E shtune, 26.07.2025, 08:34 AM (GMT+1)

Mendime

Mira Meksi: Misteri i vetëvrasjes

E merkure, 08.09.2010, 07:58 PM


MISTERI I VETËVRASJES

 

Guri Filozofal

 

Nga Mira Meksi

 

Statistikat janë rrëqethëse: në mbarë globin, çdo katër sekonda një njeri vret veten.

Vetëvrasje njerëzish me famë kanë tronditur historinë dhe vazhdojnë ende ta tronditin; letërsia, që nga ajo antike e deri tek ajo moderne e ditëve tona, e ka bërë atë motivin e saj. Sado të merremi me analizën e vetëvrasjeve, enigma prapëseprapë mbetet, shpesh e identifikuar me aktin e krijimit, pasi ka aq shumë subjekte letrare që ushqehen me esencën e vdekjes.

Kur flitet për një të vetëvrarë, sado të thuhet, sado të gjykohet, të supozohet, të imagjinohet, të spekulohet, (madje edhe kur lihet nga i vetëvrari një shpjegim i shkruar i arsyeve të vetësakrifikimit), gjithçka është e dënuar të mbetet në errëti. Të shumtën e herës ai identifikohet me një dështak, karakterdobët (por edhe trim i çartur), egoist, ndoshta, që zgjedh mosekzistencën e lehtë në vend të ekzistencës së vështirë - shpesh admirohet për misterin që bart, flitet jo pak për ndoshta një lidhje që dyshohet se ka pasur me një gjykues të fshehtë e të mbifuqishëm dhe për bindjen e verbër ndaj tij, apo, ca më tepër, për një rebelim të skajshëm ndaj Perëndisë, deri në fatvendosje, vetëgjyqësi dhe sakrifikim. Mbi tridhjetë raste vetëvrasjesh të shquara paraqet Miguel Fernandez-i në veprën e tij Histori të vetëvrarësh, nga leximi i së cilës, përveç një ideje të vagullt se, me gjasë, shumica e tyre janë kryer si përfundim dhe përmbyllje e një depresioni, nuk nxjerrim gjë tjetër në dritë; por edhe qëllimi i këtij shkrimi nuk është aspak (dhe as mund ta pretendojë) të zgjidhë misterin e vetëvrasjes, interesante është të japim sa më tepër hamendësime rreth saj e kjo ia vlen, po të kemi parasysh se Camus-ja i madh e konsideronte vetëvrasjen si të vetmin "konflikt" serioz të filozofisë. Dhe është e vërtetë se pamohueshmëria e vdekjes denoncon kontradiktat e vetë ekzistencës - pothuaj të gjithë të vetëvrarët lidhjet me jetën i kanë tejet të vështira, dëshpërimi jetësor tek ta është në përbërje të lëndës së tyre. Teoria e kontradiktës midis Erosit dhe Tanatos-it, shpallur nga frojdianët është mbushamendëse si një element për ta shpjeguar vetëvrasjen, por nuk shkon më tej në udhën e shpjegimit. Duket se të vetëvrarët janë në kontradiktë të vazhdueshme, thamë më sipër, me jetën, pra edhe me shoqërinë ku jetojnë; janë ndryshe nga të tjerët, dhe kërkojnë ta lënë shoqërinë dhe jetën, ose, ndoshta, është shoqëria që i shtyn ata ta lënë atë, në fund të fundit, është një vrasje që kryhet në gjirin e saj. Ndjenja e ikjes, daljes, shpëtimit njëherë e përgjithmonë, është e njohur dhe e pranishme në autorë që kanë trajtuar vetëvrasjen. Paul Nizan-i (vrarë në front gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që Sartri, miku i tij ngulmonte se vdekja e tij qe e vullnetshme) thoshte: "Unë mendoj se njeriu ka të drejtë të vdesë kur nuk është dakord me jetën e tij". Të mos jenë vallë dakord me jetën e tyre të vetëvrarët? "Dua të iki, këtu më konsiderojnë të marrë" bërtiste Virginia Woolf përpara se të vriste veten. Mohojnë, qëndrojnë në pozita kontradiktore ndaj të tjerëve, nuk i binden as vullnetit të fatit dhe perëndisë, a nuk kanë të vetëvrarët një shpirt binjak me avanguardistët në përgjithësi? Janë bërë përpjekje në epoka të ndryshme për të mbledhur dëshmi mbi këtë zonë hijedritë të jetë-vdekjes njerëzore: njerëz që kanë tentuar të vrasin veten dhe i kanë shpëtuar vdekjes, nuk dinë si të shpjegojnë atë vendim të tyre, nuk dinë madje të flasin as për depresionin që i ka kapluar dhe ngase u ka ardhur. Me sa duket, ajo është gjendja e "mbyllur", një lloj komunikimi (me siguri duhet të ekzistojë komunikimi) i mëvetësishëm, një mungesë pothuajse e plotë komunikimi me të tjerët. Gjithsesi, me gjithë pamundësinë njerëzore për ta ndriçuar krejtësisht “zonën” e vetëvrasjes, marrëdhënia e të vetëvrarëve me jetën dhe shoqërinë, çka ndikon edhe në marrëdhënien e tyre përmbyllëse me vdekjen, vetëgjyqësinë dhe vetësakrifikimin, duket të jetë, më e pakta, dyllojëshe: ata që me jetën dhe shoqërinë, siç thamë më sipër, janë në kontradiktë të vazhdueshme dhe të vetëvrarët e tjerë, që i përkasin një lloji krejt të veçantë, të cilët i jepen vetësakrifikimit në formë riti, siç është, p.sh., seppuku japonez. Kjo lloj vetëvrasjeje vërtet mban brenda një vullnet individual, porse është e lidhur me një arsye superiore tashmë të njohur dhe të pranuar në kod nga një shoqëri e caktuar. Mesazhi i saj është tepër i qartë, ndërsa misteri që e vesh, është më i zbehtë se tjetri, - me anë të këtij akti të fundmë, i vetëvrari vërteton ndershmërinë e tij përpara të tjerëve. Është një akt pastrimi. Një mbrojtje nderi. Lidhja e të vetëvrarit me shoqërinë është shumë e fortë. Rasti më i jashtëzakonshëm i vetëvrasjes, pothuaj i pakategorizueshëm, është ai i shkrimtarit të madh japonez Yukio Mishima, emri i vërtetë i të cilit është Kimitake Hiraoka. Misteri i vetëvrasjes së tij spektakolare është tepër i dendur: ai është Dashnori par excellence i vdekjes, lojtari virtuoz dhe megaloman i fantazisë dhe realitetit, ekzibicionisti i traditës dhe luajalizmit, në një shoqëri të kalbëzuar e pa vlera, siç qe, sipas tij, shoqëria japoneze e kohës së tij. Biografë të shumtë nuk rreshtin së studiuari aktin e fundit të jetës së tij. Askush nuk e ka zhbiruar deri në fund misterin, por në këtë shkrim, më ndihu libri i Yourcenar-it: Mishima ose vizioni i Boshit. Njëri prej biografëve të tij ka renditur emrat e dhjetë shkrimtarëve shumë të njohur japonezë, të cilët kanë bërë vetëvrasje në gjashtëdhjetë vjetët e parë të shekullit XX – ky numër nuk është për t’u çuditur në një vend që e ka nderuar përherë fundin e vullnetshëm. Porse asnjëri prej tyre nuk vdiq ala grande. Vdekja e Mishimës, përkundrazi, qe tradicionalja, seppuku (përshkuarje e trupit prej çelikut, barkçarja dhe më pas prerja e kokës me shpatë, kur lejohet prania e një njeriu tjetër) - shprehje e fisnikërisë dhe ndershmërisë dhe që bënte pjesë në kodet e kalorësisë mesjetare; një vdekje tradicionale dhe spektakolare. Ai e përshkroi, e fisnikëroi, e përgatiti deri në detaje, e dashuroi dhe e realizoi seppuku-n në shumë vepra të tij (Kuaj të arratisur, p.sh.) dhe gjer e luajti vetë si aktor në teatër dhe filma; Patriotizmi (Yukoku) është një nga novelat më të shquara që Mishima shkroi ndonjëherë: ajo u vu në skenë, u realizua si film dhe u luajt nga vetë autori, - është filmi më i bukur dhe më traumatizues që mund të bëhet për nga skenat e hollësishme, ku Mishima, në rolin e një oficeri të lartë patriot që humbet betejën dhe gruaja e tij e bukur, realizojnë seppuku-n, i pari, si luajalist, për të vënë në vend nderin e humbur, dhe e dyta për besnikëri ndaj të shoqit. Imazhet e filmit japin qartazi ekzibicionizmin dhe idengulitjen e sëmurë për vdekjen, por edhe një lloj përgatitje metodike për ta përballur fundin sipas mësimeve të traktatit të famshëm Hagakure, i frymëzuar në shekullin XVIII nga shpirti i samurajëve, dhe që ishte i parapëlqyeri i Mishimës: “Prisni çdo ditë vdekjen, në mënyrë që kur koha të vijë, të vdisni në paqe… Vdisni me mendje çdo mëngjes dhe s’do t’i tuteni më vdekjes”. Mishima qe luajalist, tradicionalist, mbrojtës i shpirtit të të parëve, dhe aventura e tij politike rritet, sidomos, viteve të fundit të jetës; thelbi i bindjeve të tij politike jepet në fjalën e mbajtur para trupave ushtarake, në Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn me forcë pak përpara vetëvrasjes: “…Vlerat tona thelbësore si japonezë, janë të kërcënuara. Perandori nuk ka vendin e duhur në Japoni… Ne do t’i kthejmë fytyrën e dikurshme atdheut dhe do ta bëjmë këtë duke vdekur…”. Ai krijon Tatenokai-n, ose Shoqatën e Shqytës, një grupim prej njëqind burrash, të cilët i stërvit ushtarakisht me shpenzimet e veta: “Një ushtri për kur të vijë koha!”. Vetëvrasja, seppuku, është lënë për datën 25 shtator 1970. Mbrëmjen e 24 shtatorit, Mishima darkon në restorant me katër besnikët e tij dhe me Morita-n, djaloshin njëzetë e një vjeçar që do të vetëvritet së bashku me të, dhe pastaj mbyllet të mbarojë korrigjimet e fundit të librit që do ta dorëzojë të nesërmen për botim; ka bërë gati shpatën e çmuar të shekullit XVII. Fjalët e fundit përpara se të vdiste qenë: …Tenno heika Banzai! (Jetë të gjatë Perandorit!). Kawabata, mjeshtri dhe admiruesi i tij, është i pranishëm me lot në sy në varrimin e Mishimës; një vit më vonë edhe ai vret veten. Mbetet të thuhet se vetëvrasja është një përzierje dorëzimi, rebelimi ndaj Perëndisë, vetëvendosjeje, shkatërrimi dhe misteri të jashtëzakonshëm.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx