E premte, 13.12.2024, 05:40 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj

E diele, 19.07.2009, 09:00 PM


Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj

‘’Çdo mrekulli në botë nuk do të ishte mrekulli pa pasë pjesën e saj poetike''

‘’Populli shqiptar është një hap para politikanëve të tyre’’

Nga Gëzim Marku - Zemra Shqiptare

Gjekë Marinaj u lind në Brrut të Malësise së Madhe me 26 Maj, 1965. Me 12 Shtator të vitit 1990, u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Amerikë për arsye politike. Institutin Mjekësor ISPT në Arlington, e mbaroi në vitin 1998. Ndërsa Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Degree: Associate in Science), e mbaroi në vitin 2001 në Brookhaven College. Pastaj u diplomua pranë Universitetit të Teksasit në Dallas, Shkolla e Arteve dhe Humanizmit (Degree: Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në vitin 2006. Dy vjet më vonë, pra në vitin 2008, Marinaj u diplomua pranë UTD në Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities—Studies in Literature). Që nga Janari i vitit 2008 Marinaj vazhdon studimet për doktorature po në Universitetin e Teksasit në Dallas, ku është Kandidat për Ph.D. (Kandidat për Doktor i Filozofisë: Letërsia botërore e të gjitha kohërave). Për më se dymbëdhjetë vjet Marinaj ka punuar në Departamentin e Patologjisë pranë Baylor University Medical Centre. Aktualisht është Pedagog i English & Communication dhe i Letërsisë Botërore pranë Richland College në Dallas, Texas. Ndër dekoratat dhe titujt e nderit mund të përmendim: Magna Cum Laude, dhënë nga UTD në vitin 2008 dhe Magjistraturën (Class I) nga Universiteti i Teksasit në Dallas. Deri në Qershor të vitit 2009 ka botuar këto vepra:  "Mos më ik larg", 1995 – poezi; "Infinit", 2000 – poezi; "Ana tjetër e pasqyrës", 2003 – intervista; "Ora e paqes", 2005, përkthim - poezi nga Rainer Schulte; "Në shpellën e Platonit", 2006, përkthim - poezi nga Frederick Turner; "Poezia Amerikane", 2006, përkthim - antologji nga poetë amerikanë; "Ca gjëra nuk mund të mbeten sekret", 2008 – prozë dhe "Lutje në ditën e tetë të javës", 2008 – poezi. Ndër çmimet letrare që i janë dhënë Marinajt mund të përmendim: Çmimin e Parë në poezi, nga revista letrare amerikane Sojourn në vitin 2006 dhe Çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi, akorduar nga QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë) në 2008-ën. Marinaj, gjithashtu, në 2008 ka qenë editori i revistës së famshme amerikane “Translation Review” Nr. 76. Që nga viti 1992, jeton në Richardson të Teksasit me gruan e tij, Dusita. 

Jeni lindur në Brrut, pra një fshat i vogël në Malësi të Madhe dhe jetoni në Dallas të Teksasit, një ndër qytetet më të mëdhenj të Amerikës. Si ndjehesh midis këtyre dy botëve?

Vendlindja dhe vendbanimi janë dy paradigma të ndryshme jetësore ku tërësia e trajtave kulturore mbrohet në mënyrë natyrale në akord me dimensionet specifike të kërkesave që ushqej ndaj vetes dhe kohës. Nuk e gjej shumë të vështirë t’i ekuilibroj këto dy ekstreme. Në aspektin personal, Brruti mbetet një esencë e rëndësishme shpirtërore brenda kujtimeve të secilit, ndjehem gjithmonë malësor në kujtimet e mia. Kurse Dallasi vazhdon të jetë një katalizator nxitës, gjithmonë në kërkim të zgjerimit të caqeve që kam prekur qoftë para disa ditëve apo para disa dekadave. Nga Brruti jam larguar në një moshë adoleshente, ku dhe kur dashuria familjare gjithmonë fitonte në duelin e saj me vështirësitë jetësore që ishim të detyruar tu nënshtroheshim. Dashamirësia e komshinjve ndaj nesh ishte aq solide sa nuk tjetërsohej dot nga struktura përçarëse dhe presioni konstant i sistemit për përçarje... Këto dy fenomene shërbenin si elemente shtytëse në ruajtjen e vlerave sociale që pasuria kulturore të mbante epërsi ndaj vështirësive për ta shijuar atë në potencialin që kishte. Dallasi, nga ana tjetër, më ka ofruar disa mundësi shtesë për ta jetuar jetën në një status shoqëror më dinamik, më të sofistikuar. Këtu komshinjtë nuk janë kolonat që e mbajnë në këmbë “panteonin” e rrethit tim shoqëror, por edhe kjo mangësi kompensohet, në mënyrën e vet, nga prania e kolegëve dhe ajo që gjej në ambientet e tjera shoqërore që kam ndërtuar gjatë këtyre 17 viteve që jetoj në këtë qytet. Komuniteti i qytetit të Dallasit, në këtë këndvështrim, më mundëson si integrimin në qarqet specifike sociale ashtu edhe participimin në avancimin e mëtejshme të tyre. Nganjëherë kufijtë e standardeve të qytetërimit të këtushëm shënojnë ndryshime në pikëpamjen e disa subjekteve që janë karakteristike shqiptare, duke i trajtuar të njëjtat çështje nga botëkuptime që nuk shkojnë gjithmonë paralel me idetë apo traditat tona, por mendoj se edhe ato kanë ndikuar pozitivisht në balancimin tim në përpjekje për të qenë sa më interpersonal në marrëdhënie me njerëzit.  

Duke parë rezymenë tënde mësojmë se keni mbaruar disa kolegje e universitete në Amerikë ku jeni duke vazhduar edhe shkallën më të lartë të shkollimit, pra programin për Ph.D.  Sa merita u jep prindërve për këtë dëshirë të zjarrtë që ke për të mësuar? Pra cili ka qenë kontributi i tyre në formimin tuaj intelektual?

Prindërit e mi kanë dhënë maksimumin e tyre që unë të arrij diçka më shumë në jetë se sa kanë arritur ata. Shkollimi ka qenë një nga linjat e vizionit të tyre në këtë drejtim. Por që të jem i sinqertë me ju, përpjekjet e mia për ta bërë realitet ëndrrën e tyre janë akoma në përpjesëtim të zhdrejtë me sakrificat që ata kanë bërë për mua. Si mund të jetë ndryshe kur kapaciteti im intelektual as sot e kësaj dite nuk është në gjendje t’i kalkuloj saktësisht mundësitë e probabilitet që kanë pasë orvatjet e tyre për të rezultuar në ato që ata kanë arritur si prindër të shtatë fëmijëve. Nëna dhe babai gjenden midis kllapave të atij grupi shqiptarësh që i përkasin vetëm shkollës fillore. Por zgjuarsia e tyre nuk gjendet e shënuar në dëftesën e shkollës së tyre fillore, por në diplomat e mia. Nuk e kam fjalën vetëm për faktin se ata gjetën mënyra të ndershme të na sigurojnë një kulturë familjare ku unë, pesë vëllezërit dhe motra të ushqeheshim tre herë në ditë, të kishim rrobat e lara dhe të hekurosura para se të niseshim për në shkollë dhe të kishim një ambient modest studimi në shtëpi pas ardhjes nga shkolla. Kjo është diçka që pritet nga prindërit kudo në botë. Ajo që lë hapësira në imagjinatën time është aspekti psikologjik, forca e sugjerimit të tyre, shpjegimi në një gjuhë të kuptueshme dhe bindëse se ç’do thotë t’i përkushtohesh edukimit shkollor. Ata ditën te pasojnë rolin e tyre prindëror tek ne si fëmijë pa humbur asgjë nga kompleksiteti dhe frymëzimi që ata vetë përjetonin si edukues të paedukuar në një sistem të organizuar arsimor. Ndaj si dashurinë për të studiuar ashtu dhe frytet e studimeve të mia, me krenarinë më të sinqertë njerëzore, ua dedikoj prindërve të mi Nik dhe File Marinaj.    

Jeni i martuar prej me se 17 vitesh me një vajzë rumune. Nisur nga poezitë që i kushton, duket se e doni shumë. A ke pasë raste të meditosh ndonjëherë se si do të kishte qenë jeta juaj sikur të ishit martuar me një Shqiptare? 

Të formuluar ndryshe, këtë pyetje ma kanë bërë disa të afërm të familjes, njerëz të rrethit tim shoqëror, madje edhe nga disa të panjohur me të cilët jam takuar rastësisht. Para këtyre pyetjeve zakonisht zë të buzëqesh dhe buzëqeshja ime gjithmonë u ka dhënë atyre përgjigjen që unë do e kisha të pamundur ta formuloja me fjalë. Sepse Dusita është dashuria ime e vërtet. Dhe dashuria e vërtet qëndron përtej përkufizimeve, përtej poetizimeve, përtej natyrës së jetës siç e njohim ne. Dashuria është si ajo ëndrra e ëmbël që njeriu nuk mund ta planifikojë për ta parë në një orë apo natë të caktuar, nuk mund ta kompozojnë sipas shijeve të veta, nuk mund ta ndërtojnë në përmasat e magjisë së saj; se sado që të mundohej do të mbetej dirigjent i një orkestrimi imitues i dashurisë. Njeriu është gjithmonë më i vogël se dashuria e vërtet. Ngaqë gjithmonë gjejmë tek ajo shumë më tepër se sa ç’kemi imagjinuar apo ëndërruar, vetvetiu krijojmë një besim tek dashuria, një flluskë të tejdukshme brenda së cilës jetojmë të lumtur, pa dertet e zakonshme që përjetojmë gjatë përpjekjes për ta gjetur atë. Në këtë dhe shumë aspekte të tjera, Dusita i ka shtuar jetës time aq shkallë të reja lumturie saqë sot gjendem diku përmbi retë e meditimit se si mund të ishte jeta ime e lidhur me një vajzë tjetër, përmbi nevojën për të shikuar prapa apo përreth për një dashuri të re dhe përmbi sferën e aftësive të mia për ta kuptuar plotësisht fatin e madh që më ka dhënë zoti duke ma lidhur një herë e përgjithmonë jetën time me Dusitën.             

Ngaqë nuk njihemi personalisht, me duhet të referohem shpesh tek ato që janë botuar rreth teje. Duke u përgatitë për këtë intervistë kam kërkuar në internet, libra e gazeta informacione rreth teje. Të paktën dy gazetarë të ndryshëm, në dy gazeta të ndryshme, të kanë që në titull si “Ambasador i kulturës Shqiptare në Amerikë.” Si mendon se e ke justifikuar këtë opinion të tyre?

Të gjithë artistët që jetojnë jashtë vendit të tyre, pavarësisht se në cilën fushë të artit lëvrojnë, janë ambasadorë të kulturës. Mos njohja e këtij koncepti apo neglizhenca kundrejt tij nga artistët mund të ketë pasoja negative për kulturën tonë dhe perceptimin e saj nga qytetarët e vendeve ku jetojmë. Spektakli në rritje i zhvillimeve të komunikimeve masive në botë është bërë pasqyrë e theksimeve serioze të çështjeve të kulturës dhe nëpërmes saj të etikës profesionale sidomos të gazetarëve, poetëve dhe shkrimtarëve. Duke i shfrytëzuar edhe këto burime teknologjike dhe informative si dhe mundësitë e tjera të jashtëzakonshme që më ka ofruar Amerika, jam munduar të jap maksimumin tim në të mirë të kulturës. Maksimumi i njërit artist është gjithmonë disproporcional në krahasimin me maksimumin e një artisti tjetër. Por kushdo që jep maksimumin e vet për një kulturë i jep asaj energji të nevojshme për një zhvillim më progresiv.
 
Para pak ditësh disa nga gazetat në Shqipëri dhe Kosovë bënë të ditur lajmin se revista amerikane “Translation Review”  i kishte kushtuar për herë të parë një numër të tëre vetëm letërsisë shqipe të përkthyer deri tani në Anglisht. Aty flitej për kontributin tuaj të në bërjen të mundur të këtij botimi. Cili ka qenë kontributi juaj në botimin e kësaj reviste?

Gjithçka është subjekt për të ndryshuar në kulturë dhe letërsi. Për më se 30 vjet Translation Review konsiderohet nga bota akademike si revista më e fuqishme letrare e dedikuar veçanërisht për kritikën e përkthimit të librave që botohen në anglisht nga të gjitha gjuhët e botës. Unë arrita të siguroj për bibliotekën time personale koleksionin e plotë të deritanishëm të revistës. Më mori rreth 3 muaj leximi i plotë i 75 numrave të saj. Për çudinë time vura re se në të gjithë historinë e saj revista nuk kishte botuar asnjë shkrim kritik rreth letërsisë së përkthyer shqipe. Vendosa të përpiqem të bëj diçka. Për fat të mirë përpjekjet e mia nuk shkuan kot. Pasi paraqita në redaksinë e revistës një plan paraprak për materialet që do të mund të përbënin trupin e revistës, ata jo vetëm që e pranuan atë, por edhe më nderuan duke më dhënë dorë të lirë në kompozimin e saj dhe duke më bërë redaktor i atij numri. Pas 5-6 muajsh punë nga ana ime dhe e shumë miqve të mi, doli në qarkullin numri 76 i revistës i dedikuar plotësisht nga faqja e parë deri tek e fundit për letërsinë shqipe të përkthyer në anglisht.

Nga që jo të gjithë ne kemi pasë fatin ta lexojmë atë, a mund të na bësh një përshkrim të shkurtër të brendësisë së revistës dhe të strategjisë tuaj për përzgjedhjen e materialeve...

Për fat të mirë, revista do të dalin pas pak kohësh në formatin PDF në internet. Për sa i përket përmbajtjes së revistës mund të them se ajo paraprihet që nga kopertina nga një pikturë shumë e goditur artistikisht dhe vërtet domethënëse në nëntekstet e saj, e cila titullohet "Dedalus". Ajo mbanë për autor Andis Gjonin, njërin prej artistëve shqiptar që kam më për zemër. Hapja bëhet me një shkrim studimor nga Robert Elsie ku pasqyrohet historiku i letërsisë shqipe të përkthyer deri tani në anglisht. Por ikonë e këtij numri është shkrimtari Ismail Kadare. Këtë e kam bërë me qellim, natyrisht. Jo vetëm se ai është një ikonë e vërtetë në letërsinë shqipe dhe në letërsinë shqipe të përkthyer në anglisht, por edhe se çdo numër i revistës dërgohet nga Universiteti i Teksasit në Dallas dhe nga bordi i organizatës ALTA tek Fondacioni i Çmimeve Nobel në Stokholm të Suedisë. Strategjia ime në këtë pikë ka qenë e thjeshtë. Le të shërbejë ky numër si një mesazhe për Stokholmin se jo vetëm shqiptarët dhe shumë organizata të tjera letrare në botë e konsiderojnë Kadarenë si njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, por edhe UTD dhe ALTA evidentualisht e mbështesin këtë vlerësim. Për ta mbështetur këtë mesazh, kam botuar menjëherë pas shkrimit hyrës nga Elsie një intervistë të gjerë që unë kam bërë posaçërisht për këtë revistë me Kadarenë në lidhje me artin dhe problemet e përkthimit. Intervista është pasuar nga një shkrim analitik i përkthyesit Davis Bello, i cili shpjegon vështirësitë që i kanë dalë atij gjatë përkthimit të veprave të Kadaresë. Menjëherë pas këtij shkrimi akademik, kam vënë një shkrim shumë të rëndësishëm rreth Kadaresë të shkruar nga akademiku dhe përkthyesi Peter Morgan, titulluar “Ismail Kadare: Homer Modern apo Disident Shqiptar”. Ky shkrim ka qenë botuar para pak kohësh te revista tjetër me famë botërore “World Literature Today (Letërsia Botërore Sot). Botimi i këtij artikulli më ka nxjerrë shumë punë, sepse ka qene artikulli kryesor që ka shënuar një shitje rekorde të atij numri të resiste WLT dhe administrata e Universitetit të Oklahomës (që e boton atë) nuk na jepte dot të drejta e ribotimit. Për fat, kisha njohje personale me kryeredaktorin e kësaj reviste David Clark, i cili ndërhyri dhe pas më se 4 muajsh arritëm të siguronim të drejtat dhe si rezultat ribotuam artikullin. Peter R. Prifti, i cili në opinionin tim, është përkthyesi më i saktë nga anglishtja në shqip dhe nga shqipja në anglisht pas Nolit, thotë fjalën e tij për letërsinë Shqipe. Pas tij renditet një shkrim nga përkthyesi amerikan Wayne Miller për librin “Meduza” të poetit Moikom Zeqo. Pas Miller-it kam botuar një shkrim timin rreth poezive që kam zgjedhur dhe përkthyer në anglisht nga arkivi poetik i deritanishëm i poetit Preç Zogaj. Peter R. Prifti në një shkrim tjetër ndanë me lexuesin amerikan dhe botëror perspektivën e tij të përkthimit. Në vazhdim pason një shkrim analitik i poetit kandidat për çmimin Nobël në Letërsi, Frederick Turner, për metodat e përkthimin që ai dhe unë kemi ndjekur  dhe po ndjekim gjatë përkthimit të poezisë orale epike shqiptare, një vepër që do e botojmë vitin që vjen në Amerikë. Përkthyesi tjetër Peter Constantine shkruan rreth rëndësisë së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Ballkan. Përkthimi i Gjergj Fishtës në anglisht pasqyrohet në një shkrim i përkthyeses kanadeze Janice Mathie-Heck. Në këtë numër të revistës janë botuar edhe tri kritika të mirëfillta letrare për tri libra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ky kënd i “Kritikës së Përkthimit” fillon me një shkrim kritik të Ron Berishës për romanin e të mirënjohurit Rudolf Marku, titulluar “Allahland”. Poetja Luljeta Lleshanaku vihen në shënjestrën analitike të kritikut Peter Golup. Revistën e mbyll një shkrim i Laura Bowers, e cila e ngrenë shumë lart rëndësinë e ardhjes së poetit Mujë Buçpapaj me librin “The Invisible Victory” (Fitorja e Padukshme)  në libraritë Amerikane.

Nëse iu deshën 30 vjet kësaj reviste të botonte diçka për letërsinë shqipe, a ka gjasa se do të shkojë edhe 30 vjet të tjera para se të botojë diçka tjetër për letërsinë shqipe.

Shpresoj që jo! Ky numër është pritur jashtëzakonisht mirë nga akademiket. Tani letërsia shqipe është me e njohur se kurrë më parë. Por përveç kësaj, brenda 5-6 vjetësh do të bëj ç’të jetë e mundur që një gjë e tillë të përsëritet me letërsinë Kosovare. Letërsia kosovare meriton aq shumë. Ka më se një vit që lexoj librat e autoreve kosovarë që më patën dhuruar me autograf kur isha në Prishtinë për promovimin e librit tim “Lutje në ditën e tetë të javës”. Nga ato dhe librat e tjerë që munda të blej në libraritë e Prishtinës jam më se i bindur se lexuesi amerikan do të përfitonte shumë nga njohja e tyre. Ky është dhe do të jetë angazhimi im deri sa ta bëj realitet këtë projekt.  

Shkrimtari Adnan Mehmeti ka shkruar një libër rreth teje me titullin “Gjekë Marinaj, më shumë se poet’’. Çfarë të bën më shumë se poet? Në mos e ka fjalën për rolin tuaj aktiv në pasurimin e kulturës shqipe? Apo ai bazohet diku tjetër?

Askush nuk mund të jetë më shumë se poet. Çdo mrekulli në botë nuk do të ishte mrekulli pa pasë pjesën e saj poetike. Shikoni natyrën dhe njerëzit rreth vetes dhe do të bindeni se madje edhe Zoti i Madh nuk do të ishte aq madhështor po të mos ishte treguar poet në krijesën e universit. Dashamirësia e shkrimtarit Adnan Mehmetit në këtë libër reflekton më shumë esencën e shpirtit të tij si njeri se sa atë të botës time si poet.

Ju jepni lëndët e Letërsisë Botërore dhe Komunikimet gjuhësore në Richland College. Kur jeni para klasës a ndjeheni më shumë i dhënë pas letërsisë shqipe apo të huaj?

Ndjehem i dhënë pas letërsisë. Letërsia është si molekulat e oksigjenit në përbërjen e ajrit që thithim; sapo çlirohen në hapësirë i përkasin kujtdo që ka nevojë për shërbimin e tyre. Si e tillë, me të dalë nga pena e autorëve, letërsia nuk njeh kufij apo gjeografi, nuk i përket një kombi a një kontinenti, ajo është “oksigjen” i lirë për çdo mendje që ka nevojë për ta thithur atë. Mësuesit, pavarësisht se nga vinë apo ku japin mësim, nuk mund ta shohin veten jashtë kësaj atmosfere...     

Cili është mesazhi juaj (thuaj në ditën fundit të çdo semestri) për studentët tuaj në lidhje me letërsinë dhe komunikimin gjuhësor?

Çdo mësues apo pedagog, mendoj unë, ëndërron që studentët e tyre ta marrin mesazhin e përgjithshëm akademik nëpërmes emëruesit të përbashkët të tërësisë së lëndëve  që kanë studiuar gjatë jetës së tyre si studentë dhe jo në një klasë të vetme. Sepse edukimi shkollor është si një ortek që rritet gjatë rrokullisej, por që midis kësaj rrokullisje të gjatë dhe të furishme mund të marrin me vete edhe informacione që mund të mos jenë esenciale në të ardhmen e studentëve. Përveç kësaj, kur mbaron semestri gjëja e fundit që duan të dëgjojnë studentët prej pedagogëve të tyre është një “fjalim” shtesë. Por mesazhi që shpresoj se do të marrin ata, si nga pedagogët e lëndëve të tjera ashtu edhe nga lëndët që jap unë, është se investimi akademik nuk ka për mision mbushjen e kokës se studentëve me mendimet e pedagogëve a të autorëve të librave që lexojnë, por që nëpërmes mësimeve që fitojnë prej tyre të jenë në gjendje të krijojnë vetë ide të reja dhe frytdhënëse në fushat përkatëse dhe të jenë në gjendje të dallojnë me kompetencë idetë e mira nga idetë e këqija.       

Herë pas here kemi botuar në “Zemra Shqiptare” shkrime rreth librit tënd të fundit “Lutje në ditën e tete të javës”. Disa nga kritikët më të mëdhenj shqiptar por edhe disa nga majat e letërsisë shqipe e te huaj si Kadare, Turner dhe nobelisti Soyinka kanë thënë fjalët më të mira për këtë libër. Çfarë e bën poezinë tënde kaq të veçantë?

Deri tani kam pasë fatin e madh të mos kem nevojë të komentoj rreth poezisë time. Një gjë e tillë do më nxirrte jashtë natyrës time. Duke të kërkuar ndjesë (nëse më lejoni, kuptohet) do e devijoja pak pyetjen tënde për t’u përgjigjur jo se çfarë e bën të veçantë poezinë time, por çfarë tentoj unë në poezinë time.

Patjetër.  Një “deklaratë” poetike e natyrës së punës tuaj do të ishte me po aq interes për lexuesin tonë.

Faleminderit! Orbita rreth së cilës përpiqem t’i jap jetë poezinë time ka një dalje enigmatike nga ku më rrjedhë mundësia imagjinative dhe frymëzimi për të nuhatur dhe trajtuar subjektet e dashurisë dhe të dhembjes së njerëzimit, duke filluar me ato të vetes dhe të familjes time. Si poet nuk jam ekstremist në gjykimin e realitetit. Nuk pretendoj të jem poet më i madh se ky apo ai poet në letërsinë shqipe apo të huaj, por dëshiroj të jem një aktivist në ngritjen në një nivel më të lartë cilësor të poezisë bashkëkohore. Për këtë unë përpiqem të krijoj një botë të re shijesh, ngjyrash, konceptesh e formash poetike, që të gjitha së bashku të kompozojnë një “arkeologji” unike të restauruar nga dashuria ime për poezinë dhe për njerëzit për të cilët shkruaj. Këtu përfshihen të gjithë njerëzit dhe të gjitha kulturat. Unë luftoj që identiteti human të gjejë domethënie në poezinë time, ku përpiqem të reflektoj jo vetëm esencën e larmisë së kulturave të ndryshme por edhe ato aspekte që janë aq thellësisht të tejdukshme në secilën prej tyre. Nuk insistoj vetëm në unifikimin e kulturave të ndryshme në poezinë time por edhe në funksionin kognitiv të poezisë si një vend ku hipotezat imagjinative për të ardhmen e njerëzimit të janë të pranuara dhe të provuara për koherencë dhe bukuri artistike. Duke u përpjekur të ndërtoj një rrejt të tillë poetik në poezinë time, tentoj të guxoj të jem dakord me kritikët letrarë të cilët gati unanimisht (nga ata që kanë shkruar për poezinë time) mendojnë se identifikimi im më i saktë nuk është pasaporta ime, por poezia ime.   

Kohet e fundit bëtë transferimin e Shoqatës nga Riçardsoni i Teksasit në Nju Jork. Duke ia lëshuar vendin e Presidentit të shoqatës Z. Adnan Mehmeti. Pse mendon se ka qenë e nevojshme kjo Lëvizje?

Në fillim (2001) kur e krijuam Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Shoqata pati disa probleme të brendshme si të gjitha shoqatat e reja. Por dëshira ka qenë që në fillim që shoqata të drejtohej nga një President e një Kryetar që kanë mundësi ta drejtojnë atë me profesionalizmin që meriton shoqata. Transferimi ishte i nevojshëm sepse shumica e anëtarëve të shoqatës jetojnë në Nju Jork. Përvesh kësaj, po ta bëja transferimin para kësaj kohe, do ndjehesha sikur vetëm ja “lashë” dhe jo ja “dhashë” dikujt në dorë Shoqatën.  Fakti që poeti Adnan Mehmeti është sot President i shoqatës më bën të ndjehem shumë krenar. Adnani do të dijë të jetë një lider që udhëheq me mençuri dhe me respekt ndaj të gjithëve qoftë edhe kur midis ndokujt mund të ketë konflikte interesash apo idesh. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është ndër Shoqatat më aktive dhe me të respektuara të komunitetit shqiptar në Amerikë. Ajo meriton të udhëhiqet dhe jo të drejtohet. Adnan Mehmeti, i cili është edhe nga profesioni është një mangër i suksesshëm, ka zhvilluar më shumë aktivitete për koto pak muaj se sa ç’pata bërë unë për 3-4 vitet e fundit. Adnani ka edhe Kryetarin Dalan Luzaj, të cilët së bashku përbejnë dy nga njerëzit që vlerësoj dhe respektoj më shumë. Pra Shoqata është në duar të ndershme dhe intelektuale. Dhe vërtet gëzohem që Adnani e mori përsipër Shoqatën në kohën kur kisha nevojë për të si mik dhe koleg. Unë jetoj një jetë shumë, shumë aktive dhe koha është ndër gjërat më të rëndësishme të jetës time. Kam fare pak kohë përball shumë projekteve aktive. Ndër kushtet ekzistuese ishte e pamundur ta ndihmoja Shoqatën me vëmendjen dhe dedikimin që ajo meriton. Dhe kur e ndjenë se nuk je më personi më i përshtatshëm për ta kryer një detyrë, qofte edhe shoqërore si  ajo që Adnani ka tani, është e natyrshme që t’ia japësh atë një njeriu tjetër të përshtatshëm që mund ta kryejnë si duhet atë. Unë bëra ata që gjykova se është më e mira për Shoqatën dhe për vetëdijen time. Nuk kishte nevojë për paralajmërime, për deklarata shtypi apo marrëzira të tilla nga ana ime, sepse kjo ishte një detyrë shoqërore që e dija që në fillim se nuk ishte pjesë e objektivave të mia në jetë. Por kam nderin të jem midis miqve të mi si anëtar i shoqatës. Kam paguar kuotën e anëtarësimit për 2 vitet e ardhshme dhe tani po gëzoj një jetë pak më të qetë nga larg dhe afër shoqatës.

Cilët janë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë dhe të huaj që preferon Gjekë Marinaj dhe pse?

Lista e autorëve që adhuroj do të ishte më e madhe se kapaciteti i një interviste për ta pasqyruar atë. Lista e arsyeve, natyrisht, do të ishte edhe më e madhe. Ngaqë hartimi i një liste të shkurtër do më kërkonte më shume kohë mendimi se sa hartimi i një listë të gjatë, me lejo te përfundoj me kaq përgjigjen time të kësaj pyetje.

Ju tashmë i keni të gjitha kualifikimet për të zënë një vend në nivele të larta të politikës në Shqipëri apo në Amerikë. A do të merreni me politikë ndonjëherë? Arsyetimi juaj?

Jo! Nuk do të zgjedh politikën si profesion jetese. Politika, veçanërisht ajo shqiptare, i ngjanë shumë lojërave të fatit. Unë kam punuar gjatë gjithë jetës që jeta ime profesionale të jetë stabile dhe e qetë. Tani që ia kam arritur këtij qëllimi, një lëvizje drejt politikës do të ishte aq absurde sa me të drejtë do të vinte në dyshim aftësitë e mia për të gjykuar si duhet. 

Atëherë le të bej një pyetje tjetër. Çfarë pëlqen (apo urren) në politikën shqiptare, aq më tepër tani që sapo patëm zgjedhjet e fundit?

Unë nuk jam specialist në shkencat politike, ndaj mund të jap vetëm një opinion personal. Pasi kjo u tha, duhet ta pranoj se gjatë gjykimit të parë politikën shqiptare e shoh si një subjekt abstrakt me veti zhurmuese që është praktikisht e shkëputur nga nevojat e jetës së përditshme të popullit. Por kur ky subjekt më filtrohet në kanalet e mendimeve të përqendruara, politika nuk më paraqitet as si e mënjanuar nga interesat normale të popullit as si një dukuri që gjendet përtej aftësisë së tij për ta kuptuar atë.  Mendoj se të gjithë shqiptarët kanë vizionin e tyre politik, pavarësisht nëse janë apo nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë. Kjo është një dukuri pozitive. Nga ana tjetër, do të dëshiroja të shihja më shumë raste ku politikanët të flasin para votuesve për çështje të rëndësishme që kanë lidhje direkt me shqetësimet e njerëzve me një gjuhë më konkrete dhe më të besueshme. Kjo gjuhë të formulohet në atë mënyrë që të mos krijojnë nëpërmes saj kundërshtarë, por të bindin të gjithë njerëzit se përdoruesit e saj i kanë analizuar çështjet në fjalë me shumë kujdes dhe se ato meritojnë vëmendjen e tyre serioze. Që të ndërtojnë lidhje me masën që i rezistojnë elasticitetit politik, politikanët duhet të aplikojnë një ethos që i prezanton si njerëz të sinqertë, të mirë-informuar dhe të ndjeshëm. Sepse njerëzit u kushtojnë më vëmendje politikanëve për të cilët kanë respekt sesa atyre që i njohin si njerëz që “aga frynë era, kthejnë shpinën”. Thirrjet “më besoni mua!” janë “medikamente” që kanë skaduar disa fushata më parë. Njerëzit zakonisht kërkojmë më shumë se premtime të vihen në lëvizje. Ata nuk duan të ndjehen të fyer nga politikanë të cilët atakojnë me shpifje thelbin e karakterit të oponentit. Ata nuk duan t’u besojnë votën atyre kandidatëve që përpiqen të kufizojnë meritat e oponentit vetëm që programi i tij të mos ndikojnë pozitivisht te njerëzit dhe vetëm që reagimi i tyre kundrejt problemeve komplekse të shtyhet jashtë radarit. Një gjë tjetër që më shqetëson te politika shqiptare është fakti se nganjëherë politikanët përpiqen të bindin të tjerët se strategjia e veçantë që mbajnë ata, apo partia që përfaqësojnë, është e vetmja rrugëdalje nga gjendja aktuale që gjendet vendi. Duke bërë këtë ata mundohen të ngjallin dogmatizëm. The siç e dimë, dogmatizmi është një pasqyrim falsë i ethos së një politikani, sepse taktika që përdorin nënvlerëson besimin që duhet të ekzistojnë midis atyre që i japin dhe atyre që i marrin këto premtime.

Tani qe e mbulove anën teorike të pyetjes a mund të jepni diçka për anën praktike të saj, me ndonjë shembull konkret? 

Ka plot shembuj ku ekuivalenca morale është kthyer në shtytje falsifikuese në politikën shqiptare. Ja disa shembuj ku akuzat serioze nuk ndryshojnë në llojin e vet me gabimet apo thyerjet e ligjeve morale me pasoja të mëdha apo ordinere në shoqëri. Për shembull, kur Sali Berisha humbi zgjedhjet menjëherë pas incidentit me piramidat, fjalori i tij ishte me karakter fyes duke i quajtur të gjithë socialistët “komunistë” në vend që të paraqitej para popullit duke kërkuar sinqerisht ndjesë për piramidat dhe duke parashtruar plane konkrete për ndryshimin e gjendjes politike dhe ekonomike të krijuar në Shqipëri nën pushtetin e tij. Populli, natyrisht, u dha votën socialistëve. Berishës, para se ta fitonte edhe një herë votën e tyre, iu desh të nxjerrin mësime nga populli dhe të paraqitej jo si antikomunist por si politikan që është kundra korrupsionit, që është për një reformë ekonomike të shpejtë, për rritjen e pagave dhe të pensioneve si dhe për futjen e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Edhe Rama këtë herë përsëriti gabimet e dikurshme të Berishës. Ai iu drejtua popullit duke e thirrur atë në protesta kur Shqipëria u fut në NATO. Pastaj, edhe më keq, ai përdori tragjedinë e Gërdecit për të kthyer popullin kundra Partisë Demokratike, duke e quajtur atë “Qeveria e Gërdecit” apo “Partia e Gërdecit”. E gjithë kjo, kur populli e dinte fare mirë se Gërdeci ishte një aksident tragjik që mund të ndodhte pavarësisht se cila parti mund të ishte në pushtet. Ai duhej të linte shkaqet që çuan drejt tragjedisë së Gërdecit të flisnin vetë për gabimet e Partisë Demokratike dhe të përqendrohej në rolin e tij dhe të partisë së tij në ndihmën e familjeve që ranë viktime e këtij aksidenti. Parashikimi im është se në zgjedhjet e 2013-tës edhe Rama do të ndërrojnë kurs nga strategjitë e tij të deritanishme, siç pati bërë Berisha. Por e gjithë kjo tregon së bashku me rezultatet e arritura deri më sot Shqipëria po përparon ngadalë në arenën politike dhe (më e rëndësishmja) se populli shqiptar është një hap para politikanëve të tyre.  

Dosjet!  Mendon se ka ardhur koha që të hapen dosjet e regjimit komunist, apo duhet që të qëndrojnë mbyllur dhe shqiptarët të mos dënojnë moralisht vrasësit dhe terrorizuesit e tyre?

Formulimi i pyetjes tënde më sugjeron që të them: “të hapen!” Por unë dhe ti e dimë se ideja për hapjen e dosjeve të periudhës së regjimit komunist nuk është asgjë më shumë se një ide për t’u përfshirë në dosjet e ideve “shkumë” të së ardhmes. Ato në thelb nuk kanë të bëjnë fare me të tanishmen. Në fakt hapja e dosjeve si ide, në kundërshtim me perceptimin tim për formimin intelektual të politikanëve, është e huazuar nga mësimet e Platonit. Ai theksonte në veprën e tij filozofike “Republika” rëndësinë e krijimit të ideve të vyera në kohën e duhur duke u mbështetur jo vetëm në faktet e sakta të ndodhive të së kaluarës por edhe tek nevojat e së ardhmes. Dihet se ndodhitë e shëmtuara të së kaluarës komuniste janë edhe në dosje. Çështja është se si mund të gjendet një ide që politikanët të përfitojnë prej tyre. Kjo nuk ka të bëjë fare me hapjen aktuale të dosjeve. Krimet komuniste, zoti Gëzim, janë të regjistruara thellë në kurrizet e deformuara të prindërve të mi, të prindërve të tu dhe të prindërve të pjesës më të madhe të shqiptarëve të brezit tonë. Ato janë të shkruara me germat e eshtrave të trupave të dekompozuar të njerëzve të pushkatuarve të pafaj, të atyre të rinjve që u vranë në kufirin shqiptar apo të atyre që vdiqën nga uria dhe torturat nëpër burgje e nëpër kanalet e moçaleve që kishin në qendër kampet e internimit...  Por demokratët, duke e parë se socialistët po paraqiten para popullit me pothuajse të njëjtat programe politike si ata, duhej të gjenin një ide të re, një ide shtesë për ta diferencuar veten nga Socialistët. Ngaqë praktika e ofendimit të socialistëve duke i thirrur të gjithë “komunistë” u përjashtua nga kultura qytetare e vetë popullit, ata dolën me idenë e debatit rreth mundësisë së hapjes së dosjeve. Një taktikë frikësimi kjo, gjoja në emër të drejtësisë, që sugjeron se atje, në dosjet që ata “duan të hapin por që duhet luftuar rezistenca e fuqishme e socialistëve,” gjenden plot gjëra të tmerrshme të cilat po të hapeshin do të hapej me to edhe rreziku i madh i disa socialistëve që akoma janë në pushtet dhe kërkojnë votën e popullit. Është e vërtet se dosjet janë të mbushura me fakte krimesh të kryera ndaj popullit, por kjo nuk ka asgjë të bëjë me drejtësinë dhe gjithçka të bëjë me interesat partiake. Si mund të kenë lidhje dosjet me drejtësinë, kur arkitektët kryesor të krimeve si Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe shumë ish anëtarë të Byrosë Politike apo ish shefa të Sigurimit të Shtetit janë të lirë nëpër Tiranë e madje, disa prej tyre apo anëtar të familjeve të tyre) janë akoma në pushtet? Në fund të fundit, nëse kriminelët do të lihen të lirë, populli nuk ka nevojë të dijë së ç’është shkruar apo kush gjendet në dosje kur ato dhe ata që janë aty (bile edhe shumë më tepër) i kanë vuajtur si fizikisht e shpirtërisht ashtu edhe nga ana psikologjike për më se pesë dekada. Nëse qeveria do të ndërmarrë aksione kundra tyre në emër të drejtësisë, edhe vetëm për qëllim të drejtësisë,  ata nuk kanë nevojë për leje të askujt as për hapjen e dosjeve as për dënimin e fajtorëve. Pastaj të dyja partitë kryesore të vendit kanë qenë të pushtet pas rënies së komunizmit. Të dyja partitë kanë pasë “fletëhyrje” te dosjet. Nëse ato kanë pasë ndonjë gjë që më vonë mund t’i rrezikojnë ata personalisht apo karrierën e tyre politike (përfshi këtu të afërmit, miqtë dhe kolegët tyre) çfarë garancie kemi se dosjet nuk janë të përgjysmuara, të seleksionuara, apo të eliminuara? Unë mendoj që sytë të kthehen nga populli për drejtësinë - vetëm në kujtimet dhe zemrat e tyre të lënduara nuk kanë “fletëhyrje” partitë...                                 

Faleminderit që pranove ta bësh këtë intervistë për Zemra Shqiptare zoti Marinaj.

Kënaqësia ime. Faleminderit për ftesën zoti Marku.



(Vota: 293 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora