Mendime
Daniel Gàzulli: Letërkëmbim me një Atdhetar
E hene, 30.08.2010, 09:59 PM
Letërkëmbim me një Atdhetar
Nga Daniel Gàzulli
Do të sjell sot, me fare pak shkurtime të pjesëve personale të njenit e të tjetrit, letërkëmbimin me një mik, një Atdhetar me shpirt të plagosun për çka po ndodh në trojet tona.
I shkrueja mikut tim Atdhetar, ndër të tjera, para pak ditëve, edhe këto rradhë:
I dashtun mik,
……………………….
Sot due me të pyetë edhe për diçka krejt tjetër.
Një mik i imi, familjarisht shumë i dhanë mbas Kosovës edhe kur këtu ishte frigë me ia përmendë emnin, fis me heroinen Marie Shllakun, ka qenë dy herë në Kosovë fill mbas çlirimit e asht kthye me emocione të forta.
Kësaj here ishte një javë atje e asht kthye tejet i zhgënjyem.
I ishte krijue përshtypja se tashma osmanizmi asht ulë kambëtyrqisht në Kosovë e se ajo po e humbë fytyrën e saj atdhetare, gati shndrrue në një vend islamik-arabik.
Nuk më bahet me e besue. Që një pakicë janë tjetërsue jo pak, këte e di, po që kjo frymë të ndjehet aq fort “sa me t’u duke vetja në një vend arabik” (fjalët në thojza janë si m’i tha ai), më duket pak e teprueme.
Më tha edhe se tashma flamurin e Turqisë e ndesh gjithkah, edhe në njoftime vdekjeje, kurse flamurin shqiptar asht gja e rrallë me e pa kund.
A asht e mundun me qenë kështu?
Kur të kesh kohë, më shkruej dy rreshta.
Përzemërsisht,
Daniel Gàzulli
Ja dhe përgjigja e tij, që më trishtoi e më tronditi:
I dashtun bacë!
………………………..
Tash po përgjigjem për pyetjen që ma keni ba per Dardaninë dhe për trishtimin e mikut tuaj patriot e shqiptar i mirë.
Ai ka të drejtë, asht pikrisht ai mjerim që edhe mue më trishtoi që në vitin 2001 kur unë shkova me makinë në shoqni të ……………………….. në Prekaz për të vizitue komleksin e kullave të Jasharajve dhe per të ba homazhe te varrezat e tyne. Unë, fatkeqësisht, kam ba vetem 14 vite jetë në Atdhe dhe ate nuk e njoh mirë, por Drenicën dhe katundet e saj i di për mrekulli. Besom, or vëlla, se kur arrita nga Drenasi në Skenderaj, unë nuk njoha vendin se ku isha. U ndala dhe pyeta një vajzë të re, kalimtare, se kah ishte rruga për në Prekaz. Ajo ma tregoi, por kur i thash se çka asht ajo (me nder me thanë) xhami aty në kryqëzimin rrugor Prekaz – Skenderaj, ajo tha se ate e kanë ndërtue Emiratet e Bashkueme Arabe apo dikush tjeter nga Arabia. Nuk e besova të ishte e vertëtë kjo dhe mendova se ajo më provokoi, sepse nuhati urrejtjen time per atë objekt arab, anmik dhe bastardh. Por jo, ajo kishte pasë të drejtë. Ditëve që pasuen të pushimit tim në vendlindje, mësova dhe pash se si epidemia e arabizimit kishte pllakosë shpirtnat e shqiptarëve gjithandej Dardanisë. U tmerrova, nuk kishte vend as ndejë të mos konfrontohesha me njerëz, me miq, që tash i kam anmiq, e me farefis, që tash nuk i njoh hiç. Kjo solli edhe te ajo që unë pa hezitim fillova me shkrime anti kulturë arabe ( sepse unë mendoj dhe jam i bindun se islami nuk asht fe, por kulturë arabe) dhe ja sot jam ky që jam, jam njeri i respektuem nga njerëzit, nga vëllaznit e gjakut e të kombit, nga vlerat dhe njerëzit me vlera, ndërsa jam tmerrsisht i urryem nga antikombtarët e që janë "besimtarët" - bizarët e fesë islame, që fatkqësisht flasin shqip, jam i kërcnuem edhe me vdekje nga idiotë të tillë, dhe janë pikërisht ata që unë asesi nuk mundem të ndërtoj apo rindërtoj shtëpi në truellin dhe themelet e shtëpisë së gurit që dikur, me duert e veta, na e pat ndërtue Baba, pastë ndjesë, e të cilen na e kallen serbët mizorë me 1999. Nuk guxoj të ndërtoj, sepse e di që porsa të largohem prej aty, ata do ma dhunojnë pronën e shtëpinë, do ma vjedhin pasuninë e ma në fund edhe do ta kallin, ashtu sikur i kallen shtëpitë e z. Gjon ( Enver) Mehaj vitin e kaluem.
Por të mos dal nga tema. Shkurtimisht po t’i numëroj disa fakte që vërtetojnë trishtimin e mikut tuej patriot. Kam një statistikë që tregon se mbas luftës që NATO bani për të çlirue Dardaninë, atje janë ndërtue 946 xhamija, që të gjitha me sponsorizime dhe ndihma të Turqisë, të Arabisë Saudite, të Kuvajtit, të Marokut, të Emirateve, etj etj. Konviktet e studentëve dhe oborret e fakulteteve janë përplot me "studentë" antiamerikanë, që pandërpre numërojnë tespihet tue përshperitë lutje arabe të pakuptimta. Këto oborre janë përplot me rini që andrrojnë të bahen antarë të xhihadit e Alkaides talibaneske. Në Dardani sot edhe arti i mirfilltë sulmohet. Para disa muejve, aktori dhe humoristi me famë, Rasim Thaqi – Cima, u ther në pikë të ditës me thikë nga katër mjekrroshë të vehabizmit talibanesk, ndërsa ishte tue shkue rrugës, mbasi kishte nxjerrë nga bankomati disa euro.
Gazetat, që në Dardani janë të gjitha të kontrollueme nga pushtetarët e qeveritarët kriminelë, rastin në fjalë e karakterizuen si tentim plaçkitjeje. Mbas dy ditësh, në postën elektronike, zonjës së humoristit Thaqi i vjen një mesazh, ku i thonë se ate e kanë sulmue xhihadistët e forumit islam të Dardanisë për faktin se ai paska ba një skeç me disa thumbime për një hoxhë.
Po ta kishim sulmue per ta plaçkitë, do t’i merrnin paratë e jo ta linin ate me para në dorë.
…………………………………………..
Sot në Dardani edhe akademikët ndërpresin ligjëraten për ta falë namazin, dhe mbas tyne falen edhe me qindra studentë.
Sot në Dardani shkohet në "HAXH", në Gazimestan, te varri i pushtuesit ma të poshtër, me nder me thanë Sulltan Muratit të parë. Ai varr thiret TYRBE. Aty shkojnë gra shterrpa për t’u lutë që të lindin fëmijë, aty shkojnë mjeranë per t’i sherue sëmundjet e ndryshme me shpresën se pushtuesi i dikurshëm tash do t’i mëshirojë dhe do t’i ndihmojë. Aty shkojnë edhe pushtetarë e delegacione qeveritare në shoqni me myfti të ndryshëm që vijnë nga Turqia, nga shtetet arabe dhe nga Bosnja.
…………………………
Ja, kjo ishte letra e sinqertë e mikut tim, që më trishtoi aq thellë, sa edhe sot e kësaj dite, mbas ma shumë se një jave, nuk arrijë me e marrë veten.
E m’u kujtue edhe një koment i një qytetari kosovar mbi shkrimin tim “Rreziku vehabist dhe heshtja e institucioneve”. Po sjell nje fragment të shkurtë, që përkon plotësisht me sa më shkruen miku im Atdhetar:
“Më rastisi që të kemë punë në Spital të Prishtinës ngase nena ime, ndjestë pastë, kishte nevojë për shtrim në spital, e vuajti për dy muaj nga tumori në tru.
Aty m’u dha rasti të shoh shumë mjek që kishin kryer fakultetin e mjekësisë, infermierë dhe infermiere që kryenin sherbimet mjeksore, më aq kushte që kishin dhe mundësi, po ajo çka me habiti ishte pamja e tyre me mjekrra te stileve arabe dhe vehabiste dhe shamijat e disa studenteve te reja, që vinin për të kryer praktiken e vitit të fundit para diplomimit, e ku më befasuan tej mase.
Mbi te gjitha me habitnin fjalët fetare që përdornin gjatë vizitës, si:
Bismilahe, rrahmane-rrahim, elhamdylilah, jarabilalemin, ishalla, kismet, ejvallah, afjetulla (fjal turke ne kuptimin të baft mirë për ushqimin e mengjesit, drekës apo darkës.)
…………………………………….
Mëndoja më vete se si ndihen ata përsona që nuk i perkasin fesë mylimane!”
Nuk dëshiroj me e komentue letrën plot dhimbje të mikut tim. Ate po ua la ju, me shpresë se jo vetëm do ta komentoni, po mbi të gjitha, për hir të këtij kombi të shumëvuejtun, të bajë secili diçka që të dalim nga ky tunel ndjellazi.