E premte, 25.07.2025, 02:48 AM (GMT+1)

Mendime

I burgosuri shqiptar ende po pret, e qeveritari shqiptar po lahet në det

E marte, 24.08.2010, 10:02 PM


I burgosuri shqiptar ende po pret, e qeveritari shqiptar po lahet në det

 

Nga Mr. sc. ARDIAN RAMADANI

 

Shqiptarët e Maqedonisë kanë me të vërtetë politikanë që të bëjnë të qeshësh dhe të qash në të njëjtën kohë. Ata ngjajnë me personazhet donkishotesk të De Servantesit, që me kryeneçësi dhe arrogancë sillen ndaj popullit, respektivisht votuesve të vet kur janë në pushtet, ndërsa para zgjedhjeve elektorale dinë, ngase janë mësuar, të premtojnë edhe çudira, po edhe më shumë se kjo. Kësisoj me paraqitjet e tyre amatoreske para popullit që do të zgjidhin gjitha problemet që preokupojnë popullin, ata nuk bëjnë asgjë tjetër përpos që dëshmojnë dhe afirmojnë që sikur të luanin në filmin vizatimor “Pinokio”, do ta luanin shkëlqyeshëm rolin e këtij të fundit dhe hunda do iu rritej nga gënjeshtrat deri në atë shkallë, saqë do të kishin problem që edhe ta mbanin me dy duar.

Këtë uverturë e bëra me qëllim, për t`i përkujtuar ata, nëse i ka mbetur pak kujtesë kuptohet, që para se të përgatisin valixhet për të shkuar në pushim, kanë një mori punët të pakryera, të lëna në gjysmë të rrugës, apo edhe të panisura fare. Kësisoj ata i kanë borxh zgjedhësve të vet, popullit dhe kësisoj edhe demokracisë, aq shumë, saqë edhe Banc of California nuk do mund t`i lante borxhet e tyre të pafalshme.

Vallë shtroj pyetjen retorike për deputetin, pushtetarin shqiptar, politikanin si dhe qytetarin e thjeshtë, se para se të niset për pushim në bregdet, mal apo gjetiu, se a i bjen ndërmend se burgjet e Maqedonisë ngjasojnë me kampet e përqendrimeve naziste, ku pjesa dërmuese janë shqiptarë të pafajshëm? Vallë, a e dinë se nëpër burgje po kalbet rinia jonë e pafajshme e lënë në mëshirën e fatit, rini kjo e internuar brenda pa kurrfarë vërtetësie apo prove për ndonjë krim të bërë, apo për ndonjë veprim penalizues? Vallë, i shkon ndërmend pushtetarit shqiptar, i burgosuri i Opajës me burgim të përjetshëm, Rexhail Qerimi, që lëre që qytetarët e këtij vendi e dijnë, po edhe zogjtë e malit dhe fushës dëshmojnë që në momentin e vrasjes së policit për të cilin akuzohet ky person i pafajshëm, ai ka qenë me bashkëfshatarët e vet duke pirë kafe, bile edhe babai i viktimës (lexo: policit të vrarë) në momentin e shqiptimit të dënimit kapital ndaj Rexhailit, afirmoi se po gjykohen njerëz të pafajshëm, e fajtorët shëtitën si prostituta nate nëpër rrugë. Vallë i shkojnë nëpër mend pushtetarit shqiptar, se të burgosurit e Brodecit janë ndokund, që ata tani nuk janë as pjesë e spoteve televizive partiake të tyre, e lëre më në listat për lirim? Vallë, deri kur burgjet në Maqedoni do mbushen me shqiptarë të pafajshëm, vetëm se janë shqiptarë dhe se kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare, kryengritës të një kryengritje të pambaruar? Vallë dhimbsen ata nëse kanë shpirt për tu dhimbsur, për familjarët e burgosurve shqiptarë, për fëmijët, prindërit, vëllezërit......, që nuk mund t`i shohin të dashurit e tyre, vetëm për qejfin e ndokujt të tregohet i gjithëfuqishëm në këtë shtet, si dhe për tjetrin që të ruajë karrigen e pushtetit? Kam edhe shumë pyetje të tjera, po frikohem se do ngelin pyetje retorike, ngase përgjigja gjendet brenda pyetjeve, si dhe kam drojën se pushtetari shqiptar do e kaplojë patetizmi apo nostalgjia, do e brejë ndërgjegjja, e kësisoj do zgjohet nga gjumi dimëror në verë, e do bëjë zgjidhje të problemeve me shkopin magjik, (lexo: hundën e Pinokios gënjeshtar).

Kësisoj ai pushtetarë që shkon për pushime në det, mos të harrojë se i burgosuri shqiptar që dergjet burgjeve i pafajshëm, edhe kur të lahet pushtetari, edhe kur të rrezitet, edhe kur të notojë, edhe kur të hajë në restorante të shtrenjta peshkun apo sallatën, ai e pret, nuk shkon asgjëkund, vetëm nëse nuk i inskenohet ndonjë “vetëvrasje”! Kësisoj, ti o i nderuar pushtetarë, që i “bëre të gjitha” për qytetarin tënd shqiptarë, votuesin tënd, ti që harrove të burgosurit e shumtë shqiptarë nëpër burgje, kujdes nga rrezitja e tepërt, mos djegësh, se vaj halli kush do na përfaqësojë pastaj. Kujdes nga noti në det në vende të thella, ngase mund te vijnë dallgë të mëdha e ti nuk di not, këtë jam më se i sigurt, e kam frikën mos të gjejë diçka e keqe e papritur, e mbesim pa pushtetarë e pa ty o haj medet!  Kujdes nga haja e tepërt, se kam frikë se do shtosh kilogramë në trup, e aspak kilogram në mendje, e mund të kesh probleme shëndetësore, e kush na përfaqëson pastaj se?! Kujdes kur të shikohesh në pasqyrë, ngase mund të frikohesh nga karikatura jote, e vaj halli pastaj, kur të kthehesh nuk je më narcisoid, ashtu siç ishe kur shkove në pushime. E di që, këto gjëra që i shkrova ndoshta do ju bëjnë të rikujtoheni, mos harroni se pas gjithë këtyre fatkeqësive që i kanë ndodhur shqiptarëve të pafajshëm nëpër burgje, fatkeqësia tjetër është të ju rikujtojmë kështu herë pas here për këta njerëz, sa herë që ju bëheni gati të shkoni për pushim. Mos harro se në errësirë duhet dritë e në fatkeqësi duhen mend. Mos harro, ti o i nderuar pushtetarë, politikan, deputet, ministër.... që politika është e ëmbël sikurse lufta, po njëherazi edhe po aq e rrezikshme sa ajo. Në luftë vritesh, shpallesh hero. Po nëse vdes politikisht, e di se çka shpallesh? Andaj, prano gabimin, përvishu punës si duhet, angazhohu që vëllezërit e tu që dergjen burgjeve të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen menjëherë, ngase duke u penduar që ke gabuar, gati je i pafajshëm. E të shkosh në pushime, e të mos pranosh gabimet që ke bërë, do të thotë se bën gabimin edhe më të madh, i kthen shpinën popullit dhe e len në mëshirë të fatit. E ti politikan, pushtetarë, deputet, ministër e ku e di unë çfarë je, mos u lodh të kontribuosh për pamjen dhe dukjen tënde, po mundohu të kontribuosh për karakterin tënd.   



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx