E hene, 29.04.2024, 03:57 PM (GMT+1)

Mendime

"Babai i Gumës, i bindur se ngjarja ishte aksident"

E diele, 29.08.2010, 10:42 AM


Tedi Blushi, Gazeta Shqipetare

         

          * Fatmir Toçi, deputet i Partisë Socialiste: "E vërteta është se Himara dhe himarjotët janë lënë për 20 vite jashtë vëmendjes së shtetit, dhe administratës shtetërore për arsye thjesht të një servilizmi politik ndaj shtetit fqinj në Jug të Shqipërisë, nga të gjitha qeveritë, dhe thjesht në këmbim të shpresës për mbështetje për të ardhur apo për të ruajtur pushtetin. Himara sot, edhe pse quhet Bashki, ka mbetur një fshat i madh, pa investime, pa punë për banorët e saj, pa mbështetje sociale; nga qytetet e vetme në territorin e Republikës së Shqipërisë ku nuk vjen asnjë gazetë në gjuhën shqipe, ku nuk shihet asnjë nga kanalet televizive kombëtare apo lokale, ku nuk qarkullon asnjë libër në gjuhën shqipe. Një gjendje e tillë ka bërë që himarjotët në dekada të mos ndjejnë asnjë ngrohtësi nga shteti shqiptar"

 

          Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi ka zhvilluar pak ditë më parë një vizitë në familjen e të ndjerit, Aristotel Guma i cili humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e 12 gushtit 2010. Në një intervistë të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare", Toçi ka rrëfyer qëndrimet që i janë shprehur atij nga familjarët e të ndjerit, duke vënë në dukje se babai i Aristotelit, Ilia Guma "edhe në ditën e vështirë të mortit në familjen e tij bëri thirrje që të mos bllokohej rruga nacionale dhe vazhdon të jetë i bindur se i biri është i ndodhur rastësisht në grindjen midis të rinjve dhe nuk kishte të bënte me ngjarjen". Deputeti socialist i qarkut të Vlorës i ka cilësuar ndërkohë të nxituara dhe jashtë kompetencave, deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e minoritetit etnik grek, sipas të cilëve ngjarja ka ndodhur "për motive etnike".

Për çfarë arsyesh vendosët të zhvilloni pak ditë më parë një vizitë në familjen e të ndjerit Guma?

Vizita ime në familjen Guma ishte një detyrim moral dhe ndjesi njerëzore ndaj njerëzve që jetojnë e punojnë në zonën nga unë kam dalë si përfaqësues i tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Nuk jam ndodhur këtu ditën e aksidentit dhe të përcjelljes për në banesën e fundit të të ndjerit Aristotel, ndryshe do të isha i pranishëm në dhimbjen e madhe që i ra mbi krye kësaj familje, por edhe gjithë komunitetit himarjot.

Mesa jeni informuar, familja Guma i përket minoritetit etnik grek apo komunitetit shqiptar greqishtfolës të Himarës?

Himara banohet nga shqiptarë që prej kohësh flasin shqipen dhe greqishten për shkak të marrëdhënieve gjithfarësh përgjatë historisë, në radhë të parë të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, por edhe ato kulturore e fetare. Sot një pjesë jo e vogël e banorëve të Himarës janë të vetëdeklaruar në atë grupim që quhet "homogjenë", domethënë që po pajisen me karta identiteti të shtetit fqinj jugor duke përfituar edhe sporte ekonomike prej tij, veçanërisht banorët në moshë të thyer e në moshën e pensionit. Kohët e fundit ky proces është shtrirë edhe në fshatrat përreth Himarës, tradicionalisht labe si Piluri, Kudhësi, Qeparoi Fshat e ndonjë tjetër. Në 20 vite shteti shqiptar nuk është shprehur asnjëherë qartë në lidhje me këtë proces dhe indiferenca e tij është e pashpjegueshme. Një servilizëm politik për interesa të mbajtjes së pushtetit që në sytë e banorëve të Himarës e ka bërë shtetin shqiptar që të duket si një ngrehinë prej rëre.

Si u prit vizita e një deputeti shqiptar në familjen Guma duke pasur parasysh faktin se në ceremoninë e varrimit të 35-vjeçarit, shqiptarët u konsideruan "derra vrasës" ndërkohë që edhe përfaqësuesit e minoritetit etnik grek në Shqipëri kanë pretenduar se "Aristotel Guma është vrarë për motive etnike"?

Familjen Guma, këto ditë të vështira për të nuk ka mbetur këmbë njeriu pa e vizituar për ta ngushëlluar e për t'iu gjendur pranë. Ajo ka qenë një derë e hapur për këdo që sinqerisht ka dashur t'ia lehtësojë sadopak dhimbjen. Ky është një zakon i mirë në Labëri, në Jug të vendit dhe besoj ndër të gjithë shqiptarët. Thirrjet pas aksidentit dhe në ceremoninë e varrimit do të ishte mirë që t'i marrim si ndjesi të momentit përballë një humbjeje të rëndë, për humbjen e njeriut të dashur të familjes në mënyrë të papritur dhe në rrethana akoma të paqarta. Ndërkohë që pretendimet e përfaqësuesve të minoritetit etnik grek në Shqipëri, që e kanë cilësuar ngjarjen "vrasje për motive etnike" e quaj të nxituar dhe jashtë kompetencave të tyre. Për këtë duhet të shprehet Prokuroria në bazë të analizës së fakteve, rrethanave të aksidentit dhe ekspertizës. Më ka bërë përshtypje qëndrimi burrëror i babait të viktimës, z. Ilia Guma, i cili edhe në ditën e vështirë të mortit në familjen e tij bëri thirrje që të mos bllokohej rruga nacionale dhe vazhdon të jetë i bindur se i biri është i ndodhur rastësisht në grindjen midis të rinjve dhe nuk kishte të bënte me ngjarjen. Në vizitën ngushëlluese në familjen e tij kam parë me të vërtetë një burrë të ndershëm e të zakonit, që di të përballojë me fisnikëri dhimbjen e madhe që do ta shoqërojë gjithë jetën.

Çfarë qëndrimi ju shprehën familjaret e të ndjerit lidhur me ngjarjen tragjike të 12 gushtit 2010. Cilat janë sipas tyre motivet e ngjarjes? Atë që ka ndodhur e cilësojnë një aksident apo një vrasje?

Familja e të ndjerit është akoma nën shok-un e humbjes së madhe. Ajo pret nga drejtësia zbardhjen e ngjarjes, por edhe pse ngjarja u përdor politikisht, edhe pse ka njerëz që duan ta përdorin për të nxitur pakënaqësi të himarjotëve ndaj shtetit shqiptar dhe për të mbjellë një klimë tensioni ndër banorët e kësaj zone, ata e kanë kuptuar se të humburit e vërtetë në ngjarjen tragjike të 12 gushtit janë vetëm ata dhe fati i djalit të tyre që u nda nga jeta në lulen e moshës, që solli në shtëpi lajmin e kobshëm, kur prindërit, motrat, vëllai dhe të afërmit prisnin lajmin e ardhjes së nuses në derë të Gumajve.

Kreu i shoqatës "Bashkimi Himarjot", Fredi Beleri në një intervistë të dhënë për gazetën greke "Agelioforos" është shprehur se opozita shqiptare me qëndrimin që ka mbajtur ndaj ngjarjes tragjike të 12 gushtit 2010 është treguar sipas tij "shumë miqësore me autorët e krimit". Si deputet i opozitës, si e komentoni këtë deklaratë?

Kjo është një deklaratë e çuditshme që nuk vjen nga himarjotët e vërtetë dhe as nga ata që e duan qetësinë dhe jetën normale në Himarë. Duket që është një deklaratë nga segmente antishqiptare që i kanë fryrë vazhdimisht zjarrit të trazirave e destabilizimit në Himarë. Opozita shqiptare ka dënuar përdorimin politik të kësaj fatkeqësie dhe që në fillim i ka shprehur ngushëllimet familjes. Edhe deputeti i opozitës Damjan Gjiknuri, djalë i zonës së Himarës, ka qenë në familjen e të ndjerit, por edhe të gjithë përfaqësuesit e strukturave të opozitës në Himarë e në Vlorë. Por, dua të theksoj atë që thatë në fillim: ky qëndrim është njerëzor, madje zakonor dhe nuk ka të bëjë aspak me qëndrimet partiake.

Në cilësinë e deputetit të qarkut të Vlorës, a jeni interesuar pranë organeve të drejtësisë lidhur me ecurinë e deritanishme të hetimeve për ngjarjen?

Padyshim, si edhe për çdo ngjarje apo incident tjetër që ndodh në zonën që unë mbuloj. Hetimet janë në proces dhe duan kohën e tyre për t'u zbardhur. Duhet t'i lënë të qetë organet e drejtësisë në punën e tyre për zbardhjen sa më shpejt dhe me vërtetësi të ngjarjes. Kjo do ta ngushëllonte sadopak familjen Guma, por do ta qetësonte edhe komunitetin himarjot dhe të gjithë shqiptarët. Shpresoj që të ketë qenë një aksident pa dashje, pa qëllim marrjen e jetës të të ndjerit Aristotel Guma. Kjo do t'i shërbente aktualisht më mirë kthimit te qetësisë ndër himarjotët. Por, më e rëndësishme nga të gjitha është e vërteta mbi ngjarjen. Ritheksoj se organet përkatëse duan kohën e tyre për të dhënë një përgjigje sa më të saktë e më të drejtë. Raste të tilla janë si puna e sëmundjes së rëndë: të bien menjëherë e papritur dhe duan shumë kohë për t'u shëruar.

Së fundmi, si i komentoni zhvillimet në Himarë që pasuan vdekjen e 35-vjeçarit Guma?

Është lakuar shpesh në media këto ditë ngjarja në Himarë dhe mbetet pezull pyetja: pse bëhet kaq zhurmë në Himarë kur ndodh ndonjë gjë, kur afrohen zgjedhjet, apo gjatë fushatave elektorale?! Aksidente ndodhin kudo; statistika e muajve korrik e gusht flasin mesatarisht për 5 aksidente në ditë me nga 2 të vdekur çdo ditë, pa llogaritur dhjetëra të plagosur, disa prej tyre me rrezik për jetën. E vërteta është se Himara dhe himarjotët janë lënë për 20 vite jashtë vëmendjes së shtetit, dhe administratës shtetërore për arsye thjesht të një servilizmi politik ndaj shtetit fqinj në Jug të Shqipërisë, nga të gjitha qeveritë, dhe thjesht në këmbim të shpresës për mbështetje për të ardhur apo për të ruajtur pushtetin. Himara sot, edhe pse quhet Bashki, ka mbetur një fshat i madh, pa investime, pa punë për banorët e saj, pa mbështetje sociale; nga qytetet e vetme në territorin e Republikës së Shqipërisë ku nuk vjen asnjë gazetë në gjuhën shqipe, ku nuk shihet asnjë nga kanalet televizive kombëtare apo lokale, ku nuk qarkullon asnjë libër në gjuhën shqipe. Një gjendje e tillë ka bërë që himarjotët në dekada të mos ndjejnë asnjë ngrohtësi nga shteti shqiptar. Dhe e kanë hedhur vështrimin përtej detit, të fqinji ynë jugor: punësim, viza me përparësi apo lejë afatgjata qëndrimi, pajisje me karta identiteti greke, ndërhyrje e presione te shteti shqiptar për të drejtat e tyre, pensione për pleqtë, edhe pse një pjesë e tyre nuk kanë punuar asnjë ditë në shtetin fqinj etj. Shteti shqiptar, me politikat e tij, duhet t'u kthejë besimin himarjotëve, të zgjidhë, së pari, problemin e pronave dhe tokave në bregdet, të shtojë investimet dhe të përmirësojë infrastrukturën, të hapë vende pune që njerëzit të kthehen në vendin e tyre për t'iu përkushtuar zhvillimit të turizmit dhe prodhimeve tradicionale të zonës, të zhvillojë me përparësi kulturën dhe arsimin në gjuhën shqipe, të investojë për transmetimin e informacionit mediatik si në të gjithë vendin. Madje, të aplikojë për një afat të caktuar disavjeçar edhe politika fiskale të favorshme, deri në shpalljen e Himarës si zonë të lirë, në interes të përshpejtimit të zhvillimit të zonës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora