E enjte, 24.07.2025, 10:23 PM (GMT+1)

Mendime

Kalosh Çeliku: Shteti i mafisë

E enjte, 09.09.2010, 09:59 PM


KALOSH ÇELIKU

 

SHTETI I MAFISË

 

      Vendpushimet për frymëzime artistike i kam në tre lokale publike në Shkup. Edhe atë: “Rrapi”, “Miracoli” dhe “Firenca” (ish Parisi). Edhe, si çdo herë e pres “viktimën” letrare të librave të mi të “rrezikshëm”. Protogonisti i dyluftimeve të mia kësaj radhe vjen një “trim shqiptar”. Përshëndetet në gjuhën maqedonase dhe pa më pyetur ulet në tavolinën time duke u prezentuar si një i njohur i para disa vjetëve. Edhe, shtihet se  më njeh mirë mua Ujkun plak të këtyre anëve. Vite më parë paska ndejtur me mua në një tavolinë. I përgjigjem: nuk më kujtohet dhe nuk besoj se njihemi që më parë si miq të vjetër. Jo, ngul këmbë, njihemi që në kohën e paraluftës së 2001 – shit, kur kam punuar në Itali. E porositë pijen: një ujë gline. Më vonë edhe më pyet se ku punoj, në cilën “organizatë”. I përgjigjem: po, ti pasi u ule pa më pyetur mua a është e lirë karrikja në tavolinën time, patjetër duhet edhe ta dish se ku punoj unë, me çka merrem gjatë kësaj kohe. Jo, po kemi ndejtur me ty edhe më herët si mik. E rrotulloj këtë rradake timen të shkrimtarit se kur kam ndejtur me këtë “mik’, nuk më kujtohet kurrsesi. I përgjigjem: nuk më kujtohet, djalosh. E merr guximin: unë jam shqiptar, më kërcnohet në gjuhën maqedonase. Paratë, ose shpirtin! Shpirtin, i përgjigjem plumb, unë kësaj radhe në gjuhën shqipe. Dhe, folë shqip! Nuk ka kjo rëndësi, që më drejtohesh në gjuhën maqedonase. Po, çka e ke hallin? E zbutë tonin e bisedës: më duhen para, më drejtohet në gjuhën shqipe. E kam djalin në operacion në spital. Para më duhen për naftë.

      Buzëqesh. Ti së paku paske edhe makinë?! Po, kam, më përgjigjet. Edhe, atë: mercedes. E unë, në do ta dish eci ende më këmbë. Edhe nuk posedoj në pronë timen, pompë benzini. Gabimisht, të kanë orinetuar tek unë eprorët. Para më duhen edhe mua si shkrimtar. E kam një roman timin para vdekjes në shtypshkronjë. Dhe, nuk gjëndet njeri i gjallë t’ia shpëtojë jetën.

       Nuk e besoj se nuk ke para, nxirre kuletën! Djalosh, unë kurrë në jetën time nuk kam bartur dhe barti me vete kuletë. Në vend të kuletës barti me vete diçka tjetër në jetë. E kam edhe mikun më besnik. Kurrë deri më sot nuk më ka lënë në baltë. Nëse do, mund të ta nxjerri ta shohësh pak në vend të kuletës, vetëm se kam frikë posa t’ia shohësh sytë do të ikësh me të katra matanë Urës Gurit. Vërtetë, nuk kam para, ama kam karamela nëpër xhepa. Nëse të ka marrë malli, mund të të jap ndonjë për kujtim edhe atë: janë dum-dum karamela. Mos u tremb, fol he “trim shqiptar”! I ruaj për “miq” të sojit tënd në numër me pakicë e shumicë. Jo, nuk i dua ato dhurata, filloi të dridhet “trimi”. Unë kam nevojë për para, edhe atë: kesh në dorë!

      Aman, vazhdon mos e ngre zërin, pije birrën! Shkaku se, unë jam budalla. Edhe, një kërcnim tjetër i radhës. Qesh. Pse, unë të dukem i mençur?! E unë, në do ta dish jam budalla edhe më i madh se ti si shqiptar. “Miku” e lëvizi bythën në karrike. Përsëri, mori guximin të më pyes: E ku banon me shtëpi? Në Çair, i përgjigjem. E ti? Unë banoj në Butel, më përgjigjet me belbëzime. Megjithatë, më interson ku punon?! Unë, i sulem me fjalë edhe një herë flakë më flakë! Po, mu ti u gjete pas tridhjetë vjetëve jetese në Shkup të më pyesish se ku punoj si shkrimtar?! E di, ti pret të të përgjigjem: në Gjermani. Fatkeqësisht për ty, nuk punoj në kurbet. Dhe, pasi ke ngulur aq shumë këmbë, ja po të  përgjigjem: unë punoj në polici...

       “Miku” i panjohur që më ulet në tavolinë, posa e dëgjon këtë përgjigje, iku nga sytë këmbët pa më thënë as ditën e mirë. Tashti, unë e porosita edhe një birrë. Thashë, me vete: edhe kësaj radhe shpëtova nga pyetjet detektive të këtij “budallai” shqiptar. Vetëm për këtë ditë, jo edhe nesër. Shkupi është i mbushur me hajdutë, kriminelë dhe spiunë. Nuk je i sigurtë në rrugë. Edhe në kafene. Shkurt, as në shtëpi. Gjithmonë, gjendet ndonjë “budalla”, që shëtitet lirshëm rrugëve të Shkupit dhe ta pret udhën. Ose, të ulet në tavolinë si “mik” i vjetër. Askush, nuk e di se çka të sjell e nesërmja. Shkupi, gjithnjë vjen e bëhet i pasigurt për intelektualët shqiptar. Rrugaçët i ke në çdo hap pas shpine. Hajdutët në çdo kthesë rruge. Kriminelët, kafene më kafene duke i përcjellur viktimat e ardhshme për t’i plaçkitur në mes të ditës. Edhe atë, para syve të policisë. Ose: kanë vendosur Shkupin ta shpallin Teksas. Mekë të Maqedonisë. Edhe në shekullin XXI përpiqen t’i përzënë intelektualët shqiptar në Turqi. Nuk e di kujt i shkon përshtati kjo pasiguri në këtë shtet “demokratik”: maqedonasëve apo shqiptarëve. Kush cilin do ta përzë edhe në këtë kohë “demokratike” nga Atdheu. Partitë politike merren me punë biznesi. Nuk kanë kohë të merren me këtë dukuri negative që dita - ditës ia heqin dheun nën këmbë kësaj shoqërie, këtij Shteti të ri në Ballkan. Policia dhe ushtria që duhet t’i dalin zot, shpeshëherë i mbyllin sytë përpara këtyre dukurive negative. Ose, kur janë në pyejte shqiptarët edhe i ndërsejnë këlyshët e tyre me zgjebe duke e fshehur veten pas porte. Përpiqen t’ua fshehin gjurmët këtyre haramëve që e kanë rrokur për fyti shoqërinë shqiptare. E ngulfasin dita-ditës më shumë me presione, vjedhje e vrasje të porositura nga nëntoka kriminele maqedonase - shqiptare.     

        Në fund, kur vjen ta paguaj kamarieri dëmin, nuk e fut në llogari edhe ujin e glinës të “mikut”. Veprim ky, që më shtyn të dyshoj se ky bërllok i shtetit më të ri në Evropë, bashkëpunon edhe me kamarierët. E gjithë shoqëria kontrollohet nga kjo mafi shtetërore. Nuk të merr në mbrojte as policia si banorë i këtij shteti. Vaj halli për ty, edhe nëse nuk je vetë i zoti ta mbrosh veten nga këta haramë, që përditë ta presin rrugën me lloj – lloj metodash primitive të njohura që nga koha e Turqisë. I them: në këtë tavolinë e kemi edhe një borxhë: pijen e “mysafirit” të panjohur. E di, më përgjigjet, pse nuk më thirre ta përzë nga lokali. Jo, i përgjigjem, nuk pati nevojë. E përzura unë nga tavolina vetëm me një përgjigje “intelektuale”. Vërtetë, në këtë shtet “demokratik” nuk e kemi forcën, po e kemi trurin në kokë...

        Dhe, bindem me atë thënien që qarkullon gojë më gojë ende në popull: Maqedonia është i vetmi vend në botë, ku Mafia ka shtet...



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx