Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Politika
E shtune, 12.04.2025, 03:00 PM
INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN SHQIPTARO-AMERIKAN FRANK SHKRELI (IV)
POLITIKA
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në pjesën e katërt të intervistës me
gazetarin e njohur shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, biseda zhvendoset drejt
një prej temave më të ndjeshme dhe jetike për vendin tonë: politika në Shqipëri
dhe sfidat e shumta me të cilat ajo përballet. Në këtë segment do të analizojmë
më në thellësi ndikimin që klasa politike ka mbi zhvillimin demokratik,
drejtësinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Gjithashtu, z. Shkreli ndan mendimin e
tij mbi gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare, rolin e medias dhe
perspektivat për një të ardhme më të mirë. Me përvojën e tij të gjatë në media
dhe vështrimin kritik të një shqiptari që e do vendin e vet, ai sjell një
reflektim të çmuar mbi rrugën që kemi përpara.
Fotot nga vizita e delegacionit të parë të Departmentit të Shtetit në Tiranë, Mars/Prill, 1991
GM: Si e shikoni Shqipërinë në 35 vitet e fundit dhe
tranzicionin e saj të pafundëm? Cilët mendoni se janë faktorët kryesorë që e kanë
ngadalësuar ose penguar përfundimin e këtij tranzicioni?
FSH: Për fat të keq,
unë shpesh e kam cilësuar tranzicionin politik të Shqipërisë si një shembull
tragjik i dështimit të demokracisë së mirëfilltë. Por edhe si një pseudo-diktaturë që shfaqet nën
maskën e demokracisë. Ky mund të jetë një dënim i ashpër i tranzicionit
35-vjeçar politik të Shqipërisë, por këtë vlerësim të ashpër timin nënkupton
edhe pyetja juaj. Megjithkëtë, besoj se jam brenda shinave të së vërtetës. Përgjigja
ndaj pyetjes tuaj, se cilët janë faktorët kryesorë për këtë ngadalësim – në
mendimin tim janë tre: klasa politike shqiptare e këtyre tre dekadave, votuesit
shqiptarë që kanë toleruar dhe që kanë votuar për politikanët shqiptarë të
papërgatitur për punën që i priste dhe ndërkombëtarët të cilët kanë lehtësuar
(toleruar) qëndrimin në pushtet të kësaj klase politike të ashtuquajtur
“post-komuniste”, pa merita. Politikisht të paaftë, moralisht të korruptuar dhe
të papërgjegjëshëm. Është klasa politike
shqiptare, fajtore kryesore për tranziciconin e pafund politik në Shqipëri, që
po i kushton shumë shqiptarëve. Historia dhe shqiptarët i kanë dhënë atyre
përgjegjësinë politike dhe morale, nderin dhe besimin, të jenë në krye të
Kombit. Për fat të keq, kjo klasë politike, me ndihmën edhe të ndërkombëtarve, disa
prej tyre, manipulues dhe të korruptuar, jo vetëm që e kanë lënë Shqipërinë në
vend numro – sa i përket përfundimit të tranzicionit politik në shumë fusha
gjatë 35-viteve të kaluara. Por që me sjelljet e tyre politike, konfliktet dhe
korrupsionin, ndër të tjera, nuk i kanë bëjnë nder, as vetes as Kombit të vet. Përveç
ndonjë “suksesi” të vogël aty këtu, kam drojë se historia do t’i konsiderojë
protagonistët politikë shqiptarë të tranzicionit post-komunist, si një brez
politik i dështuar, kur të merren parasysh mundësitë që u kanë dhënë atyre
votuesit shqiptarë, por edhe historia dhe rrethanat ndërkombëtare. Në fund të
fundit, nuk kanë aq shumë rëndësi fjalët e një analisti ose gazetari, por çfarë
mendon populli për politikanët e vet në këto 35 vite. Simboli më i tmershëm i
pakënaqësisë së shqiptarëve me politikanët e vet, është largimi në masë i tyre
nga vendlindja gjë që pasqyron një pakënaqësi të thellë me qeverisjet e këtyre
dekadave. Emigracioni i këtyre viteve deri në ditët e sotme i shqiptarëve, proporcionalisht,
shumë më keq ndoshta që nga koha e Skendërbeut. Populli kërkon antarësim në
Bashkimin Evropian, këta punojnë kundër. Është një barometer, kallëxues i
tmershëm, i pakënaqësisë së shqiptarëve me liderët e tre dekadave të fundit, të
cilët në sytë e shqiptarve, vazhdimisht, kanë vendosur interesat e tyre
personale dhe partiake, mbi interesat legjitime të popullit dhe të Kombit.
GM: Si e vlerësoni gjendjen e demokracisë në Shqipëri? A
mendoni se vendi ka një demokraci funksionale, ku institucionet punojnë në
mënyrë të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, apo besoni se ekziston vetëm
një sistem formal, i cili përballet me sfida serioze si korrupsioni, mungesa e
transparencës dhe ndikimi politik mbi institucionet?
FSH: Ashtu siç e kam thënë shumë herë të tjera, me emër dhe mbiemër, por edhe për vërejtës të huaj, demokracia shqiptare vzahdon të jetë një “Demokraci e brishtë, jo-funksionale”! Ndër subjektet që jam munduar të trajtoj, gjatë viteve, kanë qenë pikërisht, zhvillimet demokratike ose mungesa e tyre -- në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet shqiptare, në përgjithsi, mund të kenë qenë ndër subjektet kryesore që jam munduar të trajtoj ndër vite në shkrimet e mia modeste -- së bashku me lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit – pa të cilën nuk ka demokraci të vërtetë. Kemi të bëjmë me një tranzicion që shqiptarëve u është servirur si një “demokraci”, por që demokraci në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk është. Në një shkrim të mëhershëm kam përmendur thënjen e At Pjetër Meshkalla, jezuit, martir i Kishës Katolike Shqiptare, gjigand i kulturës shqiptare, se “Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që i paraqitet popullit me maskën e demokracisë!” Unë nuk them se Shqipëria është sot një diktaturë e stilit komunist si ajo e Enver Hoxhës. Por dihet se për 35-vjet tranzicion, Shqipëria, asnjëherë deri më sot, (ndoshta me përjashtimin e vitit 1992) nuk ka mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme me standarde ndërkombëtare dhe të pa kontestueshme. Dihet, botërisht, se zgjedhjet e lira e të ndershme janë gur-thememeli i demokracisë! Si rrjedhim, nuk mund të thuhet se Shqipëria sot është një vend i mirëfillt demokratik, pasi Shqipëria, pothuaj në të gjitha raportet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut gjatë tre dekadave të kaluara e deri më sot është cilësuar si një shtet, “pjesërisht i lirë”. Janë disa faktorë që organizatat e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore përdorin për të përcaktuar një vend si jo të lirë ose pjesërisht i lirë: Numër një, është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, bazuar në disa vlera universale, liri, parime dhe të drejta bazë të njeriut, të pranuara dhe të mbrojtura, ndërkombëtarisht, me marrëveshje. Pa zgjedhje të lira, Shqipëria nuk mund të konsiderohet vend i lirë e demokratik – me një demokraci funksionale.
Natyrisht se Shqipëria ka,
siç sugjeroni dhe ju, një numër të madh sfidash serioze që e kanë penguar deri
tani të bëjë përparim drejt një shteti vërtetë funksional, por zgjedhjet e 11
majit, 2025, pritet të jenë një provë serioze, nëse Shqipëria është gati të
radhitet me vendet demokratike, duke mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, që
më në fund të mos kontestohen nga palët. Mungesa e zgjedhjeve të lira, në sytë
e shqiptarëve dhe para botës, është vetëm një faktor, por ka edhe të tjerë që e
mbajnë Shqipërinë ende larg një demokracie të vërtetë e funksionale: faktorë, jo më pak të rëndësishëm për një
shtet të lirë e demokratik -- siç janë, ndër të tjerë, korrupsioni, mungesa e
transparencës dhe ndikimi politik mbi institucionet dhe sistemi i drejtësisë,
në të cilin ende punojnë zyrtarë të ish-regjimit komunist, prokurorë e gjyqtarë.
Shqipëria, pra nuk është një shtet demokratik funksional mbetet një demokraci
hibride, një regjim që kombinon tiparet e një qeverisjeje demokratike me ato të
një regjimi autoritar – tipare këto që
zakonisht identifikojnë një vend të botës së tretë.
GM: Qindra mijëra janë larguar nga Shqipëria gjatë dekadës
së fundit. Drama e madhe e emigrimit të shqiptarëve është një pafundësi
dhimbjeje! Ky fenomen i braktisjes së vendlindjes kulmoi gjatë qeverisjes Rama
dhe mund të krahasohet me eksodin e shqiptarëve pas pushtimit osman ose pas
rënies së diktaturës. Fjala "ikje" mund të zëvendësohet lirisht me
"dëbim". Si para 35 vitesh, edhe sot me gomone!...
FSH: Pjesërisht,
përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje mund ta gjeni më lart: nëse Shqipëria mund të
konsiderohet si një demokraci funksionale? Por do doja të shtoj se po të ishte
Shqipëria një vend demokratik, funksional me zgjedhje të lira, një vend pa
korrupsion dhe një vend me një sistem drejtësie para të cilit të gjithë janë të
barabartë, atëherë, nuk besoj se shqiptarët do largoheshin nga trojet e veta
shekullore në përmasat që ju, me të drejtë i krahasoni me eksodin e shqiptarëve
pas pushtimit osman ose me periudhën e pas rënies së diktaturës komuniste. Jam
i mendimit se numrat e emigrimit të shqiptarëve këto vitet e fundit mund të
jenë shumë më lartë se në dy periudhat që përmendni – pas pushtimit Osman dhe
vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skenderbe dhe periudhës pas shembjes së Murit të
Berlinit. Për fat të keq, janë shumë faktorë që i bëjnë shumicën e shqiptarëve
të ndjejnë veten si të huaj në vendin e vet. Nëqoftse faktorve të mësipërm, që
pengojnë zhvillimin e një demokracie funksionale në Shqipëri, i shtojmë për
shembull, shkatërrimin e sistemit ekonomik, atij arsimor e shëndetsor, për të
mos përmendur infrastrukturën në përgjithsi, çeshtjen e pronave e tjera,
atëherë del se shqiptarët vërtetë po dëbohen “zyrtarisht” nga Shqipëria, pikërisht
si në kohën pas kastriotiane, si dhe gjatë komunizmit dhe pas diktaturës – në
mos më keq sot. Sepse imigracioni këto
tre dekada, por sidioms 10-vitet e fundit, ka përpirë jo vetëm numra dërmues
shqiptarësh, por ka tërhequr edhe njerëzit më të mirë, më të përgatitur dhe më
krijuesit e Kombit, në fusha të ndryshme ekspertize, të paparë ndoshta në
historinë e Kombit shqiptar. Fatkeqsisht, armiqtë e Kombit shqiptar po
realizojnë objektivat e tyre shekullore, pa zbrazur asnjë fishek, për dëbimin
ose pastrimin etnik eventual të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, me
ndihmën e vet shqiptarëve. Kësaj klase
politike “post-komuniste”, e cila me politikat e saj, që në thelb mund të mund
të cilësohen si anti-shqiptare, po i venë në jetë politikat dhe projektet e
nacionalistëve serbë dhe grekë për dëbimin e shqiptarëve, ose, në minimum, për
ndryshimin e strukturës demografike në trojet shqiptare të rajonit të Ballkanit
Perendimor. Ky fakt, fatzi për Kombin
shqiptar u vërtetua kohët e fundit edhe nga Instituti European i Statistikave,
sipas të cilit largimi masiv – vetëm në vitet 2022-2023 – nga Shqipëria janë
larguar pothuaj 100-mijë shqiptarë, për të emigruar në vendet e Bashkimit
Evropian.
GM: Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, në
opozitë, u shpall person i padëshiruar në SHBA nga administrata e kaluar, por
nuk u faktua asnjë nga akuzat. Në të njëjtën kohë, si pasojë, u përça opozita.
Shqiptarët nuk mund të jenë antiamerikanë, sepse Amerika gjithmonë na ka
ndihmuar dhe vazhdon ta bëjë, por shumë përkrahës të Partisë Demokratike, dhe
jo vetëm, e shohin këtë akt si një vendim të padrejtë, të pandershëm dhe
qesharak. Ju si e mendoni?
FSH: Unë e kam thenë
dhe jam deklaruar edhe me shkrim në atë kohë se vendimi i Departamentit të
Shtetit nën administratën e Presidentit Biden, që shpallte Sali Berishën
“non-grata”, nuk kishte fakte. Mbetet për tu parë, por po të kishte fakte
administrate amerikane, besoj se do ishin njoftuar në një mënyrë ose tjetër. Simbolikisht, shpallja non-grata e Sali
Berishës nuk ishte diçka detyruese me ligj, por si masë “ndëshkuese”, i mohonte
vizën për në Amerikë. Ndalonte, pra, hyrjen e Z. Berisha në Shtetet e
Bashkuara. Por ky vendim i shkaktoi dëmin më të madh zhvillimeve politike në
Shqipëri, pasi kjo masë u përdor gjerësisht kundër opozitës – Partisë
Demokratike të Shqipërisë e në favor të Partisë Socialiste të Shqipërisë – duke
rezultuar në përçarjen e opozitës, me qëllim shkatërrimin e saj. Për të mos
thenë në zhdukjen e saj nga skena politike – duke vrarë opozitarizmin në
Shqipëri. Z. Berisha ka bërë shumë gjëra të mira për
Shqipërinë, por ka bërë edhe gabime, si çdo politikan, kudo. Ai ka përgjegjësitë e veta për disa nga zhvillimet
në Partinë e tij, gjatë asaj periudhe. Edhe Partia Demokratike duhet të mbajë
përgjegjësitë e veta për mënyrën si u bë përjashtimi i Berishës nga partia.
E gjithë kjo aferë, si të themi, përpjekjet e kombinuara të forcave të
brendshme dhe të jashtme, pra për të larguar Berishën një herë e mirë nga
politika shqiptare, në atë kohë, zhduku vijën mes pozitës dhe opozitës, gjë që tani e dijmë
se në përfundoi në krijimin e një sistemi autoritar me krizat e sotme ekonomike, politike
e shoqërore, me të cilat përballen shqiptarët, përfshirë siç thashë më lart
edhe ikjen në masë të shqiptarëve drejtë Evropës. Me disa shkrime të mia në atë
kohë, unë kam qenë sidomos kritik ndaj rolit të disa diplomatëve perëndimorë,
përfshirë Ambasadën amerikane në Tiranë, për mënyrën se si ata e përdorën shpalljen
“non-grata” të Sali Berishës për qëllimet e tyre e që tani, sipas meje, kishin për
qëllim përforcimin e një sistemi autoritar politik nën udhëheqjen e një
partie-shtet, të preferuar prej tyre, duke shkelur shumë vija të kuqe si
diplomatë perëndimorë. E ndjejë veten krenarë që në atë kohë, fillimisht, isha
ndër të pakët gazetarë/analistë, që kam mbrojtur me disa shkrime mbajtjen e
foltoreve të famshme nga Sali Berisha -- ndërsa foltoret kritikoheshin nga disa
diplomatë që madje edhe kërcënonin gazetarët shqiptarë që mbulonin ato -- si e
drejtë e grumbullimit të lirë dhe ushtrimit të fjalës së lirë. Ndërsa, në të
njëjtën kohë, kam kritikuar ashpër diplomatët perëndimorë në Tiranë, të cilët u
bënin thirrje gazetarëve shqiptarë që të mos mbulonin foltoret e opozitës. Liria e fjalës, liria për t’u
mbledhur dhe foltoret e Sali Berishës | Gazeta Telegraf
GM: Sali Berisha ndoshta është Kryeministri më i suksesshëm
në historinë e shtetit shqiptar. Kuptohet, profili i Berishës nuk mund të
krijohet pa ndonjë paragraf të errët. Kush është Berisha për Shkrelin?
FSH: Me të thenë të drejtën, unë nuk e ndjej veten të kualifikuar të vlerësoj Z. Sali Berisha as ndonjë tjetër kryeministër, si më i miri as më pak i mirë – në krahasim me ata udhëheqës të Shqipërisë para dhe pas tij. Si çdo politikan tjetër kudo, jam i sigurt se edhe Sali Berisha i ka gabimet e veta dhe po të mundej edhe ai do të ribënte shumë nga vendimet politike të karrierës së tij. Vlerësimin e punës së tij dhe të tjerëve i mbetet historianëve t’i vlerësojnë dhe t’i gjykojnë në këndveshtrimin e historisë dhe të rrethanave historike të kohës së tij, si lider shqiptar, dhe si politikan aktiv prej më shumë se tri dekadash, deri në ditët e sotme. Por dua të shtoj se unë e kam njohur Sali Berishën për herë të parë në Tiranë në mars/prill 1991, në vizitën e parë të delegacionit të Departmentit të Shtetit në Shqipëri (pjesë e të cilit isha edhe unë). Menjëherë pas nënshkrimit në Washington (15 mars, 1991) të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe Sali Berisha dhe Gramoz Pashko, me delegacionin zyrtar të Shqipërisë i kryesuar nga Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Z. Muhamet Kapllani pas pothuaj një gjysëm shekulli të ndërprerjes së tyre nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Takimet me Z. Berisha, ashtu si edhe me zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë kanë vazhduar gjatë viteve. Shpallja e Z. Berisha “non-grata” nga Administrata e Presidentit Biden pat nxitur një debat që vazhdon edhe sot se kush është pro e kush është anti amerikan. Është një debat që po përdoret për përfitime politike të njërës ose tjetrës palë të politikës shqiptare. Etiketimi midis shqiptarëve si “pro” ose “anti-amerikanë”, nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve as miqësisë prej një shekulli midis dy vendeve tona. Dihet se sa i përket Amerikës, të gjithë shqiptarët, pa dallim, e konsiderojnë veten pro-amerikanë. Z. Berisha ka luajtur një rol kyç si njëri prej arkitektëve kryesorë të zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pas shembjes së Murit të Berlinit. Dr. Berisha ishte i pari udhëheqës shqiptar që u prit në Shtëpinë e Bardhë.
Ishte Presidenti Xhorxh Bush i cili vizitoi
Shqipërinë në mandatin e Berishës si Kryeministër, kur krah për krah me Z. Berisha
shpalli pavarësinë e Kosovës: “Mjaft është mjaft…”. Ajo vizitë ishte në vazhdën e shprehjeve të
një miqësie të veçantë nga Amerika ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshirë
Kosovën. Për Shqipërinë dhe për Z. Berisha, personalisht, ndërtimi i Rrugës së
Kombit dhe antarësimi në NATO, ndër të tjera – kanë qenë dhe mbeten arritje
historike për Kombin shqiptar. Arritje të cilat edhe po të duan t’i mohojnë
kundërshtarët e Z. Berisha, historia do i njohë si arritje monumentale të Shqipërisë
“post-komuniste”. Politika shqiptare, në
përgjithsi, është me të vërtetë e ashpër, një lojë e egër ose “rough sport”,
siç thonë në Amerikë. Z. Berisha, ashtu
si edhe politikanët e tjerë shqiptarë janë trajtuar -- herë me të drejtë herë
jo – ashpër nga kundërshtarët e tij dhe nga media kundërshtare në opozitë. Edhe unë i kam zhgënjimet e mia me
politikanët shqiptarë, të cilëve u jam referuar shpesh, përgjithësisht, si kjo
“klasë politike” e periudhës “post-komuniste”. Të gjithë ne mund të kemi pritur
shumë gjëra, por zhgënjimi im kryesor me politikën shqiptare këto tre dekada ka
qenë dhe vazhdon të jetë, ndër të tjera
zhgënjime, mos ballafaqimi me të kaluarën komuniste, përfshirë krimet
anti-njerzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Të gjithë udhëheqsit
shqiptarë të tranzicionit politik në atë vend, përfshirë Z. Berisha, kanë të
përbashkët mos distancimin zyrtar nga diktatura komuniste, ndërkohë që ende as
nuk kanë dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit enverist. E kam thenë shpesh
se politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të jenë të vetdijshëm se nuk
shkohet në Evropë me Enver Hoxhën dhe me trashëgiminë e tij, një dukuri e
tmershme në shoqërinë shqiptare sot. Mund të ketë shumë arsye se pse shqiptarët
po largohen nga Atdheu i tyre, masivisht. Por një prej tyre është se shqiptarët
nuk dëshirojnë të jetojnë në një vend ku, 35-vjet pas shembjes së Murit të
Berlinit – Shqipëria, zyrtarisht, vazhdon të mbrojë trashëgiminë e diktaturës
komuniste dhe të injorojë krimet e regjimit të Enver Hoxhës. Sepse të rralla
mund të jenë familjet shqiptare të cilat nuk e kanë pësuar keq nga diktatura e
egër komuniste gjysëm shekullore e Enver Hoxhës. Për këtë, situatë që është në mos-përputhje të
plotë me ish-vendet komuniste, të cilat kanë dënuar, dekada më parë, krimet e
komunizmit në vendet e tyre -- në Shqipëri përgjegjës janë të gjithë – por
sidomos dy partitë kryesore: Partia Socialiste në pushtet dhe Partia
Demokratike sot në opozitë. Kjo është një e vërtetë që nuk e luan as topi!
GM: Skënder Gjinushi ishte ministër i Partisë famëkeqe të
Punës, sot Partia Socialiste, më pas, në “demokraci”, kryetar i Kuvendit,
ministër, zëvendëskryeministër dhe, në fund, kryetar i Akademisë së Shkencave
të Shqipërisë. Ky është vetëm një shembull që tregon se mbetjet komuniste të
niveleve të larta ende vazhdojnë të na “udhëheqin”! Ndryshe nga shkrimtari i
shquar, akademiku Mehmet Kraja në Kosovë, të paktë janë shqiptarët që mund të
kenë lexuar diçka nga Gjinushi. Si do ta komentonit këtë fakt?
FSH: Pikërisht, i nderuar Gëzim, kjo është arsyeja që unë, vazhdimisht, kam
kritikuar politikanët shqiptarë për mosdistancimin zyrtar të Shqipërisë nga
diktatura barbare komuniste Sa herë kam bërë thirrje më kot, si Shen Gjon
Pagëzuesi në shkretërirë Frank
Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta
Telegraf
për dënimin e krimeve të regjimit enverist dhe për distancimin zyrtar nga
komunizmi në Shqipëri. Personi që ju përmendni më lart, është një ndër më
tipikët persona për të cilët e kam fjalën. Nuk janë vetëm partitë politike ato
që po përjetësojnë trashëgiminë komuniste në Shqipëri, por janë edhe individë të
caktuar dhe të mbështetur nga politika aktuale -- mbeturina të regjimit
komunist -- si askund tjetër në Evropën lindore e qendrore post-komuniste -- të
vendosur në pozita kyçe me përgjegjësi, duke mbajtur gjallë atë frymë
ideologjike anti-shqiptare sllavo-aziatike. Me vjen keq të them, por unë jam i
mendimit se përderisa strukturat politike, qeveritare të shtetit shqiptar, por edhe
entet akademike dhe shoqërore, përfshirë sistemin e drejtësisë, vazhdojnë
të jenë indiferente dhe të mos dënojnë krimet makabre të komunizmit dhe për
derisa Shqipëria dhe Kombi shqiptar nuk përballen, zyrtarisht, me të kaluarën
kriminale të regjimit komunist, nuk ka shpresë për atë vend. Për fat të mjerë
për atë vend, sot dhe për të ardhmen e tij, jo vetëm që entet zyrtare të
shtetit shqiptar, nuk dënojnë zyrtarisht krime të tilla. Po por ata zyrtarë
politikë dhe shoqërorë, në heshtje, tërthorazi dhe drejtë për drejtë, edhe sot vazhdojnë
të glorifikojnë periudhën e diktaturës komuniste nga katedrat akademike dhe nga
foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, që disa shpallin krenarinë e tyre
me trashëgiminë dhe influencën historike të Partisë së Punës në radhët e
Partisë së sotme Socialiste në pushtet. Një lidhje brezash, si të thuash, midis
rinisë së sotëme të Partisë Socialiste dhe gjyshërave e gjysheve të tyre,
përfaqësuese të Partisë së Punës së diktaturës së proletariatit. Ka ardhur
koha që më, në fund, të pastrohet politika dhe drejtësia shqiptare nga
mbeturinat e diktaturës së Enver Hoxhës.
GM: Kryeministri Edi Rama, i cili shpeshherë të bën të
dyshosh se ka probleme serioze mendore, është akuzuar për vjedhje dhe blerje
votash, korrupsion masiv, blerje dhe dhunim mediash, deri te investimet e
njëanshme, krahinore. Duket se Rama është rritur me një mungesë të theksuar
kulture, por me kalimin e viteve, njeriu normal vetëedukohet, gjë që s’ka
ndodhur me kryeministrin tonë. Megjithatë, cili do të ishte një "profil i
paautorizuar" i Shkrelit për njeriun që, përveç të tjerash, si një rrugaç
i rëndomtë… e ndoshta si mbret i rrugaçërisë, s’lë gjë pa sharë, duke
përzgjedhur fjalët më banale?
FSH: Edhe me këtë
rast, ashtu si më sipër me Sali Berishën, qëllimisht, hezitoj të jap vlerësime
përgjithësore për këta liderë, përfshirë Kryeminsitrin Rama. Jo se dëgjon njeri,
por unë si dhe në raste të tjera, qoftë për liderë shqiptarë, amerikanë ose të
tjerë, nuk i kam kursyer kritikat ndaj tyre, natyrisht, nga pikëpamja, prej së
largu, e një gazetari/analisti të thjesht, shumë modest, por gjithmonë
qëllim-mirë, konstruktiv dhe kurrë ofendues, por që ia do të mirën Shqipërisë
dhe Kombit shqiptar, pa kurrfarë interesi. Në këtë frymë, as Kryeministrit Rama nuk i
kanë munguar kritikat e mia modeste, duke i dhënë “hakun” e merituar, sipas
meje, por pa ofendime. Disa nga zhgënjimet e mia me klasën politike shqiptare
në përgjithsi, i ndanë edhe Z. Rama duke qenë aq shumë vite në pushtet. Duke
njohur pak frymën e tij “revolucionare” të ditëve të para të “demokracisë”,
mendoja për një kohë se ai, vërtetë, mund të ishte një person që mund të bënte
ndryshime, sidomos, duke pasur parsysh “backgroundin” e tij familjar. Mendoja se Rama me ndonjë tjerër moshatar të
atyre ditëve të fillim viteve 1990-a, mund të ishte njeriu që mund të bënte shkëputjen
njëherë e mirë me të kaluarën komuniste dhe të dënonte krimet e komunizmit
enverist. Në të vërtetë, Rama, Berisha dhe disa të tjerë aktivë në politikën shqiptare
“post-komuniste”, me entuziazmin e tyre, kishin “bindur” disa nga zyrtarët dhe
diplomatët amerikanë se ishin ata që do bënin ndryshimin, se Shqipëria e vitit
1991, duke marrë parasysh se çka kishte hjekur nga komunizmi, do të ndryshonte
aq shpejt sa nuk ta merr mendja. Unë i këshilloja, kolegët amerikanë, “let’s
wait and see” – presim e shohim. Unë jam duke pritur gjithnjë – që nga vizita
ime parë në Tiranë me delegacionin e Departmentit të Shtetit (mars/prill 1991).
Fatkeqsisht, ndryshimi që pritej -- krijimi i një shteti demokratik e funksional
me liri të plota -- që prisnin ata, nuk ka ndodhur deri më sot. Kundërshtimet e
mia me politikat e Z. Rama kanë qenë disa -- të karakterit të brendshëm dhe të
jashtëm -- por vetëm dua të përmend ato më të rëndësishmet dhe më të dëmshmet në
mendimin tim, gjatë viteve: “Ballkani i Hapur”, uroj që të ketë dështuar
përgjithmonë dhe të mos rikthehet. Miqësia e tij me autoritarë ballkanas dhe të
tjerë -- të deklaruar botërisht -- si Vuçiqi, Erdogani, ndërkohë që të dy
pretendonin se: “Kosova është Serbi”, nga njeri e, “Kosova është Turqi”, prej
tjetrit. Flirtime, madje edhe me Rusinë e Kinën. Kërcënimet e Z. Rama dikur, me
fjalë, ndaj Evropës dhe Perendimit (Shteteve të Bashkuara)—me qëllim për të
trembur evropianët -- se Shqipëria ka “alternativa të tjera”, ishin të
papërgjegjshme. Sidomos marrëdhëniet e tija me Vuçiqin dhe me Beogradin zyrtar,
duke anashkaluar Prishtinën zyrtare, në bisedimet e tija me ta për Kosovën. Zhvillimi
normal i marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Kosovën gjatë viteve të fundit, le
shumë për t’u dëshiruar. Ndërkohë që qeveria Rama meriton kredi për nënshkrimin
e
marrëveshjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes,
ndonëse një akt i vonuar. Megjithse më duket mua se ishte një ide që e kishte
zanafillën diku tjetër, por më mirë vonë se hiç. Lënja pas dore e marrëdhënieve
me Kroacinë mike – në favor të Serbisë – ishte diçka e pakuptueshme – duke marrë
parsysh lidhjet miqësore historike midis shqiptarëve dhe kroatëve. E vërteta është i nderuar
Gëzim, se po të jemi të sinqertë me veten tonë dhe politikanët shqiptarë të
jenë transparentë dhe të ndershëm me votuesit shqiptarë e të pranojnë dështimet
dhe zhgënjimet e shqiptarëve-- me politikat e tre dekadave të kaluara –atëherë
e gjithë politika shqiptare do duhej të fillonte nga zero. Duhet ta pranojnë të
gjithë se punët nuk kanë shkuar aspak mirë nga sa prisnin shqiptarët por edhe
miqët perëndimorë në periudhën e tranzicionit politik nga sistemi komunist në “demokraci”.
Në radhët e shqiptarëve zhgënjimet janë të mëdha, megjithse, në vazhdimsi, shqiptarët
vazhdojnë të votojnë për të njëjtit liderë dhe për të njëjtat parti. Kështuqë,
edhe vet votuesit shqiptarë duhet të ndjejnë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë
e veta për gjëndjen e krijuar, në të cilën është katandisur Shqipëria
“post-komuniste”, ashtuqë në atë vend të ndodhi më në fund ndryshimi i pritur
prej 35 vitesh, para se të boshatiset vendi.
GM: Duket qartë që mediat kryesore në Shqipëri e kanë humbur
misionin e tyre, duke mbrojtur korrupsionin, në të cilin janë përfshirë edhe
vetë. Shqipëria dhe shqiptarët po vidhen nga banda të ndryshme, që nga banditët
politikanë, banditët biznesmenë, deri te banditët gazetarë. Pronarët e mediave
kryesore dhe gazetarët shiten e blihen, të zhytur thellë në errësirën e
anti-gazetarisë. Megjithatë, cili është mendimi i një gazetari që për shumë
dekada e ka ushtruar këtë profesion në vendin më demokratik të botës?
FSH: Liria e shtypit
ka qenë dhe është për mua ndër subjektet shumë afër zemrës e që jam përpjekur ta
tratoj dhe ta mbroj gjatë viteve e dekadave. Natyrisht, nga një këndveshtrim
amerikan, ku liria e shtypit sipas kushtetutës u jep individëve dhe organizatave
të drejtën dhe lirinë për të shprehur, për të botuar dhe për të shpërndarë informacionin,
idetë dhe opinionet, pa pasur frikë nga censura ose nga ndërhyrjet e pushtetit
qeveritar ose shtetëror: Në rolin e
gazetarisë së lirë, një garanci kjo në amandamentin e parë të Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara. Duhet theksuar se sipas ekspertëve ndërkombëtarë të
medias, në vitet e fundit, liria e shtypit ka pësuar rënie të dukshme, anë e
mbanë botës. Por ne na “shkon gjuha aty ku dhemb dhëmbi”, e që është liria e
shtypit në Shqipërinë tonë. Jam dakort
me të gjithë përshkrimin që i bën gjëndjes së mjerueshme të medias sot në
Shqipëri, “të zhytur thellë në errësirën e anti-gazetarisë” -- me ndonjë
përjashtim aty këtu. Pasi të gjithë e dimë këtë situatë të shtypit atje, nuk
dua të përsëris atë që dihet, botërisht, kryesisht nga vet shqiptarët, por që
është pasqyruar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë organizata
perëndimore që luftojnë dhe mbrojnë lirinë e shtypit në mbarë botën. Prandaj
preferoj të them dy tri fjalë se si do e doja unë shtypin dhe median shqiptare
në përgjithsi. Natyrisht, se pikëspari do e doja median shqiptare në liri të plotë
veprimi pas asnjë kufizim me ligj as me censura personale por në përputhje të
plotë me standardet më të larta ndëkombëtare të lirisë dhe të drejtave të
njeriut. Më kujtohet, kur kam filluar
punën në Zërin e Amerikës në vitin 1974, drejtori i atij enti gazetaresk për
Evropën, në paraqitjen e parë, më tha se roli i parë i gazetarisë së lirë
është, natyrisht, informues, por në të njëjtën kohë edhe edukues. Kjo thënje më
ka mbetur në mendje gjithë jetën profesionale timen dhe është përforcuar nga të
mëdhejt e Kombit shqiptar si At Gjergj Fishta dhe të tjerë, se si ata, në kohën
e tyre, e kanë shikuar dhe përcaktuar rolin e një shtypi të lirë, me të cilin
unë jam dakort, e që do ishte shumë mirë që të adaptohej nga gazetarët e sotëm
shqiptarë kudo. Prandaj, nëse më lejohet
– ndjesë se po del pak e gjatë përgjigja andaj kësaj pyetjeje, por besoj ia
vlen. Pasi përemenda Fishtën, si shembull, se “Me
pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut” -- shkrimtarin e
gazetarin ai i ka konsideruar si edukatorë të Kombit shqiptar. Ndërsa shtypin e
lirë si një armë të fortë që duhet përdorur mirë, pa e abuzuar, si katedër
edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, ndër të tjerë të brezit të tij, duke
folur për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit, ose mbi “rolin e
fletoristëve”, gazetarve: “Gjithkush e di
fuqinë e madhe që kanë fletoret në shpirtin e nji populli. Këto janë ato që
shëndrisin mendjen e nji populli dhe drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit
dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet që këto të jenë shkrue e rregullue mirë.
Për ndryshe, në vend që me kenë faktor i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i
shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit
në një shoqëri, si ajo shqiptare. Fishta besonte në rolin pozitiv të
gazetarit dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si
vatra të atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si
armë mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur ekzistencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të
mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar Fishta për rolin e shtypit të lirë
dhe gazetarëve. Ndërsa, studiuesi dhe
njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si poet e prozator,
i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerzve të pendës Fishta priste
shumë: “Mbi të gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në
sjellje, guxim në punë, sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në
shpërblim. Ata lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij
karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe
njiherit të rysun, të disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për
punë.” Jam dakort me ty Gëzim
se mediat kryesore në Shqipëri, por edhe më gjërë e kanë humbur misionin e tyre,
si informues dhe edukues, Shqipëria dhe shqiptarët do ishin shumë më mirë sot
nëse mediat shqiptare do punonin dhe vepronin sipas porosive dhe në frymën e të
Gjergj Fishtës. Ashtu si në kohën e tij,
At Gjergj Fishta edhe sot do theksonte me forcë rolin e shtypit të lirë në
formimin e gjithanshëm të Kombit shqiptar. Më thoni se si do ishte sot shqiptaria
nëse media do të kishte kryer me përgjegjësi rolin e saj – të mbrojtësit të së vërtetës dhe farkues të karakterit kombëtar
fisnik duke qenë në nivelin e detyrës së lartë të gazetarisë, të
përcaktuar nga Gjergj Fishta, më shumë se një shekull më parë”?
'Sa herë flitet për teatrin, në çdo ditë a çdo stinë, më del para syve të mendjes kjo foto e tim biri, Blendi Shahu.' (Rexhep Shahu - Shkrimtar, Botues)
GM: Shembja e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, që ndodhi në
vitin 2020, shkaktoi një debat të madh publik, duke u konsideruar edhe si
viktimë e korrupsionit. Teatri, një ndër ndërtimet më të njohura dhe me rëndësi
historike për kulturën e Tiranës, u shemb nga autoritetet lokale dhe qendrore,
konkretisht nga Erion Veliaj dhe Edi Rama. Akti i dhunshëm, i cili vë në dyshim
edhe qytetarinë e Tiranës, ndodhi natën, rreth orës 4 të mëngjesit, me ndihmën
e dhjetëra apo qindra policëve, të cilët, të urdhëruar, dhunuan edhe artistë
dhe qytetarë. Si e shikoni këtë primitivizëm dhe a mendoni se autorët e këtij
krimi, të paktën, duhej të shembeshin politikisht?
FSH: Me të thënë të drejtën, shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë në atë kohë, edhe për nga mënyra se si u bë gjatë natës dhe për nga mos reagimi nga shoqëria e gjërë, me përjashtim të ndonjë grupi të vogël artistësh e qytetarësh, më ka kujtuar shembjen nga talebanët të statujave të Budës në Afganistan, (2001), një akt që në atë kohë tmerroi botën e qytetëruar. Më vjen keq të them, megjithse e kam thenë shpesh, se shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte vetëm një akt i vogël në serinë e një historie të dhunshme ndaj kulturës dhe identitetit historik shqiptar, një trashgimi komuniste e shkatërrimit të thesarit kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. Ai akt terrorist, është në vazhdimsi të akteve barbare në trojet shqiptare që nga periudha osmane, por sidomos gjatë komunizmit, e deri në ditët e sotme. Si është e mundur një grup që kryen akte të tilla konsiderohet si një grup normal zyrtarësh aktualë?! Si është e mundur që kjo klasë politike e 35 viteve të kaluara konsiderohet normale, ndërkohë që deri më sot nuk ka dënuar, zyrtarisht, dhunën kulturore dhe historike të komunizmit, demët e mëdha ndaj letërsisë shqiptare të para komunizmit por edhe të letërsisë botërore. Pse të çuditemi për shembjen e Teatrit kur këta zyrtarë të shtetit e të qeverisë nuk riabilitojnë, zyrtarisht, (jo se kanë bërë gjë të keqe të shkretët) shkrimtarë, poetë, artistë e shumë e shumë intelektualë të fushave të dijes e të kulturës shqiptare që komunizmi i ka pushkatuar, i ka mënjanuar ose përjashtuar nga jeta kulturore e shekullit XXI. Ku është zemërimi popullor? Më fal, se nuk dua të minimizoj shembjen e Teatrit Kombëtar, por disa nga burrat e letërsisë, artit e kulturës së Kombit – të zhdukur nga komunizmi -- janë shumë më të mëdhej se Teatri Kombëtar, si individë dhe me veprat e tyre, por që vazhdojnë edhe në “demokracinë” shqiptare sot, të trajtohen ashtu si nën komunizëm -- të dënuar për jetë, se kështu i donte Enver Hoxha, të përjashtuar e të harruar përgjithmonë. Diktatura mund të jetë varrosur, sipas këngës popullore, por diktatorët nuk janë groposur. Ata vazhdojnë të shembin. Shikoni se ç’po ndodh sot, në përgjithsi, me trashëgiminë kulturore anë e mbanë Shqipërisë?!
Shembja talebane e Teatrit Kombëtar ishte një sulm
ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare që duhet dënuar, por duhet të shikohet si
pjesë e një dënimi më të përgjithshëm të mbytjes së artit, kulturës dhe
letërsisë, përfshirë periudhën e zezë komuniste. Nuk është për mua të them se ç’duhet
bërë me autorët e këtyre krimeve kombëtare, pasi nuk kam të drejtë vote në
Shqipëri, “nëse do duhej të shembeshin politikisht” ose jo. Fjalën e fundit për
këtë duhej ta ketë drejtësia. Në një
shoqëri normale duhej të pranoheshin krimet dhe për krime të tilla, të kërkohet
falje. Unë nuk besoj se shqiptarët janë në gjëndje të reagojnë, të paktën
kështu e kanë provuar, historikisht, ndaj këtij primitivizmi anti-kulturor. Për
këtë që po them dua të përdor një citim që nuk më kujtohet autori, por që përputhet
me rastin për të cilin flasim. Se kur vritet historia, kur vritet gjuha, kur
vriten udhëheqsit politikë, kur vriten intelektualët, kur vriten udhëheqsit
fetarë të një populli, atëherë, me atë popull i cili nuk ka më një histori të
veten, mund të bëhet çfarë të duash. Shëmbja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, që e
provon këtë, është vetëm një shembull i vogël i një shkatërrimi më të madh të
trashëgimisë kulturore kombëtare të shqiptarëve, gjatë shekujve, përfshirë dekadat
e fundit – sidomos në periudhën e komunizmit, e deri në ditët e sotme.
GM: Një gazetar i njohur, deri dje ambasador, dikur
shprehej: “Të bashkohen të gjitha qelbësirat për të mundur Berishën”. Edi Rama
e bëri këtë realitet, duke mbushur Parlamentin me individë me rekorde kriminale
- përfaqësuesit tanë! Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Eduard Shalsi,
premtonte: “Ne nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante si këta”. Por
realiteti tregon një dimension të ri të korrupsionit, ku rastet publike si
inceneratorët, tenderat, pastrimi i parave, betonizimi dhe abuzimi me pasuritë
publike flasin vetë. Në Shqipëri, ndërtimi i një kilometri rrugë kushton disa
herë më shumë se në SHBA dhe dhjetë herë më shumë se në Kroaci. A e meriton Edi
Rama të votohet sërish?
FSH: E përsëris edhe
njëherë, nuk është për mua të them se kush e ke duhet të votohet në Shqipëri,
me këtë rast ose në raste zgjedhjesh të tjera. Kjo është dhe duhet të jetë një
e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e votuesve shqiptarë me të drejtë vote – në
zgjedhje të lira e demokratike e në përputhje me standardet ndërkombëtare të
botës demokratike. Dihet botërisht tani se niveli i korrupsionit në Shqipëri
është i lartë në të gjitha entet qeveritare e shtetërore të Shqipërisë –
ndërkohë që vendi renditet ndër më të korruptuarit në Evropë dhe ndoshta në
botë, së bashku me si-motrat vende ballkanike, Serbia, Bosna-Hercegovina e
Turqia, ndër të tjera. Dihet se korrupsioni është vetëm një prej problemeve të
shumta me të cilat përballet shoqëria shqiptare, por të cilat rrënjët i kanë në
korrupsion, e që janë papunësia, imigrimi masiv, shërbimi shëndetsor, siguria
dhe arsimi, ndër të tjera. Për t’iu përgjigjur pyetjes tënde i dashur Gëzim,
shqiptarët kanë mjaft arsye për të pyetur veten nëse qeveria e Edi Ramës meriton
të votohet rishtas, ose të votojnë rotacionin duke i dhenë besimin e qeverisë
së ardhshme opozitës së tanishme, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në
zgjedhjet e 11 Majit. Mund të them vetëm se nga këndveshtrimi im, si një
shqiptaro-amerikan që ia do të mirën atij vendi dhe Kombit shqiptar – ka ardhur
koha që shqiptarët të zgjohen dhe të veprojnë urgjentisht për t’i thenë mjaft kësaj
politike shkatërruese dhe minuese të interesave kombëtare. Në krye të listës,
natyrisht, t’i jepet fund korrupsionit zyrtar i pranishëm në të gjitha nivelet
qeveritare, sipas organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Korrupsioni, sipas
ekspertëve, nuk është një fenomen i vetëm që vepron në një “vakuum” të jetës
shoqërore i ndarë nga sfidat e tjera me të cilat përballet një vend me
korrupsion të lartë, siç është Shqipëria. Ata pretendojnë se korrupsioni masiv
është i lidhur drejtpërdrejt me kufizime të ndryshme të të drejtave bazë të
njeriut dhe me sulme kundër hapësirës civile. Dhe më keq, korrupsioni tenton të
luftojë liritë bazë dhe si rrejdhim, kjo situatë e krijuar kërcënon më në fund
sigurinë, stabilitetin shoqëror e politik, por mbi të gjitha rrezikon demokracinë
dhe të drejtat kryesore bazë të njeriut. Prandaj, si rrjedhojë, unë besoj se
votuesit shqiptarë kanë mjaft arsye që me 11 Maj të shkojnë në votime dhe të
hedhin votën e tyre për kandidatët ose partitë që secili prej tyre, me
ndërgjegjen më të lartë qytetare, mendon se mund të zgjidhi problemet aktuale
të Shqipërisë, sidomos, korrupsionin zyrtar, që në mendimin tim është nëna e të
gjitha të zezave të tjera në shoqërinë shqiptare, por jo vetëm. Pyetjes tuaj: A e meriton Edi Rama të votohet sërish? -- votuesi shqiptar
duhet të përgjigjet me një pyetje të veten: A jam sot më mirë se ç’isha para
tre mandateve të Kryeministrit Rama? Por pyetja më me rëndësi për të gjithë
shqiptarët është: A është Shqipëria sot më mirë se ç’ishte para ardhjes në
pushtet të Partisë Socialiste, me në krye Edi Ramën? Varësisht përgjigjes së
shqiptarëve ndaj kësaj pyetjeje le të votojnë me ndërgjegjen më të lartë morale
dhe politike për të mirën e vetes, të familjes së tyre dhe Shqipërisë.
GM: Nuk besoj se ka ndonjë qytetar mendjekthjellët që është
kundër arrestimit, gjykimit dhe dënimit të individëve që kanë vjedhur ose
krijuar pasuri të paligjshme. Megjithatë, arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta
dhe mënyra se si u realizua ky arrest ngre pyetje dhe shqetësime për shtetin që
kemi ndërtuar. A është ky akt një shenjë e shpellarizimit të institucioneve
tona?
FSH: Siç thashë edhe
më lart, korrupsioni është nëna e të gjitha të zezave dhe si i tillë korrupsioni
në Shqipëri, konsiderohet se ka prekur më së shumti sistemin e drejtësisë dhe
gjykatat në atë vend. 81% e shqiptarëve, sipas Transparency International
mendojnë se sistemi i drejtësisë është i
korruptuar. Jam dakort me ty se arrestimi i ish-presidentit Meta – për mënyrën
se si u bë, nuk ishte i denjë për një vend që e quan veten demokratik, ndërsa
njollosë reputacionin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për
antare e Bashkimit Evropian. Pa marrë parasysh se cilat janë akuzat ndaj Z.
Meta, arrestimi i tij, para botës së qytetëruar, u duk si një rrëmbim me forcë
i një hajduti, një veprim i paparë arrestimi ndaj një antari të opozitës
politike, në Evropën demokratike.
GM: Protesta e dhunshme e 21 janarit 2011 u zhvillua pas
publikimit të një videoje, ku Ilir Meta, në atë kohë zëvendëskryeministër,
shihej duke diskutuar për korrupsion dhe afera të dyshimta. Gjatë asaj proteste
u vranë katër qytetarë të pafajshëm. Më vonë, Rama bëri koalicion me Metën, i
cili u bë Kryetar i Kuvendit. "Shpërblimi" i Ramës ndaj Metës nuk
ndaloi derisa ky i fundit u bë President. Ky është një nga rastet më tragjike,
ku politika e shfaq hapur imoralitetin e saj. Cili është këndvështrimi juaj?
FSH: Shiko, kur
flitet për imoralitet as politika shqiptare nuk dallon shumë nga politikat në
çdo vend tjetër të botës. Në Shqipëri mund të jetë e një niveli shumë më të
lartë se në disa vende të tjera, Por “Në
politikë nuk ka moral, ka vetëm dobi e përfitim, gjëra që lehtëson politika”,
ka thenë Lenini. Ndërsa për Machiavellin, “Politika
nuk ka asnjë lidhje me moralin”. Ndërsa ish-Presidenti amerikan Ronald
Reagan ka thenë të kundërtën: “Morali e
politika janë të pandara nga njëra tjetra… Ndërkohë që baza e moralit është
feja, atëherë feja dhe politika, domosdoshmërisht, janë të ndërlidhura me njëra
tjetrën…”. Reagan ka thënë
gjithashtu se nuk ka zgjidhje të lehta kur vjen puna tek morali e politika,
por, ata që i bashkohen politikës duhet të kenë kurajon morale për të bërë më
të mirën që mundën në politikë. Ndërkaq, ish-Kryeministrja britanike Margaret
Thatcher citohet të ketë thenë se i kishte “hyrë
politikës për arsye të konfliktit midis të mirës dhe të keqës, në këtë botë, duke
besuar se më në fund, e mira do të triumfojë”. Fatkeqsisht, për shqiptarët,
politikanët e tyre, kryesisht, kanë zgjedhur t’i futen politikës pa moral,
bazuar në interpretimet e Leninit dhe të Machiavellit -- për dobi e përfitim --
dhe jo me idenë se, “morali dhe politika” duhet të jenë të pandara, ashtuqë e
mira të triumfojë mbi të keqën. Përgjithësisht,
fjala politikë, kudo në botë, konsiderohet si një fjalë e ndyrë dhe një
profesion i padëshirueshëm (përveç në Shqipëri ndoshta) por nuk duhet të jetë
kështu. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për politikanët shqiptarë të gjitha
ngjyrave. Historikisht, mungesa e
moralit në politikë çon jo vetëm drejt korrupsionit në nivelet më të larta
politike – që vlersoj se është shqetsimi kryesor i pyetjes tënde -- por edhe shkakton
konflikt, dhunë e deri në shpërthim konfliktesh fizike dhe politike. Në një
atmosferë për të cilën kemi qenë e jemi dëshmitarë gjatë regjimit barbar të
diktaturës komuniste, por edhe në tre dekadat e tranzicionit “post-komunist”,
në Shqipëri. Zhvillimet politike dhe marrëdhëniet ndërpartiake, përfshirë
konfliktet midis tyre, vetëm pasqyrojnë një mungesë të thellë të moralit në
politikë, gjë që ka rezultuar në një atmosferë politike të dobët e cila vetëm
promovon korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e krimit.
GM: A mund të shihet mbyllja e Agon Channel (2013-2015) si
një akt politik për censurimin e medias së pavarur, duke marrë parasysh
vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila detyron Shqipërinë të
dëmshpërblejë Francesco Becchettin me 110 milionë euro, akuzat për presion ndaj
gazetarëve nga Erion Veliaj dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama për
financimin e dyshimtë të këtij televizioni dhe lidhjet e tij me aktivitete
kriminale ekonomike?
FSH: Kam dëgjuar për
këtë rast, por nuk jam në dijeni të informacionit të sakt dhe hollësive në
lidhje me këtë çeshtje, prandaj hezitoj të komentoj për këtë rast. Por më duket
se edhe ky rast ishte në vazhdën e masave të njëpasnjëshme të fushatës së
qeverisë së Kryeministrit Rama, gjatë tre mandateve të tija, kundër lirisë së
shtypit dhe medias shqiptare, në përgjithësi. Liria e shtypit ka qenë dhe
mbetet një subjekt i rëndësishëm për tu trajtuar, sidomos, për një shoqëri si
Shqipëria, ku liria e shtypit as liritë demokratike në përgjithsi, nuk kanë një
histori për të cilën politikanët e të gjitha ngjyrave mund të ndihen krenarë. Shpesh
e kam thenë se liria e shtypit, ka qenë dhe mbetet edhe sot e kësaj dite një
ferrë në sy të politikanëve shqiptarë, pa dallim, që nga diktatura komuniste e
deri në ditët e sotme. 35 vjetë tranzicioni post-komunist politikanët shqiptarë
nuk e kuptojnë ende idenë e lirisë së shtypit si një e drejtë themelore dhe gur-themel
i demokracisë së vërtetë. Thjesht, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë një
periudhë historie me përvojë të lirisë së shtypit, për të cilën mund të jenë
krenarë. Kryeministri aktual i është referuar, vazhdimisht, medias shqiptare si
një “kënetë mediatike”. Natyrisht, se sulmet kundër lirisë së medias janë
politike për nga natyra dhe besoj se edhe mbyllja e Agon Channel-it, të cilit
ju i referoheni specifikisht, duhet të ketë qenë pjesë e asaj frike që
pushtetarët shqiptarë kanë ndaj një enti vërtetë të lirë mediatik, opozitar.
Gjatë viteve të tranzicionit politik në Shqipëri, nuk besoj të ketë pasur kritika
e sulme ndaj ndonjë veprimtarie politike a shoqërore, sa ç’ka pasur kundër
lirisë së shtypit (medias) dhe fjalës së lirë. Sa janë përpjekjet dhe masat
ligjore që janë ndërmarrë gjatë viteve për të penguar, kufizuar dhe mbyllur gojën
shtypit dhe mediave në përgjithsi, në vend që të mbrohet, të kultivohet dhe të zbatohet
liria e fjalës, si një prej lirive bazë e të drejtave universale të njeriut. Prandaj edhe mbyllja e Agon Channel
(2013-2015) nuk më duket asgjë tjetër veçse një akt politik për censurimin e
medias së pavarur në Shqipëri. Një grabitje, e paligjshme, siç bënte dikur regjimi komunist kur merrte me
forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime të veta. Ashtu edhe ky
veprim është i njëjtë në thelb -- megjithse në një fushë tjetër, fushën e
lirisë së fjalës duke i mbyllur gojën shtypit të lirë.
GM: Këtë pyetje e ndryshova, sepse në kohën kur e kisha
përgatitur, nuk kishte ndodhur ende zhvillimi pozitiv: arrestimi dhe burgosja e
Erion Veliajt. Nuk kanë munguar fyerjet dhe kërcënimet nga Veliaj, nga burgu,
siç nuk kanë munguar as nga prijësi i opozitës dhe kryeministri, të cilët
respektivisht kërcënuan me mbylljen e SPAK-ut dhe “dalje nga shinat
kushtetuese”! Si e vlerësoni ju punën e Strukturës së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)?
FSH: Në lidhje me
këtë pyetje, nuk dëshiroj të komentoj raste të veçanta – as indidvidësh as të
tjera – sidomos ato që janë në proces e sipër hetimesh ose gjykimi. Por dua të
them se unë shpesh kam shfaq rezervime, publikisht, në shkrimet e mia modeste
gjatë viteve të kaluara ndaj mënyrës së veprimit dhe të seleksionimit të zyrtarëve që
punojnë në atë ent, që disa prej tyre
ishin shpallur “kampion të drejtësisë” – ish-prokuror të komunizmit – çfarë
talllje me drejtësinë dhe me shqiptarët. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kritik, jo për
ekzistencën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar (SPAK), sepse një ent si ky duhej si i domosdoshëm në Shqipëri, por
për mënyrën se si ka vepruar në të kaluarën dhe për përzgjedhjen e disa prej
zyrtarëve të këtij enti – sidomos ata me një të kaluar të dyshimtë, si prokuror
ose gjykatës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Kjo është një çeshtje
kredibiliteti. Thuhet se Shqipëria ka më
shumë prokurorë e gjykatës se çdo vend tjetër ish-komunist në Europën Lindore dhe
Qendrore, me edukatë dhe përvojë në “drejtësinë e popullit”, të “diktaturës
kushtetuese” të komunizmit enverist. Disa të tillë përfunduan në SPAK, për fat
të keq me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Me
premtimin se Shtetet e Bashkuara do të
qëndrojnë krah SPAK-ut në përpjekjet për të ndryshuar kulturën e ngulitur të
korrupsionit dhe të pa ndëshkueshmërisë së krimit të lidhur me korrupsionin në
Shqipëri. Unë e di se reforma në drejtësi, sidomos në Shqipëri, nuk është e lehtë,
as e shpejtë, por si taksapagues
amerikan kam qenë dhe jam i shqetësuar se disa prej të cilëve sot pritet të
realizohet reforma në drejtësi me fondet amerikane dhe evropiane, të pakën deri
tani, janë pikërisht të njëjtit që me dekada kanë penguar zhvillimin e reformës
në drejtësi në Shqipëri dhe disa që kanë punuar në ish-regjimin komunist.
Sidomos në një shoqëri si Shqipëria e cila ç’prej themelimit të saj nuk ka parë
kurrë drejtësi, e sidomos për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm, të gjithë jemi
të vetdijshëm se drejtësia, liria dhe barazia janë faktorë të rëndësishëm që
një shoqëri të shkojë përpara. Pyetja është se si të arrihet ky qëllim. Me SPAK
ose pa SPAK, unë nuk besoj se përfaqësues të “gardës së vjetër” të “drejtësisë
popullore” të diktaturës komuniste, mund të sjellin reformën në drejtësi, paqën
dhe pajtimin në Shqipëri.
Prandaj
nuk besoj se janë nostalgjikët e atij sistemi kriminal, qofshin ata në politikë
ose në sistemin juridik, që mund të bejnë ndryshimin e madh në këtë fushë. Në Amerikë
përdoret fraza: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky ka qenë
mendimi im për SPAK- dhe për drejtësinë shqiptare të këtyre 35-viteve, në
përgjithsi dhe i tillë mbetet edhe sot.
GM: Le të humbasim për një moment në një ëndërr të bukur dhe
të imagjinojmë se individi Edi Rama nuk është i korruptuar. Zgjimi në realitet
do të ishte tepër i trishtueshëm, sepse ai është i rrethuar nga një numër i
madh të korruptuarish, nga punonjës të thjeshtë deri te deputetët, kryetarët e
bashkive dhe ministrat. Po flas vetëm për faktet publike: të akuzuar, hetuar
dhe dënuar. Duke thënë këtë, duket se Rama është i preferuari i popullit, pasi
protesta jo-politike nuk ekziston në Shqipëri. Në rastin më të mirë, ai nuk
mbron paratë e qytetarëve - qindra miliona euro, apo edhe miliarda. Çfarë
mendoni se duhet të ndodhë që qytetarët jo-partiakë të protestojnë kundër
vjedhjes që u bëhet? Dhe cili mendoni se është niveli i qytetarisë në Shqipëri?
FSH: Shqipëria është një rast unik në këtë aspekt. Po, shqiptarët kanë qytetërim e kanë kulturë, por protesta ndaj qeverisjes së keqe, korrupsionit e vjedhjeve, nuk më duket të jetë një prej tyre. Unë besoj në fuqinë e të pafuqishëmve, siç është shprehur dikur Vaclav Havel, por edhe në protestën si një e drejtë civile dhe një forcë morale për të detyruar bërjen e ndryshimeve në shoqëri. Jo se shqiptarët nuk kanë protestuar: duhet të kujtojmë protestën e madhe me rastin e shembjes së monumentit të Enver Hoxhës, protestat e tjera të stutentëve në ato vite dhe ato në Shkodër e gjetiu pas shembjes së Murit të Berlinit. Edhe vitet e fundit ka patur protesta të vogëla, nga studentët, nga pedagogët ose edhe ato të organizuara nga Partia Demokratike në opozitë, e që kanë zgjatur jo më shumë se 2-3 orë. Por këto “protesta” nuk kanë mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e pushtetit në Tiranë. Protestat e qytetarëve shqiptarë duken si lojë fëmijsh në krahasim me protestat e qytetarëve në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara, ku protestat shpeshherë kanë shkundur sistemin deri në themel dhe kanë realizuar plotësimin e kërkesave të protestuesve, nganjëherë edhe duke detyruar ndryshimin e sistemit politik. Protestat e Martin Luther Kingut për të drejtat e afrikano-amerikanëve në Amerikë shekullin e kaluar, ishin të një natyre biblike dhe reflektuese dhe shembull edhe për situatën aktuale kudo në botë, pa përjashtuar as Shqipërinë. Në protestat e tija, Martin Luther King fliste për vlera morale dhe njerëzore, por dhe për të drejta universale të përbashkëta, për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh, politikën, racën, fenë ose origjinën etnike të njerzëve. Ndër shqiptarë, dëgjohet shpesh fraza “koha do e bëjë të vetën”, kur është fjala për ndryshime rrënjësore në shoqëri. Por koha, as demokracia nuk presin pafund për zgjidhjen e problemeve të cilës do qoftë shoqëri, është shprehur Dr. Martin Luther Kingu në një prej fjalimeve të tija në mars të vitit 1968. Edhe në Shqipëri, kam dëgjuar zëra që thonë se, po probleme kemi mjaft, por me kohë do shërohen plagët dhe të gjitha problemet e shoqërisë do zgjidhen.
Koha ka thenë Martin
Luther King “Është një mit, e ky mit është se koha është
neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për
qëllime shkatërruese.” Justifikimin,
se koha do i shërojë të gjitha problemet -- forcat e errëta, ka theksuar
ai, e kanë përdorur më efektivisht, se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta
tregojë, ka thënë ai se, “Do të duhet që
ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta – dhe jo
vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre – por edhe për heshtjen e tmershme
dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrinë duarkryq”,
përballë problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria. Pa punë të rëndë dhe
pa përpjekje të vazhdueshme nga njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete,
bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe
ekonomik, është shprehur Kingu. Duke shtuar se koha për të vepruar është
tani që të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm se koha është,
gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë --
për të mirën e përbashkët. Mungesa e protestave ndaj së keqës së kaluar dhe
kësaj aktuale nga qytetarët shqiptarë mund të jetë edhe një krizë ndërgjegjeje
jo vetëm politike, por edhe morale se pse shqiptarët të cilët jo vetëm që nuk i
shikojnë protestat si një mjet i dobishëm për bërjen e ndryshimeve, por në vend
të kësaj preferojnë të presin me durim “kohën” si aleate të tyre dhe jo të
angazhohen në protesta, për zgjidhjen e problemeve madhore me të cilat
përballet vendi dhe Kombi. Prandaj, qytetarët jo-partiakë shqiptarë, por jo
vetëm duhet të jenë të vetdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatshme për të
protestuar kundër vjedhjes, keq-qeverisjes, padrejtësisë e korrupsionit, për
ndryshe, “koha” shumë kollaj bëhet aleate e ngushtë dhe e përhershme e forcave
primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik të një vendi.
GM: Dashuria e Partisë Komuniste, më pas e Partisë së Punës
dhe sot e Partisë Socialiste ndaj Serbisë është një romancë pothuajse
shekullore! Nga diktatori Enver Hoxha te Fatos Nano dhe Edi Rama. Ky i fundit,
ashtu si i pari, gjithnjë ka qenë dhe është më pranë Serbisë së serbëve sesa
Kosovës së shqiptarëve. Si e shpjegoni qëndrimin e liderëve të saj, nga Enver
Hoxha te Edi Rama, ndaj Beogradit?
FSH: I nderuar, për
mua është e vështirë ta kuptoj, prandaj është e pamundur ta shpjegoj. Nuk preferoj
të komentoj për këtë fenomen tragjik kombëtar, prej një shekulli ose më shumë,
sepse do duhej të përdorja një fjalor e një gjuhë që nuk është në natyrën time.
Unë nuk e di se nga vijnë këta njerëz, interesat e kujt përfaqësojnë në marrëdhëniet
e tyre të ngushta me Beogradin -- në kurriz të interesave dhe të drejtave
historike kombëtare dhe çka mendojnë se cilat janë të mirat që mund të vijnë
nga Beogradi e Moska përsa u përket interesat kombëtare të shqiptarëve sot dhe
në të ardhmen. Uroj që pyetjes tënde i dashur Gëzim t’i përgjigjen, eventualisht,
historianët e vërtetë të Kombit me hapjen e arkivave, me kohë. Ndoshta ka ardhur
koha që shqiptarët kudo qofshin të kërkojnë shpjegime për qëndrimet e këtyre
liderve shqiptarë dhe për marrëdhëniet e tyre me Serbinë
GM: Cili do të ishte mesazhi juaj kryesor për shqiptarët që
jetojnë në Shqipëri, duke pasur parasysh sfidat dhe mundësitë e vendit sot?
Çfarë do t’u këshillonit në lidhje me të ardhmen e tyre dhe rolin e tyre në
zhvillimin e shoqërisë?
FSH: Është një thënie
anglisht: “This is the time for e few
good men to come to the aid of their country”. Që pak a shumë do të thotë, kjo është koha për disa njerëz të mirë/vullnet
mirë, që e duan Atdheun, t’i vijnë në ndihmë vendit të vet. Kjo është koha e përshtatshme dhe e duhur edhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura,
ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për
të qenë i kënaqur në këtë jetë, është një shprehje tjetër e M. Kingut. Protesta
me këmbë e shqiptarëve, duke u larguar nga trojet shqiptare, drejtë emigrimit,
nuk është një zgjidhje. Për të shpëtuar veten, familjet e tyre dhe Kombin,
shqiptarët duhet të angazhohen në veprime më dramatike, qoftë edhe me protesta,
për t’u kujtuar politikanëve të vet, të gjitha ngjyrave e të gjitha
partive, ndryshimet e mëdha që ekzistojnë midis premtimeve të bëra gjatë viteve
dhe mosrealizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të
padukshmen të dukshme! Ndërkohë që asgjë nuk do të realizohet drejt zgjidhjes së
problemeve me të cilat përballet shoqëria sot, në qoftë se njerëzit vullnetmirë,
rrinë duarkryq, përball problemeve madhore ekzistenciale të Kombit, me shpresën
se koha, eventualisht, “do e bëjë të vetën”, do t’i zgjidhë problemet. Duke ndjenjur
duarkryq, koha bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit
shoqëror, politik dhe ekonomik, ka thenë Matin L King. Ndërsa unë kam vazhduar të paralajmëroj, me
vite tani, se “Demokracia nuk pret”! Shqipëria mbetet, gjithnjë “pjesërisht e lirë”,
35-vite pas shembjes së komunizmit zyrtar.