Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Xhelal Zejneli - Kombi

| E shtune, 15.03.2025, 06:00 PM |


INTERVISTË ME PROFESORIN DHE PUBLICISTIN XHELAL ZEJNELI (III)

KOMBI

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e tretë dhe të fundit të intervistës me Prof. Xhelal Zejnelin, ne thellohemi në analizën e së kaluarës, sfidave të së tashmes dhe perspektivave për të ardhmen e kombit tonë. Profesori ndan me ne pikëpamjet e tij mbi momentet kyçe historike që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar, shqyrton realitetin aktual politik dhe kulturor, si dhe ofron një vizion për të ardhmen e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.

GM: Si e përkufizoni kombin shqiptar dhe çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e tij? A ka ndonjë traditë të veçantë shqiptare që e konsideroni thelbësore për identitetin kombëtar?

XHZ: Shqiptarët janë bij të ilirëve. Shqipja është bijë e ilirishtes. Shqiptarët janë rrënjës apo autoktonë në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, rrënjës në mbarë Gadishullin Ilirik  Janë racë ariane, i karakterizon pastërtia e racës. Janë popull vital, posedojnë virtyte të larta, bujarë dhe fisnikë, janë popull historik dhe popull politik. Gjatë historisë janë shquar për trimëri, besë dhe mikpritje. Çdo shqiptar krenohet me të qenët pjesë e këtij kombi. Miliona të huaj vijnë në Shqipëri nga të katër anët e botës. Ata thonë: “Natyrë e bukur, monumente magjepsëse që vijnë nga lashtësia, vlera historike që vijnë nga mesjeta deri në ditët tona, popull bujar dhe fisnik me virtyte njerëzore të larta”.

Shqiptarët rrethohen nga Serbia, Greqia, Mali i Zi si dhe nga sllavo-maqedonasit. Të gjithë këta të mbrojtur dhe të mbështetur nga Rusia e madhe. Ky është një rrethim tragjik.

Thelbësore për identitetin kombëtar është ruajtja, pasurimi dhe mbrojtja e gjuhës shqipe. Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi studimit të vlerave kombëtare, si: historisë kombëtare, gjeografisë kombëtare, letërsisë kombëtare, letërsisë popullore, përkatësisht folklorit shqiptar, artit popullor, artit kombëtar, muzikës popullore. Nuk mbrohet identiteti me arsimim jocilësor. Në shumë lëndë, Shqipëria dhe Kosova duhet t’i harmonizojnë plan-programet mësimore. Nxënësit dhe studentët shqiptarë të Shqipërisë çdo vit duhet ta vizitojnë çdo qytet të Kosovës dhe vice versa. Këta të Kosovës rregullisht duhet ta vizitojnë Shqipërinë, nga veriu në jug. Për Shqipërinë dhe për Kosovën nxënësit duhet të mësojnë në shkolla nga tekstet shkollore. Në epokën e komunikimit satelitor, identiteti i popujve vihet  në rrezik. Sidomos i popujve të vegjël. Të rinjtë shqiptarë duhet të krijojnë familje, të kujdesen për të dhe ta mbrojnë atë. Numri i madh i shkurorëzimeve është i pajustifikueshëm. Shqiptarëve, si shumë popujve të tjerë, u kanoset edhe rreziku nga shpopullimi i trojeve etnike. Kurrë nuk duhet thënë se ata që kanë ikur s’do të kthehen më. Shpërngulja lë pasoja të rënda: Dobësohet forca prodhuese e popullit, forca riprodhuese, ekonomike, mbrojtëse. Shpërngulja shkakton mungesë të fuqisë punëtore. Si rrjedhojë, nëpër ndërmarrjet dhe fermat e shqiptarëve do të punojnë njerëz prej vendeve aziatike. Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë kushte që mërgimtarët të investojnë në atdhe. Shpërngulja shkakton edhe çekuilibrim gjinor.

Petro Nini Luarasi

GM: Cili është mendimi juaj mbi rolin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar, si dhe ndikimin e tyre në formësimin e vetëdijes historike dhe kulturore të shqiptarëve?

XHZ: Jemi në kohën e komunikimit digjital. Pavarësisht nga teknika dhe teknologjia kompjuterike, vlerat kombëtare tradicionale si gjuha shqipe dhe letërsia shqiptare, vazhdojnë të luajnë një rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për forcimin e tij.  Rol luajnë edhe folklori shqiptar, historia kombëtare, gjeografia kombëtare, arti figurativ dhe  arti muzikor. Kudo që janë, shqiptarët duhet ta respektojnë normën letrare. Norma letrare është përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë më 20-25 nëntor1972. Kongresi i përcaktoi parimet dhe drejtimet kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare kombëtare të njësuar. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese dhe leksikore. Në botën shqiptare duhet të ketë ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Vitet e fundit kanë vërshuar një mori fjalësh të huaja. Për shumë fjalë të huaja i kemi fjalët tona. Shumë fjalë të huaja mund të zëvendësohen me fjalët tona. Norma letrare duhet të respektohet, si në të shkruar, ashtu edhe në të folur. Gjuha letrare duhet të përdoret në familje, në shkollë, në universitete, në administratë, në mediumet e shkruara apo në ato elektronike, në studiot televizive. Kudo pra. Gjuha shqipe është një. S’ka dy gjuhë shqipe. S’ka gjuhë kosovare. Të flasësh për gjuhë kosovare është tradhti kombëtare, tradhti e lartë. Është mendim dhe qëndrim antikombëtar, antishqiptar. Kjo do të thotë prej një gjuhe të krijosh dy gjuhë, prej një populli të krijosh dy popuj, prej një kombi të krijosh dy kombe. Dy shtete shqiptare nuk do të thonë dy kombe shqiptare. Teorinë e gjuhës kosovare e mbështesin armiqtë e shqiptarëve. Veprat letrare artistike duhet të botohen vetëm në gjuhën letrare, në shqipen e njësuar, duke respektuar normën letrare të vitit 1972. S’ruhet as forcohet identiteti kombëtar me gabimet gjuhësore në mediume, në studiot televizive, nëpër tekste shkollore, në ato universitare. Bota shqiptare duhet ta harmonizojë edhe terminologjinë e lëmenjve të ndryshëm. Nëpër shkolla gjuha shqipe dhe letërsia duhet të ligjërohen si dy lëndë. Gjuha dhe letërsia duhet të mësohen dhe të ligjërohen nga katër orë në javë. Të ligjërohen prej dy mësuesve, arsimtarëve apo profesorëve të shkollave të mesme. Ka shqiptar, anëtar  Akademie, i cili nuk di ta shkruajë drejt gjuhën amtare. Në një studio televizive, një zëvendësministër kishte thënë: “Është për t’u habitur se si shumë nxënës dhe studentë nuk e dinë se ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut e ka shkruar Marin Barleti.

Meshari i Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555, ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Tani e tutje do ta kemi edhe Fjalorin e ri të gjuhës shqipe me rreth 110 mijë fjalë dhe mbi 11 mijë shprehje frazeologjike. Ky fjalor vjen pas atij viti 1980 dhe do të shërbejë për pasurimin e shqipes. Në fjalorin e ri kanë punuar specialistë të të gjitha trojeve shqiptare. Fjalorin e ri duhet ta ketë çdo familje, çdo shkollë, çdo institucion, zyrat e administratës. Jo vetëm ta kenë, por edhe ta lexojnë.

Identiteti ruhet dhe forcohet edhe nëpërmjet veprave letrare të periudhave të ndryshme, që nga Barleti dhe Buzuku e këndej. Krijimet letrare shqipe shquhen për nivelin e lartë artistik të tyre, por shumë krijues shqiptarë kishin një mision: Ta bënin Shqipërinë.

Rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e identitetit luan zhvillimi ekonomik i botës shqiptare, zhvillimi i industrisë dhe i degëve industriale, sjellja e investimeve të huaja, rritja e prodhimit dhe e eksportit, zhvillimi i turizmit, krijimi i tregut të përbashkët të botës shqiptare, zhvillimi i turizmit detar, lumor, malor dhe rural, zhvillimi i turizmit dimëror, ndërtimi i sistemit bankar dhe financiar. Identiteti nuk ruhet në varfëri dhe në papunësi. Varfëria dhe ngecja ekonomike e dobësojnë dhe e rrezikojnë identitetin. Me paga minimale s’ka s’i ruhet identiteti. Njëri i ka të gjitha, tjetri asgjë. Njëri jeton në luks, tjetri mezi e siguron bukën. Çfarë identiteti pret nga personi që mbledh kanaqe nëpër koshat e hedhurinave. Një popull i varfër i një shteti të pazhvilluar i merr rrugët pa kthim të mërgimit. Atje ku shkon, e harron gjuhën, i harron traditat, doket, zakonet. Fëmijët e tij atje shkollohen në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën amtare. Fëmijët, nipat dhe mbesat e mërgimtarëve vështirë i shmangen asimilimit. Krijojnë familje edhe me të huaj. Kjo është e dhimbshme, por reale. Më tepër se gjysma e botës shqiptare janë shpërngulur. Shpërngulja determinohet nga shumë faktorë. Fajtorë të shpopullimit të trojeve shqiptare janë edhe udhëheqësit politikë, politikanët, qeveritarët, pushtetarët, si të nivelit qendror, ashtu edhe atij  vendor. Para kësaj drame tragjike heshtin Akademia e Shkencave, universiteti, inteligjencia, shkrimtarët, sociologët. Dikush i kishte thënë një poeti: “Zotëri, unë s’e kam paguar rrymën, e ti më flet për poezi”.

GM: Çfarë ndikimi pati Kongresi i Manastirit në unifikimin gjuhësor të shqiptarëve?

XHZ: Kongresi i Manastirit është kongres kombëtar. Ndryshe quhet edhe Kongresi i Alfabetit. U mbajt në Manastir prej datës 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Elita e kombit u mblodh për të shqyrtuar çështje të caktuara të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Në radhë të parë duhej zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Njësimi i tij ishte bërë problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor. Ishte një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. Nismëtar i thirrjes së një kongresi kombëtar ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare si dhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme. Midis tyre kishte shkrimtarë, publicistë, lëvrues të gjuhës, mësues të shqipes, veprimtarë të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare.   Komisioni 11-anëtarësh që zgjodhi Kongresi përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Kryetar Komisioni ishte Gjergj Fishta (1871-1940). Anëtarë të Komisionit ishin Luigj Gurakuqi (1879-1925), Sotir Peci (1873-1932), Mid’hat Frashëri (1880-1949), Shahin Kolonja (1865-1919), Dh. Buda, Ndre Mjeda (1866-1937), Gjergj Qiriazi (1868-1912), Bajo Topulli (1868-1930), Nyzhet Vrioni (1877-1920) dhe mësuesi i shkollës së vajzave në Korçë Grigor M. Cilka (1875-1919). Kongresi u mbajt nën kryesinë e Mid’hat Frashërit. Nënkryetar ishte Gjerasim Qiriazi (1858-1894), ndërsa sekretar - Luigj Gurakuqi (1879-1925). Kongresi i Manastirit ndërlidhet ngushtësisht me lëvizjen kombëtare shqiptare për çlirim nga Turqia. U organizua nga Shoqëria “Bashkimi” dhe u afirmua nga Mid’hat Frashëri në revistën e tij “Liria”. Morën pjesë delegatë nga mbarë Shqipëria dhe nga kolonitë shqiptare jashtë. U arrit mendimi i përbashkët që alfabeti t’i shërbente forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe Gjergj Fishta. U morën në shqyrtim 3 alfabetet kryesore: Alfabeti i Shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, alfabeti i Shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i hartuar nga Preng Doçi (1846-1917) dhe alfabeti i Shoqërisë së Stambollit i hartuar nga Sami Frashëri (1850-1904). U shqyrtuan edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek i përdorur nga studiuesi dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) si dhe alfabeti arab që e përdornin klerikë myslimanë në Maqedoni dhe në Kosovë. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabetit të “Bashkimit” dhe të alfabetit të Stambollit. Të dy mund të përdoreshin në shkolla dhe në botime. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në 7 shkronja. Me kalimin e kohës, mbizotëroi alfabeti i sotëm i shqipes i tëri i bazuar në shkronja latine. Me zgjidhjen e çështjes së alfabetit u hodhën bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe. Alfabeti i ri kishte nëntë dyshkronjësha dhe dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë).

Vendimet e Kongresit ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim. Ato u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Brenda ca vitesh, alfabeti i krijuar nga Komisioni mori epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap tejet i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare. Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan takime dhe mbledhje të mbyllura me delegatët ku u shtjelluan çështje politike. Synohej afrimi i pikëpamjeve për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikësh, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlamentin osman në emër shqiptarëve.

Përcaktimi i pjesëmarrësve për alfabetin latin ishte dëshmi e orientimit evropian të shqiptarëve. Pjesëmarrësit e Kongresit ishin idealistë. Për Shqipëri, rilindësit shitnin shtëpitë, kurse në botën shqiptare sot, ka politikanë që për interesa vetjake, janë në gjendje të nëpërkëmbin shqiptarinë.

Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Kongresi i Manastirit (1908) ia hapën rrugën shpalljes së pavarësisë më 1912.

GM: Si e shikoni identitetin kombëtar shqiptar në kohën e globalizmit? A mendoni se ai është i fortë dhe i qëndrueshëm, apo po përballet me sfida që mund ta dobësojnë?

XHZ: Do të ishte e dhimbshme sikur të thoshim se globalizmi paraqet rrezik për identitetin e  shqiptarëve. Globalizmi praqet sfidë për shumë popuj të botës, sidomos për popujt e vegjël. Të gjithë i kanë sytë kah Perëndimi, të gjithë duan në Evropën Perëndimore, në ShBA, në Kanada, në Australi. Kina është fuqi e dytë ekonomike në botë. Megjithëkëtë, ka shumë kinezë që  shpërngulen. Shpërngulja është shndërruar në tendencë apo në trend. U ngjiten shkallëve të aeroplanit edhe persona që s’kanë nevojë për shpërngulje! Kroacia po zbrazet, ndonëse është fuqi kontinentale e turizmit. Shpërngulja shkakton mungesë të fuqisë punëtore. Kjo mungesë synohet të kompensohet me imigrantë prej vendeve aziatike. Ardhja në masë e tyre, në një vend të vogël, mund të shkaktojë çrregullime dhe çekuilibrime formash të ndryshme. Do të ndërthureshin dhe do të gërshetoheshin kultura, tradita, religjione, zakone, doke, vese, psikologji, mendësi të ndryshme.

Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX, bota shqiptare ballafaqohet me shpërnguljen e popullsisë. Trojet shqiptare po zbrazen. Askush nuk çanë kokën, as Akademia e Shkencave, as Universiteti, as intelektualët, as shkrimtarët, as sociologët. Askush. Nuk dëgjohet zëri i protestës. Institucionet arsimore dhe shkencore duhet të alarmojnë për pasojat e kësaj dukurie të frikshme. Shkaktarë të shpopullimit të trojeve shqiptare janë politikanët, qeveritarët dhe pushtetarët e korruptuar. Në botën shqiptare vërshon nepotizmi. E ashtuquajtura elitë e shoqërisë i ka rrëmbyer të gjitha institucionet e shtetit dhe të shoqërisë. Politikën, arsimin universitar, qeverinë, kuvendin, veprimtaritë ekonomike fitimprurëse, diplomacinë. Pastaj,  sikur ta kishin mall babe, ua lënë trashëgim djemve, vajzave, rejave, dhëndurëve, nipave, mbesave, hallave, tezeve, fisit, klanit. Preokupimin me tema kombëtare e marrin për prapambeturi. Në rate të caktuara ky soj njerëzish hiqen edhe atdhetarë, shqiptarë të mëdhenj, qeveritarë me vizion, burra shteti, shtetarë, pushtetarë dhe politikanë, që ç’ke me të! Atdhetarin e vërtetë e konsiderojnë të prapambetur. Për të thonë se e ka shkelur koha.

Një ditë mund të mbetemi pa popull. Kur një vend mbetet pa rini, në fakt mbetet edhe pa popull. Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë, kurrë nuk kthehen më. Ka të tillë që kërkojnë edhe azil apo strehim. Ka që kërkojnë shtetësinë e vendit ku kanë vajtur. Po t’i çelë kufijtë Evropa Perëndimore, të gjithë do të iknin.

Sidoqoftë, shqiptarët janë popull vital. Ia kanë dalë të mbijetojnë mbi gur e shkëmb. Në kërkim të lirisë, tehut të shpatës kanë ecur prore. Përballë rrebesheve, si një mal i vetmuar, të patundur kanë qëndruar. Flamuri i Gjergjit mbi kullat arbërore do të valojë me krenari, ndërsa foshnjat do të përkunden në djep me ninullat shqipe, si në kohën ilire.

Noli dhe Konica

GM: Si e vlerësoni rolin e diasporës shqiptare në forcimin e çështjes kombëtare, si nga këndvështrimi historik ashtu edhe në kontekstin aktual? Cilat mendoni se kanë qenë kontributet më të rëndësishme? Cili është këndvështrimi juaj i përgjithshëm mbi emigracionin shqiptar, i cili, krahasuar me popullsinë, është ndër më të lartët në botë?

XHZ Në kohën e sundimit osman, shumë shqiptarë, në kërkim të punës dhe të dijes janë vendosur në kolonitë shqiptare në: Stamboll, në Bukuresht, në Egjipt, sidomos në Kajro, në Aleksandri etj., në Sofje, në Selanik, në Athinë. Në kapërcyell të shekullit XIX, edhe në Amerikë. Në këtë kohë, Konicën dhe “Albania-n” e tij i gjejmë në Evropë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Shoqëria atdhetare e emigrantëve shqiptarë në ShBA, Federata “Vatra”, e themeluar në Boston më 1912 është një nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet dhe më nga jetëgjatët në diasporën shqiptare. Organ i saj ishte dhe vazhdon të jetë gazeta “Dielli”. Pranë “Vatrës” kanë qenë figura të njohura të kombit, si Fan Noli ( 1882-1965) dhe Faik Konica.(1875-1942). “Vatra” dhe “Dielli” u bënë shprehës të aspiratave kombëtare dhe demokratike të emigrantëve dhe të gjithë popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare. “Vatra” e mbështeti luftën e popullit shqiptar për liri dhe për shpalljen e pavarësisë më 1912. Protestoi kundër copëtimit të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), zhvilloi veprimtari diplomatike të dobishme në momentet me rëndësi historike për Shqipërinë. Veprimtaria e “Vatrës” arriti kulmin në vitet e Luftës I Botërore dhe gjatë periudhës së zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris kur ajo veproi në mënyrë energjike për rinjohjen e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të tij. Ajo e dënoi dhunën dhe gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare në ish-Federatën Jugosllave. Shqiptarët në ShBA e mbështetën luftën çlirimtare në Kosovë në vitet 1998-1999 dhe shpalljen e pavarësisë së saj. E kanë mbështetur po ashtu edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën lindor (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), zgjidhjen e çështjes çame. E kanë mbështetur edhe themelimin e Universitetit të Tetovës. Diaspora shqiptare në ShBA i mbështeti edhe ndryshimet në Shqipëri, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Edhe diaspora shqiptare në Evropë – në Gjermani, Zvicër, Danimarkë dhe në vende të tjera skandinave ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga pushtuesit dhe kolonialistët serbomëdhenj. I kanë mbështetur shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) për zgjidhjen e kauzës kombëtare të tyre. Një prej veprimtarëve të shquar të diasporës në Evropë ka qenë edhe poeti dhe atdhetari i madh Jusuf Gërvalla (1948-1982). Në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, prej vendeve skandinave kanë ardhur për të votuar në Maqedoni. Kanë bërë mijëra kilometra rrugë. Janë përpjekur për ta sensibilizuar kauzën shqiptare nëpër kancelaritë e Evropës. Themelimin e Universitetit të Tetovës e kanë mbështetur në të gjitha mënyrat, përfshi edhe financiarisht. E kanë mbështetur po ashtu edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të 2001-shit në Maqedoni.

Shqiptarët në Amerikë edhe sot punojnë për ta siguruar mbështetjen e Uashingtonit për Kosovën.

Emigracioni shqiptar sot duhet të kujdeset për ta ruajtur identitetin kombëtar. Aty ku jetojnë dhe punojnë duhet të kërkojnë shkolla në gjuhën shqipe. S’ka ruajtje të identitetit pa shkollim në gjuhën amtare. Shprehja “të integroheni në shoqëri” ngërthen në vete punësimin, shkollimin por edhe asimilimin e imigrantëve. Shqiptarët që jetojnë dhe që punojnë jashtë duhet të shkollohen dhe të marrin arsimim universitar. Është mirë që të punojnë në vende udhëheqëse, në vende ku kërkohen kualifikime dhe certifikime profesionale. Mjaft kanë punuar shqiptarët nëpër skele ndërtimi. Shqiptarët duhet të mendojnë të kthehen në atdhe dhe të investojnë në trojet arbërore. Kjo duket utopi, ëndërr e parealizueshme. Pushtetarët shqiptarë duhet t’u krijojnë atyre favore dhe kushte të volitshme për ta zgjuar interesimin e tyre që të investojnë në mëmëdhe.

Diaspora shqiptare duhet ta dijë se politika kombëtare shqiptare nuk bëhet në Gjermani, në Zvicër, në Greqi, në Itali, në Danimarkë apo në ShBA. Politika shqiptare bëhet në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoninë e Veriut, në Mal t Zi, ndër çamë.

GM: Çfarë mund të na thoni mbi përpjekjet dhe sakrificat e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, nga periudha e Shpalljes së Pavarësisë deri në ditët e sotme?

XHZ: Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) trojet shqiptare u prenë me gërshërë dhe u ndanë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Shqiptarët në këto vende kanë bërë përpjekje titanike për ta ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar. Për këtë kanë paguar çmim të lartë. Për të drejta dhe liri, disa e kanë dhënë jetën. Të tjerë kanë vuajtur vite burgu. Një popull që ka familje tradicionale, rrebesheve të kohës u bën ballë më lehtë.

Rugova dhe Demaçi

GM: Një nga luftërat më të lavdishme të kohëve moderne ishte ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luftoi kundër pushtimit serb për çlirimin e Kosovës. Nga kjo luftë dolën mijëra heronj që iu bashkuan qindra mijëra heronjve tanë përgjatë shekujve. Si e vlerësoni luftën çlirimtare të UÇK-së dhe a mendoni se ne, si popull, jemi në lartësinë e duhur të mirënjohjes ndaj tyre?

XHZ: Historia e Kosovës është histori e qëndresës për jetë a vdekje. Qëndresë ndaj pushtuesve, çetnikëve dhe kolonialistëve serbomëdhenj. Epopesë heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u prijnë luftëra të përgjakshme dhe sakrifica sublime. Për liri dhe bashkim kombëtar u flijua simboli i qëndresës së Kosovës Adem Demaçi (1936-2018). Për Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur punoi dhe veproi me përkushtim Ibrahim Rugova (1945-2010). Ia doli të siguronte mbështetjen e ShBA-së dhe të Evropës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për rolin e tij në historinë e Kosovës, është quajtur "Ati i Kombit", "Gandi i Ballkanit". Pas vdekjes, u shpall Hero i Kosovës. Për ta arritur dhe për ta përshpejtuar procesin e lirisë, në një moment të caktuar të historisë, shpërtheu lufta çlirimtare. Në krye të saj u vu Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për ta çliruar Kosovën prej pushtuesve serbë, UÇK-ja bëri një luftë epike, tregoi një heroizëm të paparë në Evropën e pas Luftës II Botërore. Trimëritë e kësaj ushtrie mund të krahasohen me trimëritë e ushtarëve të Gjergj Kastriotit (1405-1468) gjatë luftërave antiosmane.

Qëndresa dhe lufta çlirimtare e komandantit legjendar Adem Jasharit paraqet fillimin e fundit të politikës pushtuese, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste të serbomëdhenjve në Kosovë, në Dardaninë ilire. Çdo ditë, shqiptarë nga të gjitha anët e rajonit dhe nga diaspora, e vizitojnë vendlindjen e lirisë, kompleksin e Jasharajve në Prekaz. Mbi varret e të pavdekshmëve vënë lule të freskëta.

Ne si popull, UÇK-së nuk i kemi dalë hakut. Shteti i Kosovës duhet t’u sigurojë të ardhura të mjaftueshme familjeve të dëshmorëve, duhet të kujdeset mirëfilli për invalidët e luftës. Asnjë fëmijë dëshmori apo invalidi të luftës nuk duhet të mbetet pa shkollim, pa punë dhe pa kulm mbi kokë. Nuk është mirë që ushtarët e UÇK-së apo fëmijët e tyre të shpërngulen dhe t’i marrin në sy rrugët pa kthim të mërgimit. A ka mjete financiare? Ka, po qe se nuk ka shpërdorim mjetesh.

GM: Cili është roli dhe vendi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni në kuadër të historisë kombëtare shqiptare?

XHZ: Ndaj shqiptarëve në Maqedoni, sllavo-maqedonasit, me ndihmën e Beogradit, që nga viti 1944 e këndej, vazhdimisht kanë ushtruar dhunë. Në shënjestër të UDB-së (shërbimit sekret jugosllav) kanë qenë kryesisht intelektualët, e në veçanti punëtorët e arsimit. Shqiptarët kurrë nuk i ndalën kërkesat për të drejta, barazi dhe liri. Çdo kërkesë e shqiptarëve cilësohej si nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, secesionizëm. Më 1991 Maqedonia u shkëput nga Jugosllavia. Tani në pluralizëm, faktori politik shqiptar kërkesat i formuloi dhe i paraqiti në rrugën demokratike, politike dhe institucionale. Shqiptarët kërkonin të drejta, barazi, demokraci dhe liri. Ishin kërkesa primordiale. Çdo kërkesë e shqiptarëve, nga pala sllavo-maqedonase pritej në tehun e shpatës. Qëndresa dhe sakrifica e shqiptarëve kurrë nuk u trajtua politikisht prej faktorëve politikë sllavo-maqedonas. Qëndresa dhe sakrifica e shqiptarëve trajtohej kryesisht nga agjentët e UDB-së, nga hetuesit, nga prokurorët, nga gjyqtarët, nga dëshmitarët e rrejshëm, nga porotnikët, nga policët, nga gardianët. Shqiptarët dënoheshin me dënime drakonike. Shqiptarët dëboheshin nga puna si armiq të Jugosllavisë, i nënshtroheshin procesit të diferencimit ideopolitik. Shqiptarëve të cilësuar si nacionalistë u sekuestrohej pasaporta në mënyrë që të mos mund të shkonin në Gjermani apo në Zvicër për të siguruar ekzistencën. Sllavo-maqedonasit ndiqnin ndaj shqiptarëve politikë restriktive, diskriminuese, represive, margjinalizuese. Ndaj shqiptarëve ushtrohej edhe opresion.

Maqedonia ka qenë një krijim kominternist dhe serbokumunist. Për fqinjët në rajon sllavo-maqedonasit konsideroheshin popull me identitet të diskutueshëm. Serbia e mohonte kishën maqedonase, Greqia e mohonte emrin e Maqedonisë, kurse Bullgaria e mohonte gjuhën dhe historinë e tyre. Pushtet ndaj shqiptarëve ushtronte një popull me identitet të diskutueshëm.  Shqiptarët nuk mund të ishin qiraxhinj në tokë të vet. Si pasojë e ideologjisë së Vaso Çubrilloviqit, shumë shqiptarë u shpërngulën për në Anadolli. Megjithëkëtë, një popull autokton siç ishin shqiptarët, nuk dorëzoheshin lehtë. Dhe ja ku janë! Më të fortë se kurrë! Në vitin 2001 shqiptarëve iu imponua lufta. Ajo erdhi si pasojë e refuzimit permanent të kërkesave të faktorit politik shqiptar për avancimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve që përbënin 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Lufta e 2001-shit ishte e brendshme. Ajo nuk erdhi dhe nuk u nxit as nga Kosova, as nga Shqipëria.

Luftën e bëri Ushtria Çlirimtare Kombëtare e udhëhequr nga Ali Ahmeti (1959- ). UÇK-ja e kishte Shtabin ushtarak, sistemin e komandimit, uniformën, emblemën ushtarake, armatimin, objektivin e luftës, platformën ideologjike. Udhëheqësit e luftës kanë pasur kontakt të pandërprerë me faktorët ndërkombëtarë. Në radhët e UÇK-së ishin përfshirë bijtë dhe bijat më të shtrenjtë të popullit shqiptar në Maqedoni. Lufta u mbështet ekonomikisht, materialisht dhe moralisht nga popullata shqiptare në Maqedoni. Lufta u mbështet nga gjithë shqiptaria në rajon dhe në diasporë. UÇK-ja i respektoi me përpikëri të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Si rezultat i luftës së 2001-shit erdhi Marrëveshja e Ohrit që ishte një kompromis midis palëve ndërluftuese. Sipas kësaj marrëveshjeje shqiptarët u bënë faktorë politikë dhe juridikë sidomos aty ku ishin mbi 20 për qind. UÇK-ja ka zënë vend në historinë e kombit shqiptar.

GM: Nga pushtimi në pushtim, ikën osmanët dhe erdhën serbët! Si e vlerësoni rrugëtimin historik të Kosovës deri te Shpallja e Pavarësisë dhe krijimi i Republikës së Kosovës?

XHZ: Më 10 qershor 1878 u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik  Lidhja u themelua në Prizren në kushte të sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore: të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar; të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin e Berlinit (1878) në favor të monarkive fqinje; dhe të realizonte bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare në Ballkan në një formacion shtetëror autonom, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Iljaz pashë Qoku i njohur në histori si Iljaz pashë Dibra (1812-?) ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm. Kryetar i Komitetit Kombëtar ishte Ymer Prizreni (1820-1887). Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte kryetar i dikasterit të Punëve të Jashtme. Shaban Prizreni (1833-1913) ishte kryetar i dikasterit të Punëve të Brendshme. Sulejman Vokshi (1815-1890) ishte kryetar i dikasterit për Çështje Financiare. Para formimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë kërkesë kombëtare të tyre. Edhe Fuqitë e Mëdha nuk kishin pranuar t’ua njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar. Duke qenë se një pjesë e shqiptarëve ishin islamizuar, Fuqitë e Mëdha nuk tregonin kurrfarë interesimi për t’u dalë në ndihmë atyre ose për t’i mbrojtur ata. Shekulli XIX është shekull i kombeve. Kongresi i Berlinit (1878) ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi. Në shekullin e kombeve, për dallim nga fqinjët e vet, shqiptarët nuk arrijnë ta krijojnë shtetin e tyre. Përse?! Për arsye se në këtë kohë shqiptarët nuk kanë të formuar një borgjezi të mirëfilltë. Kjo tregon se ata shqiptarë që kanë qenë nëpër funksione në Perandorinë Osmane, kanë punuar për vete dhe jo për zhvillimin e popullit të vet. Kjo paraqet vonim historik. Si rrjedhojë, shqiptarët janë të fundit në rajon që e fitojnë pavarësinë nga Porta e Lartë. Sipas të dhënave të caktuara, në Perandorinë Osmane, 49 vezirë të mëdhenj dhe 39 vezirë kanë qenë me prejardhje shqiptare. Por, historinë e kombit shqiptar nuk e bëjnë vezirët e mëdhenj, vezirët dhe pashallarët me prejardhje shqiptare që kanë qenë në shërbim të Portës së Lartë.

Shtetin nuk e bëjnë dot shoqatat apo klubet letrare. Krijimi i shtetit nuk është punë shoqatash dhe klubesh që kanë vepruar në Stamboll, në Bukuresht, në Kajro, në Aleksandri, në Selanik, në Athinë, në Sofje etj. Veprimtarët e periudhës së Rilindjes nëpër kolonitë e sipërthëna, për kauzën shqiptare kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por kjo nuk ka mjaftuar për të bërë shtet. Shtetin e krijojnë determinantët historikë dhe sociologjikë. Shtetin e bëjnë shtresat shoqërore relevante. Në shekullin e kombeve, për dallim prej fqinjëve të tyre, shqiptarët nuk i kishin mjaftueshëm determinatët e lartpërmendur. Të vënë në shërbim të Perandorisë Osmane, shqiptarët as kanë mundur, as kanë menduar të krijojnë borgjezi kombëtare. Legjenda thotë se në Kongresin e Berlinit, kancelari gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) paskësh thënë: “Nuk ka komb shqiptar. Shqipëria nuk është veçse një term gjeografik”.

Më 1912, nga një sundim shqiptarët bien nën një sundim tjetër. Tani nën sundimin serb, malazez, grek dhe prej viti 1944, edhe nën shtypjen sllavo-maqedonase. Maqedonia është shtet që është formuar në trojet shqiptare. Që nga viti 1912 e këndej, ndaj shqiptarëve në Jugosllavi Beogradi ka ushtruar dhunë. Dhunë në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, dhunë nga Nikolla Pashiqi (1845-1926), nga Karagjorgjeviqët, dhunë në periudhën e pas Luftës II Botërore, dhunë në kohën e Aleksandar Rankoviqit (1909-1983). Ndaj shqiptarëve u zbatuan idetë antishqiptare të Ilija Garashaninit (1812-1874), autor i projektit të Serbisë së madhe “Naçertanie” (1844). U zbatuan idetë e akademikut serbomadh Vaso Çubrilloviq (1897-1990), autor i memorandumit apo elaboratit “Dëbimi i shqiptarëve”. U zbatuan idetë e akademikëve serbomëdhenj, autorë të “Memorandumit” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, të vitit 1986. Dhunë në kohën e Sllobodan Millosheviqit (1941-2006) dhe të Vojisllav Sheshelit (1954- ). Shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen për në Turqi, si para Luftës II Botërore ashtu edhe pas saj. Prej vitit 1944 e këndej, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), ndaj shqiptarëve ndoqi politikë restriktive, diskriminuese, represive dhe opresive. Si pasojë e propagandës çubrilloviqiane, në vitin 1950 e këndej, shumë shqiptarë u shpërngulën për në Anadolli. Shumë shqiptarë të Malit të Zi u shpërngulën për në ShBA. Shpërngulja e tyre përtej oqeanit vazhdon edhe sot. Përtej oqeanit u shpërngulën edhe shqiptarë nga disa zona të Maqedonisë – nga Struga, Dibra, Prespa, Resnja, Manastiri, Kërçova etj. Që nga viti 1912 e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë së Titos në vitin 1991, ndaj shqiptarëve është kryer gjenocid. Shqiptarët janë burgosur, janë torturuar, janë dënuar me dënime drakonike. Janë burgosur sidomos njerëzit me shkollë, intelektualët, mësuesit, punëtorët e arsimit.

Përjashtim bën viti 1974 kur në Jugosllavi u miratua kushtetuta e re. Me këtë kushtetutë Kosova u bë pjesë konstitutive e Federatës Jugosllave. Që nga viti 1912 e këndej Kosova është plaçkitur nga Serbia. “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Synohej që shqiptarët të lihen në margjinat e shoqërisë. Synohej pastrimi etnik i trojeve shqiptare. Burgosje dhe arrestime ka pasur në mënyrë permanente.

Që nga viti 1912 e këndej shqiptarët i kanë bërë ballë dhunës sllave. Kurrë nuk janë përulur, nuk janë nënshtruar, nuk janë gjunjëzuar, nuk janë dorëzuar. Për liri, pavarësi dhe demokraci nuk e kanë kursyer as jetën. Një popull vital si shqiptarët kurrë nuk shkulet nga toka e të parëve. Që nga koha e Lidhjes së Prizrenit e këndej, shqiptarët e lënë jashtë kufijve të Shqipërisë, përballë stuhive të furishme, si një mal i vetmuar, të patundur qëndruan. Shqiptarët ishin arsimdashës, të etshëm për dritë, dituri dhe dije, për emancipim dhe ngritje, për përparim dhe zhvillim. Shqiptarët ishin dhe janë nacionalistë, Shqipërinë dhe shqiptarinë e kanë pasur dhe e kanë në zemër. S’është parë në historinë e botës që një popull evropian të copëtohet në trojet e veta në gjashtë copa. Kjo është dhimbje e çdo shqiptari.

Pasoi shpërbërja e perandorisë sovjetike, ra muri i Berlinit, Gjermania u ribashkua, u shpërbë Jugosllavia e AVNOJ-it (KAÇKJ). Lindi një konstelacion i ri në rajon, në kontinent dhe në planin global. Faktori proshqiptar doli i fortë, ndërsa ai sllav - i dobësuar. Amerika u dëshmua si superfuqi e vetme. Orakulli i Dodonës paralajmëronte lindjen e një epoke të re. Në agjendën e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes do përfshihej Kosova martire.

GM: Një analizë objektive e politikave të Albin Kurtit tregon se ai ndjek një qasje të theksuar patriotike, e cila, nga njëra anë, mund të kuptohet si përpjekje për forcimin e sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, nga ana tjetër, kjo qasje shpesh ka shkaktuar tensione të konsiderueshme me faktorët ndërkombëtarë që garantojnë sovranitetin e vendit, duke përfshirë raste të retorikës së ashpër dhe fyese. Hyrja e Kurtit në politikë e ka prezantuar atë si një figurë rebele dhe arrogante, deri te ai që mund të quhet "rrugaç politik". Për shumë qytetarë, ai mbetet një nga figurat më të diskutueshme në Kosovë, pasi profili i tij përfaqëson edhe një anti-diplomat, i cili mund të rrezikojë madje edhe ekzistencën e Kosovës si shtet. A nuk mendoni se qasja e tij ‘’komuniste’’, sipas së cilës ne jemi ''kërthiza e botës'', është e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës?

XHZ: Kohët e fundit në botën shqiptare u zhvillua një luftë hibride kundër Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Albin Kurtit (1975- ). Studio televizive të caktuara shpesh organizonin debate, përkatësisht panele. Në debate të tilla merrnin pjesë analistë mercenarë. Të tillë ishin edhe udhëheqësit apo udhëheqëset e emisioneve televizive. Për Kosovën flasin edhe ata të cilët atë e kanë parë vetëm në hartë gjeografike. Këto studio televizive u shndërruan në megafonë apo në zëdhënës të Beogradit dhe të Vuçiqit. E shanin Albinin shqiptarët ngase nuk ia dha Beogradit 27% të territorit të Dardanisë për 3,5 për qind serbë që jetojnë në Kosovë. Albin Kurti e shtriu sovranitetin në mbarë territorin e Kosovës dhe e mbrojti tërësinë e tokave apo integritetin territorial të saj. Për mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe qendrave perëndimore, faji nuk është i Kurtit. Faji është i Uashingtoni, Berlinit, Parisit dhe Londrës që e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Serbisë. Ka kohë që ata e ledhatojnë Beogradin. Në vend që të ndëshkohet Serbia, sanksionohet Kosova. Çfarë absurditeti! O tempora, o mores! Në vitin 1999 Serbia ka kryer në Kosovë masakra, ka kryer gjenocid dhe nuk është ndëshkuar. Sot e kësaj dite Beogradi ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Mercenarët e shanin Kurtin i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit në vazhdim e fitoi gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të votave. Oponentët e tij, edhe të bashkuar, dolën më dobët se ai. E shajnë burrin ngase e lufton korrupsionin dhe nepotizmin. Në Kosovë mbizotëron rendi, rregulli dhe ligji. Është vendi më demokratik i rajonit. Ajo duhet të shpërblehet dhe jo të ndëshkohet. Partnerët strategjikë të Kosovës duhet ta dinë se s’ka shtet në botë me dy lloj valutash zyrtare, me euro dhe me dinarë, me dy lloj targash për automjete, me dy lloj diplomash shkollore, me dy histori, me dy flamuj shtetërorë, me dy himne shtetërore, me dy lloj sistemesh arsimore. Ndërkombëtarët duhet ta ndëshkojnë Serbinë që nuk i vuri sanksione Rusisë dhe që dërgon grupe terroriste në veri. Protestat e studentëve në mbarë Serbinë flasin qartë për fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. Ai dhe një pjesë e kabinetit të tij e kanë vendin në Hagë, ku do të duhej të përgjigjeshin për krime lufte, për krime kundër njerëzimit.

Administrata e Presidentit Tramp duhet ta ketë parasysh faktin se Serbia e Vuçiqit, në shumë pikëpamje e çon mirë me Kinën, e përçon ndikimin dhe interesin e Pekinit në rajon. E mbështet Millorad Dodikun e Republikës Serbe të BH-së, të shpallur person të padëshiruar nga Uashingtoni. Dialogu i Brukselit nuk ka lëvizur para ngase një gjë të tillë e ka parandaluar Moska.

Karrierën politike Vuçiqi e ka filluar në vitin 1993 si anëtar i Partisë Radikale Serbe të ultranacionalistit serbomadh Vojisllav Sheshel (1954- ). Më 1995, Vuçiqi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Më 1998, në kohën e Millosheviqit (1941-2006) u emërua ministër për Informim në qeverinë e Mirko Marjanoviqit (1937-2006).

Pakicat në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend të BE-së. Çdo qeveri e Kosovës, përfshi edhe Qeverinë e Kurtit, duhet t’i harmonizojë veprimet me partnerët strategjikë, sidomos me Uashingtonin.

GM: Pavarësisht se kryeministri Kurti dhe përkrahësit e tij mohojnë gjithçka që është arritur në Kosovën e më pak se dy dekadave si shtet, realiteti tregon se, pavarësisht sfidave të ndryshme, të gjithë politikanët, së bashku me ndërkombëtarët, kanë kontribuar në ndërtimin e një Kosove që, para ardhjes së Kurtit, kishte arritur një nivel që Shqipëria ende e ëndërron: një ndër shtetet më serioze në Ballkan. Si e vlerësoni ju zhvillimin e Kosovës që nga Shpallja e Pavarësisë?

XHZ: Që nga dita e çlirimit e këndej, në Kosovë ka mbizotëruar rendi dhe rregulli. Kjo është meritë e popullit shqiptar në Kosovë, meritë e qytetarëve të saj. Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi. Mbartës të shtetësisë në Kosovë janë shqiptarët. Janë popull historik, popull politik dhe përbëjnë 92 për qind të popullsisë së përgjithshme të Republikës. Për përparimin e Kosovës meritë ka i tërë faktori politik i atjeshëm, përfshi edhe ndërkombëtarët që janë brenda, si KFOR-i dhe UNMIK-u. Merita për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ShBA-ja, përkatësisht NATO-ja.

Shpalljen e pavarësisë së Kosovës e paralajmëroi presidenti i ShBA-së Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946- ), me rastin e vizitës në Shqipëri, më 10 qershor 2007. Aleatët perëndimorë e kanë ndihmuar Kosovën edhe financiarisht. Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ia ka dalë të ndërtojë shtet ligjor dhe demokratik. Megjithëkëtë, ajo figuron si një prej shteteve ekonomikisht më të pazhvilluara të rajonit. Ka shpërngulje popullsie, pagat janë të ulëta, pensionet po ashtu. Kjo thekson nevojën e rritjes së investimeve dhe të ndihmave nga partnerët perëndimorë. Pa mbështetjen e perëndimorëve, sidomos të ShBA-së, Kosovës mund t’i rrezikohet siguria. Moska është e interesuar për ta destabilizuar mbarë rajonin, e në veçanti Kosovën. Kosova e pavarur dhe demokratike është interes strategjik i fuqive perëndimore, sidomos i ShBA-s.

GM: Si e vlerësoni procesin e formimit dhe funksionimit të Gjykatës Speciale të Kosovës? A mendoni se ka një ndikim të drejtpërdrejtë nga Serbia në këtë proces, qoftë nëpërmjet trysnisë ndërkombëtare apo përmes dëshmive? Si e vlerësoni procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale?

XHZ: Gjykata Speciale u formua nën trysninë e Moskës, në favor të Serbisë. Disa akuza si ajo e shtëpisë së verdhë dolën gënjeshtra, sajime dhe trillime. Procesi gjyqësor zvarritet deri në pafundësi. Vitet e fundit propaganda e diplomacisë serbe ka qenë tejet vepruese. Disa fuqi perëndimore e kanë ledhatuar Serbinë në mënyra të ndryshme. Një prej mënyrave të ledhatimit të saj është edhe themelimi i kësaj gjykate. Forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë kryer në Kosovë rreth 400 masakra, kanë vrarë 13.500 persona, janë vrarë 1432 fëmijë, janë përdhunuar njëzet mijë gra; 1653 persona figurojnë të pagjetur. UÇK-ja ka luftuar brenda në Kosovë, nuk ka luftuar në Serbi. Serbia me forcat e veta militare ka ardhur në Kosovë si pushtuese. Ajo ka bërë krime. Në Gjykatën e Hagës duhet të ulen, jo udhëheqësit e UÇK-së, por Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tyre. Kjo gjykatë është e njëanshme dhe vepron në dobi të Beogradit dhe të Moskës. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, luftë çlirimtare, i ka respektuar me përpikëri konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftën. Kosova e kohës ës luftës nuk ka funksionuar si shtet. Po qe se ndaj ndokujt ka ndodhur ndonjë padrejtësi apo edhe vrasje, kjo nuk do të thotë se për këtë kanë ditur edhe krerët e luftës.

GM: Cilat janë disa nga personalitetet më të shquara që ju i vlerësoni për kontributin e tyre në të mirë të kombit? Mund të na përshkruani disa figura që ju kanë frymëzuar dhe që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe identitetin tonë kombëtar?

XHZ: Figura të mëdha të kombit, midis tjerësh janë: nismëtari i historiografisë shqiptare, Marin Barleti (1450/1460 – 1512/1513); heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti (1405-1468), pa të cilin s’ka shqiptari; Nënë Tereza (1910-1997), për të cilën ish-presidenti amerikan Bill Klinton (Villiam Jefferson Clinton, 1946- ) ka deklaruar: “Krenohem se i kam ndihmuar një populli që ia ka dhënë botës Nënë Terezën”; Ismail Kadareja (1936-2024) i përkthyer në 46 gjuhë të botës. I çmoj lartë shkrimtarët e letërsisë së hershme – Gjon Buzukun (shek.. XVI), Lekë Matrëngën (1567-1619), Frang Bardhin (1606-1643), Pjetër Budin (1566-1622), Pjetër Bogdanin (1627-1689); po kështu edhe shkrimtarët arbëreshë, me në krye të madhin De Radë (1814-1903); rilindësit e shenjtë, në krye me vëllezërit Frashëri;  Dora d’Istrian (pseudonim i Helena Gjikës, 1828-1888); tre kolosët e letërsisë dhe të kulturës kombëtare, Faik Konicën (1875-1942), Fan Nolin (1882-1965) dhe Gjergj Fishtën (1971-1940); poetin e valles së yjve Lasgush Poradecin (1899-1987); poetin e mjerimit Migjenin (1911-1938); njeriun që e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, Ismail Qemalin (1844-1919); Luigj Gurakuqin (1879-1925); Mid’hat Frashërin (1880-1949); Aleksandër Moisiun (1879-1935); Ernest Koliqin (1903-1975) i cili u dërgoi shqiptarëve jashtë Shqipërisë qindra mësues; Eqrem Çabejn (1908-1980), Bekim Fehmiun (1936-2010); Fatos Kongolin (1944- ). Në Panteonin e kombit bëjnë pjesë edhe Hasan Prishtina (1873-1933), Isa Boletini (1864-1916), Shtjefën Gjeçovi (Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, 1874-1929) i shpallur “Doctor honoris causa” nga Universiteti i Lajpcigut, Azem Galica (1889-1924), Qerime Galica e njohur me emrin Shotë (1895-1927), Shaban Polluzha (1871-1945), Anton Çetta (1920-1995), Adem Demaçi (1936-2018), Ibrahim Rugova (1944-2006), komandanti legjendar, i përjetshmi Adem Jashari.

GM: Disa e shohin Pushtimin Osman si një formë sundimi, të tjerë si bashkëqeverisje, ndërsa ka edhe nga ata që e konsiderojnë si shpëtim. Prof. Zejneli, si e vlerësoni ju praninë osmane në trojet tona? A mund të themi se jemi çliruar edhe kulturalisht nga Perandoria Osmane?

XHZ Ushtria e Perandorisë Osmane ka ardhur në Ballkan për të pushtuar. Qeverisja e saj ka qenë sundim. Asnjë pushtues në histori nuk ka hyrë në territor të ndonjë shteti tjetër me daulle dhe lule, por me shpata. Sot hyjnë me tanke dhe raketa balistike. Edhe bashkëqeverisje të ketë qenë, prania e turqve apo e osmanlinjve ndër shqiptarë, ka qenë sundim. Teoria se prania e administratës osmane në trojet shqiptare i ka mbrojtur ata nga sllavizimi apo nga greqizimi, nuk është e bazuar. Historia nuk shkruhet dhe nuk interpretohet në mënyrë hipotetike. Historia nuk shkruhet dot në stilin: “Çdo të bëhej, po të bëhej...”. Çështjen e fesë apo të feve, shqiptarët duhet ta konsiderojnë të tejkaluar. Besimi fetar është çështje private dhe personale. Ndër shqiptarë duhet të ruhet harmonia fetare. Serbia, Greqia dhe Rusia u thonë perëndimorëve: “Mos i mbështetni shqiptarët se ata janë përçues të interesave të vendeve të Orientit në Evropë”. Shqiptarët duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Një mosmarrëveshje eventuale ndërshqiptare mbi baza fetare do të ishte tragjike dhe fatale për shqiptarët. Një bosnizim apo libanizim të botës shqiptare do ta dëshironin vetëm armiqtë e shqiptarëve.

Ka pasur dhe ka edhe sot tendenca që shqiptarët të identifikohen në bazë të përkatësisë fetare dhe jo në bazë të përkatësisë kombëtare. T’i identifikosh shqiptarët sipas përkatësisë fetare dhe jo mbi bazën e përkatësisë kombëtare, do të thotë të mohosh identitetin e kombit shqiptar. Është gjuha shqipe ajo që i identifikon shqiptarët si një komb i veçantë. Shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm.

GM: A mendoni se ka pasur momente të rëndësishme historike në të cilat kombi shqiptar ka bërë gabime? Nëse po, cilat kanë qenë këto gabime dhe si mund t'i interpretojmë ato në kontekstin e zhvillimeve historike që kanë pasuar?

XHZ: Të rrallë janë popujt apo udhëheqës shtetesh që s’kanë bërë gabime gjatë historisë. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur, thotë një shkrimtar i Bosnjës dhe Hercegovinës. Shqiptarët nuk duhet të jenë lakmitarë, nuk duhet të jenë karrieristë, nuk duhet të punojnë për të huajt, vesin e keq të përçarjes duhet ta flakin nga vetja. Duhet ta flakin nga vetja edhe arrogancën, megalomaninë apo mendjemadhësinë. Mendjemadhësia nuk është veçse mendjelehtësi. Nuk duhet të harxhojnë më shumë sesa që kanë. Shqiptarët kanë një rrethim tragjik. Rrethohen me fqinjë grabitqarë siç janë: serbët, grekët, malazeztë, bullgarët. Kjo farë bizantine mbështetet prej një Rusie të madhe. Në të gjitha momentet historike, shqiptarët duhet të rrinë sa më larg Serbisë. Serbët kanë pasur aspirata për të dalë në det. Shtrirjen territoriale, hegjemonizmin, ekspansionizmin dhe dominimin e kanë ves.

Diktatori me diktatorët

Gabim është që pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria është lidhur me Josip Broz Titon (1892-1980), me Josip Stalinin (1879-1953), më pas edhe me Mao Ce Dunin (Mao Zedong, 1893-1976). Pra, me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik dhe në fund me Kinën e largët. Nuk mund të lidhesh me një Jugosllavi që ta ka pushtuar gjysmën e territorit, që ta shpërngul popullsinë për në Anadoll. Nuk mund të lidhesh me sovjetikët ngase Rusia natyrshëm është me Serbinë. S’ke pse lidhesh edhe me Kinën e largët. Pas Luftës II Botërore Shqipëria duhej të ishte lidhur me ShBA-në, përkatësisht me vendet perëndimore. Shqiptarët nuk duhet të vendosin lidhje me shtetet mbi baza ideologjike. Interesi kombëtar nuk njeh ideologji të tipit marksizëm, leninizëm, stalinizëm, socializëm, komunizëm. Diktatura që u vendos në Shqipëri pas Luftës II Botërore, historikisht është e pafalshme. Sistemi tiranik i vrau bijtë e vet.

Ndalimi i fesë është akt i paarsyeshëm. Burgosja, gjykimi, dënimi dhe ekzekutimi i klerikëve është akt absurd, irracional, i pafalshëm dhe i dënueshëm.

Gabim ka qenë edhe politika izolacioniste. Me një politikë të tillë pushtetarët e kanë mbrojtur pushtetin e vet. Sot Shqipëria është duke u bërë fuqi evropiane e turizmit, mu pranë Italisë, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë. Pasojat e orientimit strategjik të gabuar në periudhën  pas Luftës II Botërore ndjehen edhe sot. Për një shtet ka rëndësi të madhe orientimi i drejtë në momente historike të caktuara, përcaktimi strategjik i drejtë.

Dikur s’ka pasur BE. Sot ka dhe s’e ke vështirë të orientohesh. Nuk duhet menduar se BE-ja një ditë mund të shpërbëhet. Po të ndodhte një gjë e tillë, atëherë në kontinent do të ringjalleshin atavizmat e dikurshëm. Fuqitë historike të Evropës – Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe do t’u riktheheshin përplasjeve dhe rivaliteteve të së kaluarës. Me Rusinë, shqiptarët kurrë s’duhet të lidhin miqësi për arsye se në historinë politike të kohës më të re, d.m.th. në dyqind vjetët e fundit, ajo gjithmonë ka qenë kundër shqiptarëve. Pa miqësinë e përjetshme me ShBA-në, shqiptarët në Ballkan janë të rrezikuar prej fqinjëve grabitqarë.

GM: Në opinionin tuaj, a është "importi kulturor" që vjen nga jashtë një kërcënim për traditat dhe identitetin tonë kombëtar? Si e perceptoni ndikimin e këtyre kulturave të huaja në shoqërinë tonë dhe cilat janë pasojat që mund të kenë?

XHZ: S’ka dyshim se ndikimet kulturore që vijnë nga jashtë paraqesin rrezik për identitetin kombëtar të shqiptarëve. Shqiptarët duke mos qenë një popull i madh,  ky rrezik bëhet akoma më i mundshëm. Nëpërmjet mediumeve siç janë televizioni apo mjetet e komunikimit digjital, kudo në trojet shqiptare vërshojnë kiçi dhe shundi. Arti i mirëfilltë dhe lirika popullore shqiptare rrezikohen nga muzika pornografike. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave. Nuk duhet lejuar të dalin në sipërfaqe jovlerat apo antivlera. Ne nuk mund të hiqemi italianë as amerikanë. Ato janë shtete të mëdha, popuj të mëdhenj. Nuk është mirë ta kopjojmë apo ta imitojmë çdo gjë të tyren. Shqiptarët janë popull që ballafaqohen me probleme sociale. Ato sjellin dhe shkaktojnë probleme morale. Në ekranin televiziv, edhe shtetet më të varfra duken mirë, por kur të shkojmë në periferitë e tyre, do të shohim skena si në romanet e natyralistit francez, Emil Zolës (Emil Zola, 1840-1902). Të mos harrojmë se rreth gjysma e popullit shqiptar ndodhet jashtë. Atje u nënshtrohen ndikimeve të huaja. Verës mërgimtarët vijnë në vendlindje me fëmijët e vet. Nëpër rrugë apo restorante dëgjohen se si ndër vete flasin gjermanisht. Jetojmë në një kohë kur edhe të mirat edhe të këqijat, njeriu i ka në celularin e vet. Ndikohen fëmijët që në moshën dyvjeçare. Në rrethana të tilla, shqiptarët duhet t’i ruajnë traditat popullore, ta ruajnë dhe ta forcojnë familjen. Të rinjtë dhe të rejat duhet të krijojnë familje, d.m.th. të martohen, të lindin fëmijë, të lënë pasardhës apo trashëgimtarë. Shkurorëzimeve duhet t’u shmangen. Për pak e për shumë nuk duhet një çift të ndahet. Divorci po bëhet trend, modë, mënyrë jetese.

GM: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e Serbisë gjatë zhvillimeve rajonale, ndërkohë që ka pasur disa tensione me politikanët e Kosovës. Nëse i shohim marrëdhëniet ndër-shtetërore në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova duket se kanë marrëdhëniet më të acaruara, dhe shumë e shohin këtë si rezultat i veprimeve serb-dashëse të Ramës. Si e shihni ju këtë situatë?

XHZ  Çdo politikan i Shqipërisë duhet ta dijë se rruga e Tiranës për në Beograd kalon nëpër Prishtinë. Çdo veprim tjetër, nuk është veçse llogari pa hanxhiun. Kryeministri Rama duhet ta dijë se nuk është mirë të afrohet sa s’bën me kryetarin e Serbisë, Vuçiqin, për arsye se ati shpirtëror i tij është radikalit Vojisllav Sheshel (1954- ), i cili u gjykua në Tribunalin e Hagës për krime kundër njerëzimit. Atje qëndroi prej vitit 2003 deri në vitin 2014, d.m.th. 11 vjet. U lirua “për shkaqe shëndetësore”. Rama e di mirë se Vuçiqi ka qenë ministër në kohën e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit. Vuçiqi ka përqendruar pranë kufirit të Kosovës mijëra forca ushtarake. Ai thotë: “Po të mos ishte KFOR-i, ushtria serbe sakaq do t’i vërsulej Kosovës”. S’ka ditë që ai të mos i kanoset Kosovës ushtarakisht. Beogradi dhe Moska çdo ditë komunikojnë ndër vete për Kosovën dhe kundër saj. Rama duhet ta dijë se s’ka Ballkan të Hapur, ka nismë të Berlinit. Nga Ballkani i  Hapur përfiton kryesisht Serbia. Tirana duhet t’i ketë parasysh veprimet terroriste që i organizon Beogradi në veri të Kosovës. Politikani i Shqipërisë që vendos raporte me Serbinë, duke e anashkaluar Kosovën, duhet t’i trembet gjyqit të historisë.

Në marrëdhëniet me gjashtë vendet e BE-së që s’e kanë njohur Kosovën, Tirana zyrtare duhet të tregohet më e përmbajtur.

GM: Shqipëria e diktatorit Enver Hoxha zgjati gati gjysmë shekulli. Shteti kontrollonte çdo aspekt të jetës dhe dënoi, në mënyra të ndryshme politike, qindra mijëra njerëz. Varfëri ekstreme dhe një luftë e pafundme kundër dinjitetit njerëzor. Si e imagjinonit Shqipërinë stalino-enveriste dhe cili është konkluzioni juaj?

XHZ: Tre milionë shqiptarë në Jugosllavi, Shqipërinë e kanë pasur në zemër. Edhe sot e kanë në zemër. Për krimet e bëra nga regjimi i Hoxhës, shqiptarët këndej kufirit fare pak kanë qenë të njoftuar. Nuk kanë qenë të njoftuar sa duhet as për standardin e jetesës, as për shkallën e zhvillimit ekonomik. Tre milionë këndej kufirit, Shqipërinë e kanë përfytyruar si një vend ku s’ka dallime sociale, si një kopsht me lule. Për Shqipërinë, shqiptarët këndej kufirit informoheshin prej Radio-Tiranës apo Radio-Kukësit. Pak kujt i ka interesuar nëse ato emisione informative kanë qenë propagandë që e ka lustruar realitetin. Propaganda e paraqiste Shqipërinë “kandil të kuq në Evropë”. Tre milionë shqiptarë në Jugosllavi, veten e kanë konsideruar të robëruar nga pushteti serbosllav. Mbase prej këtu buron dashuria për vendin amë, Shqipërinë. Atë e kanë idealizuar. Çdo kryetar të Shqipërisë, cilido të kishte qenë ai, do ta konsideronin si të vetin.

Me rënien e regjimit komunist, shqiptarët këndej kufirit panë një Shqipëri tjetër fare nga ajo që e kishin përfytyruar. Megjithëkëtë, në zemrat e tre milionë shqiptarëve këndej kufirit, Shqipëria mbetej Shqipëri, vend i shqiponjave. E tillë do të jetë deri në jetë të jetëve. Tani, diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nisën ta shikojnë me sy kritik. Me shpeshtimin e kontakteve filloi të dalë në shesh fytyra e vërtetë e regjimit të Hoxhës. Prej tij dhe regjimit të tij u distancuan gati të gjithë. Burgosjet, proceset gjyqësore, dënimet, torturat, ekzekutimet, internimet e familjeve të tëra dolën në shesh dhe u dënuan prej shqiptarëve këndej kufirit. Krimet e komunizmit kanë qenë të ekspozuara edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Ata që edhe sot janë në vijën e tij, numërohen në gishta. Shqiptarët këndej kufirit mbështesin një Shqipëri demokratike ku të sundojë ligji, Shqipëri pa korrupsion dhe pa nepotizëm, anëtare të BE-së dhe të NATO-s, të zhvilluar dhe të hapur për botën, ku të ketë rend dhe rregull, ku të mos ketë të papunë, me arsim cilësor dhe shëndetësi bashkëkohore, me gjyqësi të pavarur dhe mediume profesionale.

Shumë shqiptarë të këtyre anëve rregullisht vijnë në Shqipëri. Në mënyrë të organizuar vijnë nxënësit e shkollave të mesme. Shumë të tjerë pushimet e verës i kalojnë në Adriatik dhe Jon. Shqiptarët e Kosovës çdo ditë shkojnë në Shqipëri për punë, për argëtim, për pushim dhe për ndonjë veprimtari ekonomike (biznes).

GM: Si e vlerësoni zhvillimin e politikës në Shqipëri në periudhën pas-komuniste, duke marrë parasysh reformat demokratike, tranzicionin ekonomik, integrimin europian dhe sfidat institucionale?

XHZ: Në Shqipëri kam qenë shumë herë. Ka shëtitur nga veriu në jug. Të gjithë thonë se Shqipëria e periudhës së pluralizmit ka ndryshuar shumë. Janë transformuar për mirë të gjitha qytetet. Kemi infrastrukturë rrugore dhe  autostrada. Në çdo qytet janë ndërtuar ndërtesa shumëkatëshe. Janë zbukuruar sheshet e qyteteve dhe të qytezave. Vijnë mbi dhjetë milionë turistë nga të gjitha vendet e botës. Pritet që ky numër të shkojë së shpejti në pesëmbëdhjetë milionë. Libraritë janë të pajisura me literaturë lëmenjsh të ndryshëm. Ka edhe vepra të përkthyera prej gjuhëve të huaja. Mbresëlënës është edhe panairi i librit. Tirana i ngjan një metropole. Pothuajse nuk ka qytet që s’është ndryshuar për mirë. Shumë vizitues e pëlqejnë Shkodrën. Sot Shqipëria ndërton një sistem demokratik, synon të bëhet shtet ligjor, ndërton një ekonomi bashkëkohore, e zhvillon industrinë e turizmit, është anëtare e NATO-s, një ditë do të hyjë edhe në BE. Për dallim nga vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri funksionon sistemi i drejtësisë, luftohet korrupsioni në majat e shtetit. Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë se dy-tri parti politike. Shqipëria duhet ta rritë cilësinë në arsim, të ndërmarrë çarmatosjen e popullatës, të rritë sigurinë në qarkullimin rrugor, ta reduktojë administratën, t’i zvogëlojë dallimet sociale, të thithë investime nga jashtë, të çelë vende të reja pune.

GM: Duke lënë mënjanë sfidat e pafundme politike dhe shoqërore, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet një arritje e madhe, sidomos në kohët e konflikteve që po jetojmë. Sa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe shqiptarët?

XHZ: Nuk duhet menduar se një ditë NATO-ja mund të mos ekzistojë. Ajo do të ekzistojë. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizëm politiko-ushtarake ka rëndësi jetike për sigurinë e saj dhe të shqiptarëve. Jetojmë në një kohë të pasigurte Ka kohë që bota s’ka qenë në kontradikta të këtilla. Ballafaqohen të mëdhenjtë, të fuqishmit, fuqitë bërthamore. Synohet krijimi i një bote. multipolare. Kina dhe Rusia synojnë t’i japin fund dominimit të ShBA-së në planin global. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Amerika kurrë s’ka për t’u larguar prej NATO-s dhe kurrë s’ka për t’u ndarë nga Evropa. Kontinenti i vjetër është shpirti i Amerikës. Askush në rajon nuk mund ta sulmojë Shqipërinë ngase me atë rast do të ballafaqohej me Aleancën.

GM: Sipas Kryeministrit Rama, duket se në Shqipëri ''i kena ba senet'' dhe mungonte vetëm një Shtet Islamik për t’ia ofruar botës, asaj shqiptare dhe asaj globale! Gjatë historisë kemi sakrifikuar njerëz, tokë, kulturën kombëtare dhe kontinentale, dhe duket se nuk kemi të ndalur. A e mirëprisni apo e kundërshtoni krijimin e një Shteti Bektashi në Shqipëri, duke pasur parasysh edhe faktin se në krye të tij në të ardhmen mund të jenë klerikë të huaj?

XHZ: Nuk pajtohem fare me krijimin e njëfarë shteti bektashian në Shqipëri. Kjo më duket një punë joserioze, më duket një ekzibicion, një teatër, një lojë. Ky farë ekzibicioni nuk i duhet askujt, aq më pak shqiptarëve. Ka që thonë se ky farë shteti shkon në dëm të shqiptarëve të fesë islame. Rama sikur dëshiron t’i tregojë Evropës së krishterë se shqiptarët kanë një komunitet  mysliman që s’e bëjnë haram rakinë. Na pranoni në mesin tuaj se edhe ne jemi si ju. Po të formohej një shtet i tillë, atëbotë në krye të tij do të mund të vinte ndokush nga Turqia apo nga  Irani. Shqiptarët kanë halle të tjera, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet. Kauza shqiptare nuk është fetare. Është kombëtare dhe demokratike. Në të gjitha hapësirat shqiptare kemi sa të duash objekte kulti. Duhet menduar si të ndërtojmë uzina, reparte prodhimi, fabrika bashkëkohore, si ta shtojmë prodhueshmërinë, eksportin, si të krijojmë një ekonomi kompatibile me Kosovën dhe me biznesmenët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si të sjellim investime nga jashtë, si të çelim vende të reja pune, si ta rritim punësinë, si ta ndalim emigrimin e të rinjve, ikjen e trurit, si ta rrisim cilësinë në arsim, në shëndetësi, si ta luftojmë korrupsionin, nepotizmin, si ta reduktojmë administratën, si t’i luftojmë abuzimet në arsimin e lartë, si ta depolitizojnë dhe departizojnë arsimin, administratën, çdo pore të shoqërisë..

Shqiptarët duhet t’i reduktojnë shpenzimet e kota dhe të tepërta. Të rrallë janë popujt e botës që bëjnë dasma megalomane si shqiptarët. Dasma që kushtojnë mijëra euro, dhjetëra mijë euro!

GM: Është një ëndërr shekullore e gjithë shqiptarëve. Një numër i madh patriotësh nga të gjitha trojet shqiptare kanë dhënë gjithçka, madje edhe jetën, për bashkimin kombëtar. Cili do të ishte skenari më realist për një bashkim, të paktën, mes Shqipërisë dhe Kosovës?

XHZ: Bashkimi i shqiptarëve është ëndërr e kamotshme e çdo shqiptari, është ideal mbi idealet. I madh e i vogël, në të gjitha trojet shqiptare, bien dhe zgjohen me këtë dëshirë të flaktë. Për këtë, shqiptarët jashtë Shqipërisë janë dënuar prej boshtit antishqiptar të krimit, Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) me dënime drakonike, janë torturuar, janë ekzekutuar. Bashkimi i shqiptarëve është një aspiratë legjitime, e justifikueshme dhe historikisht e drejtë. Mundësia më reale e bashkimit të shqiptarëve është integrimi i vendeve të rajonit në BE. Dhe kjo do të bëhet. Unioni nuk do të shpërbëhet, as nga e djathta e skajshme, as e majta e skajshme evropiane. Duket sikur bota është shumë pranë luftërave. Megjithëkëtë, duhet besuar se zjarri i armëve në rajon, tani për tani nuk duket në horizont.

GM: Duke vlerësuar personalitetin tuaj, vlerat njerëzore dhe intelektuale që zotëroni, nuk mund ta shmang mundësinë për një pyetje të fundit. Cili do të ishte një mesazh për shqiptarët?

XHZ: Të punojnë me nder, të aftësohen sa më shumë në profesionet e tyre, të jenë solidarë, të jenë tolerantë, ta njohin vetveten (gnothi seauton), të mos tjetërsohen, të mos i binden djallit, demonëve, luciferit, të mos ia shesin shpirtin Mefistofelit, t’i flakin nga vetja vetitë e liga, urrejtjen ta zëvendësojnë me dashuri, ta largojnë nga vetja egoizmin, xhelozinë dhe smirën, të mos jenë të pangopur, as lakmitarë, ta luftojnë oportunizmin, konformizmin dhe poltronizmin, të jenë realistë dhe racionalë, të arsyeshëm, të jenë në shërbim të shqiptarisë, të jenë humanë, të mos jenë racistë, as ksenofobë, as mizogamë, ambiciet t’i harmonizojnë me mundësitë, të mos i lënë vatrat dhe mëmëdheun, të krenohen me të qenët shqiptar, të flakin nga vetja mendësinë provinciale, t’i njohin qytetërimet dhe kulturat e botës, të jenë për paqe dhe jo për luftë, t’i shmangen banalitetit, ta fisnikërojnë shpirtin, të kenë qëndrim kritik në shoqëri, të flakin psikologjinë e mediokrit, të jenë objektivë dhe të paanshëm, të mos manifestojnë pseudo-atdhetarizëm, të mos bëhen tregtarë flamujsh, të krijojnë familje, të mos joshen nga materializmi, të mos bëhen të skajshëm, të mos jenë megalomanë, arrogantë apo mendjemëdhenj. Ta luftojnë kiçin dhe shundin, të mos bëhen snobë, ta injorojnë snobizmin, të jenë modestë.

Shqiptarët kanë një prejardhje, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.

Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre nuk është bërë asnjëfarë padrejtësie e posaçme, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.