Kulturë
Xhelku Maksuti: Shqiptarët e Rumanisë dhe Dita e Flamurit
E diele, 27.11.2011, 08:00 PM
Shqiptarët e Rumanisë dhe Dita e Flamurit
Nga Dr. Xhelku Maksuti*
Shqiptarët në të gjitha kohërat janë integruar në mënyrë të përkryer dhe tërësore në jetën e shoqërisë rumune, duke marrë pjesë në të gjitha evenimentet e saj, me lojalitet dhe besnikëri patriotike, me mirënjohje për përkrahjen dhënë Rilindjes Kombëtare, por sidomos në shpalljen e Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, 99 vjet më parë. Komuniteti i Shqiptarëve të Rumanisë me një vjetërsi prej mbi katër shekuj në tokën rumune dhe me një aktivitetit meritor në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare, me kontribut të veçantë për krijimin e kushteve për shpalljen e pavarësisë, pavarësisht nga lajthitjet e historisë, ka kremtuar për çdo vit Ditën e Flamurit Shqiptar. Këtë vit mbushen 63 vjet nga riorganizimi i Komunitetit tonë në Lidhjen Popullore të Shqiptarëve të Rumanisë, kur në Bukuresht, në ish/selinë ARLUS përballë ambasadës amerikane (strada Batishtei), qe kremtuar Dita e Flamurit në mënyrë madhështore, sidomos përmes organizimit të rinisë së përbërë nga nxënës dhe studentë që kishin ardhur nga Shqipëria për të studjuar në Rumani. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje ndërlidhet me faktin se në pranverë të vitit 1990, një pjesë nga ish/anëtarët e degës së atëhershme të rinisë, u gjendën në ballë të Komitetit të riorganizimit të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke shpënë më tej traditën e komunitetit shqiptar në kushtet e reja të zhvillimit të shoqërisë rumune, që na ka ofruar mikpritje të përzemërt, dhe së cilës i kemi shërbyer me besnikëri, në të gjitha etapat e historisë.
Shqiptarët, në të gjitha kohërat janë integruar në mënyrë perfekte e totale në jetën e shoqërisë rumune, duke marrë pjesë në të gjitha evenimentet e saj, me lojalitet dhe besnikëri patriotike, me mirënjohje për përkrahjen dhënë Rilindjes kulturore dhe kombëtare, por sidomos në shpalljen e Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, tani e 99 vjet më parë, Rumania duke qenë vendi i parë që dërgoi përfaqësues diplomatikë në Durrës (ish/kryeqendrëa e Shqipërisë), ndërsa përmes përpjekjeve të Mbretit Carol I të Rumanisë, në vitin 1914, do ta dërgojë dhe princin Wilhelm de Wied, nip i mbretëreshës Elisabeta, ai që më vonë do të flejë gjumin e përjetshëm pranë tezes së tij në brendi të Kishës Luterane të Bukureshtit. Edhepse bëhet fjalë për prezencën shqiptare në trojet rumune qysh në Mesjetë, për komunitetin shqiptar nuk mund të flasim veçse duke filluar që nga viti 1595, kur vojvoda i madh i Vllahisë, Mihai Viteazul (shqip Mihai Trimi), martir i shenjtë, do ti lejojë një grupi prej 15 mijë shqiptarësh të kalojnë Danubin dhe të vendosen në veri të tij, për të shpëtuar nga persekutimet osmane.
Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), e ka kremtuar në mënyrë të veçantë këtë eveniment, në sallën mikpritëse të Muzeut Kombëtar të Historisë së Rumanisë (1995), 400 vjet të ekzistencës së strëgjyshërve tanë të ardhur nga trojet e Ballkanit të banuara me shqiptarë, ndërsa ne si pasardhës të tyre u mbetemi mirënjohës dhe besnikë interesave nacionale të këtij vendi në rrjedhat e reja të integrimit europian, shqiptarët dhe rumunët duke qenë pjesë e Europës në të gjitha kohërat. Në këtë përvjetor i përkujtojme me respekt stërgjyshërit tanë që kanë dhënë kontribut për mbarëvajtjen politke, historike e kulturore të Rumanisë, që nga sundimtari Vasile Lupu të cilit i thonin Vasile Albanezul, apo ata të familjes së Gjikajve, e deri te Dora d’Istria (Elena Gjica), Nikolla Naço, themeluesi i revistës Shqiptari (Albanezul) para 120 vitesh, të cilën e ribotojmë nga viti 1993, e deri te Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Asdreni, Viktor Eftimiu (apo universitarët Luçia dhe Nikolla Xhamo (Nicolae Djamo) që numëroheshin ndër anëtarët themelues të BKSHR-së), si dhe shumë të tjerë, siç ishin inxh. Cunescu, arkitekti Nicolau, diplomati Nik Pema, patriotët Visar Dodani, Aleko Vançi, Dhimitër Kristo Rëmbeci, apo Luan Topçiu dhe Baki Ymeri në ditët tona. Me këtë rast, duke u ndodhur në prag të kremtimit të Ditës së Flamurit Shqiptar dhe duke qenë edhe ne si pjesë integruese e popullit rumun, i dëshirojmë nga zemra prosperitet Shqipërisë dhe progrese të reja në afirmimin e qytetërimit bashkëkohor në kontekst të integrimit europian si pjesë e rëndësishme e botës bashkëkohore. (*Autori është kryetar nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë)
Një zjarr i pashuar i komunitetit shqiptar të Rumanisë
Revista Albanezul / Shqiptari, është tribunë e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, e themeluar më 1888 nga Nikolla Naço, e rithemeluar në gusht të vitit 1999 nga prof.dr. Xhelku Maksuti, e drejtuar më vonë nga Dr. Luan Topçiu (2001-2005) dhe Baki Ymeri (nga viti 2005 e këndej). Disa nga numrat e Shqiptarit kanë një strukturë tematike: u përkushtohen tre figurave qëndrore të botës shqiptare dhe filoshqiptare. Revista ruan një vertikalitet moral dhe i shërben denjësisht afirmimit të vlerave shqiptare në Veri të Danubit. Në faqet e revistës defilojnë artikuj të panumërt për vlerat e komunitetit shqiptar të Rumanisë, për bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, për shkrimtarët rumunë dhe Kosovën shqiptare, për shtypin shqiptar të Rumanisë, etj. Shqiptari i Xhelku Maksutit gërsheton traditën mbi njëshekullore me subjekte aktuale të modernitetit.
Shqiptari i Nikolla Naços dhe Xhelku Maksutit kultivon parimet etike të rilindësve tanë, duke i dhënë prioritet kombit dhe vlerave të tij, duke e anashkaluar subjektin fetar apo politik si instrumente të mosbesimit dhe përçarjes. Ndërmjet viteve 2001-2005, këtë rfevistë e mbajti gjallë një shqiptare me rrënjë nga Liseci i Tetovës, Xhemile Susliu, pronare e disa firmave të biznesit në Bukuresht dhe Konstancë, e mbesa e Daut Memishit nga Sllatina e Oltenisë, kryeveteran i komunitetit të atëhershëm shqiptar. Në faqet e revistës Shqiptari i jepet prioritet edhe Kosovës, si dhe lidhjeve rumuno-shqiptare në fushë të gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Botohet herëpashere në Internet, ndërsa si numër i shtypur del çdo muaj në bazë të kontributeve vullnetare, kurse një herë në vit, me rastin e Ditës së Flamurit, revista Shqiptari gëzon mbështejen e Ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht. (Redaksia)
Dita e Flamurit dhe Kisha Shqiptare e Bukureshtit
Sipas Lasgush Poradecit, festa më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28 Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me bujën dhe madhështinë më të madhe, duke e ftuar në Seli të Kolonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve. Ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.
Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kolonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-përqark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa, njëra e kuqe, tjetra e zezë, të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me robet e tyre kombëtare. Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më të mbëdha të saj (28 Nëntor dhe Shën Gjergj), përbrenda ajo shkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po mëshumë nga fryma shqiptare që frynte në zemra. Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë. (B. Y.)
KRENARI KOMBËTARE QË NUK SHUHET KURRË
Këtë vit mbushen 99 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, 99 vjet që nga koha kur flamuri simbolizon ekzistencën shtetërore të popullit shqiptar, edhepse ekzistenca e flamurit shqiptar ka një lashtësi pesëqindvjeçare, ndërsa ekzistenca jonë si komb daton që nga periudha e lashtë e ilirëve të lindur për punë, për besë, për këngë dhe trimëri. Ngjyra kuq-e-zi reflekton luftërat për liri dhe pasqyron shpirtin guximtar dhe vetwmohues të shqiptarit. Çdokush që i rikthehet lashtësisë enigmatike shqiptare, betejave të lavdishme të Skënderbeut, rilindësve tanë, Vlorës kreshnike dhe Kosovës martire, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit.
Familja, flamuri, gjuha e kombi janë fenomene të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Europë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri. “Jemi një popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet”, thot njëri nga isht/studentët e panumërt të Shqipërisë në Rumani (Erion Piciri). Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, ka thënë Enveri që e donte Kosovën dhe e shkretëronte Shqipërinë. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë para 96 vitesh ishte shprehja simbolike e shpalljes së Pavarësisë, krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë.
Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë
Poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/…/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh”. Ibrahim Guri i Shipkovicës e parandjente se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa: Fiamuri i Arbërit (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri i Shqiperis(La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros, në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”.
Pasojnë Flamuri’ i Shqipërisë (1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922, prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, apo Zani i Sharrit, që e hymnizonte këtë simbol të atdhedashurisë, qysh në vitin 1944, kur delte në gjuhën shqipe në Tetovë, në kuadrin e Shtypshkronjës “Përparimi” (Rruga Naim Frashëri, Nr. 27), duke patur për drejtor-përgjegjës, atdhetarin Shuajib Kamberi. Pasojnë para dhe pas çlirimit dhjetra gazeta e revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptari i Bukureshtit, revista Kuq e Zi e Brukselit ejt.
Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet
Malësorët e Sharrit digjen për komb dhe atdhe, për nder dhe flamur. Meqë jemi nga këto troje të vaditura me gjak shqiptari, mos të harrojmë faktin se veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare me prejardhje tetovare, si Garip Dema, Shaban Xheladini, Nexhbedin Voka, Rafi Halili, Gafur Loku, Nesim Rushiti, Rahim Neziri e qindra atdhetarët të tjerë, dënohen me burg të rëndë nga autoritetet pansllaviste të Shkupit, për ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë, Pirok, Sellcë, Shipkovicë e gjetiu. Dhe sa e sa të tjerë, që nga bashkëluftëtarët e Skënderbeut, të Dervish Carës, Themistokli Gërmenjit, Isa Boletinit, Bajram Currit e deri te ata të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ranë në fusha të betejës për këtë flamur, duke u bërë simbole të krenarisë shqiptare, shembuj frymëzimi për gjeneratat e reja. Emri i tyre u bë flamur, ngase ata u lindën, u edukuan, u rritën dhe u shuan për mëmëdhenë, duke qenë gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit.
Mund të kesh pasuri të patundur. Mund të kesh nam shtëpishë e nam parashë, fëmijë të bukur dhe limuzina të lazdëruara, por më kot e ke nëse s’ke bërë gjë për kombin tënd, për të cilin, siç shprehej një banor i thjeshtë i Sharrit (Mahi Dulla), “Kur vjen fjala për komb dhe atdhe, jam në gjendje ta kalli veten mu në mes të fshatit”. Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet. Të jesh patriot don të thotë t’i duash prindërit, familjen dhe atdheun. Jo vetëm ti duash, por edhe ti ndihmosh, të punosh e të flijohesh për ta, po qe se paraqitet nevoja. Rilindësit tanë digjeshin për Shqipërinë. E donin me zjarrin e zemrës Shqipërinë dhe flamurin e Saj, duke e ruajtur gjuhën e shenjtë amtare, kudo që i hidhnin dallgët e jetës. Të këtillë i kemi sot, edhe sivëllezërit tanë në diasporë. Para dhjetë vitesh, në malet e Sharrit qëndronin perënditë e Shqipërisë, bijtë dhe bijat më të zgjedhura të popullit, që edhe sot i kemi atje, siç i kemi patur, që nga lashtësia. Në malet e Sharrit e të Karadakut, në Drenicë, Sllupçan e Shipkovicë, në Tanushë, Poroj e Radushë, dhe në qindra lokalitete tjera shqiptare, shpërtheu shqiptarizmi. Shpërtheu vrrulli i shqiponjave me flamur në dorë, dhe me trimëri në zemër. Askush nuk mund t’i harrojë ato ditë heroike, kur shqiptari diti t’i bëjë ballë botës barbare, kur vullneti i burrave i shkulte malet. Zoti i mbronte ata që përkujdeseshin për shpirtin e kombit, në ato çaste të paharruara, kur parakalonin ushtarët e lirisë, duke patur në ballë flamurtarë të togës, flamurtarë të brigadës, flamurtarë të bataljonit, sokolat dhe sokoleshat e shqiptarizmit, ata që presin me padurim që pas një viti, ta festojmë së bashku, të bashkuar nën flamurin e Shqipërisë historike, 100 vjetorin Pavarësisë. (A. Voka)
NË GJIRIN E LËVIZJES PATRIOTIKE
“Delegacioni zyrtar i cili do ta prezentojë në këtë akt të madh kombëtar koloninë shqiptare nga Bukureshti, është i përbërë nga katër veta: zotërinjtë Dhimitër Emanoil, pronar i lokalit “Carpati”, Dhimitër Zografi, tregtar në rrugën Doamnei, Sotir Ilo dhe Dhimitër Berati, profesor. Ky delegacion, i shoqëruar edhe nga të tjerë patriotë të cilët shkojnë privatisht, do të lënë kryeqytetin me trenin Arad, në këtë mbrëmje, e Djelë. Pas disa ditëve, në mes të javës, ikën edhe udhëheqisit shqiptarë Meksi dhe Gurakuqi, ndërsa pas disa ditëve, do të shkojnë dhe zoti Pandeli Evangjeli, kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”. Në Triestë, të gjithë delegatët do të vishen në kostume kombëtare dhe do të hypin në një anije të Lordit austriak, e rregulluar posaçërisht për ta, e cila do t’i transportojë në portin e Vlorës, kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë”.
Më 28 Nëntor të vitit 1912, para një mase shqiptarësh të panumërt, u lexua vendimi për shpalljen e pavarësisë shqiptare dhe u ngrit flamuri kombëtar, me shqiponjën e Skënderbeut. Me një fjalë, për iftarxhinjtë e Forumit të të Rinjve Muslimanë që organizojnë ceremoni turko/arabe në trojet shqiptare dhe Zvicër, mjafton ta dinë se qëllimi elementar i pavarësisë shqiptare ishte dëbimi i pushtuesit osman, zbritja e flamurit turk dhe ngritja e flamurit shqiptar. Ndërmjet nënshkrimeve të këtij akti historik, numërohet edhe ai nënshkrimi i patriotit të madh, Dhimitër Emanoil.
Emrin e këtij atdhetari që e përjetoi rrugën dhe çastin historik të shpalljes së pavarësisë e përmendin një serë shkencëtarësh dhe publicistësh shqiptarë: Petraq Pepo, Rexhep Qosja, Ismet Dërmaku, Niko Kotherja etj. Sipas Dr. Dërmakut, Dhimitër Emanueli u zgjodh në delegacionin e Bukureshtit, qysh me rastin e mbajtjes së mbledhjes historike, në hotelin Continental. Pos tij, në delegacion u zgjodhën Pandeli Evangjeli, Dhimitri Ilo, Dhimitër Zografi dhe Dhimitër Berati, ndërsa vullnetarisht për në Vlorë u paraqitën: Pandeli Cale, Spiridon Ilo dhe Pandele Emanoili. Sëbashku me Asdrenin, Pandeli Evangjelin, Thanas Kantilin, Dhimitër Beratin, Nikolla Këndzon, Vasil Doganin, Dhimitër Ilon, Mihal Lehovën dhe Dhimitër Zografin, Dhimitër Emanoili e përfaqson koloninë shqiptare të Bukureshtit edhe në Kongresin Shqiptar të Triestës, që u mbajt në pranverë të vitit 1913, e në të cilin morën pjesë edhe një numër i konsideruar filoshqiptarësh me prejardhje arumune (Dr. Shunda, At Foti Ballamaçi, Epaminonda Ballamaçi).
Para se të shkojë në Triestë, më 2 shkurt të vitit 1913, ai do të jetë prezent edhe në sallën e madhe “Transilvania” në Bukuresht, ku shqiptarët e këtushëm ngritën zërin kundër masakrave të ushtrive të Aleancës ballkanike që ushtronin në trojet shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Çamërisë, Malit të Zi e gjetiu. Disa shënime biografike mbi këtë atdhetar dhe familjen e tij, i ka prezentuar edhe poeti dhe gazetari Klito Fundo, në kuadrin e artikullit “Cilët janë vëllezërit Emanoil” (“Alternativa”, Korçë, 23 Mars 1993). Autori bën fjalë për dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, për tregtarin patriot Viskë Emanoili, që u largua familjarisht nga Mborja e Korës në Bukuresht. “Në një mjedis patriotik të këtushëm, Dhimitri ishte zgjedhur kryetar i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Në shtëpinë e tyre mblidheshin e diskutonin patriotët e shquar për çështjen kombëtare. Aty strehoheshin Ismail Qemali dhe Themistokli Gërmenji. Shtëpia e tyre ishte si një klub patriotik. Në prag të 28 Nëntorit 1912, Dhimitër Emanoili, nëpërmjet Triestës erdhi në Vlorë, duke shoqëruar dhe 1.000 napolona ari, të mbledhura si ndihmë. Ato ia dorëzoi Luigj Gurakuqit për arkën shtetërore. Më 28 Nëntor, Dhimitri ishte nga të parët që firmosi dokumentin historik për Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, vëllai i tij më i vogël, Nuçi, qëndronte në Korçë, së bashku me Themistokli Gërmenjin dhe Ferit Frashërin, për ruajtjen e rendit”. Nuçi, faktikisht ishte gjyshi i Adriana Tabakut. Në vend që ta vinin në vend të nderit, stalinistët e Enver Hoxhës e futën në burg. “Sa i përket Dhimitë Emanoilit, na thot Adriana, ai ishte vëllai i gjyshit tim. Ishin katër vëllezër. Gjyshi i im, Naum Nuçi Emanoil, ishte më i vogli. Më kanë thënë se në birarinë e tyre në Strada Matache, më 28 Nëntor, të gjithë hanin e pinin gratis, ngase ishte dita e Shqipërisë.”
Ballina e revistës Shqiptari dedikuar Ditës së Flamurit
Shtëpia e Emanuelëve u bë klub i patriotëve shqiptarë
Shtëpia e Emanuelëve sipas këtij autori, e ndodhur në kërthizë të kryeqytetit rumun, ishte shndërruar në një klub atdhetarësh shqiptarë. Aty ishte edhe birraria, ku mblidheshin e diskutonin intelektualë të shquar, ndër të cilt edhe Asdreni, Viktor Eftimiu, Lasgush Poradeci. Mblidheshin ndihma dhe shpërndaheshin gazeta shqiptare. Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor të çdo viti, birraria e Emanoilëve shërbente falas, për çdo shpirt shqiptar. Sipas broshurës Qyteti im (Korçë, Nr. 9/2008), nga Niko Kotherja kuptojmë se Dhimitër Emanoil ka lindur në Mborje. Ishte anëtar i Shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908 dhe kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntor 1912 firmon aktin e pavarësisë me siglën “Dh. Emanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, e cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe. Rreth vitit 1920, lëshoi darovisht godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambient mësimor për Liceun Kombëtar. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Largohet nga Rumania për t’u kthyer në atdhe vite më vonë. Vdiq në Bukuresht.
Meritat e larta të Dhimitër Emanoilit, thekson “Shqiptari” i Bukureshtit (nr.1/1997), nuk kanë qenë të njohura në regjimin komunist, emri i tij duke u bërë tabu, duke mbajtur etiketën e “mikroborgjezit”. Pasardhësit e tij, syrgjynosur deri në gjeneratën e tretë, sipas Sherban Tabakut, “kanë qenë të persekutuar pa motive dhe pa turp, të detyruar të durojnë një trajtim çnjerëzor të programuar: burg, konfiskim i krejt të mirave materiale, humbje e të gjitha të drejtave të njeriut”.
Pas shpërthimit të revolucionit antikomunist, cenzura flaket nga pushteti i shtypit, rehabilitimi shkon duke e bërë të veten, edhepse jetën e hidhur të viktimave të terrorit komunist nuk mund ta rehabilitojë asnjë president dhe asnjë dekoratë. Viteve të fundit, pas instaurimit të pjesërishëm të demokracisë në Shqipëri, regjimi i ri filloi të rishikojë historinë, duke i korrigjuar të metat shkencore të marksistëve tanë. Paralelisht me një numër të konsideruar atdhetarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora, përmes nënshkrimit të Presidentit të Republikës, edhe Pandeli Emanoilit iu nda Urdhëri i Klasit të I, medalje për kontributin e rëndësishëm sjellë në formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kjo dekoratë e lartë, e nënshkruar nga Sali Berisha, iu dorëzua në një kuadër festiv, nipërve të këtij atdhetari të madh: Julia dhe Eli Emanoil. Me sy të përlotur, e pritën këtë dhuratë të shtrenjtë, mirënjohje konkrete për një rilindës të madh që dha kontribut konkret për shqiptarët e Rumanisë dhe Pavarësinë e Shqipërisë. (Redaksia
Dy faqe të Shqiptarit kushtuar Ditës së Flamurit
Veprimi patriotik i shqiptarëve të mërgimit
Gazeta Drita e Tiranës, “Organ parimesh nacionaliste”, e drejtuar nga Dr. Zoi Xoxa, konsiderohet si një tribunë e rrallë e atdhetarizmit shqiptar. Duke shfletuar numrin 307 të saj (botuar më 28 Nëntor të vitit 1937), të cilin e gjetëm në arkivin e Ajvaz Vokës në Bukuresht, konstatojmë se kemi të bëjmë me vlera të larta të publicistikës shqiptare. Tema qëndrore e subjekteve të dinamizuara me fotografi të rralla historike, ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit, veprimin patriotik të shqiptarëve të mërgimit, Kosovën historike dhe 25 vjetorin e Pavarësisë. Në 20 faqet e saj defilon (para 70 vitesh), shpirti shqiptar i botës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Gazeta hapet me artikullin-bazë “Flamuri dhe Mbreti”. Flamuri, sipas artikullshkruesit anonim, simbolizon jetën e një populli. “Ranë trimat, vdiq Gjergj Kastrioti, Flamuri u fsheh nëpër arkat e moçme të gruas shqiptare, e cila dijti t’i ruajë gjithmonë me devotshmëri të thellë kujtimet e shtrenjta. Kush e din se sa herë, duke e shikuar fshehtazi atë Flamur, nana shqiptare derdhi lot për djemtë që i kishin ra therorë me atë në krye, kush e din se sa herë, duke e puthur dhe vu në ballë, Virgjëreshat arbërore vajtuen të fejuemin, vëllanë, atin qi mbet në fushë të nderit. Gjaku i dëshmorëve nuk shkoj kot: Flamuri i tyne, Flamuri që që ndigjoi kangën “Ja vdekje, ja liri”, ka gjetë sot Shampionin e Math që po ringjall krenaritë Skënderbegiane. Urojmë që populli Shqiptar të tregohet gjithmonë i denjë për krenarinë e emblemit të vet”.
Pasojnë artikuj që të bëjnë krenar pse ke lindur shqiptar, si Lidhja e Prizrenit – E para lëvizje kombëtare për të mbrojtun tërësinë tokësore të Atdheut dhe për të fituar indipendencën e Shqipërisë (Dokumenta historike me shumë rëndësi për jetën tonë Kombëtare), me nëntituj si Kuvendi i Prizrenit, Degët e Ligës së Prizrenit në Toskëri, Çështja shqiptare në parlamentin e Anglisë, Kanuni qeveritar i hartuar prej Ligës së Prizrenit, Urdhërimet për të organizuar ushtërinë, Vendimet e Ligës së Prizrenit. Në kuadrin e rubrikës Shpatëtarët e pendës, jepen portrete të shoqëruara me fotografi mbi Konstantin Kristoforidhin (Aktori i fjalorit të tij të pavdekur dhe i shumë veprave të tjera me rëndësi), Vaso Pashën (Vajtuësi i pavdekur i Shqipërisë së robëruar), Babë Dudë Karbunarën (Një nga veteranët e çquar beratas që ka shërbyer me vepra patriotike për realizimin e idealit kombëtar), Jani Vreton (Një apostull i palodhur i idealit kombëtar), Abdyl Halit Frashërin, Murat Toptanin, Sami dhe Naim Bej Frashërin, Hoxha Tahsinin.
Në kuadrin e rubrikës Gjuha, afsh’ i gjallë i jetës, shpat’ e ndritur e lirisë, me moton Në Manastir, Dibër, Elbasan dhe Shkodër, mblidhen Kongrese ndërsa mbrenda dhe jashtë Atdheut vlon lufta për gjuhën shqipe, bëhet fjalë mbi Mitingun në Korçë, Shkronjat shqipe dhe shqiptarët e Jashtëm, Klubi Bashkimi i Shkodrës, Kongresi i Manastirit (1908), ku u caktua alfabeti i njëshëm për gjithë Shqipëtarët, Kongresi i Elbasanit (1909), ku morën pjesë përfaqësuesit e 28 Shoqërive dhe Klubeve. Pason artikulli Cilët janë Shqipëtarët (Mendimet e shkrimtarëve Angelo Masci, Vicenzo Dorsa dhe e grekërve përmbi mburimin e gjuhës shqipe).
Në vazhdimn jepet një telegramë e Kryeministrit Francesko Krispi (Romë, 3 Tetor 1895), dërguar Kuvendit të parë për gjuhën shqipe prej shqiptarëve të Italisë, ku thot ndër të tjera se është “Shqipëtar prej gjaku e prej zemre”, ndërsa në faqen kushtuar subjektit me titull Veprimi patriotik i Shqipëtarëve të Mërgimit, jepen burime mbi Shqiptarët e Bukureshtit që kërkojnë nga Sulltani, më 1897, autonominë e Shqipërisë. Pasojnë artikuj të shkurtë si Shqiptarët e Amerikës dhe Federata Vatra, Kalendari Kombiar i Sofjes, Shqiptarët e Odesës, Gazeta e Misirit Shqipëria dhe programi i saj, Shoqëria Bashkimi i Bukureshtit, Një lajmërim i Kishës Ortodokse, Shoqëria Dija e Vjenës, Ismnail Qemali midis Shqiptarëve të Italisë, Shqiptarët e Konstancës, Shoqëria Lidhja Shqipëtare e Argjentinës, Ismail Qemali në Bukuresht, etj.
Dy nga faqet e fundit të Shqiptarit kushtuar Ditës së Flamurit
Shqiptari i Naços me motive shqiptare
Kosova përsëri në këmbë
Në këtë kontekst, pasojnë dy faqe për Arbëreshet me titullin Kur ndër shekujt djeg malli i Atdheut të largët, në të cilën bëhet fjalë për Jeronim De Radën, Jul Varibobën, Anselmo Lorekion, Aqile Torellin, Agostino Ribekun, Françesko Krispin. Në rubrikën Letratura mallëngjimplote e kohrave të robërisë, botohet një “Fjalim i mbajtun Popullit të Shkodrës” prej At Viçenc Prenushit (më 19 mars 1920), një artikull mbi Dëshmorët prej N. Helenau-t, poezia Shypnisë e Gjergj Fishtës, nga një vjershë e Sakolit dhe Asdrenit, të prira nga medalioni “Ndërsa vlon topi e pushka, thuren vargjet e letërsisë sonë luftarake”. Në kuadrin e rubrikës Se s’ka më ëmbël në këtë jetë – kur vdes shqiptari për Shqipëri, Drita boton dy faqe me kujtime mbi Çerçiz Topullin, Ferid Beun, Spiro Bellkamenin, Papa Kristo Negovanin, Bajazit Rehovën, Papa Vasil Negovanin, Kostaq S. Kosturin, Kadri Gjatën, Petro Kristofilakun, Oso Kukën, Kristaq M. Furxhiun, Nuçi V. Lapin, Odhise K. Pjaston. Pason artikulli mbi “Dhjetë dëshmorë, dhjetë flakë të pashueshme shembulli për t’u ndjekun”, ku jepet një fjalim i Ernest Koliqit dhe emrat e dëshmorëve Zef Simon Harapi, Llesh Nikë Daka, Kolec Marku, Gjok Dod Shkreli, Tom Xhuxhi, Gjek Marash Haka, Prel Deli Shala, Marka Per Zefi, Marka Prednd Dudi, dhe Prend Nikoll Gjeçi.
Në faqet e Dritës shndrisin artikujt mbi Themelet e para të Kombit të ri Shqiptar, ku bëhet fjalë për vendimet e Kongresit të Lushnjës (21 janar 1920), jepet poezia e Vaso Pashë Shkodranit me titull Si asht sot Shqypnija, me vargjet e njohura si E mos shikoni kisha e xhamia/ Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija (1889), del në dritë një artikull mbi Bajo Topullin dhe vullnetin si aksiomë e aktivitetit të ndërgjegjshëm që i jep dritë e vlerë. “Pa vullnet s’ka karakter dhe pa karakter s’ka burrë”. “Bajo Topulli ta punoi me guxim, me enthusiasmë, me përbuzje heroike për njerëzit që nuk e kuptonin dhe e luftonin”. Shkollat, themeli i mëkëmbjes së Kombit, është një artikull me nëntituj si Shoqëria përparimi dhe. Mësonjëtorja për Mësonjës e Elbasanit, ndërsa në kuadrin e rubrikës Shqiponja pa çerdhe, mallëngjim i thellë për Atdhe, bëhet fjalë për Mehmet Ali Pashë Misirin, Gazi Kemal Ataturkun, Papë dhe Mbretën Shqiptarë, Luftëtarë, Princa, Kryeministra, letrarë dhe Hospodarë, për zanin e gjakut, Nana Shqipëtare dhe vatra e Gjyshit (fq.14).
Në faqen 17 i jepet një vend nderi gruas shqiptare: Shqiptarka kurdoherë krahu i djathë i luftëtarit. Anija Lleti shkruan për Yllin e Mëngjezit (E para shoqëri grashë në Shqipëri), dhe jepet një letër e Mbretit drejtuar Kryeministrisë, përmes së cilës urdhëron të çelen kurse për femra në gjithë qytetet e Mbretërisë. Në faqen e fundit Drita boton dhjetra telegrame të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në kuadrin e rubrikës Proklamimi i Indipendencës Shqiptare më 1912, në të cilat bëhet fjalë edhe për pushtimin e trojeve shqiptare “prej ushtrivet serbe”, ndërsa në dy faqet e parafundit (18 dhe 19) shquhet rubrika Kryengritjet Shqiptare ndezen në Jug e Veri, me artikuj të shoqëruar me fotografi si Lufta e Mashkullores, Kryengritja shqiptare e Kosovës, Punët e Shqipërisë së sipërme, Harja në Jakovë, Mbledhja e armëve, përgjigja e malësorëve proklamimit të Shefqet Dergut Pashës, Kryengritja e Malësisë së Shkodrës, Mobilizim në Turqi, Fuqitë kryengritëse, Isa Boletini në shesh të luftës, rrethimi i Mitrovicës dhe Prishtinës, Kosova përsëri në kambë. Në këtë kontekst, vlerën e Dritës e shtojnë disa fotografi historike si: “Kongresi i Triestës” (me pjesmarrës nga kolonitë shqiptare të Amerikës, Rumanisë, Bullgarisë, Egjyptit dhe Italisë), “Me flamurin kombëtar, kosovarët trima kanë ngritur krye për liri”, “Një grup kosovarësh kryengritës që luftojnë për idenë kombëtare”, “Dedë Gjon Luli bashkë me kryetarët e kryengritjes (1912)” etj. (Redaksia)