Kulturë
Ndue Dedaj: Ora e pavekësisë së Migjenit
E shtune, 04.10.2025, 03:06 PM
ORA E PAVDEKËSISË SË MIGJENIT
(Poet
i Ngadhnjimit dhe Skandalozes)
NGA
NDUE DEDAJ
Gjuha
e relikteve duhet dëshifruar që të “thotë” atë që fjalët nuk e thonë dot të
gjithën. Nëse ato i sheh si sende të vdekura, thjeshtë muzeale, atëherë nuk ke
kapur thelbin e tyre. Te Migjeni të tërheqin dorëshkrimet e poezive e prozave,
shënimet që lidhën me shërbesën si kryemësues në Pukë, letrat drejtuar miqve
dhe familjarëve, fotografitë etj. Në njërin nga botimet e veprës së tij, në një
foto janë stilografi dhe ora që ka përdorur poeti. Secila ka domethënin e vet,
por të vendosura ashtu pranë e pranë, sikur thonë se aty ku u ndal stilografi i
tij mbi letër, nisi ndërkohë ora e pavdekësisë së poetit. Një orë që nuk do të
ndalej kurrë. Kjo është simbolika që ne duam të shohim te ky objekt kaq i
zakonshëm. Ka plot orë që janë ndalur me shuarjen e personit që e mbante, burra
shteti, diturakë të shkencës, oratorë, shkrimtarë, por jo ajo e Migjenit, i
cili sa ç’kishte lindur në një orë aspak të volitshme sa i përket
jetëgjatësisë, kishte lindur ndërkohë orëçuet si krijues i artit të fjalës.
Ora
e tij nuk do të ishte mitologjike, bestyte, por një orë estetiko-historike. Ai
do të ishte aty gjithmonë, në tempullin e tij shkrimor, në akademitë letrare
dhe orët e letërsisë të shekullit të vet dhe të tjetrit pas. Në antologjinë e
poezisë shqipe, në rend me Budin, Bogdanin, De Radën, Seremben, Naimin, Mjedën,
Asdrenin, Fishtën, Nolin, Mekulin, Poradecin etj. Emri i tij as që mund të
diskutohej nga redaksitë, juritë, komisionet e letërsisë etj. Me të drejtë
është thënë se Migjeni është i pakrahasueshëm dhe i paimitueshëm si shkrimtar,
një fenomen letrar i pashpjegueshëm, ndërsa ai për veten do të thoshte “unë jam
vullkani që fle i fashitun”. Mund të ketë pasur poetë të dëshiruar për të qenë
“migjenianë”, por kjo nuk do të ndodhte, pasi vargjet me patos social të tyre
nuk ishin të mjaftueshme për të “klonuar” ndër ta poetin si ai, që rebelimin e
kishte poetik dhe jo patetik. Të gjithë poetët kanë kërkuar që nata të bëhet
d(r)itë, por mbase asnjë si Migjeni me thirrjen proverbiale: “Pak dritë! Pak
dritë! Pak dritë, o shok, o vlla”.
Migjeni
ishte aso prerje shkrimtari, që shkruante me të njëjtën cilësi si poezinë,
ashtu dhe prozën, çka rrallë ndodh. Ai krijoi një sistem ligjërimor, figurativ
të vetin, të pandikuar nga poezia paraardhëse, bashkëkohore apo popullore.
Arshi Pipa shkruante se tek ai “metafora është forma natyrore e shprehjes”, çka
shihet dhe në konstrukte të tilla të figurshme, si “mali që s’bëzan”, “dielli
alegorik”, “kanga e dhimbës krenare”, “gjymtyrët e mpita të dheut që quhet
shtet” etj. E habitshme është se si e gjithë krijimtaria e tij është
“orkestruar” me të njëjtin ritëm, nerv dhe sfond krijues: qytetës, malcor,
zymtak, melankolik, pa apoteoza perëndish, si të jetë shkruar e gjitha në
njëzet e katër orë. Mjaftojnë titujt e poezive dhe prozave të tij të shkurtëra
për të krijuar një mozaik letrar të pashoq. Si autor kishte aftësinë të thoshtë
shumëçka në pak radhë. Shkrimtaria e tij ishte e “programuar” dhe vetëm priste
orët dhe ditët që të hidhej në letër. Ajo ishte edhe skulpturë, edhe telajo
bardhë e zi, edhe pentagram i dhimbjes njerëzore - një “pikturë ideale”. “Gjini
njerzuer asht një kitarë e gjallë”, shkruan poeti.
Stilistika
letrare - gjuhësore e tij është një optikë më vete, ku veçoria më dalluese
është proza e thurur me filigramin e poezisë, begatia e tropeve, stilemave dhe
narracioni thellësisht origjinal. Te Migjeni kemi bukurinë “që vret”, bukurinë
“fatale”, por dhe shpresën se një ditë do të lindin kangë të enduna “në një
mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin”. “Kangët e pakëndueme” është himni autentik
migjenian i sintetizuar në vargun “unë - djepi juej, ndoshta vorri juej”, ku
djepi po, por jo dhe vorri. Edhe pse pati shkruar “Frymzimi em i pafat”, mbetet
një nga poetët me më fat. Letërsia shqipe nuk ka pasur një shkrimtar më të
ndjeshëm se ai. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”.
“Migjeni shkruen dhe ndien, ndien dhe shkruen”, do të shprehej Lazër Radi më
1938. Poet i lirë, pa klishe tradicionale, a thua se nuk i dëgjonte muzat e
vjetra homerike, që vetë krijoi një muzë të re. Migjeni nuk ishte poet i
provincës, por këndoi “kangët e botës”, edhe pse shkruan: “Por un s’besoj sonte
në fjalët e ksaj bote”. “Poema e mjerimit” nuk është thjeshtë peizazhi shqiptar
malësor i fillim shekullit XX, por një nga poemat e njerëzimit, edhe sot, ndaj
ajo nuk ka ka kohë, ka vetëm kontekst.
Është
shkruar shumë për Migjenin, sa është tejkaluar si vëllim vepra me shkrime,
monografi e studime kushtuar tij, që nga Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Rinush
Idrizi, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Xhevat Lloshi, Moikom Zeqo, Albana Ndoja etj.
Sprova e mirënjohur “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” e Ismail Kadaresë,
që e quan atë “uragani i ndërprerë, është një vepër e shuguruese. E prapë çdo
njeri i penës dëshiron të thotë fjalën e vet për këtë shkrimtar, që nuk ka
pasur fatin e Fishtës, Koliqit, Konicës, Haxhiademit, që njëherë të rrëzohej e
pastaj të ringrihej, as menjanimin për të gjallë të Poradecit, Kutelit,
Asllanit etj. Jo, ai ka pasur përherë statusin e shkrimtarit autentik të
paprivuar, pos njëherë në gjallje, kur i qenë ndaluar “Vargjet e lira” më 1936.
Përbën befasi formimi i tij letrar, ku ai shkëlqeu në letërsi kur ishte vetëm
20 – 27 vjeçar dhe sado kanë kërkuar biografët ta përqasin, nuk ia kanë gjetur
“shoqin” ndokund në letërsinë ballkanike a më gjërë.
Shkrimtarët
janë të vetëdijshëm se nuk do të kuptohen gjithmonë, do të keqkuptohen,
paragjykohen, censurohen, apo ndalohen dhe sërish do të zënë vendin e merituar
në panteonin e letërsisë. Ky është “rregulli”, sa zor të ketë pasur shkrimtar
të shquar që është duatrokitur për të gjallë. Migjeni e grushton shtetin për ta
bërë më njerëzor, e ironizon klerin për ta bërë më veprues, e gjitha në emër të
ringjalljes, që është ngjarja më e madhe e botës. Jo më kot cikli i parë poetik
i tij është “Kangët e Ringjalljes”. Ringjallja është vetë Bibla. Pra e gjitha
nuk është gjë tjetër veçse shprehësia e kishës së vet letrare, që është
letërsia. Migjeni e kishte lënë seminarin ortodoks dhe i ishte dorëzuar një
“feje” tjetër, shkrimtarisë. Nëse ai do të bënte kompromis me cilindo
institucion, nuk do të ishte Migjen. Ai është poet i lirisë dhe vargjet e tij
janë të lira jo vetëm si prozodi, por dhe si filozofi. Ai është për një
ndërgjegje të lirë, ide të re, shekull të ri, botë të re, njeri të ri, sipas
formimit të tij dhe jo ndonjë anësie politike. Ai nuk e përmend askund fjalën
socialiste (e themi këtë ngaqë idetë socialiste asokohe vlonin), kurse fjalën
kombëtare po. Migjeni është tokësor sa i përket përshkrimit dhe thadrimit të
varfërisë, skamjes, vuajtjes, zheleve, pijes, prostitucionit, por është mbi
realitetin për nga idetë. Ai don t’i bjerë pash më pash ferrit, jo për të qenë
interesant, por se nuk mund të pranojë atë botë që nuk e ndryshon dot.
Koha
i mplak njerëzit dhe doket, duke i zëvendësuar ato me të reja, edhe zbulimet
shkencore shpesh tejkalohen, por duket se feja, filozofia dhe letërsia nuk i
nënshtrohen kësaj ligjësie. Emra të spikatur letrarë që kanë shkëlqyer në rini,
siç është Migjeni, sa vijnë e bëhen përherë e më zotërues të mjedisit letrar
dhe përtej tij. Kjo vërehet në vargjet e tij që kthehen në postulate, si tek
asnjë poeti tjetër, ku ndër më kryesoret do të ishin: “Qeshu rini, qeshu, bota
asht e jote”, “O si nuk kam nji grusht të fortë t’i bij mu në zemër malit që
s’bëzanë”, “Mjermi s’don mëshirë, por vetëm të drejtë” e të tjera sentenca
etike e filozofike. Migjeni është shkrimtari që kuptoi fillin e ekzistencës
shqiptare në zgrip dhe thirrjet e tij poetike kanë për qëllim ta lartësojnë
njeriun, ta ndërgjegjësojë atë për të dalë nga kufiri ekzistencial i
mbijetesës. Një shkrimtar elitar që vjen e kthehet në vetëdije e kombit të vet.
Personalisht do ta quaja poet i sublimes, i ngadhnjimit, i shpresës, i dritë
dhe i skandalozes. Te poezia emblematike “Na të birtë e shekullit të ri”, ai
shkruan: “S’duem me humbë / në lojë të përgjaktë të historis njerzore, / Jo!
jo! s’i duem humbjet prore – / duem ngadhnim! / ngadhnim, ndërgjegje dhe
mendimi të lirë!”
Migjeni
e dashuronte Shkodrën, por kjo nuk e pengonte atë, që ta shpërfaqte qytetin e
tij pa droje në gjithëpamjen e vet, dhe atë “lakuriqe”. Ai solli në letërsinë
shqiptare malësorin e kohës së tij përtej çdo ekzotike dhe glorifikimi, “vetëm
me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat”, i cili ka një recital, që nuk
është tjetër veçse një testament migjenian i ndryshimit që mbartte vetë
shekulli XX. “Nën flamujt e melankolisë”, ai kundroi një Shqipëri të
paidealizuar: “Në vendin tonë... / askush s'mund të thotë/ se këtu rron / një
popull që ndërton / diçka të re...” Kanonizimi ideologjik i kumtit të tij social
do të ishte i pavërtetë në rrafshin estetik. Ai sa ç’ka kohën e tij, është dhe
i pakohë. Migjeni nuk pati etër letrarë, ndaj nuk ngjet me asnjë shkrimtar. Ai
ishte kritik si dhe bashkëkohësit e tij të penës, veçse me një tjetër stil
ligjërimi. Fishta, krahas epikës dhe lirikës, procedon me ironinë e satirën, në
parodizimin e parlamentarizmit etj., Noli kryesisht përmes fshikullimit të
figurës së “Barabait”, Konica përmes përshkrimeve jetësore komike e
stigmatizimit të veseve të nëpunësisë, Migjeni me anë të fshikullimit të
realitetit ngjethës, duke guxuar si askush ta drejtojë gishtin nga
institucionet përgjegjëse për skamjen, gjendjen e amullt dhe mungesën e
përspektivës të shqiptarëve. Ai është shkrimtar dramatik, edhe pse nuk shkroi
drama, ku shumë nga prozat e tij janë skena të gjalla teatri apo filmi, si
“Luli i vocërr”, “Baladë qytetëse”, “Mollë e ndalueme”, “A do qymyr zotni?”,
“Historia e njënës nga ato” etj., siç qe dhe vetë jeta e tij e shkurtër një
dramë me fund tragjik. Ai shkroi proza të endura me indin e sarkazmës therëse,
si “Bukuria që vret” e “Legjenda e misrit”, apo të ironisë, si “Sokrat i
vuejtun apo derr i kënaqun?”, “Urim për vitin 1937” etj. Kur ke një jetë me
shkrimtarët / veprën e tyre, qoftë ajo dhe e vëllimshme, vjen një çast që beson
se nuk ke diçka të re për të thënë për ta, ndërsa Migjeni ka një energji të
fshehtë, që e bën përherë të pakryer, çka me siguri ka të bëjë me gjenialitetin
e tij krijues.
Poetët
shqiptarë kanë orën e tyre, të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë “sibilat” e veta
prej 4 - 5 shekujsh, kurse ajo e Migjenit është orë e pavdekësisë. Edhe pse
bota e letrave sot përballet me humbjen e lexuesit, i cili është pakësuar apo
tjetërsuar në lexues online, Migjeni ka me vazhdue me qenë një poet i lexuar.
Është vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë saktësisht në këtë qasje, ama
Bogdani i ka pasur shumë të paktë lexuesit në të gjallë të tij, ashtu si krejt
letërsia e vjetër, që e fitoi lexuesin në shekullin XX, me dimensionin e ri
kulturor që krijoi shkolla shqiptare. Kjo doemos që është e lidhur me leximin
në shekullin XXI, ku e sigurtë është që nuk do të jetë më ai klasik…