E enjte, 24.07.2025, 11:48 PM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Në kërkim të kuptimit

E shtune, 18.09.2010, 09:16 PM


Në kërkim të kuptimit

 

Nga Arbën Xhaferi

 

Nocioni "bibliotekë" ngërthen në vete, kryesisht domethënie pozitive. Pa marrë parasysh nivelin kulturor, origjinën apo ndonjë përkatësi tjetër të njeriut, të gjithë, thuaja njëzëri, pajtohen me statusin hijerëndë të bibliotekës, qoftë kur bëhet fjalë për bibliotekë private apo publike.

 

Sa për mua, biblioteka më krijon depresione dhe ndjenjën e inferioritetit: më pushton një dëshpërim, një ndjenjë e mungesës definitive të shpresës jo vetëm për shkak se nuk do të arrij t'i lexoj të gjitha ato vepra të mahnitshme të autorëve botërorë, që paraprakisht i pata skajuar për t'i lexuar në pleqëri, por edhe për shkak të vetëdijesimit se shkrimi dhe dija vazhdimisht e humbin betejën me injorancën, por jo vetëm kaq.

 

Statusi i intelektualit në shoqëritë moderne sa vjen përkeqësohet, duke u nivelizuar me atë të zejtarëve. Kur intelektuali instrumentalizohet për qëllime jo intelektuale, ai shndërrohet në mercenar, shërbyes i grupeve të ndryshme të pushtetit.

 

Në biblioteka ka tmerrësisht shumë libra, të shkruar nga njerëz të mençur, të harruar, të pluhurosur, pa ndikim, saqë vetvetiu parashtrohet pyetja: pse të lexohet, pse të shkruhet, kujt i duhen, kush do t'i ruajë, t'i përdorë ato?

 

Edhe përkundër këtyre pyetjeve trishtuese, njeriu vazhdon të lexojë, të shkruajë, me gjasë për shkak se motivi për komunikim, kumtim është më i fortë se dëshpërimi trishtues.

 

Libri ka shumë kundërshtarë, injorantët, pesimistët, politikanët, klerikët, teknologët, ideologët...

 

Revolucionet, risitë në rrafshin politiko-shoqëror ndikojnë në ndryshimin e botëkuptimeve, dhe me të, edhe në rëndësinë e librave, sidomos të atyre që nuk përputhen me tendencat politike.

 

Ballafaqimi ndërmjet interesit partikular, të pjesshëm (politik) dhe atij universal (njerëzor) pak nga pak përfundon në dobi të atyre që kanë ofertë konkrete, të prekshme, materiale. Bibliotekat janë dëshmitare të këtyre përballjeve ndërmjet qëllimeve të ngushta utilitariste me ato sublime që në vete ngërthejnë vlera universale.

 

Në një raft të bibliotekës qëndrojnë libra që kanë mesazhe të papajtueshme, proveniencash të ndryshme. Ato hyjnë në punë vetëm kur njeriu i shndërron në instrument të qëllimeve politike. Kur politika harliset, krijuesit brenda natës fitojnë ose humbin shkëlqimin fiktiv shoqëror.

 

Me ndryshim të rendit shoqëror ndryshon edhe përmbajtja e bibliotekave. Nëse librat kanë përmbajtje të papërshtatshme për koniunkturat e ndryshme të pushtetit (politike, religjioze, kriminale), ato digjen, ndërkaq autorët vriten, ose korruptohen.

 

Sot, kur nën ndikimin e liberalizmit disidenca, mohu sublim i intelektualit, po zvetënohet, njerëzimi ka filluar ta humbë ndërgjegjen. Prodhimi intelektual trajtohet si çdo mall tjetër në treg që blihet. Kur krijimtaria, morali, bindja blihen, atëherë libri e humb vlerën imanente që ka pasur me shekuj..

 

* Ky shënim mund të lexohet i plotë në "ResPublica". Faqja online "ResPublica" u prezantua dje me një ceremoni në ambientet e "UET". E themeluar dhe e drejtuar nga Mustafa Nano, kjo faqe synon të tërheqë mendimin shqiptar bashkëkohor për çështje kombëtare dhe globale, duke u përqendruar në të drejtat e njeriut, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe interesin publik.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx