E enjte, 24.07.2025, 11:26 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Magjistër (G)Ardian Ramadani i Gurit të Zi të Mekës... (IV)

E shtune, 04.09.2010, 07:58 PM


Magjistër (G)Ardian Ramadani i Gurit të Zi të Mekës, pseudonim i Veton Latifit në polemikë (4)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Më tutje Ramadani bën sikur i përgjigjet edhe kritikës që i kam bërë unë gabimeve që bën ai në elaborimin e idesë së patriotizmit dhe nacionalizmit në Francë:

“Të gjithë burrështetasit francez pikën e orientimit e kanë tek nacionalizmi dhe patriotizmi i Risheljesë, pra tek dashuria ndaj atdheut. Por, De Goli, duke qenë koshient për epokën e supranacionales që po vinte, arriti që të kamuflojë nacionalizmin e tij, duke performuar me patriotizmin francez. Këtë e thekson edhe në takimin me presidentin amerikan Ajzenauer, kur i thotë ‘Unë jam vetëm një profrancez, dëshira ime është të kontestoj, nëse nuk kontestoj unë nuk jam aleat, por protektorat’. Këtu mund fare lehtë të kuptohet nacionalizmi patriotik i De Golit, që për bazë e ka doktrinën e Risheljesë, që d.m.th. eksponimi i Francës në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes gjuhës dhe kulturës?”

Sa herë duhet t’ i them këtij njeriu, Ardian Ramadanit se nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë e njëjta gjë, përveç ndonjë rasti të rrallë si Franca, kur kufijtë etnikë përkojnë me kufijtë natyrorë? Nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë dashuria ndaj atdheut siç thotë Ramadani, por ato e kanë si parakusht dashurinë ndaj atdheut. Nacionalizmi dhe patriotizmi janë lëvizje politike, aktivizëm politik i motivuar nga dashuria ndaj atdheut, ndaj nacionit. Në kohën e Richelieu nuk përdorej asnjëri nga këta terma, dhe nëse do të kërkojmë origjinën e tyre, në kohëra kur nuk përdoreshin këta terma, atëherë do të shkojmë letë në shekullin XV, në kohën e Jeanne d’ Arc, në kohën e luftës për çlirim nga pushtimi anglez. Simboli i luftës i Virgjëreshës së Orleanit, kryqi i dyfishtë i Loraine (Lorenës) ishte simbol i mëvonshëm i nacionalizmit francez, i cili nacionalizëm ishte religjioz, katolik, në dallim nga patriotizmi që ishte laik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill do të thotë se kryqi më i rëndë që i ishte dashur të mbante ishte Kryqi i Loraines, duke aluduar për marrëdhëniet e tij të vështira me De Gaulle (De Gol).

De Gaulle (De Goli) nuk kishte asnjë dëshirë t’ i nënshtrohej supranacionales; dihen fjalët e tij të famshme të thëna në 1962, katër vjet pasi ishte bërë President i Francës, për Europë si “Europe des patries” (Europa e atdheve, nacion-shteteve). Termi “nacionalizëm patriotik” i Ramadanit, të cilin ia atribuon De Gaulle, është një nonsens; çka domethënë “nacionalizëm patriotik”, kush e paska elaboruar këtë term, apo Veton Latifi? Ramadani bëhet sharlatan kur thotë se baza e doktrinës së Richelieu ishte eksponimi i Francës në marrëdhëniet ndërkombëtare me anë të gjuhës dhe kulturës, duke e bërë dhe De Gaulle ndjekës të kësaj doktrine. Baza e doktrinës së Richelieu ishte eksponimi i Francës në marrëdhëniet ndërkombëtare me anë të forcës dhe diplomacisë. E njëjta gjë vlen dhe për De Gaulle i cili tha fjalët e famshme se një vend që nuk ka një armë bërthamore nuk mund të quhet i pavarur. Në një rast tjetër De Gaulle ka thënë “Franca është ndërtuar me shpata. Zambaku, simboli i bashkimit nacional, është vetëm një imazh i një heshte me tre shtiza”. Ardian Ramadani më pyet: “Nuk e di se çka nënkupton truri yt, me shprehjen mysliman praktikantë minorancë e çka jo praktikantë mazhorancë?! Shqiptarët me shumicë i takojnë përkatësisë fetare islame dhe pikë.”

Unë e kam bërë të qartë disa herë këtë gjë. Nga pasardhësit e shqiptarëve që Imperia Osmane i konvertoi dhunshëm në fenë islame pjesa më e madhe që as e ushtrojnë fare këtë fe, nuk mund të quhen muslimanë, ata janë thjesht afetarë. Ndër shqiptarët, në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, muslimanë duhen quajtur veç ata pasardhës të të konvertuarve në kohën osmane, të cilët e praktikojnë fenë islame sot. Më qartë nuk ka si bëhet. C’ kuptim ka të quhet musliman një njeri i cili nuk e praktikon fenë islame. Islami nuk është si Krishterimi ku ekziston riti i pagëzimit që në lindjen e njeriut. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se muslimanët janë një minorancë në numrin e përgjithshëm të nacionit (kombit) shqiptar, në dy anët e kufirit. Nëse Ardian Ramadani do të më thotë se në ndonjë pjesë të hapësirës nacionale shqiptare, si p.sh. në Maqedoni janë shumicë, gjë të cilën unë nuk e besoj, atëherë duke i marrë të mirëqëna fjalët e tij, do të them: Thefshin kryet tek Guri i Zi i Mekës! Më tutje, Ardian Ramadani shkruan: “Mandej o grindavec i ndytë, thua që shqiptarët e Maqedonisë thyejnë kokën tek Guri i Zi. Ata nuk bëjnë lutjet në Gurin e Zi, por ata ritualet e tyre i bëjnë rreth e përqark Mekës, njashtu siç bëhen lutjet nëpër manastire, kisha, sinagoga dhe kjo mua nuk më pengon. Ty, të pengon xhamia dhe një pjesë përbërëse e Mekës (lexo: Guri i zi i Mekës)”.

Që të gjithë muslimanët kur falen përkulen në drejtim të Kaaba (Qabe), ku gjendet Guri i Zi, ky është një fakt. Edhe ne pelegrinazhin në Mekë, muslimanët tubohen rreth Kaaba, ku gjendet Guri Zi. Pra, në qendër të fesë islame është Guri i Zi, një meteor i rëndomtë që i sugjestionoi arabët paganë dikur dhe kulti i të cilit u trashëgua nga Islami. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë ndarë mendjen që të thyejnë kokën tek Guri i Zi. Ardian Ramadani, më tutje, më drejtohet: “Mandej më etiketon si patriot maqedonas. Unë jam shqiptar i nderuar, dash beso e në mos dash mos beso.”       

Por, derisa Ardian Ramadani na paraqitet si ithtar i patriotizmit francez atëherë ai duhet ta dijë se në Francë çdo shtetas (qytetar) francez quhet francez për nga identiteti nacional, etnik. Franca nuk i njeh minoritetet etnike. Për Francën korsikanët italianë janë francezë, dhe ai korsikan që e quan veten italian shpallet terrorist. Presidenti i sotëm francez Sarkozy, mori famë kur ishte ministër i Punëve të Brendshme se mori pjesë personalisht në një ndjekje me helikopterë të “terroristëve” korsikanë. Edhe gjermanët e Alzasë-Lorenës për Francën janë thjesht francezë. Po kështu edhe baskët dhe bretonët. Pra, sipas modelit të patriotizmit francez, Ardian Ramadani duhet të jetë patriot maqedon dhe ta quajë veten maqedon etnik. Kjo është konseguenca e idesë së tij. Sipas tezës së tij të patriotizmit francez, Ardian Ramadani del maqedon etnik i fesë islame. Se sipas modelit të kombit francez, prej të cilit derivon patriotizmi francez, çdo qytetar-shtetas francez është francez etnik, por mund të dallojë në fe. Pra, Ardian Ramadani, sipas tezës së vet, duhet të heqë dorë nga gjuha shqipe (këtë nuk e ka problem se ai është certifikuar për gjuhën maqedone), identiteti shqiptar, dhe të vetëdeklarohet maqedon etnik i fesë islame.

Ardian Ramadani më tutje shkruan për veten: “E di i tërë auditori se si jam shkolluar me mund e me djersë, si kam arritur rezultatet e larta me përkushtim dhe me punë të pandërprerë, si jam shkolluar me një rrogë të ulët prej ndihmës së babait tim dhe bursave që i kam merituar për shkak të notës së lartë mesatare, si jam punësuar në UEJL, në bazë të kriterit meritor, përmes notës mesatare dhe intervistës së suksesshme”.

Këtu unë nuk po them kurrgjë më tepër se ç’ kam thënë se të gjithë në UEJL do të qeshin me këto fjalë, pasiqë e dinë të vërtetën. Ardian Ramadani më përgjigjet kështu për kritikën që i bëj unë për temën e tij të masterit: “Tani zotrote pasi kam magjistruar në një doktrinë puro franceze tipike, të pengon se jam bërë magjistër apo çka? Unë nuk kam magjistruar nëpër laboratorët greke dhe sllave, e as të agjenturave të huaja, siç mëton të më paraqesësh ti, po magjistratura ime është publike, ka pasur komision recensues për këtë në përbërje me profesorë të shquar dhe përkatës të lëmisë, si dhe dy librat e mi janë publik dhe mund t`i marrësh në shqyrtim edhe ti. Mos harro, se tema për Risheljenë, ndoshta është e studiuar mjaft në Francë dhe Evropë, ndërsa tek shqiptarët është shumë pak. Është e trajtuar në librat e miqve të mi, profesorë të shquar, nga Shqipëria, z. Lisen Bashkurti (recensent i librit tim të dytë) dhe z. Gjon Boriçi, po për herë të parë shkoqitet si duhet në temën dhe hulumtimin tim”.      

Ardian Ramadani nuk i jep përgjigje kritikës sime se është absurde që studiuesit shqiptarë të merren me tema të tilla për të cilat ekziston një literaturë shumë e gjerë e krijuar nga studiues të universiteteve më të njohura të botës. Një studim për një temë të caktuar, e cila është lëvruar shumë, bëhet me synimin për të sjellë një gjë të re. Asnjë studiues shqiptar nuk mund të sjellë një gjë të re, duke shkruar për këto lloj temash. Ja, le të përgjigjet Ardian Ramadani, çfarë të reje ka sjellë ai në studimin e vet për raison d’ etat dhe Richelieu? Kurrfarë gjëje të re natyrisht. As ai, as emrat e tjerë që përmend ai nuk mund të sjellin kurrfarë gjëje të re duke shkruar për këtë temë. Ashtu si Veton Latifi nuk mund të sjellë kurrfarë gjëje të re në librin “Politikologjia”. Prandaj e mira do të ishte që Ramadani të kishte zgjedhur një temë për marrëdhëniet shqiptaro-franceze, se atje ka ende shumë për të studiuar. Sa për çështjen e shefes së zyrës speciale të Francës për Shqipërinë, Nathalie Clayer-Popoviç, Ramadani më përgjigjet kështu: “Nathali Clayerin e kam lexuar. Ai libër i saj është personal i saji, nuk është mendim i politikës zyrtare shtetërore franceze.”

Ju këtu gënjeni me vetëdije Ardian Ramadani, se derisa ju e keni lexuar librin e Clayer nuk mund të mos keni parë në jetëshkrimin që ajo bën për veten, se punon si drejtuese në CNRS (Centre National dela Recherche scientifique), e cila në website zyrtar në internet (qe ku e ke linkun, të cilin ti e njeh mirë: http://www.cnrs.fr/) paraqitet si një qendër studimore e krijuar nga Presidenti i Francës për të furnizuar me të dhëna zyrat e ndryshme të shtetit francez. Ardiani Ramadani, si duket ngase Nathalie Clayer i ka premtuar ta bëjë bashkëpunëtor të CNRS, më drejtohet mua me arrogancë intelektuale të pavend për një njeri si ai, duke më thënë: “Ti ende nuk je koshient se sa i paditur që je, ngase mendon se e ke kokën të mbushur.”

Unë nuk gjej përgjigje më të mirë veç të them se tash që kam filluar të lexoj librat e Veton Latifit shpresoj se nuk do të vlejë kjo thënie për mua. Se kur lexon librat e Veton Latifit është njëlloj sikur ke lexuar pjesë nga libra të tjerë, se ai nuk bën gjë tjetër veçse monton fragmente librash.

Ardian Ramadani, për të treguar erudicion, sipas stilit të Veton Latifit, i cili tekstet që shkruan i mbush me citime për të fshehur mungesën e ideve, më jep edhe këshilla, duke më cituar njerëz të shquar: “Në fund, o Kastriot M.... e përmbyll reagimin tim, ndaj paloreagimit tënd me thënien e Pablo Nerudës ‘Dija e vogël i bën njerëzit kryeneçë (sikurse ti). Dija e madhe i bën njerëzit kryeulët. Andaj kalliri i zbrazët e ka kokën lart, e ai i mbushuri lakohet për tokë.”

Ardian Ramadani mund të gjente shumë njerëz të tjerë të njohur, të cilët kanë thënë diçka të ngjashme, por ai shkoi e gjeti Pablo Nerudën, i cili qe një stalinist ekstremist, që bënte poezi për Stalinin derisa vdiq në 1973, pra edhe rreth dy dekada pasi Khruschev (Hrushov) në Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në 1956 denoncoi krimet e Stalinit në raportin e famshëm. Duke përzgjedhur Pablo Nerudën, Ardian Ramadani konfirmon atë çka kam thënë unë në shkrimin tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës” se Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës përbëjnë simbolet e dy të këqijave të ngjashme që e kanë msyrë kombin shqiptar gjatë historisë. Ylli i Kuq simbolizon Sllavizmin ortodoks, i cili me komunizmin nuk përbën gjë tjetër veçse sllavizmin ortodoks ashtu sikur përthyhej në prizmin ideologjik, ndërsa Guri i Zi është simboli i Arabizmit islamik. Pastaj Ardian Ramadani më jep këtë porosi, me një tjetër citat nga një njeri i shquar, i cili këtë herë e meriton emrin i shquar. “Një porosi për ty ‘Mos shkruaj sipas porosisë së ditës. Ngase shkenca jote është krejtësisht pa ndërgjegje, e shkenca pa ndërgjegje ta shkatërron shpirtin’. Këtë e ka thënë shkrimtari i madh francez Rable”.

Në fakt këto fjalë për shkencën që të shkatërron shpirtin i ka thënë Mbreti Solomon në Bibël dhe Rableais i ve në gojën e e personazhit të vet, Pantagruelit, në librin e vet të famshëm, “Gargantua dhe Pantagrueli”, duke e përmendur edhe se ato i ka thënë Mbreti Solomon. Por Ardiani nuk ka faj, se ai nuk e ka lexuar Rableais, i cili është përkthyer edhe në shqip, por thjesht i ka kapur veshi diçka prej tij në teatrot amatore në Francë.

Unë shkruaj sipas porosisë së shpirtit të nacionit shqiptar, sipas porosisë së njeriut me të cilin është i lidhur simboli nacional, flamuri kuqezi, pra sipas porosisë së Skënderbeut, i cili abandonoi fenë ku e ktheu dhunshëm Sulltani, atë islame dhe u kthye në fenë e atit, krishterimin perëndimor. Shkenca ime është shkenca nacionale shqiptare. Shkenca e Ardian Ramadanit është shkenca e Gurit të Zi të Mekës dhe ai shkruan sipas porosisë së Muhametit, i frymëzuar se së bashku me Veton Latifin kanë pirë ujin e “shenjtë” të pusit Zamzan në Mekë, kur kanë qenë atje për haxh intelektual.

Në përfundim të shkrimit Ramadani shkruan: “Detyra ime e radhës, do të jetë takimi im me ty, dhe njoftimi për së afërmi. Në Shqipëri vij shpesh që të vizitojë miqtë e mi, profesorët e mi, kolegët e mi. Pse mos të vij të të shoh surratin edhe ty?! Fundja do të bindë se e ke gabim fund e kryje, dhe se me tezat e tua shqiptarët nuk bashkohen po ndahen më shumë.”

Unë i përgjigjem se do të kishte bërë të kishte ardhur që në gusht, se kështu do të takonte në Tiranë dhe chere Nathalie, e cila vjen çdo vit në muajin gusht në Tiranë. Ajo është shumë e pasionuar pas studimit të Islamit shqiptar, aq sa një herë kur gjendej në Tiranë, vuri hixhabin në kokë dhe hyri në xhaminë e Dine Hoxhës, tek Rruga e Kavajës për të kqyrur se çka bëhej atje. Por me siguri që Ardiani ka raste të tjera për ta takuar chere Nathalie. Pas atyre që ka thënë Ardian Ramadani për mua, dëshirës së tij për të më takuar do t’ i përgjigjem me një thënie të Francois Rableais (Rable): “Unë inkurajoj të gjithë shpifësit djallëzorë që të shkojnë të varin vetveten para se hëna të jetë përgjysmuar. Unë do t’ u jap litarin”.



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx