E enjte, 24.07.2025, 09:50 PM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III)

E diele, 13.07.2025, 12:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN BEDRI TAHIRI (III)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e tretë të intervistës ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri, zbulojmë një dimension të veçantë të jetës dhe krijimtarisë së tij: përvojën e drejtpërdrejtë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Si dëshmitar i ngjarjeve vendimtare dhe si autor i një ditari lufte, Bedri Tahiri na ofron një pasqyrë unike mbi rolin e tij si krijues dhe qytetar, që jo vetëm i ka jetuar ato momente, por edhe i ka ruajtur për brezat që vijnë. Në këtë bisedë, ai ndan me ne fragmente të paharrueshme nga kujtesa e tij, shpjegon rëndësinë morale dhe kombëtare të statusit të Veteranit të UÇK-së, si dhe diskuton rolin që luan kujtesa historike në letërsinë e tij. Përmes mendimeve të tij, ai hedh dritë mbi sfidat dhe përgjegjësitë që mbajnë shkrimtarët dhe intelektualët sot, për ta mbrojtur dhe përjetësuar historinë e një populli që kurrë nuk ka reshtur së luftuari për liri dhe identitet.

GM: Gjatë luftës çlirimtare, qëndruat pranë luftëtarëve të UÇK-së dhe mbajtët një ditar lufte. Si ishte kjo përvojë për ju, si krijues dhe si qytetar? Si është të përjetosh luftën nga afër dhe, njëkohësisht, ta dokumentosh atë? Çfarë rëndësie ka kjo për ju, si dëshmi personale dhe kolektive?

BT: As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndruan duarkryq.  Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe formuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro- shqiptar, të Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas i UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.

Në fakt, me Adem Jasharin edhe ishim kushërinj nga fisi, edhe në vitin e parë ishim në një shkollë (në vitin e parë, pastaj ai kaloi në shkollën teknike, njëherë paralele e Mitrovicës e pastaj vitet tjera në Mitrovicë). Siç e theksova edhe më lart, në Tubimin gjithpopullor në Galicë, më 25 korrik 1990, Adem Jashari me Grupin e Prekazit ishin në Galicë dhe, meqë milicët serbë u tërhoqen pa ndërhyrje, edhe trimi nuk regaoi…

Daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kam përjetuar nga afër dhe e pata përshkruar kështu, në artikullin “Shqipet fluturojnë në qiell”.

Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandjellte diç të pazakontë. Qielli i mërrolur veçse s’lotonte. Dielli nuk dukej gjëkundi. Po vononte të hidhet dritë mbi horizont. Retë e harlisura tërbueshëm kalëronin në qiellin e pafund.

Drenica ende përkundej në djepin e ëndrrave liridashëse. E, drejt saj, që me natë, ishte nisur kolona e zezë mortore. Bishat e etura për gjak, tërë turfullimë e ulërimë, ngarendnin e ngarendin çmendurisht. Të dehur e të verbuar nga egoizmi mashtrues e të zhytur në batakun e mitit të rremë të pathyeshmërisë, futeshin thellë e më thellë në zemër të saj...

Dhe, papandehur, të Kryqi i Popit, dheu u trand si nga tërmeti. Thellë, në gjirin e tokës mëmë shpërtheu fuqishëm amaneti i brezave. Si Feniksi nga hiri i vet, u ringjallën: Millesh Kopiliqi, Ahmet Delia, Shaqir Smaka, Shotë e Azem Galica, Shaban Polluzha e Tahir Meha. Të bërë tok sikur folën për njëherësh: Mjaft më barbarë!

Lugjet përreth oshtinë, duke e përcjellë kushtrimin. Kodra-kodrës ia zgjati dorën. Malet u përqafuan vëllazërisht dhe u lidhën në besa-besë. Shqipet fluturuan lart mbi kreshta.

Një tufë rrezesh, në kryqëzim resh, u lëshuan mbi shkollën “Përparimi” të Llaushës. Në mësonjëtore drita e mundi errësirën. Brezi brezit amanet. Halit Gecaj, para filizave njomëzakë, që përpiqeshin ta përpijnë çdo fjalë të tij. U fliste për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Atë ditë të shënuar, u thoshte ai, plaku i urtë vlonjat, Ismail Qemali, bashkë me patriotë të tjerë, arriti ta bëjë një Shqipëri të Pavarur, por fare të vogël, pa Kosovën martire dhe pa Çamërinë fatkeqe. Nesër, kur t’ia bashkojmë këto, do ta bëjmë të tërën Shqipërinë...

Një breshëri plumbash e mbuloi shkollën.

-Na e vranë mësuesin!- bërtitën vogëlushët e lemerisur.

Gjaku zuri të pikojë mbi ditar. Ai u kalamend, por e mbajti veten. Mezi arriti t’u drejtohet nxënësve: “Mësoni dhe punoni për lirinë e Kosovës!”

Korbat, me krrokamën e tyre, u zmbrapsën. Duke ikur, të mllefosur, zunë të shfryjnë në të pafajshmit. Nuk kursyen asgjë. Qëllonin kudo e këdo: shkollën, xhaminë, shtëpitë, fëmijët edhe bagëtinë e gjorë. Dielli i hutuar nga kjo barbari e paparë harroi të ecte e zogjtë ndalën këngën.

Llaushë, 28 nëntor 1997. Lumenj njerëzish vërshuan nga çdo anë. Të gjithë tok i bashkonte flamuri kuqezi. Jo për ta kremtuar Ditë e Tij, por për ta përcjellë mësuesin në amshueshmëri. Ah, sa bukur qëndronte mbi trupin e tij! Flamur i lashtë, flamur besnik! Mbi pesë shekuj e gjysmë jetë e rezistencë. Dhe, prore i pandryshuar. Që nga epoka lavdiplote e  Skënderbeut kemi ecur bashkë. Kudo të pandarë: në lindje, në dasma, në festa, në beteja e në vdekje!

Fare pranë, nxënësit e tij sy përlotur. Ata përjetë nuk do ta harrojnë orën e fundit, që mësuesi i dashur e sypatrembur ua mbajti nën zhurmën e autoblindave e flakën e mitralozave.

Tej, larg në një qoshe, kishte zënë vend një plak i mbetur. I mbështetur mbi kërrutën e tij tërë nyje e i futur në gunën e arnosur, që i shkonte deri në tokë, mërmëriste me vete: U lumtë, ore djema, u lumtë! Ju, vetëm ju, do t’ia sillni Kosovës dritën! Edhe ne patëm luftuar mjaft, por ju keni edhe shkollë e nuk mashtroheni lehtë. Kur jeni të bashkuar s’ka ç’tu bëjë askush jo. Ah, mësues, mësues! Ju, që nga shkolla e parë shqipe, po u përsëritet historia. Çdo pushtues u pati halë në sy, por ama ato shkronjat të arta s’kanë frikë nga plumbat. Tre muajsh ishe kur serbët ta vranë babanë...- dhe lotët i vërshuan mollëzave thatake. Nxori shaminë e rrudhosur e zuri t’i fshijë, pa ua varur veshin të tjerëve përreth.

E lumenjtë rridhnin pa u ndalë. E terë Kosova po vinte aty për ta ndarë dhembjen e pikëllimin. Ishte kjo një dhembje krenare, sepse po hapej një faqe e re e historisë sonë.

Flamuri ynë fare pranë aspiratave shekullore, pranë Nëntorit të Tretë. Kjo shihej qartë në fytyrën e secilit pjesëmarrës. Këtë e thoshin edhe të gjitha zemrat që ishin bërë NJË. Por, më shkoqur e thanë vetë shqipet, që zbritën nga malet dhe duke u përkulur mbi varr thanë: “Të lehtë e paç dheun, or vëlla!”

Unë isha caktuar zëdhënës i UÇK-së për Galicë dhe si koordinator për media e për vullnetarët që ia mësynin Drenicës, meqë isha si urë lidhëse…

Ditën kur shpërtheu lufta në Prekaz të Poshtëm, më 5 mars 1998, me Haqif Mulliqin dhe disa të tjerë kemi vajtur deri në Prekaz të Epërm dhe nga aty, nga lagjja nën shkollë (nga Brahovitë) e kemi përcjell betejën. Këtëe dëshmon fotoja nga aparati i Haqifit, të cilën edhe e ka publikuar…

Ditët më të vështira për mua kanë qenë atë të Ofensivës së shtatorit 1998, e njohur si Operacioni Qyqavica. Edhe këtë ngajrje e kam përshkruar në notesin tim në formë kronike:

SY MË SY ME VDEKJEN

Lufta!

Ah, luftë, o luftë!

Për ty, më mirë se sa librat, na kishin rrëfyer pleqtë përvojëhidhur. Por, kot: I paprovuari, i pamësuari! Dhe, së fundi e përjetuam vetë. Po, po, bile një syresh, që as mësuesja e jetës nuk do ta këtë provuar ndonjëherë. Ato ditë të zeza, kur shpatë e Demakleut na kërcënonte përmbi koka e vdekjen e shihnim me sy, nuk harrohen lehtë…

E martë, 22 shtator 1998

Ende pa feksur mirë u zgjuam trembshëm. Ca plasje të fuqishme tranden dheun nën themele. Thënë të drejtën, që nga fundshkurti i këtij viti ishim mësuar me krisma e gjëmime, por kjo ngjante në diç tjetër, në një kataklizëm ogurzezë. Ato vinin andej nga Mitrovica, ku po sulmoheshin pamëshirshëm Vaganica, Vërnica, Pirçi, Ashlani…

Të hutuar fare e gati përgjumur dolëm përjashta. Kudo rrëmujë ankthi e frike. Lufta po përhapej si me krah. Edhe në Lubovec e në Galicë zunë të biejnë granatat e para. Popullata e paarmatosur u trazua keq. Shumica morën kokën në dorë dhe kah sytë këmbët. Autobusi „GALICA“ përplot gra e fëmijë nxitonte drejt Vushtrrisë. Të tjerët, hëpërhë, ngelën për t’u përballur me të keqen…

Akrepat e orës rrotulloheshin ngadalë e dielli ishte hutuar fare. Po afrohej mesdita. Qielli përflakej si në beteja dragonjsh. Jeta e vdekja sy më sy. Shqipet e lirisë qëndronin majë kreshtash dhe sfidonin lubinë shfarosëse. Zanat mjekonin të plagosurit nëpër istikame. Te Uji i Sokolave rrodhi gjaku i lirisë...

I tretur pas lajmeve të orës 16 të TVSH-së, kisha ngelur i vetmuar. Eca drejt Udhës së Kuqe dhe sakaq shtanga në vend. Ç’të shihja?! Te Varret e Shalës tanket serbe rrafshonin gjerdhet e lëvronin arat me misër e me tërfojë. Pas tyre djajtë shpirtzinj nuk linin gjë të gjallë mbi dhe. O Perëndi, sa afër e kisha mortjen e zezë! Vrik mora andej nga mendoja se kishin vajtur edhe të tjerët. Por, fati nopran ma hodhi. Granatat dhe predhat e Pragës ma prenë udhën si me shpatë. Mezi arrita te Lugu i Zanave. As aty nuk më lanë të qetë. Një e mallkuar plasi fare pranë. Dheu më nxiu të tërin. Me vrap ujku kalova livadhin dhe u futa në Shpatin e Keq. Dreq o punë! Një qen i huaj, i shastisur fare, nuk më shqitej këmbësh.

Sakaq një veturë nxitonte drejt Galicës. Veç kur i shpërtheu granata para turinjve ndaloi. Ishin dy të rinj nga Mikushnica, të cilët fati i kurseu. Edhe kur morëm të kundërtën hija e vdekjes na ndoqi pas. Në Dubofc na u ndërpre rruga. Gjylet e topit qëlluan shtëpinë e Skënder Sadikut. Telat e rrymës ranë përtokë dhe çdo gjë përreth mori flakë...

Kur muzgu krahzi mbulonte vendin arrita të futem në Baks, ku bashkë me familje kaluam një natë pa gjumë tek motra Nurije, gjegjësisht dhëndri Habib Miftari.

E mërkurë, 23 shtator...

Që pa gdhirë iu qepëm bjeshkës. Agu i hirtë u lajmërua fare i zymtë. Rrezet e purpurta të diellit mezi depërtonin në lugjet e trazuara të Qyqavicës mitike, që ngjasonin në teatrot antike greke. Ajri i freskët dhe lagështia mëngjesore i kishin shtangur njerëzit. Heshtjen makabre e thyenin kollitjet e thata të fëmijëve të ftohur dhe të pleqve astmatikë.

Ngrohtësia e rrezeve të shumëpritura na gëzuan fare pak. Bashkë me to erdhën edhe granatat e para vdekatarë nga Ferronikeli. Gryka e Krasmirofcit zu të trazohej si zgjua bletësh. Të kalojmë në luginën tjetër, foli dikush, dhe karvani i pafund mori udhë...

Dielli kishte arritur zenitin kur shumica e të zbuarëve zunë grykën e Kozhicës. Edhe aty plasën shumë granata. Hasime Shabani nga Galica mbeti e vrarë e shumë të tjerë u plagosën. O Zot, ç’po ngjet kështu?!- bërtisnin plakat e lemerisura, por zëri i tyre i mekur nuk dëgjohej larg se mbytej nga klithmat e kalamajve dhe shpërthimet e pandërprera.

Rrathët e ferrit dantesk vazhdimisht ngushtoheshin. Caku i tyre Qyqavica heroike. Ah, e bekuara, gjithmonë u kishte dalë krah të rrezikuarve.

Edhe kësaj radhe e hapi zemrën e saj të madhe, por siç dukej nuk do t’ia dilte mban gjithë asaj zallamahie çmendëse. Tanket uturinin drejt nesh duke vjellë zjarr përvëlues. Pas tyre piromanët me unza të ndezura në duar digjnin e shkretonin çdo gjë. Luboveci, Galica, Mikushnica, Prekazi, Dubofci, Beçiqi, Prellofci, Polaci, Dasheci, Baksi, Qirezi, Likoshani, Gllanasella, Gradaica, Godanci etj., nuk dukeshin më nga tymi e flaka. Vrasësit gjakatarë na afroheshin këmba-këmbës. Sa shumë e dëshironim terrin në ato çaste. Kudo rrëmujë e tollovi tmerruese. Përpëlitjet golgotiane me vdekjen që na vinte nga ajri na kishin sfilitur sa s’ bënë.

Sakaq edhe nga lart përroskat zunë të rrjedhin kuq. Edhe atje, tek Maja e Zezë, kishte nisur hataja mynxyrore.

-O burra, të dalim nga ky ferr i mallkuar se po çmendem!- foli një mesoburrë duke çarë i pari rrethimin.

Edhe ca të tjerë iu vumë pas...

Tek kur u rrasëm te këmbët e Kalasë së lashtë dardane te Gjytetit (Dubofcit) ndiem pak siguri dhe ndaluam për të marrë frymë. Por, djall o punë, u mashtruam keq. Hijet vdekatare me kohë kishin zënë gjysmë muret e saj.

Fët e fët na grumbulluan, na kontrolluan, na izoluan dhe na e morën profesorin e nderuar Enver Halitin. Reagimi i familjes dhe fëmijëve të tij u fashit me rafalë automatikësh zbrazur mbi kokat tona. E ai, krenar siç qe përherë, ecte patrembshëm midis tyre duke na shikuar me radhë e si të thoshte: Qëndroni burra se liria i ka rrënjët në gjak!

E enjte, 24 shtator...

Edhe një natë Bartolomeu e kapërdimë si pelinin. Të mbajtur peng, tërë natën e kaluam në ethe traumatike. Që me ag sërish nisi hataja. Luftëtarët tanë, të zënë ngushtë, taktizonin kujdesshëm...

Pse po vonohet babai?- pyeste djali i vogël i Enverit.

-Veç sa s’ka arritur,- ia prisnim ne me gjysmë zëri, duke kthyer kokën mënjanë se na tradhtonin lotët.

Përreth kudo: vrasje, masakrime, djegie e shkatërrime vandale. Poshtë, lokalet e shkollës dhe të shtëpive përreth i përpinte flaka. Busti i Azem Galicës ishte përdhosur barbarisht. Tanku me mitralozin e madh, të gatshëm për të hapur zjarr, na rrinte përballë...

Dielli kishte perënduar kaherë, por flakët e shtëpive të djegura e shqelmonin terrin përdhunshëm. Pak më tutje, një i varur me kokë poshtë (ushtar Isa) sfidonte vdekjen. Të liruarit në Kozhicë ndaloheshin dhe persekutoheshin në Dubofc. Ata që i hante puna dërgoheshin për në burgje. Gratë dhe fëmijët ngelnin të lemerisur. Edhe lotët u kishin tretur fare.

E premte, 25 shtator...

Ditë pa diell. Mjegulla e dendur përpiqej t’i fshehë plagët e rënda të krimeve makabre të soldateskës së shfrenuar serbe. Qyqavica plakë lotonte në heshtje e Kalaja e turpëruar i mbante iso. Njerëzit plot ankth e frikë, mezi zvarriteshin ftohtas drejt shtëpive të veta tashmë gërmadha.

- O Zot, cila ka qenë shtëpia jonë?!- pyeste një plakë e shqetësuar posa arritëm në katund.

- Qenka matufosur e shkreta,- tha dikush shkujdesshim e pa të drejtë, Ajo nuk kishte faj xhanëm, sepse çdo gjë kishte ndryshuar, trojet ishin përzier të tërat. Gjë e gjallë nuk pipëtinte. Edhe qentë e kishin harruar zanatin, lehjen...

E shtunë, 26 shtator...

Atë mëngjes rigonte shi kur në Galicë hapeshin 14 varre të reja. Azem Galica hijerëndë vëzhgonte nga obelisku përballë. Lotët tanë përziheshin me currilat e flokëve dhe treteshin në dheun e shkriftë që nxinte mbi barin blerosh. Nën qarrin shekullor, dëshmitarin besnik të rravgimeve jetësore, qëndronin lulet e rinisë. Vallë, cila zemër mund të përballonte para tyre?! Aman, aman! Gjymtyrë të nakatosura, kafka të copëtuara, trutë shkapërderdhura, sy të nxjerrë me maja thikash, xhepa të hapur nën lëkurë, vesh të prerë e dhëmbë të dërrmuar. Hapu tokë e bjerë o qiell! Por, njeriu qenka edhe më i fortë se guri e se druri.

Dhe, fare pranë e pranë, zunë vend në gjirin e ngrohtë të tokës mëmë: Shasivar Ademi, Fatmir Ademi, Burim Ademi, Gani Ademi, Agim Ademi, Bajram Sahiti, Hetem Halili, Bujar Halili, Bekim Halili, Nazmi Halili, Nexhat Halili, Hajredin Lahu si dhe dy mysafirë, dhëndurët: Sejdi Kabashi nga Polaci dhe Enver Kastrati nga Polluzha.

Në të mbaruar, edhe një kumt i zi. Trupi i pajetë i Enver Halitit gjendej në Dubofc...Kur dielli rrokullisej tej Bjeshkëve të Nemuna, varrtarët kishin mbaruar punën e tyre. Edhe ne u larguam në heshtje duke i lënë varret binjake të Enver e Murat Halitit nën ndriçimin e plotë të hënës që kishte hedhur sy mbi Sukën e Madhe të Galicës.

GM: A mund të ndani me lexuesit tanë një fragment ose përjetim që keni shkruar në ditarin tuaj të asaj kohe?

BT: Si zëdhënës dhe kronist i luftës, përherë mbaja shënime, mirëpo ditarin e mirëfilltë, ashtu siç kërkohet, për çdo ditë, e mbajta nga dita, 22 shkurt 1999 deri më 22 qershor 1999. Dorën në zemër, here-herë e kisha pisk me fletoret e me stilolapsat. Më harxhoheshin dhe më mungonin. Në një shtëpi të djegur e të braktisur në Ashlan e gjeta një çantë shkollore dhe aty e mora një fletore nxënësish. Paskëtaj, për shkaqe sigurie, fletoret e mbushura, i futja në oxhaqet e shtëpive të djegura, ua qitja sipëri ndonjë tjegull për t’i mbrojtur nga shiu dhe, zakonisht i tregoja edhe dikujt tjetër, se luftë ishte e nuk i dihej…

Për lexuesit kureshtarë po i ndajë dy fragmente, dy ditë të ditarit…

E premte, 19 mars 1999

Ende pa gdhirë mirë malet përreth oshtinë mnershëm. Kur rrezet e para të diellit shigjetonin Sukën e Madhe gjakatarët sy përdalë me una të ndezura në dorë suleshin drejt Galicës trime. Sa mjerakë që janë! Duke ecur së prapthi, sërish ishin kthyer në gjenezën e egërsisë primitive. Rrebeshi mbytës përlau çdo gjë. Krisma... britma... çirrje... hakërrime. Të gjitha këto nga frika. Ecnin si të droguar, një hap para, dy pas. Toka nxinte. Lumenjtë mortorë vërshuan nga çdo anë. Vinin nga Lugu i Llubureve, nga Udha e Bregut, nga Lugu i Nërmjem, nga Lugu i Zanave...

- Ja edhe katundi i mallkuar, që dikur Pashiqi ynë mjekërbardhë e pat fshirë nga faqja e dheut, bëri ungurueshëm, më shumë me hundë se me gojë, komandanti kokë tullac. Sa çudi, o Jezu Krisht, qenka ringjallur nga hiri i vet. Katundi i Azem Galicës!!! Në hartat tona figuron i zhdukur. Po, po i zhdukur me soj e sorollop. Veç atëherë, kur e dogji rrafsh me tokën, qe qetësuar krali ynë Aleksandër. Ama edhe e patën paguar shtrenjtë. Shumë veta lanë kokat këtu. Edhe eshtrat e tim gjyshi, ndjesë pastë, kalben diku në këto lugje të frikshme... Dëgjoni këtej!- klithi beftë, sa ushtarët ngelën pa frymë. Këtu nuk dua të mbetet gjë mbi dhe! Morët vesh? Ama hiç fare. Hakmarrje, hakmarrje!- ulëriu sa mundi...

Galica me gjakftohtësi, si Prometheu i mbërthyer për shkëmbinjsh, priste furtunën. Flaka dhe tymi mbuluan çdo gjë. Më nuk dukeshin as toka, as qielli, as dielli, as hëna... Bishat po shfrenin dufin e mbledhur me vite e decenie.

- Pa shihni, shihni, Azem Galica në këmbë!

- Ha, ha, ha. As këtu në mermer nuk më lini të qetë! Ende ma keni drojën? Sigurisht që po. Dhe s'keni faj. Gjaku im rrjedhë... rrjedhë...

- Mallkuar qofsh, o trazues mendjesh e gjakrash, mallkuar!!! Çekani i rëndë pesë okësh çau ajrin furishëm. Obelisku lëshoi një zë prekës dhe u bë copë - copë.

- Ha, ha, ha, qeshi Azem Galica nga nën dheu sa u tundën shkrepat. Oficeri i tmerrua zbrazi mitralozin përnjëherësh në drejtim të zërit që i vegohej. I zverdhur si limoni zu të dridhej. Nuk ndjehej mirë. Dy ushtarë e mbanin për krahësh, derisa e fusin në llandroverin ngjyrë blu...

Flaka i kishte shpall luftë territ skëterrë. Karvani i të dëbuarve ecte e ecte. Klina e Poshtme gumëzhinte si zgjua bletësh. Aty kanë zënë vend shumë e shumë njerëz. Ca të rinj vazhdojnë edhe më tutje, kalojnë në Llaushë e më larg...

Populli i thotë PO Marrëveshjes së Rambujesë. Ashtu mendon edhe shkrimtari ynë i madh, Ismajl Kadare. „Nënshkruani se bota e civilizuar është në anë tonë“, shprehet ai në takimin me Thaçin. Dhe kryesuesi i delegacionit merr frymë më lirshëm... Më lehtë do ta ketë t’ia mësyjnë dyerve të Avenue Kleberit.

E enjte, 15 prill 1999

Agoi bukur, me diell. Sërish avazi i njëjtë: granatime e mitralime nga çdo ane. Laku shtrëngohet vazhdimisht, por njerëzit nuk gjunjëzohen dot. Sa më ngushtë, aq më shlirë!- thonë të gjithë. Sa mrekulli! Më erdhi ndërmend poeti e luftëtari ynë, Luigj Gurakuqi, që thoshte:

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue

e zemrën ta forcon,

Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue

mjer‘ ai që nuk QINDRON!

Edhe të zezës uri, që kërcënonte si Shpatë e Demokleut, i thamë shporru! Trimit edhe fati ia zgjat dorën. Nëpër flakë pushke trimoshët e Bekimit zbrazën depot e mullirit në Novolan dhe mbushën magjet e boshatisura skamnorëve. Shpresat shtohen e optimizmi merr krah.

Kam zënë vend në lëndinën bleroshe dhe sodis. Të tjerët shikojnë në kohën e lirë, lozin futboll. Të tjerë shikojnë e kënaqen. Fëmijët e padjallëzuar ne mbledhin, lule dhe bëjnë gjerdanë nusërie. Ah, fëmijët! Mendja vrik me ikën larg e larg. Po fëmijët e mi ku janë vallë? Po bëhen dy muaj që nuk i kam parë. Saktë nuk di as ku gjenden. Kam njoftime se i kanë nisur për Maqedoni...

Ushtarët që zbresin nga kodrat e Galicës m'i shkarravitin meditimet torturuese. Kënga e tyre më sjellë në vete. Gjermani hafif e flokëzi, i quajtur Shaban, mbanë dy mina antitanke në shpinë. Ashtu, me plagë të pashëruara mirë, nuk shkoqet nga aksionet. Rrugët dhe udhëkryqet përreth Galicës i kam minuar të gjitha, thotë ai me një kënaqësi të veçantë.

Të moshuarit, me batanijet ngjitur pas shpine, si gungat, zbresin nga malet për të kërkuar ushqime. Të gjithë mbajnë transistorë të vegjël në duar e pranë veshëve. Në Sllovi të Lipjanit janë masakruar 18 civilë shqiptarë...

Kur ngela vetëm më erdhi më së vështiri. Mendja, më fluturoi përtej kodrave, tek librat e bëra shkrumb e hi. Por, nëse më ka shpëtuar dorë shkrimi „ADEM JASHARI-legjendë e legjendave“ të tjerat as që do t'i përmendi me...

Në të kthyer, rrugës takoj shumë të ikur. Një vajzushë qante më zë.

O Zot, sa më preku në zemër.

- Si të quajnë ori çupulinë?

- Liridonë, mezi më gjegjet, duke dënesur rëndë - rëndë.

- Pse qanë shpirt të është djegur shtëpia?

- Ah, jo për shtëpi s‘po qaj, por mu ka djegur Abetarja në vitrinë!

Sa interesant. Më shumë i dhimbsej libri se shtëpia. Fort më ngushëlloi dhe më forcoi. Mbi të gjitha çmohej libri, dituria. Patjetër do të fitojmë, i thashë vetes. A s'thoshte edhe Naimi ynë i madh:

Dhe vetëm dritë e diturisë

Përpara do t'na shpjerë...

GM: Ju keni statusin e Veteranit të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për ju në aspektin moral dhe kombëtar?

BT: Është nder dhe krenari për të gjithë ata që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Dhe, jo vetëm për ta! Secili që i ka dy kokrra mëndë në kokë, duhet ta ketë të qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qe e drejtë, çlirimtare, e pastër, e shenjtë. Atë e bën djemtë dhe vashat tona që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaç!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë. Për herë të parë folëm me një zë dhe bëmë luftë mbarëkombëtare, duke fituar përkrahjen e botës së civilizuar, andaj edhe fituan atë që na mungonte-Lirinë!

Përpjekja për zhvlerësimin e luftës sonë më të lavdishme historike, luftës së UÇK-së, le të rëndojë si ndëshkim nopran mbi të gjithë ata që kanë hak e hile! Tekefundit, ajo është brilante dhe njollat nuk e përlyejnë dot. Kemi të bëjmë me vlerat kombëtare, me mundin, me sakrificën, me gjakun e me gjymtyrët e humbura të atyre që na sollën Ditën e Bardhë- LIRINË, dhe kjo merr përmasat e një mallkimi të pamëshirshëm historik.

Nuk dënohen ÇLIRIMTARËT!

Ata janë vetë LIRIA!

Pastërtia e UÇK-së nuk përlyhet dot!

Lavdi për jetë e mot!

GM: Shumë prej veprave tuaja u janë dedikuar dëshmorëve dhe figurave kombëtare. Çfarë rol luan kujtesa historike në letërsinë tuaj?

BT: Dëshmorët janë nderi dhe krenaria e kombit dhe e atdheut. Ata janë të shenjtë për popujt e qytetëruar. Vetëm ata që çmojnë gjakun e tyre mund të ecin përpara drejt ardhmërisë. Edhe ne shqiptarët duhet kthjelluar dhe të marrim të mbarën. Nuk thuhet kot: Kush harron historinë është i detyruar ta përsërisë. Sa herë e pësuam ne dhe kurrsesi të mbledhim mend.

Është e vërtetë, shumica e veprave të mia janë me temë historike, andaj edhe shumica me quajnë historian. Ai që nuk e njeh historinë e vet nuk di pse jeton? Historia jonë është e begatë, sepse përherë na u dashtë të qëndrojmë me armë në dorë për tu mbrajtur nga armiqtë e ndyshëm që synonin trojet tona stërgjyshore.

Unë zakonisht merrem me shkrime historiko-letrare, e lëroj me kujdes reportazhin, esenë, monografinë, poezinë, tregimin, romanin dhe publicistikën. Duke e parë se historia ndaj shqiptarëve është treguar njerkë, dhe duke parë që historinë e kemi pasur të shkruar nga të tjerët, mua më lindi idea që vetë ta shkruajmë historinë tonë, jo duke e glorifikuar, duke e zmadhuar, por duke thënë realitetin. Lajtmotiv i të gjitha veprave të mia është atdhetarizmi.

Çdo popull i ka dy letërsi, letërsinë gojore dhe traditën e kultures së shkruar. Tradita e jonë gojore është mjaft e pasur, për të cilën  na e kanë lakmi të gjithë. Kështu që tradita jonë gojore ka ndikuar tek unë që të shkruaj për popullin tim, për të kaluarën e lavdishme, për heronjtë.

Që nga fëmijëria kam qëndruar nëpër oda, ku nga aty kam marrë bazamentin e shkrimeve të mia. Nuk ka shkrimtar shqiptar , i cili nuk e ka lyer penën në traditën gojore, në gurrën popullore. Ajo është formulë magjike. Gërshetimi i traditës gojore me kulturën e të shkruarit, artistikisht realizohen bukur. Populli nuk gabon. Arkivi popull është më i fuqishëm se çdo gjë.

Siç e kam theksuar  edhe më përpara, dashuria për historinë dhe letërsinë më kishin lindur herët. Qysh kur isha fëmijë, më pëlqente të rrija nëpër oda dhe të dëgjoja rrëfimet e pleqve për ngjarje e ndodhi historike apo këngëtarët kur u thurnin lavdi heroizmave të të parëve tanë që kurrë nuk u pajtuan me robërinë. Rrija deri pasmesnate, në tymnajën e krijuar nga duhanxhinjtë e pangopur dhe të nesërmen mezi më dilte gjumi për në shkollë. Aty mësova e ç’nuk mësova. Mbamendja ime mbushej e mbushej. Interesimi im i habiste edhe burrat, saqë, dikur me lejonin të qëndroja aty edhe kur nuk ishte vendi për fëmijë. Isha i privilegjuar. Rrija mbi parmak dhe mbaja edhe shënime, si të isha procesmbajtës...

Kjo dashuri mu shtua edhe më në shkollë të mesme e veçanërisht në fakultet. Tashmë edhe profesioni më nxiste të punoja më shumë në këtë fushë. Seminari im nga letërsia popullore u vlerësua lart nga dr. Shefqet Pllana. Pata mbledhur lëndë folklorike, prozë e poezi, nga tregimtarë të ndryshëm, ndër të cilët shquhej dijetari Hajdar Smajli-Kozhica. Një pjesë të tyre ia tregova edhe të madhit Anton Çetta...

Dhe, leximi i vazhdueshëm i literaturës shqipe e asaj botërore, cyste  korën time trunore që edhe vetë të krijonte diç. Kështu zura të shkruaja tregime e poezi, të cilat i mbaja të ndryera. Nuk kisha besim tua lexoja as shokëve...Një poezi e publikova në revistën e Gjimnazit në Skënderaj që quhej “Shkëndijat e Drenicës”. Kjo ndrydhje në vetvete vazhdoi deri vonë.

GM: Si e vlerësoni përfaqësimin e luftës në letërsinë shqiptare në ditët e sotme? A mendoni se është bërë mjaftueshëm për ta përjetësuar atë në mënyrë dinjitoze?

BT: Nuk mund të ankohemi, sepse kohëve të fundit janë botuar një seri veprash me tematikë nga luftërat tona shekullore, veçan nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, megjithatë lë për të dëshiruar! Duhet bërë më shumë e më mire! Kjo po na kthehet si bumerang. Serbia gjakatare ka publikuar aq shumë dokumente e libra, saqë gati po del si viktimë e ne po mbesim fajtor! Po ngjet e kundërta e asaj që ka ngjarë realisht.

Sot, më shumë se kurrë, kur vlerat e luftës sonë çlirimtare po cenohen qëllimshëm e pa të drejtë, me burgosjet dhe dënimet e çlirimtarëve, kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të komandant Adem Jasharit dhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që solli Lirinë.

Të flasësh e të shkruash për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj, ata nuk kanë nevojë për lëvdata, sepse janë lavdia vetë, ata nuk kanë nevojë për ne, por ne kemi nevojë të krenohemi me ta.

Luftërat tona, që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari, ishin të drejta, mbrojtëse e çlirimtare.

GM: Si mund të ndikojnë shkrimtarët dhe intelektualët në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e historisë dhe identitetit kombëtar?

BT: Shkrimtarët dhe intelektualët kanë rol parësor në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e historisë dhe identitetit kombëtar! Kjo dëshmohet me punën dhe përkushtimin e rilindësve tanë. Ata e krijuan Shqipërinë! Shkrimtarët dhe intelektualët duhet të jenë largpamës dhe të guximshëm. Ata ku mungon guximi, ndërgjegjja është një mysafir i shkretë!-thoshte një mendimtar.

Duke folur për rolin edukativ poezisë dhe këngës, Lasgushi ynë i madh përmend Himnet kombëtare me të cilat populli mobilizohet, të shkojë në luftë dhe të vritet, duke kënduar. P.sh. Me vargjet: Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë,

Bashkoi burra se s’ka me prit …, janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndoshë.

Porosia që del nga veprat e shkrimtarëve, përherë përbashkuese, unifikuese dhe qëlimmirë! Ajo shkon në vazhdën e thënies së njohur profetike të dijetarit Xhemail Abrija: “Sa t’kërset pushka midis nesh kurrë i huaj pej qafe s’ka me na u hjekë”.



(Vota: 81 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (X) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IX) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Kombi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VIII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VI)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx