Mendime
Adnan Abrashi: Kush vërtetë ''kollet'' në Kosovë!??
E merkure, 01.09.2010, 09:58 PM
KUSH VËRTETË “KOLLET” NË KOSOVË!??
(Vetëm gjërat e vogla ruhen si të fshehta, ndërse, konspiracionit e mëdha i ruan vetë mosbesimi i njerëzve në to)
Nga Adnan Abrashi
Tanimë dihet haptas se kush i ka në Kosovë “sendet” në dorë dhe kush në prapaskenë loz me litarët e të gjitha politikave më të rëndësishme vendimmarrëse tek ne. Parullat boshe të përsëritura shpesh nga qeveritarët tanë aktual në pushtet se, kinse jemi “shtet i pavarur dhe sovran”, gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten si kamuflime të një vërtete krejtësisht tjetër para masës. Edhe pse ende ka mjaftë fanatikë injorantë dhe militant të partisë (partive të koalicionit) në pushtet që verbërisht ju besojnë atyre, fatlumsisht ky numër po ngushtohet. Dita – ditës qytetarët tanë po binden se të gjitha deklarimet e politikanëve tanë nëpër konferenca për shtyp, fare nuk e tregojnë gjendjen reale, e cila, në të vërtetë, po zhvillohet ndryshe dhe heshtur si konspiracion në prapaskenën tonë. Thënë, shkurt e shqip, tani më edhe pulat në kotec dhe zogjtë në lisa, po e dinë se kush vërtetë“kollet” në Kosovë!
Për fillim, ta marrim si shembur rastin e vendimit të GJND në Hagë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës si shtet të pavarur. Këta politikan tanë“bylbyla”, edhe një ditë para publikimit të aktgjykimit të kësaj gjykate, dilnin në publikë me deklarata konfuze, të bindur se ky vlerësim i kësaj gjykate mund të jetë “i paqartë” dhe i “balancuar” për ne. Por ata që vërtet e kanë fjalën kryese në këto punët të drejtësisë ndërkombëtare, për ta kremtuar së bashku këtë konfirmim të kësaj fitore edhe juridike të tyre ndaj Serbisë, dy ditë më parë, e kishin ftuar kryeministrin tonë në SHBA. Edhe pse dukej se urimi i bëhej Kosovës, në të vërtet, me këtë alegori, ATA selamin ia dërgonin tjetërkujt. Po aty, në SHBA, ndoshta si provokim, apo edhe pa qëllim të keq, dikush i kishte fry në vesh Hashimit tonë se, kinse ka ardhur koha që Kosova të mos jetë më e mbikëqyrur nga të huajt, dhe, ky, këtë punë na e kishte marr troç. Me të arritur në Kosovë, menjëherë nxitoi që disa herë para medieve tona vendore ta shpalli këtë sihariq të madh. Pra, një gjë që realisht fare “nuk e ha pazari” dhe që është më kryesorja, kjo punë fare nuk varet nga ai. “Freno nga pak” dhe “ngadalë beg, se ka hendek” , si duket ATA ia bënë menjëherë me dije atij, dhe, mesa kam vërejtur unë, Hashim Thaçi më nuk deklaron kështu në publik.
Kohën e fundit, opinionin tonë vendor me të madhe e ka tronditur një aferë e sulmit të opozitës ndaj pozitës, për kinse do bisedime të fshehta me Serbinë. Tek loja e tyre djallëzore“ka -s’ka bisedime të fshehta me Serbinë” dhe “ka - s’ka dëshmi për këtë”, mendoj se, në këtë lojë, që të dy palët kishin të drejtë. Për ta sqaruar më afër këtë konstatim, si digresion do të shërbehem me një metaforë praktike. Një i njohur i imi që ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë, gjithnjë kur fliste diçka të pasaktë, bënte be: “pasha kokën e djalit”. Edhe pse ai betohej rrejshëm në kokën e djalit, pa dyshim e kishte ndërgjegjen e pastër, sepse, nuk kishte djalë. Katër fëmijët e tij ishin vajza. Ngjashëm është edhe tek rasti ynë konkret. Mendoj se problemi kyç i paqartësisë qëndron tek gabimi i nocionit të përdor. Në të vërtet, nëse ato bisedime “të fshehta” që po mbahen me Serbinë, opozita i ka perceptuar në formë të tryezës së rrumbullakët ku, të përfaqësuar nga nivelet e ndryshme ekspertësh, palët kundërshtare janë të ulur “karshi-karshi”njëri tjetrit, atëherë, pozita, me plotë gojë mundet me bo be se këso takime dhe bisedime të fshehura nuk ka pasur me Serbinë, por, nëse fjalën “bisedime” e zëvendësojmë me “kontakte të fshehta” ndërshtetëror të zyrtarëve të caktuar, atëherë, kjo është diçka tjetër. Sado që pozita dhe opozita gjuhen në mes veti me këso far akuza të koduara, ne e dimë se takimet të fshehta në mes të individëve të caktuar të politikës serbe dhe kosovare ka pasur gjithmonë. Jo vetëm tashti, por edhe në kohën e opozitës, kur sot si akuzues, ata ishin vetë dikur në pushtet. Ka pasur dhe do të ketë, sepse ashtu e ka lyp “baba”. Ai i cili ta cakton se“ku duhet ta lidhësh kalin”. Apo, ndryshe, ai që vërtet “kollet” në Kosovë. Se kush është “AI” dhe çfarë fuqi ka mbi politikanët tanë , u pa edhe me këtë rast, kur, edhe përpos dëmit të madh moral për mosmbajtjen e premtimit të dhënë për prezantimin publik të fakteve bindëse për këto bisedime fshehta, brenda natës ia ndryshoi mendimin e Ardian Gjinit dhe të partisë së tij.
Nga shumë mangësi për punën e kësaj qeverie, për të cilat e kam ende qëndrimin tim kritik, përzgjedhjen dhe emërimin e Skënder Hysenit dhe Vlora Çitakut për ministër dhe zëvendësministre të punëve të jashtme, e konsideroj si një potez plotësisht të qëlluar të kryeministrit tonë. Këtu shihet qartë që ai me kohë e ka ditur se, në rrethanat e tashme të politikës kosovare, kushto që të emërohet si ministër dhe zëvendësministre në këtë post, përveç privilegjeve që me parat e shtetit ta shëtis botën dhe të del shpesh në TV, nuk do të kenë asnjë të drejtë për ndonjë vendimmarrje të pavarur, sepse politikabërësi i vërtet i kësaj ministrie, pa dyshim se është dikush tjetër në prapaskenë. Dikush tjetër që i ri në kokë edhe vetë Hashimit!
Dhe për fund, çfarë të themi? Asgjë! Andaj, këtë artikull do ta përmbaroja, mu ashtu sikur një ditë u shpreh me zë një qytetar ynë i zakonshëm, i cili, ishte ulur në një lokal dhe me kafenë e mëngjesit pranë e shfletonte gazetën ditore: ”Oooo...flisni sa të doni dhe krekosuni sa të mundeni! Të gjithë më po e dimë se JU asgjë nuk keni në dorë ...! Ama...hiq nuk po mërzitem që po na rreni, por po më vjen inati se po kujtoni që ne po ju besojmë”...