E enjte, 24.07.2025, 10:13 PM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V)

E shtune, 19.07.2025, 03:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN BEDRI TAHIRI (V)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në fushën e letërsisë dhe studimeve historike shqiptare, Bedri Tahiri spikat si një nga zërat më të angazhuar në mbrojtje të kujtesës kombëtare. Autor i një opusi të gjerë që përfshin poezi, tregime, romane, monografi dhe studime historike, ai ka dëshmuar një përkushtim të palëkundur ndaj çështjeve që lidhen me identitetin dhe figurat emblematike të historisë sonë.

Me një jetë të përkushtuar ndaj fjalës së shkruar, identitetit kombëtar dhe ndriçimit të figurave të shquara shqiptare, Bedri Tahiri mbetet një ndër zërat më të qëndrueshëm dhe me ndikim në letërsinë dhe publicistikën shqiptare të pasluftës. Në këtë pjesë të pestë dhe të fundit të intervistës ekskluzive për Zemra Shqiptare, shkrimtari dhe studiuesi na fton të reflektojmë më thellë mbi çështjet qenësore të kulturës kombëtare, sfidat identitare të kohës moderne dhe rolin e organizimeve letrare në ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore.

Në një bisedë të sinqertë dhe të pasur me përvoja, Tahiri ndalet edhe te mirënjohjet që ka marrë ndër vite, vlerësimet akademike për veprën e tij dhe filozofinë personale që e ka udhëhequr në jetë. Përmes një "rrugëtimi mirënjohës", ai risjell në kujtesë figurat historike që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen shqiptare dhe e përmbyll këtë rrëfim me një mesazh të fuqishëm për bashkimin kombëtar dhe angazhimin e vazhdueshëm për ruajtjen e identitetit tonë.

Ju ftojmë të lexoni këtë kapitull përmbyllës të një interviste që nuk është vetëm një bisedë me një shkrimtar, por edhe një dëshmi e gjallë e dashurisë për Atdheun, kulturën dhe vlerat që na bëjnë krenarë si shqiptarë.

GM: Jeni anëtar dhe bashkëthemelues i disa klubeve dhe shoqatave letrare. Si e vlerësoni rëndësinë e organizimeve të tilla për jetën kulturore shqiptare?

BT: Çuditërisht, Letërsinë që nga filimi, që nga antika e deri këtu e ka përcjellë një fat pothuajse i njejtë, mospërfillja nga shteti, po edhe nga vetë shoqëria. Andaj, letërsia kurrë nuk e ka fatin e mirë. Letërsia zakonisht shkruhet nga njerëzit që vuajnë, që përjetojnë. Letërsia është akt flijues që kërkon sakrificë nga ai që shkruhet. Prandaj, edhe te ne, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, është i njejti fat, kulturës, në përgjithësi, nuk i jipet rëndësi e veçantë.

Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti i kanë krizat e veta, edhe për lexuesin edhe për shpërndarjet e shumë çështje tjera. Në Shqipëri lexohet më shumë sesa në Kosovë. Libri është “thembra e Akilit” për kulturën. Interneti, rrjetet sociale e kanë bërë të vetën, Mirëpo, ato kurrsesi nuk e zëvendësojnë librin. Letërsia shijohet vetëm duke lexuar librin fizik.

Lufta e brezave gjithmonë hetohet, disa në mbrojtje të traditës, disa duke e mohuar atë, kështu që lufta mes brezave zgjatë. Ku qëndron fatkeqësia jonë si popull, që nuk po mund të mëkëmbëmi, fatkeqësia është mohimi i brezave. Çdo gjeneratë që vjen, qoftë në kulturë, qoftë në politikë, ka tendencën që të thotë: Historia fillon me mua! Kjo i bie një fillim nga e para, nga zeroja. Ky mohim i gjithçkaje para nesh, ky mohim brezash, sjell fatkeqësi. Kohëve të fundit ka filliar një vetëdijësim dhe nuk hetohet shumë lufta e brezave, siç ishte fill pas Luftës së Dytë Botërore, por megjithatë ekziston.

Po, jam bashkëthemelues dhe pjesëtar i disa klubeve dhe shoqatave letrare. Jam bashkëthemelues i ArtClub “Rifat Kukaj”, jam nënkryetar, i cili, përkundër ca vështirësive, kryesisht finaciare, po ia del me suksees realizimit të planeve të veta: organizon manifestimin e rregullt “Vjeshta dhe vargjet”, mban orën letrare, boton librin “Vjeshta dhe vargjet” etj. Pastaj, bashkëthemelues i klubit letrar “Latif Berisha” në Vushtrri. Jam anëtar i LSHK, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit etj.

Organizimet e tilla janë shumë të rëndësishme, por ato, mjerisht pak përkrahen nga dora e shtetit, gjë që shpeshherë dalin të zbehta dhe zhgënjyese për artdashësit...

GM: A është e kërcënuar kultura dhe identiteti ynë kombëtar nga ndikimet e huaja? A ekzistojnë sfida me të cilat përballet sot kultura dhe identiteti ynë kombëtar, dhe si mund të përballohen ato?

BT: Po, më shumë se kurrë! Po bëhemi kob i vetvetes. Nëpër labirintet e historisë kapërcyem për vesh gjilpëre dhe mbijetuam si komb, duke e ruajtur identitetin tonë! Sa e sa pushtues, veçan Turqia e Serbia, bën çmos për të na tjetërsuar, por kot! Qëndruam e përballuam. Qëndruam, ngase ishim vendës, ishim autokton, ishim trung me rrënjë të thella në truallin tonë stërgjyshor!

E sot, disi sikur jemi ligështuar dhe me dëshirë (me vetëdije apo pa vetëdije), po rrëshqasim nga tabani ynë kombëtar! Kudo, në mërgatë e në Atdhe! Nëse në mërgatë, ekzistojnë disa arsye dhe rrethana tjera, në Atdhe, nuk kemi asnjë arsye! Po zvetënohet gjuha amtare, po çoroditën kultura dhe tradita kombëtare, po tjetërsohet identiteti ynë! Kultura e huaj po përqafohet aq lehtë, sa nganjëherë, me sjellje të pamatura, po ua kalojmë edhe atyre vendeve nga e kemi marrë!

I vetmi shpëtim është kthimi te rrënjët tona!

GM: Keni marrë shumë çmime dhe mirënjohje. Cilat prej tyre kanë qenë më domethënëset për ju dhe pse?

BT: Po, kam marrë shumë Mirënjohje, Falënderime, Plaketa, Çmime, gjithsej 58. Dhe, çdo çmim a mirënjohje, është respekt, është nderim, por, njëherësh është edhe obligim! Ato vijnë nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” i Vushtrrisë, ku kam punuar 42 vjet, nga Komuna e Vushtrrisë, nga Komuna e Skënderajt, e Drenasit, e Obiliqit, e Mitrovicës, nga Durrësi, nga Tirana, nga Amerika, nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, nga shkolla të ndryshme, nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, nga Akademia e Ploicisë në Vushtrri, etj.

Nga to do t’i veçoja: Çmimi “Hasan Prishtina” në Tiranë, “Pena e Artë” nga Komuna e Vushtrrisë, Çmimi “Adem Jashari” dhe “Anton Çetta” nga Lena Graphic, Çmimi për vepër jetësore nga ArtÇlub Rifat Kukaj, tituli Akademik nga Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro- Amerikane etj.

GM: Kanë dalë disa libra të veçantë që analizojnë veprën dhe jetën tuaj. Si ndiheni përballë kësaj vëmendjeje akademike e letrare?

BT:  Krijuesi, në rend të parë shkruan për vete, sepse ashtu ia ndjen shpirti. Një ngjashmëri me bilbilin, i cili, në thellësi të malit këndon për vete, pavarësisht a u pëlqen të tjerëve!

Mirëpo, në ndërkohë, zëri krijues, merr përmasa tjera dhe shtrihet si valë deti dhe arrin deri ku nuk të shkon mendja.

Gjeografia e veprave të mia është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar. Pena ime nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. Ajo ka zgjuar interesim dhe ka cingëluar edhe shpirtin krijues të të tjerëve. Kështu, janë hartuar shumë e shumë shkrime për mua e për veprën time. Diku mbi njëqind sosh i kam përmbledhur në vëllimin “DARDANIA MËSIM LIRIE” (2024), e cila ka 515 faqe, ku janë përfshi 66 studiues me 127 vlerësime për librat e mi: Daut Bislimi, Zenun Gjocaj, Sabit Jaha, Prof. dr. Hermann Olberg, Mehmet Kajtazi, Liman Rushiti, Zymer Neziri, Kadrush Radogoshi, Shyqyri Galica, Arben Veselaj, Sylë Osmanaj, Sheremet Krasniqi, Jakup Ceraja, Ragip Sylaj, Nadir Zhabjaku, Agim Vinca, Ilijaz Prokshi, Miftar Kurti, Shpendi Topallaj, Jetish Kadishani, Fatmir Minguli, Fatbardha Demi, Albert Vataj, Oerd Ulqini, Prend Buzhala, Ejup Ceraja, Nusret Pllana, Gjon Neçaj, Riza Haziri, Behram Hoti, Skënder Kapiti, Xhemail Peci, Ibrahim Gashi, Xhevahir Cirongu, Izet Abdyli, Fatime Kulli, Nezir Prokshi, Habib Mustafa, Mentor Hasani, Ardian Jashari, Hajrullah Mustafa, Mehmet Rukiqi, Hazir Mehmeti, Remzije Zekolli, Shaqir Foniqi, Bedri Shyti, Vilhelme Vrana Haxhiraj, Sabahajdin Cena, Atdhe Hykolli, Hamdi Thaçi, Safet Hasani, Hajdar Fejzullahu, Xhevahir Cirongu, Raif Gashi, Nexhat Rexha, Atdhe Geci, Maxhun Osmanaj, Ymer Berbati, Ibrahim Kadriu, Xheladin Mjeku, Qazim Berisha, Myftar Gjonbalaj, Ilir Paja, Faik Smajli, Ramadan Bozhlani, Ahmet Qeriqi, Xhavit Çitaku, Zymer Mehani, dhe Kadri Tarelli).

Libri përcillet nga një parathënie e poetit Atdhe Geci:

FJALA KRYENGIRTËSE E SHKRIMTARIT

Shkrimtari, eseisti, publicisti dhe studiuesi Bedri Tahiri edhe në këtë moshë të madhe, lapsit i jep udhë anekënd trojeve shqiptare. Libri “Dardania, mësim lirie” është vepër mision për sot, për nesër dhe për të gjitha kohërat. Në të gjitha shkrimet e veta, Bedri Tahiri  vë në letër shpirtin e tij letrar, përvojën e jetës së jetuar, mesazhin për artin, për atdhedashurinë, për shkencën dhe për kulturën shqiptare.

Bedri Tahiri, tashmë u takon dy shekujve letrar. Libri i tij i di fjalët e tokës, fjalët e detit, fjalët e qiellit, fjalët e shkrepave, fjalët e erërave të forta, fjalët e stinëve me stuhi si dhe melodinë e numrave për ter Atdheun. Libri “Dardania, mësim lirie” e di emrin e vërtetë të Atdheut tonë- Dardanisë. Ky libër është një ëndërr epokash, për një mësim lirie për brezat e ardhshëm shqiptarë!

Libri “Dardania, mësim lirie” i merr të mirën jetës dhe shkruan me zemër identitetin dardan të Ilirisë. Dardania pellazge-ilire është vijimësi e historisë dhe kulturës të popullit tonë. Ne, dardanët e sotëm, jemi krenarë që trashëgojmë pellazgët e lashtë dhe origjinën  e gjuhës së tyre, të cilën e flisnin dhe perënditë.

Lulet e gjelbra të erës flasin bukur pellazgjisht, na thotë natyra. Në Atdheun tonë të lashtë e të ri, pellazgjisht flasin edhe të gjitha emërvendet e tokës sonë. Në këtë tokë të lashtë pellazge,  shqip flasin: guri, bari, pema, uji, zjarri dhe drita. Kjo tokë poetike e natyrës e  meriton nderimin e kallinjve, të luleve, të frutave të saj. Ky libër është vërtetësi e shpirtit dhe zemrës, të quajtur Bedri Tahiri.

Aktualiteti i tij prej shkrimtari jeton dhe mbijeton në tërë qenien e Bedri Tahirit. Ky shkrimtar i shquar e prodhimtar, është autor i mbi 54 veprave në letërsinë tonë të bukur. Shkrimtari Bedri Tahiri njihet si mjeshtër i hartimit të monografive për dëshmorë, por ai është i dëshmuar edhe në vargun poetik, në prozë (në tregime e romane), edhe në fushën e kritikës si dhe në publicistikën kryengritëse.

Personazhet në veprat e Bedri Tahirit, janë ndërgjegjja e shkrimtarit për Atdheun dhe për Kombin. Hartuesit e këtyre shkrimeve vlerësuese nuk e patën të vështirë, sepse, kjo penë e artë, nuk shkruan dosido, por laton me daltën e artistit profile luftëtarësh që me gjakun e tyre nderuan Dardaninë, dhe Ilirinë e tyre!

Libri “Dardania, mësim lirie” paralajmëron lindjen e një epoke të re, e cila  do t’ia kthej emrin e vet Atdheut, emrin  ILIRI. Një qasje vërtetë kombëtare për një epokë shqiptare.

Dortmund, 15 qershor 2024

Me poetin Atdhe Geci

Mirëpo, janë botuar edhe disa libra të veçantë, të cilët më nderojnë dhe njëherësh më obligojnë!

Në vitin 2008 doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, ndërkaq, në korrik 2015, u botua edhe libri “Pena e Bedri Tahirit përjetëson lavdinë tonë kombëtare” të autorëve Xhemail Peci e Xhevahir Cirongu. Në fund vitin 2016, studiuesi i njohur Xhemail Ali Peci nxori në dritë librin “Zemërthirrja e Bedri Tahirit: Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, ndërkaq në vitin 2024, nën përkujdesjen e Atdhe Gecit u botua libri “Gjuha e së dielës- Ese të Bedri Tahirit“.

Në përgatitje e sipër është edhe libri me mendimet e të tjerëve, kryesisht për punën dhe angazhimin tim në shkollë e në jetë, me një titull emblematik “SHEMBËLLTYRË IDEALISTI”. Meqë i gjithë libri është produkt i të tjerëve edhe për ballinë kam përzgjedhur portretin që ma ka ber dhe ma ka dhuruar artisti i madh, Gazmend Freitag!

GM: Cila filozofi ose cili parim jetësor ju ka udhëhequr në punë dhe në jetë?

BT: Unë edhe për nga natyra jam i heshtur dhe modest. Ndoshta më shumë se sa duhet. Nuk u lakmoj fjalëve të mëdha, më shumë e çmoj punën. Mbase kështu kam mësuar nga populli që thoshte: Kush flet shumë, punon pak!

Sa i përket motivimit, ai është i gatshëm. Mjafton të jetosh me popullin, me atë shtresën që përherë ushqeu lirinë me gjak dhe paskëtaj dihet, personazhet të kapin për mënge…

Më mirë le të flet vetë vepra! Lë të flasin të tjerët! Studiuesit vlerësojnë më mirë e më saktë! Po e shkëpus një fragment nga vlerësimi i krijuesit mendjehollë Xnemail Peci:

DY PENA SI DY KRERË TË SHQIPONJËS

Pena e Bedri Tahirit, me flatrat e fjalës shqipe ka ngritur në piedestal emrin e madh të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; ka nderuar, ka lartësuar dhe ka përjetësuar emrin e gdhendur në mermerin më monumental të lirisë së atdheut, emrin e shkruar sa me gurra të gjakut po aq edhe me shkronja të arit, emrin e madh të Adem Jasharit...

Ashtu sikurse do të shkruante Marin Barleti për veprat heroike të qëndresës skënderbegiane, për rrethimet e Krujës apo edhe për rrethimin e Shkodrës, ashtu siç do të shkruante Marin Beçikemi për rrethimin e qytetit të tij të lindjes-Shkodrën, ashtu siç do të shkruante edhe Dom Ndoc Nikaj për rrethimin e hekurt të Shkodrës prej forcave vrastare serbo-malazeze, ashtu do të shkruajë edhe Bedri Tahiri për rrethimin e Jasharajve në Prekazin historik.

Ai ka pasur fatin dhe privilegjin që ta takonte dhe ta njihte nga afër Heroin që u bë legjendë e gjallë për çdo shqiptar atdhetar. Në mënyrë të veçantë, ai e përjetëson epopenë e Jasharjave ashtu siç e ka përjetësuar Mihal Grameno Epopenë e Luftës së Mashkullores.

Dy pena si dy krerë të shqiponjës, njëra e Mihal Gramenos dhe tjetra e Bedri Tahirit, flasin me gjuhë gjaku. Në penën kryengritëse të Bedri Tahirit, lavdia ademjashariane nuk është një lavdi përkëdheltare, por një lavdi e shkruar me epope gjaku. Lavdia e Jasharajve është lavdi e sakrificës dhe e flijimit familjar...

Me Xhemail Pecin te Kulla e Azem Galicës në Galicë

GM: Si do ta përshkruanit një ‘rrugëtim mirënjohës’ për jetën dhe veprat e disa prej personaliteteve tona historike gjatë shekujve?

BT: Populli shqiptar ka një histori të vështirë, por të lavdishme dhe krenare. Përherë jetoi në trojet e veta, por kurrë i lirë. Kjo gjendje e përhershme lufte e bëri këtë popull trim dhe të qëndrueshëm. Çdo pushtuesi i bëri ballë dhe i rezistoi me armë në dorë. Varësisht nga koha dhe momenti historik ekzistojnë edhe format e rezistencës.

Historia jonë kombëtare ka shumë personalitete që me heroizmin e tyre u bën shëmbëlltyrë dhe  frymëzim për brezat. Ata krijojnë epoka. Dhe, unë do t’i veçoja:

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu- Heroi ynë kombëtar (u shpall më 1965), njëri nga katër gjeneralët më të mëdhenj të botës, princi i Arbërit që për 25 vjet rresht mbrojti, jo vetëm shqiptarët, por mbarë kulturën evropiane, për çka edhe Papa Piu II e shpalli “Atlet të Krishtit”, trimi që mundi dhe turpëroi sulltanët dhe Perandorinë më të madhe të kohës. I GJERGJIT!

Gjergji ynë nuk mbaroi brenda kohës kur jetoi. Ai u bë pasuri e kombit që e lindi, por njëkohësisht u bë edhe frymëzim i luftërave të drejta që bënin popujt e tjerë për të fituar lirinë. Me të drejtë, Papa Pali VI veprën unifikuese të Skënderbeut e proklamoi për model të ndërtimit të Evropës së Re. Tekefundit, ajo aleancë popujsh qe edhe një pararendëse e NATO-s së sotme. Luftëtarët tanë, të të gjitha periudhave historike, sikur e ndjenin obligim të respektonin porosinë e Tij: “Kur të jeni në luftë, ju duhet ta udhëhiqni ushtrinë si një gjeneral, kurse në betejë do të luftoni si ushtar”.

Mirëpo, më shumë se kaq, Ai u bë frymëzim i pashtershëm për historianët, për shkrimtarët, për këngëtarët, për piktorët, për skulptorët, për regjisorët. Shumësia e veprave historike-letrare (poezi, poema, drama, tregime, novela e romane), që shkon në mbi gjashtëqind, të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit. Pati edhe të atillë, kryesisht serbë e grekë, që pretenduan ta përvetësonin përkatësinë e tij kombëtare, të cilëve iu kundërpërgjigj i madhi Frang Bardhi me apologjinë “Gjergj Kastrioti”, botuar në Venedik më 1636.

Sidoqoftë, lapidarin e përjetësisë, padyshim që ia ngriti bashkëkohaniku i tij, kronisti e humanisti Marin Barleti, me veprën “Historia e Skënderbeut” në gjuhën latine, e cila u bë bazament për të gjithë ata që mëtuan të thonë ndonjë fjalë për heroin tonë...

Personaliteti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut edhe sot reflekton atdhedashuri, besim, përkushtim e mobilizim, tipare që i vërejmë qartë edhe tek Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, andaj, për jetë e mot epoka skënderbejane dhe epoka ademjashariane do të mesin unikate, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe atë botërore.

AZEM E SHOTË GALICA -  unikat në histori!

Dymbëdhjetë vjet luftë çlirimtare dhe sakrifica vetëmohuese!

Gjashtëdhjetë beteja fitimtare!

Ata frymëzues edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Varri i Kryetrimit Azem Galica- Varri më i thellë në botë (73 metra)!

Dhe, nga gurmazi i tij enigmatik, pas dyzet e shtatë vitesh, eshtrat e Tij “fluturuan” në Galicë!

Vdekja e “Nuses së Maleve”- Heroinës Shotë Galica, një nga më të rëndat në historinë tonë; vdiq në mjerim të plotë, e braktisur fare nga pushteti i kohës, madje edhe e kërcënuar nga mbreti e nga uria katandisëse!

O tempora, o mores!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston asnjë lapidar a pllakë përkujtimore për luftëtarët e Çetës së tyre kreshnike!!!

Lëri, lëri të gjitha këto. Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!

Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet!

Besoj se ka ardhur koha që mos të bëhemi krejt të shurdhër e të verbër!

T’i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare e ta zgjojmë nga përgjumja!

Vallë, a nuk është një satisfaksion moral e kombëtar që këta dy bashkëluftëtarë e bashkëshortë, të cilët për dymbëdhjetë vjet nuk i ndanë as luftërat, as betejat, që sot t’i bashkojmë!

Azem dhe Shotë Galica tashmë janë shpallur HERONJ TË KOMBIT nga të dy qeveritë dhe i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Andaj, Ata meritojnë të jenë ashtu siç ishin në jetë: TË PANDARË!

Azem e Shotë Galica edhe janë dekoruar nga të dy shtetet tona, por, për çudi, asnjë dekoratë nuk ka mbërri aty ku duhet, në duart e familjarëve të Tyre!

Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!

HASAN PRISHTINA-  Truri i Lëvizjes Komnëtare

Kur, më 1771, një plak me emrin Ali, me qerren mbushur me plaçka, kapërceu kodrat e Galicës dhe zbriti në Vushtrri, askujt nuk i shkonte ndërmend se i nipi do të bëhej aq i madh, sa do ta trandë Perandorinë Turke në themel dhe do t’u prijë shqiptarëve në luftëra e beteja për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte ky Ali Berisha i Polacit të Drenicës, i biri i Abdullah Aliut, njeriut të fundit të kësaj familjeje që vdiq dhe u varros në Polac.

Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873. Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, kurse prej kur zgjedhet deputet i Prishtinës, nënshkruhet Hasan Prishtina. Djaloshi kureshtar dhe inteligjent, mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmet në Selanik dhe Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane. Ai shumë shpejt u bë një erudit i madh, dhe pos shqipes njihte mirë: anglishten, arabishten, frëngjishten, çerkezishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten dhe turqishten.

Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. Me nismën e tij, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir (14- 22 nëntor 1908). Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale e Elbasanit, ku do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky burrë i madh i kombit organizoi Kryengritjen e Madhe në Kosovë (1910-11), Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), ku u nxor Memorandum prej 14 kërkesash, që më vonë do të njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, ishte kryeministër i Shqipërisë (vetëm katër ditë) etj.

Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo përpjekje përçarëse, veri- jug, toskë e gegë. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar më 1921, ai deklaroi: Unë nuk jam as toskë, as gegë, por jam shqiptar.

Së fundi, më 14 gusht 1933, spiuni Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë, në rrugën Çimisku të Selanikut, derisa Hasani po shëtiste, i doli pas shpine dhe e qëlloi me katër plumba. Tirana e asaj kohe dhe Beogradi vrasjen e festuan si fitore të madhe. Kjo tregon se sa i rëndësishëm ishte Hasan Prishtina.

Për një kohë, emri dhe vepra e të madhit Hasan Prishtina, mbetën nën tisin e harresës. Fan Noli kishte të drejtë kur thoshte: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit

Në vitin 1977, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri, në Varrezat e Dëshmorëve, në Kukës. Me dekret presidencial nr. 435, datë 26.01.1993, atdhetari dhe luftëtari Hasan Prishtina është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.

Sot, më shumë së kurrë, është koha që kjo figurë e shquar dhe e nderuar kombëtare, të vlerësohet drejt dhe t’i jepet vendi i merituar në historiografinë tonë”. Përndryshe, mos ta harrojmë thënien e tij: “Dhe para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur jepni mendimin tuaj!

ADEM JASHARI- legjendë e legjendave

Adem Jashari mbetet njëri nga kolosët e trimërisë shqiptare, i cili ndryshoi rrjedhat e historisë. Ai erdhi në këtë botë më ndryshe nga moshatarët e tij, sepse u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit- Ditën e Flamurit. Ai kishte një interesim të veçantë për armët, për të bëmat e të parëve gjatë historisë e sidomos i interesonte akti tepër burrëror i Ahmet Delisë dhe luftërat 12- vjeçare të Azem Galicës.

Ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajten të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqen politikisht dhe ushtarakisht UÇK-në.

Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ngjan edhe të ndodhin ngjarje të rastësishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re. Adem Jashari nuk shkoi rastësisht në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Në përgatitjet ushtarake tregoi aftësi dhe cilësi të larta në përvetësimin e artit të përdorimit të armëve të ndryshme për luftën çlirimtare. Trimi, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90, i shihte me optimizëm, prandaj sinqerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare.

Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t'iu trokaste në porta. Ai do t'iu thotë shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t'ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit". Më fjalën e komandantit u pajtuan të gjithë.

Dhe, nuk vonoi e armiku do të trokasë në portën e Jasharëve. Ishte mëngjesi i hershëm i 31 dhjetorit 1991. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim ju përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t'u përhapur më vonë ne Llap, Dukagjin, Drini e kudo në Kosovë. UÇK-ja po bëhej shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Adem Jashari ishte kudo po bëhej legjendë.

Pas luftës së 26 nëntorit 1997, në Klysyrë, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, nga e cila armiku u tërhoq me bisht nën këmbë, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e tij.  22 janar 1998, një bandë kriminele kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohësisë e guximit të familjes, armiku nuk ia doli...

Pas disfatës së 22 janarit, kishte filluar përgatitja për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesit e hershëm të 5 marsit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë të Lisi Gjashtënjak Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë me armatim të rëndë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit.

Adem Jashari dhe çeta e tij sulmit armik ju përgjigjen me sulm. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi. Rënia e Adem Jasharit nuk është vdekje, është përjetësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

* * *

Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare.

Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri.

Drenica e Millosh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Polluzhës, e Mehmet Gradicës, e Tahir Mehës…

Tokë e saj, mbushur me lulëkuqe erë gjaku.

Aromë e saj dehëse mbajti gjallë ndër breza atdhetarizmin- Flakadan të pashuar!

Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë…

Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë.

Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e madhe e lirisë. Një Madhështi heroike, që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Në gjakun e tyre bulbëroi liria.

Bernar Kushner, kur erdhi aty, i mahnitur, tha: «Sikur të kishte çmim Nobel për Liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari».

Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve shkroi: «Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë…».

Vërtet, sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë…

E enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi i Poshtëm, veçan Jasharët, po bombardoheshin nga qielli e nga toka. Në cak familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në heshtje. Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka mbuluan diellin…

Qyqavica legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e vullkanit përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë fuqinë dhe tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës – Kala, ku dy herë më parë kishte lënë brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr për Beogradin. Kryesatanai po e shihte edhe në ëndërr. Dhe, plani ishte stërholluar mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit, dhe përnjëherësh ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica.

Rrathët e hekurt ia mbërthenin shtatin pamëshirshëm. Jeta e vdekja sy më sy. Nga kodrat përreth topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar.

Kudo tmerr e lemeri ngjethëse.

Në kullën e qëndresës, që pa gdhirë, ishte dhënë kushtrimi. Trimat u zgjuan rrufeshëm. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare, si dikur Muji i Jutbinës, kur lajmëronte kreshnikët për ndonjë të ligë që u kanosej. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së Municionit, i bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të afroheshin tinëzisht.

Po komandant Adem Jashari?!

Ah, trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare gjakftohtë. Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun deri pas veshit dhe u sul furishëm drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në vend. Djajtë ranë si bari në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij lemeritës u tmerruan edhe komandantët gjakpirës që me dylbi të stërgjatura përcillnin aksionin nga pirgu famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga dora. Lufta mori hov të paparë. Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja e përgjakshme s’kishte të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në gjoksin e Hamzës u shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë, rroku flamurin kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe u doli përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte: Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria!

Edhe të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej vdekjes, as gratë, as fëmijët. Heroizmi i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore, mahnitëse.

Zëri kushtrimtar i komandantit kishte tundur dheun. Pas tij shkonin edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe më të moshuarit. Dajë Osman Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci, të cilët, edhe pse kishin rrafshuar të gjashtëdhjetat, kurrë nuk iu ndanë trimit.

-I duhet Adem Drenicës, i duhet Ademi Kosovës,- thoshte daja Osë, i cili shkrihej për niposhin sypatrembur.

Atë natë s’patën kohë t’i rroknin çiftelitë e t’ia thoshin këngës së Zhujë Selmanit, sepse erdhën vonë nga Rezalla, ishin për t’i vizituar të plagosurit e Betejës së Likoshanit, dhe u zgjuan herët nga gjylet e topave…

Flaka e luftës, sakaq, u ndez ashpër në gjithë lagjen Jasharaj.

Në hyrje, si male më dëborë, qëndronin nënë Sala me të shoqin Hamitin. Tringa e Prekazit, me nëntëshen në dorë i qëndiste në lule të ballit ata që guxonin të kapërcenin pragun e pashkelur.

-O Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë më vonë cerberët, duke bërë kryq, kur nën rrënojat e murit të shtëpisë së saj gjeten skërmat e një polici kokëprerë…

…Tutje Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e Ukshinin ia thoshin këngës së dyfekut për mrekulli.

Në anën tjetër të rrugës, mbanë varrezave, pandërprerë gogësinte gacatorja italiane. Luftonte Smajl Jashari pa e honepsur dot vdekjen.

-Po Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç’bënin vallë?!

Ata, si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në ishullin e sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve kishte heshtur melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që këndonin bukur në duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin edhe ato të Halitit, Beqirit, Sherifit, Nazmiut…

Edhe gurët e kullave sfidonin mortjen dhe i thurnin himne lavdisë. Mbijetesa, kënga dhe pavdekësia. Muzgu krahzi sikur nxitonte të vinte pushtet dhe t’ua errësonte edhe më verbërinë gjakatarëve karpatianë. Hëna, si vashë e ndrojtur, skuqej para barbarisë dhe fshihej pas resh. Në pusin e kroit të Jasharëve, nën ca shelgjishte të rralla, pehateshin ca si hije të përhitura.

Vallë, cilët ishin ata, që shikoheshin sy më sy me vdekjen?! Ishte Bashkim Jashari me kushërinjtë: Bilallin, Ragipin, Halilin, Qemalin dhe me Shekipin nga Klina e Poshtme.

-Bashkim, çajeni rrethimin!- e kishte dëgjuar si për mjegull zërin e balit Hamzë dhe, me shpirt ndër dhëmbë, pas tetë orë kacafyetjeje me bishat e shfrenuara, ia kishin dalë mbanë dhe kishin arritur deri aty. Por, rrathët e ferrit ende s’kishin mbaruar…Tanku, me sy ciklopi, u qëndronte fare pranë…

-U vra Zenë Jashari!…U zhduk Zenë Jashari!

Jo, ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me djemtë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e kam?- pyeste ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte parë që bashkë me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin. Edhe shumë plumba kishte parë të suleshin drejt tyre…Djaloshi sërish kishte kthyer prapa. Hamitin e kishte qëlluar granata në kokë dhe trupi po i digjej flakë. U përpoq ta ndihmonte e ta fikte, por kot. Mezi u ngjit në tavan dhe prej andej shihte skena tmerruese. Krisma… britma…sharje…tym… flakë… Kur kriste mitralozi i bacë Ademit, mbanin frymë edhe lisat e malit. Ai dallohej nga të tjerët, jehonte më shumë se edhe topat e hasmit.

Autoambulancat s’pushonin kurrë. Dikur flaka zu t’ia lëpinte edhe këmbët e tij të zbathura. Terri ia mundësoi Valdetit ikjen nga ferri…

Po errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte qetë- qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e përflakur retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë.

Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti. Gjë e gjallë s’pipëtinte. Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e në rrugë.

– O Zot, ishte zanë mali a fantazmë? Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që kishte sfiduar vdekjen. Si e nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç’pamje llahtarie, që të shokonte në vend. Lloj-lloj uniformash e lloj-lloj suratësh të ngjyrosura e çoroditëse. Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. I gjeti edhe prindërit e dashur, Hamzën e Feridën. Babanë Hamzë me gjoksin e groposur, si të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë në qepallë. Pak më tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen, Igballin, Selveten, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën, Adilën, Fitimin dhe Kushtrimin…

-Po baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte dëgjuar krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte ndalur?! Sërish zuri ta kërkonte…

Por, kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Nju-Jorkut…Ishte bërë shpirti i luftës sonë çlirimtare…

Sakaq sikur iu vegua një zë. E ndali frymën dhe mbajti vesh. Puhiza krahëlehtë depërtonte zhurmshëm mureve të zhbiruara dhe arrinte deri tek magjja, nën të cilën kjo kishte mbijetuar vdekjen vellozezë, duke sjell jehonën:

Ku m’je nis oj lulja me erë?

Në Drenicë te baca Adem…

Aman, o madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet. Shpirti i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë, në Llap, në Pashtrik, në Shalë…

Emri i tij kishte zënë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë legjendë e legjendave.

Një zog këngëtar, nga maja e oxhakut, që kishte përballuar rrebeshet rrënuese dhe krenarisht mbante kokën lart, ia thoshte këngës ëmbëlsisht:

Amanet ore djali – djalit,

M’i këndue Adem Jasharit,

Që i tregoi mirë barbarisë,

Si qëndrojnë shqipet e lirisë…

Dhe, sërish vjen marsi! Marsi i trimërisë, siç thoshte Lasgushi ynë mendjendritur.

Dhe, sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton…

Mbase, edhe nuk bënë ndryshe.

Kush e harron historinë është i detyruar ta përsërisë!- këshillojnë të mençuritë.

Dhe, kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i vetëm dhe, amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin e synimit tonë jetësor: BASHKIMIT KOMËTAR!

Kështu na obligon edhe gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohëve.

Kështu na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë e shumë të plagosur.

Kështu na obligojnë edhe rreth tremijë të zhdukur.

Kështu na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët.

Kështu na obligojnë invalidët e veteranët e luftës sonë çlirimtare.

Mbase, mbase, më mirë së të gjithë, duhet të na vetëdijësojnë arrestimet dhe burgosjet e çlirimtarëve!!!

No comment!!!

GM: Sa të rëndësishëm e konsideroni Bashkimin Kombëtar?

BT: Synim i përhershëm i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet Bashkimi Kombëtar. Në fakt Ribashkimi Kombëtar, sepse ne ishim të bashkuar në një Iliri që shtrihej tej e tej, por gjatë rravgimeve të jetës, na copëtuan grabitqarët përreth.

Këtë e ka shprehur kur e kur mendjendriturai ynë largpamës, i madhi Lasgush Poradeci, kur thoshte: “Do të vijë një kohë, kur do vemi në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemi në vdekje e do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!...Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën”!

Pra, edhe sot e gjithë ditën, pavarsësiht se ku jetojnë shqiptarët: në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Çamëri etj., e kanë të vetmin synim: Ribashkimin Kombëtar! Tekefundit, kjo nuk është synim, por është një e drejtë historike, morale, natyrore, etnike, gjuhësore, kulturore! Dhe, ky Ribashkim do të ndreqte padrejtësinë e madhe të fuqive të mëdha vendimmarrëse që na  e bënë në kapërcyllet e historisë!

Hëpërhë, plaga që dhemb më së shumti është Çamëria, e cila, herët a vonë duhet të bëhet Shqipëri! Po, po, kjo është domosdoshmëri e kohës!

Gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë është kryer në mënyrë sistematike që nga Luftërat Ballkanike, për të kulmuar me fundin e Luftës së Dytë Botërore. Pabesia e grekëve është aq e njohur në histori saqë ka lindur edhe një fjalë e urtë që thotë: “Ai që shtrëngon duart me grekun, le t’i numërojë gishtat!”

Aktualisht, Shqipëria në Greqi ka nën pushtim një teritor sa një Shqipëri, 23 mijë e 500 qind kilometra katrorë tokë dhe det, dhe mbi 4 milion banorë çamë dhe arvanitë. Çamëria Shqipëri është udha në gjuhën e nënës dhe mision i shenjtë për çdo shqiptar. Republika e Çamërisë e shpallur me 30 tetor 2016 në Egzil, është e angazhuar për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë në rrugë diplomatike dhe juridike si rrugë që e lejon demokracia euro–atlantike. Në Evropë nuk ka një popull të dytë sa populli shqiptar që të ketë aq histori të pasur, dhe njëherit, aq histori masakrash dhe gjenocidesh nga fqinjët e saj sa Shqipëria nga Greqia dhe Serbia”- shkruan Atdhe Geci.

GM: Cilat janë planet tuaja të ardhshme në fushën e krijimtarisë dhe kërkimit shkencor?

BT: Çdo gjë, në jetë e në punë, kërkon një planifikim. Edhe unë i përmbahem këtij parimi. Madje, e kam si shprehi, para se të më vjen gjumi, e bëj një analizë të punëve ditore dhe i planifikoj punët e së nesërmes.

Sa u përket planeve afatgjata, në krijimtari letrare e në kërkimet shkencore, puna qëndron më ndryshe. Ata, varen edhe nga faktorë të tjerë dhe, shpeshherë, mbesin të parealizuar.

Hëpërhë, jam në vazhdën e realizimit të projektit për dëshmorët Flakadanët e lirë (numri 7), në përmbylljes së përmbledhjes me tregime “Përjetësia”, në përfundim të librit “ Shënime letrare”, në realizimin (bashkë me Hazir Mehmetin)  e një monografie  për shkencëtaren e mrekullueshme që na la qysh në rini, në kulmin e arritjeve shkencore, Vlorë Mehmeti-Tërshani, në përpilimin e një antologjie të veprave të mia (një ndihmesë në punën e studiuesit të palodhur Xhemail Peci) etj.

Vitin e ardhshëm kam 70-vjetorin e lindjes dhe, të shohim, mos do të  fryjë ndonjë erë e mirë dhe po më mundësohet botimi i kompletit të librave!

Dhe, si zakonisht, asnjë ditë pa një varg, siç porosiste Plini!

Urime edhe Juve në realizimin e planeve Tuaja!

GM: Në përmbyllje, cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit e Zemra Shqiptare dhe për gjithë shqiptarët në përgjithësi?

BT: Që nga fëmijëria kam qëndruar nëpër oda, ku nga aty kam marrë bazamentin e shkrimeve të mia. Nuk ka shkrimtar shqiptar, i cili nuk e ka lyer penën në traditën gojore, në gurrën popullore. Ajo është formulë magjike. Gërshetimi i traditës gojore me kulturën e të shkruarit, artistikisht realizohen bukur. Populli nuk gabon. Arkivi popull është më i fuqishëm se çdo gjë.

Për fund porosia ime për lexuesin është: të lexojnë, të lexojnë dhe vetëm të lexojnë! Libri e pasuron njeriun shpirtërisht dhe po qëse je i pasur shpirtërisht i ke të gjitha. Leximi të fisnikëron! Pasuria kapitale nuk quhet pasuri. Pasuri quhet kultura, dija që e fiton nga libri. Leximit mos t’i ndahemi, le të jetë ushqim shpirtëror për ne.

Kur të biem të gjithë në një mendje dhe të flasim të gjithë me një gojë, atëherë të ecim përpara dhe do të na lakmoi e gjithë bota! Edhe i madhi Tahir Berisha kishte pas thënë se selameti i shqiptarëve do të vijë atëherë kur të dimë sa nuk po dimë dhe kur ta duam njëri-tjetrin sa nuk po e duam!



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (X) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IX) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Kombi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VIII)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx