Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Disa çaste në Tepelenë

| E marte, 30.09.2025, 06:26 PM |


DISA ÇASTE NË TEPELENË

Nga Mihal Gjergji

Qyteti i Tepelenës shpalos dukjen e tij, jo brendinë, sikurse qytetet e tjera. Gjithmonë e kam menduar si një shirit të zi lidhur te krahu, këtë qytet i cili më rikthen në vitet e rinisë e më kujton ecajaket dëshpëruese dhe trokitjet këmbëngulëse në zyrat e sundimtarëve të kohës. Ato dyer s’u hapën për mua, asnjëherë. Jam kthyer sërish dhe qëndroj disa çaste para ndërtesave të dikurshme shtetërore; Komiteti i partisë dhe Komiteti ekzekutiv.

Tashmë gjërat kanë ndryshuar, por vetëm në dukje, sepse lokomotivën e fateve tona ia kemi besuar djallit. Ai është bërë zoti ynë. Prej shumë kohësh. S'e di pse na pëlqen qasja e tij. Ecim e s’mbrijmë asgjëkundi. Lëvizim e s’dimë se ku shkojmë. Hyjmë e dalim nëpër dyer dramash të mëdha. Vazhdojmë të kemi zjarrmi, të digjemi si nga flakët e ferrit. Sistemi ynë imunitar është shkatërruar, mjerimi vazhdon të na tretë si qiriun.

Atdheu ngjason me Diellin: kur i afrohesh të djeg, kur i largohesh të ngroh. Jetët e shkurtuara e të zbrazura nga dashuritë e mëdha, ngrihen dhe shemben brenda kështjellës së ëndrrave. Sikur ta braktisin të gjithë këtë vend të bekuar, atëherë kush do t’i mbrojë baltën dhe eshtrat, gjakun tonë? Prushin e shpirtit mund ta ndezë vetëm urora e mallit me zjarrin që ngroh brenda mëmëdheut.

Tepelenë, Shtator 2015.