Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Profesorin dhe Publicistin Xhelal Zejneli
E premte, 28.02.2025, 04:00 PM
INTERVISTË EKSKLUZIVE ME PROFESORIN DHE PUBLICISTIN XHELAL ZEJNELI (I)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Xhelal
Zejneli lindi më 11 maj 1954 në Tetovë, ku edhe aktualisht banon.
Arsimin
fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare dhe
pasuniversitare i ndoqi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit,
në degët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe në shkencat mbi letërsinë.
Shërbimin ushtarak e kreu në Prishtinë në vitet 1981-1982.
Nga
viti 1979 deri në 1993, punoi si përkthyes në Redaksinë Shqipe të Shërbimit të
Përkthimeve pranë Këshillit Ekzekutiv Federativ në Beograd, duke kryer
përkthime me shkrim, simultane dhe konsekutive. Më pas, ushtroi detyrën e
profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Tetovës (1996-2002)
dhe ligjëroi letërsi popullore në Universitetin e Tetovës (1998). Nga viti 2002
deri në 2006, ishte zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Maqedonisë.
Ka
pasur një angazhim të gjerë në fushën e përkthimeve, si trajnues i përkthyesve
shqiptarë në një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian (2005-2006) dhe si
bashkëpunëtor i jashtëm i Qendrës Shtetërore të Provimeve në Shkup (2008-2018).
Ka marrë pjesë si vlerësues i testit ndërkombëtar PISA dhe zotëron disa gjuhë
të huaja.
Në
fushën akademike dhe publicistike, ka botuar librin 'Periudhat dhe drejtimet në
letërsi: Metodat letrare' dhe ka kontribuar me qindra shkrime mbi letërsinë,
gjuhën, çështjet politike dhe kombëtare, të cilat janë botuar në revista dhe
portale në hapësirat shqiptare dhe më gjerë. Ka marrë pjesë në shumë debate
televizive dhe ka qenë anëtar i jurisë në manifestimin letrar “Ditët e Naimit”
në Tetovë.
Politikisht, nuk anon nga asnjë parti, por mbështet çdo politikë që promovon demokracinë dhe integrimin euroatlantik të shqiptarëve. Formimi i tij ideologjik është humanist, demokrat dhe liberal.
Në këtë pjesë të parë të intervistës ekskluzive për Zemra Shqiptare, do të ndalemi te rrugëtimi jetësor i Prof. Xhelal Zejnelit deri më sot.
GM: Prof. Zejneli, do të
ishte shumë interesante nëse mund të na flisni për Tetovën, qytetin tuaj të
lindjes. Çfarë do të thotë për ju të jeni nga Tetova dhe si ka ndikuar ky qytet
në rrugëtimin tuaj deri më sot?
XHZ:
Tetova është një qytet i bukur. Ka klimë të mirë. Shtrihet para këmbëve të
Sharrit. Qytetit i përket fusha e Pollogut. Mes përmes qytetit rrjedh lumi
Shkumbin. Qyteti me fshatrat ka rreth 200 mijë banorë. Pranë Bashkisë së
Tetovës janë edhe katër bashki të tjera rurale. Bashkia e Tetovës ka shtatë
shkolla të mesme dhe dymbëdhjetë shkolla fillore. Bashkitë rurale i kanë
shkollat fillore të veta. Tetova ka dy universitete. Pothuajse të gjitha selitë
e partive politike ndodhen në Tetovë. Lufta e viti 2001 plasi në Tetovë.
Universiteti i Tetovës u themeluar me gjak. Tetovarët i bënë ballë policisë dhe
ushtrisë sllavo-maqedonase. Prej viti 1967 e këndej tetovarët kanë marrë
arsimim universitar kryesisht në Prishtinë. Ka pasur tetovarë që kanë studiuar
në Beograd, në Zagreb dhe në Sarajevë. Prej vitit 1945 e këndej
sllavo-maqedonasit kanë ushtruar dhunë ndaj tetovarëve dhe ndaj shqiptarëve në
përgjithësi. Tetovarët janë atdhetarë. Tetovarët janë njerëz të mirë, ndër më
të mirët në shkallë kombi. Tetovarët e duan Shqipërinë dhe Kosovën, i duan të
gjithë shqiptarët kudo që janë. Tetovarët janë njerëz me virtyte, bujarë dhe
fisnikë. Tetovarët shkojnë në kurbet, në Gjermani, në Zvicër, në Danimarkë
etj., që nga viti 1967 e këndej. Shumë tetovarë kanë punuar edhe në Kroaci, në
Serbi, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Tetovarët janë marrë me bujqësi, me blegtori,
me zejtari, me tregti. Sot në Tetovë dhe rrethinë ka një numër të konsiderueshëm
ndërmarrjesh prodhuese. Ka të rinj që punojnë në ndërtimtari si mjeshtër
zanatesh të caktuara. Tetova ka edhe klinikë spitalore. Vitet e fundit shumë të
rinj janë duke u shpërngulur për në Gjermani. Si pasojë, qyteti ballafaqohet me
shpopullim. Të jesh qytetarë i Tetovës është lumturi dhe kënaqësi. Shumë
tetovarë pushimet verore i kalojnë në Shqipëri. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund
ta paramendojnë veten pa Tetovën. Qyteti ynë edhe gjatë historisë ka luajtur
rol të rëndësishëm. Qyteti ka potencial demografik, intelektual, ekonomik dhe
financiar. Tetovarët e kanë mbështetur çdo zhvillim kombëtar dhe politik në
Kosovë.
GM: Si e përshkruani fëmijërinë tuaj dhe cilat
janë kujtimet më të rëndësishme që keni prej asaj periudhe? A ka pasur ngjarje,
persona apo përvoja që kanë ndikuar në formimin e personalitetit dhe
botëkuptimit tuaj?
XHZ: Babanë e kam prej qyteti, ndërsa nënën – prej një fshati që është katër
kilometra larg. qytetit. Pothuajse çdo javë shkoja me nënën në fshat. Ecnim në
këmbë ngase atëbotë s’kishte vetura. Madje edhe autobusët qarkullonin rrallë,
tri-katër herë në ditë. Mjedisin e fshatit dhe gjyshërit nga nëna i doja dhe i
nderoja. Te dajallarët ndjehesha si në shtëpinë time. Atje e mësoja
psikologjinë e fshatarit, të bujkut, të blegtorit. E përjetoja mikpritjen,
bujarinë, shpirtin e padjallëzuar. I shihja dhentë, qengjat, bagëtinë e trashë,
mjetet bujqësore. Atje e shijoja sintaksën e bukur të gjuhës shqipe,
frazeologjitë, fjalët që përdoreshin në jetën e përditshme në vatrat e shtëpive
fshatarake. E shijoja shpirtdëlirësinë e fshatarit. Në qytet e kam pasur fqinj
një mësues i cili kishte vuajtur dënim me burg në Goli Otok. Ai ishte atdhetar.
Ndikonte në formimin tim por edhe të të rinjve të tjerë të lagjes. Prej tij
mësuam se si ta duam kombin tonë dhe vlerat e tij.
GM: Ku i keni kryer
studimet, duke filluar nga shkolla fillore, shkolla e mesme dhe universiteti?
Çfarë kujtimesh dhe përvojash keni nga bashkëstudentët dhe profesorët?
XHZ:
Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje. Po kështu edhe të mesmen. Prej
mësuesve të shkollës fillore, më vonë edhe prej profesorëve të shkollës së
mesme, mësonim se si ta duam gjuhën amtare, kombin dhe historinë e tij,
flamurin, heronjtë kombëtarë. Qysh në fillore dhe në shkollë të mesme e
ndërtonim vetëdijen kombëtare.
Studimet
i kam ndjekur në Beograd, në Fakultetin Filologjik, në Degën gjuhë shqipe dhe
letërsi. Kjo ka ndodhur në vitet 1973-1977, d.m.th. katër vjet. Lëndët që
kishin të bënin me gjuhën shqipe dhe letërsinë ligjëroheshin prej profesorëve
që vinin nga Universiteti i Prishtinës. Fonetika, morfologjia, sintaksa dhe
historia e gjuhës shqipe ligjëroheshin prej profesorëve shqiptarë të
Prishtinës. Po kështu edhe letërsia e vjetër shqipe, letërsia shqipe e
romantizmit, letërsia shqipe e realizmit si dhe letërsia bashkëkohore
shqiptare. Një prej profesorëve që na ka ligjëruar është edhe Prof. Idriz
Ajeti. Lëndët e tjera që kishin të bënim me teorinë e letërsisë, me
stilistikën, me metrikën, me estetikën, me sociologjinë e kulturës, me
ballkanologjinë, me gjuhët indoevropiane, etj., ligjëroheshin prej profesorëve
të Universitetit të Beogradit.
Në
vitet 1977-1979, po në atë fakultet, si student i rregullt, i kam vazhduar
studimet pasuniversitare, në degën Shkenca mbi letërsinë. Ishte koha pas
Kushtetutës së viti 1974. Kosova kishte disa ingjerenca në shkallë republike.
Si student s’kam pasur pothuajse kurrfarë diskriminimi. Kohën e kam kaluar në
fakultet, nëpër librari, nëpër biblioteka dhe në sallën e leximit të Qytetit të
Studentëve. Në kohë të lirë kam shkuar në kinema dhe në teatër. Për shkak të
notës mesatare mbi 8.50, në përputhje me aktet normative të universitetit, kam
marrë dymbëdhjetë muaj bursë universitare. Gjatë studimeve pasuniversitare,
disa profesorë të Universitetit të Beogradit na e sugjeronin literaturën e
profesorëve të Universiteti të Zagrebit. Në studimet pasuniversitare, në
përputhje me aktet normative të universitetit, studenti duhej të ndiqte
ligjërata të dy gjuhëve të huaja dhe t’u nënshtrohej provimeve të dy gjuhëve të
huaja. Profesorët që më kanë ligjëruar kanë qenë ekspertë të mëdhenj të
gjuhësisë, përkatësisht të teorisë së letërsisë. Disa prej tyre ishin shkolluar
në universitetet prestigjioze të Evropës. Ata ishin autorë tekstesh
universitare që përdoreshin nëpër universitetet e kryeqendrave të republikave
të RSFJ-së. Disa tekste të dijetarëve kroatë të lëmit të teorisë së letërsisë
ishin përkthyer edhe në gjuhë të huaja, si frëngjisht, anglisht, gjermanisht
etj.
GM: Si ishte përvoja
juaj gjatë shërbimit ushtarak në Prishtinë? A mund të ndani disa momente të
veçanta që ju kanë mbetur në kujtesë?
XHZ:
Kam shkuar ushtar në Prishtinë më 9 prill 1981. Më 1 dhe 2 prill të atij viti
kishte shpërthyer kryengritja në Kosovë. Protestat popullore dhe studentore
ishin shuar pas ndërhyrjes ushtarake të ushtrisë jugosllave. Aeroplanët e
ushtrisë jugosllave kishin fluturuar mbi ndërtesat e Prishtinës. Rrugët e
kryeqytetit të Kosovës si dhe të qyteteve të tjera ishin zaptuar prej tankeve
serbosllave. Gjendje e jashtëzakonshme, shtetrrethim. Për ushtarët s’kishte
dalje në qytet. Në qytet filluam të dalim vetëm pas tre-katër muajve. Kam
shërbyer njëmbëdhjetë muaj. Kam qenë në kazermën “Mareshali Tito”. Që nga viti
1999 kjo kazermë quhet “Adem Jashari”. E kam ditur se më përcjellin dhe më
syrvejojnë, ndaj kam qenë i kujdesshëm. Ditën që u lirova nga shërbimi
ushtarak, një ushtar maqedonas, me profesion inxhinier dhe i punësuar në
Kroaci, më tha: “Zejneli, kam qenë i
ngarkuar prej eprorëve të të ndjek, por unë kurrë nuk kam folur diçka kundër
teje. Ti edhe s’më ke dhënë pretekst...”. Me fjalë të tjera, atë e kishin
caktuar të më përcjellë dhe të spiunojë kundër meje. Çdo mbrëmje, me një
radio-transistor i përcillja lajmet e Radio-Tiranës. Tirana jepte lajme për
demonstratat e 81-shit. I ndiqja çdo natë. Një ditë kapiteni Nikiq, një serb,
më ndali dhe më pyeti: “Zejneli, a ka
raste që ti t’i dëgjosh radiostacionet e huaja?” “Jo” – iu përgjigja. “Jo?”, ma ktheu ai. “Jo” – ia përsërita.
Në
një rast, kapiten Nikiqi iu drejtua ushtarëve të njësitit me fjalët: “Kosova do të hyjë një metër ndër tokë dhe
s’ka për t’u bërë republikë”. Deklaratën e tij e përjetova si provokim. Ky
farë kapiteni kishte animozitet edhe ndaj ushtarëve kroatë. Në vitet 1981-1990
shumë ushtarë shqiptarë i kthyen në shtëpi në arkivole. Sipas autoriteteve
ushtarake serbosllave, të gjithë kishin bërë vetëvrasje. Prindërve të të
vrarëve ua ndalonin t’i çelnin arkivolet.
Pas
një kohe, i njëjti kapiten më pyeti në isha anëtar i Lidhjes së Komunistëve. I
thash se nuk jam. “Ke gjasa të bëhesh” më
tha. Pas ca ditëve, e aktualizoi çështjen. Ia ktheva se nuk dua të bëhem anëtar
i Lidhje së Komunistëve. Ai u habit me përgjigjen time. “Si është e mundur. Ta kemi dhënë distinktivin e ushtarit shembullor, e
ti nuk dëshiron të bëhesh anëtar. Të tjerët lutin të bëhen anëtarë, e ne s’i
pranojmë, kurse ti...” U thirra në raport te majori i divizionit Linkiq. Më
pyeti përse nuk bëhem anëtar. “Mos je i
dëshpëruar për ndërhyrjen ushtarake të ushtrisë për shuarjen e demonstratave?”
U përpoqa të dal nga situata me të gjitha mënyrat. Më në fund më tha: “Mund të largohesh.” Pas dite, ushtarëve
të njësitit, të përbërë nga pjesëtarë të të gjithë popujve të Jugosllavisë, u
mbaja ligjërata për krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë. Mbaja ligjërata
edhe për shkrimtarë të tjerë, si për shembull për shkrimtarin kroat Mirosllav
Kërlezha etj.
Ndërkohë,
u vranë në Gjermani vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Kapiten Nikiqi më
takoi dhe më tha: “Zejneli, tani
shqiptarët do të thonë se i ka vrarë UDB-ja...” UDB do të thotë: Uprava
drzhavne bezbednosti (Drejtoria e Sigurisë së Shtetit). Është shërbimi sekret i
Jugosllavisë i themeluar nga Josip Brozi. Ky shërbim i ka ndjekur të gjithë
kundërshtarët e regjimit të Titos, në mbarë Jugosllavinë. Me shpërbërjen e
Jugosllavisë së Titos në vitin 1991, UDB-a pushoi së ekzistuari. Por, ky
akronim, në mënyrë metaforike, vazhdoi
të përdoret. Njeriu që ishte bashkëpunëtor i UDB-së quhej udbash, d,m.th.
spiun. Eprorët ushtarakë e dinin se unë punoj si përkthyes në qeverinë
jugosllave në Beograd. Pothuajse të gjithë eprorët, mbase me përjashtim të
atyre sllovenë dhe kroatë, Beogradin e kishin kompleks. Jeta në Beograd u dukej
një ëndërr e largët. E pandehnin Nju-Jork. Ma dhanë distinktivin e ushtarit
shembullor për t’i raportuar Shtabit Madhor në Beograd se ushtarët shqiptarë,
përkundër ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i kryejnë detyrat ushtarake si duhet,
ndaj edhe i kemi shpërblyer me distinktivin e sipërthënë. I shpërblyeri me këtë
distinktiv liroi nga shërbimi ushtarak pesëmbëdhjetë ditë më herët. Ndërkohë,
një grup tetovarësh u gjykuan në Gjykatën e Shkupit. Lajmin e pashë në
televizion. Njërin prej tyre e kisha mik. Tezja ime e kishte kunat. Pasi e
kreva shërbimin ushtarak, u martova me vajzën e vëllait të tij. Me t’u
paraqitur para gjykatësit, ai përshëndeti me grushtin në kokë. Gjyqtari e pyeti
se ç’do të thotë kjo përshëndetje. I burgosuri iu përgjigj: “Kështu përshëndet ushtria e Enver Hoxhës”.
Të nesërmen sigurimi i njësitit më thirri në raport. Më pyeti në e njihja
irredentistin, separatistin, armikun e Jugosllavisë... Ia ktheva se nuk e
njihja. “Si është e mundur të mos e
njohësh? A s’je ti tetovar...?” “Po,
por unë punoj dhe jetoj në Beograd” – ia ktheva. Më liroi të largohem.
Ndërkohë, kapiten Nikiqi më pyeti në mund t’ua mësoja ushtarëve të njësitit (të
Lidhjes) një këngë në gjuhën shqipe, me rastin e Ditës së Armatës, më 22
Dhjetor”. I thashë po. Njësiti kishte 35 ushtarë. Këngën “Partizani në luftë po shkon” e shkrova në dërrasë të zezë dhe e
ushtronim çdo ditë nga një orë. E ushtronim edhe në orën 19, kur shkonim në
darkë. Ushtonte kazerma. Ditën e caktuar brigada prej 2000 ushtarëve parakaloi
në terrenin e kazermës para ushtarakëve të lartë të ardhur nga Shtatmadhoria.
Të pranishëm ishin edhe gjeneral Ali Muhaxheri dhe gjeneral Ethem Reçica.
Kapiten Nikiqi iu ankua majorit boshnjak Zijad Selimoviq, se unë nuk pranoj të
bëhem anëtar i Lidhjes së Komunistëve. Ai ia ktheu: “Ndoshta bohet kur të kthehet në Beograd”.
GM: Cilat gjuhë të huaja
flisni dhe në çfarë niveli i zotëroni ato? Si do ta vlerësonit rëndësinë e
njohjes së gjuhëve të huaja?
XHZ:
Gjuhën amtare e shkruaj pa gabim. Kuptohet, lexoj, shkruaj dhe flas edhe në
gjuhën serbe, në gjuhën kroate, në gjuhën turke, në gjuhën frënge. Si nxënës i
shkollës së mesme, kam marrë pjesë në gara republikane në frëngjisht. Në
provimin e frëngjishtes në fakultet në Beograd e kam marrë notën dhjetë. Kam
qenë më i miri në shkallë fakulteti. Veprat e autorëve të huaj i lexoj në
frëngjisht, në serbisht apo në kroatisht. Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës
gjuhën që e flasin e quajnë gjuhë boshnjake apo boshnjakisht. Midis serbishte,
kroatishtes dhe boshnjakishtes nuk ka ndonjë dallim thelbësor. Sipas serbëve,
s’ka gjuhë boshnjake, as gjuhë kroate. Në Mal të Zi ka që thonë se malazeztë
flasin malazezisht, ndërsa serbët thonë se gjuhë që flasin malazeztë nuk është
veçse një dialekt i serbishtes. Krejt lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet
1991-1995 është bërë për një fjalë të vetme: boshnjakisht.
Për
anglishten posedoj kryesisht njohuri pasive. Në studimet pasuniversitare në
Beograd, përpos frëngjishtes kam ndjekur ligjërata edhe nga italishtja dhe
gjermanishtja. Gjuhë të huaja janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe
jo serbishtja apo kroatishtja. Vitet e fundit të rinjtë i kushtojnë rëndësi
gjermanishtes për arsye se synojnë të ikin në Gjermani.
Për
një intelektual njohja e gjuhëve ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
Intelektualët e brezave të kaluar në Maqedoni dhe në Kosovë nuk dinë gjuhë të
huaja. Numri i atyre që dinë gjuhë të huaja është tejet i vogël. Nuk mund të
jesh profesor universiteti, pedagog apo ligjërues po qe se nuk i di dy gjuhë të
huaja, në nivel leximi, shkrimi dhe komunikimi. Në anën tjetër, një pjesë e madhe e popullatës në Shqipëri
flasin të paktën dy gjuhë të huaja. Ka që flasin edhe nga tri-katër gjuhë të
huaja. Tani në Maqedoni, mbase edhe në Kosovë, nxënësit dhe studentët i
kushtojnë rëndësi më të madhe gjuhës së huaj, sidomos anglishtes. A mund të
bëhesh sot politikan po qe se nuk flet anglisht?! Gjuhën e huaj e di ai i cili
lexon, shkruan, flet dhe përkthen në atë gjuhë ose prej asaj gjuhe. Kemi njohje
pasive të një gjuhe dhe njohje vepruese (aktive) të saj.
GM: Cili ka qenë
punësimi juaj i parë dhe çfarë përgjegjësish dhe detyrash keni pasur gjatë
kësaj periudhe? Si e menaxhonit këtë rol dhe çfarë sfidash hasët gjatë kësaj
periudhe të fillimit në karrierë?
XHZ:
Për herë të parë jam punësuar në Këshillin Ekzekutiv Federativ (Qeveria e
RSFJ-së) në Beograd. Kjo ka ndodhur kah fundi i vitit 1979. Jam punësuar në
bazë të konkursit. Quhej Shërbimi i KEF-it për punë të përkthimeve. Më vonë u
quajt Shërbimi i përkthimeve. Materialet përktheheshin në shumë gjuhë të
Evropës, në arabisht, në kinezisht etj, Përktheheshin në të gjitha gjuhët që
fliteshin në RSFJ, përfshi edhe hungarishten. Për Malin e Zi nuk kishte redaksi
ngase gjuha flitej atje konsiderohej një dialekt i serbishtes. Redaksia shqipe
shërbente për funksionarët shqiptarë të Kosovës. Përbëhej prej 22 vetëve: 12
përkthyes, 6 daktilogaf, 2 krahasues. Njëri prej përkthyesve merrej vetëm me
grumbullimin e termave. ishin të pajisur me të gjithë fjalorët terminologjikë
të lëmenjve të ndryshëm të botuar në Shqipëri. Përdornim edhe fjalorë dhe
leksikone në gjuhë të huaja, si anglisht, frëngjisht, gjermanisht, serbokroatisht.
Kryenim
përkthime me shkrim (me diktafon), përkthime simultane dhe përkthime
konsekutive. Vazhdimisht vinin delegacione prej Shqipërie, kryesisht në shkallë
ministrore, sektorësh dhe dikasteresh të ndryshme. E kam pasur shok dhe mysafir
në banesën time në Beograd ambasadorin Kujtim Hisenaj, tani i ndjerë. Po kështu
edhe sekretarin e parë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd, Leonida Mërtirin.
Me ambasadorin Sokrat Plaka e kam shikuar ndeshje basketbolliste midis dy
skuadrave të Tiranës dhe të Beogradit. Mblodha një grup studentësh dhe bënim
tifo për skuadrën e Shqipërisë. Në sallën e sportit me siguri ka pasur edhe
agjentë të UDB-së.
Me
kryeministrin e Serbisë dhe Malit të Zi të viteve 1992-1992, biznesmen amerikan
me prejardhje serbe, Milan Paniq (1929- ), duhej të nisesha në Pogradec. Aty do
të mbahej takimi midis tij dhe Ramiz Alisë. Unë isha caktuar si përkthyes
simultan i tyre. Një ditë para, ime motër më telefonoi nga Tetova se ime ma
është tejet e sëmurë. Po qe se nuk vjen sa më parë, tërë jetën do të të brejë
ndërgjegjja. E njoftova përgjegjësin tim se nuk mund të udhëtoj për në
Pogradec. Sakaq, gjetën zëvendësim. Atë natë ime ma 59 vjeçe kishte ndërruar
jetë. Unë mbërrita të nesërmen.
GM: Si e vlerësoni
përvojën tuaj si profesor në Gjimnazin e Tetovës dhe Universitetin e Tetovës?
Cilat kanë qenë sfidat dhe arritjet tuaja më të mëdha?
XHZ:
Në gjimnazin e Tetovës, si profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë, jam punësuar
në vitin 1996. Kam punuar deri para tre vjetëve, përkatësisht deri në vitin
2021, kur jam pensionuar. Kurrë s’ka ndodhur të shkoj në shkollë i
papërgatitur. E kam respektuar plan-programin mësimor. Një pjesë të
plan-programit e kam ndërtuar vetë ngase një gjë të tillë ma lejon ligji. Kam
bërë çmos që pushimet midis orëve që zgjasin jo më shumë se pesë minuta, të mos
i keqpërdor. Pushimi i gjatë zgjat 20 minuta. I kam kushtuar rëndësi faktit që
gjatë orës mësimore të mos devijojë nga realizimi i njësisë mësimore. Kurrë
s’kam përdorur masa fizike ndaj nxënësve, kurrë s’i kam trembur as frikësuar
nxënësit nëpërmjet notimit. Kam pasur kriter mesatar dhe jo kriter të ashpër.
Nuk e kam shpëlarë trurin e nxënësve me ideologji apo me çështje të tjera që
s’kanë të bëjnë me mësimin, edukimin, formimin e nxënësit. I kam kushtuar
rëndësi formimit të personalitetit të nxënësit. Nxënësi të aftësohet për të
gjykuar me mendjen e vet. Kam qenë mësues human dhe te nxënësit kam tentuar të
mbjell ndjenjën e humanizmit, njerëzores. Synoja t’i mësoj nxënësit se si nuk
duhet të jenë oportunistë, konformistë dhe poltronë. Të mos u binden
autoriteteve dhe pushtetarëve, tiranëve dhe despotëve, autokratëve dhe
diktatorëve. Të flakin ideologjinë totalitare, nazizmin, fashizmin, racizmin,
ksenofobinë. Të lajnë shpirtin dhe t’i flakin nga vetja anët e liga, si
egoizmi, xhelozia dhe smira. I mësoja ta duan lirinë, i mësoja se liria e tyre
mbaron aty ku fillon liria e tjetrit, u thosha se asgjë nuk është më e bukur se
ajo që nuk ekziston. Ua sqaroja atë që thoshte Platoni: “E mira është e përgjithshme, e amshueshme dhe e pandryshuar”.
Në
vitin 2002 ndërmora një nismë me nxënësit që emërtimi “Kiril Pejçinoviq” i
gjimnazi të zëvendësohet me emërtimin “Gjon Buzuku”. Partia shqiptare në
pushtet, nëpërmjet një deputeti të saj më çoi fjalë që ta ndërpresë veprimin
për arsye se ajo paskësh më të madhe se ndërrimi i emërtimit të një shkolle. Që
atëherë, kjo çështje ka mbetur pa u zgjidhur. Gjimnazi me rreth 90 për qind
nxënës shqiptarë, vazhdon ta mbajë emërtimin e sipërthënë.
GM: Cilat janë disa
parime të rëndësishme që e udhëhoqën filozofinë tuaj të mësimdhënies dhe si i
zbatoni ato në praktikë?
XHZ:
Nxënësve u kam ligjëruar për gjuhën shqipe, për historinë e gjuhës, për
fonetikën historike, për gramatikën e gjuhës shqipe, për morfologjinë, për
sintaksën, për fjalitë, për llojet e fjalive, për frazeologjitë, për
drejtshkrimin e shqipes, për shqipen në kohën e Buzukut, Matrëngës, Budit,
Bardhit, Bogdanit, për shqipen e poetëve dhe të studiuesve arbëresh, për
letërsinë antike greke dhe romake, për teorinë e letërsisë, për historinë e letërsisë,
për kritikën letrare, për stilistikën, për metrikën, për periudhat letrare, për
drejtimet letrare, për shkollat dhe rrymat letrare, për letërsinë evropiane të
periudhave të ndryshme, përkatësisht për letërsinë e huaj, për letërsinë
kombëtare të periudhave të ndryshme. Nxënësit i kam angazhuar edhe me detyra
shtëpie, të mbledhin në mjediset e veta proverba, fjalë të urta, frazeologji,
këngë fejese, këngë dasme, këngë kurbeti, fjalë të rralla, fjalë që janë në
zhdukje e sipër, të shkruajnë për ceremonitë mortore. I kam angazhuar të
lexojnë veprat e autorëve kombëtarë si dhe ato të të huajve, periudhash të
ndryshme. Nxënësi mund të lexojë mirë, mund të recitojë, të deklamojë, të
imitojë, të aktrojë, mund të shkruajë poezi, skeçe, pjesë teatrale, tregim,
skicë. Për çdo punë dhe aktivitet nxënësi duhet të shpërblehet, të motivohet.
Me nxënësit kam realizuar nga katër hartime në vit. Përpos hartimeve apo eseve,
vlerësimin e nxënësve apo notimin e tyre e kam bërë kryesisht në bazë të katër
testeve brenda një viti shkollor. Gjatë vlerësimit të njohurive të nxënësve kam
tentuar të jem sa më objektiv. Kurrë s’kam pranuar ndërhyrje për notë. Kriteri
im i vlerësimit të njohurive të nxënësve ka qenë relativ dhe mesatar. Profesori
që ka kriter të ashpër në notim është i dobët. Një psikolog dhe pedagog
amerikan thotë: “Nxënësi meriton notë
maksimale, jo kur e di librin apo tekstin shkollor, por kur gjykon me kokën e
vet”. Kurrë s’i kam fyer
nxënësit. E kam respektuar dinjitetin dhe integritetin personal të tyre. Nxënësi
nuk është objekt. Mësuesi, arsimtari apo profesori duhet të jetë pedagog i
mirë, duhet të ketë njohuri për psikologjinë. Si çdo njeri, edhe nxënësi është
botë në vete. Ne nuk dimë se me çfarë problemesh familjare ballafaqohet
nxënësi, me ç’probleme ekonomiko-sociale. Shkrimtari francez Andre Malro (André
Malraux, 1901-1976) thotë: “Njeriu është
si akulli në ujë. Tri pjesë të tij nuk i shohim, e shohim vetëm një pjesë – atë
që është mbi ujë”. Nxënësit vazhdimisht i kam qortuar. Punëtori i arsimit
duhet të mëshirohet me punën e mësimdhënies, duhet ta dojë shkollën, librin,
leximin, punën kreative. Arsimi duhet të jetë punë e çmueshme dhe e
kushtueshme. Nxënësit e mi të dalluar kanë ndjekur mjekësinë dhe janë bërë
doktorë. Nxënësit mesatar ndiqnin degët e arsimit. Nxënësi mesatar kurrë
s’bëhet mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Nuk mund të fitosh njohuri të
thella gjatë përvojës në punë. I kam udhëzuar se si bëhet një ese. Jam
përpjekur të mbjell te nxënësi dashurinë për lexim.
GM: Jeni autor i librit
"Periudhat dhe drejtimet në letërsi: Metodat letrare". Për ata lexues që nuk janë të njohur me veprën tuaj,
si do ta përmbledhnit përmbajtjen dhe rëndësinë e saj? Cilat janë konceptet
kryesore që trajtoni dhe si ndihmon libri në kuptimin e zhvillimit letrar dhe
metodave kritike?
XHZ:
"Periudhat dhe drejtimet në letërsi.
Metodat letrare" është libër universitar. Një të tillë s’ka në trojet
shqiptare, pra as në Shqipëri. Libri është në programin e degës së letërsisë të
Universitetit të Tetovës. Libri ndodhet edhe në Bibliotekën e Prishtinës apo të
Universitetit të Prishtinës. Dy kopje të librit ndodhen në Shqipëri. Në shtëpi
më kanë mbetur mbase nja dhjetë kopje. Çmimi i librit do të duhej të kushtonte
diku rreth 100 euro. Po ta nxjerrësh në shitje në ndonjë librari të Tetovës,
njerëzit s’do ta blinin as për pesë euro. S’është kohë librash. Tirazhi ka qenë
1000 kopje. Libri ka 499 faqe, 1300 emra poetësh, prozatorësh, dramaturgësh,
teoricienësh letrarë, historianësh të letërsisë, kritikësh letrarë, estetësh, piktorësh,
filozofësh, kompozitorësh etj. Mbi 97 për qind e tyre janë të huaj dhe u
përkasin periudhave të ndryshme, që nga lashtësia deri më sot. Libri u shërben
profesorëve të letërsisë të shkollave të mesme dhe ligjëruesve universitarë,
studentëve dhe intelektualëve – adhurues të letërsisë dhe të artit. Libri
posedon literaturë në gjuhën kroate apo serbe, në gjuhën frënge, në gjuhën
angleze dhe në gjuhën shqipe. Nuk mund të thuash se e njeh shkencën mbi
letërsinë, teorinë e letërsisë, drejtimet letrare, periudhat letrare, shkollat,
rrymat dhe konceptet letrare pa e lexuar dhe pa e studiuar këtë libër apo një
të tillë të ngjashëm. Në libër janë përfshirë njëzet drejtime letrare, po aq
shkolla, rryma dhe koncepte letrare si dhe shtatë metoda letrare. Libri është i
pajisur me fusnota. Janë respektuar rregullat dhe parimet e teknikës së punës
shkencore.
Poeti
dhe kritiku anglosakson, laureat i çmimit “Nobel”, Tomas Stërnz Elliët (Thomas
Stearns Eliot, 1888-1965) në esenë “Tradita
dhe talenti individual” (Tradition
and the Individual Talent, 1919)
të cilën e kam përkthyer në shqip dhe e kam botuar e ribotuar, flet për atë që është poezi dhe për atë që
nuk është poezi. Nuk do të ishte e tepërt që një person që thur vargje, ta
lexonte. Kjo ese është botuar edhe në Zemrën Shqiptare më 20.03.2019.
GM: Duke pasur parasysh
ndikimin e shkrimeve tuaja publicistike të botuara në Zemra Shqiptare dhe në
shumë media të tjera, në diskursin intelektual dhe politik, mendoni se ato
luajnë një rol të rëndësishëm në orientimin strategjik dhe qytetërues të kombit
shqiptar në Ballkan? A e besoni se publicistika mund të ndikojë drejtpërdrejt
në formësimin e politikave kombëtare dhe ndërkombëtare?
XHZ:
Shkrimet e mia duhet t’i lexojnë personat përgjegjës të partive politike. Duhet
t’i lexojnë intelektualët dhe studentët e të gjitha profileve. Këto shkrime
duhet t’i grumbullojnë ministritë e punëve të jashtme. Shkrimet e mia i kam
parë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, diku në rreth dhjetë gjuhë. Në
shkrimet e mia mbrohet kauza kombëtare, kauza shqiptare. Askund nuk sugjerojë
luftë të armatosur, askund nuk sugjerojë konflikt, askund nuk mbjelli urrejtje
ndaj popujve të tjerë, përkundrazi, jam për marrëdhënie të mira midis popujve
të rajonit dhe më gjerë. Shqiptarëve u është bërë padrejtësi, padrejtësi në
Shën Stefan, në Berlin (1878), padrejtësi në Londër (1912-1913). Shqiptarët sot
jetojnë të ndarë në gjashtë shtete: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore
(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi. Është edhe çështja çame.
Shumë shqiptarë jetojnë në ngulimet historike si dhe në diasporën shqiptare në
Evropë dhe në Amerikë. Ku ka padrejtësi më të madhe. Çlirimi i Kosovës paraqet
vetëm një zgjidhje të pjesshme të kauzës kombëtare shqiptare. Pa iu bashkëngjit
Kosova vendit amë Shqipërisë, shqiptarët nuk do ta kenë lehtë të konsolidohen
si komb. Shqiptarët edhe vetë janë fajtorë për fatkeqësinë e vet. Shqiptarët
duhet të tregojnë aftësi shtetformuese apo kombndërtuese. Nuk ndërtohet vendi
duke vjedhur shtetin tënd, duke vjedhur vetveten. Deputetja suedeze hyn në
parlamentin e vendit të vet me një kostum që kushton më pak se 1000 euro,
ndërsa disa prej deputeteve tona shfaqen në kuvend me një kostum dhe grym që
kushtojnë mijëra euro.
Shkrimet
e mia, si ato të Arbën Xhaferit të ndjerë, mund të ndikojnë dhe duhet të
ndikojnë në orientimin strategjik dhe qytetërues të kombit shqiptar. Shkruaj se
jemi popull që historikisht i përkasim qytetërimit perëndimor, i përkasim
Evropës. Kam shkruar se jemi popull proamerikan, më proamerikani në botë. Pa
Amerikën s’do të kishim Kosovë të lirë dhe të pavarur. Këtë s’e mohon dot kush.
Shkruaj se shqiptarët duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave dhe
jo me sistem oriental vlerash. Kështu mendonte Ibrahim Rugova dhe Arbën
Xhaferi. Kështu na mësonte Ismail Kadareja.
Kurrë
s’jam marrë me politikë ditore. Shkrimet e mia janë asnjanëse, nuk janë në
shërbim të subjekteve politike, të asnjë subjekti. Janë shkrime me bazë
ideologjike. Në shkrimet e mia lexuesi mund të gjejë mijëra informata të sakta
dhe të verifikuara. I jam mirënjohës tej mase Zemrës Shqiptare për botimin e
shkrimeve të mia. Zemra Shqiptare është një prej mediumeve më prestigjioze të
botës shqiptare. Është medium kombëtar.
GM: Si e përshkruani
përvojën tuaj si zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Maqedonisë? Çfarë
mësimesh dhe përvojash mund të ndani nga kjo periudhë e punës?
XHZ:
Në Agjencinë Informative të Maqedonisë jam emëruar si zëvendësdrejtor në vitin
2002. Kam qenë i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Kjo është
agjenci lajmesh si ATSh-ja. Gjatë udhëtimeve nëpër vende të Ballkanit, jam
njohur me drejtorin e ATSh-së Frok Çupin. Udhëheqësit e agjencive të vendeve të
rajonit kishin respekt të madh ndaj Frokut. Qëllimi im ishte që në Agjenci ta
shtojë cilësinë e punës, cilësinë e gjuhës, ta konsolidojë pjesën shqiptare të
Agjencisë, t’i zhvillojë marrëdhëniet me agjencitë e Shqipërisë dhe të Kosovës,
të shkëmbejmë lajme dhe përvoja me agjencitë e trojeve shqiptare. E ftova për
vizitë në Agjenci ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Vlladimir Prelën. Ai
kërkoi që Ambasada e Shqipërisë të pajisej çdo ditë me lajmet e Agjencisë.
Agjencia prodhonte apo transmetonte çdo ditë nga 350 deri 400 lajme në ditë.
Këtë ia mundësova Ambasadës me një çmim simbolik. Synimi im ishte ta shtojë
numrin e të punësuarve shqiptarë në Agjenci. Me punësime të reja, të realizuara
me testim, ia dola që Agjencia të ketë me vendime pune mbi 20 për qind
shqiptarë. Para meje, përqindja e shqiptarëve në Agjenci ka qenë shumë e vogël.
GM: Cilat ishin
përgjegjësitë dhe sfidat që hasnit gjatë periudhës së punës tuaj si përkthyes
në Redaksinë Shqipe të Shërbimit të përkthimeve pranë Këshillit Ekzekutiv
Federativ në Beograd?
XHZ:
Ne i përkthenim në shqip të gjitha materialet që nxirreshin prej të gjitha
sekretariateve (ministrive) të qeverisë. Kam punuar 14 vjet. Brenda asaj kohe,
unë dhe shokët apo kolegët e mi, kemi përkthyer mijëra faqe. Bënim çmos që
termat t’i harmonizojmë me ata të Fletores Zyrtare të Shqipërisë. Punën tonë e
përcillnin edhe komisionet e Institutit Albanologjik të Prishtinës të përbërë
prej profesorëve eminentë të gjuhës apo të letërsisë. Ka pasur rast kur anëtar
komisioni ka qenë Ibrahim Rugova.
Në
Shërbimin e përkthimeve kanë punuar sllovenët, kroatët, serbët, boshnjakët,
maqedonasit, shqiptarët dhe hungarezët. Çdo redaksi i ka pasur punët e ndara
dhe kushte e punës të ndara. Kurrë s’kemi pasur probleme me njëri-tjetrin.
Punësimet janë bërë me provime pranuese. Më vonë kam mësuar se për çdo person
që ka konkurruar për t’u punësuar në atë shërbim të qeverisë, kanë kërkuar në
rrugën sekrete, të dhëna nëse personi ka qenë i dënuar për veprimtari
armiqësore dhe nëse ndaj tij është duke u zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore.
Në
fillim asnjëri prej nesh shqiptarëve nuk kemi pasur banesa. Ndërkohë, drejtori
i Shërbimit, një serb, ushtroi trysni mbi kryeministren e RSFJ-së, kroaten
Milka Planinc (1924-2010), duke i thënë: “Po
qe se shqiptarëve nuk u jepen banesa sa më parë që të jetë e mundur, ata do ta
lënë punën dhe do të kthehen në Kosovë”. Çdo kroat është me shqiptarët dhe
për shqiptarët. Kryeministrja e zgjidh problemin sakaq. Bëhej fjalë për mbi
njëzet banesa në kryeqytet.
Problem
tjetër ka qenë edhe ndarja prej familjeve, prej prindërve, prej vendlindjes.
Njeriu nuk bën shkollë për t’u ndarë nga prindërit dhe nga vendlindja. Sot
miliona shqiptarë, djem e vajza, pleq e të rinj, i lënë prindërit dhe vatrat
dhe ikin për të mos u kthyer. I marrin rrugët e asimilimit. Madje atë që ende
s’ka vajtur, e marrin për të pazot, e quajnë të mjerë, të ngratë, të gjorë, të
paaftë. Fare s’çajnë kokën se fëmijët e
tyre mund të martohen me filipinas, marokenë, sllovakë, gjermanë, e të tjerë.
Kudo
që kam punuar, nuk kam munguar as edhe një ditë të vetme. As në Këshillin
Ekzekutiv Federativ, as në gjimnazin e Tetovës, as në Agjencinë Informative të
Maqedonisë. Gjatë studimeve, në fakultet nuk kam munguar në asnjë ligjëratë.
Nuk kam munguar në asnjë ligjëratë as gjatë studimeve pasuniversitare. Edhe si
trajnues i 100 përkthyesve në Shkup, nuk kam munguar fare.
GM: Si e përshkruani
përvojën tuaj gjatë trajnimit të 100 përkthyesve shqiptarë dhe maqedonas, dhe
si mendoni se ky trajnim ndikoi në zhvillimin e aftësive për përkthim simultan,
konsekutiv dhe me shkrim?
XHZ:
Trajnimi i përkthyesve nga maqedonishtja në gjuhën shqipe është mbajtur në
Shkup. Ka zgjatur nëntë muaj nga pesë orë në ditë. Trajnimi realizohej nën
kujdesin e Këshillit Britanik. Në trajnim ishin përfshirë 100 kandidatë
shqiptarë. Gjysma prej tyre kanë qenë femra, kurse tjetër – meshkuj. Ishin nga
të gjitha qytetet e Maqedonisë. Atyre që vinin prej qyteteve të largëta, u
paguhej strehimi dhe ushqimi. Të gjithëve u paguheshin paratë e rrugës. Kemi
qenë pesë trajnues dhe një bashkërenduese. Kandidatët i përgatitnim për
përkthime me shkrim, për përkthime simultane dhe për përkthime konsekutive (nga
kabina). Pas nëntë muiajve, kandidatët iu nënshtruan testimit. Në testim ishin
të përfshirë tri profesoresha të Universitetit të Shkupit, të cilësuara si
eksperte të përkthimit. Të gjithëve iu dha dëshmi, vërtetim apo certifikatë për
kryerjen e suksesshme të kursit. Ky trajnim mbase kishte edhe rëndësi politike
ngase e zbuste disi çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe nëpër institucione
të caktuara të Maqedonisë, e kryesisht nëpër gjykata. Të gjithë kandidatët u
sistemuan dhe u punësuan nëpër qytetet e veta, nëpër gjykata por edhe nëpër
institucione të tjera. Personi me emrin Luis, spanjoll me prejardhje,
konsiderohej ekspert botëror i përkthimeve. Më kërkoi t’i veçoj dhjetë
përkthyesit më të mirë. I veçova dhjetë më të mirët. Ata u sistemuan në
institucionet më me peshë të shtetit. Gjatë realizimit të trajnimit nuk pati
asnjë problem, asnjë mosmarrëveshje, kurrfarë eksesi apo incidenti. Luisit i
thashë: “Po qe se shkoni në ndonjë vend
tjetër të botës, disa punë duhet t’i bëni ndryshe. Për një përzgjedhje më të mirë, duhet t’i kushtoni rëndësi më të madhe
provimit pranues. Provimin pranues e paskëshin dhënë të 100 kandidatët që kanë
konkurruar. Për një përzgjedhje më cilësore është dashur që të paktën gjysma të
kishin rënë në provim”.
GM: Ju ishit
bashkëpunëtor i jashtëm i Qendrës Shtetërore të Provimeve me seli në Shkup. A
mund të na tregoni më shumë rreth rolit dhe kontributit tuaj në këtë
institucion?
XHZ:
Në Qendrën Shtetërore të Provimeve, si bashkëpunëtor profesional i jashtëm kam
punuar dhjetë vjet. Ka qenë hartues i testit të provimit të gjuhës shqipe dhe
letërsisë. Në vlerësim kanë marrë pjesë 45 profesorë. Unë kam qenë
kryevlerësues. Çdo test është vlerësuar prej dy vlerësuesve. Kam qenë pjesë e
komisionit prej tre anëtarëve që e ka caktuar pragun e kalueshmërisë së
kandidatëve si dhe pragun e notës maksimale. Anëtarë të tjerë kanë qenë dy
profesorë apo profesoresha maqedonase. Kam qenë anëtar i komisionit të
ankesave. Nxënësi i cili ka qenë i pakënaqur me notën, ka pasur të drejtë të
ankohet. Testi i të ankuarit është marrë në rivlerësim. Kam përkthyer nga
shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas fragmente të caktuara që punoheshin si
nga nxënësit shqiptarë, ashtu edhe nga nxënësit maqedonas.
Kam
kërkuar që testimit të maturës shtetërore t’i nënshtrohen vetëm nxënësit e
gjimnazeve, ndërsa ata të shkollave profesionale të lirohen nga testimi. Matura
shtetërore o duhet të realizohet si duhet, o duhet të hiqet krejt. Në shumë
vende të botës matura shtetërore realizohet vetëm formalisht. S’bëhet dot
matura shtetërore me celularët në xhep. Qeveritë e shteteve të Ballkanit
qëllimisht e lejojnë kopjimin e testeve të maturës shtetërore. Në vendet e
prapambetura të botës ku bëjnë pjesë edhe shtetet ballkanike, matura shtetërore
nuk është veçse formalitet. Nëpër këto vende provimin e maturës shtetërore nuk
japin vetëm 1 për qind e maturantëve. Në afatin e gushtit kalojnë të gjithë. Po
qe se në maturë shtetërore nuk ngelin të paktën 30% e nxënësve, kjo tregon se
ky proces aty është realizuar shkel e shko.
Kam
qenë vlerësues edhe i testit PISA të 15-vjeçarëve shqiptarë.
GM: Si anëtar i jurisë
së Manifestimit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, që mbahet në Tetovë,
si e përjetoni këtë ngjarje të rëndësishme kulturore? Çfarë e bën këtë festival
të veçantë dhe cilat janë përshtypjet tuaja mbi nivelin e poezisë dhe krijuesve
pjesëmarrës?
XHZ:
Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” marrin pjesë poetë nga
shumë vende të botës: nga vende të caktuara të Evropës, nga ShBA-ja, nga
Tajvani, nga Koreja e Jugut, nga vende të Amerikës Latine, nga vende të
Ballkanit, nga vende të Afrikës, hebre nga Izraeli, palestinez nga Bregu
Perëndimor. Vijnë poetë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia etj. Kanë
marrë pjesë edhe poet arbëresh. Juria përbëhet prej tre anëtarëve: Ymer Çiraku,
Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Për të marrë pjesë në këtë festival poezie, bordi
ka caktuar disa kritere. Pra, jo çdokush mund të marrë pjesë. Laureat të çmimit
“Naim Frashëri” kanë qenë shumë poetë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Midis tyre
edhe Ismail Kadareja, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe shumë të
tjerë. Realizimi i manifestimit varet edhe nga mjetet që i akordon Ministria e
Kulturës e Maqedonisë.
GM: Cilët janë disa nga
shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që i konsideroni të rëndësishëm për letërsinë
tonë? Cilat vepra të tyre ju kanë lënë një përshtypje të veçantë?
XHZ:
Shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë janë Buzuku, Bogdani, De Rada, Noli, Fishta,
Lasgushi, Migjeni, Ismail Kadareja, Visar Zhiti, Fatos Kongoli. Më pëlqejnë
poezitë e Nolit, “Lahuta e Malcísë” e
Fishtës, proza dhe poezitë e Migjenit, përmbledhja poetike “Vallja e yjeve” e Lasgushit, romanet e Kadaresë, si: “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Kamarja e turpit”, sprova “Eskili, ky humbës i madh” etj.
GM: Po nga letërsia
botërore, cilët autorë mendoni se kanë pasur ndikimin më të madh dhe cilat
vepra të tyre i konsideroni të paharrueshme?
XHZ Prej poetëve të letërsisë botërore e çmoj
simbolistin francez Sharl Bodëler (Charles Baudelaire, 1821-1867). Prej
shkrimtarëve të letërsisë botërore më së shumti e çmoj Franc Kafkën. I çmoj
shumë edhe Dostojevskin dhe romanin “Krim
dhe ndëshkim”, Xhejms Xhojsin (James Joyce) dhe romanin e tij “Uliksi”, Alber Kamynë dhe romanin “I huaji”, Semjuel Beketin (Samuel Beckett)
dhe antidramat e tij, si “Duke pritur
Godonë”, Ernest Heminguein dhe romanin e tij “Plaku dhe deti”, Gabriel Garsia Markezin, i mbiquajtur Gabo dhe
romanin e tij “Njëqind vjet vetmi”. E
çmoj romanin modern dhe antiromanin. I çmoj shkrimtarët që
shkruajnë për absurdin, filozofët që
janë pesimistë dhe nihilistë, si Artur Shopenhaueri dhe
Fridrih Niçe. S’ka përparim, ka regres, ka ngecje. Është drejtësia e të fortit.
Prijnë mefistofelët dhe luciferët. Kështu do të jetë edhe në mijëvjeçarët e
ardhshëm. Një studiues thotë: “Fjala
Godot e antidramës së Beketit përbëhet nga God – Zot dhe nga prapashtesa frënge
–ot”. Estragoni gjatë gjithë jetës së tij pret Godonë, d.m.th. Zotin. Të
gjithë ne e presim Godonë. Njerëzimi do ta presë Godonë edhe në mijëvjeçarët e
ardhshëm. Askush s’e di në do të vijë dhe kur.
Ç’është
më e afërt? “Vdekja”. Po më e largët?
“Shpirti yt nga imi”. Ç’është e
pamundur? “E pamundur është, jam unë e të
bëhem ti, je ti e të bëhesh unë”.
GM: Cilat janë disa nga
fushat e tjera të artit që ju pëlqejnë, dhe cilët autorë apo artistë nga këto
fusha do të veçoni?
XHZ:
I pëlqej kompozitorët gjerman dhe austriak, e sidomos Rihard Vagnerirn (Richard
Wagner, 1813-1883).
I
çmoj piktorët kubistë, si Pablo Pikaso (Pablo Picasso, 1881-1973), Zhorzh Brak (George Braque,
1882-1963), Huan Gris (Juan Gris, 1887-1927), Fernand Lezher (Fernand Léger,
1881-1955), Robert Delone
(Robert Delaunay, 1885-1941) dhe Sonia Delone
(Sonia Delaunay, 1885-1979), Andre Lot (André Lhote, 1885-1962), Alber Glajzes (Albert Gleizes,
1881-1953) dhe Zhan
Mecinger (Jean Metzinger, 1883-1956) - autorë të traktatit të parë të kubizmit, të vitit 1912 dhe
teoricieni i kubizmit, poeti francez me
prejardhje polake Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880-1918).
I
çmoj edhe piktorët e artit abstrakt, si: Zhan Arp
(1887-1966), Gjakomo Bala (1871-1958), Robert Delone (1871-1956), Lajonel
Fajninger (1871-1956), Hans Hartung (1904-1989), Vasil Kandinski (1866-1944),
Paul Kle (1879-1940), Franc Kupka (1871-1957), Hoan
Miro (1893-1946), Pit Mondrian (1872-1997), Viktor Vazareli (1906-1997), Teo
van Desburg (1883-1931) etj.
GM: Cila është një frazë
që ju udhëheq në jetë dhe si ka ndikuar ajo në vendimet që keni marrë deri
tani?
XHZ:
Njeriu duhet ta njohë veten, të jetë racional, i arsyeshëm, të mos hiqet ai që
s’është e që s’ mund të bëhet, të jetë ai që është, të mos i japë kosës hapur,
t’i shtrijë këmbët sa e ka jorganin, të punojë me nder, të punojë vazhdimisht,
të arrijë me punë dhe me djersë, të jetë solidarë, të jetë human, të flakë nga
vetja anët e liga që i ka çdo njeri, të jetë realist, të mos fluturojë, të ecë
për toke, të mos jetë materialist, të mos jetojë me paragjykime, ta ruajë
identitetin kombëtar, të dijë se liria e tij përfundon aty ku fillon liria e
tjetrit, të mos shitet për para, të mos blihet me para, të mos bëhet
oportunist, konformist, poltron dhe mercenar, të mos jetë pre e interesit meskin,
të mos ia shet shpirtin djallit, të dijë se krijimi i familjes është gjë e
shenjtë, të mos jetë ksenofob, të mos jetë mizogam, të ketë mendim dhe qëndrim
kritik për dukuritë në shoqëri, interesin kombëtar të mos e zëvendësoj me
asgjë, ta dijë se shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, për
arsye se ndaj tyre nuk është bërë asnjëfarë padrejtësie e posaçme, por drejtësi
e përgjithshme, padrejtësi historike. Për paradoks, ai duhet ta dijë se asgjë
nuk është më e bukur se ajo që nuk ekziston. “A je skllav, ti nuk mund të jesh mik, a je tiran ti nuk mund të kesh
miq” – Fridrih Niçe. Niçe ka edhe koncepte johumane, si: “E mira më e madhe është pjesë e së keqes më
të madhe” ose: “Në e sheh njeriun
duke u mbytur, mos ia shtrij dorën për ta shpëtuar. Bjeri edhe një shkelm që të
përfundojë sa më parë”.
GM: Si ka qenë historia e njohjes tuaj me bashkëshorten dhe çfarë rëndësie
ka marrëdhënia me anëtarët e familjes suaj të ngushtë për ju? Si e përshkruani
dinamikën familjare në jetën tuaj të përditshme?
XHZ: Me familjen e simes grua, mbi bazën e një miqësie, jemi njohur edhe më
parë. Me të kryer shërbimin ushtarak në vitin 1982, duhej të martohesha. Punoja
në Beograd, në qeveri. Një fund jave erdha në Tetovë. Ime motër më tha: “Nuk është keq të kontaktosh me Fatmiren.
Pas nja dy ditëve i shkova asaj në shtëpi që lidhur me qëllimin tim ta njoftoja
babanë e saj. Ai nuk qëlloi në shtëpi. Kishte vajtur te daja e Fatmires. U nisa
atje. Rrugës takova një shok timin. I tregova për punën që kisha ndërmarrë. Mos
pengoj? Jo, ia ktheva. Me të mbërritur, trokita në derën e dajës së Fatmires.
Doli dajesha e saj. Iu luta që t’i tregonte babait të Fatmires se e kërkoja. Ai
doli. I thashë në ishte e mundur të uleshim diku. Vajtëm në një restorant. Me
mua ishte edhe shoku që e takova rrugës. Sapo u ulëm, babait të Fatmires i
thash: “Mësuesi Nexhmedin, e kërkoj
vajzën Tuaj për grua”. Nuk pashë se u shqetësua. Këta të burgut nuk
trazohen lehtë. Ai më tha: “Sonte do të
bisedoj me vajzën dhe nesër do të të përgjigjem. Do të takohemi pasdite në ...”.
Ndenjëm edhe ca dhe u çuam. Të nesërmen u takuam. Mësuesi më tha: “Vajza nguroi të më përgjigjej. Më së miri
do të ishte që për këtë çështje të bisedoni vetë me njëri-tjetrin”. Në
mbrëmje i shkova Fatmires në shtëpi. E ëma më tha se ajo në çdo çast pritet të
kthehet prej Shkupi, ku studionte. U largova. Pas nja dyqind metrave e takova
në rrugën për në shtëpi. E pyeta në kishte kohë dhe dëshirë të bisedonim.
Shkuam deri tek ajo. I tregoi së ëmës se do të dilte me mua. Me taksi shkuam në
të njëjtin restorant ku isha ulur një natë më parë me të atin. Pas një ore
arritëm pajtim që prej atij çasti të quhemi si të fejuar. E përcolla në shtëpi.
Edhe unë vajta në shtëpinë time. Shtëpitë tona janë rreth pesëqind metra larg
njëra-tjetrës. Me të mbërritur në shtëpi i tregova simes ma se isha takuar me
Fatmiren dhe për epilogun e takimit. Nëna u step në vend. Nuk komentoi gjë.
Kunata ime ia tërhoqi vërejtjen duke i thënë: “Përse heziton nënë, uroja!”. Pas një kohe u martuam. Me kalimin e
kohës, ajo erdhi në Beograd. Atje na kanë lindur të katër fëmijët, tri vajza
dhe një djalë. Në vitin 1993 Jugosllavia tashmë ishte shpërbërë. Kisha mundësi
ta vazhdoj punën si përkthyes në qeverinë, tanimë serbe dhe jo jugosllave. Këtë
ofertë nuk e pranova. Fëmija im i parë tashmë kishte mbushur gjashtë vjeç. E
ndërrova banesën me Shkupin dhe u ktheva në Tetovë. Në vitin 1996 u punësova në
Gjimnazin e Tetovës. Një kohë të caktuar kam punuar edhe në Universitetin e
Tetovës, në kohën kur ende nuk ishte zyrtarizuar. Fëmijë të mi janë: Ilirja,
Ani, Linda dhe Bardhi. Tri vajzat janë të martuara, kurse djali është i fejuar.
Ilirja ka studiuar mjekësinë në Shkup, Ani drejtësinë në Universitetin e
Tetovës, Linda – administratën publike dhe shkencat politike në Universitetin e
Evropës Juglindore, kurse Bardhi – drejtësinë në Universitetin e Tetovë.
Fatmiraja ka lindur në vitin 1962. Është tetë vjet më e re se unë. Ka punuar në
çerdhen e fëmijëve. Para nja-dy vjetëve u sëmurë dhe u lirua nga detyrimi për
të punuar. Im bir Bardhi ka punuar në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës në Shkup.
Prej aty e përcollën si përkthye në Ministrinë e Punëve të Jashtme të RMV-së. E
la punën në ministri dhe nëpërmjet Kompanisë “Ekolog” vajti me punë në
Gjermani. Që andej, në Afrikën Qendrore. Më pas, ishujt Fokland në polin e
jugut në Antartik për ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar. Paraprakisht ka pas
punuar edhe në Basra dhe në Bagdad të Irakut. Momentalisht ndodhet në shtëpi.
Nuk u pajtua të kthehej në ishullin e pinguinëve. Atje kishte takuar një
shqiptar prej Shqipërie, të martuar me një filipinase.
Babai
i Fatmires, Nexhmedini, ka qenë prej fshatit Shipkovicë të Sharrit. Ka qenë
mësues në fshatin e lindjes por edhe në ndonjë fshat tjetër të malësisë. Ka
qenë edhe drejtor shkolle. Në vitin 1968 e varr flamurin në ndërtesën
shkollore. E refuzon urdhrin e agjentëve të UDB-së për ta hequr atë. Dënohet me
18 muaj burg, me grupin prej 15 vetëve. Dënimin e vuan në burgun e Idrizovës
afër Shkupit. Pasi lirohet nga burgu, përndiqet. Pas një kohe punësohet në një
shkollë në Kosovë. Pas demonstratave të vitit 1981 e largojnë nga shkolla si
armik i Jugosllavisë, nacionalist, irredentist, separatist. Pas shpërbërjes së
Jugosllavisë, e merr dosjen e vet në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë.
Dosja ka 52 faqe. Aty shihen personat që e kishin ndjekur. S’e kishin lënë të
punojë as në punë private. Në vitin 1981, si armik i shtetit, nacionalist,
irredentist dhe separatist, u dënua me 13 vjet e gjashtë muaj burg edhe vëllai
i tij Rahim Neziri, d.m.th. xhaxhai i gruas sime, Fatmires. Me prishjen e
Jugosllavisë, u lirua. Tanimë i kishte vuajtur dhjetë vjet burg. Mësuesi Nexhë
dhe i vëllai, Rahimi, tanimë janë të ndjerë.
GM: Çfarë ju pëlqen të
bëni gjatë kohës suaj të lirë? A ka aktivitete që ju relaksojnë ose ju
ndihmojnë të shkëputeni nga rutina e zakonshme?
XHZ:
Në kohën e lirë i përcjelli lajmet televizive. Në radhë të parë zhvillimet në
Shqipëri. I përcjell edhe emisionet informative në gjuhë të huaja.
GM: Si e vlerësoni
rëndësinë e arsimit për një të ri në periudhën e sotme? Cilat janë disa
këshilla që do t’i jepnit për ta ndihmuar të kuptojë më mirë lidhjen mes
shkollimit dhe mundësive të ardhshme profesionale, si dhe ndikimin që ka
edukimi në zhvillimin e tij personal dhe social?
XHZ:
U kam bërë me dije nxënësve se asgjë nuk ekziston jashtë leximit, jashtë
mësimit dhe jashtë studimit. Njëherë duhet të mbathesh teorikisht, pastaj të
piqesh praktikisht. Përparimi buron nga dituria, nga dija. Dituria dhe dija
burojnë nga shkolla, nga leximi, nga studimi, nga hulumtimi, nga kërkimi, nga
gjurmimi. Përparimi bazohet në dituri e dije dhe jo në zanat. Asgjë s’ekziston
jashtë teorisë. Teoria mësohet në shkollë, në libër. Çdo gjë tjetër jashtë
kësaj s’është veçse diletantizëm. Duhet t’i ruhemi injorancës dhe analfabetëve
të diplomuar. Duhet ta mbrojmë shkollën dhe arsimin nga degradimi. Në matjen
ndërkombëtare të njohurive të nxënësve tanë të moshës 15-vjeçare renditemi ndër
të fundit në Evropë. Nuk marrim pjesë pothuajse në asnjë garë ndërkombëtare në
matematikë, në fizikë, në kimi, në informatikë. Të rrallë janë njerëzit e
diplomuar që e shkruajnë shqipen pa gabime. Një popull e fiton lirinë kur arrin
ta shkruajë drejt gjuhën amtare.
I
sugjeroja nxënësit ta duan kombin, mbi të gjitha kombin. E hamë bukën e
shqiptarit, ndaj duhet t’i shërbejmë shqiptarisë. Shqipërinë dhe Kosovën ta
kenë në zemër. Të krenohen me prejardhjen ilire, ta duan gjuhën amtare,
historinë e dhimbshme dhe të lavdishme, ta kenë në zemër Gjergjin, Nënë
Terezën, Kadarenë. Të jenë demokratë, të jenë tolerantë dhe solidarë. Të jenë
modestë, modestia është madhështi, ta flakin mendjemadhësinë, arrogancën dhe
megalomaninë. Feja e shqiptarit është gjuha shqipe. Të jenë properëndimorë. Pa
Amerikën s’ka shqiptari, pavarësisht nga fakti se kush vjen në krye të Shtëpisë
së Bardhë. Për shqiptarët Amerika ka të drejtë edhe atëherë kur s’ka. Ua bëja
me dije se trojet tona i kanë pushtuar serbët, grekët, malazeztë dhe
sllavo-maqedonasit. Në Londër kundër nesh qenë Rusia, Franca dhe Britania e Madhe.
U kam thënë se Rusia dyqind vjet punon dhe vepron kundër nesh. I kam udhëzuar
që ta duan dashurinë dhe lirinë. U kam thënë se e shenjtë është familja. Asgjë
s’ekziston jashtë familjes dhe përtej saj. Ditën e Flamurit e festonim duke e
kënduar himnin kombëtar në pesë klasa nga pesë herë. Ndonëse ligji nuk e
lejonte, ushtonte gjimnazi. Askush s’guxonte ta çelte gojën. Kishte nxënës të
cilët qenë mbështjellë me flamurë. Kjo nuk paraqet kurrfarë shpëlarjeje të
trurit. Kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e çdo shqiptari. U sugjeroja
të mos e lënë vendin, të mos ikin për në Gjermani. Çdo brez i nxënësve më ka
thirrur dhe më ka quajtur “Xheki Baba”. Nuk i lejoja por s’merrnin vesh. Ka
ndodhur që njëherë të kem në klasën time dyzet nxënës. Kur bëja mbledhje prindërore,
vinin 38 prindër. Për t’u arsyetuar, dy të tjerë lajmëroheshin me telefon. U
sugjeroja t’i kushtojnë rëndësi mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë,
matematikës, shkencave të natyrës (fizikës e kimisë), informatikës,
arkitekturës. Ai që s’e flet apo që s’e shkruan drejt gjuhën amtare, s’mund të
bëhet as inxhinier i mirë.
Një
pjesë të madhe të kohës të rinjtë e humbin duke komunikuar me njëri-tjetrin
pafundësisht me mjete dhe teknologji digjitale. Kjo është e panevojshme, madje
edhe e dëmshme.
Thelbi
i të qenit është të jesh racional, të gjykosh me mendje, me arsye. Asgjë nuk
ekziston jashtë racios, jashtë
mendjes, jashtë arsyes.
Nxënësit tanë e kanë vizituar Shqipërinë nga veriu deri në jug. Ata janë të entuziazmuar me zhvillimin e saj. U kam sugjeruar që kurrë të mos heqin dorë nga ideja e bashkimit kombëtar. Një prej mënyrave të bashkimit të shqiptarëve është edhe integrimi i rajonit në BE.
U kam sqaruar nxënësve se pavarësisht nga fakti se kush vjen në krye të qendrave vendimmarrëse, s’ka fuqi në rruzullin tokësor dhe kurrë s’ka për të pasur, që mund të mohojë dhe të shkelë racionalizmin kartezian dhe parimet volteriane, dialektikën hegeliane dhe etikën e kantiane, vrullin faustian dhe mbinjeriun niçean.