E enjte, 31.10.2024, 10:59 PM (GMT)

Mendime

Petrit Kuçana: Në vend të një elegjie për shqiptarin e mashtruar nga ambasada shqiptare në Londër

E diele, 26.09.2010, 06:57 PM


Në vend të një elegjie për shqiptarin e mashtruar nga ambasada shqiptare në Londër

 

Nga Petrit Kuçana

 

''Ju lutem më ka vdekur vëllai... Më duhet të nisem urgjentisht për Shqipëri më duhet një leje kalimi që lëshohet nga ambasada.

Ata nuk ma hapin tel... numri që keni publikuar në gazetë nuk del... Ju lutem më ndihmoni, çfarë duhet të bëj, me duhet të nisem. T’i jep lamtumirën e fundit... të shkoj në varrim... e kisha.. ai vdiq...''

Kjo ishte telefonata rrënqethëse që morëm nga Ylli, një qytetar shqiptar që i duhej një dokument nga ambasada shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.

Provuam më kot të kontaktonim me numrin zyrtar, provuam edhe në numrin e emergjencisë, të reklamuar në faqen zyrtare të ambasadës...

Ngushëllime vëlla, ti qytetar shqiptar që të ra të fati i keq të përplasesh në dyert e përfaqësisë tënde diplomatike, në shtëpinë e shqiptarëve në MB... në vendin kur të drejtat tua duhet të mbrohen, ku duhet të ndihmohesh, madje 24 orë, në çdo kohë...

Mbahu i dashur qytetar, askush në ambasadë nuk qenka, kanë dalë... në ndonjë drekë a ndonjë darkë... në ndonjë takim forum bashkim shoqatash... a në dreq të mallkuar. Ata nuk janë aty, kanë lënë zyrat e ngrohta të ndërtesës 4-katëshe të ambasadës së Republikës së Shqiptarisë në Mbretërinë e Bashkuar. Ata kanë ikur ndonëse ora akoma nuk ka vajtuar as katër, ndonëse orari zyrtar është deri në pesë. (09. 00-17.00).

Ti nuk e kishe luksin që të përballeshe me tonin gati kërcënues të zyrtarëve të ambasadës, nuk e kishe luksin e sorollatjes së kotë.

Nuk e kishe fatin të përballesh me “shefin” dhe shefat e ambasadës që pa-dashje ua prish “chatin” apo i ndërpret nga bisedat ne Facebook apo apo... Kurrë më shumë zyrtarë se tani nuk ka patur dhe më kot do të llogarisësh në mendjen tënde se kur ishte aktiviteti i fundit që bëri kjo ambasadë. Më kot mund të llogarisësh vlerën monetare që shtetit shqiptar shpenzon për zotërinjtë, pra taksat e qytetarëve shqiptarë duke përfshirë edhe të ndjerin vëllain tënd. Më kot llogarit që vetëm për shtëpinë e Shkëlqesisë shteti shqiptar paguan £4000 në muaj...

Më kot beson se ai numër i publikuar në faqen e internetit të ambasadës apo në gazetë duhet të funksionojë, se është detyrim kushtetues, se...

Më kot mund të përpiqesh të llogarisësh për pagesat e tjera, rrogat, shpenzimet e udhëtimit, shkollat e fëmijëve... lista është e gjatë...

Këta zyrtarë nuk mund të imagjinojnë i dashur qytetar shqiptar se çdo të thotë të jesh në shërbim të qytetarëve.

Nuk mund të imagjinojnë se çfarë do të thotë të “djegësh” Anglinë dhe të shkosh në varrimin e vëllait dhe të duhet një leje kalimin që do t’u kushtonte vetëm pak minuta.

Ata kishin ikur e ti mbete rrugëve të Londrës se mbase dikush njeh dikë prej tyre e mbase i lutet e me shoqëri disi zgjidhet kjo punë, se mbase ndonjëri do të mund t’i sakrifikojë 5 minutat e tij për t’i kryer këtë punë këtij fatziu që i ra t’i shqetësojë këta zyrtarë...

Kurajo mik,

Ata edhe të nesërmen do ta vazhdojnë punën aty në zyrat e ngrohta, të vazhdojnë “chatin” të shikojnë facebook për pak orë sa për të thënë se kanë qenë aty.

Ji aq i civilizuar që të mos hakmerresh edhe nëse nesër do të bie të vish sërish në Londër, edhe nëse do të bie t’i takosh edhe nëse do të bie të bisedosh me ta. Kultura juaj nuk mund të lejojë që të hakmerresh.

Por pasi të qetësohesh, pasi të shkosh në Shqipëri, ke plot të drejtë të ankohesh jo vetëm tek Ministria e Jashtme, por deri tek Kryeministri dhe Presidenti dhe madje të hedhësh në gjyq, ata zyrtarët, ata burrat me kollare, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Kështu do të kryesh një detyrë morale. Ndoshta dikush që do të ketë nevojë ashtu si ty do të mund të gjejë një punonjës në zyrat e Ambasadës Shqiptare, do të mund të telefonojë në numrin e emergjencisë dhe dikush do të përgjigjet...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora