E premte, 25.07.2025, 12:37 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: “Autogoli” i kombëtares shqiptare në Rumani

E shtune, 11.09.2010, 09:58 PM


“Autogoli” i kombëtares shqiptare në Rumani

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Para fillimit të ndeshjes së futbollit Rumani-Shqipëri, me kërkesën e vendasve, u mbajt një ceremoni ku nga dy kapitenët u lexuan mesazhe kundër racizmit.

E gjithë kjo u bë në kuadrin e fushatës së protestës që ka filluar në Rumani pas vendimit të autoriteteve franceze për dëbimin nga Franca të disa qytetarëve rumunë me etni rome. Ekipi jonë kombëtar i futbollit nuk kishte përse të lejonte të përdorej në këtë fushatë, për disa arsye. E para se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë nga fushatat e UEFA apo FIFA, kundër racizmit, por për akt të njëanshëm të rumunëve. E dyta, në këtë rast nuk bëhet fjalë për kurrfarë akti racist, por për një veprim legal të autoriteteve franceze, të cilët kanë dëbuar një numër romësh rumunë, të cilët kanë rekorde kriminale. E treta, dhe me kryesorja, është e turpshme që të lejohet që skuadra kombëtare shqiptare e futbollit, e cila përfaqëson krejt kombin, pra krejt trojet shqiptare, pavarësisht kufijve shtetërorë, të lejohet të instrumentalizohet kështu nga Rumani, një vend i cili nuk pranoi që policët e tij, të cilët vranë dy shqiptarë në protestën e “Vetëvendosja” në Prishtinë, para tre vitesh, qoftë edhe të hetohen për veprimet e tyre.

A thua se jeta e dy shqiptarëve që u vranë nga policët rumunë në Prishtinë na qenka më pak e vlefshme se e drejta e romëve rumunë kriminelë për të jetuar në Paris! Shqiptarët që ushtrojnë të drejtën e protestës paqësore në qytetin e tyre qenkan më pak të vlefshëm se kriminelët rumunë në Paris! Rumania që sot e ngre zërin me të madhe për dëbimin nga Franca të shtetasve të saj me rekorde kriminale, qartësisht i kishte instruktuar policët e saj që të vrisnin shqiptarë në protestën e “Vetëvendosjes” para tre vitesh. Nga të gjitha filmimet e bëra, deri edhe prej autoriteteve policore ndërkombëtare në Kosovë, nuk rezultoi që protestuesit të kishin kryer veprime të dhunshme deri në momentin që policët rumunë filluan të qëllojnë. Në një protestë policia nuk vret njerëz për atë që supozohet të ndodhë. Policët rumunë që vranë shqiptarë në protestën e Vetevendosjes, në mbrëmje festuan në mjediset e tyre, sikur të kishin bërë ndonjë heroizëm. ata janë të lirë, madje janë shpallur heronj dhe janë dekoruar në vendin e tyre, që është anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO.

Jo vetëm që Rumania refuzoi që policët e saj kriminelë të hetohen, çka tregoi se ata kishin vepruar me urdhër të shtetit të tyre, por, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të EULEX, Rumania bëri të ditur se do të kërkonte që pjesa që i takonte Rumanisë në personelin e EULEX, të përbëhej vetëm nga policë. Me këtë, po të konsiderohet edhe se Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, bëhet e qartë se Rumania e shkallëzoi deri në kulm provokimin e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe kombit shqiptar në përgjithësi, duke stimuluar krijimin e situatave të tjera të dhunshme.

Në këto rrethana, ekipi kombëtar shqiptar i futbollit, i cili sipas Kushtetutës së Shqipërisë përfaqëson krejt kombin shqiptar, edhe shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare (këtë e them në sensin se sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shteti shqiptar ka detyrimin që të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar, përveq që të punojë për bashkimin kombëtar) nuk mund të lejojë të keqpërdoret nga rumunët, në këtë mënyrë. Për këtë ka përgjegjësi FSHF, por përgjegjësi kanë edhe vetë futbollistët. Veçanërisht futbollistët me origjinë nga Kosova, Beqaj, Dallku, Cana, Curri, duhet ta kishin bojkotuar këtë sharadë të turpshme të inskenuar nga rumunët. Por unë jam i sigurt se nëse këta do ta kishin bërë të qartë arsyen, as futbollistët e tjerë shqiptarë nuk do të kishin marrë pjesë në ceremoninë para fillimit të ndeshjes. Rumunëve dhe gjyqtarit të ndeshjes duhej t’ u bëhej e qartë se për FSHF dhe ekipin kombëtar shqiptar kjo nuk qe një ceremoni kundër racizmit, por kundër ligjit, se kjo nuk qenë një ceremoni në mbrojtje të njerëzve të keqtrajtuar, por në mbrojtje të kriminelëve.

Gjithsesi, zyrtarët e FSHF të pranishëm në Rumani dhe futbollistët shqiptarë mund t’ ua bënin të qartë rumunëve dhe gjyqtarit se ne pranonim që të mbahej ceremonia dhe të merrnin pjesë në të, në rast se dënohej vrasja e protestuesve paqësore shqiptarë në Prishtinë dhe u bëhej apel autoriteteve rumune që të pranonin që policët t’ i nënshtroheshin hetimit dhe gjykimit eventual. Nëse rumunët e refuzonin këtë gjë, atëherë shqiptarët qenë krejt të justifikuar ta bojkotonin ceremoninë para ndeshjes. Madje do të ishte përfituar edhe se do të ishte bërë një sensibilizim ndërkombëtar i krimit të pandëshkuar ndaj dy protestuesve paqësore shqiptarë në 2007 në Prishtinë.

A mos ndoshta përfitoi ekipi kombëtar shqiptar, Shqipëria, kombi shqiptar, mirënjohjen e rumunëve dhe Rumanisë për nderin që u bëmë duke marrë pjesë në këtë ceremoni para fillimit të ndeshjes. Sigurisht se jo! Gjatë ndeshjes pati kore raciste kundër shqiptarëve nga tifozët në stadium. Asnjë gazetë apo televizion rumun nuk i dënoi ato. Për të mos folur për federatën rumune, apo për shtetin rumun.

Përfundimisht mund të thuhet se ndeshja filloi më një “autogol” në dëm të dinjitetit të kombit shqiptar, të Kosovës, të flamurit shqiptar, të vetë dinjitetit të futbollistëve. Për fat të keq autogola të tillë FSHF dhe ekipi kombëtar kanë bërë disa, si kur para disa vitesh pranuan të luajnë në Maqedoni në të njëjtin stadium ku qenë fyer në terma ekstreme raciste, dhe ku u përsëritën të njëjtat skena, madje edhe më keq.

Nëse tregojmë dinjitet, do të na respektojnë më tepër. Ne nuk kemi çka të bëjmë kur një gjyqtar britanik anulon një gol të pastër në favorin tonë sikur ndodhi në ndeshjen me Holandën në favorin tonë. Ne nuk kemi çka të bëjmë kur një gjyqtar izraelit i lejon holandezët të luajnë voleyboll, sikur ndodhi në ndeshjen në Holandë. Ama ne kemi çka të bëjmë kur kërkojnë të na keqpërdorin rumunët. Ky do të jetë edhe një sinjal për të tjerët.



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx