E hene, 29.04.2024, 10:33 PM (GMT+1)

Kulturë

At Pjetër Meshkalla: 28 Nandor

E diele, 27.11.2011, 08:59 PM


Nga At Pjet?r MËSHKALLA S.J.:

 

“ 28  N A N D O R “

 

Kujtime…

 

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!?... Përgjithësisht pesimizëm: Jo pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë u trumbhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; kénka pra, një Shqipni!

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se njêllim zi... na u gjuenim me gurë përditë e përnatë... kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte...

Shkolla, mësimet, librat, ...kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë... jerm, kllapi...!

Paj vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin..... Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?”... Kujt i flet?... Por edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron... e pertrinë...

Binim me fjetë… Ndër “boka”(kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi… Malësoret, Turku, Mali i Zi, !?… Në fund të fundit, qé, e vërteta: Ishte një popull, që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull.

Sot njëzet e sa vjet, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që pohonin se ka Shqipni. Sado me i pasë mpref sytë, sado me e pasë ngreh dylbinë... nuk u dukte kurrkund!...

E pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte endè gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija...

Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë...Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u kthye dalë (mbrapa)!

Kemi endè shumë të meta; e dijmë... Kemi ba shumë gabime; kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?!... Jo, kurrë!...Kjo nuk asht zmbrapsje, ky asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahet mjegulla; po të jenë vullneti i mirë marrveshja lind rrugës e, mbas saj edhe bashkëveprimi.

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrëshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi.

Trinomi i lumtunise: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkëveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por, na nuk duem shkatrrim! Duem Përparim e Shqipni të lumtun!

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta.

Prej Përparimit njihet parimi si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti të thuesh: me provë e kundër-provë.

Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë... mandej, dlirët (pastrohet).

Latini thotë, sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham se e ka gabim. Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithë atë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme.

Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse pa ketë themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte mbështetet në forcat tona, në Ideal.

Jemi tue u ngjitë një mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohun: Një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetet me u çilë, por kemi besim të ngultë se dikur do t’i kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do t’u japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do t’i kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme...

Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!!... Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku... na ka zanë nata...jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet...rri të rrimë!..

PËRPARA!... Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim!

PËRPARA!... Çdo hutim paguhet shtrenjt!

PËRPARA!... Nëpër ferra, gemusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!... Edhe kur drejtimi të na ketë humbë!...

PËRPARA!... Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë!...

Disiplinë e Vullnet e, ... Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë!

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën...

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra...Ka mbarue... Nuk ngrihet ma gja në kambë!..”

Optimizmi thotë: “Zemër...Të gjitha shpresat nuk kanë humbë endè... diçka kemi ngritë në kambë... Zemër!...”.

Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë... ma mirë nuk ka si bahët!..”.

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën, si të keqën. Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija që zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht!

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta,... sigurisht, do të dalim në breg!...

Egoizëm e abnegacion... edhe këto janë fjalë të hueja... por, që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme.

Për me kalue ndonjë ujë hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët... zhdukën e nuk shihën ma...hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë... derisa bahet i mujtun kalimi, keq o mirë, po...bahet; ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë! Na jemi gurtë (të mëdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, që zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë!

Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma!...

Egoizëm... Abnegacion!..

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik... Padyshim, të gjithë e kanë për detyre; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin... ma i pari...

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë!... Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuem me zhgulë një rranjë marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal në emulacion të natyrshëm e veprues?..

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuen të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuen e të bamë féle-féle (copa-copa)...

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuem atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!...

 

Prej të Parëve pritëm një Shqipni të Lirë!...

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!...

Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq.  337-340.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora