Kulturë
Tahir Bezhani: Frymëmarrje e thellë në universin poetik të Lulzim Logut
E hene, 06.10.2025, 06:36 PM
Frymëmarrje e thellë në universin poetik të Lulzim Logut
Lulzim Logu: ” Pikënisja e mëkatit”, poezi, botoi
“Onufri” Tiranë, 2025
Nga Tahir Bezhani
Lulzim Logu, emër i
njohur prej krijuesi brilant dhe i pranuar në boten shpirtërore të lexuesve
anekënd trojeve shqiptare, këto ditë me vapë vere, ka “gjetur” strehën e
pushimit shpirtëror duke na dhuruar botime të reja në poezi, prozë, kritikë
letrare dhe ese, libra të cilat padyshim se do pasurojnë letërsisë shqipe.
Në vazhdën krijuese
të tij, së shpejti presin botimin edhe libra të tjerë, si proza e gjatë,
tregime, poezi etj. Para pak ditësh doli nga botimi libri me poezi “Pikënisja e
mëkatit,” botuar nga “Onufri” Tiranë, me një teknikë e cilësi të
jashtëzakonshme profesionale.
Shtëpia botuese
“Onufri” në Tiranë është shtëpi e veçantë ku botohen emra të spikatur të
letërsisë shqipe, të cilët kanë dhënë dhe po lënë gjurmë në letërsinë shqipe e
jo vetëm. Tani, kësaj krenarie i përket edhe libri më i ri i poetit e
krijuesit, Lulzim Logu, “Pikënisja e mëkatit” ,me redaktor Besnik Mustafajin,
emër që i bënë nder letërsisë shqipe kudo në botë .
Duke lexuar librin më
të rij të tropojanit Lulzim Logu, ”Pikënisja e mëkatit”, sinqerisht them se u
gjenda para një mrekullie poetike e cila nuk më hiqet nga mendja kohë të gjatë.
Duke njohur autorin kohë të gjatë, si mik e krijues të mirëfilltë, si bashkëpunëtor
e mendimtar në një varg aktivitetesh përafërm dy dekada, nuk pata vështirësi të
futem në labirinthet e shpirtit të tij krijues, aty ku ngërthehet vargu i
shpirtit plot melankoli, mbushur me lëng jete.
Universi tematik në
trevagëshin e pesërvargëshin e Logut, përmban fragmente fluide të filozofisë
dhe universit shpirtëror shikuar nga thellësia, gjerësia dhe lartësia e mendjes
së ndritur prej krijuesi cilësor. Lulzim Logu, poeti zëmadh i Malësisë së
Gjakovës, ka lindur e është rritur i rrethuar me bukuritë e rralla alpine të
cilat ia kanë ushqyer gjithmonë shpirtin e njomë me traditat, me kulturën e
fisnikërinë kombëtare, aty ku guximi shpirtëror kalitet rrathëve të jetës
përgjithmonë i paepur.
Që në faqet e para të
librit lexojmë vargjet më pikante në të cilat derdh gjithë zjarrin e dashurisë
për vendlindjen e tij, Tropojën. Ja se me çfarë vale dashurie dalin vargjet në
fq.39 të librit:
“E pamundur të harroj
zërin tënd
E pamundure të harroj
ditët me ty
Jam pellg i zbrazur
prej ujit
Jam shpellë e zbrazur
nga gjallesat
Jam thjesht piskama
jote....”
Janë këto vargje
antologjike, dalë nga thellësi shpirti si vullkan i ndezur me përkushtim ndaj
vendit të vet . Poeti Lulzim Logu, nuk di t’i këndojë vetëm ambientit të rritës
së tij, por ai duke qenë një fanar ndriçues rrugëtimi, një atdhetar i dëshmuar
me pendën e tij, i këndon gjithë Malësisë së Gjakovës, gjithë shqiptarisë. Kjo
vlerë dëshmohet në pesëvargëshin e tij në fq.38 ku pos tjerash lexojmë vargjet
kushtuar Gjakovës, aty ku fle dashuria e tij e përhershme, dhe atë dashuri plot
zjarr, e mbanë të ndezur në vargje emblematike:
“ Gjakova ka
mëngjesin e butë
Si një djalosh
faqedjersitur
Gjakova ka mbrëmjen e
rrëmbyer
Si një vajzë ende e
parritur
Gjakova ka moshën e
pafajësisë....”
Vargjet e poetit
Lulzim Logu, në tërësi janë vargje që burojnë nga ndjenjat e thella shpirtërore
e të sinqerta, plot dashuri njerëzore. Redaktori i librit ”Pikënisja e
mëkatit”, z. Besnik Mustafaj, pos tjerash shkruan për autorin:
” Nisur nga kumti i
poezisë së tij dhe estetika e shprehjes së këtij kumti, do të thosha se Lulzim
Logu nuk e zgjodhi Tropojën i shtyrë nga ndonjë dalldi romantike paseiste për
t’u tërhequr larg “rrëmujës dhe rrëmetit” të qytetit të madh. Tropojën e ka
zgjedhur si pikë të ngritur mbi reliev, për ta parë nga lart pikërisht
“rrëmujën dhe rrëmetin”.
Një konstatim
gjithëpërfshirës mbi esencën psikologjike të krijuesit tropojaë z. Lulzim Logu,
vlerat e të cilit janë të pakontestueshme.
Bota e brendshme e
poetit Lulzim Logu, nuk është diçka si e rastësishme, sa për të thënë e
shprehur, është një botë plot ballafaqime e sakrifica si e gjithë të tjerëve,
por kultura, dija dhe motoja e tij emocionale që mbështeten në edukatën
familjare, e bëjnë të veçantë refleksionin e tij filozofik për një shoqëri të
mbushur mirësi, bamirësi e dashuri njerëzore. Kjo tezë e filozofisë së tij
qetëson valët e trazuar në marrëdhëniet e shoqërisë sonë sot e nesër, aty ku
hapur vërehen disa pengesa të cilat stagnojnë ecjen drejtë një emancipimi akoma
më të hovshëm.
Diapazoni i zgjeruar
si krijues e njeri i kohës, nuk na befason, nuk na çon larg të dimë se poeti
Logu, ne tre breza është produkt edukimi i prindërve të arsimuar e që vazhdon
te jetë edhe në dy breza tjerë pas tij. Babai Idriz Logu dhe nëna kanë bërë
historinë e edukimit të brezave në Malësinë e Gjakovës, andaj shëmbëlltyra e
tij në artin poetik me gjithë filozofinë e jetës, ka bazamentin e përhershëm në
çdo aspekt të jetës.
Kur kujtesa e tij i
rikthehet rrugëtimit ndër breza, lotin ia nxjerr vargu për të dëshmuar gjithë dashurinë
për nënën, babën e të afërmit e tij, miqësinë e pasur dhe episodet krenare duke
qënë së bashku në përpjekjet për unifikimin tonë kulturor dhe mbijetesën e
traditave të trashëguara. Sa të ngrohta e të valëta janë vargjet kushtuar
nënës, asaj që ia hapi dritat e syve e të jetës, edukatores së paharruar ndër
breza në Malësinë e Gjakovës.
“Nëna s’po ecën më si
dikur
Zgjohet kur duhet të
flejë
Fle kur duhet të jetë
zgjuar
Kotet në djepin e
kujtimeve
Duke u zvogëluar....”
Ngjashëm me poezinë
kushtuar nënës, po me aq zjarrmi shpirti i këndon edhe babait ,edukatorit të
brezave të Tropojës e jo vetëm:
“Shoh kah dera
Kryevarur im atë
Dhjet vjet pa
ty.....”
Autori i librit
“Pikënisja e mëkatit” ka përvojën jetësore si mësonjëtore jete, ka dijen dhe
komunikimin adekuat, segmente këto që i paraprijnë mendimit dhe intuitës
poetike për të vënë në vendin e duhur çdo fjalë në fjali, aty ku sintetizohet
universi dhe madhështia e mendimit krijues. Këtë fenomen e takojmë kudo në
vargjet e poetit, i cili me një dashuri e respekt të paparë, i këndon
gjithandej vendeve, qyteteve ,bjeshkëve e maleve të gjeografisë sonë kombëtare,
si një tërësi shpirtërore e pandarë.
Poeti i cili shëtit
gjithandej skajeve të vendit të tij, shpesh e shqetëson gjendja e skamnorëve me
duar të shtrira migjeniane dhe pa bëzajtë e tradhton loti i dhimbjes, pastaj
derdhen vargje si këto: “
“Loti i lypsarit
Një natë acari
Thyen fëmininë
time...”
Ose:
“ Pa dashuri
Jemi lypsarë
Të përjetshëm...”
“Loti s’numërohet
Kur rreknehet
Prej zemre....”
Me këto tre strofa
poezie të lartcekura, lexojmë dhe shijojmë momente frymëzuese të poetit,
takojmë ndjeshmërinë emocionale në çaste si vlerë e një intuite të lartë
poetike. Të tilla vargje, me larmi të ndryshme përmbajtësore, si përvojë e
pjekurisë krijuese e njerëzore, lexojmë gjithandej librit me mbi 130 faqe.
Qenësore mbetet
bukuria e vargut përmes paraqitjes shumëdensional të tematikës së qëlluar
sociale ku lexuesi gjen kënaqësinë duke u thelluar në atë galeri poetike si
thesar kulturor i letërsisë shqipe. Nga penda e Lulzim Logut, vargu “flet”
bukur në shqipen tonë moderne dhe mban peshën e frymëmarrjes filozofike
poetike, duke trazuar brendësinë emocionale shpirtërore në të gjitha aspektet e
jetës.
Gjakovë, 28 gusht, 2025