E enjte, 24.07.2025, 10:04 PM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II)

E merkure, 09.07.2025, 05:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN BEDRI TAHIRI (II)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e dytë të kësaj interviste ekskluzive, shkrimtari dhe publicisti Bedri Tahiri na fton të hedhim një vështrim më të thellë mbi etapat vendimtare që e kanë formësuar si njeri dhe krijues. Me një rrëfim të ndjerë, ai kujton vitet e hershme në Gjimnazin e Skënderajt — një periudhë e mbushur me ëndrra, sfida dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij.

Z. Tahiri ndan gjithashtu motivet që e shtynë drejt studimeve në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke treguar se si pasioni për gjuhën dhe letërsinë u bë udhërrëfyes i pandashëm në jetën dhe veprimtarinë e tij profesionale.

Një kapitull i veçantë i bisedës sonë mbetet përkushtimi i tij i gjatë në arsim, për dekada me radhë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Përmes këtij rrëfimi, Bedri Tahiri ndan përvojat më të veçanta që e kanë ndihmuar të formojë gjenerata të tëra nxënësish, si dhe sfidat e përditshme të profesionit të mësuesit në kohë të vështira, të cilat mbeten faqe të ndritshme të historisë sonë kombëtare.

GM: Si do ta përshkruanit periudhën tuaj në shkollën e mesme në Gjimnazin e Skënderajt?

BT: Shkollimin e mesëm e nisa në Mitrovicë, në Gjimnazin “Silvira Tomazini”. Edhe aty, në fillim më erdhi pakëz vështirë. E kisha larg për të udhëtuar, andaj që në fillim zura banesë në furrën e Shipolit. Shoku i babit tim, Asllan Kabashi nga Prizreni ma lëshoi një dhomë, por si puna e furrëtarëve më, binin vonë e zgjoheshin që me natë dhe kjo më pengonte. Kështuqë nuk e zgjata shumë.

Në gjysmëvjetorin e dytë kalova në Gjimnazin “Ramiz Sadiku” në Skënderaj. Nga Mitrovica u ndava me një përshtypje të mirë, veçanërisht nga profesori i gjuhës shqipe, Xhemail Pllana, ose Çajupi, siç e quanin nxënësit.

Në Skënderaj e gjeta veten më mirë. Më pranuan në paralelen I3 (vetëm tri paralele kishte gjithsej) të kujdestari Sali Gashi nga Kryshefci, mësimdhënës i matematikës, një pedagog i matur e shumë i afërt me nxënës.

Për të udhëtuar, edhe pse prapë e kishim larg, më vinte disi më lehtë. I kisha edhe dy kushërinj: Xhavit Kamberin e Agim Sylën, edhe pse të shumtën ata ndalonin tek dajat në Klinë. Kur udhëtonim për Mikushnicë e Prekaz kishim edhe shokë të tjerë. Nga Mikushnica ishin: Fadil Mehmeti, Ramadan Zenuni, Adem Zenuni etj. Nga Prekazi kishim: Sadik Hashimin, Murat Mehën, Adem Jasharin etj. Ndërkaq kur udhëtonim për Vojtesh kishim shokë edhe nga Luboveci si: Skënder e Shefqet Ibrahimin etj.

Sidoqoftë, kushtet i patëm mjaft të vështira. Herë- herë edhe pa bukë e pa ujë. Tre veta bëheshim për ta blerë një fortal bukë (një e katërta e bukës rrumbullake që piqeshin me dru dhe mbanin erë të mirë). Disa herë, kur e shihte se nuk kemi dhe i binim andejpari, edhe na e falte furrtar Islami.

Në të shkuar, në kopshtin e mësuesit Shaban Jashari, gjithmonë e kemi pasur derën hapur për të pirë ujë në pusin ku e linte kovën dhe kur qëllonte ai vetë edhe ndonjë mollë a dardhë,  po qe koha e tyre.

Në klasë i kemi pasur vetëm katër vajza: Elheme Bimbashin nga Llausha, Rukie Behramin nga Kotorri dhe dy motra nga Qubreli, Rahime e Emine Birinxhikun. Kur shpjegonim tema të “ndjeshme”, si p.sh. “Dekameronin” e Bokaços, ato i lironte profesori i letërsisë (Nezir Rreci), derisa lexonim tregime për priftërinj e murgesha që bënin marrëzira e dashuri të ndaluara...

Viti i parë gjimnaz me kujdestarin Sali Gashi

Viti i dytë

Viti i tretë

Viti i katërt

Paraleja jonë, IV3 me kujdestar klase Imer Halilin nga Prekazi i Epërm, me të  cilin shpesh udhëtoja deri në gjysmë të rrugës,  kishte këtë përbërje:  Cenë Bajraktari (Klinë e Epërme),  Hajdar Bajraktari (Klinë e Epërme), Ismet Tahiraj (Klinë e Epërme), Ismet Selimi (Kuçicë), Avdi Selimi (Kuçicë), Brahim Selimi (Kuçicë), Haxhi Kerolli (Polac), Muhamet Kerolli (Polac), Osman Abazi (Kopiliq i Epërm), Bedri Abazi (Kopiliq i Epërm), Bedri Bimbashi (Llaushë), Bedri Tahiri (Galicë), Ramadan Zenuni (Mikushnicë), Adem Zenuni (Mikushnicë), Fadil Mehmeti (Mikushnicë), Xhavit Kamberi (Galicë), Elheme Bimbashi (Llaushë), Rahime Birinxhiku (Qubrel), Emine Birinxhiku (Çubrel), Ismet Zeneli (Ticë), Tahir Tahiri (Klinë e Mesme), Ibrahim Jusufi (Klinë e Mesme), Ibrahim Beka (Kllodërnicë), Sadik Hashimi (Prekaz i Epërm), Xhavit Ismaili (Kopiliq i Epërm), Hajrullah Suhagërlla (Çubrel), Emin Suhagërlla (Çubrel), Miftar Hetemi (Kllodërnicë), Xhafer Neziri (Krasmirofc).

Nga lëndët mësimore më së tepërmi më pëlqente gjuha dhe letërsia shqipe. Profesor Bali Gashi më nxiti për të lexuar vepra letrare. Orët e lektyrës i mbaja unë. Edhe biologjinë e pata për qejfi. Temën e diplomës e mbrojta nga kjo lëndë. Profesor Abdullah Geci më propozoi që ta studioja biologjinë. Lëndët që nuk më shkonin ishin matematika dhe edukata fizike.

Krahas shkollës, vendet më të dashura për mua u bënë Biblioteka e qytetit dhe libraria “Rilindja”. Ato dy vende i vizitoja rregullisht. Në Bibliotekë merrja libra për të lexuar e në librari blija libra. Çdo para që më binte në dorë e shfrytëzoja për të blerë libra. Biblioteka ime e vogël, në një qoshe të parmakut në odë, po hidhte shtat.

* * *

Dorën në zemër, edhe për të punuar, punoja. Besa punoja edhe punë të rënda, prashitja, kositja e prisnim tulla prej balte. Nxirrja barna (bimë të ndryshme) dhe i shitja. Nuk e harroj gëzimin tim kur në Mitrovicë, në librarinë matanë Urës së Ibrit, me parat që i fitova nga shitja e barnave, bleva kompletin e Jakov Xoxës, përgatitur mirë nga “Rilindja”, me lidhje të fortë e të paketuar mirë.

Krahas leximit, që më ishte bërë ushqim i domosdoshëm, në shpirtin tim u ngjall edhe një dashuri tjetër, krijimtaria letrare. Poezinë e parë e botova në fletushkën e shkollës që titullohej ”Shkëndijat e Drenicës”. Sa shumë më gëzonin ato publikime! Edhe profesori i letërsisë, Nezir Rreci, më bënte përshtypje me botimet nga folklori ynë i pasur...

Kur e kreva vitin e tretë, tre muajt e verës punova në Mal të Zi. Mixha im, Sheremeti, që prej kohësh ishte atje, më mori me vete, në një punë të rrezikshme e të ndaluar për moshën time. Punova në tunelin e njohur hekurudhor, në aksin Beograd-Tivar dhe, thënë të drejtën, fitova ca para për nevojat e mia. Për herë të parë bleva (me paratë e mia) një kostum ngjyrë qielli...

Siç e kam cekur edhe më lart, kam punuar edhe punë të rënda që nuk i shkonin moshës sime. Prisnim tulla dhe i shitnim për të mbijetuar. Unë me Selim Halimin e nganjëherë me Azem Avdylin e bartnim ujin nga Kroni i Katundit. Dhjetë herë në ditë shkonim me nga dy bure të metalta, që i zinin nga 200 litra. Herë-herë na i kapte qetë xekrri dhe vaj halli për ne.

Pastaj prashitnim kahmos: në Dubofc, në Ashlan, në Taraxhë, në Balinc etj.

Punë e zorshme ishte edhe shirja e grurit me makinë që quhej dresh (pak e mbaj mend edhe shirjen me kuaj). Unë e zgjidhja nabodin (lloj sfurku druri me dy brirë) për t’i dhënë duajt nga shtrega, ajo ishte puna më e rëndë, por paksa më e pastër, krahasuar me grykën ku dilte kashta e byku.

Në vitin 1974 mbarova Gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. Unë e kisha zgjedhur drejtimin matematikor-natyror dhe temën e diplomës e mora nga biologjia te prof. Luan Morina. Ajo quhej “Shumimi i bimëve” dhe e mbrojta me sukses të shkëlqyeshëm, bashkë me lëndët e tjera të grupit, të parapara me rregullore...

GM: Çfarë ju motivoi të zgjidhnit studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës? Si i përjetuat vitet tuaja si student?

BT:  Letërsinë e kam dashur gjithmonë, që nga klasa e pestë fillore kur e mora dhuratën e parë për sukses të shkëlqyeshëm, romanin “Bambi” të autorit Feliks Salten,  i cili më është djegur në luftën e fundit bashkë me tremijë libra të tjerë, por që do kisha shumë dëshirë ta kem.

Në Gjimnaz nxitjen kryesore ma bëri profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Bali Gashi. Ai çdo orë të letërsisë ma linte mua ta mbaja, meqenëse vetë ishte paksa i sëmurë, kështu që letërsia më hyri në gjak. Librat i lexoja aq shumë sa që nuk mund të rrija pa to as natën, as ditën. Çdo para që merrja nga shtëpia, e harxhoja për të blerë ndonjë libër, shumë herë nuk haja as bukë, dhe sot e kësaj dite edhe nxënësve u them më mirë është ta blini një libër sesa ta pini një kafe.

Letërsia është burim kryesor që e fisnikëron njeriun dhe më mirë se letërsia nuk e shpreh askush realitetin e kohës. Madje, thuhet shpeshherë se letërsia dhe historia janë binjake. Megjithatë, historinë më mirë e kemi mësuar nga letërsia sesa nga vetë historia. Më mirë e kemi mësuar historinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nga Barleti, nga Naimi, pastaj nga Sabri Godo se nga vetë historia dhe kjo më nxiti edhe mua që t'i përkushtohem letërsisë, duke shkruar një zhanër të veçantë historiko-letrar.

Dhe, kështu për të studiuar zgjodha atë që më pëlqeu më së shumti: Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe. Dhe, nuk gabova. Në afatin rekord diplomova. Pra, në nëntor të vitit 1979, mbrojta temën e diplomës “Poema shqiptare në letërsinë për fëmijë” te profesor Agim Deva.

Në vitin përfundimtar të studimeve, pra në vitin e katërt, lëndë të veçantë patëm edhe Metodikën, të cilën na e ligjëronte Prof. Dr. Kajtaz Rreci, një pedagog i shkëlqyer. Orët praktike i mbanim në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” të Prishtinës, te profesori Ali Ahmeti, një artist i vërtetë!

Si brucosh, në fillim të studimeve, i hyra një pune, pa u menduar mirë. Nisa të mblidhja folklor; kryesisht këngë lirike dhe prozë popullore, tregime e përralla. Subjekti që e shfrytëzova mirë ishte Hajdar Kozhica, një mendar i dalluar. Ato të gjitha i përmblodha në një fletore dhe ia pata mësyrë Institutit Albanologjik të Prishtinës. E gjeta ndërtesën e vjetër afër Fakultetit tonë.

Dhe, duke pyetur nëpër korridorin e errët, më drejtuan për në zyrën e studiuesit Anton Çetta.

Oh, sa i afërt e sa i lezetshëm ishte ai!

Kur ia shpjegova arsyen e shkuarjes sime aty, ai, e shikoi fletoren, e pëlqeu atë punë, por më tha: Nëse më dëgjon mua, shko e mbaroje fakultetin e pastaj ke kohë për t’u marrë edhe me ketë punë!

Unë e dëgjova dhe vazhdova shkollimin, pa e lënë anash as folklorin...

Megjithatë, nga ato shënime që i pata lënë aty, nuk doli gjë në dritë, kurrë nuk i pashë të publikuara me emrin tim, as nuk arrita t’i gjeja më vonë.

Dy anekdota nuk i harrova kurrë:

Veç i smuti shkon te mjeku

Shkon Hajdar Kozhica nji te pame në Rrafsh të Kosovës. Rri bukur shumë aty dhe e rrokën bisedën e haxhillëkut dhe fesë.

-Pse ju drenicakët nuk shkoni në çabe?- iu drejtua njani Hajdarit si me shpoti.

-Tregom ti a shkon njeriu te mjeku pa kanë i smuet?- ia ktheu ky.

-Jo, bre burrë, veç i smuti shkon te mjeku,- thanë të gjithë sa ishin në odë.

-E pra, ne drenicakët nuk jemi të smuet, nuk kemi gjynahe dhe nuk kemi nevojë me shkue në çabe,- iu përgjigj Hajdar Kozhica.

Kryesore m’i pas mallin e mirë

Në nji tubim Hajdar Kozhicën e ulën pas dere, sepse nuk e njihnin. Gjatë kuvendimit e marrin vesh kush ishte dhe e lusin që të dalë aty ku e kishte vendin, në ballë të oxhakut.

-Jo, o burra, jo, mirë jam se nuk është me rëndësi ku e ke shitoren, me rëndësi është me e pas mallin e mirë se myshterinjtë vijnë vetë kudo që të jesh.

Unë pata njësinë mësimore: Analiza e veprës “Lulet e verës” të Naim Frashërit. Ora më doli shumë e suksesshm e dhe u vlerësova me notë të shkëlqyeshëm!

Një gjë na mbeti peng në vitin e katërt: Moslejimi i shkuarjes në Shqipëri. I patëm përgatitur të gjitha dokumentet, por nuk na lejuan pushtetarët e kohës. Me nismën e Ali Lajçit, Enver Halitit dhe disa studentëve të tjerë patëm organizuar bojkotimin e lëndës Letërsi jugosllave, të cilën e ligjëronte Hasan Mekuli. Por, kot, nuk ia dolëm dot. Studentet m? të dalluara në grupin tonë kanë qenë Qibrije Demiri, Ali Lajçi, Shkurte Kuçi etj.

E veçanta e studimeve të mia ndoshta është ajo se gjatë katër viteve, as një natë nuk e kam bërë në Prishtinë. Rregullisht kam udhëtuar në relacionin Galicë-Vushtrri- Prishtinë dhe ndërsjellë.

Dua t’i falënderoj edhe axhallarët e mi, Jonuzin e Sheremetin, të cilët punonin në shkritoren e Zveçanit, pra i kishin pagat e mira dhe fare nuk kursyen për të më shkolluar.

Absolventët e degës Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 10 qershor 1979

GM: Gjatë dekadave të shumta në të cilat keni dhënë mësim në Gjimnazin 'Eqrem Çabej' në Vushtrri, cilat kanë qenë momentet më domethënëse të rrugëtimit tuaj profesional dhe sfidat më të mëdha që keni përjetuar në arsim?

BT: Viti më i suksesshëm për mua qe 1979-ta.  Po, po. Atë vit të mbarë i kurorëzova tri punë jetike: u martova, diplomova dhe u punësova.

Martesa

Babai im, Mehmeti, ishte mjeshtër universal: murator, suvator, marangoz. Dhe, unë, kur kisha kohë të lirë, zakonisht muajve të verës, e ndiqja pas, duke e ndihmuar si argat shërbyes e më vonë, qe besa edhe si mjeshtër bukur i hollë.

Një ditë ne shkuam edhe në fshatin Kollë, rrëzë Qyqavicës. E morëm për ta suvatuar shtëpinë e re të Nebih Avdiut. Dhe, aty gjeta fatin tim. U fejova me Halimen, vajzën e tij madhe. Gjyshi i saj, Ramadani, një babaxhan zemërmirë e bujar i pashoq, nuk deshi ta zgjaste shumë dhe ne edhe u martuam. Bëmë edhe dasmë të madhe, ashtu e donte zakoni, të dy ishim fëmijët e parë.

Jeta jonë bashkëshortore nisi mirë e mbarë. Krye motmoti, më 1980, na lindi edhe djali, Dritoni, për të vazhduar tutje me gjashtë vajzat: Vlorën, Linditën, Mirlindën, Violetën, Elhemen dhe Kaltrinën.

Diplomimi

Suksesi i dytë i atij viti qe diplomimi në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Përfundimi gjithmonë është më i vështirë, andaj edhe unë e shtrëngova rripin. E kishim Letërsinë botërore, lënda që e kishim dëgjuar katër semestra dhe e cila, shumëkujt ia “humbte” nga dy-tri vjet. Dhe, unë, pikërisht asaj ia kisha mësyrë të parës dhe e dhashë pa asnjë problem. Profesori Hasan Mekuli ngeli i habitur dhe më dha një notë të kënaqshme. Dorën në zemër ishte kokë gjeniale, por edhe lënda qe e papërcaktuar dhe shumë e gjer, andaj studentët që përtonin të lexonin, kurthoheshin në të. Atë afat i dhashë edhe të gjitha provimet.

Në nëntor të vitit 1979, mbrojta temën e diplomës “Poema shqiptare për fëmijë” të profesor Agim Deva. Pra, për afatin e nëntorit e lashë veç diplomimin: klauzolën dhe mbrojtjen e temës. Komisioni në përbërje: Prof. dr. Agim Deva, Prof. dr. Isak Shema dhe Prof. Latif Berisha u nda i kënaqur me temën dhe me mbrojtjen e saj, andaj edhe më vlerësuan me notë të lartë.

Punësimi

Dhe, suksesi i tretë, ishte punësimi. Kur diplomova as që mendoja se do të punësohesha aq shpejt. Nuk e prisja atë, sepse ishte fundi i gjysmëvjetorit të parë, kur nuk pritej ndonjë konkurs. Por, fati është çudibërësi më i madh në botë. Një ditë, papritur, mësuesi im i fillores, Nasuf Ahmeti, tashmë mësimdhënës në QMSH  Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, më çoi fjalë përmes vëllait tim, Remziut, nxënës në atë shkollë, që t’i lajmërohesha.

Unë, paksa i hutuar dhe njëkohësisht i entuziazmuar, fill të nesërmen vajta në shkollë. U morëm vesh që të konkurroja, meqë profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Ibrahim Mlinaku, e kishte lëshuar vendin e punës, kishte kaluar në fabrikën Llamkos. Edhe pse disave nuk ua mbusha syrin, më shihnin të ri e të veshur thjeshtë, u morëm vesh që të konkurroja.

Në mbledhjen e Këshillit të shkollës, mbajtur më 31 dhjetor 1979,  nën drejtimin e kryesuesit, Nasuf Ahmetit, ishte vendosur që unë prej datës 4 janar 1980 të jem mësimdhënës në QMSH “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Drejtor qe Emin Fejza, i cili më priti mirë.

Dhe, ditën kur e mora ditarin në dorë, e lexova dhe mbajta vath në vesh mendimin e të madhit, Prof. Eqrem Çabej, thënë për mësuesit dhe rolin e tij:

“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po të formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj”.

Klasa ime e parë, II6 (4.06. 1980) – gjysmëvjetori i dytë

Vushtrri, 1981, Klasa ime, II2

Disa nga klasat e mia nëpër vite

Fillimi i punës në një shkollë të mesme, me rreth 3000 nxënës, ishte një sfidë e madhe për mua. Isha mësimdhënësi më i ri, por kaloja mirë me kolegë e me nxënës. Natyrisht, edhe përgatitesha mirë dhe mbaja disiplinë rigoroze. Ashtu e kishin të gjithë fillestarët, këtë e kuptova më vonë.

Nuk shkoi shumë gjatë dhe më ra të sprovoja situata të rënda. Në marsin e vitit 1981 plasën demonstratat studentore në Prishtinë. Ato shpejt reflektuan kudo në Kosovë. Një shtrirje të veçantë ato patën edhe në qytezën e lashtë të Vicianës, në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës. Shkolla jonë u shndërrua në një çerdhe të fuqishme revolucionare, sado që pati elementë pengues brenda dhe jashtë saj.

Dhe, i riu si veriu!

Mua kurrë nuk më vajti mendja se duhej peshuar ndonjë veprim. Zemra më bëhej mal kur shihja të rinj e të reja veshur kuqezi, duke mos u bërë syri terr para tytave të armëve të policisë serbosllave.

Hajde botë, hajde!

Po ne mësimdhënësit kah t’ia mbanim, ore vëllaçko!!!

Ca më të moshuar, silleshin më me maturi. Ca të tjerë qëndronin indiferentë, sikur nuk shihnin e nuk dëgjonin gjë prej gjeje. Ndonjë i rrëmbyer shpërthente si zorra në prush, pa u përmbajtur dot. E ca të pakët fare, që, vërtet, në shpirt u vlonte ndjenja e vëllazërim-bashkimit, dilnin hapur kundër tyre, pa e menduar se vuloseshin me damkën e turpit.

Për çudi, vetë nxënësit, çdo gjë e lexonin qartë në sytë tanë. Ata e kuptonin brendinë tonë hiç pa folur. Më së vështiri e kishim ne mësimdhënësit e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe ata të historisë. Puna jonë përcillej me përkujdesje të shtuar. As këtu nuk ia rrudhja fare. Plan-programin e censuruar nuk e përfillja dot. Sipas tij, shumë tema me përmbajtje kombëtare duhej mënjanuar, sepse, siç thoshin mjeranët trutharë, ato ngjallnin nacionalizmin shqiptar!

O tempora, o mores!

E unë ç’bëja në këto raste?

Bëja atë që duhej bërë, në ditar shënoja njësinë sipas plan-programit a nxënësve ua shpjegoja njësitë e ndaluara, ato kombëtaret.

Gjatë një ore, një nxënëse ulur në bankën e parë e vërejti këtë veprim dhe ngadalë më tha: Profesor, mos gabove, në ditar shënove diçka tjetër e në dërrasë të zezë shkrove: Veprimtaria letrare e Ismail Kadaresë!

Unë i buzëqesha dhe, pa i thënë asgjë vazhdova shpjegimin. Edhe ajo, mbase më kuptoj dhe vazhdoi të shkruante në fletore.

Të gjitha këto që i përshkrova më lart, më së miri i dëshmon dhe i plotëson tregimi i nxënëses sime, tashmë krijuese, e cila shumë vite më vonë shkroi tregimin “Bedri Tahiri dhe Ismail Kadare”, të cilin po e paraqesim në tërësi:

Remzije Zekolli

Bedri Tahiri dhe Kadare

(Si e njoha Profesorin Bedri Tahiri)

Ismail  Kadare ishte   ndaluar nga pushteti i kohës, por jo nga zemrat ton.  Ai frymonte në çdo shtëpi dhe në secilën familje shqiptare në Kosovë.

Si sot  më kujtohet profesori  i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe, Bedri Tahiri, i cili shquhej për urtësinë, maturinë, largpamësinë, zgjuarsinë, zemërgjerësinë, guximin dhe trimërinë e tij. E them trimërinë, sepse në kohën kur isha nxënëse e vitit të parë të shkollës së mesme, sistemi jugosllav, pas demonstratave të vitit 1981, kishte marrë disa masa, jo vetëm politike, që kishin prekur edhe arsimin.

Një ditë profesori hyri në klasë, paksa me një shqetësim, por me një vendosmëri që kurrë s’e kishte shprehur më parë.

- Nxënës të dashur, për fundjavën e ardhshme, e keni për detyrë ta lexoni e ta punoni me shkrim romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.

Unë, si tingëlloi zili, pa një pa dy, u nisa drejt bibliotekës së shkollës sonë ta merrja librin që na e dha profesori për ta lexuar. Atë libër e kishim në bibliotekën familjare, por e kishte marrë vajza e hallës për ta lexuar.

-Mirëdita bibliotekiste, a mund të ma sillni  librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë?- fola e entuziazmuar, pa hyrë mirë brenda.

- Sigurisht Bedri Tahiri po ju jepka gjuhë shqipe?- ma priti ajo me të parën.

- Po vetë ai, ku po  e di ti?- i thashë unë, disi çuditshëm.

- E mora me mend, vetëm ai po u jep nxënësve libra nga Ismail Kadare, që tashmë  është i ndaluar dhe e kanë hequr nga planprogrami shkollor,- vazhdoi ajo të më sqaronte  me një seriozitet befasues.

-Çka po thua ore?!,- iu drejtova me një habi, duke e shikuar në sy, a mos po tallej me mua.

-Kjo është e vërtetë, mos i paça borxh profesorit që ka rrezikuar tua shpjegoi Kadarenë e t’u jep librat e tij për lektyrë. Më fal, por unë nuk guxoi ta thejë urdhrin që na ka mbërritur nga lart,- ma priti shkurt ajo, duke më bërë të kuptojë se s’kisha pse ta zgjatja më.

-Pushteti e ka larguar Kadarenë nga programi shkollor, por Kadare është në zemrat tona dhe në shtëpinë e çdo shqiptari,- ia ktheva unë tërë inat.

Siç duket ajo e pa shqetësimin tim të vrullit rinor dhe zuri të më fliste me fjalë më të buta.

-Kujdes vajzushë, mos fol kështu  diku tjetër, kaq mund të të them, - ishte porosia e saj e fundit.

Kur dola në korridor, i vura gisht kokës. Edhe pse e re, e kuptova. Ajo nuk ishte fajtore, sepse ishte një kohë e rëndë që për këso gjërash mund të shkoje edhe në burg. Ishte viti 1983. Ishin këto vitet e stuhishme të pas demonstratave masive të popullit shqiptar në Kosovë, të cilat gjeniu i letrave  shqipe i kishte mbështetur fuqishëm, ngase ishin të drejta dhe demokratike.

Të nesërmen profesori, që ishte edhe psikolog i shkëlqyer, e vërejti gjendjen time shpirtërore. Ende pa më pyetur ç’kisha, unë fillova t’i flasë.

-Profesor, Ismail Kadarenë e paskan larguar nga planprogrami mësimor dhe  librin e tij nuk ma dhanë në bibliotekën e shkollës sonë.

-Mos u mërzit, nxënësja ime. Është e vërtetë që Kadarenë e kanë vënë në thumb të kritikës, për momentin e kanë hequr nga planprogramet shkollore, veprat ia kanë ndaluar, por unë çdo herë do ta shpjegoj dhe librat e tij do tua  jap t’i  lexoni,- më foli ai me atë butësinë e tij karakteristike e mbresëlënëse.

Me kujdes e plot maturi hapi çantën dhe prej andej nxori pesë ekzemplarë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Isha e privilegjuar që librin e parë  ma dha mua. I zgjodhi edhe katër nxënës të tjerë që dalloheshin në mësime.

Pas leximit të romanit erdhi dita të rrëfejmë përshtypjet tona për librin. Thuaja se çdo herë isha e para që shpjegoja lektyrën shkollore, të cilën e përgatisnim edhe me shkrim e që u thoshim referate.

-Remzije na fol diçka për librin e lexuar,- m’u drejtua kësaj radhe vetë profesori, pa pritur që ta ngrija dorën dhe, si zakonisht, fletoren time e mori që me laps të kuq të bënte korrigjimet.

-Po filloj nga titulli, i nderuari profesor, i cili  vetë na bënë të kuptojmë se, secila ushtri e huaj që shkon të sundojë një vend e një popull tjetër,  është e gjykuar të humb, secili që e fillon luftën, është humbësi, dhe ata janë të gjykuar t’i mbledhin eshtrat e ushtarëve të tyre. Kështu po vepronin edhe italianët në romanin që e kam lexuar. Një vend të veçantë gjatë shpjegimit tim zuri zhdukja e eshtrave të kolonelit Z., të cilëve ekspedita kërkimore assesi nuk po u binte në gjurmë...

Gjatë një dasme në fshat, u ftuan edhe udhëheqësit e ekspeditës, prifti e gjenerali, ku i pritën mirë. Por, dikur, gjenerali, i ndezur nga muzika, nuk durohet dhe ngrihet e  ia kërcet valles me dasmorët?  Në momentin kur ai shkon përkrah nuses së re shqiptare, plakës Nicë i kujtohet ngjarja se si koloneli i egër italian ia kishte vrarë burrin dhe ia kishte marrë vajzën. Ajo, e shkretat sapo kthehet në shtëpi e mbyt veten...Kur të nesërmen vjen prapë koloneli, pa e ditur se vajza kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë ia çan kokën me sëpatë...

- Çka mendon Remzije, pse plaka Nicë i kishte varrosur eshtrat e kolonelit Z. pikërisht nën pragun e derës së shtëpisë?,- më pyeti  Profesori.

-I nderuari profesor, po ishte kohë lufte, dhe që të mos e vërenin ushtarët e tjerë, e kishte varrosur nën pragun e shtëpisë. Pra, për shkak të sigurisë së lagjes që okupatori të mos hakmerrej për vrasjen e kolonelit.

- Mirë, mirë, po pse pikërisht aty e jo në oborr,  afër ndonjë gardhi?- vazhdoi ai, siç duket, i pakënaqur me përgjigjen time

Unë prapë ngulja këmbë në atë  se plaka trimëreshë atë e kishte bërë që të mos vërehej nga ushtarët okupatorë.

Profesori, ashtu siç ishte  afër meje vajti tek dërrasa e zezë dhe pasi mori një qëndrim prej një ushtaraku, filloi të fliste me një zë të qetë, por shumë të vendosur:

-Nxënës të dashur, Remzija u përgjigj mirë, por unë po shtojë edhe këtë dhe, kujdes, mos e harroni. Plaka Nicë është personazhi më interesant e më domethënës në romanin e shkëlqyer të Kadaresë që ju e keni lexuar. Koloneli Z.  kishte hyrë në shtëpinë e saj me qëllime të ulëta, ia kishte vrarë burrin, paskëtaj ia kishte marrë  vajzën katërmbëdhjetë vjeçare dhe e kishte dërguar në çadrën e tij për t’ia marrë nderin. E siç e dini edhe ju, nderi për shqiptarin është më shumë se vetë jeta. Dhe, vajza e gjorë, posa kthehet të nesërmen në shtëpi, vetëflijohet, mbytet në pus. Kur natën tjetër erdhi sërish koloneli gjakatar, për ta marrë prapë vajzën, sepse nuk e dinte se ajo kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë e priti afër derës me sëpatë dhe ia mori shpirtin. Trupin e tij e varrosi vetë nën pragun e shtëpisë, në mënyrë që, sa herë të hyjë e të dalë,  ta shkelte me këmbë...

E gjithë klasa mbetëm më syhapur nga profesori,  i cili aq bukur na e shpjegoi simbolikën e varrimit të kolonelit dhe gjithë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, saqë leximi i veprave letrare na hyri në gjak. Aty u bindëm se, qysh thoshin të mençurit: Misioni i mësuesit është i shenjtë! Puna e profesorëve tanë ishte edhe një detyrë patriotike. Ata rrezikonin jetën dhe punën e tyre dhe, fshehurazi nga pushteti e politika e kohës, na sillnin libra të ndaluar.

Ky është një kujtim i skalitur thellë në mendjen tim e që, në shpirtin tim mbolli edhe dashurinë për librin e për letërsinë.

*  *  *

Gjatë kësaj zezone kam përjetuar edhe sfida të tjera. Ta zëmë, një nxënës, me qëllim provokues a pavetëdijshëm, në secilin hartim, në fund të fletës e shkruante KR, që nënkuptonte Kosova Republikë. Ishte nxënës mesatar. Nuk e dija ku qëllonte ai. E çmoja guximin e tij dhe atdhetarizmin, por nuk ia dija mendjen. Dhe, hartimin ia vlerësoja më shumë se sa e meritonte, ama nuk ia sillja për korrigjim. E “humbja” me dy-tri të tjerë, që mos ta shfrytëzonte si dëshmi për ndonjë marrëzi. Hartimin e fundit u sqaruam, e kuptova se nuk qe provokator, e kishte nga atdhedashuria e padjallëzia. Më kurrë nuk e përsëriste atë veprim.

Në këtë frymë vepronin edhe shumë të tjerë. Më i zëshmi ishte shoku im i ngushtë, me të cilin na ndante vetëm nata, profesori i biologjisë, Hazir Mehmeti nga Beçiqi. Ai vepronte edhe më hapur se unë. Bashkëpunimi ynë ra në sy të të gjithëve. Klasat tona dalloheshin për të mirë. Në çdo manifestim protestues, ishin në radhët e para.

Për të qenë, frymëzimi nuk u mungonte. Kjo hetohej edhe në vetë ditarët e klasave tona. Emrat ua patëm shënuar kuqezi: emrat e vajzave me të kuq e emrat e djemve me të zi. Ah, sa bukur rrinin! Ma doje t’i shihje! Por, kjo edhe na kushtoi. Komitetlinjtë që erdhën për të na diferencuar, pse nxënësit tanë kishin dalë në demonstrata, e patën edhe një dëshmi më shumë.

Unë e pata një “privilegj”, nuk isha anëtar i LKJ. Kjo ma zbuti dënimin, mora një vërejtje sindikale dhe një dënim simbolik material.

Vite më vonë, një nxënës imi, djalë i një furrëtari nga Lubizhda e Hasit, Jahir Xhibexhiu, m’i përkujtoj ato momente: “Profesor i nderuar, edhe sot ndjehem krenar që të kam pasur profesor, edhe më krenar si kujdestar klase. Nuk keni qenë vetëm profesor, por edhe një edukator i shkëlqyer. Edhe më shumë se kaq, keni qenë e jeni atdhetar i devotshëm, prof. i nderuar. Si sot më kujtohet që Ne, klasa Juaj, në atë kohë, në ditar i kemi pasur të shënuar emrat me ngjyrë të kuqe e mbiemrat me të zezë. Në atë kohë, falë Jush, kemi qenë Flamuri kuq e zi”.

Ama, në anën tjetër, kjo nuk qe edhe pa pasoja; banesën që ma ndau kolektivi, ma hoqën në komitet, pikërisht pse nuk isha komunist. Paskëtaj edhe në APJ më dolën probleme...

Megjithatë, krenohem pse nuk isha anëtar i LKJ! Këtë e pohon vite më vonë edhe vetë Kamer Rrukiqi, profesori i larguar nga puna. Ai, në një letër që do të ma dërgon më pastaj, pos tjerash shkruan:

“Pak kohë ishim kolegë në Gjimnazin e Vushtrrisë. Ajo pak kohë, por edhe orari i ndryshëm i orëve të mësimit, u benë shkak që ne të mos njihemi më gjerësisht dhe më përse afërmi. Pra edhe të bisedonim shlirshëm! Ishte kohë e zymtë! Kohë kur njerëzit diferecoheshin, në pro dhe kundër shtetit të huaj. Kishte të tillë që edhe pas orarit të mësimeve qëndronin në lokalet e shkollës për...

Kisha vërejtur një person që po sa i kryente orët, ikte. Ai ishte Prof. Bedri Tahiri, i cili si i ri, nuk donte të bëhej "Aktivist", nuk donte të pranonte angazhime nga Partia dhe organet sekrete. Gjithmonë i kam pasur parasysh ikjet e Tij në shpejtësi! Ashtu qysh e kisha vlerësuar nga largësia, ashtu edhe më doli më vonë në afërsi! Sepse, aty ku përfundoj arma e UÇK-së, aty filloi "arma" PENË e Bedri Tahirit për të shkruar historinë tonë të re, historinë e lavdishme të UÇK-së dhe më gjer, direkt nga ngjarjet, direkt nga burimet, pa lenë hapësirë për falsifikime, siç ndodh shpesh në shkencën e historisë...”

Megjithatë, demonstratat vushtrriase filluan pikërisht në shkollën tonë. Ato më masivet u bënë më 2 e 3 prill 1981. Ca militantë të zjartë erdhën aty dhe nga klasat vërshuan nxënësit si lumi i tërbuar. Sakaq rrugët u mbushen plot e përplot. Edhe qytetarët e tjerë iu bashkëngjitën turmës. Kordonët e policisë nuk arritën të na ndalin dot deri afër Poletit...E njëjta gjë vazhdoi edhe të nesërmen. Madje, ato u bënë edhe më të fuqishme. Kësaj radhe u nisëm drejt fabrikës së Llamkosit. Tashmë ishin bërë tok: nxënës, mësimdhënës, punëtorë e qytetarë.  Në ballë qëndronin më të guximshmit, që në duar mbanin flamuj e parulla:

Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!

Liri-Demokraci!

Trepça është jona!

Trepça punon- Beogradi ndërton!

Kush nuk vjen me ne është tradhtar! etj.

Në hyrje të fabrikës kolona u ndalohet nga policia serbo sllave. Flamurin kuqezi në portën e hyrjes e morën demonstruesit dhe u rikthyem për qytet. Tek Ura e Sitnicës na dolën përpara aktivistë komunalë dhe u përpoqën të na shpërndanin. Ata përbetoheshin se forca të mëdha të njësive speciale nga Beogradi e qendra të tjera jugosllave kishin arritur dhe nuk do të kursenin askënd, do të qëllonin pamëshirshëm.

Po ku pyeste mali për stuhinë!

Dhe, turma mësyu drejt shkollës së policisë. Por, hyrja e saj ishte bllokuar dhe barrikaduar. Meqenëse shpërndarja e demonstruesve me anë të gazit lotsjellës dhe me shkopinj gome ishte e pamundshme filloi edhe gjuejta me armë zjarri.  Nga plumbat dum-dum, të ndaluar me të gjitha të drejtat ndërkombëtare të mbrojtjes civile ranë edhe dëshmorët: studenti nga Kolla, Ruzhdi Hyseni dhe plaku nga Cecelia, Sali Zeka. Atë ditë pati edhe shumë të plagosur si: Ali Jonuzi, Driton Grabanica, Mevlude Ademi, Myrvete Mulaku, Ismet Pllana, Medo Ibroviqi, Shaip Rrustemi ...

Unë e Hazir Mehmeti, bashkë me nxënës e demonstrues të anës së Qyqavicës, mezi përbiruam dhe dolëm matanë hekurudhës...

Qeveria jugosllave vendosi në Kosovë gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndërmori disa masa të “përkohshme” si: mbyllja e shkollave, fabrikave e institucioneve të tjera, ndalimi i qarkullimit të lirë në njerëzve, zbatimi i orës policore, identifikimi dhe dënimi i demonstruesve, shpalljen e tyre si kundërrevolucionarë etj.

Pasi u shuan demonstratat me dhunë e me gjak, nisi një periudhë e re dhe shumë e vështirë për shqiptarët. Filloi arrestimi, dënimi, diferencimi dhe masat e tjera ideo-politike kundër të gjithë atyre që kishin marrë pjesë ose i përkrahnin demonstratat.

Kështu, në komunën e Vushtrrisë u arrestuan shumë veta ndërkaq u dënuan rreth 200 veta, në mesin e tyre organizatorët kryesorë: Bali Dërvishi, Dinore Curri, Ilmi Muzaqi, Xhevat Deliu, Bislim Bajrami, Bajram Latifi, Nebih Sejdiu, Fetah Xhafa, Zeqir Murati, Nazmi Hyseni, Jakup Shyti etj.

Gjatë periudhës 1981-1992, si gjithë Kosovën, edhe Vushtrrinë e trazoi edhe një e zezë tjetër: vrasja e ushtarëve shqiptarë nëpër kazermat e APJ-së. Kështu në arkivole erdhën këta të rinj: Rasim (Ragip) Istrefi nga Bajgora, Ali (Sinan) Rrustemi nga Resniku, Bedri (Nimon) Bajgora nga Vushtrria, Gëzim (Sefer) Hasani nga Strofci, për të cilin mbajta një fjalë rasti në ceremoninë e varrimit në Strofc).

Edhe në shkollë u përballem me plot momente të vështira...

Atë vite, më 13 maj, Tahir Meha me babë Nebihun, e përgjaken ditën e milicisë!

Shkrim përkujtues për Tahir Mehën

* * *

Sa jemi te periudha e paraluftës nuk mundem pa e përmend edhe një ngjarje shumë të rëndësishme: TUBIMI GJITHËPOPULLOR NË GALICË!

Shqiptarët e Kosovës, megjithatë, nuk u gjunjëzuan. Pas gjithë atyre ndryshimeve e reprezaljeve, largimeve masive nga puna, u organizuan në Lëvizjen gjithë popullore, në fillim e njohur si Alternativa kosovare e më vonë Lidhje Demokratike e Kosovës. Ishte kjo partia e parë legale që u përpoq të kundërshtonte në mënyrën e vet paqësore.

LDK-ja në Vushtrri u formua më 17. 01. 1990. Kryetar i degës u zgjodh Hajzer Krasniqi.  Edhe unë u zgjodha anëtar i Kryesisë. Votimin e bëmë në shkollën e Stanovcit, por kur na hetuan policët serbë, ndërruam vend, u vendosem në xhaminë e Cakajve në Stanovc. Dola i dyti në gjithë ranglistën komunale, por nuk pranova të bëhem nënkryetar, isha i zënë në mësime, udhëtoja nga larg dhe, dorën në zemër, nuk më shkonte politika fare.

Edhe në fshatin Galicë u hetuan këto ndryshime. U formua LDK-ja dhe unë u zgjodha kryetar. Më 13.V.1990, te Lisat e Vorreve, në Galicë, u mbajt takim dhe u mor vendim, që me mjete vetanake, të rregullohej varri dhe obelisku i Azem Bejtë Galicës. Kujtimi për kryeheroin nuk ishte shuar kurrë. Përkudrazi, ajo është si puna e maleve të larta: Sa më shumë t’u largohesh, aq më madhështore bëhen. Dhe, kjo punë u bë shpejt e me vullnet.

Rregullimin e varrit e bëmë të gjithë galicasit me punë vullnetare. Obeliskun na e punoi një mjeshtër serb në Bair. Është interesant të ceket se shumë gurgdhendës shqiptarë, sidomos disa turkoshakë, nuk e honepsnin dot bërjen e tij. Serbit i thamë se e kemi babagjysh. Ai nuk e ndoqi më tutje, atij i interesonte paraja. Madje, foton kryetrimit e gravoi diku në Kralevë! Ne, nga frika se policët serbë mund të na ndalonin rrugës, e bëmë që ai të na e sjell vetë në Galicë dhe tek pasi ta montojë, t’ia paguanim paratë. Ashtu edhe veproi. Por, tek po e ngarkonim në kamionetë, ia bëhu një plak serb andej nga Frashëri, duke u mbajtur në kërryle dhe u ndal para kamionit.

-Shihe, shihe, Azem Galica!!!- bëri çuditshëm dhe një copë herë nuk ia shqiti sytë...

Një javë ditë pasi e rregulluam e kemi ruajtur obeliskun, sidomos natën, nga meraku se mos po dëmtohet nga ndonjë dorë e “ligë”!

Më 25 korrik 1990 Galica kishte festë. Po mbahej një Tubim i Madh Popullor, asi çfarë i organizonte Azem Galica sa ishte gjallë. Që në orët e hershme të mëngjesit nga të katër anët kolonat me “krushq” me flamuj në ballë po marshonin drejt Galicës. Mbi 30.000 mijë qytetarë erdhën në Galicën kreshnike. Aty ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari, i cili edhe u betua që ta ndiqte rrugën e tij lavdiplote

Galicasit të gjithë tok: burra, gra pleq, fëmijë, atë natë s’kishin fjetur fare. Në katundin e tyre po vinte e tërë Kosova.

Te obelisku i mbuluar me flamurin kombëtar e sollën plakun 111-vjeçar, Rushit Godenin. Një copë herë e shikoi fotografinë e Azemit dhe duke e lëmuar ngadalë pyeti:

-“Ai âsht ky Azemi, apo m’bâjnë sytë?!

-“Azemi është, Azemi” - i thanë të pranishmit.

- Ai afrohet dhe e puth duke i thënë:

“AZEM, A T’KAM THANË SE NJI DITË DO TË TAKOHEMI? FOL HE BURRË!”- dhe i rrodhën lotët faqeve.

Kur u krye ceremonia e zbulimit të obeliskut u kthyem te bina e zbukuruar me qilima e flamuj kombëtar, në ballë të së cilës qëndronte portreti i Azem Bejtë Galicës. U përshëndetën mysafirët, u evokuan kujtime nga njerëz të ndryshëm, u lexuan dhe u recituan vjersha, u kënduan këngë e u hodhën valle.

Referatin kryesor:”Azem Bejtë Galica-kryekoman­dant i Lëvizjes Kaçake” e  lexova unë.  Foli edhe Abdyl Krasniqi, i cili as nuk donte të dëgjonte se ç’thoshte policia serbe, e cila me forca të shumta e me tanke e autoblinda na kishin rrethuar nga të katër anët.

Bedri Tahiri duke folur në tubimin e madh popullor, të mbajtur më 25 korrik 1990 në Galicë, ku morën pjesë mbi njëzet mijë qytetarë, me ç’rast ndërhynë forca të mëdha policore serbe.

Edhe pse ndërhyri policia serbe, duke kërkuar që të ndërpritej tubimi, çdo gjë kaloi për mrekulli.

Aty, nën binën e improvizuar, ishin edhe Adem Jashari, Sahit Jashari etj., të armatosur deri në dhëmbë.

Adem Jashari në tubimin madhështor në Galicë

Të nesërmen, gazeta “Rilindja”, ku ishte një artikull i shkurtër, por domethënës:



(Vota: 112 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (X) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IX) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Kombi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VIII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (V)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx