E enjte, 29.05.2025, 11:52 AM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VII)

E shtune, 17.05.2025, 03:00 PM


INTERVISTË ME PROF. DR. SABILE KEÇMEZI – BASHA (VII)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë të shtatë të intervistës sonë me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha, një ndër historianet më të njohura shqiptare të kohës sonë, ndalemi më thellë në procesin krijues të saj shkencor dhe në përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e historisë. Me një bagazh të pasur veprash dhe kontributesh akademike, profesorja na rrëfen për librat e saj më të fundit, motivet që e udhëheqin në zgjedhjen e tematikave historike, sfidat që ka hasur në kërkimet e saj, si dhe personalitetet e shquara që ka trajtuar në studimet e saj. Po ashtu, ajo ndan me lexuesit botimet më të rëndësishme ku ka qenë bashkautore, duke hedhur dritë mbi rëndësinë e bashkëpunimeve shkencore për ruajtjen dhe dokumentimin e kujtesës historike kombëtare.

GM: Çfarë mund të ndani me lexuesit tanë lidhur me përmbajtjen e dy librave tuaj më të rinj, të botuar gjatë vitit të kaluar?

SB: Pas një periudhe të gjatë dhe të mundimshme kërkimore, që përfshiu hulumtime të imëta në arkivat e Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, puna shkencore dhe këmbëngulëse u kurorëzua më në fund me rezultate konkrete dhe domethënëse. Frutë i kësaj përpjekjeje janë botimet e dy veprave me rëndësi të jashtëzakonshme për historiografinë dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve: "Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944–1990", 1200 faqe dhe "Top sekret: Dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav në Kosovë (1945–1966)" 419 faqe.

Në konferencën shkencore për veprimtarin e Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Prof. Dr. Fatmira Musai duke mbajtur fjalën e saj, 2018 ( Prof. Dr. Hysen Matoshi, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Prof. Dr. Sabit Syla dhe Prof. Dr. Ibrahim Gashi)

Këto libra përfaqësojnë një moment kthese në trajtimin e temave të dhimbshme, shpeshherë të heshtura, të së kaluarës së afërt të Kosovës. Në aspektin tematik dhe metodologjik, ato sjellin një risi të padiskutueshme, sepse për herë të parë, në mënyrë të dokumentuar, të argumentuar dhe të mbështetur në burime arkivore, paraqitet një tablo e qartë dhe tronditëse e represionit institucional të ushtruar nga strukturat e sigurimit shtetëror jugosllav ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nëpërmjet dokumenteve autentike dhe analizës kritike, këto botime zbulojnë natyrën sistematike të përndjekjes, manipulimeve dhe deformimeve që shoqëruan këtë periudhë të errët të historisë.

Në planin akademik, veprat kanë një vlerë të shumëfishtë: ato jo vetëm që mbushin boshllëqe të rëndësishme në literaturën shkencore për Kosovën, por gjithashtu kontribuojnë në ndërtimin e një narrative më të plotë dhe më të drejtë historike, duke u ofruar studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë një bazë të re për të kuptuar realitetin e vështirë të dekadave të pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë, ato afirmojnë rolin e hulumtimit të thelluar historik si një mjet të domosdoshëm për të zbardhur të vërtetat e mohuara dhe për të ndërtuar një memorie kolektive të bazuar në fakte dhe reflektim kritik.

Bazuar në një hulumtim të thelluar dhe të gjithanshëm të literaturës ekzistuese, si dhe mbi një analizë të hollësishme të dokumentacionit arkivor të gjykatave dhe dosjeve të policisë serbe në Kosovë, si dhe burimeve të tjera të dorës së parë, është realizuar një punë e rrallë që për herë të parë prezanton një panoramë të plotë dhe të dokumentuar të dimensioneve të dhunës dhe represionit kundër shqiptarëve. Në këtë studim, me një saktësi të lartë shkencore — duke ofruar emrin, mbiemrin dhe vitin përkatës — janë evidentuar 45.754 shqiptarë të vrarë, një shifër tronditëse që nxjerr në dritë përmasat reale të tragjedisë që ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë.

Nga ky numër i madh viktimash, një pjesë dërrmuese e tyre i përket periudhës dramatike të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, konkretisht gjatë viteve 1944–1945. Kjo periudhë përbën një nga kapitujt më të errët të historisë së Kosovës, kur patriotët shqiptarë, të cilët me armë kundërshtuan rikthimin e sundimit serb në trojet shqiptare, u përballën me një valë të organizuar dhune, eliminimesh dhe persekutimesh të pamëshirshme. Ata ishin burra dhe gra të shquar, figura të qëndresës kombëtare, që refuzuan të nënshtroheshin ndaj një pushtimi të ri dhe që paguan me jetën e tyre çmimin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Kjo e dhënë madhore, e mbështetur në burime të sakta dhe të verifikueshme, jo vetëm që sfidon narrativat e manipuluara historike, por gjithashtu vendos një gur themeli për një qasje më të drejtë dhe më të balancuar ndaj së kaluarës sonë kolektive. Përmes këtij hulumtimi, shqiptarëve të vrarë në ato vite u rikthehet identiteti dhe dinjiteti, duke i nxjerrë nga anonimiteti statistikor dhe duke i vendosur në qendër të kujtesës historike kombëtare.

Në këtë mënyrë, studimi jo vetëm që ka vlerë të jashtëzakonshme akademike dhe dokumentare, por ai përbën gjithashtu një akt të rëndësishëm të drejtësisë morale ndaj brezave të mëparshëm që sakrifikuan gjithçka në emër të lirisë dhe identitetit kombëtar.

Një ndër aspektet më të rëndësishme që duhet theksuar në trajtimin historik të periudhës së pasluftës është fakti se, edhe pas përfundimit formal të Luftës së Dytë Botërore, dhuna, diskriminimi dhe përndjekja ndaj shqiptarëve në Kosovë jo vetëm që nuk u ndalën, por vazhduan në forma të ndryshme dhe me intensitete të ndryshme gjatë gjithë dekadave të ardhshme. Edhe pse në përmasa relativisht më të vogla krahasuar me periudhën e menjëhershme të pasluftës, regjimi jugosllav, përmes aparatit të tij të dhunës si OZNA dhe më pas UDB-ja, vazhdoi të ushtronte represion sistematik ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj rinisë patriotike dhe shtresave të angazhuara në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në këtë kontekst, studimi paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm. Përmes një pune të palodhur dhe një mbledhjeje të kujdesshme të fakteve dhe provave të dokumentuara nga arkivat dhe burime të tjera të besueshme, arrita që të evidentojë me emër, mbiemër dhe të dhëna biografike numrin e të vrarëve shqiptarë në periudhën e pasluftës. Sipas të dhënave që kam, vetëm gjatë vitit 1946, OZNA vrau 242 shqiptarë; në vitin 1947, 141 shqiptarë; në vitin 1948, 63 shqiptarë, dhe ky trend i vrasjeve vijoi edhe në vitet e mëvonshme.

Një valë e re dhune u shënua gjatë dhe pas demonstratave paqësore të vitit 1981, kur regjimi serb reagoi me brutalitet ndaj kërkesave për më shumë liri dhe të drejta kombëtare. Vetëm gjatë këtyre demonstratave u vranë 25 të rinj shqiptarë në vitin 1981 dhe 21 të tjerë në vitin 1982. Dhuna shtetërore vazhdoi edhe gjatë viteve të tjera, duke kulmuar në vitin 1990, kur regjimi serb vrau 60 shqiptarë të tjerë.

Ky dokumentim i detajuar mendoi se nuk është vetëm një kontribut për historinë e Kosovës, por një akt drejtësie historike që synoj të kthejë dinjitetin e mohuar të atyre që sakrifikuan jetën për liri dhe poashtu paraqet një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv, për të mos i harruar ata që ranë dhe për të ndërtuar të ardhmen mbi themelin e së vërtetës dhe respektit për sakrificat e së kaluarës.

Ndër këta të vrarë, një kategori e veçantë janë 110 shqiptarë të cilët humbën jetën gjatë shërbimit të detyruar ushtarak në ushtrinë jugosllave. Ky fakt thekson një tjetër dimension të dhunës sistematike: edhe brenda institucioneve të shtetit që teorikisht duhej të garantonin mbrojtjen dhe barazinë e të gjithë qytetarëve të federatës, shqiptarët ishin objekt diskriminimi, përndjekjeje dhe shpesh edhe eliminimi fizik. Ushtria, në vend që të ishte një hapësirë integrimi, u shndërrua për shumë shqiptarë të rinj në një skenë tjetër represioni, ku ata përballeshin me urrejtjen dhe dhunën sistematike vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Duke e ndërlidhur këtë të dhënë me narrativën më të gjerë të represionit shtetëror në Kosovë, bëhet e qartë se vrasjet e shqiptarëve nuk ishin incidente të izoluara, por pjesë e një strategjie më të gjerë të kontrollit politik dhe nënshtrimit të një populli që, përkundër dhunës, ruajti identitetin, aspiratat dhe vullnetin për liri.

Poashtu  mendoi se një vlerë të veçantë në pasurimin e literaturës historike dhe  dokumentare mbi periudhën e pasluftës në Kosovë e përfaqëson edhe vepra e dytë, "Top sekret: Dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav në Kosovë (1945–1966)". Ky libër, me një qasje rigoroze dhe një analizë të thellë, ndriçon një ndër kapitujt më të errët të historisë moderne të Kosovës, themelimin dhe funksionimin e UDB-së në territorin e ish- Jugosllavisë, si dhe ndikimin shkatërrimtar që kjo strukturë kishte mbi jetën politike, shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha, duke i falënderuar të pranishmit, 2018

Libri i dytë trajton në mënyrë të detajuar proceset që çuan në ngritjen e këtij aparati represiv, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi qëllimet dhe metodat që përdorte UDB-ja për të ndjekur, kontrolluar dhe asgjësuar çdo formë të rezistencës shqiptare. Përmes një pune të kujdesshme kërkimore në arkiva dhe burime të tjera relevante, libri sjell dëshmi konkrete mbi operacionet, proceset e montuara gjyqësore, burgosjet arbitrare, torturat dhe metodat e tjera të kontrollit të rreptë që shërbimi i sigurimit ushtronte në Kosovë.

Një ndër pikat më të fuqishme të këtij studimi është analiza e deklaratave të vetë udhëheqësve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Këto deklarata, të shqyrtuara në mënyrë kritike, zbulojnë pa mëdyshje natyrën diskriminuese dhe keqtrajtimin sistematik që u bëhej shqiptarëve, duke dëshmuar se politikat shtetërore të asaj kohe nuk kishin si qëllim integrimin dhe barazinë, por përkundrazi, nënshtrimin dhe shuarjen e çdo aspirate për vetëvendosje.

Periudha që mbulon vepra, 1945–1966-“Kohen e Rankoviqit”, përfaqëson një fazë kritike në të cilën UDB-ja konsolidoi pushtetin e saj përmes frikës dhe dhunës, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në pengimin e zhvillimit politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Ky dokumentim i hollësishëm është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për të rikthyer në vëmendje të vërtetën historike, por edhe për të kuptuar rrënjët e shumë sfidave me të cilat Kosova është përballur deri në fund të shekullit XX.

Në këtë mënyrë, libri "Top sekret…" nuk është vetëm një akt shkencor i zbardhjes të së kaluarës, por edhe një mjet reflektimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut përballë çdo forme represioni.

Dëshmitë që sjell libri hedhin dritë mbi mënyrën se si strukturat e sigurimit u përdorën si instrumente të një politike të qëllimshme të shtypjes dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ato zbulojnë se shumë nga ngjarjet dhe aktet e dhunës së asaj periudhe nuk ishin spontane, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar dhe të planifikuar në nivelet më të larta të pushtetit jugosllav. Objektivi kryesor i kësaj strategjie ishte mbajtja nën kontroll e popullsisë shqiptare, duke i kufizuar të drejtat, duke i frikësuar dhe duke i përçarë ata përmes metodave të survejimit, burgosjeve politike, torturave dhe likuidimeve fizike.

Kjo qasje sistematike e represionit nxjerr në pah natyrën e vërtetë të regjimit të kohës, një pushtet që, për të ruajtur kontrollin e tij politik dhe territorial, ishte i gatshëm të shkelte parimet më themelore të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Në këtë mënyrë, vepra e trajton strukturën represive jo vetëm si një fenomen të aparatit të sigurisë, por si një komponent esencial të politikave shtetërore që synonin asimilimin, nënshtrimin dhe shtypjen e një populli të tërë.

Përmes këtij dokumentimi të kujdesshëm dhe analizës së thelluar të burimeve, libri kontribuon në ndërtimin e një narrative të re historike, duke vënë në qendër të vëmendjes viktimat e një politike sistematike të diskriminimit dhe duke hedhur poshtë narrativat e manipuluara që kanë tentuar të justifikojnë këto krime.

Promovimi i përmbledhjes me punime nga konferenca për Adem Demaçin, Shkup, 2016

Pavarësisht përballjes së vazhdueshme me diskriminimin institucional, regjimin e aparteidit, dënimet e rënda me burgim e me pushkatim, si dhe vrasjet brutale të të rinjve shqiptarë gjatë shërbimit të detyruar ushtarak në radhët e ushtrisë jugosllave, populli shqiptar në Kosovë kurrë nuk e ndali rezistencën e tij. Që nga viti 1945, në rrethana tejet të vështira, shqiptarët vazhduan përpjekjet për liri, duke përdorur forma të ndryshme të veprimtarisë — nga rezistenca paqësore, organizimi ilegal dhe mobilizimi politik, deri te përpjekjet e armatosura në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëvendosje.

Kjo rezistencë shumëformëshe, e cila përfshiu gjysmë shekulli sakrificash të panumërta, nuk ishte një akt i rastësishëm apo spontan, ajo përfaqësonte një ndërgjegje të thellë kolektive dhe një vullnet të palëkundur për t'i bërë ballë çdo forme shtypjeje dhe mohimi. Më e larta dhe më e organizuara shprehje e kësaj lëvizjeje për çlirim kombëtar u arrit në vitet 1998–1999, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë etapë historike, rezistenca shqiptare mori formën e një lufte të hapur çlirimtare, e cila, përmes sakrificës sublime të mijëra djemve dhe vajzave të Kosovës, e çoi çështjen kombëtare drejt një momenti historik të paprecedent, çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Më 12 qershor 1999, pas një shekulli të mbushur me përpjekje, vuajtje dhe aspirata të papërkulura, Kosova u çlirua përfundimisht nga sundimi i huaj. Ky moment shënoi jo vetëm një fitore ushtarake dhe politike, por mbi të gjitha një triumf moral të një populli që kishte refuzuar t'i nënshtrohej dhunës dhe padrejtësisë, duke dëshmuar se vullneti për liri është më i fuqishëm se çdo aparat shtypës.

Në këtë rrugëtim historik, veprimtaria e pandërprerë e brezave të rezistencës, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri te lufta e UÇK-së, paraqet një vazhdimësi të pandalshme të përpjekjes për vetëqeverisje, dinjitet dhe liri kombëtare — një trashëgimi që mbetet thelbësore për të kuptuar identitetin dhe aspiratat e Kosovës së sotme.

GM: Si e zgjidhni temën për një vepër të re? A mbështetet kjo më shumë në boshllëqet ekzistuese akademike, apo në nevojat aktuale për dokumentimin historik?

SB: Në të vërtetë, zgjedhja e një teme për ta shndërruar më pas në libër është një proces shumë i ndërlikuar dhe sfidues. Kjo vështirësi nuk qëndron vetëm në gjetjen e një teme të rëndësishme dhe origjinale, por edhe në balancimin mes pasionit personal për një fushë të caktuar dhe kushteve objektive që e rrethojnë kërkimin shkencor.

Në vitet e para të punës sime në institut, zgjedhja e temave nuk varej nga iniciativa apo interesat e studiuesve. Përkundrazi, temat na vinin të përcaktuara nga instancat e “larta”, dhe detyra jonë ishte thjesht t’i realizonim ato, pa e vënë në diskutim përmbajtjen, orientimin apo objektivat e caktuara. Rrjedhimisht, procesi krijues ishte i kufizuar në mënyrë të konsiderueshme, sepse çdo devijim nga temat e përcaktuara përbënte një akt të rrezikshëm, që shpeshherë shoqërohej me pasoja të rënda për karrierën dhe jetën profesionale të studiuesit.

Në një ambient të tillë të kontrolluar rreptësishtë, krijimtaria akademike ndodhej nën një trysni të vazhdueshme, ku liria e mendimit dhe hulumtimit shkencor sakrifikohej për hir të konformizmit ideologjik dhe politik. Ky realitet historik dëshmon për vështirësitë me të cilat përballeshin studiuesit e asaj kohe, jo vetëm që duhej të punonin me përkushtim dhe profesionalizëm, por duhej gjithashtu të lundronin me kujdes në një sistem që i diktonte kufijtë e mendimit dhe që i ndëshkonte ata që guxonin të dilnin jashtë skemave të parapërcaktuara.

Për pasojë, zgjedhja e një teme që të ishte njëkohësisht e vlefshme shkencërisht dhe e pranueshme politikisht kërkonte jo vetëm njohuri të thella, por edhe një sens të mprehtë të rrethanave politike dhe një strategji të kujdesshme për të mbijetuar profesionalisht. Ky kontekst ndihmon për të kuptuar më mirë sfidat e brezave të mëhershëm të studiuesve, si dhe vlerën e madhe që ka sot liria akademike, si një e drejtë që është fituar përmes përpjekjeve të vazhdueshme dhe shpeshherë me shumë sakrifica.

Pas viteve ’90, me shpërbërjen e institucioneve publike nën trysninë e rrethanave politike dhe represive, edhe instituti ku ne punonim i’u mbyllën dyert. Në mungesë të një hapësire zyrtare ku të vazhdonim punën tonë shkencore, u detyruam të zhvendosemi në kushte krejtësisht të tjera — në shtëpi private, duke i shndërruar në një qendër modeste kërkimi dhe dokumentimi.

Ky ndryshim, megjithëse i imponuar nga rrethanat e rënda të okupimit dhe diskriminimit të hapur, shënoi një kthesë të rëndësishme në mënyrën e të punuarit dhe në frymën që e udhëhiqte veprimtarinë tonë shkencore. Tashmë, në mungesë të direktivave të “larta” dhe të kontrollit të ngushtë institucional, për herë të parë ndiheshim të lirë të përzgjidhnim vetë temat e studimit. Në këtë realitet të ri, udhërrëfyesi ynë i vetëm ishte ndërgjegjja kombëtare dhe nevoja imediate për t’i shërbyer çështjes së Kosovës së robëruar.

Ne filluam të punonim mbi ato tema që na diktonte mendja dhe zemra, mbi ato çështje që i konsideronim jetike për mbijetesën kulturore, historike dhe identitare të popullit tonë. Çdo hulumtim, çdo faqe e shkruar, nuk ishte thjesht një punë shkencore, por një akt i vetëdijshëm rezistence, një përpjekje për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të dokumentuar të vërtetat që përpiqeshin t’i fshihnin ose t’i shtrembëronin.

Në këtë mënyrë, pavarësisht kushteve të vështira dhe mungesës së infrastrukturës institucionale, u krijua një hapësirë e re lirie krijuese dhe përgjegjësie kombëtare. Kjo fazë e re e veprimtarisë sonë, e zhveshur nga kufizimet ideologjike dhe e mbështetur në ndjenjën e përgjegjësisë historike, hodhi themelet për një qasje më të pavarur dhe më autentike ndaj kërkimit shkencor në Kosovë.

2017, Këshilli Drejtues i projektit “Historia e Kosovës”

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës në vitin 1999, jeta institucionale dhe shkencore filloi të marrë një drejtim të ri, duke reflektuar realitetin e ri politik dhe aspiratat  për ndërtimin e institucioneve të mirëfillta kombëtare. Në këtë kontekst, edhe ne, studiuesit, patëm mundësinë të riktheheshim në objektin e vjetër të institutit ku kishim punuar më parë, duke e ringjallur aktivitetin tonë akademik në kuadër të një organizimi të ristrukturuar dhe të institucionalizuar.

Ky rikthim në hapësirën institucionale nuk ishte thjesht një kthim fizik në ambientet e njohura, por mbi të gjitha, një rilindje e punës sonë shkencore në kushte të reja lirie dhe përgjegjësie. Tashmë, në këtë fazë të re, zgjedhja e temave të hulumtimit nuk na imponohej më nga autoritetet e jashtme apo nga censura politike. Përkundrazi, temat i propozonim vetë, në mënyrë të lirë dhe të pavarur, duke u bazuar në nevojat reale të shoqërisë sonë dhe në prioritetet që diktonte kërkimi i së vërtetës historike dhe ndërtimi i një narrative të mirëfilltë kombëtare.

Procesi ishte tashmë i institucionalizuar, temat e propozuara shqyrtoheshin dhe miratoheshin nga Këshilli Shkencor, një organ akademik që garantonte seriozitetin dhe rëndësinë shkencore të projekteve. Vetëm pas miratimit, ne nisnim hulumtimin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë punës kërkimore në arkiva, intervistave, analizave të burimeve, dhe të gjitha metodave që kërkonte një qasje e mirëfilltë shkencore. Në përfundim të procesit, frytet e këtij hulumtimi përfundonin në botime, të cilat përfaqësonin një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e historiografisë dhe në ndërtimin e kujtesës së dokumentuar të Kosovës së pasluftës.

Gani Sylaj, Mehmet Hajriz (autor të librit, ish të burgosur politik), Sabit Syla (kryeredaktor) dhe Sabile Keçmezi- Basha (recensentë), 2015, Promovim libri, Prishtinë

Kjo fazë e re e punës kërkimore përfaqësonte jo vetëm një kthim te normaliteti institucional, por edhe një hap përpara në zhvillimin e një shkence më të lirë, më të përgjegjshme dhe më të lidhur ngushtë me nevojat dhe idealet e shoqërisë kosovare në procesin e saj të konsolidimit kombëtar dhe shtetëror.

Tani që veproj si studiuese e pavarur, e shkëputur nga struktura institucionale ku dikur zhvillohej veprimtaria ime akademike, e kam vazhduar punën kërkimore me një qasje dhe një synim të ri. Tashmë, liria për të ndjekur intuitën shkencore dhe pasionin për të vërtetën historike më ka mundësuar që t’i kushtohem hulumtimeve me një përkushtim edhe më të thellë dhe më të vetëdijshëm.

Në këtë rrugëtim të ri, arkivat janë bërë fushë e pashtershme eksplorimi për mua. Çdo dokument që arrij të zbuloj, çdo fragment historie që gjej të fshehur në dosje të pluhurosura, më shndërrohet në një burim frymëzimi për të kërkuar më tej, për të ndërtuar ura të reja midis së kaluarës dhe të tashmes sonë. Çdo dëshmi e re, çdo burim i panjohur më parë, ma shton dëshirën për ta thelluar kërkimin, për ta ndriçuar një pjesë tjetër të historisë sonë kolektive që ende qëndron në hije.

Në punën time, i përkushtohem veçanërisht atyre temave që deri më tani kanë mbetur të paeksploruara ose që janë trajtuar në mënyrë të fragmentuar. Zgjedh temat që kanë potencialin të pasurojnë kuptimin tonë për të kaluarën, të nxjerrin në dritë ngjarje, figura dhe procese që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin historik të Kosovës. Synimi im është të kontribuoj në ndërtimin e një narrative historike më të plotë, më të drejtë dhe më dinjitoze, duke i dhënë zë atyre kapitujve që, për arsye të ndryshme, janë lënë në heshtje.

Kjo punë, tashmë e orientuar nga vullneti i brendshëm dhe nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj historisë sonë kombëtare, përbën një angazhim të vazhdueshëm për të dëshmuar se e kaluara e Kosovës është e pasur, komplekse dhe thellësisht e lidhur me aspiratën për liri, dinjitet dhe identitet të mirëfilltë.

GM: Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur gjatë studimeve tuaja historike?

SB: Ah, sfida! Po cili udhëtim në fushën e shkencës ka ndonjëherë mungesë sfidash? Hulumtimi shkencor, në vetvete, është një rrugë e vështirë, plot pengesa dhe kërkesa të imta, që kërkon një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një vëmendje të përhershme ndaj detajeve. Ajo është një punë delikate, një punë "me spec" siç thonë në anën time, ku çdo hap duhet matur me kujdes dhe ku asgjë nuk mund të merret e mirëqenë.

Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, Prof dr. Sabile Keçmezi-Basha dhe Kim Mehmeti, Konferenca shkencore për Migrimet shqiptare, 2015

Në këtë rrugëtim kërkimor, përpiqesh gjithmonë të bësh më të mirën, të ndërtosh një  narrativë të saktë dhe të ndriçosh fakte të panjohura, por nuk është e rrallë që përballesh me befasi të pakëndshme. Mjafton një dokument i pasaktë ose një burim i gabuar për të përmbysur të gjithë drejtimin e studimit dhe për të vënë në pikëpyetje vetë qëllimin fillestar të kërkimit. Prandaj, kërkimi shkencor kërkon një kujdes të jashtëzakonshëm jo vetëm në gjetjen e dokumenteve, por edhe në trajtimin dhe interpretimin e tyre.

Çdo dokument duhet analizuar me një sy kritik, duke vlerësuar me shumë kujdes rrethanat e kohës kur është shkruar, qëllimin për të cilin është krijuar dhe autorin që e ka prodhuar. Vlerësimi i kontekstit historik është thelbësor, kush e ka hartuar dokumentin? Për çfarë arsye? Në çfarë kushte politike, shoqërore dhe kulturore është krijuar? Pa këto konsiderata, rrezikohet që hulumtimi të bjerë në grackën e keqinterpretimit ose të përsërisë narrativat e shtrembëruara të së kaluarës.

Prandaj, rruga e hulumtimit kërkon durim të madh, rigorozitet metodologjik dhe një ndjeshmëri të hollë ndaj kompleksitetit të së kaluarës. Është një sfidë që të imponon jo vetëm të jesh një mbledhës i zellshëm faktesh, por edhe një interpretues i kujdesshëm i tyre, duke ndërtuar ura mes burimeve dhe të vërtetës historike, gjithmonë në kërkim të një pasqyre sa më të drejtë dhe të besueshme të realitetit të shkuar.

Përveç sfidave të natyrshme që shoqërojnë çdo proces kërkimor shkencor, në punën time jam përballur edhe me pengesa të tjera, më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme, të cilat shpesh nuk varen nga aftësitë profesionale, por nga rrethanat e kontrollit institucional mbi qasjen në të dhëna historike. Një episod i tillë më ka ndodhur gjatë një prej vizitave të mia në Arkivin Qendror të LKJ-së, të ish-Jugosllavisë në Beograd (para viteve 1990) — një përvojë që mbetet e ngulitur në kujtesën time si dëshmi e qartë e vështirësive që shoqërojnë hulumtimin në burime të ndjeshme historike.

Prof. Dr. Selim Daci, Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha dhe aktori Ramadan Kurti, Promovimi i librit “Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), Prishtinë, 2009

Gjatë kërkimeve në skedarët orientues, ato regjistra që çdo arkiv i mirëstrukturuar i ofron për të ndihmuar studiuesit në gjetjen e materialeve relevante, hasa disa shënime të jashtëzakonshme për rëndësinë e tyre. Këto të dhëna lidheshin me aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë dhe me procesin e shpërnguljes së shqiptarëve drejt Turqisë — dy ngjarje me ndikim të thellë në historinë dhe demografinë e Kosovës. Gëzimi im në ato çaste ishte i jashtëzakonshëm, më dukej se isha në prag të një zbulimi të madh, që do të sillte ndriçim të ri mbi një pjesë të errët të historisë sonë.

Natyrisht, menjëherë i kërkova zyrtarisht ato dokumente. Por ajo që ndodhi më pas ishte befasuese dhe zhgënjyese, pas një pritjeje të gjatë, punëtorja e arkivit u kthye tek unë me një përgjigje të thatë dhe mohuese, duke më thënë se "nuk kemi këso dokumente" dhe duke shtuar, me një shprehje të përzier midis hutimit dhe qëllimit, se "nuk di se ku i ke parë ato shënime". Për më tepër, që në atë moment, shënimet që kisha identifikuar në skedarë u zhdukën pa lënë gjurmë — si të mos kishin ekzistuar kurrë.

Ky episod i hidhur dëshmon qartë se, përveç sfidave të natyrshme shkencore, studiuesit që merren me temat e ndjeshme historike përballen edhe me sfida të tjera të natyrës politike dhe institucionale, ku censura, manipulimi i dokumenteve dhe pengimi i qasjes në të vërtetën historike vazhdojnë të jenë realitete të dhimbshme. Ajo më kujtoi se rruga drejt së vërtetës kërkon jo vetëm durim dhe profesionalizëm, por edhe guxim, këmbëngulje dhe një besim të palëkundur në misionin e kërkimit.

Gjatë periudhës së okupimit, kur Kosova ndodhej nën kontrollin e pushtetit serb, hulumtimi shkencor ishte jo vetëm i vështirë, por edhe i rrezikshëm. Në atë kohë, edhe vetë kërkimi i së vërtetës mund të përbënte një akt guximi politik dhe moral. Në një prej përpjekjeve të mia për të siguruar burime të rëndësishme historike, shkova në Arkivin e Kosovës, ku, ndonëse situata ishte e tensionuar dhe mbizotëronte kontrolli i rreptë institucional, ende punonin shqiptarë por stafi udhëheqës ishte zëvendësuar me serb.

Objekti i kërkimit tim ishin regjistrat e veçantë ku ishin të regjistruar të gjitha proceset gjyqësore dhe ishin të evidentuar të burgosurit politik shqiptarë, të proceduar nëpër gjykatat e qarqeve të Kosovës. Këto materiale kishin një rëndësi të jashtëzakonshme për të kuptuar përmasat dhe natyrën e represionit të ushtruar ndaj shqiptarëve, dhe mund të shërbenin si bazë për një dokumentim të saktë dhe të pavarur të krimeve të shtetit jugosllav ndaj veprimtarëve politikë.

E vetëdijshme për rrezikun që paraqiste një kërkesë e tillë në ato rrethana, u drejtova me kujdes dhe përulësi tek njëri prej punonjësve shqiptarë të arkivit- Hysen Azemi. Ai, duke ndjerë peshën e detyrës dhe duke ndarë të njëjtën ndjeshmëri ndaj domosdoshmërisë së ruajtjes të së vërtetës, më premtoi — me një lloj serioziteti që më ngjalli besim dhe mirënjohje të thellë — se do të më sillte në sallën e hulumtimeve materialet e kërkuara. Ishte një veprim i guximshëm, sepse përtej asaj premtuese fshihej një rrezik real, ai mund të pësonte pasoja të rënda nëse zbulohej që ndihmonte një hulumtuese të angazhuar në dokumentimin e krimeve politike të regjimit.

Ky akt solidariteti dhe kuraje, ndonëse i vogël në dukje, kishte një domethënie të madhe. Ai përfaqësonte jo vetëm bashkëpunimin mes individëve të përkushtuar ndaj të vërtetës, por edhe një rezistencë të heshtur ndaj pushtetit që kërkonte ta shlyente të kaluarën, ta manipulonte kujtesën dhe ta frikësonte çdo përpjekje për të dokumentuar dhunën sistematike ndaj shqiptarëve.

Ky moment mbetet për mua një kujtim i thellë dhe një kujtesë e vazhdueshme se në kohërat më të errëta, janë gjestet individuale të guximit dhe ndershmërisë që i japin kuptim të vërtetës dhe i japin forcë shkencës së angazhuar. Në momentin që fillova me përkushtim të regjistroja të dhënat nga materialet e sjella — ato regjistra të vyer shënimesh mbi të burgosurit politikë shqiptarë — ndodhi ajo që në rrethana të tilla, fatkeqësisht, nuk ishte as befasuese dhe as e rrallë. Në sallën e qetë të arkivit hyri papritmas një serb, shefi i punonjësit që më kishte ndihmuar. I ngarkuar me një frymë të theksuar shoviniste dhe me arrogancën që ushqehej nga pushteti politik i kohës, ai nuk mori mundin as të shfaqte ndonjë mirësjellje formale — pa kërkuar as falje, më mori materialet nga duart, me një fjalor të ashpër dhe përçmues.

“Çfarë shkence ju duhet juve,” tha me një ton që nuk linte vend për diskutim. “Tani e tutje, ne do ta shkruajmë historinë për ju.” Ajo fjali nuk ishte thjesht një shpërthim personal, ajo përmblidhte një filozofi të tërë sundimi, të mohosh një popull duke i mohuar të drejtën për të hulumtuar, për të dokumentuar, për të ndërtuar kujtesën dhe për të shkruar vetë historinë e vet.

Ndërsa mua mu mohua qasja në dokumente, pasojat më të rënda i përjetoi ai që më kishte ndihmuar — punonjësi shqiptar, Hysen Azemi, që kishte treguar një ndjenjë të lartë kombëtare dhe një kurajë qytetare. Ndaj tij u morën masa drastike. Fillimisht u ndëshkua administrativisht, më pas iu kërcënuan me përjashtim nga puna dhe u kërcënua me burgim, si për të dhënë një shembull të frikshëm për të tjerët që mund të guxonin të tregonin ndershmëri ose solidaritet në emër të së vërtetës.

Promovimi i librit “Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947” , Prishtinë 1998

Ky rast nuk ishte i vetëm. Të tilla përvoja nuk ishin përjashtime, por pjesë e një realiteti më të gjerë dhe të dhimbshëm, ku shkenca historike shqiptare në Kosovë nuk zhvillohej në rrethana normale, por në një ambient të ngarkuar me frikë, presion dhe kontroll të vazhdueshëm. Ajo që duhej të ishte një fushë e lirë kërkimi dhe prodhimi dijesh, shpeshherë shndërrohej në një fushë beteje, ku çdo e dhënë, çdo dokument dhe çdo shënim i nxjerrë nga arkivat duhej të mbrohej me guxim, ashtu siç mbrohen sendet më të çmuara të një trashëgimie të rrezikuar.

Në këto rrethana, puna hulumtuese nuk ishte thjesht një akt intelektual, ajo bëhej një akt qëndrese morale dhe qytetarie historike, ku studiuesi nuk ishte vetëm kërkues i së vërtetës, por edhe mbrojtës i saj — përballë një pushteti që, me cinizëm, kërkonte të shkruante historinë “për ne”, pa ne.

Kulmi i gjithë përjetimeve të mia si studiuese në kohë represioni arriti pikërisht atëherë kur ndëshkimi mori formën më të rëndë — atë të kërcënimit me burg. Paradoksi ishte i dhimbshëm dhe tronditës. Libri im “Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë (1945-1966)”, Prishtinë 1987, të cilin e kisha mbrojtur si disertacion dhe që madje vetë strukturat e larta akademike dhe shtetërore ma kishin caktuar si temë, u shndërrua në shkak për kërcënim ndaj meje. U kërcënova jo për devijim nga tema, por sepse guxova të them të vërtetën — të shkruaj për një kapitull të ndaluar të historisë sonë, aksionin e pushkëve, shpërnguljet e shqiptarëve për në Turqi dhe kohën e Rankoviqit.

Ky “mëkat akademik” nuk mu fal. Udbashët, në mënyrë sistematike dhe të koordinuar, kishin përkthyer librin tim dhe e kishin dërguar në Beograd për analizë. Aty, në qendrat ku kontrollohej çdo rresht dhe çdo fjalë që dilte nga mendja e lirë shqiptare, ishte marrë vendimi. Përmbajtja e disa faqeve nuk përputhej me narrativën zyrtare të sistemit dhe për pasojë, botimi duhej censuruar.

Kushti që më vendosën ishte brutal dhe i njëanshëm, ose do t’i hiqja ato faqe nga libri — ato që rrëfenin për dramën e shpërnguljeve, për fshatrat e zbrazura dhe familjet e shkatërruara — ose përballesha me pasoja më të rënda. Jo vetëm që unë vetë rrezikoja arrestimin dhe procesin gjyqësor, por edhe familja ime vendosej nën kërcënim, më thanë ata, një taktikë klasike e aparatit represiv për të shuar çdo zë të lirë përmes shantazhit emocional dhe frikës kolektive.

Në një moment të tillë presioni ekstrem, vendimi nuk ishte i lehtë. Me peshën e përgjegjësisë mbi shpinë dhe pas konsultimeve me drejtorin e institutit –prof.dr. Tahir Abdylin dhe disa kolegë të besuar, vendosa të pranoja kompromisin. Faqet e akuzuara u hoqën dhe libri doli në qarkullim. Ironia ishte se, megjithatë, libri — edhe i cunguar — u prit me interes të jashtëzakonshëm dhe u shit brenda një jave.

Ky episod është një kujtesë e dhimbshme se në një sistem autoritar, edhe shkenca, edhe e vërteta, edhe fjala e shkruar ishin nën kontroll. Ajo ilustron se si një vepër akademike, ndonëse e mbështetur fillimisht nga vetë mekanizmat institucionalë, mund të kthehet në objekt ndëshkimi nëse përmbajtja e saj sfidon tabutë e sistemit dhe rrëfen të padëshiruarën. Por gjithashtu, është dëshmi e asaj që quhet rezistencë përmes dijes. Edhe pse e detyruar të heq dorë nga disa faqe, qëndresa ime për të hulumtuar dhe dokumentuar të vërtetën nuk u shua. Përkundrazi, ajo u forcua, duke e shndërruar këtë përvojë në një kapitull tjetër të angazhimit tim për të nxjerrë në dritë të fshehtat e historisë sonë.

GM: Cilat personalitete të shquara janë përfshirë në veprat tuaja dhe cilët prej tyre do të veçonit?

SB: Populli shqiptar ka një trashëgimi të pasur historike, të mbushur me figura të shquara që kanë ndikuar në mënyrë të thellë në formësimin dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar. Këto personalitete, me veprën, guximin dhe vizionin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në rrjedhat historike të popullit tonë, duke e udhëhequr atë në periudhat më të vështira të ekzistencës dhe të përpjekjeve për liri, pavarësi dhe dinjitet.

Në këtë kuptim, është thuajse e pamundur të merresh seriozisht me historinë kombëtare shqiptare pa u ndalur dhe pa u përkulur me respekt ndaj figurave të tilla madhore si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe shumë të tjerë që, secili në kohën dhe rrethanat e veta, kanë mishëruar idealet më të larta të shqiptarëve. Skënderbeu, me qëndresën heroike kundër Perandorisë Osmane, u shndërrua në simbol të përjetshëm të rezistencës dhe krenarisë kombëtare, ndërsa Ismail Qemali, me aktin historik të shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, vulosi aspiratën shekullore të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të lirë dhe sovran.

Në panteonin e figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, një vend qendror dhe të paprekshëm zë Adem Jashari, heroi legjendar i Kosovës, i cili me veprën dhe sakrificën e tij u bë simbol i pavdekshëm i qëndresës dhe lirisë. Është e pamundur të flitet për rrugëtimin e popullit tonë drejt çlirimit pa përmendur këtë emër që sot është gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si mishërimi i guximit të pashoq dhe i dashurisë së pakufishme për atdheun.

Adem Jashari nuk luftoi vetëm si një individ i armatosur kundër pushtuesit, por u bë frymëzimi dhe ndërgjegjja e një populli të tërë që kërkonte të drejtën e tij legjitime për liri dhe barazi mes kombeve të tjera të botës. Flijimi i tij, së bashku me gjithë familjen, nuk ishte një akt i rastësishëm, por një akt i vetëdijshëm heroizmi, një sakrificë sublime e ndërgjegjshme, që mbartte në vetvete gjithë peshën dhe idealet shekullore të shqiptarëve të Kosovës.

Akademik Xhevat Lloshi,  Prof.dr. Sabile Keçmnezi- Basha, Manastir, në konferencën shkencore për 110 vjetorin e Alfabetit të gjuhës shqipe

Në marsin e vitit 1998, në kullën e Jasharëve në Prekaz, Adem Jashari, së bashku me familjarët e tij, zgjodhën të përballen me forcat e shumta të armikut jo duke kërkuar rrugë shpëtimi, por duke dhënë jetën për një ideal më të madh, që Kosova të jetë e lirë, e barabartë, e denjë si çdo vend tjetër i qytetëruar. Ishte një zgjedhje heroike që i dha kahe të pandalshme luftës sonë për çlirim dhe që frymëzoi breza të tërë për të vazhduar rrugën e nisur.

Sakrifica e Adem Jasharit është sot më shumë se një kapitull historie, ajo është themel mbi të cilin ndërtohet identiteti i Kosovës së re. Është një dëshmi se liria nuk dhurohet, por fitohet me çmimin më të lartë të mundshëm — me jetën. Dhe ky çmim, i paguar me aq dinjitet nga Jasharët, na obligon të ruajmë dhe të nderojmë lirinë si dhuratën më të shenjtë që një brez mund t’i lërë brezave që vijnë.

Këta dhe shumë të tjerë nuk janë thjesht emra në faqet e historisë; ata janë udhërrëfyes të përhershëm, gurë themeli mbi të cilët është ndërtuar ndërgjegjja jonë kombëtare. Prandaj, çdo përpjekje serioze për të trajtuar historinë shqiptare, çdo hulumtim që synon të kuptojë rrugëtimin tonë si popull, natyrshëm dhe domosdoshmërisht duhet të kalojë përmes analizës së jetës, veprës dhe ndikimit të këtyre figurave madhore.

Të shkruash për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, për Adem Jasharin, apo për të tjerë që mbajnë peshën e kujtesës sonë historike, nuk është thjesht një akt shkencor, është një detyrim moral ndaj brezave të kaluar dhe një përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm për të ruajtur dhe transmetuar atë që përbën esencën e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.

Po ashtu, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të pasuara të okupimit të Kosovës, kam pasur mundësinë dhe përkushtimin të merrem me një numër të konsiderueshëm figurash historike, të cilat me veprën dhe qëndrimin e tyre dhanë kontribute të çmuara për çështjen kombëtare shqiptare. Këto studime kanë përfshirë personalitete që vepruan në rrethana të ndryshme, por që të gjithë, pavarësisht nga vendndodhja apo mënyra e veprimit, e patën të përbashkët idealin e lirisë dhe të mbrojtjes së dinjitetit kombëtar.

Një pjesë e këtyre figurave janë ata që qëndruan në atdhe, përballë pushtimit të egër, duke organizuar rezistencën e brendshme, duke ruajtur strukturat kombëtare dhe duke i mbrojtur interesat shqiptare në rrethana jashtëzakonisht të vështira politike dhe ushtarake. Ata, përmes sakrificave personale, burgosjeve, internimeve dhe shpesh edhe me çmimin e jetës së tyre, i mbetën besnikë tokës dhe popullit të tyre, duke ndërtuar themelet e qëndresës që do të kulmonte dekada më vonë me realizimin e aspiratave të lirisë.

Në të njëjtën kohë, një tjetër kategori e rëndësishme përbëhet nga ata shqiptarë që, për shkak të rrethanave historike, politike apo të sigurisë personale, u detyruan të veprojnë jashtë atdheut. Edhe pse larg, ata nuk e shkëputën kurrë lidhjen me vendin e tyre. Në mërgim, këta patriotë u angazhuan në mbrojtjen e çështjes shqiptare në forumet ndërkombëtare, ndihmuan me organizime politike, me përhapje të informacionit mbi vuajtjet e popullit shqiptar dhe me mobilizimin e mbështetjes për lirinë e Kosovës. Ata ndërtuan ura komunikimi me botën e jashtme dhe ruajtën gjallë çështjen shqiptare në ndërgjegjen ndërkombëtare.

Të shkruarit për këto figura nuk ishte dhe nuk është thjesht një detyrë shkencore, është një përpjekje për të kthyer në vëmendje historinë e atyre burrave dhe grave që nuk u pajtuan me robërinë, që nuk e pranuan heshtjen dhe që vepruan, secili sipas mundësive dhe rrethanave, për një ideal të përbashkët kombëtar.

Puna kërkimore mbi këto personalitete më ka mësuar se historia e jonë është e përbërë jo vetëm nga fitoret e mëdha, por edhe nga rezistenca e heshtur, nga veprimet e guximshme të atyre që, shpesh në kushte të pamundura, mbajtën ndezur shpresën për liri dhe identitet. Si mund të shkruhet për lëvizjen ilegale shqiptare pa u ndalur me nderim dhe respekt te figurat që janë vetë mishërimi i saj? Si mund të ndërtohet një rrëfim i plotë për këtë periudhë të lavdishme të historisë sonë pa përfshirë emra të tillë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kombëtare?

Është e pamundur të flasësh për ilegalen pa e përmendur Profesor Ymer Berishën, që ishte koka e lëvizjes ilegale. Të mos shkruash për këtë intelektual të përkushtuar dhe patriot të shquar, që me dijen dhe veprimtarinë e tij u bë një shtyllë e rezistencës intelektuale dhe kombëtare. Po aq e pamundur është të anashkalohet figura e Mulla Idriz Gjilanit, atij patrioti të madh të Anamoravës, që me guximin, mençurinë dhe përkushtimin e tij mbeti një nga simbolet më të ndritura të qëndresës shqiptare në kohët më të vështira.

Në këtë plejadë të lavdishme qëndron edhe At Bernard Llupi, kleriku i mençur dhe i përkushtuar, i cili, përtej misionit të tij fetar, e jetoi thirrjen kombëtare në shërbim të së vërtetës dhe lirisë. Një vend të veçantë zë edhe Marije Shllaku, studentja shqiptare e universitetit të Romës, një figurë frymëzuese që përfaqësonte rininë shqiptare në luftërat për liri.

Në këtë mozaik figurash të pavdekshme, vend të rëndësishëm zë edhe Sulejman Kraniqi, shkrimtari i madh, që me penën e tij guximtare i dha zë dramës dhe aspiratave të popullit shqiptar, duke u bërë pjesë e pandashme e historisë së qëndresës sonë kulturore dhe kombëtare.

E natyrisht, në këtë varg të lavdishëm qëndron edhe Tahir Meha, atdhetari dhe trimi i pamposhtur, për të cilin kam pasur nderin dhe përgjegjësinë të shkruaj një libër të tërë, duke ndriçuar jetën dhe sakrificën e tij si një shembull të rrallë të dashurisë për atdheun dhe lirisë.

Pa këta emra, pa veprat dhe sakrificat e tyre, rrëfimi për ilegalen shqiptare do të ishte i cunguar, i mangët, dhe mbi të gjitha, i padrejtë. Ata janë shtyllat mbi të cilat mbështetet historia e rezistencës sonë kombëtare dhe janë burim frymëzimi për çdo brez që synon të kuptojë dhe të nderojë rrugën e vështirë, por të ndritur, drejt lirisë.

Më vjen vërtet shumë keq që në këtë rast nuk mund të përmend të gjithë ata që e meritojnë të jenë pjesë e këtij rrëfimi. Ata janë shumë — jashtëzakonisht shumë — dhe secili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar, që do të duhej të zinte vendin e vet në kujtesën dhe historinë tonë kolektive.

E ndjej si një mungesë të thellë që nuk mundem, në hapësirën e kufizuar të një interviste, t’i përfshij të gjithë ata emra të ndritur. Megjithatë, kjo ndjesi është një shtysë e fuqishme për të vazhduar më tej punën time hulumtuese. Besoj dhe shpresoj se në një libër të ardhshëm — një projekt që tashmë është në përgatitje dhe që, me shumë gjasë, do të dalë së shpejti nga shtypi — do të kem mundësinë t’u jap vendin e merituar të gjithëve.

Në atë vepër të ardhshme, shumë jam përpjekur dhe me përkushtim kam punuar që asnjë emër, asnjë vepër, asnjë sakrificë të mos mbetet në harresë. Sepse ata që u përkushtuan me jetën dhe veprën e tyre për çështjen kombëtare, meritojnë të përmenden, të nderohen dhe të kujtohen përjetë si gurët themeltarë të lirisë dhe dinjitetit tonë.

Në historinë e popullit tonë, janë të panumërta figurat që kanë kaluar përmes vuajtjeve të mëdha dhe përndjekjeve të pamëshirshme nën regjimin jugosllav. Që nga kohët më të hershme e deri në ditët e fundit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë shqiptarë, gra dhe burra, kanë pësuar forma nga më të rëndat të dhunës, diskriminimit dhe represionit, vetëm sepse nuk pranuan të nënshtroheshin dhe guxuan të ëndërronin lirinë.

Ndër këto figura që meritojnë të përmenden me nderim të veçantë është Gruaja e Re – Nusja, Fetije Kelmendi-Dragusha, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj Ismail Dragusha, u angazhua në mënyrë aktive në lëvizjen ilegale shqiptare. Që në moshë të re, Fetija mishëroi shpirtin luftarak dhe guximin e gruas shqiptare, duke marrë përsipër rreziqet më të mëdha për të mbrojtur idealet kombëtare.

Pas intensifikimit të represionit, pas përfundimit të njërit nga valët e ndjekjeve, çifti Dragusha u detyrua të kalonte në ilegalitet të thellë. Jeta e tyre u shndërrua në një ekzistencë të përhershme në arrati, duke shmangur çdo kontakt me botën e jashtme, gjithmonë në kërkim të strehimit dhe mbrojtjes nga ndjekjet e pamëshirshme të organeve jugosllave të sigurimit.

Një nga episodet më prekëse të kësaj përvoje dramatike ndodhi gjatë një ikjeje të rrezikshme, kur Fetije dhe Ismail Dragusha, së bashku me djalin e tyre të vogël, vetëm tetë muajsh, u detyruan të strehoheshin në një plevicë — një hapësirë primitive dhe e papërshtatshme për jetesë, ku kërkonin të mbijetonin të fshehur nga sytë dhe duart e ndjekësve.

Ky moment i dhimbshëm nuk është thjesht një episod individual, por një pasqyrë e qartë e sakrificave të panumërta të bëra nga familjet shqiptare, të cilat për hir të lirisë pranonin të duronin kushte çnjerëzore, të rrezikonin gjithçka — jetën, familjen, ardhmërinë.

Nëpërmjet rrëfimeve të tilla, historia e rezistencës shqiptare fiton një dimension edhe më të thellë njerëzor, duke na kujtuar se liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi dhimbje, mbi qëndresë dhe mbi një përkushtim të jashtëzakonshëm që nuk njeh moshë, gjini apo rrethana.

Organet e ndjekjes, pas një ndjekjeje të gjatë dhe të pamëshirshme, arritën të zbulojnë vendstrehimin e tyre. Në një natë të ftohtë dhe të errët, në orët kur gjumi e kishte pllakosur familjen e lodhur nga arratia, ndjekësit vepruan tinëzisht, duke e kthyer atë strehë të vogël e të mjerë në një skenë tragjedie të papërshkrueshme.

Aktet e tyre ishin monstruoze. Fillimisht, me bajoneta, i therën djalin e vogël tetëmuajsh, duke shuar në mënyrën më të egër jetën që sapo kishte filluar të lulëzonte. Pastaj, dhuna çnjerëzore vazhdoi mbi Fetije Dragushën, gruan e re dhe të bukur, të cilës barbarisht i prenë kokën. Në fund, ata vranë edhe burrin e saj, ushtarakun dhe luftëtarin e përkushtuar, Smajl Dragushën, duke përmbyllur kështu një akt të tmerrshëm të dhunës shtetërore që nuk kursente as fëmijët, as gratë, as burrat.

E tillë është historia jonë, e mbushur me episode dhimbjeje dhe sakrifice të pafundme, ku rastet si ai i familjes Dragusha nuk janë të vetmet. Fatkeqësisht, në historinë tonë ka me bollëk rrëfime të tilla, ku brutaliteti i pushtuesve tejkalon çdo kufi njerëzor, duke lënë pas plagë të thella në trupin dhe shpirtin e kombit tonë.

Duke i shkruar dhe lexuar këto fate tragjike, unë nuk kam mundur të qëndroj indiferente. Shumë net i kam kaluar pa gjumë, me zemrën e rënduar dhe mendjen e trazuar, duke ndjerë peshën e këtyre historive deri në palcë. Çdo dëshmi e tillë nuk ishte thjesht një fakt historik për t'u regjistruar, por një plagë e hapur që kërkonte ndjeshmëri, përkushtim dhe respekt të thellë.

Të shkruash për këto tragjedi do të thotë të përballesh me dhimbjen në dimensionin e saj më të thellë njerëzor, dhe njëkohësisht të mbash gjallë kujtesën e atyre që, edhe në momentet më të errëta, nuk e braktisën idealin e tyre për një Kosovë të lirë.

GM: Jeni bashkëpunëtore në një numër të madh botimesh. Cilat prej tyre do të veçonit si më të rëndësishmet?

SB: Në veprimtarinë shkencore dhe kulturore të kohëve të fundit, kanë marrë jetë shumë bashkëpunime që jo vetëm janë të mirëseardhura, por edhe tejet të dobishme për pasurimin e fushës së studimeve historike dhe kulturore. Këto bashkëpunime kanë shërbyer si ura të forta lidhëse ndërmjet studiuesve, institucioneve dhe komuniteteve, duke krijuar një klimë të re të dialogut shkencor dhe të shkëmbimit të ideve.

Në të njëjtën kohë, një numër i konsiderueshëm botimesh kanë dalë nga shtypi, duke zgjeruar ndjeshëm horizontin e literaturës së studimeve shqiptare. Këto vepra, përmes tematikave të trajtuara dhe qasjes së tyre rigoroze, kanë zgjuar interes të veçantë, në radhë të parë tek studiuesit, të cilët gjithnjë kërkojnë të pasurojnë njohuritë e tyre mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarëve. Megjithatë, ndikimi i tyre nuk është kufizuar vetëm në qarqet akademike, këto botime kanë tërhequr gjithashtu edhe vëmendjen e publikut të gjerë, duke nxitur kureshtje dhe reflektim mbi të kaluarën tonë të përbashkët.

Ky interes në rritje dëshmon se puna kërkimore dhe botuese, kur ndërmerret me përkushtim dhe seriozitet, arrin të tejkalojë kufijtë e zakonshëm të shkencës dhe të bëhet pjesë aktive e ndërgjegjes shoqërore, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një identiteti kombëtar më të vetëdijshëm dhe më të konsoliduar.

Thuajse të gjitha bashkëpunimet që kam pasur rastin ti përjetoj kanë qenë thellësisht interesante dhe frytdhënëse. Secili bashkëpunim ka sjellë një dimension të veçantë të punës kërkimore, duke e pasuruar procesin shkencor me ide të reja, perspektiva të ndryshme dhe qasje më të thelluara ndaj temave që kemi trajtuar. Këto bashkëpunime nuk kanë qenë thjesht përpjekje të përbashkëta për të realizuar projekte të caktuara, por kanë shërbyer si platforma të vërteta të shkëmbimit intelektual dhe të rritjes profesionale.

Puna në ekip, në veçanti, është shquar për një frymë bashkëpunimi të admirueshëm dhe të lakmueshëm. Ajo ka qenë një ndër përvojat më të vlefshme dhe më të kënaqshme të punës sime shkencore, ku secili anëtar i ekipit kontribuonte me dije, përvojë dhe pasion, duke u bashkuar në një qëllim të përbashkët, kërkimin dhe dokumentimin sa më të plotë e të ndershëm të së vërtetës historike dhe kulturore.

Ky model bashkëpunimi, i ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë dhe mbi përkushtimin ndaj dijes, është shembull i asaj se si puna e përbashkët mund të çojë në rezultate shumë më të mëdha se sa puna individuale, duke pasuruar jo vetëm literaturën shkencore, por edhe ndërveprimin njerëzor dhe shoqëror brenda komunitetit të studiuesve.

Ndër bashkëpunimet më të rëndësishme dhe më të frytshme që ia vlen të theksohen, zë vend të veçantë marrëdhënia e krijuar me Institutin e Historisë në Tiranë, bashkëpunim i cili ka dhënë fryte të shumta, ndër të cilat veçohet kontributi i përbashkët në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si dhe në shumë botime të tjera me rëndësi të madhe për studimet historike shqiptare. Ky bashkëpunim ka qenë dhe mbetet një model i shkëmbimit të dijes dhe përvojës ndërmjet institucioneve tona kombëtare, duke dëshmuar se bashkimi i forcave shkencore përçon një zë më të fuqishëm dhe më të artikuluar në shërbim të historisë sonë.

Po ashtu, duhet përmendur me respekt dhe mirënjohje bashkëpunimin e konsoliduar me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, një tjetër institucion që me përkushtim dhe seriozitet i është përkushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë shqiptare në hapësirat jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Në këtë rrafsh, nuk mund të lihet pa theksuar edhe bashkëpunimi i Institutit të Historisë "Ali Hadri" në Prishtinë me institutet simotra shqiptare në Tiranë dhe Shkup. Këto marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi kanë krijuar një rrjet të rëndësishëm bashkëpunues që ka ndihmuar në zhvillimin e një narrative të përbashkët historike, duke pasqyruar në mënyrë më gjithëpërfshirëse realitetin e popullit shqiptar dhe sfidat e tij ndër shekuj.

Në këtë vazhdë përpjekjesh shkencore, një nga projektet më të rëndësishme që meriton të përmendet është përgatitja e "Historisë së Kosovës", një vepër madhore që është parashikuar të dalë në tri vëllime. Ky projekt ambicioz pritet të sjellë një trajtim të thelluar dhe të gjithanshëm të zhvillimeve historike të Kosovës dhe, me shumë shpresë, shumë shpejt do të shohë dritën e botimit vëllimi i parë i kësaj historie. Një hap i tillë do të shënojë një kontribut të rëndësishëm në literaturën historike shqiptare, duke pasuruar njohuritë tona mbi rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të Kosovës drejt lirisë dhe shtetformimit.

Takimet e shpeshta që ne, si anëtarë të redaksisë, organizonim në fazat e para të punës sonë, kanë qenë ndër përvojat më të çmuara dhe më të frytshme në rrugëtimin tonë shkencor. Ato nuk përfaqësonin thjesht mbledhje rutinore për diskutimin e punëve të përditshme, përkundrazi, ishin forume të gjalla dhe dinamike ku shkëmbeheshin ide, përvoja dhe njohuri të thelluara shkencore.

Përmes këtyre takimeve, ne jo vetëm që pasuruam njohuritë tona individuale në fusha të ndryshme të studimeve historike dhe kulturore, por mbi të gjitha patëm mundësinë të njohim më mirë mënyrën e të punuarit të njëri-tjetrit. Duke vëzhguar dhe analizuar qasjet metodologjike të kolegëve tanë, ne ndërtuam një kuptim më të thellë për rëndësinë e metodës shkencore, të cilën e rafinuam përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm.

Këto takime ishin një shkollë më vete, një hapësirë ku eksperiencat individuale shndërroheshin në eksperiencë të përbashkët shkencore, ku dilemat dhe sfidat profesionale diskutoheshin hapur dhe ku çdo mendim kritik mirëpritej si mundësi për të përmirësuar jo vetëm projektet konkrete, por edhe qasjen tonë ndaj hulumtimit në përgjithësi.

Nëpërmjet këtij procesi të ndërsjellë të pasurimit dhe të zhvillimit profesional, u krijua një frymë pune kolektive dhe një nivel i ri bashkëpunimi që ndikoi ndjeshëm në rritjen e cilësisë së projekteve tona shkencore. Ishte një periudhë ku formohej, forcohej dhe konsolidohej një kulturë e re e kërkimit dhe e bashkëpunimit akademik, që do të linte gjurmë të qëndrueshme në rrugëtimin tonë të mëvonshëm shkencor.



(Vota: 118 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Politika Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Kosova Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Xhelal Zejneli - Kombi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Xhelal Zejneli - Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Profesorin dhe Publicistin Xhelal Zejneli Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin çam, Fahri Dahri - Për Çamërinë Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Komunizmi në Shqipëri Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me poetin dhe shkrimtarin Gëzim Murajza Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin dhe publicistin Fahri Xharra Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me artistin shumë-dimensional Frederik Ndoci

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx