Mendime
Shaban Peraj: Koalicionet nuk do bëhen!
E merkure, 15.09.2010, 09:58 PM
Koalicionet nuk do bëhen!
Shkruan: Shaban Peraj
Partitë shqiptare që veprojnë në Ulqin duket sikur po bëjnë shumë zhurmë rreth ndonjë koalicioni të mundshëm për zgjedhjet lokale që duhet të përsëriten, më 17 tetor 2010. Kjo zhurmë dëshmon se të gjithë flasin, të gjithë japin deklarata, bile ka edhe nga ata bashkëkombas të instaluar në shoqata që japin sygjerime, mendime e ide se cila është rruga që duhet ndjekur subjektet politike shqiptare për të garuar në zgjedhjet lokale të Uqinit. Deri këtu çdo gjë në rregull, ajo që presin këta “këshilldhënës politik”, a thua se mund të rezultojë pozitivisht në të mire të votuesve? A thua dhe a duhet të besojë dikush se këta e kanë me gjithë mend kur e gjithë lufta e tyre është për të ndarë votuesit e assesi për t’i bashkuar ata në një qëllim të përbashkët. Pra, tjetër thuhet e deklarohet, e tjetër veprohet në terren nga politikëbërësit shqiptarë, atje ku askush nuk është në gjendje të kuptojnë të vërtetën! Atë e di vetëm një “ideologu i përçarjes”, ai që i di të gjitha dhe gjithmonë ka të drejtë. Të tjerët bëjnë aminë, me çka u bëhet me dije votuesve për kujdes në sjelljet e tyre se “helbete” mund të rrëshqasin, e pastaj dihet fundi i tyre! Nga ajo që dëgjohet e thuhet sikur ne kemi mjaft “të mençur”, që dimë të bëjmë “politikë bashkimi”, atëherë nuk ka pse të “mërzitet kush”, se këtu “çdo gjë shkon në rregull” dhe këtë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët! Po të dëgjosh e lexosh se çfarë dhe si deklarojnë këta rreth ndonjë koalicioni të mundshëm fiton bindjen se shumica prej tyre akoma nuk e kanë pare vetën në pasqyrë për të qenë të denjë karshi atyre që do t’i votojnë. Ndaj të gjithë flasin, por askush nuk i dëgjon sepse tashmë votuesit janë të lodhur nga deklaratat boshe të tyre e që nuk dine gjë tjetër, vetëm të njollosin njëri-tjetrin, nuk dine gjë tjetër vetëm të dëshmohen për harxhime të taksapaguesve sikur këto mjete ti kishin nga gjyshërit e tyre. Dhe, nëse këto ditë u bie puna të shetitni nëpër vendbanime, do të dëgjoni për dëshprime të shumta që u kanë sjellur këta politikanë edhepse të njënjtit duan të thonë: më të mire se ne nuk keni! Pothuajse të gjithë janë të dëshpruar nga përfaqësuesit e partive politike, e mos e dhaftë Zoti që t’na dalin ndonjë i “ri” që tu premtojë kushedi së çka atyre që akoma hamenden për të dhënë votën. Më shumë se të thotë politikani, “populli im”, ka rëndësi të shprehet populli duke e quajtur “politikani im”, me bindje se kjo është ajo që kërkohet prej tyre. Ndryshe, nëse populli sheh politikanin që ka në krye si egjër që i ka rënë në qafë duke ia përdredhur në të katër anët, ai atëherë është një kokë e këputur nga trupi. Gjer tani, me despotizmin nëpunësve, apo me mashtrimin e masës askush nuk ka dalur i fituar. Bëjnë gabim ata që e kuptojnë politikën vetëm në formën e partisë, propagandës, zgjedhjeve dhe luftës për pushtet. Këtu ka diç më madhore dhe si duket akom këta politikanë nuk janë të vetëijshëm, apo nuk duan ta dinë për bashkimin e popullit së bashku me pëlqimin e tyre. Ata që janë të aftë ta vlerësojnë këtë e ta njohin mirë realitetin do ta zotërojnë më mire të nesërmen, ndryshe kështu siç janë vështirë të arrihet të dalin fitues Çdo gjë e ka fundin e vet, dhe ky fund do të shihet pas zgjedhjeve të 17 tetorit, aty do të bëhen analiza se kush si veproi, kush dha e premtoi më shumë , kush diti më mire të mashtrojë votuesit, pavarësisht si do dalin në zgjedhje, vetëm apo me ndonjë koalicion. Fatkeqësia është se këtë votuesit e shohin të fundit në raport me ata që bëjnë politikë me dy kute, njëri deklaron se është për bashkim , tjetri struket dhe nuk lëvizë për të parë se çka po ndodh. Për momenti atyre u është thyer qerrja, për çka mbetet pak shpresë të besohet se diçka e mire, diçka pozitive do të rrjedhë këtyre anëve. Këtu vështirë të parshikojë dikush për të ardhmë, por siç thot një politikan i zbritur nga mali: “jam i sinqertë në politikë”, e ajo tashmë dihet, në politikë nuk ka besë e sinqeritet. Nga kjo nuk duhet të presë dikush më shumë, me një fjalë, tjetër thuhet, tjetër veprohet për të gjetur rrugë të reja, por me qerre të thyer. Për një politikë të tillë mbetet të rënkojë i gjithë trupi votues kur shikon se dikush po shet dokrra me thes., ku njëri fiton, tjetri humbet dhe në fund të gjithë dalin të kënaqur. I pakënaqur mbetet gjithnjë populli, ai që e ka të vështirë të pranojë e të të besojë se do bëhet më mirë.