Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV)
E merkure, 16.07.2025, 05:00 PM
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN BEDRI TAHIRI (IV)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në këtë pjesë të katërt të intervistës ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri, do të zbulojmë rrënjët e hershme të pasionit të tij për shkrimin, temat që e kanë shqetësuar dhe frymëzuar që në fillimet e tij, si dhe mënyrën se si zgjedh personazhet të cilëve u jep jetë përmes penës. Do të ndalemi te burimet e shumta të frymëzimit që kanë formësuar një opus kaq të larmishëm, që përfshin poezi, ese, tregime, romane, monografi dhe studime historike, si dhe te momentet më të rëndësishme që kanë shënuar karrierën e tij të pasur.
Ky rrëfim do të na japë një pasqyrë më të thellë mbi vizionin e tij letrar, mesazhet që synon të përcjellë, ndikimin e bashkëpunimeve me autorë të tjerë dhe pasurinë tematike e gjeografike që e bën veprën e tij unike. Po ashtu, do të ndalemi te aktet e tij simbolike dhe domethënëse, si kontributi për Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari”, si dhe rëndësia e pjesëmarrjes së tij aktive në simpoziume dhe forume shkencore.
GM: Kur filluat të shkruani për herë të parë dhe cilat ishin temat që ju
preokuponin në fillimet tuaja si shkrimtar?
BT:
Që të merresh me shkrime, se pari duhet të lexosh. Të lexosh shumë e shumë që
ta formosh konceptin e të perceptuarit për të hartuar. Është e pamundur të
lexosh një libër e t’i shkruash dy, siç është shprehur me ironi në një emision
shkrimtari i shquar Ymer Berbati!
Në
fillim lexoja çka më binte në dorë, ndërsa më vonë fillova të përzgjedh. Kurse
autorët fillestarë që më nxitën të shkruaj ishin autorët e traditës, të cilët
me kulturën e tyre arritën ta mbajnë gjallë frymën kombëtare. Zakonisht më
pëlqente të lexoja librat që kishin tema historike, sepse nga to mësoja. Nga
Drenica ishin: Mehmet Kajtazi, Daut Demaku, Nebil Duraku, Behram Hoti, pastaj
Nazmi Rrahmani, Murat Isaku etj., që më shtynë t'i rrekem fushës së letërsisë.
Kurse më vonë dashuria për letërsinë lindi nga autorët e Shqipërisë, siç ishin:
Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., por edhe poetët e shkrimtarët
e ndaluar të asaj kohe. Kur e kam lexuar Sylejman Krasniqin, sidomos veprat e
tij “Prijësa
e komiteve'' dhe “Mic Sokoli”, pastaj vprat e Ajet
Haxhiut “Azem dhe Shotë Galica'',
''Hasan Prishtina'' e ''Bajram Curri'', sikur tërë vëmendja
mu kthye nga historia jonë kombëtare. Kështu që veprat të cilat na i ndalonin
na nxitnin edhe më shumë që t'i lexonim. Këta ishin autorët të cilët lanë
mbresa të pashlyeshme në kujtesën time dhe mund të themi se ishin mësuesit e mi
të parë në fushën e letërsisë.
Siç
e kam theksuar edhe më përpara, dashuria
për historinë dhe letërsinë më kishin lindur herët. Qysh kur isha fëmijë, më
pëlqente të rrija nëpër oda dhe të dëgjoja rrëfimet e pleqve për ngjarje e
ndodhi historike apo këngëtarët kur u thurnin lavdi heroizmave të të parëve
tanë që kurrë nuk u pajtuan me robërinë. Rrija deri pasmesnate, në tymnajën e
krijuar nga duhanxhinjtë e pangopur dhe të nesërmen mezi më dilte gjumi për në
shkollë. Aty mësova e ç’nuk mësova. Mbamendja ime mbushej e mbushej. Interesimi
im i habiste edhe burrat, saqë, dikur me lejonin të qëndroja aty edhe kur nuk
ishte vendi për fëmijë. Isha i privilegjuar. Rrija mbi parmak dhe mbaja edhe
shënime, si të isha procesmbajtës...
Kjo
dashuri mu shtua edhe më në shkollë të mesme e veçanërisht në fakultet. Tashmë
edhe profesioni më nxiste të punoja më shumë në këtë fushë. Seminari im nga
letërsia popullore u vlerësua lart nga dr. Shefqet Pllana. Pata mbledhur lëndë
folklorike, prozë e poezi, nga tregimtarë të ndryshëm, ndër të cilët shquhej
dijetari Hajdar Smajli-Kozhica. Një pjesë të tyre ia tregova edhe të madhit
Anton Çetta...
Dhe,
leximi i vazhdueshëm i literaturës shqipe e asaj botërore, cyste korën time trunore që edhe vetë të krijonte
diç. Kështu zura të shkruaja tregime e poezi, të cilat i mbaja të ndryera. Nuk
kisha besim tua lexoja as shokëve...Një poezi e publikova në revistën e
Gjimnazit në Skënderaj që quhej “Shkëndijat e Drenicës”. Kjo ndrydhje
në vetvete vazhdoi deri vonë.
Pasi
diplomova iu rreka punës së një monografie për kryetrimin e shqiptarisë,
heroin e vendlindjes sime, Azem Bejtë
Galica. Përfytyrimin për të e kisha krijuar kaherë, qoftë nga këngët, qoftë nga
rrëfimet e bashkëluftëtarëve të tij.
Pas
një pune të gjatë hulumtuese në terren e nëpër literaturë, sikur e rrumbullakova projektin.
Në
vitin 1995, në kohën kur çdo gjë shqiptare po ngulfatej nga barbaria serbe, unë
sikur po sfidoja kohën zezonë. I riu si veriu, thoshin shkodranët mendjehollë.
Me një krah letra nën sqetull ia mësyva kryeqendrës. E takova Sabit Jahën dhe shkuam e zumë vend në
një kafene, nën Gjimnazin “Xhevdet Doda”.
O
Zot, sapo nisem ta shfletojmë dorëshkrimin ia bëhen policët serbë. Letrat na
ngelën nëpër duar, por, kësaj radhe, ata sikur nuk e kishin pasur mendjen tek
letrat tona. Dhe, pasi e bëmë gati e dërguam në shtypshkronjën “Prograf” në lagjen e Muhaxherëve.
Pronarët e saj, ortakët Basriu e Nexhi,
u treguan të arsyeshëm dhe më ndihmuan shumë.
Bërja e librit të parë ishte histori në vete. Edhe dashuria për të ishte e jashtëzakonshme. Ishte si dashuria e prindit për fëmijën e parë. Shita çka pata të vlefshme për ta hedhur në dritë atë histori. Askush nuk ma zgjati dorën, përveç kolegëve. Ata, që të gjithë, bënë parapagimin e librit, kështu që, edhe më ndihmuan materialisht edhe më stimuluan moralisht.
Kur
doli libri “Azem Bejtë Galica” bëri
bujë të madhe. Bartja e tij nga shtypshkronja u bë në mënyrë klandestine, në
thasë buke e në pako bananesh. Natën që doli, që pa gdhirë, ca nxënës të mi,
tashmë studentë, Arbeni, Hamiti etj
dhe kushëriri Xhevat Shabani, i
mbushen thasët dhe nëpër policë e udbashë i nxorën nga Prishtina. Të gjithëve u
jam mirënjohës!
Edhe
shpërndarja e tij qe panatyrshme. Ai nuk u shit nëpër librari, ashtu siç duhej,
por ilegalisht, nëpër duar e nëpër oda. Libri u prit mirë nga lexuesit. Ishte
një libër i qartë dhe shumë i drejtpërdrejtë. Mbase për herë të parë
përmendeshin shumë të pathëna, madje edhe spiunët dhe bashkëpunëtorët e
armikut, të cilët i kishte ndëshkuar Azem Bejtë Galica, këtu dalin me emër e
mbiemër. Dhe, mu pse i kisha vepruar në stilin: shkurt e shqip, askush nuk pati
reagime negative...
Përkundrazi,
pata lavdërime. Një letër falënderuese e pranova edhe nga albanologu austriak,
Prof. dr. Nermann Olberg, i cili e kishte lexuar me vëmendje librin, të cilin
ia pata dërguar përmes mikut tim, Avdi
Avdiut nga Kolla, që punonte në Insbruk.
Letër inkurajuese
Zotit
Bedri Tahiri Innsbruck, më
30. 05. 1986
Galicë-Kosovë
I nderuari z. Bedri
Tahiri
Ju përgëzoj për botimin
e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili
hedh dritë mbi luftërat e pandara te Popullit Shqiptar për Liri e Pavarësi.
Është shumë interesante përmbajtja e kësaj monografie mbi luftëtarin dhe trimin
e patrembur shqiptar, Azem Bejtë Galica, që pasqyron ndjenjat patriotoke dhe të
kaluarën e hershme Krishtjane të popullit shqiptar, që para ardhjes së
Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme nën sundimin serb.
Ky libër është, jo vetëm
dokument Historik, që ju me zbulimet e
fakteve të reja historike e të gojëdhënave të popullit e bëjnë edhe më
interesante kur dihet se vlerat e rëndësishme Historike nga e kaluara e
popullit shqiptar janë të pakta, si pasojë e sundimeve të ndryshme, që nga
Perandoria Osmane e deri në ditët e sotme, nga pushtetmbjatësit e metejshëm me
dhunë të Kosovës që çdo gjë shkatërrojnë e mohojnë, jo vetëm historinë e lashtë
shqiptare, por mohojnë edhe besimin e tyre të hershëm krishtjan, me qëllime e
prapavijë të caktuar politike, duke mbrojtur tezën e tyre se shumica e
popullsisë së sotme i takon atij besimi musliman dhe në këtë mënyrë dëshirojnë
mohimin e prejardhjes shqiptare nga paraardhësit e tyre ILIR, duke mos përmendur
njëherit edhe elementet krishtjane të popullit shqiptar para ardhjes së
pushtuesve turq në Ballkan.
Në anën tjetër, vepra
Juaj pasqyron edhe dëshirën e zjarrtë të popullit tuaj për liri dhe sakrificat
e parreshtura drejt Çlirimit Kombëtar. Unë si Albanolog ju uroj juve dhe mbarë
popullit shqiptar suksese të plota deri në fitorën përfundimtare, në mënyrë që
edhe shqipatrët, si gjithë popujt e tjerë ballaknikë e evropianë të gëzojnë të
drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem
të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Ju falënderoj shumë për
dërgimin e një ekzemplari ku krahas librave të tjerë të Letërsisë Shqipe do të
zë vend edhe kjo monografi e Azem Bejtë Galicës.
Ju uroj suksese dhe punë
të mbarë në idealin e juaj Kombëtar!
Me respekt,
Univ. Prof. Dr.HERMANNN
OLBERG
Letra e
albanologut austriak Prof. Dr.HERMANNN OLBERG Ribotimi i librit Azem Bejtë Galica
Paskëtaj, vazhdova me librin monografik për Ahmet
Delinë “Përmedorja që mungon”, të cilin paraprakisht e botoi në vazhdime
“Zëri i Kosovës”.
Moti është thënë: kur gjëmojnë armët, muzat heshtin.
Por, shpesh ngjet edhe e kundërta. Edhe gjatë betejave e luftimeve po të vinte
frymëzimi. Duke bërë roje te Lapidari i Azem Galicës, aty pranë, më ngacmonte
varri gati i rrafshuar i Hys Popovës, i ati bashkëluftëtari trim të Azem
Galicës, i cili dy javë para Epopesë së lavdishme të Arbërisë së Vogël, kishte
ikur nga burgi i Mitrovicës dhe kishte arritur në Galicë...Dhe, iu rreka punës.
Libri “Hys Popova- Një yll në Yllësinë shqiptare” u botua në një kohë të
pa kohë, dhe mbeti i pashpërndarë diku në bodrumet prishtinase dhe si duket i
përpiu flaka e piromanëve mesjetarë...Librat e parë i kam botuar duke
sakrifikuar kafshatën e vogël të familjes...
Në kohë lufte kanë lindur edhe librat: “Adem
Jashari- legjendë e legjendave”, “Agu i lirisë” (ditari) dhe libri
me tregime “Përjetësia”.
Flakët e luftës dhe libri i mbijetuar.
Pas ofensivës së
shtatorit 1998, e njohur me emrin e koduar “Qyqavica”, e cila qe ndër më të
rëndat për UÇK-në dhe popullatën në përgjithësi, u arrit një armëpushim formal.
Atë pauzë disamujore unë e shfrytëzova dhe e përgatita dorëshkrimin “Adem
Jashari-legjendë e legjendave”. Sakaq, në shkurt 1999, nisi ofensiva e re dhe
pas një rezistence disaditore, më 15 mars piromanët karpatinaë depërtuan edhe
në Galicë. Dogjën e shkatërruan çdo gjë mbi dhe, duke zbatuar planin “tokë e
djegur”.
Edhe mua ma dogjën
shtëpinë. Por, në bibliotekën time u doli punë më shumë. Zunë t’i shfletonin
dokumentet, fotot e shënimet e ndryshme. I përdoruan edhe 3700 librat, duke i
hedhur në zjarrin babulak në oborr. Oficeri i nevrikosur një nuk e lëshonte dot
nga dora. Ishte libri im i parë “Azem Bejtë Galica”. Nga gjyshi, i cili paskësh
qenë pjesëmarrës në rrethimin e vitit 1924, kishte mësuar shumë për këtë trim.
Këtë do ta varrosi pranë obeliskut të Azem Galicës,- tha dhe ashtu veproi, pasi
më parë kishte prerë me gërsherë foton e autorit...
Këtë të zezë edhe e
kisha menduar, por nuk dija ç’të bëja. Gjithë çka mund të bëja qe ruajtja e
dorëshkrimit të librit për komandantin legjendar, Adem Jasharin. Pjesën tjetër e ka bartur me vete
vajza ime e dytë, Lindita 16 vjeçare, duke rrezikuar edhe jetën. Përpjekjet e
saj kanë qenë të jashtëzakonshme. Me asnjë kusht, as edhe kur ka qenë në rrezikun
më të madh, nuk e ka lëshuar nga dora dhe kujdesi dorëshkrimin...Kur ngjau Nata
e Bartolomeut në Studime e në burgun e kampit të përqendrimit në Smrekonicë, në
kolonë ka qenë edhe Lindita, e cila me guximin dhe gjeturinë e saj ia doli
mbanë... Ndërkaq, fletoren e
shkruar me dorë, bashkë me makinën e shkrimit, i mbështolla me arna e lecka dhe
ashtu tok të futara në një pako i lashë në katin e dytë të shtëpisë së pa
meremetuar.
Dhe, dreq o punë!
Snajperitët serbë zunë pozicion mu në atë dhomë. Natë e ditë qëndruan dhe u
ulën mbi pako, pa u shkuar mendja se aty ishte Adem Jashari! Plot 27 ditë! Kur
zbrita nga malet (mirë e thotë Kadareja: Liria vjen nga malet!), më 26 maj
1999, fill vajta aty dhe u gëzova kur gjeta dorëshkrimin dhe makinën.
Sot, pas kaq vitesh,
ndjej nostalgji për makinën e shkrimit, fletoren me dorëshkrimin e librit“ Adem
Jashari- legjendë e legjendave”, i cili ka përjetuar dhjetë ribotime me mbi 15
mijë kopje...
Librat tjerë e
patën një fat më të mirë...
GM: Si i përzgjidhni personazhet
që portretizoni në veprat tuaja? Cilat janë kriteret që i bëjnë ata të denjë
për t’u përjetësuar me penën tuaj?
BT: Personazhet janë njerëzit e thjeshtë, të cilët sikur
të thërrasin vetë, sepse janë në mesin e popullit! Ata, në fakt, janë të mëdhenj,
janë vetë historia! Modestia është madhështi! Edhe unë jetoj në mesin e
popullit, me dy këmbët në tokë, andaj frymojmë bashkë. Ka ngjarë në letërsinë
botërore të lexojmë vepra ku ideologjia e shkrimtarët nuk përputhet me
ideologjinë e protagonistit.
Tek unë është e kundërta. Përherë jemi të një mendjeje me
protagonistin apo personazhin e përzgjedhur për të përçuar mesazhin te lexuesi.
Ata, si prototipa, i gjeja kudo: në shkollë, në punë, në mërgim, në luftë, në
protesta, në demonstrate, në burg, në aksione dhe, paskëtaj, duke i plotësuar e
mishëruar me elemente shtesë, portretizohen me petkun e tipizimeve letrare, për
të shpërfaqur misionin e tyre.
Ata duhet të jenë në rend të parë njerëz, në kuptimin e
plotë të fjalës. Njerëz të urtë, të sjellshëm, të natyrshëm, të virtytshëm, të
sinqertë, të fjalës e të besës, të pathyeshëm nëpër zigzaget e jetës, në mënyrë
që të shëmbëllejnë për brezat e ardhmërisë!
Nuk duhet harruar edhe një fakt, të gjithë shkrimtarët
botërorë, në veprat e tyre sikur kanë futur elemente nga jeta e tyre. Kjo ngjet
edhe me mua. Po edhe nuk mund të veprohet ndryshe. Sa i qëlluar është mendimi i
Dritëro Agollit: “Nëse në letërsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk di
ç’të shkruash”.
GM:
Ju keni një opus të gjerë veprash, që përfshin poezi, ese, tregime, romane,
monografi dhe studime historike. Cili është frymëzimi juaj kryesor pas kësaj
krijimtarie kaq të larmishme?
BT: Unë sikur e kam prishur rendin që zakonisht ndjekin
shkrimtarët. Thuhet poezia është rina e prza është pjekuria e shkrimtarit. Tek
unë ngjau thuajse e kundërta. E nisa nga më e vështira, nga monografia me
premisa shkencore, me librin “Azem Bejtë
Galica” (1995). Pastaj vazhdova me tregime, me poezi, me reportazhe, me
skica, me ditar, me romane, me studime historike (kumtesa, trajtesa, ese,
recensione). E vetmja gjini letrare që ende nuk e kam provuar, mbetet gjininë
dramatike.
Të tjerët, me çmojnë si specialist të hartimit të
monografive!
Deri sot kam arritur të portretizoj mbi treqind profile
luftëtarësh e atdhetarësh të periudhave të ndryshme kohore nga mbarë gjeografia
shqiptare.
Ndërkaq, unë jam i kënaqur me të gjitha, veçse, edhe pse
i kam botuar tri përmbledhje poezish, ende veten nuk e quaj poet në kuptimin e
plotë të fjalës!
Dhe, sa i takon frymëzimit, gjegjësisht tematikës,
lajtmotiv i të gjitha krijimeve të mia mbetet ATDHEDASHURIA!
Kështu, edhe pse i kam shkruar mbi pesëdhjetë vepra, po
ta shikojmë hollë e hollë, më duket se e kam shkruar vetëm një vepër, një vepër
me një temë- ATDHEDASHURINË!
Veprat
e mia u përkasin zhanreve të ndryshme dhe përafërsisht mund të klasifikohen
kështu:
Monografi: Azem Bejtë Galica, 1995, Përmendorja që mungon, 1997, Hys Popova-një yll në
Yllësinë shqiptare, 1998, Adem Jashari- legjendë e legjendave, 1999, Hasan Prishtina- Truri i
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2008, Abdyl Krasniqi- frymëzues brezash, 2009, Vesel Galica atdhetar dhe
mentar i shquar, 2010
Ramadan
Bajraktari...,2012, Atdhetarizmi jeton në përjetësi, 2013, Kamer e Murat Loshi- në histori
e në traditën gojore, 2019, Jashar Jashari- Komandant
DURAKU, 2015, Lufta e Drenicës..., 2015, DRENICA-Djep i trimërisë, 2015,
Flakadani i lirisë-monografi për mësuesin, poetin e dëshmorin Mustafë Shyti,
2025. Xhemë Tërnafci- Sugari i
Çetës së Azem Galicës, 2025, Flakadanët
e lirisë 1-6, etj.
Ditar: Agu i lirisë, 2001
Poezi: Çaste shpirti, poezi, 2019, Kohë
e mjegullnajave (Poezi), 2021 dhe
Pavdekësia (poezi-prozë,
Tregime: Përjetësia, 2000, Përtëritja, 2002, Diferencimi (Tregime), 2010, Gur i diellit shenjtor,
2013, Metamorfoza, 2017, Drejtësia në sprovë, 2005,
Romane: Kohë ethesh, 2022, dhe Degdisja, 2023,
Publicistikë: Nga Shqipëria në Shqipëri,
2007, Për Flamurin kuqezi, 2010), N? Gryk? t? Valbon?s,
2011, Përshtypje nga Franca, 2016, Shtjella lufte, 2020, Rrëfime në vetën e parë,
2021,
Studime, recensione, ese,
kumtesa: Përsiatje recensionale,
2013, Toponimia e Galicës, 2014, Ligjërime e përimtime, 2015,
Dimensione letrare, 2017, Poetika e të rrëfyerit, 2019, Këndvështrime letrare, 2020, Qëmtime letrare, 2022, Jetë letrare, 2023, Dardania mësim lirie, 2024, Vlerësime letrare, 2024...
GM:
A mund të ndani me ne disa nga momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj
deri më tani?
BT: Një pyetje që është e vështirë t’i japësh përgjigje
me pak fjalë. Momentet janë të shumta dhe duhet të specifikohen në karrierën e
mësimdhënies dhe atë krijuese e jetësore.
Dyzet e dy vjet me ditar në dorë dhe nëpër periudha të
vështira kohore. E nisa më 4 janar 1980, kur veç po fillonin lëvizjet
studentore. Dhe, në Pranverën 1981, përjetuam e çka nuk përjetuam. Kaloi edhe
kjo. Erdhën vitet e 90-ta, koha e diferencimeve ideopolitike, helmimet, dëbimet
nga shkollat, mësimet në shtëpitë shkolla, shpërthimi i luftës dhe pasojat e
saj deri te liria…
Me nxënës dhe me kolegë kam veç momente të mira.
Kurse nga momentet që nuk harrohen, po i veçoj:
Një vit i humbur
Në
jetën time të deritashme, një vit e konsideroj të humbur, vitin 1986! Është i
humbur, sepse atë vit i bëra argat dreqit, isha ushtar i APJ-së!!! Edhe kjo
është histori në vete. Prej kohësh e kisha hetuar se nuk figuroja në regjistrin
e rekrutimit në Mbrojtjen Popullore. Dhe, paskëtaj edhe vetë i bishtnoja sa
mundja kësaj pune. As nuk bisedoja për
këtë çështje me njeri të gjallë. Madje, kur i bëra ca vjet dhe kur ndonjërit që
i interesonin punët e huaja dhe më pyeste: Kur e pate kryer ushtrinë?-
detyrohesha ta gënjeja, duke i ndërruar vendet anekënd Jugosllavisë.
Kur
u nxor ligji për t’i falur ata që i mbushnin njëzet e shtatë, më vonë,
tridhjetë vjet, u gëzova pa masë. Mirëpo, kjo zgjati fare pak. Një ditë më
erdhi thirrja me tri vija të kuqe! O Zot, më kishin gjetur të mallkuarit. Lëre,
lëre, po edhe donin të më dënonin pse nuk isha lajmëruar vetë! Më konsideruan
si armik të shtetit.
-Hej,
ke parë ti, më thoshin të përbetuarit e sistemit antishqiptar, njeriu me
fakultet dhe t’i bëjë bisht shërbimit ushtarak!
Ditë
shumë e vështirë për mua ka qenë edhe kur vajtëm në Nish për përcaktimin e
aftësive psiko- fizike dhe të gjinisë ushtarake. Dola i aftë dhe bile më
caktuan gjininë më të vështirë: Artileri e rëndë! Më dërguan në Pulë të
Kroacisë dhe disi e përfundova...
Edhe
koha e diferencimeve ka qenë mjaft e zahmetshme…
Arrestimi
Edhe
pasi u kthyem (pasi një kohë punuam nëpër punkte), në Vushtrri, në aneksin e
shkollës fillore ”Ali Kelmendi” nuk u qetësuam dot. Policia serbe për asnjë
çast nuk na linte të qetë. Çdo ditë përjetonim maltretime fizike e psikike.
Sidoqoftë, ishim grumbull dhe atmosfera bëhej më e mirë.
Më
vështirë se të tjerët e kishim ne që vinim nga përtej bjeshka e Qyqavicës, pra
ne drenicasit. E kishim më vështirë, ngase në Drenicë kishte plasur lufta e
armatosur. UÇK-ja po vepronte suksesshëm dhe kishte krijuar një territor të
gjerë, ku nuk shkelte këmbë e policit serb.
Edhe
në Galicën time kishim formuar celulën e kësaj ushtrie çlirimtare. Unë qeshë
caktuar zëdhënës i saj. Në makinën e shkrimit “Olimbia” ua shtypja orarin e
rojeve dhe ndonjë informatë a komunikatë.
Dhe,
unë bëja punë të dyfishtë: gjithë ditën në mësim, gjithë natën me Ushtrinë tonë
çlirimtare! Kjo, doemos, do t’u binte në sy edhe robëruesve që nuhatnin si
hienat tinëzare. Aq më keq kur një punkt policie u vendos edhe në Bukosh. Aty
vazhdimisht e ndalnin autobusin dhe na kontrollonin. Ajo vlente më shumë për ne
që vinim nga Drenica. Një ditë, tek Ura e Gurit, më zbritën nga autobusi katër
policë. Për fat, me mua qëlloi edhe Sabit Kadriu, i cili ishte i angazhuar në
KMDLNJ. Ai shpejt e shpejt e gjeti një
telefon diku në një shitore aty afër dhe i njoftoi vëzhguesit e huaj. Dhe, posa
ka arritur vetura e portokalltë pranë nesh, zuzarët ma lëshuan në dorë
letërnjoftimin...
Njëherë
tjetër përpak e pësova më keq. Po kthehesha nga Prishtina me autobusin e orës
15. Në punktin e Nedakofcit, që ishte bërë tmerr për shqiptarët, na kontrolluan. Më ndaluan vetëm mua.
-Ty
po të kërkojmë,- më tha polici, duke më urdhëruar të zbrisja poshtë.
Aman,
aman! Me vete kisha ca letra të makinës dhe revistën “Bota e re” ku e kisha botuar një shkrim për Drenicën. Tamam ato të
më bëheshin dëshmitare për të më akuzuar edhe më! E ç’të bëja në ato çaste.
Fare pranë e kisha një nxënëse të mjekësisë, Hamide Mehmeti nga Beçiqi.
-Profesor,
m’i jep mua ato!- më tha dhe, fap i futi në çantë. Unë ngela i nemitur, tashmë
e kisha edhe droj?n e saj!
Zbrita
poshtë dhe fill më futën në veturën “Zastava 101”. Për çudi, deri në Vushtrri
nuk e ndërruam asnjë fjalë. Atje, në stacionin policor, më lanë në zyrën e
pritjes, ku kujdestaronte polici më i
keq i qytetit të Vushtrrisë, Zvonko. As ai nuk më foli kurrë, pos që i mori
shënimet e duhura. Aty e sollën edhe një të sëmurë psikik, një djalosh nga
Gradica që e kishin zënë duke mbledhur hedhurina nëpër kontinierë bërlloku.
Dreq, o punë! Pas gjysmë ore u dëgjua një rrapëllimë në korridor. U hap edhe
dera furishëm. Ishin eprorët e policisë së stacionit të Vushtrrisë, Janiqeviq
Vuqina, komandant dhe Dushan Simiqi zëvendëskomandant.
-Paskemi
edhe mysafirë,- thanë gati njëzërit.
-Me
galicasin nuk dua te kem punë, merru ti me të!- iu drejtua Vuqina, si me shaka,
Simiqit, pasi i lexoi shënimet në fletoren e kujdestarisë.
-Mirë,
eja pas meje!- më urdhëroi ai dhe mori përpjetë shkallëve gati me vrap. Vajtëm
në katin e tretë, në zyrën e tij ngufatëse, ashtu mu duk mua. Mos po pret
kafe,- më kërcënoi pasi isha ulur në karrige, pa më thënë askush. U ngrita në
këmbë. Filluan pyetjet provokuese dhe rrahja e tavolinës, metodë
frikësuese. Unë përpiqesha ta përmbaja
veten. Tamam kur zu të nxehej
atmosfera, e thirri Vuqina me
urgjencë...
-Sonte
do të qëndrosh këtu dhe e shohim si do t’i pranosh të gjitha!- më tha, duke më
dërguar sërish në dhomën e kujdestarisë.
U
pajtova me fatin. Në çast i paramendova të gjitha, burgimin, rrahjet, torturat,
maltretimet, dënimin dhe u lakmova atyre që ishin jashtë, në male.
Pa
kaluar ora e plotë, një njeri i veshur me trenerka e puma sportive u fanit në
derë. Ishte Dushan Janiqi, shefi i sigurimit shtetëror regjional, të cilin
kurrë më parë nuk e kisha parë. Dhe, thënë të drejtën, pamja e tij e thjeshtë
dhe sjellja korrekte në fillim ma larguan frikën.
-Isha
në pushim, por më thirren me urgjencë që të të marrë në pyetje, andaj shkojmë
lart!- më tha dhe u ngjitëm në zyrën e tij.
Biseda
nisi mirë e butë. Komunikonim në gjuhën shqipe, ashtu kërkova unë, ngase,
vërtet nuk e njihja serbokroatishten. Sjellja e tij prej finoku nuk më
gjunjëzoi. E dija ku synonte ta hidhte grepin. Përkundrazi, më forcoi. E nisi
me sharje për të uniformuarit, kolegët e tij, duke thënë se ata gjuhë të vetme
komunikimi kanë dhunën.
Unë
nuk fola keq as për ta. Dalëngadalë doli ku i dhimbte.
-Ti
je profesor, apo jo?
-Po.
-Pse
nuk po punoni me planet shtetërore?
-I
kemi planet tona.
-Ato
nuk janë legjitime!
-Janë,
janë, i ka miratuar Ministria jonë e Arsimit.
-Profesor,
i lemë ato, t’i biem shkurt: A ka UÇK- e në Drenicë?
-Po,
kjo dihet nga të gjithë.
-Po
në Galicë, ka?
-Po.
-A
bën dy ushtri në një vend?
-Jo.
-Cila
duhet të qëndrojë?
-Ajo
që fiton.
-Pse
ti nuk ua shpjegon atyre se e kanë të kot kundër nesh?
-Nuk
më dëgjojnë as mua.
-Kur
je takuar me ta më së fundi?
-Mbrëmë.
-Ku?
-Në
dalje të qytetit, te Hekurudha!
-E
vërtetë?
-E
vërtetë!
-Atëherë
paskemi mbaruar të gjithë, ju dhe ne!- bëri plot habi, duke u ngritur në këmbë.
Siç dukej e kisha prekur keq në tel. Zu të dridhej dhe një copë herë nuk foli.
U afrua pranë dritares dhe i hodhi sytë andej nga Qyqavica. Edhe unë andej çova
sytë e mendjen dhe as që ëndërroja se mund të shkel edhe njëherë andejpari...
-Nëse
ma jep besën që do të lajmërohesh në mëngjes, po të lirojë sonte, veçse
letërnjoftimin nuk mund të ta jap, atë e kanë shefat!- ma ktheu ai, pasi e mori
veten.
-Patjetër
që do të lajmërohem, madje sonte do të rri këtu tek motra në Vushtrri,- e
gënjeva, që t’ia mbushja mendjen për të më liruar, edhe pse ende nuk po i
besoja.
-Shko,
veç mos harro, nesër në orën 7 duhet të jesh këtu!
-Në
rregull!
Dhe,
kur dola jashtë zyrave me mure të përgjakura, sa nuk fluturoja. Autobusin e
orës 19 e zura si me krahë, për tre minuta...
Të
nesërmen, me të gdhirë, vajta në Prekaz të Epër, ku kishte telefon, dhe prej
andej i lajmërova në shkollë se unë më nuk do të shkoja në mësim. Qëndrimi
maleve ishte më i sigurt për mua...
Kështu,
për një muaj e ca ditë, më herët se të tjerët, e përfundova vitin mësimor...
Momenti
tjetër, zënia e mbajtja peng në Qyqavicë nga forcat serbe dhe vrasja e
profesorit Enver Haliti…
Shtatori i përgjakshëm 1998
Agu i hirtë i së mërkurës së 23 shtatorit 1998 u gdhi fare i zymtë. Rrezet
e purpurta të diellit herak mezi depërtonin në thellësitë e lugjeve të trazuara
të Qyqavicës mitike. Edhe mrizet e qeta të Krojeve të Bardha ishin zgjuar të
befta që me natë. Po zanat flokëgjata ku ishin që s’po dukeshin gjëkundi:
Ndoshta strukur mes shkëmbinjsh të thepisur pas shkurresh të dendura mbanin
vesh se çka po ngjiste. Lisat dridheshin e karvanët e bardha nxitonin drejt
tyre. Vallë, mos ishin dasmorët e Mujit, që me daulle shkonin ta merrnin
Ajkunën? Ah, jo. Ishin mijëra fatzinj të pastrehë, mbuluar me najlona e
granatat kobzeza i ndiqnin pas.
Dielli i hutuar sikur e kishte humbur rrugën dhe s’bënte dot tutje. Të
mjerët, sa shumë e dëshironin terrin në ato çaste kritike. Granatat pareshtur
plasnin përherë e më afër.
Në turmën amorfe tollovi çmendurake. Përpëlitjet e mundimshme me vdekjen,
që vinin nga qielli, i kishin sfilitur për vdekje. Qëndronin si mumie të
shushatura e të gurëzuara. As të vrarët, që u binin para këmbëve, më nuk u
bënin aq përshtypje shqetësuese. Ishin bërë një, si hije të ngritura nga varri.
As të gjallë, as të vdekur. Xhelatët, me thika të gjakosura afroheshin
këmba-këmbës. Tymi e flaka ngriheshin deri në qiell. Katunde të tëra të
Drenicës rrafshoheshin për tokë.
-O burra, të dalim nga ky ferr i mallkuar,- foli dikush i çakërdisur nga
tmerri dhe shumë traktorë mësynë për të çarë rrethimin e Kozhicës. O zot, si
kështu, nga vdekja ikim e drejt vdekjes shkojmë, mërmërisnin plakat kurrizdala,
që gërmuqur nxitonin pa ditur se ku venin.
Tek kur u rrasën te këmbët e kalasë së lashtë dardane, Gjytetit të
Dubofcit, u ndien pak të sigurt dhe ndaluan të marrin frymë. Por u mashtruan
keq. Hijet mortore, me kohë kishin zënë muret e saj dhe u lëshuan tatëpjetë për
t’ua prerë rrugën.
-Vajtëm si cjapi te kasapi, - thoshin më vete, derisa shpirt katranosurit i
tubonin për ta shfryrë sadizmin e tyre të pangopur.
-Edhe luftëra të tjera kemi përjetuar, por luftë të tillë marroqe s’kemi
parë, flisnin pleqtë, kur burrat i veçonin nga gratë dhe fëmijët.
-As që do t’i shihni më, ua ktheu komandanti i operacionit “Qyqavica”, një
mesoburrë zeshkan e fjalëpaktë, që i kishte dëgjuar tek flisnin. Lotët e grave
e britmat e fëmijëve s’bënin punë fare. Përkundrazi, veçse i ngazëllenin
lakenjtë e pashpirt, që me automatikët e gatshëm për zjarr u qëndronin
kërcënueshëm mbi koka.
-Hë profesor, profesor, ç’mendove të na shpëtosh edhe kësaj radhe, ë? Ah,
jo, të erdhi fundi. Mjaft bëre deri sot. Nëse pesë vjet u përballove torturave
dhe qelive mizore të burgjeve tona, nëse vite me radhë sfidove përpjekjet tona
për të të gjunjëzuar e nëse edhe granatave të panumërta u shpëtove, nuk do t’u
shpëtosh dot hanxharëve tona të helmatisura,- sikur flisnin sytë xixëllues nën
maskën e zezë të atij që e shkëputi nga krahët e fëmijëve, gruas e nënës së
dashur.
E ai, krenar siç qe përherë, ecte sypatrembur midis tyre e sikur porosiste:
Qëndroni burra, se liria i ka rrënjët në gjak!
-Mos, profesorin tim të mirë, mos, gjakatarë!- u dëgjua nga nëndheu zëri i
Fitim Jasharit. Mos barbarë të ndyrë!- shungulluan edhe lugjet e Qyqavicës, kur
po zbrazej një plumb revoleje në zverkun e intelektualit të paepur...
Të gjithë të donin profesor, se na mësoje shumëçka, edhe ato që ishin të
ndaluara. Çudi, të patëm njohur edhe pa të parë hiç.
Të tjerët na tregonin se kishe qenë ndër aktorët kryesorë në dramën e madhe
kosovare të 81-shit. Dhe të burgosën e të torturuan, por s’të gjunjëzuan dot.
Nga qelitë serbe dole edhe më i fortë e më i guximshëm. As përgjimet e
përndjekjet nuk morën fund, por nuk ua vure fare veshin. Sikur të përcolli fati
i gjyshit tim e gjyshit tënd. Edhe ata shokë ishin: Shaban Jashari e Shaban
Ferati. Të burgosur e të përndjekur. Lirinë dhe shkollën i çmonin mbi të
gjitha. Thonë edhe emrat ata na i lanë, Enver e Fitim. Kur e punuam hartimin e
fundit me temën: Rrugët tona drejt lirisë, u ndave shumë i kënaqur. Ja tregova
edhe gjyshit. I entuziazmuar tej mase, tha: Të tillë mësimdhënës na duhen
ne!...
Velloja e zezë e territ skëterror grupin e gjeti më të ligështuar se kurrë.
Në mesin e tyre mungonte më i miri e më i dashuri, profesori i gjuhës dhe i
letërsisë shqipe Enver Haliti nga Luboveci. Maja e lartë e kalasë, ku për herë
të fundit piu ujë Millesh Kopiliqi, më herët se të gjithë kishte marrë vesh për
gjëmën e madhe dhe lotonte në heshtje. Lajmin kobzi e kishte ndryrë thellë në
themelet e përgjakura. E zemrat e plagosura ende rronin me shpresa të thyera
duke mos ia shqitur sytë rrugës që shpinte ku po bëhej hataja...
-Ku ma çoni nipin?!- u tha xha Shabani.
-Veç do ta pyesim diçka dhe e kthejmë shpejt,- ia kthyen zuzarët
dhelparakë.
Të gjithë mbetëm me sy e vesh andej nga Dubofci, andej nga mori turr makina
laroshe me dyert e prapme të hapura.
Më keq se të tjerët ngela unë, shoku i tij i ngushtë i fëmijërisë e i
studimeve. Por, krenaria qëndronte mbi dhembjen. Pastaj ishim edhe me familje
dhe duhej maturi...
-Pse po vonohet babai?- pyeste djali i tij i vogël.
-Veç sa s’ka arritur,- ia prisnin ata me gjysmëzëri, duke kthyer kokën
mënjanë, që t’i fshihnin lotët.
Dhe, pas dy ditësh (pasi përfzndoi ofensiva) e gjetëm të vrarë, me një
plumb pas koke, jo shumë larg vendit nga ku e kishn marrë ( te varret e
Dubofcit) dhe e varrosëm në vendlindje, në Lubovec...
GM: Çfarë përfaqësojnë
për ju veprat tuaja- një pasion, një mision, apo një detyrim moral- dhe cilat
janë mesazhet kryesore që dëshironi t’i përcillni përmes penës suaj?
BT: Veprat e mia sikur sublimojnë që të tria këta
elementë: E para- letërsia është një pasion; e dyta, ajo është edhe mision dhe
e treta, letërsia kombëtare është edhe një obligim moral!
Unë kurrë nuk shkruaj sa për të thënë, por shkruaj kur
kam frymëzim dhe kur kam diçka që duhet thënë.
Kur e botova librin e parë “Azem Bejtë Galica” ishte kohë e pakohë, ishte viti 1995, kur emri
i kryetrimit ende lakohej me vështirësi. Thënë të drejtën nuk ishte fort e
lehtë, por ia vlente edhe të rrezikoheshe, ngase libri, dorë me dorë, depërtoi
në çdo shtëpi dhe u përpi nga lexuesit e të gjitha shtresat e të gjitha moshat.
Ai u bë frymëzim edhe për trimat e lirisë që kishin zënë malet. Kur e kam parë
atë në çantën luftarake të Hamëz Jasharit, që trimi e barte me vete dhe ua
lexonte edhe të tjerëve me plot kënaqësi, mua zemra më bëhej mal dhe nuk e
honepsja frikën.
Edhe librin “Adem
Jashari- legjendë e legjendave” e kam shkruar në një kohë, kur ndoshta nuk
pritej. Ende ishim në luftë, ishim në pauzën e një armëpushimi të
brishtë...Por, e pati efektin e vet...
Njeriu i parë që e ka lexuar dorëshkrimin (kur ia dërgova
e gjeta në banesën e shkrumuar, që përpiqej të siguronte një trohë strehë)
është Prof. dr. Zymer Neziri, i cili e parnoi pa përtesë dhe dha këtë vlerëism:
Shkrimtari dhe publicisti Bedri Tahiri dhe vepra e tij
”Adem Jashari-legjendë e legjendave”
Pata thënë para shumë
vjetësh e po e them edhe sot, se veprën e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë
e legjendave”, e lexova në dorëshkrim, me shumë kënaqësi, po edhe me shumë
përgjegjësi, në verë të vitit 1999, kur posa kishte përfunduar lufta e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Tashmë dihet se ajo ishte vepra e parë e shkruar ndër ne
për këtë personalitet të dimensioneve me përmasa që rrallë shfaqen në historinë
e popujve. Ishte nderim i veçantë për mua që autori ma besoi dorëshkrimin e vet
për Adem Jasharin, por edhe kënaqësi që pata mundësi të bëj diçka që ky
dorëshkrim të bëhet libër sa më i mirë, kushtuar këtij burri të Drenicës, me
rrënjë nga fisi i shquar Kuç i Malësisë së Madhe.
Që në fillim dua të
them se për veprën e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, do të
lexoj për Ju, një fragment recensioni, të shkruar po ashtu para nëntë vjetësh:
“...Kjo vepër e Bedri
Tahirit u shkrua për njeriun që i dha kuptim të ri jetës sonë, për burrin që
bëri aq shumë për t’ia kthyer Kosovës krenarinë, për trimin që aq guximshëm i
doli zot dinjitetit tonë të shkelur.
Është kjo një
sakrificë për tokën e të parëve, me dimensione të së madhërishmes. Autori ka
meritë për guximin që i pari të përballet me këtë figurë, njërën ndër më të
ndritshmet në historinë tonë të re.
Adem Jashari është
histori e përsëritur e vetëflijimit të Oso Kukës, të Zhuj Selmanit e të Mic
Sokolit. Por, më lehtë e kishte Osa. Edhe Zhuji e Mici e kishin më lehtë. Adem
Jashari u sakrifikua me vajza e me djem, me të shoqen, me t’atin Shabanin, me
të vëllamë Hamzën e me të tjerë nga familja dhe kështu pagoi çmimin më të
shtrenjtë të lirisë. Adem Jashari u bë një nga sfiduesit më të mëdhenj të
Lëvizjes sonë Kombëtare.
Prekazi dhe tri kulmet
e tij historike në këtë shekull dalin si synim i autorit për të dëshmuar se nuk
është rastësi shfaqja e Adem Jasharit në krye të Drenicës së sotme, të Kosovës,
pra, të Ushtrisë së saj Çlirimtare. Para tij ishte Ahmet Delia, që e bëri të
madh përgjithmonë këtë katund në kujtesën shqiptare. Para tij ishte edhe Tahir
Meha, që në emër të Prekazit e të Kosovës qiti pushkë burrërore. Pa vonuar
shumë vjen në skenën e historisë edhe i treti, vjen Adem Jashari, me tërë
madhështinë e atdhetarit e të burrit, të trimit e të udhëheqësit të një lufte
çlirimtare, që e ndali zhbërjen e Kosovës.
Autori synon që pranë
kësaj madhështie të Adem Jasharit me familje t’i rendisë edhe të pavdekshmit
Fehmi Lladrovci me Xhevën, si dhe Azem Galica me Shotën...”
Krijimtaria e Bedri
Tahirit për Drenicën, sidomos në fushën e historisë, si kjo vepër kushtuar Adem
Jasharit, dhe vepra të tjera, e në veçanti në fushën e epikës, shënon njërën
nga majat më të larta.
Në fund të kësaj fjale
dua që autori Bedri Tahiri të këtë shëndet të mirë, kurse për vullnetin e tij,
tashmë të dëshmuar, nuk kemi se çka të themi, pos të konstatojmë se duhet t’ia
kemi lakmi. Bedri Tahiri është shembull për ata që po e krijojnë brezin pas tij
se si duhet punuar me përkushtim.
Me
Prof. Dr. Zymer Nezirin
Me një fjalë, secili libër imi, ka një histori në vete.
Secili ka një porosi, secili ka një mision, për çka edhe janë të pëlqyer, saqë,
gati që të gjithë kanë përjetuar nga disa ribotime (Adem Jashari- legjendë e
legjendave- është ribotuar dhjetë herë).
Pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, portretizimi i dëshmorëve, sikur mu ka shndërruar në një obligimi
moral. Kështu, e krijova një profil timin, me një titull “Flakadanët e lirisë”
(që për nun kam studiuesin e luftëtarin e kreshtave të Shalës, Miftar Kurtin),
i cili është realizuar deri në numrin 6 dhe ende vazhdon. Deri sot kam arritur
të skalis njëqind ... profile luftëtarësh!
Për këtë punë çdo ditë marrë falënderime nga familjarët e
dëshmorëve dhe nga lexuesit.
Profesori im, Agim Vinca, pos tjerash ka shkruar:
LAPIDAR PËR DËSHMORËT E
LIRISË
Lufta çlirimtare e
Kosovës dhe protagonistja e saj, UÇK-ja, ka gjetur në penën e Bedri Tahirit një
nga apologjetët e saj më të zjarrtë. Njeri që i ka njohur nga afër Adem e Hamzë
Jasharin, që është rritur dhe brumosur me të njëjtën frymë atdhetarie, Bedri
Tahiri e ka ndjekur hap pas hapi lëvizjen çlirimtare të Kosovës, që nga
fillimet e saj. Shkrimet e tij tregojnë se ai e ka ndier dhe përjetuar atë si
rrallëkush tjetër.
Objekt i interesimit
krijues të Bedriut kësaj here janë bërë sidomos disa nga figurat e shquara të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të lëvizjes sonë për çlirim në përgjithësi,
që nga kaçakët e famshëm Dan Doroci e Mehmet Delia, te luftëtari i paepur Ahmet
Selaci, te mësuesi atdhetar e luftëtar Shaban Jashari, babai i komandantit
legjendar, Adem Jashari (nuk thuhet më kot në popull se dardha nën dardhë
pikon!) e gjer tek organizatori e luftëtari i palodhur Mehë Uka, guerilasi
trim, Artim Jashari; sokolesha e Shalës, Fatime Hetemi; kavajasi Indrit Cara
dhe vushtrriasi Lutfi Musiqi, që, kur i thirri zëri i Kosovës, erdhën në front
nga luksi dhe auditoret e Londrës për të rënë si burra në fushë të betejës- dhe
sa e sa luftëtarë të tjerë.
Duke shkruar për breza e
profile të ndryshme luftëtarësh, që vijnë nga vise të ndryshme të Kosovës dhe
të Shqipërisë, autori ka dashur të nënvizojë idenë e vazhdimësisë së luftës për
liri të trojeve të paçliruara shqiptare dhe idealin e madh e të pashuar të
bashkimit kombëtar.
Për dëshmorët Bedri
Tahiri shkruan me dashuri, me përkushtim, me frymëzim, me mall, me dhembje, me
krenari. Figurat e tyre ai i përshkruan me gjallëri, duke rrokur në spektrin e
vrojtimit jo vetëm anën e tyre luftarake, por edhe atë njerëzore. Mu për këtë
ai i bën heronjtë e tij të çiltër, të besueshëm, të thjeshtë, njerëzorë, por
edhe madhështorë, ashtu siç ishin edhe në jetë.
Bedri Tahiri si krijues
dhe publicist ka dije, vullnet dhe aftësi për t'i zbuluar, afirmuar dhe
mbrojtur vlerat e luftës, njerëzit që e benë atë dhe idealet për të cilat
luftuan ata. Libri i tij më i ri “Flakadanët
e lirisë” është një lapidar letrar për ata që ranë për lirinë tonë dhe që
me vdekjen e tyre u bënë të pavdekshëm.
Përurimi është një punë e
rëndësishme, por jo e domosdoshme. Zakonisht autorët që shkruajnë mirë, kanë
vepra të mira letrare-artistike, nuk kanë shumë nevojë për përurime, për fjalë
të bukura, që thuhen aty për aty. Ato sikur e kanë humbur kuptimin që kishun
dikur. Vepra e mirë e gjen lexuesin vetë. Andaj, vlerësimi më i mirë bëhet nga
lexuesi.
Kam gjithsej 55 vepra, kam bërë
vetëm pesë-gjashtë përurime. Madje, përurimin e librit „Nga Shqipëria në
Shqipëri“ ma bënë në Muzeun Historik në Tiranë në mënyrë madhështore!
Megjithatë, unë mendoj, përurimet nuk ia shtojnë vlerën librit.
GM: Çfarë ndikimi ka
pasur bashkëpunimi me autorë të tjerë në rrugëtimin tuaj krijues?
BT:
Bashkëpunimi është domosdoshmëri! Edhe pse shpeshherë veprat e mëdha krijohen
në vetmi, bashkëpunimi me autorë tjerë është ndihmesë e madhe për të ecur
përpara e për të pasur suksese!
Kur
jemi tek kjo pyetje, fill më shkon mendja te romani i Ernest Heminguiet “Për ke bie këmbana”, ku, me sa më
kujtohet, në një vend shkruan: “Asnjë
njeri nuk është një ishull i mbyllur në vetvete”.
Njeriu
mund të mësoj nga cilido, edhe nga njeriu më i thjeshtë, nga një fëmijë e nga
një plak, e mos të flasim se sa mëson nga kolegët e një profesioni, nga autorët
me përvojë letarare e jetsëore.
Bashkëpunimi
i shkrimtarëve duhet të jetë i sinqertë, qëllimmirë, i ndërsjellë, me synime
përparimtare. Ai është shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Mua me ngjason me
përsëritjen e mësimit në klasë, me bashkëbisedimin e nxënësve. E them këtë nga
përvoja ime pedagogjike. Nxënësit më shumë mësonin nga njëri-tjetri, se sa nga
librat e nga ligjërimet tona.
Shkëmbimi
i përvojave letrare ndihmon në krijimin e personalitetit krijues.
GM: Si e vlerësoni pasurinë tematike dhe gjeografike të veprave tuaja, dhe
cilat nga to i konsideroni më të veçantat për ju personalisht?
BT:
Sa herë që flasim e që shkruajmë për gjeografinë e trojeve
tona, duhet theskuar se ajo është një dhe e pandarë, është Shqipëria! Një Shqipëri
kemi- Shqipërinë Natyrale, me trungë të lashtë iliro-dardan!
Unë ashtu e paqraqes në veprat e mia. Sa shumë me pengon
kur disa thonë po shkoi në Shqipëri! Për këtë ua tërhiqja vërejtjen edhe
nxënësve. Dhe, pikërisht nga kjo më lidni edhe titulli për veprën time “Nga Shqipëria në Shqipëri”! Ashtu
është, Shqipëri këtu e Shqipëri atje. Mund të thuhet po shkoj në Tiranë, në
Shkodër a në Vlorë, por jo po shkoj në Shqipëri...
Unë
kam shkruar njësoj si për Galicën e Drenicën time, si për Kavajën e Indrit Carës,
si për Shalën e Bajgorës, ashtu edhe për Shkodër loken e Fishtës e të Mjedës,
si për Shkupin, ashtu edhe Vlorën, si për Tivarin, ashtu edhe Çamërinë…
Dhe,
kjo, mendoj, është pasuri, është begati, është vlerë që e madhërojnë çdo vepër
artsitike e dokumentare.
Një
Komb, një Gjuhë, një Atdhe!
Këto
janë të veçantat e pasurisë sonë kombëtare, të cilat duhet të frymojnë në
shpirtin e secilit shqiptar!
GM: Në vitin 2007, keni
kontribuar materialisht për “Kompleksin Përkujtimor Adem Jashari” përmes
shitjes së librave. Çfarë ju shtyu të bëni këtë akt kaq domethënës?
BT:
Po, ashtu është. Unë zakonisht merrem me shkrime historiko-letrare, e
lëroj me kujdes reportazhin, esenë, monografinë, tregimin dhe publicistikën.
Duke e parë se historia ndaj shqiptarëve është treguar njerkë, dhe duke parë që
historinë e kemi pasur të shkruar nga të tjerët, mua më lindi idea që vetë ta
shkruajmë historinë tonë, jo duke e glorifikuar, duke e zmadhuar, por duke
thënë realitetin. Lajtmotiv i të gjitha veprave të mia është atdhetarizmi.
Libri im që më ka lënë kujtime, mbresa që nuk do të
shlyhen kurrë e që nuk e ndërroj
me asnjë tjetër, është ”Adem Jashari - legjendë e legjendave ” i botuar më
1999, i cili u ribotua dhjetë herë.
Mirënjohje
Të nderuar dashamirës të
fjalës së bukur artistike!
Autori dhe shkrimtari i
mirënjohur drenicas, Bedri Tahiri, pos që po punon vazhdimisht në ndriçimin e
figurave tona kombëtare historike, me veprat e tij, që janë më të lexuarat, po
e ndihmon edhe materialisht Kompleksin Përkujtimor “ADEM JASHARI” në Prekaz.
Kështu, sipas llogarive të bëra, nga shitja e librave të këtij autori,
Kompleski deri sot ka përfituar shumën në vlerë prej 21.850 eurosh.
Nisur nga kjo, Kompleski
Përkujtimor “ADEM JASHARI” në Prekaz, autorit Bedri Tahiri i ndan këtë
MIRËNJOHJE.
Prekaz, 27 nëntor 2007
Rifat Bejta
GM: Keni marrë pjesë në
shumë simpoziume dhe sesione shkencore. Çfarë tematike trajtoni zakonisht në
këto forume dhe si e shihni rëndësinë e tyre?
BT: Simpoziumet, sesionet dhe konferencat shkencore janë
të një rëndësie të veçantë. Aty rrahën mendime nga më të ndryshmet dhe nxirren
konkluzione të vlefshme për historiografinë tonë. Ato kryesisht organizohen nga
institucionet përkatëse dhe nga profesionistë.
Unë, edhe pse nuk jam historian, marrë pjesë me tema
historike. Letërsia dhe historia janë simotra. Madje, prof. dr. Hakif Bajrami,
shpeshherë e ka thënë se letrarët veç më mirë i përgatisin temat, ngas edhe
historia duhet shkruar me art, sepse del më mirë, më e qartë, me domethënëse
etj.
Disa nga kumtesat e mia:
-EPOPEJA E ARBËRISË SË VOGËL, IH – PRISHTINË, Simpoziumi për Azem Bejtë
Galicën, 14 korrik, 2004,
- VESEL HAXHA-
luftëtar dhe mendar i shquar,
Kumtesë e lexuar
në Kukës dhe e botuar tek e Djathta Shqiptare 9, 2010, f. 507- 512)
- ROLI I HASAN PRISHTINËS
NË SHPALLJEN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË- (Kumtesë e lexuar në Poetika
mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi 2012”, organizuar në Malin e Dajtit më 26 gusht
2012, e cila u vlerësua me çmimin”Hasan Prishtina”, që sipas organizatorit tash e tutje mëton të bëhet tradicional),
- HASAN PRISHTINA-TRURI I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE (1908-1933), Shkup, më 13 tetor 2011
- TAHIR
SHABAN TAHIRI, (Kumtesë e lexuar në Prizren, më 28 Nëntor 2012, në 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Sesionin XI shkencor me temën bosht “Kosova dhe trojet tjera 100 vjet në luftë për Bashkim dhe Çlirim Komb?tar”, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve
Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”).
- ARBËRIA
E VOGËL E AZEM GALICËS- bërthama e shtetësisë së Kosovës,
(Kumtesë e lexuar në 90- vjetorin e Epopesë së
Arbërisë së Vogël të Azem Galicës, mbajtur në Vushtrri, 23 korrik 2014),
- ASLLAN JASHARI BASHKËLUFTËTAR I SHABAN POLLUZHËS (Kumtesë e lexuar në Gjakovë, më 9 gusht
2014, në hotel “Evropa”, në Sesisoni XIII te E Djathta Shqiptare).
- VEPRIMTARIA
LUFTARAKE E AZEM GALICËS GJATË LUFTËS SË PARË BOTËRORE, (Kumtesë e lexuar në Shkup, më 11 shtator 2014, në 100- vjetorin e Luftës së Parë Botërore).
- HISTORIKU I ALFABETIT
SHQIP, Drenas, 22 Nëntor 2019,
-KËNGA EPIKE E PERIUDHËS
SË RILINDJES KOMBËTARE NË DRENICË, IA mbajtur në Skënderaj, 26 nëntor 2019,
-GJERGJ KASTRIOTI- SKËNDERBEU NË ROMANIN SHQIPTAR, IH, mbjatur Skënderaj,
Skënderaj, 14 Nëntor 2018,
- BETEJA E
FUNDIT E AZEM GALICËS, (Kumtesë e lexuar në
Galicë, në Kompleksin ”Azem e Shotë Galica”, para poeteshave shqiptare më 6
prill 2008),
- SHOTË GALICA NË LETËRSINË SHQIPTARE,
(Kumtesë e lexuar në Vushtrri, në
“Takimet e Poeteshave Shqiptare 2008”),
- RIFAT GALICA-
LUFTËTAR I SHQUAR I LËVIZJES PËR ÇLIRIM E BASHKIM KOMBËTAR, (Kumtesë e lexuar në
Ferizaj, më 27 korrik 2008, në Konferencën e organizuar nga e Djadhta
Shqiptare),
- GJAKU I TYRE- DRITË LIRIE, (Kumtesë e lexuar në Prishtinë, në Akademinë Përkujtimore kushtuar 10-
vjetorit të rënies së Dëshmorëve në
Apterushë të Rahovecit),
- LISI GJASHTËNJAKË-
KUSHTRIMTAR LIRIE (Kumtesë e lexuar në Drenas, më
28 shkurt 2009, në 11-vjetorin e betejës së Likoshan- Qirezit),
- GJERGJ
FISHTA- HOMERI SHQIPTAR, Llapushnik, 5. 6. 2021,
- YMER
ELSHANI DHE LIBRI “NJOHJA E TRIMAVE”, kumtesë e lexuar më 13. 11. 2021, në Manifestimin “VJESHTA DHE VARGJET”,
në Tryezën kushtuar Ymer Elshanitmbjatur në Bibliotekën Kombëtare-Prishtinë.
- AZEM GALICA E MEHMET KONJUHI
BASHKLUFTËTARË TË PËRBETUAR,
IH, mbjatur në Vushtrri, më 9 shkurt
2024