Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Komunizmi në Shqipëri
E shtune, 22.02.2025, 01:00 PM
INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN SHQIPTARO-AMERIKAN FRANK SHKRELI (II)
KOMUNIZMI
NË SHQIPËRI
Në pjesën e dytë të intervistës me gazetarin e shquar Frank Shkreli, do të përqendrohemi në një nga periudhat më të errëta dhe më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë – kohën e regjimit çnjerëzor komunist.
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
GM: Gjatë periudhës së pushtimit serb, pas atij osman, të
‘Shqipërisë-jashtë-Shqipërisë’, si dhe gjatë pushtimit komunist të Shqipërisë,
shqiptarët që jetonin jashtë trojeve të tyre ishin të vetmit që gëzonin lirinë.
Si e përfytyronit Shqipërinë në ato kohëra?"
FSH: Edhe njëherë i
nderuar Gëzim, të falënderoj për mundësinë, që në këtë intervistë për “Zemra
Shqiptare”, të shpreh për lexuesit mendimet e mia mbi disa ngjarje të jetës
time 75-vjeçare dhe disa nga pikat kryesore të veprimarisë time modeste gjatë
atyre dekadave, por dhe mendime të hedhura edhe mbi çështje tjera. Në
pjesën e parë të intervistës, javën e kaluar, je shprehur se shqiptarët janë
përballlur me vështirësi të ndryshme sociale dhe ekzistenciale, ç’prej fillimit. Besoj se këto vështirsi, në radhë të parë, përveç
varfërisë së thellë, përfshinin mungesën e lirive bazë të njeriut, siç i njohim
sot, për të mos thënë asgjë për demokracinë, që në trojet tona, historikisht,
liria e demokracia, as nuk njiheshin si koncept ose si ide -- as në teori, e në
praktikë jo se jo. Siç kam thënë edhe herë tjera, Shqipëria e asaj kohe ishte
një vend ku populli ishte i zenë rob. Bazuar në informacionet e pakta që
merrnim në atë kohë nga ndonjë shqiptar që kishte pasur fatin të kalonte
kufirin, ose lajme nga shtypi perëndimor mbi regjimin e Enver Hoxhës,
përfytyronim një vend ashtu siç ishte, vërtetë, mos më keq: një vend ku regjimi
ekzekutonte, burgoste e internonte mijëra kundërshtarë politikë. Përfytyronim,
dhjetëra mijëra shqiptarë – përfshirë gra, pleq e fëmijë – të familjeve “kulake”,
shpesh ndër më të mirat e Shqipërisë, që
regjimi dënoi në burgjet dhe kampet e punës e të internimit, anë e mbanë
Shqipërisë. Nga kjo anë e oqeanit, përfytyrohesh
një Shqipëri -- skenë krimesh kundër njerzimit. Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës e
shikonim si një mishërim i doktrinës totalitare maoiste me praktikat staliniste-hoxhiste,
një kombinim e produkt i keq e më shumë i rrezikshëm për njerëzimin. Një
përzierje helmuese kjo e shekullit të kaluar që Kombi shqiptar e pagoi
shtrenjtë e që për fat të keq, trashëgimia dhe pasojat i shohin edhe sot në
jetën politike e shoqërore të vendit. E çka është më keq, ai kombinim i flliqët
politiko-ideologjik sllavo-komunist lindor, aq i huaj për traditat shekullore
shqiptare, vazhdon të mbrohet e të ruhet nga kjo klasë politike aktuale në
Shqipëri. duke e larguar gjithnjë Shqipërinë nga ideja naimjane, se për shqiptarët
dielli lind në perëndim. Ishim të
vetdijshëm për Shqipërinë si vendi më i varfër, më izoluar, politikisht dhe ekonomikisht
në Evropë, ndoshta në botë. Ishim të vetdijshëm gjithashtu edhe për një Evropë,
e cila i trajtonte shqiptarët si një fis të harruar të saj, e pa interesuar për
fatin e tyre nën komunizëm. Për nji Shqipëri
që në përpjekjet për të krijuar “njeriun e ri” sipas dogmës marksiste-leniniste
– Shqipëria komuniste – për një gjysëm shekulli – si talebanët e Afganistanit
më vonë -- kishte zhdukur një thesar
të pafund trashëgimie kulturore kombëtare dhe botërore. Kështuqë, përfytyrimi
nga Amerika e largët, i gjendjes në Shqipërinë komuniste dhe realiteti atje
gjatë shekullit të kaluar, nuk ishin shumë larg njëra tjetrit, siç zbulova në
vizitën e parë në Shqipëri me delegacionin e Departamentit amerikan në mars-prill,
1991.
GM: A keni pasur ndonjëherë kontakt me shqiptarë nga
Shqipëria gjatë periudhës së regjimit komunist?
FSH: Me shqiptarë që
jetonin brenda kufijve të Shqipërisë komuniste, jo, se ishte e pamundur të
komunikoje, madje as me dajat e mi në Vermosh -- gjatë sundimit të komunizmit,
deri në vitin 1991, pra. Në mërgim, sidomos në Amerikë por edhe në Evropë, kam
njohur e takuar shumë shqiptarë-mërgimtarë të lindur në Shqipëri, të arratisur
nga komunizmi. Me disa edhe kam punuar për një kohë të gjatë në Zërin e
Amerikës dhe me disa të tjerë jam njohur në aktivitetet e komunitetit
shqiptaro-amerikan. Mund të them se disa
prej tyre kanë qenë ndër më të dalluarit e Kombit -- flasë për ata që u larguan
menjiherë pas themelimit të regjimit komunist në Shqipëri. Do të ishin shumë
për t’i numëruar, por e vërteta është se ne në mërgim, nuk i vemë shumë rëndësi
faktit se nga cilat krahina të Arbërisë vijmë – mjafton të jesh shqiptar për të
cilin Atdheu është dhe duhet të jetë mbi të gjitha – mbi partitë dhe interesat
personale – e kam fjalën, kryesisht, për mërgatën e vjetër të shqiptarëve,
kryesisht, në Amerikë por edhe për një pjesë të mërgatës shqiptare në Evropë.
As ata nuk ishin engjuj, komuniteti i kishte sfidat e veta, por ama në fund të fundit, kur e kërkonin
interesat kombëtare, si komunitet megjith ndryshmet politike midis tyre, ata
ishin, kryesisht, të bashkuar. Objektivat rreth të cilave të gjithë ishin
dakort: Shqipëria e lirë prej komunizmit, Kosova e lirë prej okupimit
serbo-sllav, por edhe Shqipëria etnike, si ideal.
GM: Si e përshkruani ju Shqipërinë reale gjatë
periudhës 1944-1990? Cilat ishin elementët dhe faktorët kryesorë që e
karakterizuan atë periudhë të errët të historisë shqiptare?
FSH: Siç e thashë
edhe më lartë, Shqipëria ishte një vend i zenë rob nga një bandë përfaqsuese e
një ideologjie anti-shqiptare lindore sllavo-aziatike. Me një regjim, kombinim
i flliqët politiko-ideologjik lindor, aq i huaj për traditat shekullore
shqiptare, sa që ndryshoi çdo gjë, nga themelet e tzraditës kombëtare, për t’iu
përshtatur sa më mirë interpretimit dhe zbatimit të komunizmit, si askush
tjetër në botën e atëhershme komuniste. Shqipëria nën komunizëm, për një gjysëm
shekulli ishte, si nusja me shumë dhëndrra. Duke ndryshuar kështu karakterin
dhe fizionominë e shqiptarit në përgjithësi dhe atë morale e shpirtërore në
veçanti. Komunistët shqiptarë, fillimisht
me serbo-sllavët – pjellë e të cilëve ishin si krijesë -- armiqtë historik të
Kombit. Pastaj me sovjetikët (rusët), për tu lidhur ngusht pastaj me kinezët,
duke e bërë Shqipërinë komuniste, pothuaj në kuptimin e vërtetë të fjalë, një
republikë kineze. Ishte një periudhë fatzezë për Kombin shqiptar kur në
Shqipëri, influencat e huaja mbizotëronin në çdo fushë të jetës politike,
ekonomike, ushtarake, kulturore e tjera. Kujtojmë shpalljen e Shqipërisë shteti
i parë ateist në botë. Me përvetsimin e të ashtuquajturit “revolucion kulturor”
kinez, Shqipëria e Enver Hoxhës pranoi të zbatonte në vend një indoktrinim
maoist-komunist gjithëpërfshirës në trojet tona, jo vetëm duke kërcënuar kështu
çdo gjë shqiptare -- traditat dhe vlerat kombëtare shekullore -- por edhe duke
zhdukur çdo ngjasim ose ide për konceptin e lirisë në Shqipëri. Mjafton të
përmend, “zakonet prapanike” dhe “zhdukja e fesë” në fjalimin embajtur më 6 shkurt
1967, kur vërtetë filloi periudha më tragjike e popullit, shqiptar. “Ti djegim
me zjarr”, ishte porosia e tij e Enver Hoxhës-- Frank Shkreli: Shkurti i zi i
vitit 1967, kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit | Gazeta Telegraf
GM: Si i shihni ndikimet e periudhës së regjimit komunist në
formimin e shqiptarit të sotëm? Cilat ishin disa nga pasojat më të dukshme të
regjimit në shoqërinë shqiptare?
FSH: Shqipëria
komuniste dallohej për më keq, në shumë pikëpamje, nga shtetet e tjera
komuniste evropiano-lindore. Regjimi
komunist i Enver Hoxhës ishte brutal ndaj vet shqiptarëve, sidomos,
kundërshtarëve të ti, por shumë servil ndaj fuqive të huaja me të cilët ai
regjim kishte lidhur aleancat- me jugosllavët, sovjetikët e më në fund me
kinezët. Shqipëria ishte kthyer në një diktaturë të egër totalitare. Pasojat
ishin themelimi i një sistemi politik një-partiak i udhëhequr nga një diktator “par
excellence”. I cili ishte krijuar një sistem kontrolli e terrori mbi shoqërinë
në përgjithsi e që kishte vendosur një monopolizim mbi çdo aktivitet të shtetit
e shoqërisë mbi ushtrinë e policinë, arsimin e kulturën e madje edhe gjuhën.
Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, shoqëria shqiptare po i përjeton pasojat
e periudhës së gjatë totalitare, ndonëse pak më të buta, por rezultati është
pothuaj i njëjtë. si rrjedhin i rrethanave politike në Evropë dhe në botë.
Shqipëria (demokratike” anëtare e NATO-s,
sot ende konsiderohet si një vend “pjesërisht i lirë”, sa i përket zbatimit të
lirisë e demokracisë, lirisë së shtypit dhe të fjalës -- vendi më i varfër në
Evropë, nga pikëpamja ekonomike. Sa
shkrime modeste kam botuaar gjatë viteve duke sjellur në vëmendje refuzimin e
klasës politike shqiptare për tu përballlur me të kaluarën komuniste dhe për të
dënuar krimet e regjimit të Enver Hoxhës, në përpjekjet për të shlyer sado pak,
pasojat mbytëse të regjimit komunist, pothuaj gjysëm shekullor. Sa herë kam
shkruar se pa demokraci në parti nuk as demokraci Shqipëria. Por kështu u konvenon udhëheqsve të kësaj
klase politike të ashtuquajtur “post-komuniste”. Muri i Berlinit mund të jetë shembur në vitin
1989, por shumë nga pasojat e komunizmit në Shqipëri janë, kryesisht, të pa
trazuara sot në vitin 2025 – siç dëshmojnë zhvillimet e fundit në skenën politike
shqiptare. Për këtë situatë të krijuar edhe shoqëria shqiptare duhet të mbajë
përgjegjësitë e veta – sidomos intelektualët e Kombit. Me të thenë të drejtën,
duke i parë se si po zhvillohen punët në trojet shqiptare, kam drojë se po
përjetësohen pasojat e regjimit të kaluar por, në përgjithsi, edhe e
trashëgimia e të keqes komuniste ndër shqiptarët. Uroj të jem i gabuar.
GM: Komunizmi në Shqipëri, pa as më të voglin dyshim, ishte
regjimi më çnjerëzor në Europë, duke shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme për
popullin shqiptar. Si mund të shpjegohet intensiteti i shtypjes dhe kontrollit
të pafundëm mbi individët dhe shoqërinë shqiptare gjatë regjimit komunist?
FSH: Është pak e
vështirë t’i përgjigem kësaj pyetjeje. Duhet të jetë njeriu psikolog
ose psikiatër, ndër të tjera, për të dhenë mundësisht, një përgjigje të sakt
për mendje të çmendura që kryejnë krime të tilla. Unë nuk mund të pranojë se
Enver Hoxha ishte personifikim i karakterit të shqiptarit, kur flitet për
intensitetin e shtypjeve, ndaj kundërshtarëve të tij. Janë disa që thonë se
shumica e shqiptarëve kanë prirje majtiste ekstreme, kështuqë e ka bërë
diktatorin Hoxha, më të pranueshëm ose më tolerant për ta, megjith krimet e
paimagjinueshme. Përndryshe si është e
mundur që Shqipëria ishte vendi i fundit stalinist në Evropë e që njihej, jo më
kot, si ndër vendet më shtypse, më paranoike dhe më i izoluar në botë. Sepse kemi
të bëjmë me një lider komunist shqiptar – Enver Hoxhën – i cili mbeti
dishepulli më besnik e më fanatik i Stalinit – përgjegjësit të miliona viktimave
të kundërshtarve të komunizmit. Enveri kishte mësues Stalinin, më të “mirin” ndër kriminelët e botës –
babai i terrorit të kuq! Enveri u përpoq
dhe ia doli që të zbatonte në Shqipëri shumë nga aspektet e stalinizmit, që
bota tjetër komuniste sidomos në Ebvropë, e kishte dënuar Stalinin dhe krimet e
tija kundër njerzimit. Ndërsa Enver Hoxha e cilësonte stalinizmin, “Demokraci
Popullore”.
GM: Tirania e komunistëve, pas marrjes së pushtetit dhe deri
në rënien e tij, e zbehu mirënjohjen ndaj atyre që luftuan me ndershmëri për
çlirimin e atdheut, për aq sa kishin mundësi. Lufta e tyre u kurorëzua me
pushtimin e Shqipërisë nga regjimi komunist, një pushtim që, për nga mizoria,
nuk kishte të krahasuar me pushtimin fashist apo nazist. Ky është mendimi im.
Si e shihni ju Lëvizjen Nacional Çlirimtare?
FSH: Unë nuk kam
ndonjë problem me Lëvizjen Nacional Çlirimtare as me shqiptarët që sakrifikuan
jetët në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi. Ajo që më ka shqetësuar
dhe më shqetëson është fakti se lufta për çlirim vazhdon të lidhet me periudhën
që pasoi Luftën e II Botërore, pra me komunizmin e Enver Hoxhës, si “çlirim”
dhe me krimet barbare të regjimit të tij kundër shqiptarëve që e kundërshtonin atë
regjim stalinist, diktatorial që robëroi shqiptarët për pothuaj një gjysëm
shekulli. Në lidhje me këtë temë mund të lexoni më gjerësisht: ‘Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja
Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! | Gazeta Telegraf – Për fat të keq, komunistët shqiptarë përfituan nga
rrethanat politike të pas Luftës së II Botërore. Disa historianë jashtë
Shqipërisë kanë konstatuar se e ardhmja e Shqipërisë komuniste është vendosur
kur Winston Churchill-i I dha mbështetjen e plotë partizanëve jugosllavë të
Tito-s pas konferencës së Teheranit, me 1943. Churchilli citohet të ketë thënë se, “mbështesim ata që i bëjnë dëmin më të madh
gjermanëve”. Thjeshtë, nga ky vendim kanë përfituar edhe komunistët shqiptarë,
si pjellë e Lëvizjes Komuniste Jugosllave dhe si aleatët e ngushtë komunist të
Titos, të cilët themeluan komunizmin në Shqipëri. Për fat të keq, ky vendim, siç dihet, goditi rëndë jo vetëm Shqipërinë
por edhe Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, anë e mbanë trojeve tona.
GM: Diktatori Enver Hoxha dënoi me internim, burg dhe vdekje
edhe fëmijët në barkun e nënës. Nuk ka pritur as që të lindin për t’i dënuar!
Me barbarizmin e tij shkatërroi qindra mijëra jetë, jo vetëm në Shqipëri por
edhe në Kosovë e më gjerë. Monstruoziteti dhe antishqiptarizmi i tij fakton
ekzistencën e djallit, qoftë edhe për “ateistët’’. Për një ‘’copë’’ poezi, ua
mori fëmijëve babanë dhe e pushkatoi në një përrua. Për mendimin tim, Hoxha
është gjallesa më e çmendur që ka ekzistuar në trojet tona. Ju si do e
profilizonit Diktatorin Enver Hoxha?
FSH: Nuk di se çfarë
të shtoj pasi jam plotësisht dakort me të gjithë karakterizimin tënd të
diktatorit Enver Hoxha. Mjer kombi që e pati. Pyetja ime është se si është e
mundur që individë në pozitat më të larta të qeverisë, të shtetit e të
drejtësisë shqiptare, por edhe në botën akademike e shkencore sot shprehen
nostalgjikë për të dhe për regjimin e tij diktatorial. Por nuk janë vetëm zyrtarët aktualë. Para nja 6-7
vitesh në një raport të OSBE-s në Shqipëri thuhej se 50% e shqiptarëve e donin
Enver Hoxhën, megjith krimet e atij regjimi. “Ishim më mirë kur ishim më keq”,
është një frazë që përdoret sot në Shqipëri kur populli krahason atë periudhë
me gjendjen aktuale. Nuk e di nëse kjo përqindje vazhdon të jetë e tillë edhe
sot, por sidoqoftë kjo situatë vërtetë duhet të shqetësojë të gjithë, për një
shoqëri si ajo shqiptare që ka përjetuar diktaturën më të ashpër komuniste në
Evropë. Nuk ndihmon fakti se qeveritë e njëpasnjëshme të këtyre 35 viteve
tranzicion në Shqipëri, nuk kanë dënuar ende krimet e regjimit të Enver Hoxhës
as nuk janë përballuar, zyrtarisht, me periudhën e diktaturës komuniste –
ndërkohë që shumica e vendeve të qytetëruara i konsiderojnë diktaturat si
regjime që, domosdoshmërisht, duhen dënuar! Mos dënimi zyrtar i krimeve të
komunizmit në Shqipëri është dhe mbetet një dështim moral e politik i
ndërgjegjës njerëzore dhe kombëtare. Kur një popull harron Zotin, ose që e
shpall veten kundër Zotit, atëherë çdo gjë bëhet e pranueshme. Edhe monstruoziteti
i krimeve të regjimit të Enver Hoxhës!
GM: Në Shqipërinë ateisto-komuniste, shumë klerikë u dënuan
politikisht, me internime, burgosje dhe vdekje. Një aspekt i veçantë ishte se
Kleri Katolik përbënte një ''viktimë speciale''. Pse u ushtrua një egërsi kaq e
madhe ndaj klerit dhe posaçërisht atij katolik?
FSH: Është vështirë të penetrojë njeriu normal në mendjen
djallëzore të një maniaku paranoik si Enver Hoxha se pse kishte venë në shënjestër
për të zhdukur, sidomos, Kishën Katolike Shqiptare dhe klerin e saj. Ka
versione të ndryshme, përfshirë motivet fetare dhe krahinore, në të cilat nuk
dua të hyj. Ndoshta i kishte frikë
klerikët katolikë si njerëz që kryesisht ishin edukuar në perëndim. Shumë më
parë kam lexuar në njërin prej librave të ish-disidentit jugosllav Milovan
Djilas, ku ai ka kujtuar një bisedë me Stalinin në Moskë në vitet e para të
komunizmit në Ballkan, ku raporton se diktatori sovjetik i kishte kërkuar zyrtarit
të lartë komunist jugosllav që t’u përcillte një mesazh “shokëve” në Tiranë:
“Nëqoftse doni të ruani pushtetin e proletariatit, eliminoni Kishën dhe klerin
katolik shqiptar”. Enveri as nuk i interesonte fare kontributi që kleri katolik
shqiptar i kishte dhenë Kombit, historikisht.
Sipas të ndjerit Profesor Sami Repishti, një bashkvuajtues me shumë klerikë katolikë
shqiptarë në burgjet e Enver Hoxhës, në librin e tij, “Lotë, Lavdi e Lumnim”-- Frank Shkreli: Sami Repishti:
“Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf – ka shkruar se për diktatorin Hoxha dhe xhelatët e tij nuk
kishte rëndësi fakti as të dinte se, “Klerikët e martirizuar, në të vërtetë,
përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për
qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e
Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj
robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në
shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe
besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në
kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e
tashti vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane”,
shprehet i ndjeri Profesor Sami Repishti për klerikët e vrarë, të cilët Ernest
Koliqi i ka quajtur në një artikull, “Rreze Qytetnije të Fikuna”. Jam dakort me
Profesor Sami Repishtin dhe me Ernest Koliqin se tragjedia e klerit katolik
shqiptar nën komunizëm “I ven një njollë të madhe kombit”. Por ajo që dimë për këto “viktima speciale”
të komunizmit dhe që tani e di gjithë bota -- është se, “Ajo që ka ndodhur në
Shqipëri, të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e
njerëzimit…Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!”, ka thënë Papa
Gjon Pali II, në vizitën e tij në Shqipëri në vitin 1993.
GM: Shkodër, 14 janar 1990. Shkodranët dolën hapur kundër
stalinizmit duke kërkuar rrëzimin e bustit të diktatorit Stalin. Ky ishte
fillimi i fundit të sistemit diktatorial në Shqipëri. Edhe pse Shqipëria ishte
në një gjendje më të vonuar krahasuar me vendet e tjera komuniste, protestat u
përhapën shpejt në gjithë vendin dhe çuan në rënien e një sistemi çnjerëzor. Si
e keni përjetuar këtë periudhë historike?
FSH: Ishte një
periudhë shpresëdhense, gati e pabesueshme, por edhe e rrezikshme. Demonstrata
e parë anti-komuniste në Shkodër – u quajt e “heshtur”, por jehona e saj ishte
e madhe edhe për ne në Amerikë. Nuk kishte si të mos filloninte në Shkodër,
qyteti më i vuajtur nga komunizmi. Një shenjë dhe simbol se diçka vërtetë po
lëvizte në Shqipëri. Se së shpejti kjo demonstratë mjaft e guximshe për atë
kohë, do të shkundte themelet e nji regjimi barbar, terrorist dhe i korruptuar
që, për pothuaj gjysëm shekulli, kishte zenë rob, jo vetëm Shkodrën e kulturës
e të atdhedashurisë, por një popull të tërë. Megjithse siç thua edhe vet, ishte
një akt i vonuar në krahasim me ish-vendet e tjera komuniste në Evropë, ku kishin
filluar tanimë ndryshimet e mëdha,
demonstrata e shkodranëve në Janar, 1990 na bindi edhe ne këndej përtej
oqeanit se edhe Shqipërisë staliniste – që për dekada kishim dëgjuar të
përshkruhej si “kalaja e pamposhtur” e marksizëm-leninizmit-stalinist në Evropë
e në botë – i kishte ardhur fundi. Shpresonim që të mos kishte dhunë, por për
fat të keq dhuna kundër shkodranëve ndodhi në prill, 1991. Ishte e qartë se demonstrata e parë anti-komuniste
në Shkodër kishte hapur dyert e protestave të tjera anë e mbanë Shqipërisë –
dhe se nuk kishte më kthim mbrapa. “The rest is history”, pjesa tjetër i takon
historisë. Një vit më vonë, mars/prill 1991, regjimi komunist e kishte gjithnjë
frikë Shkodrën anti-komuniste. Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të
Shtetit, pjesë e të cilit isha edhe unë -- kishte vendosur të shkonim në
Shkodër, Me të marrë vesh Ministria e Jashtme e Shqipërisë së kishim vendosur
të udhëtonim drejt Shkodrës, na këshilluan që të mos shkonim se qyteti verior,
është një “qytet me probleme…por nëse ngulni këmbë që të shkoni, atëherë ne
rekomandojmë që të keni “shoqërues” me vete”, na sugjeruan “shokët” e Ministrisë.
Përgjigja e delegacionit ishte, se ne do “shkojmë në Shkodër dhe se nuk kemi
nevojë për “shoqërues”. Frank Shkreli: Shkodra në sytë e
delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri –
mars/prill, 1991 | Gazeta Telegraf
Diktatori me diktatorët
GM: Si pasqyrohet pashpirtësia e diktatorit Enver Hoxha në
politikat e tij ideologjike, që shpeshherë shfaqnin një naivitet pervers, duke
i kthyer shqiptarët - veçanërisht ata të Kosovës - në "mish për top",
dhe duke i bërë viktima të interesave të fuqive të huaja si Jugosllavia dhe
Bashkimi Sovjetik?
FSH: Njeriu duhet të jetë psikolog ose psikiatër që të gjykojë çmendurinë dhe pashpirtësinë e Enver Hoxhës, Por unë nuk kuptoj se sa i madh është numri i shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por sidomos edhe në Kosovë që sot e kësaj dite ushqejnë simpati, ruajnë dhe mbrojnë trashëgiminë e një diktatori barbar si Enver Hoxha. Ishim dëshmitarë të propagandës aq efektive të regjimit komunist të Enver Hoxhës që ushtrohej drejtuar shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Megjithë dëmet që Enver Hoxha i ka shkatuar Kombit, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, prapseprap, disa elementë të shqiptarve në ish-Jugosllavi, të idoktrinuar në marksizëm-leninizëm, shikonin drejtë Tiranës komuniste për ndonjë ndihmë, përballë halleve të tyre të vështira politike dhe ekonomike nën Jugosllavinë komuniste. Disa e jutifikojnë këtë si të pranueshme nën rrethanat e asaj kohe, Unë them se shqiptarët e Kosovës duhej të ishin më të informuar se ç’po ndodhte në Shqipërinë komuniste. Por sot, unë nuk e kuptoj dhe nuk mund ta justifikoj nostalgjinë enveriste që shfaqet haptazi, jo vetëm në Shqipërinë “demokratike post-komuniste”, por edhe në disa qarqe të shoqërisë në Republikën e Kosovës. Enver Hoxha ishte krijesë, pikërisht e asaj partie komuniste jugosllave dhe regjimit të saj në Beograd, vrasëse, përgjegjse për pastrime etnike dhe për gjëndjen e mjeruar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Enver Hoxha nuk është më, por hija e tij për fat të keq, vazhdon të jetë e pranishme pothuaj në të gjitha hapësirat shqiptare, sepse e vërteta historike nuk mësohet ose anashkalohet, qëllimisht në shkollat shqiptare. Kur flitet për nostalgjinë enveriste më kujtohen fjalët e Ismail Kadaresë të para disa viteve, i cili ka pralajmëruar në lidhje me nostalgjinë komunisto-enveriste se, “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqës, po ngrihet”, sidomos në Shqipëri por edhe në trojet shqiptare, përfshirë Kosovën. Paralajmërimi i Kadaresë duhet marrë seriozisht. 35-vjet më parë, Shqiptarët e rrëxuan murin e tyre të Berlinit. Por ngritja e një muri të ri në mbrojtje të së keqes komunisto-enveriste në trojet shqiptare, do të ishte tepër e rrezikshme për shqiptarët. Në lidhje me këtë, Shqipëria dhe Kombi shqiptar meritojnë më shumë përgjegjësi morale dhe politike nga udhëheqsit dhe elita intelektuale e politike e sotme, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë! Heshtja nuk u ka hije, jo! Frank Shkreli: Nostalgjikët e komunizmit, moralisht të falimentuar dhe materialisht të korruptuar | Gazeta Telegraf
GM: Në Shqipëri, ishte e pranishme propaganda kundër
''Imperializmit Amerikan''. A përmendej Shqipëria në politikën dhe mediat
amerikane gjatë atyre kohërave?
FSH: Pak ose aspak. Sa i përkiste politikës -- është fjala për politikën
e jashtme amerikane -- Shqipëria përmendej, pak a shumë, një herë në vit nga
Depratmaneti Amerikan i Shtetit me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Pavarësisë.
(DASH) lëshonte një deklaratë dhe Zëri i Amerikës e transmetonte atë. Shpesh në atë deklaratë, Shtetet e Bashkuara shprehnin
gatishmërinë për të vendosur lidhjet diplomatike midis dy vendeve por kurrë nuk
kishte ndonjë përgjigje nga Tirana. Shpesh urimi nga Amerika injorohej nga
regjimi komunist por ndodhte, varsisht nga gjëndja ndërkombëtare e kohës, që
Tirana zyrtare, ndonjëherë të kritikonte ofertën amerikane për rishqyrtimin e
marrëdhënieve. Gjuha standarde e Tiranës, nepërmjet shtypit të kontrolluar të
regjimit, ishte se Shqipëria Socialiste nuk do të lidhte kurrë marrëdhënie me
imperialzmin amerikan. Ndodhte gjithashtu që ndonjë zyrtar i lartë i DASH, ndonëse
rrallë, të jepte intervistë për Zërin e Amerikës, siç ishte intervista e Mark
Palmer, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore,
për të folur ekskluzivisht për Shqipërinë. Sa i përket politikës së brendshme
të Amerikës, as nuk bëhej fjalë. Shqipëria, pothuaj, nuk ishte fare në radarin
e Washingtonit. Larg syve, larg zemrës! Sa i përket medias amerikane, vet-izolimi
ekstrem i Shqipërisë komuniste nga bota – sidomos nga vendet perëndimore, e në
veçanti nga Shtetet e Bashkuara, ishte aq i rrept. Ashtuqë ishte e pamundur për
gazetarët perëndimorë, sidomos ata amerikanë, të vizitonin Shqipërinë si
gazetarë. Edhe kur lejohej ndonjë grup
simpatizantësh të regjimit të Enver Hoxhës nga Evropa ose vende të tjera të
vizitonin Shqipërinë ndodhte që futej ndonjë gazetar pa u deklaruar i tillë. Më
kujtohet se ndër gazetat në zë të Amerikës, ishin Nju Jork Tajms dhe Christian
Science Monitor, që nga koha në kohë, botonin ndonjë shkrim origjinal ose të
ribotonin nga burime evropiane ndonjë artikull mbi Shqipërisë komuniste, por
shumë rrallë.
GM: Si e vlerësoni rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
dhe vendeve europiane në procesin e rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri?
FSH: Shembja e Murit të Berlinit me 1989 që
rezultoi në shembjen e regjimeve të komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Evropë
ishte një ndërmarrje e përbashkët amerikano-evropiane dhe nuk ishte e drejtuar vetëm
ndaj shembjes së komunizmit në një vend, siç ishte Shqipëria, ose ndonjë vend
tjetër, por ishte një luftë që duhej fituar për çlirimin e Evropës nga
komunizmi -- arkitekti i të cilës, sipas historianëve ishte presidenti i
Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, megjithse nuk ishte i vetëm në këtë nismë
historike. Duhet thënë se edhe Shqipëria ishte pjesë e kësaj ndërmarrjeje historike
e botës perëndimore demokratike, për të shembur njëherë e mirë komunizmin në
Evropë, si një sistem qeverisës. Ishin
Ronald Reagan, Margareth Thatcher, udhëheqës të tjerë evropianë si Kancelari gjerman
Helmut Kohl dhe Papa Gjon Pali II. Një rol me rëndësi ka luajtur natyrisht edhe
udhëheqsi i atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev. Ishin këta motorat shtytës që
më në fund bënë ndryshimin historik, jo vetëm në Evropë por edhe në botë, në
mbarim të shekullit XX. Me ndihmën edhe
të faktorëve tjerë kombëtarë e ndërkombëtarë, si radiostacionet ndërkombëtare, Zëri
i Amerikës, (VOA), BBC-ja dhe Radio Evropa e Lirë. Për rolin e pazevendësueshëm
të këtyre radiove janë prononcuar shpesh, Lech Walesa dhe Vaclav Havel, ndër të
tjerë disidentë evropianë. Edhe udhëheqës shqiptarë nga të gjitha trojet janë
deklaruar për rolin që Zëri Amerikës në gjuhën shqipe ka luajtur gjatë dekadave
në rrëximin e komunizmit në Shqipëri. Një rol të fortë në rreximin e komunizmit në
përgjithësi, kanë luajtur gjatë viteve para shembjes së Murit, edhe lëvizjet e
qendresës anti-komuniste në Evropën Lindore e Qendrore, si Lëvizja Solidarnost
në Poloni dhe organizata të drejtave të njeriut në vende të tjera të rajonit.
Kështuqë, unë vlerësoj se Presidenti Ronald Reagan me vendosmërinë e tij me
vepra dhe me fjalë: “Zoti
Gorbaçov, shembeni këtë mur!” -- mund të ketë qenë
arkitekti kryesor i mbarimit të komunizmit në Evropë, por fitorja e lirisë kundër
komunizmit ndërkombëtar mendoj se, në përgjithsi, ishte një fitore e
bashkpunimit të ngushtë amerikano-evropian, në nivel ndërkombëtar. Bota sot ka
nevojë për burrështas të tillë – përball sfidave të mëdha me të cilat përballet
njerëzimi.
GM: Si e vlerësoni rolin e Azem Hajdarit, si lider i
studentëve, dhe kontributin e individëve të tjerë të rëndësishëm, si Sali
Berisha, së bashku me pjesëmarrjen e qindra e mijëra studentëve, intelektualëve
dhe qytetarëve të thjeshtë, në forcimin e lëvizjes studentore dhe rinore që
kulmoi më 8 dhjetor 1990, duke çuar në rrëzimin e regjimit komunist në
Shqipëri?
FSH: Me të thenë të
drejtën, unë kam respekt për të gjithë liderët e studentëve, përfshir Azem
Hajdarin të cilin e kam njohur pas disa takimave me te. Ishin kohë të vështira
për të gjithë. Respektoj edhe guximin e secilit student/e dhe të gjithë të
tjerëve që kanë marrë pjesë në atë kohë, në lëvizjet demokratike. E di se nuk
ishte kollaj të dilnin në protesta anti-komuniste, se regjimi komunist, Sigurimi
i Shtetit dhe “Pionerët e Enverit”, kontrollin gjithëçka dhe ishin gjithnjë në
gjendje të shkaktonin gjakdershje masive në popull. Nuk më pëlqen të komentoj
ose të vlerësoj kontributin e njërit ose tjetrit të asaj periudhe, sepse
rrezikoj të mos përmenden pjesëmarrës të tjerë me kontribute. Historia e
komunizmit në Shqipëri por edhe zhvillimet demokratike dhe roli i individëve të
veçant në to, ndërkohë që diktatura komuniste, ishte në ditët e fundit të saj,
ndoshta zyrtarisht, por jo aktualisht – duhet patjetër të rishkruhet nga
historianë të vërtetë të një brezi të ri – që të mos jenë as të lidhur familiarisht,
as të influencuar nga iedologjia komuniste.
GM: A mendoni se është bërë mjaftueshëm për të dokumentuar,
hetuar dhe reflektuar mbi periudhën komuniste në vendin tonë? A janë të
mjaftueshme përpjekjet për të trajtuar pasojat e regjimit, si dhe për të
ruajtur kujtesën historike për brezat e rinj? Cilat janë sfidat dhe mundësitë
që ekzistojnë për një reflektim më të thelluar dhe një trajtim më të plotë të
asaj periudhe?
FSH: Siç thashë edhe
më lartë, historia duhet të rishkruhet nga historianë të vërtetë, të një brezi
të lindur pas 1990-ave, mundësisht të arsimuar në perëndim: larg nga profesorët
dhe akademikët e periudhës së komunizmit. U takon historianëve të vërtetë që të
vlerësojnë nëse është bërë mjaft, por nga pikëpamja ime nuk është bërë mjaft
për të vërtetën ashtu siç kanë ndodhur dhe zhvilluar punët. Por sfidat janë të
shumta. Nuk ka vullnet që, jo vetëm politika që nuk distancohet, zyrtarisht,
nga e kaluara komuniste por edhe komuniteti akademik e shkencor në Shqipëri ka
mbetur i lidhur me atë periudhë fatzezë të historisë së Kombit. Uroj që koha të
bëjë ndryshimin, por vej re se edhe disa historianë dhe akademikë të brezit të ri,
me mendime majtiste, sikur e ndjejnë për detyrë të mbrojnë ose në minimum të
mos kritikojnë – të jenë “asnjanës” -- ndaj historiografisë komuniste, që ende
mbizotëron në tekstet shkollore dhe universtare. Unë vazhdoj t’i mbetem besnik mendimit tim se
pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancim serioz të
Shqipërisë nga krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasojat e tmershme
të atij regjimi mbeten edhe 35 vitesh n[ mbarë shoqërinë shqiptare. Aktualiteti politik dhe zhvillimet në vend po
tregojnë, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një
rrugë të gabuar, por ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm,
as për ndërkombëtarët dhe as për shqiptarët, Një prej faktorëve kryesor, në
mendimin tim, që po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga rinia e saj dhe nga
më të mirët e Kombit. Sfida kryesore ndaj mostrajtimit të pasojave të
komunkzmit, mendoj unë, është mos gatishmëria e klasës politike për tu
përballur me pasojat e komunizmit dhe mos dëdnimi I krimeve të regjimit
komunist. Si mund të ndodhë kjo kur kryeministri i vendit nga folësja e
Kuvendit shpreh krenarinë e tij për periudhën komuniste duke thenë se
“Komunizmi e komunistët ishin në rrugën e duhur të historisë”!?
GM: Çfarë përfaqëson për ju komunizmi si ideologji, i cili,
fatkeqësisht, vazhdon të jetë i pranishëm zyrtarisht në disa vende të botës?
FSH: Në përgjigje të kësaj pyetjeje dua t’i referohem,
“Librit të Zi të Komunizmit: Krimet, Terrori dhe Shtypjet”, një vepër kjo e
francezit Stephane Courtois dhe akademikëve të tjerë evropianë, një libër që
dokumenton krimet politike, përfshir gjenocidin dhe barbarizma të tjera të
regjimeve komuniste në botë, përfshirë Shqipërinë. Jam dakort me autorët e atij
libri se komunizmi ishte praktikuesi më i egër i “krimeve
kundër njerëzimit”, në histori. Një sistem politik që shkaktoi miliona viktimash
njerëzore -- sipas tyre rreth 100-milion gjithsejt -- dhe miliona viktima të
tjera që vuajtën në kampe përqendrimi, kampe pune e burgje të ndryshme. Ishte
një sistem që në çdo vend ku kishte marrë pushtetin me forcë -- i kishte
shpallur luftë traditave kombëtare, kulturës, letërsisë, historisë, fesë. Dhe
në përgjithësi, sipas autorëve, kishte ndërmarrë një luftë kundër vet
qytetërimit botëror, me qëllim të krijimit të ‘’njeriut të ri’’. Ky gjykim
i komunizmit në atë libër, nuk bëhet nga anti-komunistë ekstremë, por nga
historianë e akademikë të krahut të majtë evropianë, ish-komunistë ose
simpatizantë të komunizmit. Kur shkrimtari francez i majtë, Andre
Gide pat vizituar parajsën komuniste të Stalinit, pasi u këthye së andejmi, ka
deklaruar se ‘’Dyshoj të ketë ndonjë vend në botë, përfshirë edhe Gjermaninë e
Hitlerit, ku liria e mendimit të jetë më e pakët dhe më e terrorizuar se sa në
Bashkimin Sovjetik’’. Ish-presidenti
amerikan Ronald Regan e ka quajtur komunizmin si “një kapitull të dhimbshëm dhe
të pakuptueshëm të historisë”, si një sistem që ishte ngritur mbi baza që ishin
në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ndërkohë që Zbignjev Brzezhinski e ka
cilësuar ideologjinë komuniste si një “doktrinë të huaj’’ që iu imponua Evropës
Lindore, pro-përendimore. Në referencë
të pyetjes tuaj, vërtetë se komunizmi është ende, zyrtarisht, i pranishëm në
disa vende, por për fat të keq komunizmi është i pranishëm, jo zyrtarisht, në
shumë vende, përfshirë Shqipërinë tonë. Krimet e komunizmit në Shqipëri duhet
të na kujtojnë që të mos harrojnë natyrën e vërtetë barbare të atij sistemi.
Heshtja zyrtare ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri është e pafalshme, sidomos
heshtja intelektualëve, historianëve, por edhe gazetarëve dhe të gjithë atyre
të cilët kanë bërë të mundur mbijetesën dhe zgjatjen e jetës së regjimit
komunist, duke e mbrojtur me lëvdata dhe me shkrime gënjeshtër. Duke mohuar të
vërtetën, atëherë dhe sot. Ata intelektualë
që mbrojtën dhe mbështetën, mundësuan dhe legjitimuan komunizmin gjatë dekadave
por edhe në ditët e sotëme, me nostlagjinë e tyre për atë regjim – do duhej të konsideroheshin, jo vetëm si konspiratorë e
komplotistë por edhe bashkfajtorë për vrasje, internime, burgosje pa faj, e
tjera krime kundër njerëzimit.
GM: Çfarë mesazhi do të dëshironit të përcillni për brezat e
rinj që nuk e kanë përjetuar atë periudhë, si edhe për ata që ndihen
nostalgjikë ndaj saj?
FSH: Për brezat e
rinjë në rastin e Shqipërisë por edhe të Kosovës është e vështirë të mësojnë
për krimet e komunizmit sepse në politikën e të dy shteteve shqiptare
mbizotëron një majtizëm i flliqët me origjinë sllave që beson se ai sistem,
megjithë dështimet historike, ofron gjithnjë zgjidhje për problemet e shoqërisë
sot. Por kjo edhe për arsye se shumë politikanë shqiptarë sot, në dy anët e
kufirit, e kanë origjinën, familiarisht ose ideologjikisht, në sistemin
komunist, por edhe si “demokratë”, ata janë dhe mbeten produkt i atij sistemi,
ndonëse me qime tjera por veset e tyre është shumë vështirë t’i harrojnë. Si
përfundim, atyre nuk u shkon për shtat që të përballen me të kaluarën komuniste.
Kjo klasë politike, në të vërtetë, nuk do që brezi i ri të mësojë ose të
kujtojë krimet, as historinë e vërtetë të komunizmit. Sepse po të donin një gjë
të tillë, dy ministritë e arsimit do e bënin të detyrueshëm mësimin në shkolla
mbi historinë e komunizmit vendas dhe ndërkombëtar. Për
rreziqet që kjo ideologji kriminale paraqet për brezat e ardhëshëm dhe do të
siguronte që brezat e ardhëshëm të shqiptarëve të kuptojnë më mirë dhe të mos
harrojnë historinë e tmershme dhe tragjike të komunizmit, por jo vetëm. Do të
bënte që brezi i ri i shqiptarëve, duke mësuar për ato krime, do të bindte ata
që të mos përsëriten më, por të punojnë me gjithë fuqitë e tyre në mbrojtje të
parimeve të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë, anë e mbanë trojeve shqiptare.
Në mungesë të kësaj, fatkeqsisht, rinia shqiptare po merr rrugët e botës, pasi,
ndër të tjera halle që ka, e shikon politikën aktuale nostalgjike për
komunizmin të lidhur ngusht -- moralisht e politikisht -- me të kaluarën e
regjimeve sllavo-komuniste që kanë sunduar trojet shqiptare sot e më shumë se
gjysëm shekulli. Sa u përket nostalgjikëve të komunizmit, të gjitha
niveleve dhe fushave të ndryshme, përfshir politikën, por sidomos nostlagjikëve
të regjimit komunist enverist, që e konsiderojnë veten intelektualë e që gjithë jetën e tyre private dhe
profesionale kanë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrojnë e të mbështetin atë sistem
– unë besoj se historia do i gjykojë rëndë. Historia do të jetë e pamëshirshme
për të gjithë ata – që, qoftë edhe në heshtje ose duke qenë indiferentë ndaj
atij sistemi – kanë mundësuar dhe vazhdojnë të jenë nostalgjikë duke mos dënuar
krimet e regjimit komunist edhe kundër intelektualëve më të dalluar të Kombit--atëherë
të gjithë këta vazhdojnë të legjitimojnë krimet e komunizmit gjatë dekadave por
edhe në ditët e sotëme. Historia do duhej që këta tipa “intelektualësh”, mbrojtës
fanatikë të komunizmit, të konsideroheshin, të pakën moralisht, jo vetëm si konspiratorë e
komplotistë, por dhe bashkfajtorë për vrasje, internime, burgosje e tjera krime
kundër njerëzimit. Edhe sot këta intelektualë shqiptarë vazhdojnë të bëjnë
kompromis me të keqen. Kombi shqiptar ka nevojë për intelektualë me moral dhe me
orientim perendimorë, aty ku e kanë vendin shqiptarët, nga pikëpamja
gjeografike, historike dhe kulturore! Prirjet sllavo-aziatike lindore në radhët
e intelektualëve shqiptarë -- nostalgjikë të komunizmit -- rrezikojnë shpërbërjen
e Kombit.