Mendime
Niveli i ulët i gazetarisë dhe ndikimi i politikës në hapësirat mbarëshqiptare
E diele, 22.08.2010, 11:13 AM
Niveli i ulët i gazetarisë dhe ndikimi i politikës në hapësirat mbarëshqiptare
Nga Faik Krasniqi
Duke qenë vet analist politik dhe njëkohësisht duke ndjekur nga afër dhe rregullisht shtypin e shkruar edhe atë elektronik në të gjitha hapësirat shqiptare, mund të them se jemi shumë larg për të arritur nivelet e shtypit perëndimorë.
E para, mediat tek ne janë të varura nga politika (pasi shumica e gazetave ditore dhe elektronike marrin reklama prej Qeverisë dhe Partive politike) dhe një medium i pavarur prej saj, është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE. Mediat e pavarur monitoron punën e Qeverisë, ndërsa mediat tona nuk po arrijnë ta bëjnë këtë si duhet përderisa janë të varur ende jo pak nga politika. Shumë gazeta shkruajnë për interesa të politikave të caktuara. Është politika dhe politikanët e caktuar që jo pak herë kanë sulmuar ato pak gazeta të pavarura që janë në shumë mënyra (nuk dua të jap shembuj sepse ka shumë të tillë konkret, por të gjithë janë në dijeni nga emisionet e shumta dhe ankesat direket të zhvilluara nga botues dhe drejtorë të gazetave dhe TV-ve viteve të fundit). Pra nuk kemi një liri të shtypit. Kemi raste të shumta edhe të vrasjeve të gazetarëve shqiptarë. Së dyti që ka të bëjë me profesionalizmin dhe etikën e gazetarit. Në gazeta lajmi është larg së të vërtetës. Gazetarët nuk rendin pas burimit të lajmit dhe të jenë të përgjegjshëm për atë që publikojnë. Prodhojnë lajme sensacionale për efekt të shitjes së gazetës. Më kujtohet në një të përditshme, me nam në Shqipëri, artikulli dallues ”Atentat Presidentit” , ku brenda flitej për një president kompanie shqiptare krejtësisht të panjohur. Gazetat ndalen kryesisht në kronikën e zezë, dhe kjo është një nga problemet kryesore pasi krijojnë një panik dhe modelojnë një imazh të shëmtuar të shoqërisë shqiptare. Çdo ditë kemi shembuj të krimit dhe dhunës në familje, por pasqyrohet thjeshtë fenomeni dhe nuk ndalet në përgjegjësit dhe organet kompetente t’i diskreditojnë ata për pasivitetin dhe indiferencën për të zbutur fenomenin.
FAIK KRASNIQI PUBLICIST I PAVARUR NGA PRISHTINA