Mendime
Baki Ymeri: Ndeshja rumuno/shqiptare dhe heshtja shqiptare
E hene, 13.09.2010, 09:58 PM
Ndeshja rumuno/shqiptare dhe heshtja shqiptare
Nga Baki Ymeri
Piatra Neamc, Moldovë, shtator 2010. Një ditë përpara fillojnë të vijnë tifozë nga të gjitha skajet e Rumanisë. Në orën 12.00 vjen nga Shqipëria delegacioni shqiptar. Dy autobuzëi drejtohen qytetit të bukur me delegacionin shqiptar. Zbresin nga autobuzi i parë, e më pas nga autobuzi i dytë, njerëz nga ministritë, tifozë e biznismenë. I pari është Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit. I pari që e pret delegacioni shqiptar është manaxheri i sportit shqiptar në Rumani, prof. Stefan Kokoneshi. Asnjë televizion dhe asnjë gazetar shqiptar. Ndoshta në mendjen e tyre kishte ndonjë interes personal në vend të interesit nacional! Në orën 17.00 ekipi gjendet në stërvitjen e parë në stadium. Delegacioni shqiptar, shumë i organizuar dhe i disiplinuar. Gjithsecili në punën e vet. Në orët e darkës vijnë dhe një grup tifozësh tjerë shqiptarë, shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, por në pamundësi për t’u takuar njëri me tjetrin si pasojë e tollovisë. Shqiptarët kërkonin të merrnin hak për atë 6-1 para 2 vjetësh. Nuk e kishin harruar fare.
Fillon dita e ndeshjes. Nga ora 13.00 mbërrin edhe ministri këshilltar i ambasadës shqiptare, Dr. Luan Topçiu me djalin e tij. Shoqërohet makina e ambasadës për pak km. dhe hymë në një restaurant ku 15 vetë prisnin përfaqësuesit e ambasadës. Dreka ishte e shtruar në tryezë. Biznismenët rumunë Florin Luca nga firma ADF dhe Mircea Simionescu ishin protagonistët kryesorë të asaj dreke. Mikpritje e shkëlqyer, njerëz që kërkonin të dinë për vendin tonë, për Shqipërinë, për Kosovën, për zhvillimin e atdheut të shqiponjave, për Himnin tonë. Dy popuj nga Ballkani me zakone të ngjashme, madje edhe të përbashkëta. Shqiptarët përparojnë ekonomikishte dhe i lidhin shumë gjëra të përbashkëta me popullin rumun, sidomos gjuha dhe farefisnia trako/ilire. U pëlqen sporti dhe e bukura. Kështu na thot Stefan Kokoneshi pas kthimit të tij në Bukuresht. Në orën 20.30 para se se të fillonte ndeshja, shqiptarët ftohen në një shtëpi përdhese tipik rumune. 30 vetë na prisnin duke na përqafuar. Në një tavolinë të thjeshtë ishin vendosur pije të shumta, por ajo që u pëlqente mysafirëve ishte mikpritja. Pinë nga një gotë ashtu si pihet edhe në Shqipëri, e më pas gjithsecili i drejtohet stadiumit modern të Çeahlëut.
Një atmosferë e shkëlqyer. Stadiumi plot. Në sektorin ku ishin vendosur tifozët shqiptarë ishin shumë pak veta: 7 vetë. Ku janë tifozët, pyesnin rumunët? Stefani u thot se tifozët e Shqipërisë janë midis jush, në të gjithë stadiumin. Janë shumë studentë që kanë ardhur në stadium nga Bukureshti, Jashi, Krajova, Konstanca, arumunë e shqiptarë. Të gjithë shëmbëllejnë me njëri-tjetrin, shqiptarë, rumunë dhe arumunë. Madje edhe gjuha e tyre shëmbëllen, dhe shkëlqen Piatra Neamci i patriotit shqiptar Lazim Rexhepi i Shipkovicës, i vendosur në këtë qytet para 60 vitesh, duke ikur nga armata jugosllave që e pat kyçur në qeli pse militonte për Shqipërinë e Bashkuar. 1 me 1, përfundon ndeshja. Shumë rumunë duartrokitën futbollistëtë shqiptarë, por edhe tifozët shqiptarë që ishin duartrokisnin kur fitonin rumunët.
Asnjë mëri, asnjë xhelozi dhe asnjë hasmëri. Jam shumë i gëzuar dhe mendoj që do të kemi sukses në këtë grup, na thot Stefan Kokokoneshi, menaxher i futbolit shqiptar, arumuni i Elbasanit që e solli Demollarin dhe disa futbolistë tjerë në Rumani, para 15 vitesh. Ndeshje të tjera na presin, thot dhe shton se i shtrënguan duartë vëllazërisht, rumunë dhe shqiptarë. Rumunë nga Piatra Neamci, pranari i hotelit Bulevard dhe zoti Ion Dragodad, miqësohen me shqiptarët. E njohëm edhe djalin e Lazimit të ndjerë, Kurtish Rexhepin që pat luajtur 12 vjet për ekipin e Çeahlëut. E njohëm, madje edhe zonjushen Mona Agrigoroaiei në Bukuresht, një rumune që militon për Shqipërinë e Bashkuar. Shpresojmë se një ditë do vijmë të shohim dhe ndeshje të tjera të ekipit kombëtar rumun, ndoshta edhe ekipin shqiptar në një ndeshje evropiane. Ju presim me krahë të hapur, na thonë rumunët. Ju jeni vëllezërit tanë. Shpresojmë të shihemi në Shqipëri, në ndeshjen e vitit të ardhshëm. Urdhëroni e vizitoni dhe Shqipërinë e bukur, u thot Stefani, dhe ju garantoj se do të mbeteni të kënaqur!