirë se keni
ardhur në Muzën poetike budiane!" Sipas traditës matjane,
mikpritja u shoqërua me kafe e raki, ndërsa homazhi me lule pranë bustit të
Pjetër Budit dhe fotoja e përbashkët te gjimnazi me të njejtin emër, shënuan
nisjen solemne të festivalit.
Në Qendrën Kulturore të
Bashkisë, fjala poetike mori jetë. Të pranishëm ishin krijues, miq të artit dhe
përfaqësues të institucioneve, mes tyre deputeti i Matit Agron Malaj, kryetarja
e Bashkisë Klos Valbona Kola, nënprefekti Hasan Pasha, prof. dr. Shyqri Galica,
Trandafile Molla (Baja) nga Italia, Agim Bajrami, Myrteza Mara, Nuri Koleci nga
Dibra e Madhe, Sitki Jashari e të tjerë. Surprizë e veçantë ishte pjesëmarrja e
poetit italian, Raffaele Lacaruso, që solli në shqip ndjesinë e fjalës së
përbashkët.
-Jemi aty, midis jush, me
mendje dhe shpirt, -theksoi me mesazh poeti Ligor Shyti, në emër të Klubit të
Shkrimtarëve dhe Artistëve "Naim Frashëri" Përmet, sepse sot është jo
vetëm ditë feste poetike, por dhe homazh për paraardhësit tanë, ata që na e
lanë këtë pasuri të çmuar shpirtërore e që në një farë mënyre na e shtruan këtë
rrugë nëpër të cilën po ecim sot. Sot ata janë në Mat, bashkë me ju, me poetët
e nderuar që marrin pjesë në këtë festë poetike, bashkë me frymën dhe veprën e
të madhit Pjetër Budi, i cili hapi i pari rrugën e krijimtarisë letrare
shqiptare dhe hodhi bazat e doktrinës së krishterë, kur thoshte se librat shqip
do t'i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të përgatitur
kryengritjen e përgjithshme kundër pushtueseve otomanë. Sot me ju është Fishta,
Naimi, Çajupi e Migjeni, të cilët ndoqën rrugën e tij dhe na lënë ne brezave të
sotëm një pasuri të çmuar me vlera të larta të trashëgimisë kulturore.
Pas interpretimit të Himnit
Kombëtar, që shënoi mirëseardhjen solemne, atmosfera poetike u ndez nga
vargjet, emocionet dhe duartrokitjet.
Ky edicion dëshmoi se
tradita e poezisë në Mat po forcohet, se muza vazhdon të frymëzojë dhe se fjala
poetike mbetet dritë e shpirtit kombëtar. "Muza poetike budiane"
është bërë tashmë udhëtim shpirtëror drejt bukurisë, ku poetët takohen për të
ngritur më lart zërin e gjuhës shqipe.
Në kuadër të festivalit u
promovuan tre botime të reja, që pasurojnë letërsinë shqipe, tre zëra, tre
rrugë, një qëllim, të ndriçojnë fjalën shqipe:
-Monografia "Mjeshtri
i eshtrave metalike", e autores Lindita Doda;
-Antologjia "Lulëkuqet
e globit", botim i BShASh "Zëri i mërgimtarit", Novara-Itali;
-Vëllimi poetik "Këtu
lindin dashuritë", i autorit të ri vlonjat Shon Malaj.
Fjalë, art dhe shpirt!
Fjala poetike, arti dhe dashuria për gjuhën shqipe bashkuan krijues nga mbarë
trojet. Faleminderit të gjithë poetëve e miqve që ndriçuan edicionin e 9-të të
"Muzës poetike budiane" me dashuri, fjalë të bukura, dhe shpirt krijues! Në Burrel
fjala poetike u ngrit mbi kohën. Tradita poetike matjane ndriçoi çdo zemër.
Poezia foli në gjuhën e dashurisë dhe shpirtit. Në zemër të Matit u ndez drita
e fjalës. "Muza poetike budiane" bashkoi zërat e poetëve nga trojet
shqiptare dhe më tej, në festë shpirtërore që ndriçon zemrat.
Për krijues që ndriçojnë
fjalën shqipe, që e mbushën Matin me poezi e frymëzim, juria, e përbërë nga
poetët Bajram Canameti, Ervisa Ruka dhe Elona Basha, ndau çmime letrare:
-Çmimi "Pjetër
Budi": Fatmir Neli, për poezinë "Pesha e fjalës";
-Çmimi "Hamit
Aliaj": Arbnesha Kelmendi, për poezinë "Sytë e tu";
-Çmimi i parë letrar: Emi
Krosi, për poezinë "Prag vjeshte";
-Çmimi i dytë letrar:
Raffaele Lacaruso për poezinë "Giorni felici" (Ditë të lumtura) dhe
Sitki Jashari për poezinë "Pika shiu, apo lot dashurie?";
-Çmimi i tretë: Luftar
Pepmarku, për poezinë "Poetëve atdhetarë"; Shefqet Merra, për poezinë
"Për ty, o Mat" dhe Mynyr Hoxha, për poezinë "Mat i dashtun, sa
të dua!";
-Çmimi "Zëri i ri
poetik": Shon Malaj, për poezinë "Lulet e lutjeve";
-Çmimi i vetë poetëve: Imer
Hysa, për poezinë "Homazh për lisin e parkut".
-Çmimi i karrierës: Fatmir
Gjestila.
Në fund të ceremonisë,
Klubi Letrar 'Pjetër Budi' shprehu mirënjohje të veçantë për tre personalitete
me kontribute të spikatura në fushën e arsimit, kulturës e letërsisë. Në shenjë
mirënjohjeje dhe respekti për kontributet e tyre të çmuara, vlerësuam me
titullin "Anëtar Nderi" i Klubi letrar "Pjetër Budi" Mat,
personalitetet: Prof. dr. Shyqri Galica: "Profesor
në Universitetin e Prishtinës, gazetar e studiues, autor i shumë punimeve
shkencore e letrare, me botime në poezi e prozë, si dhe kumtesa të paraqitura
brenda e jashtë vendit; aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës."; z. Agron Malaj: "Ushtarak
e drejtues, i diplomuar në Akademinë e Sporteve, me formim në fushën e
sigurisë, drejtues rajonal në OShEE, kryetar i Bashkisë së Matit, deputet në
Kuvendin e Shqipërisë; autor i librit "Ruajtja dhe siguria e
personaliteteve" dhe z. Faik Xhani: "Mësues,
gazetar e veprimtar i mirënjohur, me kontribute të shumta në arsim e gazetari,
autor i botimeve në poezi e prozë, themelues e drejtues i shoqatave
jofitimprurëse, fitues i titullit të lartë "Mjeshtër i Madh". Ky
vlerësim i jep klubit tonë letrar një pasuri të veçantë shpirtërore dhe intelektuale.
Dreka e përbashkët në
sofrën poetike matjane mbylli këtë festë të shpirtit poetik, me urimin që vitin
e ardhshëm "Muza poetike budiane" të kthehet sërish me dritë, poezi,
gëzim shpirtëror dhe shpirt shqiptar. Sepse poezia nuk mbaron me duartrokitjet.
Ajo jeton në çdo zemër që ndien fjalën. Faleminderit të gjithë poetëve dhe
miqve të fjalës që e kthyen Burrelin në tempull të poezisë! Fjala e bukur
bashkon, ngroh dhe ndriçon.
*kryetar i Klubit letrar "Pjetër Budi", Mat