E merkure, 11.12.2024, 04:06 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin dhe publicistin Fahri Xharra

E premte, 18.11.2022, 02:00 PM


INTERVISTË ME STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN FAHRI XHARRA

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Fahri Xharra lindi më 4 prill 1951 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Lubjanës në degën e Shkencave Natyrore Teknologjike. Në vitet 1990-2006, Xharra ka punuar në drejtimin e disa kompanive në Kosovë, Zvicër, Europën Lindore, Afrikë dhe Azi.

Në vitin 2006 është kthyer përfundimisht në vendlindje.

Pas kthimit i lindi pasioni për historinë dhe kulturën kombëtare dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në njohjen dhe ruajtjen e Indentitetit Europian të Shqiptarëve.

Është njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe autor i librave: 'Roma fliste Shqip', 'Çështja shqiptare ndër shekuj', 'Unë dhe O.J. Schmitti', 'E vërteta historike - Shqiptarët Ortodoks të Maqedonisë' dhe 'Antika e Mohuar'.

Xharra është i pranishëm në shumë media dhe portale, sigurisht edhe tek ne në ZSH, ku ka autorësinë e mbi 800 artikujve.

Në këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, do të flasim mbi jetën dhe krijimtarinë publicistike të Fahri Xharrës, për problematika të ndryshme historike dhe aktuale.

GM: Z. Xharra, do të fillojmë disa dekada më parë. Si ishte fëmijëria juaj?

FXH: U linda një të Merkure në Prill të vitit 1951. Isha fëmija i parë. E kisha një fëmijëri të lumtur. Pas meje linden edhe 5 të tjerë, një vëlla dhe katër motra.

Shumë herët kam filluar të mësoj së lexuari shqip para se të hyj në shkollë. E mësova edhe cirilicën nga kurreshtja. Isha ndër nxenësit më të mirë në klasë. Quhej Shkolla fillore “Mustafa Bakija“ në Gjakovë. Gjatë tetë viteve sa zgjati shkollimi isha i shkëlqyeshëm.

Në shkollën fillore dikur nga klasa e gjashtë fillova të shkruaj poezi të cilat botoheshin në shtojcën javore të së pëditshmes “Rilindja”, pra “Rilindja për fëmijë” si dhe lexoheshin në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës.

Më kujtohet që festimin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar dola me një shkrim “Shpata e Skënderbeut”.

Për katër vjet kam qenë në grupin koral të shkollës. Merrnim pjesë në festivalet që organizohesin nëpër Kosovë. Në Gjakovë mbahej aso kohe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në stadiumin e hapur “Shani Nushi” dhe kori i shkollës sonë e hapte atë me dy këngë korale.

Nga fëmijëria e kam një krenari që në klasën e shtatë e flitsha rrjedhshëm frëngjishten dhe serbishten.

GM: Çfarë kujtoni nga jeta studentore në ish-Jugosllavi?

FXH: Studimet i kam kryer në Lubjanë të Sllovenisë gati në afat (një semester i humbur për mësimin e gjuhës sllovene).

Ishte një guxim i madh të shkoje për studime në Lubjanë, së pari gjuha sllovene dhe e dyta Univeriseti i Lubjanës ishte më i vështiri aso kohe.

Ishte viti 1970, në Kosovë pas demonstratave studentore të vitit 1968, e ndjenim një frymëmarrje kombëtare më të lehtë. Fabrikat e Kosovës ishin me kuadro serbe. Ndjehej nevoja që të zëvendësoheshin nga shqiptarët. Fabrika e tekstileve “Emin Duraku“ hapi konkurs të pakufizuar për shkollim në Lubjanë.

Unë iu mbusha mendjen 25 gjimnazistëve që të marrim atë rrugë. Bursat ishim të siguruara. Me 20 Shtator 1970 u gjetëm në Lubjanë, pas një udhëtimi gati 24 orësh me tren, nga Prizreni deri në Lublanë, rreth  1.000 kilometra.

U paraqitëm në sekretarinë e Univeristetit, i dorëzuam dokumentat dhe për herë të parë e shkruam kombësinë “Shqiptar“, Albanec, deri në atë kohë shkruhej “Siptar”.

Një gjë që neve na dukej si e qëllimshme ndaj shqiptarëve ishte regjimi shumë i ashpër i profesorëve ndaj nesh. Por jo, gati në përfundim e kuptuam të vërtetën. Duheshin të dilnim inxhinierë solid, që mos kemi nevojë të dikujt më që të na i zgjidhë problemet nga mosdija e jonë.

Si student kam shkruar për” Zërin e Rinisë” që botohej në Prishtinë dhe në dy të përjavshme të Lubjanës “Antena” dhe “Dnevnik”, kuptohet sllovenisht.

Disa kohë Shoqata e studentëve shqiptar në Lubjanë e botonim të përmuajshmen “Besa” e cila u ndërpre nga që financimi nga Prishtina na u ndërpre.

GM: Si u njohët me bashkëshorten, me të cilën keni 3 fëmijë?

FXH: Njohja me bashkëshorten nuk ishte e rastit, diçka fshehej në mes nesh dhe ajo u kororizua me martesë. Një vit pas martesës e nënshkrova kontratën me firmën e madhe zvicerane ”CIBA” dhe me 1 Janar 1991 shkuam së bashku në Casablanca të Marokut ku e mora përgjegjësinë të përfaqësoja këtë firmë të madhe nga Bazelli, bruto qarkullimi vjetor i saj në botë ishte 25 miliard franka në vit.

Ishte krenari e madhe për mua që isha përfaqësues i saj në Afrikën Veriore.

Aty na lindën bineqët Rilinda dhe Krenari dhe pas katër vitesh edhe Iliri.

Puna në firmë dhe rritja e fëmijëve ishte një angazhim i madh.

Pas 6 viteve në Marok na transferuan në Selanik për të marrë në mbikqyerje të njejtën firmë duke u kujdesur për Europën Jug Lindore.

Pas disa vitesh të suksesshme në Selanik  e ndërrova firmën dhe kalova në “Bezema”, po ashtu Zvicerane, me seli në kantonin St. Gallen ku e udhëhiqja tregun e Azisë Qendrore, shtetet nga Deti i Zi e deri në kufi me Kinën.

Në të gjitha lëvizjet isha me familje. Fëmijët e mi kaluan nga frëngjishtja, arabishtja, greqishtja në gjemanisht pa e harruar aspak gjuhën shqipe.

Ishte një jetë shumë interesante i ballafaquar me shumë kultura dhe shumë fe.

GM: Me profesion jeni Inxhinier i Shkencave Natyrore/Teknologjike, por duket që e keni braktisur, duke u përqëndruar tek kultura dhe historia jonë kombëtare. Pse?

FXH: Pasi e lëshova Zvicrën familjarisht dhe u ktheva në Kosovë në vitin 2007 duke menduar se u ba Kosova, atëherë u ballafaqova me një dëshpërim të madh. E vërteta ishte që “Bac nuk u krye“!

Askush nuk më dha punë dhe mbeta në një udhëkryq të jetës.

E njihja historinë e kombit, jo në nivelin e sotëm. Shkrimet e para ishin nga temat që askush nuk i kishte deri më ato vite. Kishte shumë e shumë lexime në gazetat e Kosovës dhe të Shqipërisë. “Zemra Shqiptare” ishte portal i parë elektronik që e rriti lexueshmërinë e shkrimeve të mia. Me qenë se u hapa shumë në histori, më duhej edhe të zgjeroj dijen time. Duke njohur shumë gjuhë e kisha më të lehtë të arrija në faktet e shkruara nga të huajt. Një kujdes e kam pasur që në do shkrime i shkruaja referencat dhe shkrimin e bënin më të lexueshëm.

Nuk po flas për reagimet e lexuesve që ishin shumë me vlerë. Lexuesit befasoheshin për faktet që nuk i kishin lexuar kurrë.

GM: Ju flisni disa gjuhë të huaja. Si do e përshkruanit njeriun shumë-gjuhësh (poliglot)?

FXH: Njohja e shumë gjuhëve të jep krenari në rrethin që jeton. Kur i kreva studimet i flisja frengjishten, serbishten dhe sllovenishten, por këto nuk mjaftonin. Shkuarja në shtet arabe, pastaj në Greqi, Bullgari, Rumani, në Gjeorgji, Armeni, Turkmenistan, Uzbekistan, Kirgizstan dhe Tagjikistan ma imponoi njohjen e gjuhëve tjera. Në Zvicër duhet patjetër gjermanishtja, italishtja dhe frëngjishtja.

Duke shkuar nga shteti në shtet më duhej përkthyesi dhe shoqëruesi.

Në bisedat komerciale që shpesh kalonin edhe në anën kombëtare, e shihja të domosdoshme që unë të flisja direkt me bashkëbiseduesin pa ndihmën e përkthyesit. Pra kjo është e mira e njohjes së gjuhëve të ndryshme.

Ishte një fat i madh që i dija të gjitha ato gjuhë sepse më ndihmuan pastaj si rrëmyes i historisë.

GM: Jeni autor i disa librave studimorë dhe historikë. Një përshkrim i shkurtër përmbajtësor për lexuesit tanë që ende nuk janë njohur me krijimtarinë tuaj…

FXH: E thash edhe më parë që i kam prekuar gati të gjitha temat historike, që nga pellazgët e deri te koha e jonë. Me politikën ditore nuk merrem, i kam të publikuara mbi dhjetë mijë faqe. Mund të veçoj librin “Roma fliste shqip” që unë e quaj si kryeveprën time. Libri nuk është i përfunduar por krenaria qëndron aty se pas 2000 vitesh jam ai që e kam prekuar këtë temë për Perandorinë Romake si dhe me prova të forta kam vërtetuar që latinishtja është një gjuhë e shpifur, por e krijuar nga etruskishtja, ilirishtja dhe shumë e shumë gjuhëve tjera të fiseve pellazge që kanë jetuar mijëra vjet para formimit të Romës në Gadishullin Apenin.  Libri është përkthyer edhe në Italisht  “Roma parlava Albanese”.

Libri i parë i imi  është ”Antika e mohuar” e pasuar nga “E vërteta shqiptare - Shqiptarët Ortodoks të Maqedonisë’’ dhe “ Unë dhe Oliver C. Schmitti“.

“Çështja shqiptare ndër shekuj'' është në gjashtë vëllime, 1000 faqe, shpresoj që t’i botoj edhe 4 vëllime po ashtu një mijë faqëshe po me në njëjtin titull.

GM: Librat e juaj në përgjithësi janë mirëpritur nga lexuesit, por ka patur edhe kritikë që mendojnë se jeni ndikuar edhe nga atdhe-dashuria në interpretimet e pjesëve të dyshimta të historisë…?

FXH: Pa atdhdashuri nuk shkruahet asgjë, por kur atdhedashuria dokumentohet me fakte atëherë kjo nuk është ndikim por e vërtetë.

Kur flitet kundër shkrimeve, pse nuk demantohen?!

Nuk ka pjesë të dyshimta në historinë tonë të mohuar.

GM: Çfarë presim në të ardhmen nga studiuesi Xharra?

FXH: Jam duke punuar në një përmbledhje librash me vlerë të madhe historika për ne “Enciklopedia Pellazgjike”, besoj që do arrij në 5 mijë faqe. Në libër do të përfshihen të gjithë pellazgologët botëror dhe ata shqiptar. Pellazgu, më nuk është mit, atij duhet t’i japim gjuhën shqipe që të flasë shqip. Libri enciklopedik është shumë i domosdoshëm nga se serbët na kanë hy në histori dhe po e quajnë vetveten pasardhës të pellazgëve.

Pse Akademitë tona nuk flasin për pellazgët?!

GM: Për Pushtimin Osman ka mendime të ndryshme në shoqërinë tonë, deri në ‘’bashkëjetesë të lumtur’’! Ju si e mendoni?

FXH: Konvertimi dhe masakrat osmane mbi ne janë kryer deri pas epokës së lavdishme të Skenderbeut.  Pas vdekjes së Skënderbeut kanë ikur kokat dhe aristokracia e kohës, pastaj konvertimi ka qenë për të shpëtuar kokën por edhe për përfitime familjare.

“Bashkëjetesë e lumtur” ishte për ata që i përfituan të mirat e osmanlive.

Po thuhet se kemi bashkëqeverisë. Jo .

Edhe në Perandorinë Romake i kishim 18 perandorë ilir, por asgjë nuk bashkëqeverisëm, ata na shkatërruan çdo gjë ilire.

Ashtu edhe Bizanti, ashtu edhe Perandoria Osmane. Të flitet ndryshe, vetëm e rrejmë vetveten.

GM: Shqiptarët ishin të krishterë, paganë apo ateistë, por me ardhjen e osmanëve shumica e përqafoi fenë e pushtuesve. Ishte kjo një dobësi, jo e myslimanëve të sotëm, por e të krishterëve të djeshëm? Ka pasur pasoja negative distancimi kulturor nga Europa?

FXH: E ceka më lart mënyrën e konvertimit. Nuk është dhe nuk ishte dobësi por në fillim, dhunë e paguar nga ne me gjak dhe zhdukje dhe më vonë shpëtim i kokës.  Deri në shekullin 18-të si të them nuk nënçmoheshim nga europianët. Kadareja e spjegon këtë çështje shumë bukur se si e humbëm 2 herë Europën:

– “Është një problem mjaft i ndërlikuar, ka qenë dhe do të mbetet në marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën, që është e vështirë të shpjegohet në një intervistë. Por komplikimi vazhdon. Mendoj se përfytyrimi i Europës për Shqipërinë dhe i Shqipërisë për Europën ka pasur gjithmonë diçka të mangët. Të dy palët kanë patur vizione të gabuara për njëri – tjetrin. Shqipëria herë e ka idealizuar Europën, herë është nervozuar së tepërmi me të. Domethënë, ka patur dy qëndrime të skajshme. Europa gjithashtu, herë e ka parë me indiferencë Shqipërinë dhe herë është interesuar për të. Prandaj këtu ka vend për të korigjuar në këto dy optika, në të dy anët dhe, mendoj se themelore për Shqipërinë, vendimtar është mirëkuptimi i saj me Europën. Një mirëkuptim realist, i bazuar mbi të vërtetën dhe jo mbi iluzione, një marrëveshje konstruktive, në mënyrë që Shqipëria ta ndjejë veten në familjen europiane me dinjitet, në mënyrë që të mos ketë as rolin e arrogantit që ka pasur dikur dhe as rolin e lypsarit që mendojnë disa.

Gjithashtu, kjo optikë realiste, e shëndetshme, e Shqipërisë do të shoqërohet se s’bën nga një optikë e shëndetshme e Europës. Një marrëveshje, një mirëkuptim i dyanshëm do të hapi shumë porta të mbyllura, do të sqarojë shumë gjëra të pasqarueshme, do të kapërcejë shumë vështirësi që duken të pakapërcyeshme tani për tani.  Ismail Kadare”

GM: Kush është Europa për ju?

FXH: Edhe në këtë pyetje do e citoja Kadarenë:

Evropa si frymë, si parim shpirtëror është përcaktuar qysh në shekullin e kaluar. Ajo ç’ka qenë e vlefshme për kombin, ka vazhduar të jetë e vlefshme për një familje kombesh. Dhe Evropa, ashtu siç thoni ju, e tillë është konceptuar nga themeluesist shpirtërorë të saj, si familje.

Në këtë kah, krijimi i Evropës se Bashkuar, duke qenë lajm i mirë për evropianët e vjetër, ka qenë dyfish i tillë për ne të tjerët, ne që e kishim humbur atë.

Për ne Evropa, përpara se të jetë një luks, një shkallëzim drejt përparimit, një përkryerje, ka qenë një domosdoshmëri. Një jetë e munguar. Për shqiptarët, populli më i vetmuar i kontinentit, ka qenë më shumë se kaq: një vatër.

Kjo mund të tingëllojë si patetike, por nuk është ashtu. Për një popull pa familje, gjetja e kësaj të fundit është hyrje në një fazë krejtësisht të re të ekzistencës. Me fjalë të tjera, për herë të parë në këto 600 vitet e fundit Shqipëria bëhet gati të hyjë në kontinent pa vetminë e saj. Dhe kjo fazë e re kërkon vetvetiu doktrinën e vet.

Doktrinat e popujve përpunohen shpesh në faza të vështira. Ka qenë rilindja kombëtare shqiptare, bijë e iluminizmit të largët evropian, që përcaktoi orientimin e ri shqiptar. Sintagmat «Liri» dhe «Evropë» po afroheshin përherë e më tepër. Lideri rilindas, Naim Frashëri, shkoi edhe më tej, duke e parashtruar këtë ide të re në një formë përmbysjeje kozmike. Në një vjershë programatike ai do të shkruajë se drita për Shqipërinë nuk lind nga Lindja, por nga Perëndimi. (O dritëz e bekuar, që lind nga perëndon).

Sipas rilindasve, një Shqipëri e lirë, serioze dhe e moralshme mund të ishte e tillë vetëm në kontinentin e vet. * Nga Ismail Kadare”

GM: Amerika...!

FXH: Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave, Presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime.

“Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese”.

Më 9 dhjetor 1919, Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara - arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se Presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë.

“Më 6 mars, Presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes”.

“Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe”.

Amerika  e tregoi veten edhe në Luftën e Kosovës 1999 që është mik dhe mbrojtës i shqiptarëve.

Përderisa Blloku Lindor ishte kundër nesh, ajo e angazhoi Aleancën Verio – Atlantike që të bombardohej Serbia, dhe pas 78 ditësh bombardimesh Serbia e nënshkroi dorëzimin e saj.

Por ne e paguam shumë shtrenjt duke i humbur gati 14 mijë vet të vrarë, rrënimet e panumërta, mbi 20 mijë gra dhe vajza të  dhunuara nga të gjitha moshat si dhe dëbimin e gati një million njerëzve në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

GM: Jeni nga Gjakova e kulturës dhe patriotizmit. Kush është Gjakova në këndvështrimin e Xharrës?

FXH: Po dhe jam krenar që jam gjakovar.

Unë e bëj një dallim në mes të partizanëve shqiptar dhe të Kosovës.

Përderisa në Kosovë luhej diplomacia  e shqiptarëve se si të shpëtohej nga serbi , në Shqipëri luhej një lojë tjetër  që të bëhën republikë e shtatë e Jugosllavisë

Të kaloj në thelbin e këtij pyetjeje:  A e keni ditur që Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini në Krime, morën vendim unanim në fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: "Ata popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t’i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet"?

Ne asnjëherë nuk e kemi shfaqur publikisht se sa e tmerrshme për ne kishte me qenë sikur mos t’i kishim pasë edhe lëvizjet dhe rezistencën partizane në Kosovë.

Nëse e marrim si pikënisje këshillën e poetit të madh gjerman J. V Gëte, se: “nëse duam ta portretizojmë në mënyrë objektive profilin e një figure historike ose “një periudheje historike (fxh )” , atëherë veprimtaria e tij nuk duhet të shkëputet nga konteksti i gjerë politik, shoqëror dhe kulturor i kohës”. (Azdren Shala). Dhe ky mësim aq shumë vlen në rastin konkret.

Pse jam edhe me partizanët, e edhe me ballistët e Kosovës!? Problemi qëndron tek figura e partizanëve! Fatkeqësisht, për raportin e tyre me Luftën e Dytë Botërore, ka bërë që shumica e shqiptarëve t`i anatemojnë vazhdimisht, pas asnjë të drejtë. Epitete të tilla si titistë, proserb, tradhtar e deri në kriminel, janë pa vend dhe në të njëjtën kohë tregojnë cektësinë e mendimit dhe studimit në publicistiken dhe shkencën shqiptare.

"Ata popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t` i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet" (vendim i Konferencës së Jaltës (4 - 11 shkurt 1945. “

O zot, çdo të ndodhte me shqiptarët e ish Jugosllavisë?

Besoj se më kuptuat?

Gjakova ishte edhe qendër intelektuale e Kosovës. Pas Luftës së Dyteë Botërore ishte qendër e përhapjes së dijes në tërë Kosovën.

Në ditët e dhimbshme të viteve 1912-1913 , At Gjergj Fishta pat shkruar  “Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova …Vendet ma t’ mirat ne na i mori shkjau, E, shk’ asht ma zi, në vlla me vlla na dau!  Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova! …Dhe, pastaj “Politika” (e Beogradit ) e datës 6 Prill 1913 me titullin: “Nëpër Gjakovë” dhe nëntitullin ”Çerdhja e shkatërruar e banditëve kryengritës” shkruan: ”Duke e shikuar nga jashtë Gjakova duket si një grumbull i shatorrëve të djegur …. Gjakova me shekuj ishte e paarritshme për tërë botën tjetër. Çerdhja e egërsisë arnaute i ka pranuar në rrethin e saj vetëm ata që ishin në lidhje familjare me banorët kryengritës dhe banditët arnaut të Gjakovës. Të gjitha përpjekjet turke, me shekuj ishin të kota në mbizotërimin e Gjakovës… Dhe tani, çdo gjë ndërroi.

Të ju them diçka me vlerë:” “Të mbrosh çështjen kombëtare në opinion përmes mediave, kur të cënojnë integritetin, territorin e  kombit, të mohojnë gjuhën apo historinë dhe kulturën e të parëve, është atdhetari dhe asnjëherë nacionalizëm e as lokalizëm”.

Duhet përmendur që Mësuesit e Gjakovës ishin Pishtarë të arsimit në Kosovë.

GM: Si do e përshkruanit jetën e shqiptarëve në kohën e pushtimit serbo-jugosllav?

FXH: Paslufta nga viti 1945 ka qenë tmerr për shqiptarët e Jugosllavisë. Më rënjen e Rankoviqit, kriminelit antishaqiptar serb, filluan gjërat të marrin frymë. Demonstratat studentore të vitit 1968 e kishin “një këmbë të lehtë” për të mirën e shqiptarëve. U hap Univeristeti i Prishtinës në vitin 1970. Në vitin 1974 u aprovua Kushtetuta e re e cila e futi Kosovën në Federatën Jugosllave si njësi të barabartë. Kosova u bë subjekt federativ i Jugosllavisë. Quhej Autonomi me presionin e Rusisë dhe të Serbisë.

Hapja e Univeristetit në Prishtinë i solli profësoret e Shqipërisë për të ligjeruar.

Filloi forcimi ekonomik i Kosovës.

Kjo zgjati deri në vitin 1990 kur u hoq autonomia dhe u futëm përsëri si pjesë e Serbisë.

GM: Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

FXH: Zoti dhe Amerika në qiell dhe U?K në tokë, ja ky është përshkrimi.

GM: Unë mendoj se Diktatori Enver Hoxha është anti-shqiptari më i madh që ka shkelur tokën arbërore. Megjithatë, kush ishte për ju në Kosovë Shqipëria Komuniste e E. Hoxhës?

FXH: Ne ishim të mashtruar nga propaganda e Shqipërisë, ishim mish e shpirt të lidhur me Shqipërinë.

Por nëse e shikojmë tani dhe e analizojmë mirë do të shohim se ne i kishim dy rrugë: ose me Beogradin ose me Tiranën. Ne, nuk e dinim gjendjen në Shqipëri sepse vareshim nga radio, TV dhe librat që na vijshin fshehtas.

Për ne që jetonim në tokat tona në Jugosllavi ishte më e mbarë që ishim të drejtuar kah Tirana.

GM: Historia na tregon që kemi pasur hoxhallarë që kanë sakrifikuar gjithçka për kombin e tyre, por sot kemi një brez të çoroditur, sidomos në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët urrejnë gjithçka shqiptare dhe europiane. Mbi të gjitha urrejnë zhvillimin e kombit tonë dhe kryesisht gjininë femërore. Pse ky ndryshim sipas këndvështrimit tuaj?

FXH: Kishim hoxhallarë që ishin atdhetar por ata duhej të fshiheshin, të sotmit janë aq shumë të paguar sa që edhe nga gjumi “zgjohen“ për t’i numruar paratë, sepse janë aq të dehur nga pasuria e fituar në mënyrë të pa ndershme. Por historia e jonë njeh edhe patriotët.

Nga një shkrim i imi për Hoxhë Vokën e Dibres:

….Dhe në vitin 1888 me përpjekje të mëdha dhe guxim të pa shoq, i vetëdijshëm për rrezikun që mund ti kanosej, Saidi arriti që në shtëpinë e vet ta hap shkollën e parë shqipe e cila punonte në fshehtësi. Aso kohe shtypi i kohës për Dibrën shkruante: "Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe...i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!"

Mirëpo duhet ditur se çdo herë e më tepër veprimtaria e kësaj shkolle vinte duke u vështirësuar, sepse ishte e pa mundur që mos të zbulohej nga autoritet osmane, aq më tepër pse ajo bëri një jehonë të madhe në opinion. Ndërkaq që autoritet turke dhe ata pro turke Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që dëshiron ta helmojë rininë dhe ta largojë atë nga rruga e fesë, duke e njollosur se "hoxha është prishur nga feja", "është kaur" etj., andaj e shpallën si të pa fe, dhe shkuan aq larg sa që nuk e lejonin të falej në xhami. Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji, elan dhe guxim, ishte zotuar se çfarë do që i del përpara nuk do të mundet ta shmangi nga rruga e interesit kombëtar, dhe për akuza të tilla nuk ia ndiente fort veshi, ndërkaq që ai kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: "Myslimanët e vërtet duhet të dinë se feja islame urdhënon me e dashur atdheun", dhe "Për mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq dashuri ka në fenë".Shkolla u mbyll pas një viti. http://www.zemrashqiptare.net/news/39564/fahri-xharra-hoxhe-voka-hoxhe-shqiptar.html

GM: Cilët nga personalitetet tona kombëtare do veçonit në periudha të ndryshme kohore?

FXH: Nga politika nuk kam askend për ta përmendur  sepse që nga Mbreti e deri me sot anjë nuk ka treguar ndonjë atdhetari .

Nga historianët: Arishtish Kolën, Dhimitër Pilikën, Jakov Milajn, Jani Kondon, që  ishin viktima që e thoshin të vërtetën shqiptare.

Kur jemi te e vërteta ynë historike jemi strukur si miu në zgavrën e tij. Iu është hapur goja e serbëve, bullgarëve dhe grekëve që pa frikë po notojnë në oqeanin e historisë sonë.

GM: Është shkrimtari më i madh i kombit shqiptar dhe një ndër krye-shkrimtarët e botës, i përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Është edhe krye-mbrojtësi i Identitetit Natyral Europian të Shqiptarëve. Kuptohet, Ismail Kadare! Jam në dijeni të faktit që Kadare ka vlerësim shumë pozitiv për ju. Çfarë kujtoni nga takimi me Kadarenë…?

FXH: Kadare ka qenë frymzimi im që nga koha kur në Kosovë u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe romanet e tjera me radhë. Kadareja është ylli polar i shqiptarisë.

Kadare ka qenë njeri shumë i madh gjatë Konferencës së Rambujes, ka qenë shumë madh edhe në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar, ka qenë shumë i madh në mbrojtje të historisë kombëtare kur shpirtshiturit e cënonin atë, ka qenë super i madh në mbrojte të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Ju të “Zemrës Shqiptare” e dini për shkrimet e mia që shkruaja edhe në mbrojtje të tij, por edhe shkrime i frymëzuar nga ai.

Po i përmendi vetëm dy libra të tij “Mosmarrëveshja“ dhe “Mbi krimin në Ballkan“. Mjerë ai që nuk i ka lexuar!

Të gjithë lexuesit e mi e dinë se sa kam qenë i kërcënuar me rrahje, me familje dhe me vrasje, por kisha qëndrim stoik dhe kjo i takon së  kaluarës.

Edhe një detaj, nga takimi i parë me Kadarenë, duke biseduar i thotë botuesit të librave të tij:” Interesant, aq i afërt po më duket Fahriu, thuaj se kam ndejtur shumë herë me të”.

GM: Si do e vlerësonit punën apo jo-punën e politikanëve në Kosovë pas çlirimit?

FXH: Eshtë tmerruese. Ditëve të fundit jemi të ballafaquar me presionin serb dhe rus për ndarjen e Kosovës dhe të asociacionit të komunave serbe.

Nuk jemi unik në qasjen tonë në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Nga Shqipëria asnjë ndihmë.

GM: Bashkimi Kombëtar, thjesht një ëndërr?

FXH: Bashkimi kimbëtar e do kohën e vet, bashkimin e kokave, bashkimi dhe qëndrimi i njëjtë në politikën ndërkombëtare, bashkimi i Universiteteve, i Akademive. Kërkon mençuri të madhe politike dhe kjo neve na mungon.

GM: Një mesazh për lexuesit e Zemra Shqiptare…

FXH: Të ruajmë gjuhën dhe historinë!

_____

Fahri Xharra në Zemra Shqiptare:

http://www.zemrashqiptare.net/news/c172/xharra.html



(Vota: 84 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora