Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Xhelal Zejneli - Kombi
E shtune, 15.03.2025, 06:00 PM
INTERVISTË ME PROFESORIN DHE PUBLICISTIN XHELAL ZEJNELI (III)
KOMBI
EKSKLUZIVE NGA GËZIM
MARKU
Në pjesën e
tretë dhe të fundit të intervistës me Prof. Xhelal Zejnelin, ne thellohemi në
analizën e së kaluarës, sfidave të së tashmes dhe perspektivave për të ardhmen
e kombit tonë. Profesori ndan me ne pikëpamjet e tij mbi momentet kyçe
historike që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar, shqyrton realitetin
aktual politik dhe kulturor, si dhe ofron një vizion për të ardhmen e
shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.
GM: Si
e përkufizoni kombin shqiptar dhe çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e tij?
A ka ndonjë traditë të veçantë shqiptare që e konsideroni thelbësore për
identitetin kombëtar?
XHZ: Shqiptarët janë bij të ilirëve. Shqipja është bijë e
ilirishtes. Shqiptarët janë rrënjës apo autoktonë në brigjet e Adriatikut dhe
të Jonit, rrënjës në mbarë Gadishullin Ilirik
Janë racë ariane, i karakterizon pastërtia e racës. Janë popull vital,
posedojnë virtyte të larta, bujarë dhe fisnikë, janë popull historik dhe popull
politik. Gjatë historisë janë shquar për trimëri, besë dhe mikpritje. Çdo
shqiptar krenohet me të qenët pjesë e këtij kombi. Miliona të huaj vijnë në Shqipëri
nga të katër anët e botës. Ata thonë: “Natyrë
e bukur, monumente magjepsëse që vijnë nga lashtësia, vlera historike që vijnë
nga mesjeta deri në ditët tona, popull bujar dhe fisnik me virtyte njerëzore të
larta”.
Shqiptarët rrethohen nga Serbia, Greqia, Mali i Zi si dhe
nga sllavo-maqedonasit. Të gjithë këta të mbrojtur dhe të mbështetur nga Rusia
e madhe. Ky është një rrethim tragjik.
Thelbësore për identitetin kombëtar është ruajtja,
pasurimi dhe mbrojtja e gjuhës shqipe. Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi
studimit të vlerave kombëtare, si: historisë kombëtare, gjeografisë kombëtare,
letërsisë kombëtare, letërsisë popullore, përkatësisht folklorit shqiptar,
artit popullor, artit kombëtar, muzikës popullore. Nuk mbrohet identiteti me
arsimim jocilësor. Në shumë lëndë, Shqipëria dhe Kosova duhet t’i harmonizojnë
plan-programet mësimore. Nxënësit dhe studentët shqiptarë të Shqipërisë çdo vit
duhet ta vizitojnë çdo qytet të Kosovës dhe vice versa. Këta të
Kosovës rregullisht duhet ta vizitojnë Shqipërinë, nga veriu në jug. Për
Shqipërinë dhe për Kosovën nxënësit duhet të mësojnë në shkolla nga tekstet
shkollore. Në epokën e komunikimit satelitor, identiteti i popujve vihet në rrezik. Sidomos i popujve të vegjël. Të
rinjtë shqiptarë duhet të krijojnë familje, të kujdesen për të dhe ta mbrojnë
atë. Numri i madh i shkurorëzimeve është i pajustifikueshëm. Shqiptarëve, si
shumë popujve të tjerë, u kanoset edhe rreziku nga shpopullimi i trojeve
etnike. Kurrë nuk duhet thënë se ata që kanë ikur s’do të kthehen më.
Shpërngulja lë pasoja të rënda: Dobësohet forca prodhuese e popullit, forca
riprodhuese, ekonomike, mbrojtëse. Shpërngulja shkakton mungesë të fuqisë
punëtore. Si rrjedhojë, nëpër ndërmarrjet dhe fermat e shqiptarëve do të
punojnë njerëz prej vendeve aziatike. Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë
kushte që mërgimtarët të investojnë në atdhe. Shpërngulja shkakton edhe
çekuilibrim gjinor.
Petro
Nini Luarasi
GM:
Cili është mendimi juaj mbi rolin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në ruajtjen dhe
forcimin e identitetit kombëtar, si dhe ndikimin e tyre në formësimin e
vetëdijes historike dhe kulturore të shqiptarëve?
XHZ: Jemi në kohën e komunikimit digjital. Pavarësisht
nga teknika dhe teknologjia kompjuterike, vlerat kombëtare tradicionale si
gjuha shqipe dhe letërsia shqiptare, vazhdojnë të luajnë një rol të
jashtëzakonshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për forcimin e
tij. Rol luajnë edhe folklori shqiptar,
historia kombëtare, gjeografia kombëtare, arti figurativ dhe arti muzikor. Kudo që janë, shqiptarët duhet
ta respektojnë normën letrare. Norma letrare është përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të
mbajtur në Tiranë më 20-25 nëntor1972. Kongresi i përcaktoi parimet dhe
drejtimet kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare kombëtare të njësuar.
Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës
letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike,
gramatikore, fjalëformuese dhe leksikore. Në botën shqiptare duhet të ketë ligj
për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Vitet e fundit kanë vërshuar një mori fjalësh të
huaja. Për shumë fjalë të huaja i kemi fjalët tona. Shumë fjalë të huaja mund
të zëvendësohen me fjalët tona. Norma letrare duhet të respektohet, si në të
shkruar, ashtu edhe në të folur. Gjuha letrare duhet të përdoret në familje, në
shkollë, në universitete, në administratë, në mediumet e shkruara apo në ato
elektronike, në studiot televizive. Kudo pra. Gjuha shqipe është një. S’ka dy
gjuhë shqipe. S’ka gjuhë kosovare. Të flasësh për gjuhë kosovare është tradhti
kombëtare, tradhti e lartë. Është mendim dhe qëndrim antikombëtar,
antishqiptar. Kjo do të thotë prej një gjuhe të krijosh dy gjuhë, prej një
populli të krijosh dy popuj, prej një kombi të krijosh dy kombe. Dy shtete
shqiptare nuk do të thonë dy kombe shqiptare. Teorinë e gjuhës kosovare e
mbështesin armiqtë e shqiptarëve. Veprat letrare artistike duhet të botohen
vetëm në gjuhën letrare, në shqipen e njësuar, duke respektuar normën letrare të
vitit 1972. S’ruhet as forcohet identiteti kombëtar me gabimet gjuhësore në
mediume, në studiot televizive, nëpër tekste shkollore, në ato universitare.
Bota shqiptare duhet ta harmonizojë edhe terminologjinë e lëmenjve të ndryshëm.
Nëpër shkolla gjuha shqipe dhe letërsia duhet të ligjërohen si dy lëndë. Gjuha
dhe letërsia duhet të mësohen dhe të ligjërohen nga katër orë në javë. Të
ligjërohen prej dy mësuesve, arsimtarëve apo profesorëve të shkollave të mesme.
Ka shqiptar, anëtar Akademie, i cili nuk
di ta shkruajë drejt gjuhën amtare. Në një studio televizive, një
zëvendësministër kishte thënë: “Është për
t’u habitur se si shumë nxënës dhe studentë nuk e dinë se ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut e ka shkruar Marin Barleti”.
Meshari
i Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555, ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit
Tani e tutje do ta kemi edhe Fjalorin e ri të
gjuhës shqipe me rreth 110 mijë fjalë dhe mbi 11 mijë shprehje frazeologjike.
Ky fjalor vjen pas atij viti 1980 dhe do të shërbejë për pasurimin e shqipes.
Në fjalorin e ri kanë punuar specialistë të të gjitha trojeve shqiptare.
Fjalorin e ri duhet ta ketë çdo familje, çdo shkollë, çdo institucion, zyrat e
administratës. Jo vetëm ta kenë, por edhe ta lexojnë.
Identiteti ruhet dhe forcohet edhe nëpërmjet
veprave letrare të periudhave të ndryshme, që nga Barleti dhe Buzuku e këndej.
Krijimet letrare shqipe shquhen për nivelin e lartë artistik të tyre, por shumë
krijues shqiptarë kishin një mision: Ta bënin Shqipërinë.
Rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e
identitetit luan zhvillimi ekonomik i botës shqiptare, zhvillimi i industrisë
dhe i degëve industriale, sjellja e investimeve të huaja, rritja e prodhimit
dhe e eksportit, zhvillimi i turizmit, krijimi i tregut të përbashkët të botës
shqiptare, zhvillimi i turizmit detar, lumor, malor dhe rural, zhvillimi i
turizmit dimëror, ndërtimi i sistemit bankar dhe financiar. Identiteti nuk
ruhet në varfëri dhe në papunësi. Varfëria dhe ngecja ekonomike e dobësojnë dhe
e rrezikojnë identitetin. Me paga minimale s’ka s’i ruhet identiteti. Njëri i
ka të gjitha, tjetri asgjë. Njëri jeton në luks, tjetri mezi e siguron bukën.
Çfarë identiteti pret nga personi që mbledh kanaqe nëpër koshat e hedhurinave.
Një popull i varfër i një shteti të pazhvilluar i merr rrugët pa kthim të
mërgimit. Atje ku shkon, e harron gjuhën, i harron traditat, doket, zakonet.
Fëmijët e tij atje shkollohen në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën amtare.
Fëmijët, nipat dhe mbesat e mërgimtarëve vështirë i shmangen asimilimit.
Krijojnë familje edhe me të huaj. Kjo është e dhimbshme, por reale. Më tepër se
gjysma e botës shqiptare janë shpërngulur. Shpërngulja determinohet nga shumë
faktorë. Fajtorë të shpopullimit të trojeve shqiptare janë edhe udhëheqësit
politikë, politikanët, qeveritarët, pushtetarët, si të nivelit qendror, ashtu
edhe atij vendor. Para kësaj drame
tragjike heshtin Akademia e Shkencave, universiteti, inteligjencia,
shkrimtarët, sociologët. Dikush i kishte thënë një poeti: “Zotëri, unë s’e kam paguar rrymën, e ti më flet për poezi”.
GM:
Çfarë ndikimi pati Kongresi i Manastirit në unifikimin gjuhësor të shqiptarëve?
XHZ: Kongresi i Manastirit është kongres kombëtar.
Ndryshe quhet edhe Kongresi i Alfabetit. U mbajt në Manastir prej datës 14 deri
në 22 nëntor të vitit 1908. Elita e kombit u mblodh për të shqyrtuar çështje të
caktuara të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Në radhë të parë duhej zgjidhur
çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe.
Njësimi i tij ishte bërë problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor. Ishte
një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. Nismëtar i thirrjes së një
kongresi kombëtar ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Në të morën pjesë 50
delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të
madhe të trevave shqiptare si dhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme.
Midis tyre kishte shkrimtarë, publicistë, lëvrues të gjuhës, mësues të shqipes,
veprimtarë të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare. Komisioni 11-anëtarësh që zgjodhi Kongresi
përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim.
Kryetar Komisioni ishte Gjergj Fishta (1871-1940).
Anëtarë të Komisionit ishin Luigj
Gurakuqi (1879-1925), Sotir Peci (1873-1932),
Mid’hat Frashëri (1880-1949), Shahin Kolonja (1865-1919), Dh. Buda, Ndre Mjeda (1866-1937), Gjergj
Qiriazi (1868-1912), Bajo Topulli (1868-1930), Nyzhet Vrioni (1877-1920) dhe mësuesi i
shkollës së vajzave në Korçë Grigor M.
Cilka (1875-1919). Kongresi u mbajt nën kryesinë e Mid’hat Frashërit. Nënkryetar ishte Gjerasim Qiriazi (1858-1894), ndërsa sekretar - Luigj Gurakuqi (1879-1925). Kongresi i Manastirit ndërlidhet ngushtësisht me lëvizjen kombëtare
shqiptare për çlirim nga Turqia. U organizua nga Shoqëria “Bashkimi” dhe u
afirmua nga Mid’hat Frashëri në
revistën e tij “Liria”. Morën pjesë delegatë nga mbarë Shqipëria dhe nga
kolonitë shqiptare jashtë. U arrit mendimi i përbashkët që alfabeti t’i
shërbente forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe Gjergj Fishta. U morën në shqyrtim 3
alfabetet kryesore: Alfabeti i Shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, alfabeti
i Shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i hartuar nga Preng Doçi (1846-1917) dhe alfabeti i Shoqërisë së Stambollit i
hartuar nga Sami Frashëri (1850-1904).
U shqyrtuan edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek i përdorur nga studiuesi dhe
lëvruesi i gjuhës shqipe Kostandin
Kristoforidhi (1827-1895) si dhe alfabeti arab që e përdornin klerikë
myslimanë në Maqedoni dhe në Kosovë. Komisioni vendosi të pranojë variantet e
modifikuara të alfabetit të “Bashkimit” dhe të alfabetit të Stambollit. Të dy
mund të përdoreshin në shkolla dhe në botime. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në
7 shkronja. Me kalimin e kohës, mbizotëroi alfabeti i sotëm i shqipes i tëri i
bazuar në shkronja latine. Me zgjidhjen e çështjes së alfabetit u hodhën
bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe. Alfabeti i ri kishte nëntë dyshkronjësha dhe dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë).
Vendimet e Kongresit ishin kurorëzim i përpjekjeve të
shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim. Ato u mirëpritën nga
rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Brenda ca vitesh,
alfabeti i krijuar nga Komisioni mori epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i
shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap tejet i rëndësishëm për njësimin e
drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për
alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por
edhe për Lëvizjen Kombëtare. Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan takime dhe
mbledhje të mbyllura me delegatët ku u shtjelluan çështje politike. Synohej
afrimi i pikëpamjeve për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të
organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. U
hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikësh,
që iu dha deputetit të Korçës, Shahin
Kolonjës, për ta paraqitur në parlamentin osman në emër shqiptarëve.
Përcaktimi i pjesëmarrësve për alfabetin latin ishte
dëshmi e orientimit evropian të shqiptarëve. Pjesëmarrësit e Kongresit ishin
idealistë. Për Shqipëri, rilindësit shitnin shtëpitë, kurse në botën shqiptare
sot, ka politikanë që për interesa vetjake, janë në gjendje të nëpërkëmbin
shqiptarinë.
Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një
shkallë më të lartë. Lidhja e Prizrenit
(1878) dhe Kongresi i Manastirit
(1908) ia hapën rrugën shpalljes së
pavarësisë më 1912.
GM: Si
e shikoni identitetin kombëtar shqiptar në kohën e globalizmit? A mendoni se ai
është i fortë dhe i qëndrueshëm, apo po përballet me sfida që mund ta
dobësojnë?
XHZ: Do të ishte e dhimbshme sikur të thoshim se
globalizmi paraqet rrezik për identitetin e
shqiptarëve. Globalizmi praqet sfidë për shumë popuj të botës, sidomos
për popujt e vegjël. Të gjithë i kanë sytë kah Perëndimi, të gjithë duan në
Evropën Perëndimore, në ShBA, në Kanada, në Australi. Kina është fuqi e dytë
ekonomike në botë. Megjithëkëtë, ka shumë kinezë që shpërngulen. Shpërngulja është shndërruar në
tendencë apo në trend. U ngjiten shkallëve të aeroplanit edhe persona që s’kanë
nevojë për shpërngulje! Kroacia po zbrazet, ndonëse është fuqi kontinentale e
turizmit. Shpërngulja shkakton mungesë të fuqisë punëtore. Kjo mungesë synohet
të kompensohet me imigrantë prej vendeve aziatike. Ardhja në masë e tyre, në
një vend të vogël, mund të shkaktojë çrregullime dhe çekuilibrime formash të
ndryshme. Do të ndërthureshin dhe do të gërshetoheshin kultura, tradita,
religjione, zakone, doke, vese, psikologji, mendësi të ndryshme.
Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX, bota
shqiptare ballafaqohet me shpërnguljen e popullsisë. Trojet shqiptare po
zbrazen. Askush nuk çanë kokën, as Akademia e Shkencave, as Universiteti, as
intelektualët, as shkrimtarët, as sociologët. Askush. Nuk dëgjohet zëri i protestës.
Institucionet arsimore dhe shkencore duhet të alarmojnë për pasojat e kësaj
dukurie të frikshme. Shkaktarë të shpopullimit të trojeve shqiptare janë
politikanët, qeveritarët dhe pushtetarët e korruptuar. Në botën shqiptare
vërshon nepotizmi. E ashtuquajtura elitë e shoqërisë i ka rrëmbyer të gjitha
institucionet e shtetit dhe të shoqërisë. Politikën, arsimin universitar,
qeverinë, kuvendin, veprimtaritë ekonomike fitimprurëse, diplomacinë.
Pastaj, sikur ta kishin mall babe, ua
lënë trashëgim djemve, vajzave, rejave, dhëndurëve, nipave, mbesave, hallave,
tezeve, fisit, klanit. Preokupimin me tema kombëtare e marrin për prapambeturi.
Në rate të caktuara ky soj njerëzish hiqen edhe atdhetarë, shqiptarë të
mëdhenj, qeveritarë me vizion, burra shteti, shtetarë, pushtetarë dhe
politikanë, që ç’ke me të! Atdhetarin e vërtetë e konsiderojnë të prapambetur.
Për të thonë se e ka shkelur koha.
Një ditë mund të mbetemi pa popull. Kur një vend mbetet
pa rini, në fakt mbetet edhe pa popull. Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë,
kurrë nuk kthehen më. Ka të tillë që kërkojnë edhe azil apo strehim. Ka që
kërkojnë shtetësinë e vendit ku kanë vajtur. Po t’i çelë kufijtë Evropa
Perëndimore, të gjithë do të iknin.
Sidoqoftë, shqiptarët janë popull vital. Ia kanë dalë të
mbijetojnë mbi gur e shkëmb. Në kërkim të lirisë, tehut të shpatës kanë ecur
prore. Përballë rrebesheve, si një mal i vetmuar, të patundur kanë qëndruar.
Flamuri i Gjergjit mbi kullat arbërore do të valojë me krenari, ndërsa foshnjat
do të përkunden në djep me ninullat shqipe, si në kohën ilire.
Noli
dhe Konica
GM: Si
e vlerësoni rolin e diasporës shqiptare në forcimin e çështjes kombëtare, si
nga këndvështrimi historik ashtu edhe në kontekstin aktual? Cilat mendoni se
kanë qenë kontributet më të rëndësishme? Cili është këndvështrimi juaj i
përgjithshëm mbi emigracionin shqiptar, i cili, krahasuar me popullsinë, është
ndër më të lartët në botë?
XHZ Në kohën e sundimit osman, shumë shqiptarë, në kërkim
të punës dhe të dijes janë vendosur në kolonitë shqiptare në: Stamboll, në
Bukuresht, në Egjipt, sidomos në Kajro, në Aleksandri etj., në Sofje, në
Selanik, në Athinë. Në kapërcyell të shekullit XIX, edhe në Amerikë. Në këtë
kohë, Konicën dhe “Albania-n” e tij i
gjejmë në Evropë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm
për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Shoqëria atdhetare e emigrantëve
shqiptarë në ShBA, Federata “Vatra”, e themeluar në Boston më 1912 është një
nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet dhe më nga jetëgjatët në diasporën
shqiptare. Organ i saj ishte dhe vazhdon të jetë gazeta “Dielli”. Pranë “Vatrës” kanë qenë figura të njohura të kombit, si Fan Noli ( 1882-1965) dhe Faik Konica.(1875-1942). “Vatra” dhe “Dielli” u bënë shprehës të aspiratave
kombëtare dhe demokratike të emigrantëve dhe të gjithë popullit shqiptar në
arenën ndërkombëtare. “Vatra” e mbështeti luftën e popullit shqiptar për liri
dhe për shpalljen e pavarësisë më 1912. Protestoi kundër copëtimit të
Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve
në Londër (1912-1913), zhvilloi veprimtari diplomatike të dobishme në
momentet me rëndësi historike për Shqipërinë. Veprimtaria e “Vatrës” arriti
kulmin në vitet e Luftës I Botërore dhe
gjatë periudhës së zhvillimit të Konferencës
së Paqes në Paris kur ajo veproi në mënyrë energjike për rinjohjen e
shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të tij. Ajo e dënoi
dhunën dhe gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare në ish-Federatën
Jugosllave. Shqiptarët në ShBA e mbështetën luftën çlirimtare në Kosovë në
vitet 1998-1999 dhe shpalljen e pavarësisë së saj. E kanë mbështetur po ashtu
edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën
lindor (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), zgjidhjen e çështjes çame. E kanë
mbështetur edhe themelimin e Universitetit të Tetovës. Diaspora shqiptare në
ShBA i mbështeti edhe ndryshimet në Shqipëri, rënien e komunizmit dhe lindjen e
demokracisë.
Edhe diaspora shqiptare në Evropë – në Gjermani, Zvicër,
Danimarkë dhe në vende të tjera skandinave ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme
për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga pushtuesit dhe kolonialistët
serbomëdhenj. I kanë mbështetur shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në
Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) për zgjidhjen e kauzës kombëtare
të tyre. Një prej veprimtarëve të shquar të diasporës në Evropë ka qenë edhe
poeti dhe atdhetari i madh Jusuf
Gërvalla (1948-1982). Në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, prej
vendeve skandinave kanë ardhur për të votuar në Maqedoni. Kanë bërë mijëra
kilometra rrugë. Janë përpjekur për ta sensibilizuar kauzën shqiptare nëpër
kancelaritë e Evropës. Themelimin e Universitetit të Tetovës e kanë mbështetur
në të gjitha mënyrat, përfshi edhe financiarisht. E kanë mbështetur po ashtu
edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të 2001-shit në Maqedoni.
Shqiptarët në Amerikë edhe sot punojnë për ta siguruar
mbështetjen e Uashingtonit për Kosovën.
Emigracioni shqiptar sot duhet të kujdeset për ta ruajtur
identitetin kombëtar. Aty ku jetojnë dhe punojnë duhet të kërkojnë shkolla në
gjuhën shqipe. S’ka ruajtje të identitetit pa shkollim në gjuhën amtare.
Shprehja “të integroheni në shoqëri” ngërthen
në vete punësimin, shkollimin por edhe asimilimin e imigrantëve. Shqiptarët që
jetojnë dhe që punojnë jashtë duhet të shkollohen dhe të marrin arsimim
universitar. Është mirë që të punojnë në vende udhëheqëse, në vende ku kërkohen
kualifikime dhe certifikime profesionale. Mjaft kanë punuar shqiptarët nëpër
skele ndërtimi. Shqiptarët duhet të mendojnë të kthehen në atdhe dhe të
investojnë në trojet arbërore. Kjo duket utopi, ëndërr e parealizueshme.
Pushtetarët shqiptarë duhet t’u krijojnë atyre favore dhe kushte të volitshme
për ta zgjuar interesimin e tyre që të investojnë në mëmëdhe.
Diaspora shqiptare duhet ta dijë se politika kombëtare
shqiptare nuk bëhet në Gjermani, në Zvicër, në Greqi, në Itali, në Danimarkë
apo në ShBA. Politika shqiptare bëhet në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën
lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoninë e Veriut, në Mal t Zi,
ndër çamë.
GM:
Çfarë mund të na thoni mbi përpjekjet dhe sakrificat e shqiptarëve që jetojnë
jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës për të ruajtur gjuhën,
kulturën dhe identitetin kombëtar, nga periudha e Shpalljes së Pavarësisë deri
në ditët e sotme?
XHZ: Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913)
trojet shqiptare u prenë me gërshërë dhe u ndanë në gjashtë pjesë: Shqipëri,
Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe
Çamëri. Shqiptarët në këto vende kanë bërë përpjekje titanike për ta ruajtur
gjuhën dhe identitetin kombëtar. Për këtë kanë paguar çmim të lartë. Për të
drejta dhe liri, disa e kanë dhënë jetën. Të tjerë kanë vuajtur vite burgu. Një
popull që ka familje tradicionale,
rrebesheve të kohës u bën ballë më lehtë.
Rugova
dhe Demaçi
GM: Një
nga luftërat më të lavdishme të kohëve moderne ishte ajo e Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës (UÇK), e cila luftoi kundër pushtimit serb për çlirimin e Kosovës.
Nga kjo luftë dolën mijëra heronj që iu bashkuan qindra mijëra heronjve tanë
përgjatë shekujve. Si e vlerësoni luftën çlirimtare të UÇK-së dhe a mendoni se
ne, si popull, jemi në lartësinë e duhur të mirënjohjes ndaj tyre?
XHZ: Historia e Kosovës është histori e qëndresës për
jetë a vdekje. Qëndresë ndaj pushtuesve, çetnikëve dhe kolonialistëve
serbomëdhenj. Epopesë heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u prijnë
luftëra të përgjakshme dhe sakrifica sublime. Për liri dhe bashkim kombëtar u
flijua simboli i qëndresës së Kosovës Adem
Demaçi (1936-2018). Për Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur punoi
dhe veproi me përkushtim Ibrahim Rugova (1945-2010).
Ia doli të siguronte mbështetjen e ShBA-së dhe të Evropës për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës. Për rolin e tij në
historinë e Kosovës, është quajtur "Ati i Kombit", "Gandi i
Ballkanit". Pas vdekjes, u shpall Hero i Kosovës. Për ta arritur dhe
për ta përshpejtuar procesin e lirisë, në një moment të caktuar të historisë,
shpërtheu lufta çlirimtare. Në krye të saj u vu Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Për ta çliruar Kosovën prej pushtuesve serbë, UÇK-ja bëri një luftë epike,
tregoi një heroizëm të paparë në Evropën e pas Luftës II Botërore. Trimëritë e
kësaj ushtrie mund të krahasohen me trimëritë e ushtarëve të Gjergj Kastriotit (1405-1468) gjatë
luftërave antiosmane.
Qëndresa dhe lufta çlirimtare e
komandantit legjendar Adem Jasharit
paraqet fillimin e fundit të politikës pushtuese, hegjemoniste, ekspansioniste
dhe kolonialiste të serbomëdhenjve në Kosovë, në Dardaninë ilire. Çdo ditë,
shqiptarë nga të gjitha anët e rajonit dhe nga diaspora, e vizitojnë
vendlindjen e lirisë, kompleksin e Jasharajve
në Prekaz. Mbi varret e të pavdekshmëve vënë lule të freskëta.
Ne si popull, UÇK-së nuk i kemi dalë
hakut. Shteti i Kosovës duhet t’u sigurojë të ardhura të mjaftueshme familjeve
të dëshmorëve, duhet të kujdeset mirëfilli për invalidët e luftës. Asnjë fëmijë
dëshmori apo invalidi të luftës nuk duhet të mbetet pa shkollim, pa punë dhe pa
kulm mbi kokë. Nuk është mirë që ushtarët e UÇK-së apo fëmijët e tyre të
shpërngulen dhe t’i marrin në sy rrugët pa kthim të mërgimit. A ka mjete
financiare? Ka, po qe se nuk ka shpërdorim mjetesh.
GM:
Cili është roli dhe vendi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni në
kuadër të historisë kombëtare shqiptare?
XHZ: Ndaj shqiptarëve në Maqedoni, sllavo-maqedonasit, me
ndihmën e Beogradit, që nga viti 1944 e këndej, vazhdimisht kanë ushtruar
dhunë. Në shënjestër të UDB-së (shërbimit sekret jugosllav) kanë qenë kryesisht
intelektualët, e në veçanti punëtorët e arsimit. Shqiptarët kurrë nuk i ndalën
kërkesat për të drejta, barazi dhe liri. Çdo kërkesë e shqiptarëve cilësohej si
nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, secesionizëm. Më 1991 Maqedonia u
shkëput nga Jugosllavia. Tani në pluralizëm, faktori politik shqiptar kërkesat
i formuloi dhe i paraqiti në rrugën demokratike, politike dhe institucionale.
Shqiptarët kërkonin të drejta, barazi, demokraci dhe liri. Ishin kërkesa
primordiale. Çdo kërkesë e shqiptarëve, nga pala sllavo-maqedonase pritej në
tehun e shpatës. Qëndresa dhe sakrifica e shqiptarëve kurrë nuk u trajtua
politikisht prej faktorëve politikë sllavo-maqedonas. Qëndresa dhe sakrifica e
shqiptarëve trajtohej kryesisht nga agjentët e UDB-së, nga hetuesit, nga
prokurorët, nga gjyqtarët, nga dëshmitarët e rrejshëm, nga porotnikët, nga
policët, nga gardianët. Shqiptarët dënoheshin me dënime drakonike. Shqiptarët
dëboheshin nga puna si armiq të Jugosllavisë, i nënshtroheshin procesit të
diferencimit ideopolitik. Shqiptarëve të cilësuar si nacionalistë u
sekuestrohej pasaporta në mënyrë që të mos mund të shkonin në Gjermani apo në Zvicër
për të siguruar ekzistencën. Sllavo-maqedonasit ndiqnin ndaj shqiptarëve
politikë restriktive, diskriminuese, represive, margjinalizuese. Ndaj
shqiptarëve ushtrohej edhe opresion.
Maqedonia ka qenë një krijim kominternist dhe serbokumunist. Për fqinjët në rajon sllavo-maqedonasit konsideroheshin popull me identitet të diskutueshëm. Serbia e mohonte kishën maqedonase, Greqia e mohonte emrin e Maqedonisë, kurse Bullgaria e mohonte gjuhën dhe historinë e tyre. Pushtet ndaj shqiptarëve ushtronte një popull me identitet të diskutueshëm. Shqiptarët nuk mund të ishin qiraxhinj në tokë të vet. Si pasojë e ideologjisë së Vaso Çubrilloviqit, shumë shqiptarë u shpërngulën për në Anadolli. Megjithëkëtë, një popull autokton siç ishin shqiptarët, nuk dorëzoheshin lehtë. Dhe ja ku janë! Më të fortë se kurrë! Në vitin 2001 shqiptarëve iu imponua lufta. Ajo erdhi si pasojë e refuzimit permanent të kërkesave të faktorit politik shqiptar për avancimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve që përbënin 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Lufta e 2001-shit ishte e brendshme. Ajo nuk erdhi dhe nuk u nxit as nga Kosova, as nga Shqipëria.
Luftën e bëri
Ushtria Çlirimtare Kombëtare e udhëhequr nga Ali Ahmeti (1959- ). UÇK-ja e kishte Shtabin ushtarak, sistemin e
komandimit, uniformën, emblemën ushtarake, armatimin, objektivin e luftës,
platformën ideologjike. Udhëheqësit e luftës kanë pasur kontakt të pandërprerë
me faktorët ndërkombëtarë. Në radhët e UÇK-së ishin përfshirë bijtë dhe bijat
më të shtrenjtë të popullit shqiptar në Maqedoni. Lufta u mbështet
ekonomikisht, materialisht dhe moralisht nga popullata shqiptare në Maqedoni.
Lufta u mbështet nga gjithë shqiptaria në rajon dhe në diasporë. UÇK-ja i
respektoi me përpikëri të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Si rezultat
i luftës së 2001-shit erdhi Marrëveshja e Ohrit që ishte një kompromis midis
palëve ndërluftuese. Sipas kësaj marrëveshjeje shqiptarët u bënë faktorë
politikë dhe juridikë sidomos aty ku ishin mbi 20 për qind. UÇK-ja ka zënë vend
në historinë e kombit shqiptar.
GM:
Nga pushtimi në pushtim, ikën osmanët dhe erdhën serbët! Si e vlerësoni
rrugëtimin historik të Kosovës deri te Shpallja e Pavarësisë dhe krijimi i
Republikës së Kosovës?
XHZ: Më 10 qershor 1878 u mbajt Lidhja Shqiptare e
Prizrenit. Ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me
frymëzim patriotik Lidhja u themelua në
Prizren në kushte të sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ’70 të
shekullit XIX. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore: të
afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar; të kundërshtonte copëtimin e
trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin e Berlinit (1878) në favor të
monarkive fqinje; dhe të realizonte bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare
në Ballkan në një formacion shtetëror autonom, si hap i parë për të krijuar
shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Iljaz pashë Qoku i njohur në histori si Iljaz pashë Dibra (1812-?) ishte kryetar i Këshillit të
Përgjithshëm. Kryetar i Komitetit Kombëtar ishte Ymer Prizreni (1820-1887). Abdyl
Frashëri (1839-1892) ishte kryetar i dikasterit të Punëve të Jashtme. Shaban Prizreni (1833-1913) ishte
kryetar i dikasterit të Punëve të Brendshme. Sulejman Vokshi (1815-1890) ishte kryetar i dikasterit për Çështje
Financiare. Para formimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar
një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte
pranuar asnjë kërkesë kombëtare të tyre. Edhe Fuqitë e Mëdha nuk kishin pranuar
t’ua njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë
shqiptar. Duke qenë se një pjesë e shqiptarëve ishin islamizuar, Fuqitë e Mëdha
nuk tregonin kurrfarë interesimi për t’u dalë në ndihmë atyre ose për t’i
mbrojtur ata. Shekulli XIX është shekull i kombeve. Kongresi i
Berlinit (1878) ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi. Në
shekullin e kombeve, për dallim nga fqinjët e vet, shqiptarët nuk arrijnë ta
krijojnë shtetin e tyre. Përse?! Për arsye se në këtë kohë shqiptarët nuk kanë të formuar
një borgjezi të mirëfilltë. Kjo tregon se ata shqiptarë që kanë qenë
nëpër funksione në Perandorinë Osmane, kanë punuar për vete dhe jo për
zhvillimin e popullit të vet. Kjo paraqet vonim historik. Si rrjedhojë,
shqiptarët janë të fundit në rajon që e fitojnë pavarësinë nga Porta e Lartë.
Sipas të dhënave të caktuara, në Perandorinë Osmane, 49 vezirë të mëdhenj dhe
39 vezirë kanë qenë me prejardhje shqiptare. Por, historinë e kombit shqiptar
nuk e bëjnë vezirët e mëdhenj, vezirët dhe pashallarët me prejardhje shqiptare
që kanë qenë në shërbim të Portës së Lartë.
Shtetin nuk e bëjnë dot shoqatat apo klubet letrare.
Krijimi i shtetit nuk është punë shoqatash dhe klubesh që kanë vepruar në
Stamboll, në Bukuresht, në Kajro, në Aleksandri, në Selanik, në Athinë, në
Sofje etj. Veprimtarët e periudhës së Rilindjes nëpër kolonitë e sipërthëna,
për kauzën shqiptare kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por kjo nuk
ka mjaftuar për të bërë shtet. Shtetin e krijojnë determinantët historikë dhe
sociologjikë. Shtetin e bëjnë shtresat shoqërore relevante.
Në shekullin e kombeve, për dallim prej fqinjëve të tyre, shqiptarët nuk i
kishin mjaftueshëm determinatët e lartpërmendur. Të vënë në shërbim të
Perandorisë Osmane, shqiptarët as kanë mundur, as kanë menduar të krijojnë
borgjezi kombëtare. Legjenda thotë se në Kongresin e Berlinit, kancelari
gjerman Oto fon Bizmark (Otto von
Bismarck, 1815-1898) paskësh thënë: “Nuk
ka komb shqiptar. Shqipëria nuk është veçse një term gjeografik”.
Më 1912, nga një sundim shqiptarët bien nën një sundim
tjetër. Tani nën sundimin serb, malazez, grek dhe prej viti 1944, edhe nën
shtypjen sllavo-maqedonase. Maqedonia është shtet që është formuar në trojet
shqiptare. Që nga viti 1912 e këndej, ndaj shqiptarëve në Jugosllavi Beogradi
ka ushtruar dhunë. Dhunë në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, dhunë nga Nikolla Pashiqi (1845-1926), nga Karagjorgjeviqët, dhunë në periudhën e
pas Luftës II Botërore, dhunë në kohën e Aleksandar
Rankoviqit (1909-1983). Ndaj shqiptarëve u zbatuan idetë antishqiptare të Ilija Garashaninit (1812-1874), autor i
projektit të Serbisë së madhe “Naçertanie”
(1844). U zbatuan idetë e akademikut serbomadh Vaso Çubrilloviq (1897-1990), autor i memorandumit apo elaboratit “Dëbimi i shqiptarëve”. U zbatuan idetë
e akademikëve serbomëdhenj, autorë të “Memorandumit”
të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, të vitit 1986. Dhunë në
kohën e Sllobodan Millosheviqit (1941-2006)
dhe të Vojisllav Sheshelit (1954- ).
Shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen për në Turqi, si para Luftës II
Botërore ashtu edhe pas saj. Prej vitit 1944 e këndej, boshti antishqiptar i
krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), ndaj shqiptarëve ndoqi politikë
restriktive, diskriminuese, represive dhe opresive. Si pasojë e propagandës
çubrilloviqiane, në vitin 1950 e këndej, shumë shqiptarë u shpërngulën për në
Anadolli. Shumë shqiptarë të Malit të Zi u shpërngulën për në ShBA. Shpërngulja
e tyre përtej oqeanit vazhdon edhe sot. Përtej oqeanit u shpërngulën edhe
shqiptarë nga disa zona të Maqedonisë – nga Struga, Dibra, Prespa, Resnja,
Manastiri, Kërçova etj. Që nga viti 1912 e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë
së Titos në vitin 1991, ndaj shqiptarëve është kryer gjenocid. Shqiptarët janë
burgosur, janë torturuar, janë dënuar me dënime drakonike. Janë burgosur
sidomos njerëzit me shkollë, intelektualët, mësuesit, punëtorët e arsimit.
Përjashtim bën viti 1974 kur në Jugosllavi u
miratua kushtetuta e re. Me këtë kushtetutë Kosova u bë pjesë
konstitutive e Federatës Jugosllave. Që nga viti 1912 e këndej Kosova
është plaçkitur nga Serbia. “Trepça
punon, Beogradi ndërton”. Synohej që shqiptarët të lihen në margjinat e
shoqërisë. Synohej pastrimi etnik i trojeve shqiptare. Burgosje dhe arrestime
ka pasur në mënyrë permanente.
Që nga viti 1912 e këndej shqiptarët i kanë bërë ballë
dhunës sllave. Kurrë nuk janë përulur, nuk janë nënshtruar, nuk janë
gjunjëzuar, nuk janë dorëzuar. Për liri, pavarësi dhe demokraci nuk e kanë
kursyer as jetën. Një popull vital si shqiptarët kurrë nuk shkulet nga toka e
të parëve. Që nga koha e Lidhjes së Prizrenit e këndej, shqiptarët e lënë
jashtë kufijve të Shqipërisë, përballë stuhive të furishme, si një mal i
vetmuar, të patundur qëndruan. Shqiptarët ishin arsimdashës, të etshëm për
dritë, dituri dhe dije, për emancipim dhe ngritje, për përparim dhe zhvillim.
Shqiptarët ishin dhe janë nacionalistë, Shqipërinë dhe
shqiptarinë e kanë pasur dhe e kanë në zemër. S’është parë në historinë e botës
që një popull evropian të copëtohet në trojet e veta në gjashtë copa. Kjo është
dhimbje e çdo shqiptari.
Pasoi shpërbërja e perandorisë sovjetike, ra muri i
Berlinit, Gjermania u ribashkua, u shpërbë Jugosllavia e AVNOJ-it (KAÇKJ).
Lindi një konstelacion i ri në rajon, në kontinent dhe në planin global.
Faktori proshqiptar doli i fortë, ndërsa ai sllav - i dobësuar. Amerika u
dëshmua si superfuqi e vetme. Orakulli i Dodonës paralajmëronte
lindjen e një epoke të re. Në agjendën e qendrave politike ndërkombëtare të
vendosjes do përfshihej Kosova martire.
GM: Një analizë objektive e politikave të Albin Kurtit tregon se ai
ndjek një qasje të theksuar patriotike, e cila, nga njëra anë, mund të kuptohet
si përpjekje për forcimin e sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, nga ana
tjetër, kjo qasje shpesh ka shkaktuar tensione të konsiderueshme me faktorët
ndërkombëtarë që garantojnë sovranitetin e vendit, duke përfshirë raste të
retorikës së ashpër dhe fyese. Hyrja e Kurtit në politikë e ka prezantuar atë
si një figurë rebele dhe arrogante, deri te ai që mund të quhet "rrugaç
politik". Për shumë qytetarë, ai mbetet një nga figurat më të diskutueshme
në Kosovë, pasi profili i tij përfaqëson edhe një anti-diplomat, i cili mund të
rrezikojë madje edhe ekzistencën e Kosovës si shtet. A nuk mendoni se qasja e
tij ‘’komuniste’’, sipas së cilës ne jemi ''kërthiza e botës'', është e
rrezikshme për të ardhmen e Kosovës?
XHZ: Kohët e fundit në botën shqiptare u zhvillua një
luftë hibride kundër Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Albin Kurtit (1975- ). Studio televizive të caktuara shpesh
organizonin debate, përkatësisht panele. Në debate të tilla merrnin pjesë
analistë mercenarë. Të tillë ishin edhe udhëheqësit apo udhëheqëset e
emisioneve televizive. Për Kosovën flasin edhe ata të cilët atë e kanë parë
vetëm në hartë gjeografike. Këto studio televizive u shndërruan në megafonë apo
në zëdhënës të Beogradit dhe të Vuçiqit. E shanin Albinin shqiptarët ngase nuk
ia dha Beogradit 27% të territorit të Dardanisë për 3,5 për qind serbë që
jetojnë në Kosovë. Albin Kurti e
shtriu sovranitetin në mbarë territorin e Kosovës dhe e mbrojti tërësinë e
tokave apo integritetin territorial të saj. Për mosmarrëveshjet ndërmjet
Kosovës dhe qendrave perëndimore, faji nuk është i Kurtit. Faji është i
Uashingtoni, Berlinit, Parisit dhe Londrës që e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj
Serbisë. Ka kohë që ata e ledhatojnë Beogradin. Në vend që të ndëshkohet Serbia,
sanksionohet Kosova. Çfarë absurditeti! O tempora, o mores! Në vitin 1999
Serbia ka kryer në Kosovë masakra, ka kryer gjenocid dhe nuk është ndëshkuar.
Sot e kësaj dite Beogradi ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve në
Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Mercenarët e shanin Kurtin i
cili në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit në vazhdim e fitoi gati gjysmën e
numrit të përgjithshëm të votave. Oponentët e tij, edhe të bashkuar, dolën më
dobët se ai. E shajnë burrin ngase e lufton korrupsionin dhe nepotizmin. Në
Kosovë mbizotëron rendi, rregulli dhe ligji. Është vendi më demokratik i
rajonit. Ajo duhet të shpërblehet dhe jo të ndëshkohet. Partnerët strategjikë
të Kosovës duhet ta dinë se s’ka shtet në botë me dy lloj valutash zyrtare, me
euro dhe me dinarë, me dy lloj targash për automjete, me dy lloj diplomash
shkollore, me dy histori, me dy flamuj shtetërorë, me dy himne shtetërore, me
dy lloj sistemesh arsimore. Ndërkombëtarët duhet ta ndëshkojnë Serbinë që nuk i
vuri sanksione Rusisë dhe që dërgon grupe terroriste në veri. Protestat e
studentëve në mbarë Serbinë flasin qartë për fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. Ai
dhe një pjesë e kabinetit të tij e kanë vendin në Hagë, ku do të duhej të
përgjigjeshin për krime lufte, për krime kundër njerëzimit.
Administrata e Presidentit Tramp duhet ta ketë parasysh
faktin se Serbia e Vuçiqit, në shumë pikëpamje e çon mirë me Kinën, e përçon
ndikimin dhe interesin e Pekinit në rajon. E mbështet Millorad Dodikun e
Republikës Serbe të BH-së, të shpallur person të padëshiruar nga Uashingtoni.
Dialogu i Brukselit nuk ka lëvizur para ngase një gjë të tillë e ka parandaluar
Moska.
Karrierën politike Vuçiqi e ka filluar në vitin 1993 si
anëtar i Partisë Radikale Serbe të ultranacionalistit serbomadh Vojisllav Sheshel (1954- ). Më 1995,
Vuçiqi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Më 1998, në kohën
e Millosheviqit (1941-2006) u emërua
ministër për Informim në qeverinë e Mirko
Marjanoviqit (1937-2006).
Pakicat në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, si në
asnjë vend të BE-së. Çdo qeveri e Kosovës, përfshi edhe Qeverinë
e Kurtit, duhet t’i harmonizojë veprimet me partnerët strategjikë, sidomos me
Uashingtonin.
GM:
Pavarësisht se kryeministri Kurti dhe përkrahësit e tij mohojnë gjithçka që
është arritur në Kosovën e më pak se dy dekadave si shtet, realiteti tregon se,
pavarësisht sfidave të ndryshme, të gjithë politikanët, së bashku me
ndërkombëtarët, kanë kontribuar në ndërtimin e një Kosove që, para ardhjes së
Kurtit, kishte arritur një nivel që Shqipëria ende e ëndërron: një ndër shtetet
më serioze në Ballkan. Si e vlerësoni ju zhvillimin e Kosovës që nga Shpallja e
Pavarësisë?
XHZ: Që nga dita e çlirimit e këndej, në Kosovë ka mbizotëruar rendi dhe rregulli. Kjo është meritë e popullit shqiptar në Kosovë, meritë e qytetarëve të saj. Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi. Mbartës të shtetësisë në Kosovë janë shqiptarët. Janë popull historik, popull politik dhe përbëjnë 92 për qind të popullsisë së përgjithshme të Republikës. Për përparimin e Kosovës meritë ka i tërë faktori politik i atjeshëm, përfshi edhe ndërkombëtarët që janë brenda, si KFOR-i dhe UNMIK-u. Merita për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ShBA-ja, përkatësisht NATO-ja.
Shpalljen e pavarësisë së Kosovës e
paralajmëroi presidenti i ShBA-së Xhorxh
Bush (George Walker Bush, 1946- ), me rastin e vizitës në Shqipëri, më 10
qershor 2007. Aleatët perëndimorë e kanë ndihmuar Kosovën edhe financiarisht.
Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ia ka dalë të ndërtojë shtet ligjor dhe
demokratik. Megjithëkëtë, ajo figuron si një prej shteteve ekonomikisht më të
pazhvilluara të rajonit. Ka shpërngulje popullsie, pagat janë të ulëta,
pensionet po ashtu. Kjo thekson nevojën e rritjes së investimeve dhe të
ndihmave nga partnerët perëndimorë. Pa mbështetjen e perëndimorëve, sidomos të ShBA-së,
Kosovës mund t’i rrezikohet siguria. Moska është e interesuar për ta
destabilizuar mbarë rajonin, e në veçanti Kosovën. Kosova e pavarur dhe demokratike
është interes strategjik i fuqive perëndimore, sidomos i ShBA-s.
GM: Si
e vlerësoni procesin e formimit dhe funksionimit të Gjykatës Speciale të
Kosovës? A mendoni se ka një ndikim të drejtpërdrejtë nga Serbia në këtë
proces, qoftë nëpërmjet trysnisë ndërkombëtare apo përmes dëshmive? Si e
vlerësoni procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në
Gjykatën Speciale?
XHZ: Gjykata Speciale u formua nën trysninë e Moskës, në
favor të Serbisë. Disa akuza si ajo e
shtëpisë së verdhë dolën gënjeshtra, sajime dhe trillime. Procesi gjyqësor
zvarritet deri në pafundësi. Vitet e fundit propaganda e diplomacisë serbe ka
qenë tejet vepruese. Disa fuqi perëndimore e kanë ledhatuar Serbinë në mënyra
të ndryshme. Një prej mënyrave të ledhatimit të saj është edhe themelimi i
kësaj gjykate. Forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë kryer në
Kosovë rreth 400 masakra, kanë vrarë 13.500 persona, janë vrarë 1432 fëmijë,
janë përdhunuar njëzet mijë gra; 1653 persona figurojnë të pagjetur. UÇK-ja ka
luftuar brenda në Kosovë, nuk ka luftuar në Serbi. Serbia me forcat e veta militare
ka ardhur në Kosovë si pushtuese. Ajo ka bërë krime. Në Gjykatën e Hagës duhet
të ulen, jo udhëheqësit e UÇK-së, por Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe bashkëpunëtorët
e tjerë të tyre. Kjo gjykatë është e njëanshme dhe vepron në dobi të Beogradit
dhe të Moskës. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, luftë çlirimtare, i ka
respektuar me përpikëri konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftën.
Kosova e kohës ës luftës nuk ka funksionuar si shtet. Po qe se ndaj ndokujt ka
ndodhur ndonjë padrejtësi apo edhe vrasje, kjo nuk do të thotë se për këtë kanë
ditur edhe krerët e luftës.
GM:
Cilat janë disa nga personalitetet më të shquara që ju i vlerësoni për
kontributin e tyre në të mirë të kombit? Mund të na përshkruani disa figura që
ju kanë frymëzuar dhe që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe identitetin tonë
kombëtar?
XHZ: Figura të mëdha të kombit, midis tjerësh janë:
nismëtari i historiografisë shqiptare, Marin
Barleti (1450/1460 – 1512/1513); heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti (1405-1468), pa të cilin
s’ka shqiptari; Nënë Tereza (1910-1997), për të cilën ish-presidenti amerikan Bill Klinton (Villiam Jefferson
Clinton, 1946- ) ka deklaruar: “Krenohem
se i kam ndihmuar një populli që ia ka dhënë botës Nënë Terezën”; Ismail Kadareja (1936-2024) i përkthyer
në 46 gjuhë të botës. I çmoj lartë shkrimtarët e letërsisë së hershme – Gjon Buzukun (shek.. XVI), Lekë Matrëngën (1567-1619), Frang Bardhin (1606-1643), Pjetër Budin (1566-1622), Pjetër Bogdanin (1627-1689); po kështu
edhe shkrimtarët arbëreshë, me në krye të madhin De Radë (1814-1903); rilindësit e shenjtë, në krye me vëllezërit
Frashëri; Dora d’Istrian (pseudonim i Helena Gjikës, 1828-1888); tre kolosët e letërsisë dhe të
kulturës kombëtare, Faik Konicën (1875-1942), Fan Nolin (1882-1965) dhe Gjergj Fishtën (1971-1940); poetin e
valles së yjve Lasgush Poradecin (1899-1987);
poetin e mjerimit Migjenin (1911-1938);
njeriun që e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, Ismail Qemalin (1844-1919); Luigj
Gurakuqin (1879-1925); Mid’hat
Frashërin (1880-1949); Aleksandër
Moisiun (1879-1935); Ernest Koliqin (1903-1975)
i cili u dërgoi shqiptarëve jashtë Shqipërisë qindra mësues; Eqrem Çabejn (1908-1980), Bekim Fehmiun (1936-2010); Fatos Kongolin (1944- ). Në Panteonin e
kombit bëjnë pjesë edhe Hasan Prishtina (1873-1933),
Isa Boletini (1864-1916), Shtjefën Gjeçovi (Mëhill Kostandin
Gjeçi-Kryeziu, 1874-1929) i shpallur “Doctor honoris causa” nga Universiteti i
Lajpcigut, Azem Galica (1889-1924), Qerime Galica e njohur me emrin Shotë (1895-1927), Shaban Polluzha (1871-1945), Anton
Çetta (1920-1995), Adem Demaçi (1936-2018),
Ibrahim Rugova (1944-2006),
komandanti legjendar, i përjetshmi Adem
Jashari.
GM:
Disa e shohin Pushtimin Osman si një formë sundimi, të tjerë si
bashkëqeverisje, ndërsa ka edhe nga ata që e konsiderojnë si shpëtim. Prof.
Zejneli, si e vlerësoni ju praninë osmane në trojet tona? A mund të themi se
jemi çliruar edhe kulturalisht nga Perandoria Osmane?
XHZ Ushtria e Perandorisë Osmane ka ardhur në Ballkan për
të pushtuar. Qeverisja e saj ka qenë sundim. Asnjë pushtues në histori nuk ka
hyrë në territor të ndonjë shteti tjetër me daulle dhe lule, por me shpata. Sot
hyjnë me tanke dhe raketa balistike. Edhe bashkëqeverisje të ketë qenë, prania
e turqve apo e osmanlinjve ndër shqiptarë, ka qenë sundim. Teoria se prania e
administratës osmane në trojet shqiptare i ka mbrojtur ata nga sllavizimi apo
nga greqizimi, nuk është e bazuar. Historia nuk shkruhet dhe nuk interpretohet
në mënyrë hipotetike. Historia nuk shkruhet dot në stilin: “Çdo të bëhej, po të bëhej...”. Çështjen e fesë apo të feve,
shqiptarët duhet ta konsiderojnë të tejkaluar. Besimi fetar është çështje
private dhe personale. Ndër shqiptarë duhet të ruhet harmonia fetare. Serbia, Greqia dhe Rusia u thonë perëndimorëve: “Mos i mbështetni shqiptarët se ata janë
përçues të interesave të vendeve të Orientit në Evropë”. Shqiptarët duhet
të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Një mosmarrëveshje eventuale
ndërshqiptare mbi baza fetare do të ishte tragjike dhe fatale për shqiptarët.
Një bosnizim apo libanizim të botës shqiptare do ta dëshironin vetëm armiqtë e
shqiptarëve.
Ka pasur dhe ka edhe sot tendenca që shqiptarët të
identifikohen në bazë të përkatësisë fetare dhe jo në bazë të përkatësisë
kombëtare. T’i identifikosh shqiptarët sipas përkatësisë fetare dhe jo mbi
bazën e përkatësisë kombëtare, do të thotë të mohosh identitetin e kombit
shqiptar. Është gjuha shqipe ajo që i identifikon shqiptarët si një komb i
veçantë. Shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm dhe të
pakontestueshëm.
GM: A
mendoni se ka pasur momente të rëndësishme historike në të cilat kombi shqiptar
ka bërë gabime? Nëse po, cilat kanë qenë këto gabime dhe si mund t'i
interpretojmë ato në kontekstin e zhvillimeve historike që kanë pasuar?
XHZ: Të rrallë janë popujt apo udhëheqës shtetesh që s’kanë bërë gabime gjatë historisë. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur, thotë një shkrimtar i Bosnjës dhe Hercegovinës. Shqiptarët nuk duhet të jenë lakmitarë, nuk duhet të jenë karrieristë, nuk duhet të punojnë për të huajt, vesin e keq të përçarjes duhet ta flakin nga vetja. Duhet ta flakin nga vetja edhe arrogancën, megalomaninë apo mendjemadhësinë. Mendjemadhësia nuk është veçse mendjelehtësi. Nuk duhet të harxhojnë më shumë sesa që kanë. Shqiptarët kanë një rrethim tragjik. Rrethohen me fqinjë grabitqarë siç janë: serbët, grekët, malazeztë, bullgarët. Kjo farë bizantine mbështetet prej një Rusie të madhe. Në të gjitha momentet historike, shqiptarët duhet të rrinë sa më larg Serbisë. Serbët kanë pasur aspirata për të dalë në det. Shtrirjen territoriale, hegjemonizmin, ekspansionizmin dhe dominimin e kanë ves.
Diktatori
me diktatorët
Gabim është që pas
Luftës së Dytë Botërore Shqipëria është lidhur me Josip Broz Titon (1892-1980), me Josip Stalinin (1879-1953), më pas edhe me Mao Ce Dunin (Mao Zedong, 1893-1976). Pra, me Jugosllavinë, me
Bashkimin Sovjetik dhe në fund me Kinën e largët. Nuk mund të lidhesh me një
Jugosllavi që ta ka pushtuar gjysmën e territorit, që ta shpërngul popullsinë
për në Anadoll. Nuk mund të lidhesh me sovjetikët ngase Rusia natyrshëm është
me Serbinë. S’ke pse lidhesh edhe me Kinën e largët. Pas Luftës II Botërore
Shqipëria duhej të ishte lidhur me ShBA-në, përkatësisht me vendet perëndimore.
Shqiptarët nuk duhet të vendosin lidhje me shtetet mbi baza ideologjike.
Interesi kombëtar nuk njeh ideologji të tipit marksizëm, leninizëm, stalinizëm,
socializëm, komunizëm. Diktatura që u vendos në Shqipëri pas Luftës II
Botërore, historikisht është e pafalshme. Sistemi tiranik i vrau bijtë e vet.
Ndalimi i fesë është akt i paarsyeshëm. Burgosja,
gjykimi, dënimi dhe ekzekutimi i klerikëve është akt absurd, irracional, i
pafalshëm dhe i dënueshëm.
Gabim ka qenë edhe politika
izolacioniste. Me një politikë të tillë pushtetarët e kanë mbrojtur
pushtetin e vet. Sot Shqipëria është duke u bërë fuqi evropiane e turizmit, mu
pranë Italisë, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë. Pasojat e orientimit strategjik
të gabuar në periudhën pas Luftës II
Botërore ndjehen edhe sot. Për një shtet ka rëndësi të madhe orientimi i drejtë
në momente historike të caktuara, përcaktimi strategjik i drejtë.
Dikur s’ka pasur BE. Sot ka dhe s’e ke vështirë të
orientohesh. Nuk duhet menduar se BE-ja një ditë mund të shpërbëhet. Po të
ndodhte një gjë e tillë, atëherë në kontinent do të ringjalleshin atavizmat
e dikurshëm. Fuqitë historike të Evropës – Gjermania, Franca dhe Britania e
Madhe do t’u riktheheshin përplasjeve dhe rivaliteteve të së kaluarës. Me
Rusinë, shqiptarët kurrë s’duhet të lidhin miqësi për arsye se në historinë
politike të kohës më të re, d.m.th. në dyqind vjetët e fundit, ajo gjithmonë ka
qenë kundër shqiptarëve. Pa miqësinë e përjetshme me ShBA-në,
shqiptarët në Ballkan janë të rrezikuar prej fqinjëve grabitqarë.
GM: Në
opinionin tuaj, a është "importi kulturor" që vjen nga jashtë një
kërcënim për traditat dhe identitetin tonë kombëtar? Si e perceptoni ndikimin e
këtyre kulturave të huaja në shoqërinë tonë dhe cilat janë pasojat që mund të
kenë?
XHZ: S’ka dyshim se ndikimet kulturore që vijnë nga
jashtë paraqesin rrezik për identitetin kombëtar të shqiptarëve. Shqiptarët
duke mos qenë një popull i madh, ky
rrezik bëhet akoma më i mundshëm. Nëpërmjet mediumeve siç janë televizioni apo
mjetet e komunikimit digjital, kudo në trojet shqiptare vërshojnë kiçi dhe
shundi. Arti i mirëfilltë dhe lirika popullore shqiptare rrezikohen nga muzika
pornografike. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave.
Nuk duhet lejuar të dalin në sipërfaqe jovlerat apo antivlera. Ne nuk mund të
hiqemi italianë as amerikanë. Ato janë shtete të mëdha, popuj të mëdhenj. Nuk
është mirë ta kopjojmë apo ta imitojmë çdo gjë të tyren. Shqiptarët janë popull
që ballafaqohen me probleme sociale. Ato sjellin dhe shkaktojnë probleme
morale. Në ekranin televiziv, edhe shtetet më të varfra duken mirë, por kur të
shkojmë në periferitë e tyre, do të shohim skena si në romanet e natyralistit
francez, Emil Zolës (Emil Zola, 1840-1902). Të mos harrojmë se rreth gjysma e
popullit shqiptar ndodhet jashtë. Atje u nënshtrohen ndikimeve të huaja. Verës mërgimtarët
vijnë në vendlindje me fëmijët e vet. Nëpër rrugë apo restorante dëgjohen se si
ndër vete flasin gjermanisht. Jetojmë në një kohë kur edhe të mirat edhe të
këqijat, njeriu i ka në celularin e vet. Ndikohen fëmijët që në moshën
dyvjeçare. Në rrethana të tilla, shqiptarët
duhet t’i ruajnë traditat popullore, ta ruajnë dhe ta forcojnë familjen. Të
rinjtë dhe të rejat duhet të krijojnë familje, d.m.th. të martohen, të lindin
fëmijë, të lënë pasardhës apo trashëgimtarë. Shkurorëzimeve duhet t’u shmangen.
Për pak e për shumë nuk duhet një çift të ndahet. Divorci po bëhet trend, modë,
mënyrë jetese.
GM:
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me
presidentin e Serbisë gjatë zhvillimeve rajonale, ndërkohë që ka pasur disa
tensione me politikanët e Kosovës. Nëse i shohim marrëdhëniet ndër-shtetërore
në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova duket se kanë marrëdhëniet më të acaruara, dhe
shumë e shohin këtë si rezultat i veprimeve serb-dashëse të Ramës. Si e shihni
ju këtë situatë?
XHZ Çdo politikan
i Shqipërisë duhet ta dijë se rruga e Tiranës për në Beograd kalon nëpër
Prishtinë. Çdo veprim tjetër, nuk është veçse llogari pa hanxhiun. Kryeministri
Rama duhet ta dijë se nuk është mirë të afrohet sa s’bën me kryetarin e
Serbisë, Vuçiqin, për arsye se ati shpirtëror i tij është radikalit Vojisllav Sheshel (1954- ), i cili u
gjykua në Tribunalin e Hagës për krime kundër njerëzimit. Atje qëndroi prej
vitit 2003 deri në vitin 2014, d.m.th. 11 vjet. U lirua “për shkaqe
shëndetësore”. Rama e di mirë se Vuçiqi ka qenë ministër në kohën e kasapit të
Ballkanit, Millosheviqit. Vuçiqi ka përqendruar pranë kufirit të Kosovës mijëra
forca ushtarake. Ai thotë: “Po të mos
ishte KFOR-i, ushtria serbe sakaq do t’i vërsulej Kosovës”. S’ka ditë që ai
të mos i kanoset Kosovës ushtarakisht. Beogradi dhe Moska çdo ditë komunikojnë
ndër vete për Kosovën dhe kundër saj. Rama duhet ta dijë se s’ka Ballkan të
Hapur, ka nismë të Berlinit. Nga Ballkani i
Hapur përfiton kryesisht Serbia. Tirana duhet t’i ketë parasysh veprimet
terroriste që i organizon Beogradi në veri të Kosovës. Politikani i Shqipërisë
që vendos raporte me Serbinë, duke e anashkaluar Kosovën, duhet t’i trembet
gjyqit të historisë.
Në marrëdhëniet me gjashtë vendet e BE-së që s’e kanë
njohur Kosovën, Tirana zyrtare duhet të tregohet më e përmbajtur.
GM:
Shqipëria e diktatorit Enver Hoxha zgjati gati gjysmë shekulli. Shteti
kontrollonte çdo aspekt të jetës dhe dënoi, në mënyra të ndryshme politike,
qindra mijëra njerëz. Varfëri ekstreme dhe një luftë e pafundme kundër
dinjitetit njerëzor. Si e imagjinonit Shqipërinë stalino-enveriste dhe cili
është konkluzioni juaj?
XHZ: Tre milionë shqiptarë në Jugosllavi, Shqipërinë e
kanë pasur në zemër. Edhe sot e kanë në zemër. Për krimet e bëra nga regjimi i
Hoxhës, shqiptarët këndej kufirit fare pak kanë qenë të njoftuar. Nuk kanë qenë
të njoftuar sa duhet as për standardin e jetesës, as për shkallën e zhvillimit
ekonomik. Tre milionë këndej kufirit, Shqipërinë e kanë përfytyruar si një vend
ku s’ka dallime sociale, si një kopsht me lule. Për Shqipërinë, shqiptarët
këndej kufirit informoheshin prej Radio-Tiranës apo Radio-Kukësit. Pak kujt i
ka interesuar nëse ato emisione informative kanë qenë propagandë që e ka
lustruar realitetin. Propaganda e paraqiste Shqipërinë “kandil të kuq në Evropë”. Tre milionë shqiptarë në Jugosllavi,
veten e kanë konsideruar të robëruar nga pushteti serbosllav. Mbase prej këtu
buron dashuria për vendin amë, Shqipërinë. Atë e kanë idealizuar. Çdo kryetar
të Shqipërisë, cilido të kishte qenë ai, do ta konsideronin si të vetin.
Me rënien e regjimit komunist, shqiptarët këndej kufirit
panë një Shqipëri tjetër fare nga ajo që e kishin përfytyruar. Megjithëkëtë, në
zemrat e tre milionë shqiptarëve këndej kufirit, Shqipëria mbetej Shqipëri,
vend i shqiponjave. E tillë do të jetë deri në jetë të jetëve. Tani, diktaturën
komuniste dhe diktatorin Hoxha nisën ta shikojnë me sy kritik. Me shpeshtimin e
kontakteve filloi të dalë në shesh fytyra e vërtetë e regjimit të Hoxhës. Prej
tij dhe regjimit të tij u distancuan gati të gjithë. Burgosjet, proceset
gjyqësore, dënimet, torturat, ekzekutimet, internimet e familjeve të tëra dolën
në shesh dhe u dënuan prej shqiptarëve këndej kufirit. Krimet e komunizmit kanë
qenë të ekspozuara edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Ata që edhe sot janë në
vijën e tij, numërohen në gishta. Shqiptarët këndej kufirit mbështesin një
Shqipëri demokratike ku të sundojë ligji, Shqipëri pa korrupsion dhe pa
nepotizëm, anëtare të BE-së dhe të NATO-s, të zhvilluar dhe të hapur për botën,
ku të ketë rend dhe rregull, ku të mos ketë të papunë, me arsim cilësor dhe
shëndetësi bashkëkohore, me gjyqësi të pavarur dhe mediume profesionale.
Shumë shqiptarë të këtyre anëve rregullisht vijnë në
Shqipëri. Në mënyrë të organizuar vijnë nxënësit e shkollave të mesme. Shumë të
tjerë pushimet e verës i kalojnë në Adriatik dhe Jon. Shqiptarët e Kosovës çdo
ditë shkojnë në Shqipëri për punë, për argëtim, për pushim dhe për ndonjë
veprimtari ekonomike (biznes).
GM: Si
e vlerësoni zhvillimin e politikës në Shqipëri në periudhën pas-komuniste, duke
marrë parasysh reformat demokratike, tranzicionin ekonomik, integrimin europian
dhe sfidat institucionale?
XHZ: Në Shqipëri kam qenë shumë herë. Ka shëtitur nga
veriu në jug. Të gjithë thonë se Shqipëria e periudhës së pluralizmit ka
ndryshuar shumë. Janë transformuar për mirë të gjitha qytetet. Kemi
infrastrukturë rrugore dhe autostrada.
Në çdo qytet janë ndërtuar ndërtesa shumëkatëshe. Janë zbukuruar sheshet e
qyteteve dhe të qytezave. Vijnë mbi dhjetë milionë turistë nga të gjitha vendet
e botës. Pritet që ky numër të shkojë së shpejti në pesëmbëdhjetë milionë.
Libraritë janë të pajisura me literaturë lëmenjsh të ndryshëm. Ka edhe vepra të
përkthyera prej gjuhëve të huaja. Mbresëlënës është edhe panairi i librit.
Tirana i ngjan një metropole. Pothuajse nuk ka qytet që s’është ndryshuar për
mirë. Shumë vizitues e pëlqejnë Shkodrën. Sot Shqipëria ndërton një sistem
demokratik, synon të bëhet shtet ligjor, ndërton një ekonomi bashkëkohore, e
zhvillon industrinë e turizmit, është anëtare e NATO-s, një ditë do të hyjë
edhe në BE. Për dallim nga vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri funksionon sistemi
i drejtësisë, luftohet korrupsioni në majat e shtetit. Para ligjit të gjithë
janë të barabartë. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë se dy-tri parti
politike. Shqipëria duhet ta rritë cilësinë në arsim, të ndërmarrë çarmatosjen
e popullatës, të rritë sigurinë në qarkullimin rrugor, ta reduktojë
administratën, t’i zvogëlojë dallimet sociale, të thithë investime nga jashtë,
të çelë vende të reja pune.
GM:
Duke lënë mënjanë sfidat e pafundme politike dhe shoqërore, anëtarësimi i Shqipërisë
në NATO mbetet një arritje e madhe, sidomos në kohët e konflikteve që po
jetojmë. Sa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe shqiptarët?
XHZ: Nuk duhet menduar se një ditë NATO-ja mund të mos
ekzistojë. Ajo do të ekzistojë. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizëm
politiko-ushtarake ka rëndësi jetike për sigurinë e saj dhe të shqiptarëve.
Jetojmë në një kohë të pasigurte Ka kohë që bota s’ka qenë në kontradikta të
këtilla. Ballafaqohen të mëdhenjtë, të fuqishmit, fuqitë bërthamore. Synohet krijimi
i një bote. multipolare. Kina dhe Rusia synojnë t’i japin fund dominimit të
ShBA-së në planin global. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Amerika kurrë s’ka për
t’u larguar prej NATO-s dhe kurrë s’ka për t’u ndarë nga Evropa. Kontinenti i
vjetër është shpirti i Amerikës. Askush në rajon nuk mund ta sulmojë Shqipërinë
ngase me atë rast do të ballafaqohej me Aleancën.
GM:
Sipas Kryeministrit Rama, duket se në Shqipëri ''i kena ba senet'' dhe mungonte
vetëm një Shtet Islamik për t’ia ofruar botës, asaj shqiptare dhe asaj globale!
Gjatë historisë kemi sakrifikuar njerëz, tokë, kulturën kombëtare dhe
kontinentale, dhe duket se nuk kemi të ndalur. A e mirëprisni apo e
kundërshtoni krijimin e një Shteti Bektashi në Shqipëri, duke pasur parasysh
edhe faktin se në krye të tij në të ardhmen mund të jenë klerikë të huaj?
XHZ: Nuk pajtohem fare me krijimin e njëfarë shteti
bektashian në Shqipëri. Kjo më duket një punë joserioze, më duket një
ekzibicion, një teatër, një lojë. Ky farë ekzibicioni nuk i duhet askujt, aq më
pak shqiptarëve. Ka që thonë se ky farë shteti shkon në dëm të shqiptarëve të
fesë islame. Rama sikur dëshiron t’i tregojë Evropës së krishterë se shqiptarët
kanë një komunitet mysliman që s’e bëjnë
haram rakinë. Na pranoni në mesin tuaj se edhe ne jemi si ju. Po të formohej
një shtet i tillë, atëbotë në krye të tij do të mund të vinte ndokush nga
Turqia apo nga Irani. Shqiptarët kanë
halle të tjera, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet. Kauza shqiptare
nuk është fetare. Është kombëtare dhe demokratike. Në të gjitha hapësirat
shqiptare kemi sa të duash objekte kulti. Duhet menduar si të ndërtojmë uzina,
reparte prodhimi, fabrika bashkëkohore, si ta shtojmë prodhueshmërinë,
eksportin, si të krijojmë një ekonomi kompatibile me Kosovën dhe me biznesmenët
shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si të sjellim investime nga jashtë, si të
çelim vende të reja pune, si ta rritim punësinë, si ta ndalim emigrimin e të
rinjve, ikjen e trurit, si ta rrisim cilësinë në arsim, në shëndetësi, si ta
luftojmë korrupsionin, nepotizmin, si ta reduktojmë administratën, si t’i
luftojmë abuzimet në arsimin e lartë, si ta depolitizojnë dhe departizojnë
arsimin, administratën, çdo pore të shoqërisë..
Shqiptarët duhet t’i reduktojnë shpenzimet e kota dhe të
tepërta. Të rrallë janë popujt e botës që bëjnë dasma megalomane si shqiptarët.
Dasma që kushtojnë mijëra euro, dhjetëra mijë euro!
GM:
Është një ëndërr shekullore e gjithë shqiptarëve. Një numër i madh patriotësh
nga të gjitha trojet shqiptare kanë dhënë gjithçka, madje edhe jetën, për
bashkimin kombëtar. Cili do të ishte skenari më realist për një bashkim, të
paktën, mes Shqipërisë dhe Kosovës?
XHZ: Bashkimi i shqiptarëve është ëndërr e kamotshme e
çdo shqiptari, është ideal mbi idealet. I madh e i vogël, në të gjitha trojet
shqiptare, bien dhe zgjohen me këtë dëshirë të flaktë. Për këtë, shqiptarët
jashtë Shqipërisë janë dënuar prej boshtit antishqiptar të krimit,
Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) me dënime drakonike, janë torturuar, janë
ekzekutuar. Bashkimi i shqiptarëve është një aspiratë legjitime, e
justifikueshme dhe historikisht e drejtë. Mundësia më reale e bashkimit të
shqiptarëve është integrimi i vendeve të rajonit në BE. Dhe kjo do të bëhet.
Unioni nuk do të shpërbëhet, as nga e djathta e skajshme, as e majta e skajshme
evropiane. Duket sikur bota është shumë pranë luftërave. Megjithëkëtë, duhet
besuar se zjarri i armëve në rajon, tani për tani nuk duket në horizont.
GM:
Duke vlerësuar personalitetin tuaj, vlerat njerëzore dhe intelektuale që
zotëroni, nuk mund ta shmang mundësinë për një pyetje të fundit. Cili do të
ishte një mesazh për shqiptarët?
XHZ: Të punojnë me nder, të aftësohen sa më shumë në
profesionet e tyre, të jenë solidarë, të jenë tolerantë, ta njohin vetveten (gnothi seauton), të mos tjetërsohen, të
mos i binden djallit, demonëve, luciferit, të mos ia shesin shpirtin
Mefistofelit, t’i flakin nga vetja vetitë e liga, urrejtjen ta zëvendësojnë me
dashuri, ta largojnë nga vetja egoizmin, xhelozinë dhe smirën, të mos jenë të
pangopur, as lakmitarë, ta luftojnë oportunizmin, konformizmin dhe
poltronizmin, të jenë realistë dhe racionalë, të arsyeshëm, të jenë në shërbim
të shqiptarisë, të jenë humanë, të mos jenë racistë, as ksenofobë, as mizogamë,
ambiciet t’i harmonizojnë me mundësitë, të mos i lënë vatrat dhe mëmëdheun, të
krenohen me të qenët shqiptar, të flakin nga vetja mendësinë provinciale, t’i
njohin qytetërimet dhe kulturat e botës, të jenë për paqe dhe jo për luftë, t’i
shmangen banalitetit, ta fisnikërojnë shpirtin, të kenë qëndrim kritik në
shoqëri, të flakin psikologjinë e mediokrit, të jenë objektivë dhe të paanshëm,
të mos manifestojnë pseudo-atdhetarizëm, të mos bëhen tregtarë flamujsh, të
krijojnë familje, të mos joshen nga materializmi, të mos bëhen të skajshëm, të
mos jenë megalomanë, arrogantë apo mendjemëdhenj. Ta luftojnë kiçin dhe
shundin, të mos bëhen snobë, ta injorojnë snobizmin, të jenë modestë.
Shqiptarët kanë një prejardhje, flasin një gjuhë, kanë
një histori dhe janë një komb.
Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë,
ngase ndaj tyre nuk është bërë asnjëfarë padrejtësie e posaçme, por padrejtësi
e përgjithshme, padrejtësi historike.