Kulturë
Mihal Gjergji: Disa çaste në Tepelenë
E marte, 30.09.2025, 06:26 PM
DISA
ÇASTE NË TEPELENË
Nga
Mihal Gjergji
Qyteti
i Tepelenës shpalos dukjen e tij, jo brendinë, sikurse qytetet e tjera.
Gjithmonë e kam menduar si një shirit të zi lidhur te krahu, këtë qytet i cili
më rikthen në vitet e rinisë e më kujton ecajaket dëshpëruese dhe trokitjet
këmbëngulëse në zyrat e sundimtarëve të kohës. Ato dyer s’u hapën për mua,
asnjëherë. Jam kthyer sërish dhe qëndroj disa çaste para ndërtesave të
dikurshme shtetërore; Komiteti i partisë dhe Komiteti ekzekutiv.
Tashmë
gjërat kanë ndryshuar, por vetëm në dukje, sepse lokomotivën e fateve tona ia
kemi besuar djallit. Ai është bërë zoti ynë. Prej shumë kohësh. S'e di pse na
pëlqen qasja e tij. Ecim e s’mbrijmë asgjëkundi. Lëvizim e s’dimë se ku
shkojmë. Hyjmë e dalim nëpër dyer dramash të mëdha. Vazhdojmë të kemi zjarrmi,
të digjemi si nga flakët e ferrit. Sistemi ynë imunitar është shkatërruar,
mjerimi vazhdon të na tretë si qiriun.
Atdheu
ngjason me Diellin: kur i afrohesh të djeg, kur i largohesh të ngroh. Jetët e
shkurtuara e të zbrazura nga dashuritë e mëdha, ngrihen dhe shemben brenda
kështjellës së ëndrrave. Sikur ta braktisin të gjithë këtë vend të bekuar,
atëherë kush do t’i mbrojë baltën dhe eshtrat, gjakun tonë? Prushin e shpirtit
mund ta ndezë vetëm urora e mallit me zjarrin që ngroh brenda mëmëdheut.
Tepelenë, Shtator 2015.