Kulturë
Albert Zholi: Flet "Mjeshtri i Madh" Bashkim Alibali
E marte, 30.09.2025, 06:55 PM
Flet "Mjeshtri i Madh" Bashkim Alibali:
"Zambaku
i Prizrenit", festival me ritëm, atmosferë si Festivali i 11-të në RTSH
-
Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe ideologjizohet në shërbim të ploitikës
-Ka
një lidhje shpirtërore mes Festivaleve në RTSH dhe Festivalit "Zambaku i
Prizrenit"
Nga
Albert Z. ZHOLI
Festivali i këngës qytetare "Zambaku i Prizrenit", i
themeluar në vitin 1986 në qytetin e Prizrenit, kryeqendra kulturore dhe
historike e Kosovës, prej dekadash mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme
të muzikës qytetare. Që nga fillimi, e deri te edicioni i sivjetmë, i 36-ti me
radhë. Më 26 shtator, festivali ka pasur për mision të ruajë, kultivojë dhe
promovojë këngën qytetare si një trashëgimi shpirtërore të brezave, duke u
shndërruar në një skenë ku janë ngjitur emra të njohur të muzikës dhe janë
prezantuar krijime, që sot konsiderohen pasuri të kulturës sonë
kombëtare."Organizimi i festivalit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen
institucionale. Një falënderim i veçantë i takon Drejtorisë për Kulturë, Rini
dhe Sport të Komunës së Prizrenit, e cila mbetet zemra organizative e këtij
festivali, si dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që çdo vit
qëndron krah nismave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore:, thuhet në
njoftimin e zyrës për informim të këtij evenimenti kulturor. Falë punës së
poetëve, kompozitorëve, orkestruesve, këngëtarëve dhe orkestrës, "Zambaku
i Prizrenit" vazhdon të mbetet një kurorë e artë e Prizrenit dhe një pasuri
e të gjithë kombit dhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) do të jetë sponsor
medial i këtij evenimenti kulturor. Kujtojmë se më 26 shtator, "Prizreni u
ndez me muzikë, art dhe surpriza të shumta që i dhanë qytetit një atmosferë
unike, ndërsa emocionet janë në kulm.
Ju keni
qenë pjesë e festivalit të këngës qytetare "Zambaku i Prizrenit". Një
festival që tashmë ka një histori, ka një traditë dhe portret të
lakmueshëm nga kritikët dhe vetë populli. Si do ta cilësonit këtë festival? Cilat janë specifikat?
Për mua "Zambaku i Prizrenit" është një ndër
festivalet më të kompletuara që zhvillohet ndër trevat shqiptare.
Festivali pranoi një numër të madh këngësh në edicionin e sivjetmë nga të
gjitha trevat shqiptare, prej të cilave u përzgjodhën 15 këngë finaliste
nga një komision profesionistësh, i përbërë nga kompozitorët Kreshnik Aliçkaj e
Kushtrim Jakupi dhe solo/këngëtarja Arta Jashari. Organizatorët nga ShKA
"Agimi" paralajmëruan se këtë vit festivali pritet të sjellë risi të
shumta, me qëllim që të fuqizohen më tej vlerat e këngës qytetare dhe të
krijohet një përvojë e pasur kulturore për publikun. Dhe ashtu ishte. Drejtori
i ShKA "Agimi", Festim Bytyqi, ka folur për ecurinë e përgatitjeve të
edicionieve si histori duke treguar detaje nga programi i edicionit të 36-të të
këtij festivali, teksa bëri të ditur se në mesin e 15 këngëve të përzgjedhura,
3 performues ishin nga Prizreni, 6 nga vende të tjera të Kosovës, 5 nga
Shqipëria dhe 1 nga Maqedonia e Veriut. Unë isha mes tyre. Edicioni i 36-të i
festivalit tradicional të këngës qytetare "Zambaku i Prizrenit"
u mbajt më 26 shtator në shtëpinë e kulturës "Xhemajli Berisha"
në Prizren. Në këtë edicion përformuan disa artistë me emër si Gjergj Kaçinari,
Ylber Asllani, Vullnet Ibrahimi, Artan Bakija, Vlladimir Kotani, Dëfrim
Behluli, Tonin Tarnaku, Hyrmet Celina, Sami Pirraj, Andi Unaza, Arsim Kryeziu,
Gazmend Kraja, Edon Ramadani, Isa Jakupi dhe Veton Perolli etj...
Ju me
çfarë kënge morët pjesë?
Unë mora pjesë me këgën "Nuk pendohem" me muzikë të kompozitorit Vladimir Kotani,
tekst të Ramazan Çekës dhe orkestrim të Gjergj Kaçinarit.
Si do ta
cilësonit këtë Festival me këtë emër kaq domethënës?
Festivali i këngës qytetare
"Zambaku i Prizrenit", për mua është një Festival unik që
krahasohet me festivalet e RTSH, por me një specifikë, sepse është i shtrirë në
gjithë gjeografinë ku ka këngëtarë shqiptarë, që interpretojnë këngën e
bukur qytetare. Dihet që Prizreni dallohet për zambakët e bukur dhe të një
lloji të veçantë ndaj dhe vajzave të bukura në Kosovë dhe jo vetëm ju thonë
" je bërë si zambak Prizreni". Por edhe vetë Prizreni është një qytet
i bukur me tradita dhe me shumë histori për gjithë kombin shqiptar dhe
realizimi i një Festivali të tillë në këtë qytet ka shumë domethënie. Ana
tjetër është se ky Festival tashmë ka fituar emrin e vetëm, traditën e vetë si
dhe ka ecur çdo vit në ngjitje me intepretime dhe organizime tejet serioze.
Vetë pjesëmarrja e këngëtarëve më të mirë shqiptarë nga të gjitha trevat
shqipfolëse tregon për seriozitetin, përkushtimin dhe ndërgjegjësimin për të
afruar një festival me kërkesat e kohës. Por nëse kapërxej në kohë mund të them
se ky Festival është si Festivali i 11-të i Këngës në RTSH, plot ritëm,
dinamikë, muzikë që sjell risi. Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe
ideologjizohet në shërbim të ploitikës.
Po në
Shqipëri a ka Festivale të tillë?
Në Shqiëri kemi disa
Festivale por mbi të gjitha kemi festivalet në RTSH, që kanë një histori të
rrallë dhe pse kohët e fundit ka pasur shumë reagime nga kritikët, por
edhe nga populli.
Pra ju bëtë një lidhje mes festivalit "Zambaku i Prizrenit", dhe festivalit të 11-të
në RTSH. Një Festival i shumëdiskutuar. Po le të ndalemi te i
shumëdiskutuari Festivali 11-të, i cili shkaktoi furtunë dhe bujë. Si e kujton
sot Festivalin e 11-të?
Ai festival nuk harrohet
për shumë arsye. Pra ai ashtu mbetet plot bujë, plot enigma, plot diskutime,
Mora pjesë me një kompozim interesant për studentët. "Mbrëmja e
fundit" titullohej kënga. Pra, kur studentët mblidhen në natën e fundit,
duke kujtuar me shumë dashuri ditët e shkollës, sepse nesër do shpërndahen.
Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit. Nën orkestrimin e Aleksandër Lalos.
Ishte një këngë e suksesshme, natën e parë të pranishmit më kthyen dy –tre
herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Por,
çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim!! Megjithatë dola i kënaqur nga
Festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye. Por të këqijat erdhën mbrapa. Ky
festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste.
Për shfaqje të huaja. U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi. Dhe për
mua në Shkodër në ndërmarrje u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas
mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos
merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për
ekstravagancë. Dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare Festivalin. Pra, deri
në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. Muzikën
e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.
Dhe...kur u kthyet sërishmi
skenës së Festivalit?
Në Festivalin e 17-të.
Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam
marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.