Kulturë
Lis Bukuroca: Simfonia femërore
E hene, 28.11.2011, 07:45 PM
Lis Bukuroca
Simfonia femërore
Fustanshkurtër e takelartë, plot magji
Këmbët si dy trëndafila kryqëzuar
Zgurdullime dhe ngasje, deri në dalldi
Në dukje kofsha, vështrime të përgjëruar
Ndoshta dhe valuar nga puhiza lazdrake
Me kurorë princeshe dhe fustan të gjatë
Rrëmbyese e shpirtit, klithmë zemërake
Gojë e syhapur për lëkurën e mëndafshtë
Aureolë mbretëreshe, me kapelë krenare
Ose me kordele dhe qafë e gjatë në hapësirë
Nderim e përkulje, e madhështisë pronare
Me bisht të syrit, shumë vështrime të ngrirë
Ndoshta flokët tufë, në një anë mbi gjoks lëshuar
Ose nga stuhia e vrullshme, ato në gafrrim
Buqeta ëndrrash, për supet e lëmuar
Joshëse, magjepsëse, deri në dëshirim
Gjinjtë, dy molla t’ arrira, pulitje me zili
E shfaqur flokëlagur, si pas vesës freskia
Sa më afër buzëve, pështjellon këtë ndjesi
Dihatje të thella, përndizet lakmia
Beli ngushtë, imazh i hirshëm femëror
Vithet në pah, plot imagjinatë e tundim
Buzët e kuqe, turbullim mendor
Pasthirrmë, perandore deri në sundim
Dukje skofiare me dashje për ledhatim
Me saten të hollë, e ndritshme dhe vezulluese
Dëshira epshore, dehëse deri në rrëmbim
E këndshme si orkide, erëmirë e pushtuese
Si perde teatri qerpikët lëshon me nge
Jetë metaforike shkrepë dëfrimi
Në gjysmëterr shfaqet skena e re
Valë e nxehtë, i mpakur durimi...
Zhveshë pushtetin, e lëshon në dysheme
Qetë-qetë shtrirë, me pamje engjëllore
Ndijim i prushtë, afsh dhe fluturim mbi re
Dhuron pasion, falë simfoni hyjnore...