E shtune, 27.04.2024, 06:42 AM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: PS dhe e majta shqiptare, e shitur për “500 aspra” tek Dule e Bollano

E merkure, 22.09.2010, 07:40 PM


PS dhe e majta shqiptare, e shitur për “500 aspra” tek Dule e Bollano

 

Nga Pirro PRIFTI

 

Historia e Judës Iskarioti i cili tradhtoi Jezusin për “500 aspra” tek Rabinët (dhe pastaj vari veten në pendim të tradhtisë që bëri), është fare e njohur, dhe nuk është për tu habitur që unë po e përdor këtë argument pikërisht ndaj PS sonë e të majtën satelite të saj, sepse ngjashmëria nuk do shumë shpjegime, të cilat megjithatë do t’i rendis më poshtë.

Juda i së majtës shqiptare Z.Rama, ka tradhtuar jo vetëm idealet e të majtës por së bashku me ish-nomenklaturën e kuqe vazhdojnë të hedhin benzinë në hirin e mllefeve, të urrejtjes, mërive, të fashitura njëherë e mirë pas viteve ‘90, por dhe të ‘97, duke treguar dhe njëherë se sa me lehtësi e majta shqiptare dhe udhëheqësit e saj shiten për të mbajtur pushtetin politik brenda Partisë Socialiste dhe partive satelite të tyre, jo vetëm para biznesit informal e formal shqiptar por kryesorja është se mesa duket kanë shitur veten për 500 aspra (sepse aq  mjafton për të shitur shpirtin tek disa individë të huaj) tek pseudo-minoritarët të veshur me pushtet politik dhe ekzekutiv Dule dhe Bollano.

Kjo do t’i dukej kujtdo për të qeshur nëse prapa Dules dhe Bollanos të mos rreshtoheshin  individë karrieristë e që s’kanë asgjë të përbashkët me minoritetin bashkëvuajtës grek por dhe individë të veshur me pushtet të shtetit fqinjë të cilët shohin “pseudo-vizione” me krahinën autonome të Epirit të Veriut.

Dorëzimi pa kushte i PS dhe i të majtës shqiptare mund të shihet në këto aspekte:

- Disa vite më parë ndodhi një incident në Peshkepi. Mazhoranca ndodhet përpara presionit. E majta (PS) heshti dhe nuk e ndihmon mazhorancën.

- Disa vite më parë, individë ekstremistë në Greqi kërkuan që të modifikohej apo më mirë të kamuflohej kërkesa për Vorio-Epirin nëpërmjet kuadrit të kërkesave të autonomisë lokale, veprim që po rezulton i efektshëm në Shqipëri; e majta (PS) heshti, dhe vetëm në një rast ndihmohet nga e djathta që të fitojë zgjedhjet në Himarë.

- Mëse 1 vit ca përpara, dy ditë pas Gërdecit vjen për ti kujtuar qeverisë shqiptare varrezat dhe kufirin detar D. Bakojanis; në kohën kur Stambolli digjej (Gërdeci e Shqipëria në flakë) Bakojanis kërkonte varrezat e kufirit detar. E majta (PS) heshti dhe nuk ndihmon mazhorancën që të rezistojë ndaj kërkesës.

- Disa muaj përpara ndërtohen varrezat greke në Përmet pas një skandali ligjor. E majta (PS) heshti dhe nuk ndihmon maxhorancën që të rezistojë.

- Disa muaj përpara votohet në Parlament ndryshimi i kufirit detar. E majta (PS) heshti, por pasi reagoi eksperti detar i cili detyroi moralisht të majtën të gëlltisë turpin e të hedhi hapin e parë për në Gjykatë Kushtetuese por, nuk përjashtohet fakti që dhe mazhoranca ndihmoi duke e zvarritur problemin në mënyrë që ai ligj të mos miratohej.

- Katër- Gjashtë javë përpara zgjedhjeve, PBDNJ kthen 180 gradë timonin pa asnjë argument logjik, politik, nga koalicioni me maxhorancën fituese tek koalicioni me opozitën?! E majta (PS) duartrokiti dhe nuk i kërkoi shpjegime për këtë veprim paradoksal. Mazhoranca nuk reagon.

- Dy-tre javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 29 qershorit, PS merr një mbështetje të fuqishme nga Kryetari i opozitës greke të asaj kohë (sot Kryeministër). E Majta (PS) duartrokiti, pasi mendohet që pas marrjes së pushtetit nga ana e saj, do të kishte sigurisht lëshime politike. Mazhoranca nuk i kërkon shpjegime PS për këtë ndodhi.

- Humbja e zgjedhjeve befason të majtën shqiptare (PS) e cila nuk mund të realizojë premtimet si brenda vendit ndaj sponsorizuesve shqiptarë, por më kryesorja ndaj ndërmjetësve Bollano dhe Dule.

- Pas tre muajsh çoroditje politike nga humbja e 29 qershorit, PS dhe e majta marrin vendim që të kundërshtojnë zgjedhjet nëpërmjet hapjes së kutive, megjithëse ndërkombëtarët dhanë OK, e megjithëse nga ana ligjore çdo gjë u mbyll me korrektësi.

- Vazhdojnë deri më sot një çoroditje të së majtës përsa i përket strategjisë dhe veprimit të saj për të kundërshtuar maxhorancën pa asnjë kufizim (qëllimi justifikon mjetin) nëpërmjet: grevash urie, pjesëmarrje e kufizuar parlamentare ne votim, lumë akuzash për korrupsion, etj.

-Vazhdon synimi i së majtës për të krijuar ‘një situatë artificiale revolucionare’ për të konfirmuar idenë e re të përmbysjes së pushtetit të Berishës me çdo kusht!

Të habit fakti se gjithë historia e kundërshtimit skajor të PS dhe të majtës shqiptare vjen menjëherë pas, dhe në sinkronizim me ataket e Dules dhe të Bollanos kundër veprimeve ligjore të dy partive çame të cilat kërkojnë nëpërmjet Kushtetutës dhe institucioneve të lirive dhe të drejtave të njeriut- të drejtat e tyre si qytetarë për shkak të dëbimit nga tokat e tyre që para 65 vitesh nga monarko-fashistët grekë. PS përkrah në heshtje. Të habit fakti se menjëherë pas futjes së PBDNJ në koalicionin e të majtës janë ashpërsuar kërkesat e Bollanos dhe Dules për minoritet grek në Himarë e jug. Kujtoni fjalën e Bollanos që tha “sipër e poshtë Himarës ka grekë” (pra është Greqi). PS hesht dhe përkrah në heshtje. Megjithëse duhet të jetë aksioni i opozitës ndaj këtyre veprimeve në parlament.

Të habit fakti se menjëherë pas kërkesave këmbëngulëse dhe të suksesshme të Mazhorancës dhe Berishës në veçanti për futjen e Shqipërisë në NATO, në lejimin e vizave, në suksesin e rrugës Durrës-Kukës, në veprimet konkrete për ta futur Shqipërinë në BE, PS asnjëherë nuk e ka mbështetur zyrtarisht PD dhe Maxhorancën dhe as ka marrë mundimin të shuajë kontradiktat e brendshme politike për hir të futjes në BE nëpërmjet integrimit të vendit. Të habit fakti se gjithmonë Dule dhe Bollano (pra dhe ata që u vijnë pas) janë bërë helm e vrer për këto suksese të Shqipërisë, dhe po ta shohësh me kujdes veprimet e tyre, ato kanë qenë sinkron por në të kundërt - me veprimet e shtetit shqiptar për tu integruar sa më parë.

Të habit fakti që PS dhe e majta kanë mbajtur qëndrim jashtëzakonisht pasiv që të mos themi armiqësor ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, futjes në NATO, lejimit të vizave dhe jo vetëm nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë për Shqipërinë por as për zgjedhësit e shumtë të tyre, dhe mund të vërejmë me keqardhje që pasiviteti ndaj përkrahjes së nismave të mazhorancës, agresiviteti kundër përshpejtimit të integrimit për në BE nga ana e mazhorancës, bashkëpjesëmarrja me  veprimet anti -mazhorancë nëpërmjet grevave, akuzave skandaloze mediatike, kërkesa për rrëzimin e Berishës me çdo kusht, kërkesa për zgjedhje të parakohshme, - janë në sinkronizim të plotë me politikën anti-integruese të këtyre individëve si Dule e Bollano, dhe me politikën e disa individëve të shtetit fqinjë që s’lenë rast pa kërkuar nxehjen e gjakrave në zonat ku ka minoritet grek i cili bashkëjeton historikisht fare mirë me shqiptarët.

Përsa i përket këtij rasti, nuk mund të mos përmendet argumenti i saktë e Kryeministrit Berisha se në Himarë kemi të bëjmë (ashtu si dhe në zona të tjera të vendit) me komunitete bilinguale dhe jo-minoritete.

Në përfundim mund të them që e majta shqiptare ashtu si e ka patur zakon dhe në të kaluarën nuk e ka për gjë të shesë interesat kombëtare në dobi të ruajtjes së pushtetit të vet politik nga disa individë (që vetëm të majtë nuk janë).

Ajo që bën shumë përshtypje në Shqipëri dhe jashtë saj (në këtë kohë kur BE po nxit integrimin e vendit, hapjen e vizave, interesin e saj për mos-prekjen nga kriza të ekonomisë shqiptare)  pasiviteti dhe armiqësia e PS dhe të majtës shqiptare dhe e individëve Dule&Bollano ndaj dy çështjeve kryesore:

-Integrimin e Shqipërisë në BE,

-Mungesën e dëshirës për të krijuar një strategji të përbashkët për forcimin e shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarëve brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora