Kulturë
Pilo Zyba: Ismail bej Vlora
E diele, 27.11.2011, 07:57 PM
PILO  ZYBA
ISMAIL BEJ VLORA
 
 -kushtuar mikut tim Vladimir Meminaj -
 
 Deti Vlorës valë – valë,
 Gjoksi i thellë, i pa matur,
 Dallga rend në breg të dalë
 Fustanellë krahë hapur.
 
 Përmbi valë një varkë të vogël
 Si një djep po e përkund,
 Lehtë tundet përmbi kodër
 Një ninullë që kurrë s’ka fund.
 
 Në mes djepit, tundet – tundet,
 Një ëndërr ardhur nga mote,
 Herë shfaqet, herë humbet,
 Komb – atdhe lavdia jote.
 
 Oshëtin thellësi e Jonit,
 Buçet e thërret rreth botës,
 Është frymëmarje kombit
 Që troket te pragu i portës.
 
 Historia në një varkë
 Vjen përkundet, ulet – ngrihet,
 Rend kërkon vulën në kartë,
 Kur liria nuse krihet.
 
 Ismail, o bej i Vlorës,
 Sytë e kombit sheh mes Jonit,
 Rrëmbe kreun e kurorës
 Vendose mbi kokë të kombit!
 
 Prije ditën e martesës
 Gjej një nuse si një stinë,
 Shtojë ditët e vetë shpresës
 Bëje nuse vetë lirinë!
 
 Gjiri Vlorës dallgë nge
 Bregu supet tund në pritje,
 Deti komb buçet, ATDHE,
 Liria një brohoritje.
 
 Ismaili përmbi supe
 Flet me valë, flet me fjalë,
 Brohoritja tretet tutje
 Përmbi dallgë si mbi kalë.
 
 Përmbi kalë, përmbi erë,
 Përmbi mal e mbi lëndinë,
 Ç’ësht kjo erë, kjo pranverë,
 Që përmbys Perandorinë!?
 
***
 
 Nga Kosova Buletini
 I nget kalit si në garë,
 Kërkon pa zbardhur agimi
 Në dasëm krushku i parë.
 
 Në gjoks ka Fushë – Kosovën,
 Në damarë Lumbardhin, Drinin,
 Zemrën e kurdis si orën,
 Në gojë, liri - kushtrimin.
 
 Mbi supe lumenjtë e gjakut
 Mbledhur në shekuj, në vite,
 Kjo është dhurata e plakut
 Për nderim të kësaj dite.
 
Pas e ndjekin krisma pushke
Bajram Curri rend nder rite,
Fshehur në prita, në dushqe,
Gjuhën ruan ylber drite.
 
Nga Kongresi i Manastirit
Vijnë  fjalët si urta,
Flet me gjakun e martirit:
-Shkronjat janë si vetë buka.
 
Rend pas gërmës e pas krismës
Duke qeshur vetë liria,
Lumenj gjaku trimëria
Flet vetë kombi...Pavarsia!
 
Mblidhen krismat nëpër shekuj
Bashkë me lirinë vet jeta,
Shqipe e lirë ka për të mbetur,
Dërgon fjalë Haxhi Zeka.
 
Trupi i prerë nga plumbat
Kulla flakë ndizet, digjet,
Shpirti i fluturon pëllumba
Që të lirë kërkojnë shtigjet.
 
Hasan Prishtina prijs i parë
Fjalë pak e i menduar:
-Liria një medalje ar,
Nëpër shekuj e kerkuar!
 
Lumenjtë e Kosovës rrjedhin
Mbushur trima, mbushur jetë,
Me vrull me valë të derdhen,
Tejë në Vlorë, tej në det.
 
***
 
 Rend Luigji i Gurakuqit
 Pranë dhëndrrit në Vlorë,
 Don të jetë bashkë me krushqit
 Të marrë pjesë në kurorë.
 
 Dhuratë po i bëka Shkodra
 Murim kalanë e historisë,
 Të shikojë e dëgjoi bota
 Lashtësinë e Ilirisë.
 
 Në sisë të Rozafës nënë
 Liria jeton, flladitet,
 Qumësht pi, nën diell, hënë,
 Dhe në shekuj rritet – rritet.
 
 Dhe në shekuj rritet – rritet
 Pastaj rrugën me vrap nis,
 Që kombit kurrë mos ti pritet
 Rruga e jetës, e lirisë.
 
 Gjiri i Vlorës mërr frymë thellë
 Derdhet Vjosa, fryhet Drini,
 Pema e lirisë do mbjellë
 Ende pa zbardhur agimi.
 
 Ismail, o bej i Kurorës,
 Që gjithë kombin mban në duar,
 Ngrija lart bukurinë Vlorës
 Nëpër shekuj të gatuar!
 
 ***
 Marigo, ç’qëndise vallë,
 Me gjergjef dhe me gjëlpërë,
 Peri yt me mijra halle
 Ç’kryevepër paske bërë?
 
 Një shqiponjë krahë hapur
 Përmbi sup të kuq të kombit,
 Rrjedhë e gjakut e pa matur
 Sa për borxhet e gjithë globit.
 
 Shqipja jote kokën ngritur
 Fluturon si bletë mbi hojet,
 Duke thirrur dhe bërtitur
 Zogjtë të mbledhi në trojet.
 
 Mblodhe zogjtë, mblodhe trimat,
 Rreth tryezës, rreth konakut,
 Zë lëshove vetëtimat,
 Zjarr lirie i vure oxhakut.
 
 Vunë vula në një kartë,
 Dasëm shpalli Vlora jonë,
 Pastaj dolën fjalë – zjarrtë
 Lirinë nxorën në ballkonë.
 
 -Ismail, çfar mban në duar,
 Ç’far lëshon ashtu ndër retë?
 -Një pëllumb, qoftë i bekuar,
 Është data njëzetetetë!
 
 Gjiri i Vlorës oshëtin
 Dallgët ngre, Sazani duket,
 Evropa ka ftohtë, ngrin,
 Nuk po gjetka vend të futet.
 
 Shqipja në perndim të diellit
 Rrahu krahët dhe u turr,
 Fluturime i dha qiellit
 Dhe u fut thellë në flamur.
 
 Zuri vend dhe çerdhen ngriti
 Lëshojë vezë nëpër fronte,
 Në shekuj i mëkoi, i rriti,
 Lirinë të mbrojnë në mote..
 
Në shekuj, bej, lavdia jote!









